Žabljak
Pretežno oblačno
8.8 °C
Pljevlja
Pretežno oblačno
15.7 °C
Herceg Novi
Oblačno
18.1 °C
Nikšić
Oblačno
14.5 °C
Cetinje
Pretežno oblačno
16.9 °C
Bar
Oblačno
16.8 °C
Podgorica
Pretežno oblačno
19.9 °C
Ulcinj
Umjereno oblačno
21.3 °C
Kolašin
Pretežno oblačno
12.3 °C

Lajmet

12. 03. 2014.   >>  17:13 0

LAJMET 12.03.2014

12.03.2014

Filloi sot seanca e parlamentit

Deputetët e parlamentit malazez kanë filluar sot seancën e dytë pranverore kurse rendi i ditës, siç është paralajmëruar, duhet të plotësohet me ndryshimet e propozuara të ligjit për zgjedhjen e këshilltarëve dhe të deputetëve. Kryetari i Parlamentit Ranko Krivokapiq ka theksuar dje se e ka proceduar propozimin e ligjit për ndryshimet dhe propozimin e ligjit për zgjedhjen e këshilltarëve dhe të deputetëve në formën e miratuar në mbledhjen e kolegiumit. Sipas fjalëve të tij, i vetmi ndryshim është se në ligj është futur amendamenti i PDS për pjesëmarrjen e gruas në parlament.

Në rend të ditës së seancës së sotme janë edhe ligjet për fshehtësinë e të dhënave, mbikëqyrjen inspektive, ligji për mbrojtjen nga diskriminimi, ligji për buxhet dhe përgjegjësin financiare dhe disa propozim ligje tjera. Deputetët do të debatojnë edhe për raportin për punën e vitit të kaluar të këshillit për mbrojtje dhe siguri dhe për sjelljen e planit hapësinor për qëllime të veçanta të Parkut Nacional “Llovqen”.

 

Aksioni afirmativ në nivelin lokal dëmton Malin e Zi qytetar

Aksioni afirmativ në nivelin lokal do të shënonte ndarje të mëtejme nacionale në Mal të Zi si dhe shkatërrimin e shtetit qytetarë, ka theksuar kryetari i parlamentit Rabnko Krivokapiq. Ai u ka deklaruar gazetarëve në Cetinë se partitë qytetare nuk duhet ta pranojnë këtë.

Krivokapiq ka theksuar se i kupton partitë nacionale, mirëpo ka përkujtuar se të gjitha partitë ishin kundër zgjidhjes së tillë me rastin e miratimit të ligjit të mëparshëm zgjedhor, njofton Portali i gazetës “Pobjeda”. Ai ka sqaruar se propozimi i ligjit zgjedhor i cili është futur në rend të ditës të seancës e cila ka filluar sot është teksti i harmonizuar në grupin punues dhe më vonë i përpunuar në kolegjium.

 

Aksioni afirmativ po, por vetëm pas 1 nëntorit

Për Frontin Demokratik është i pranueshëm amendamenti i partisë Boshnjake në ligjin për zgjedhjen e këshilltarëve dhe deputetëve për aksionin afirmativ në nivelin lokal, me kusht që ai të jetë në fuqi prej 1 nëntorit, ka deklaruar shefi i klubit të deputetëve të kësaj aleance, Goran Danilloviq. Me amendamentin e partive të pakicave është paraparë aksioni afirmativ për popujt të cilët përbëjnë deri në 15 përqind të banorëve në nivelin lokal dhe atë shtetërorë. Deputeti i Partisë Boshnjake, Sulo Mustafiq ka theksuar se Danilloviq ka dhënë propozim në emër të Frontit Demokratik, siç ka theksuar, mund të shënojë rrugën drejt kompromisit dhe lidhet me shtyrjen e afatit të zbatimit të ligjit për zgjedhjen e këshilltarëve dhe deputetëve në pjesën që ka të bëjë me aksionin afirmativ.

 

Gjeloshaj në vend të Gjekës, kurse Gegaj në vend të Vukçeviq

Funksionari i PDS Nikollë Gegaj do të jetë deputet i ri i kësaj partie në Parlamentin e Malit të Zi njofton Portali Analitika. Ai do ta zëvendësojë Zoran Vukçeviq  i cili ka dhënë dorëheqje në këtë funksion pasi që është zgjedh kryetar i këshillit të drejtorëve të Fondit Investues Zhvillimor. Poashtu deputet i ri në  listën e partive shqiptare do të jetë Nikë Gjeloshaj nga Alternativa Shqiptare, i cili në këtë funksion do ta zëvendësojë Fatmir Gjekën, i cili është zgjedhur kryetar i Komunës së Ulqinit.

 

Gjukanoviq sot në Monako

Kryeministri i Malit të Zi Millo Gjukanoviq qëndron sot për vizitë punë në mbretërinë e Monakos ku takohet me princin Albertin e II-të nga Monako dhe kryeministrin e shtetit Monako Mishell Rozhe.

Nga qeveria është kumtuar se Gjukanoviq gjatë vizitës do të marr pjesë në forumin investues në temën e potencialeve investuese të Malit të Zi gjë që siç theksohet do ti jap impuls shtesë ndërlidhjes së afaristëve malazezë dhe atyre nga Monako si dhe animimin e qarqeve afaristë nga Monako që të investojnë në Mal të Zi. Me Gjukanoviqin në Monako ka udhëtuar edhe ministri i turizmit dhe zhvillimit të qëndrueshëm Branimir Gvozdenoviq.

 

Ivan Brajoviq në Romë

Ministri i komunikacionit dhe detarisë Ivan Brajoviq është takuar sot me ministrin e infrastrukturës dhe transportit të Republikës së Italisë Mauricio Llupi në Romë ku kanë biseduar për përparimin e bashkëpunimit bilateral në fushën e komunikacionit dhe transporteve. Gjatë takimit është nënshkruar marrëveshja ndërmjet qeverisë së Malit të Zi dhe Republikës së Italisë, për transportin e udhëtarëve dhe mallrave në komunikacionin rrugorë ndërkombëtare, me të cilën lehtësohet dhe përparohet transportimi i njerëzve dhe i mallrave ndërmjet dy vendeve duke u mënjanuar disa barriera administrative dhe financiare. Gjatë vizitës në Itali, Brajoviq është takuar edhe me kryetarin e shoqatës së pronarëve të anieve “Confitarma” Emanuelle Grimaldi si dhe me përfaqësuesit e kompanive tjera detare.

 

Të hetohen informatat për blerjen e votave

Pushteti duhet të hetojë dhe procedojë incidentet dhe informatat për blerjen e votave në zgjedhjet lokale në Beranë, ka rekomanduar delegacioni i UE në Podgoricë. Në pyetjen që të komentojnë akuzat për gjoja parregullsitë dhe blerjen e votave, ata kanë theksuar se janë të shqetësuar për shkak të incidenteve në Beranë. Këto incidente dhe pohimet e tilla, pushteti duhet ti hetojë në tërësi dhe ti procedojë më tej, kanë deklaruar për gazetën “Vijesti” në delegacionin e UE, duke shtuar se do ta vazhdojnë ta përcjellin zhvillimin e mëtejmë të situatës. “Duke pasur parasysh këto ngjarje, atëherë është edhe më e rëndësishme që të vazhdohet me reformën e legjislaturës zgjedhore, më qëllim të rritjes së besimit të qytetarëve në procesin zgjedhorë”, thonë nga UE.

 

Këshilli nesër do të propozojë kandidatët

Këshilli për sistemin politikë legjislaturë dhe administratë, nesër do ti propozojë katër kandidatët për anëtarë të kolegjit gjyqësor. Në ftesën publike të përsëritur, për anëtarë të kolegjit gjyqësor janë paraqitur 11 kandidatë të cilët janë marr në dëgjim konsultativ në mbledhjen paraprake të Këshillit. Kandidatët për anëtarë të kolegjit gjyqësor duhet të kenë 10 vjet përvojë punë në profesionin e juristit. Kolegji gjyqësor numëron 10 anëtar. Nga 4 përfaqësues i zgjedhin Kuvendit i Malit të Zi dhe Konferenca e Gjykatësve, kurse anëtarë janë kryetari i Gjyqit Suprem dhe ministri i drejtësisë.

 

Nesër për sulmet ndaj gazetës Vijesti

Kryetari i Komisionit për përcjelljen e hetimeve të sulmeve ndaj gazetarëve Nikolla Markoviq, ka theksuar se në mbledhjen e nesërme do të kërkojë që përfaqësuesit e drejtorisë së policisë dhe të prokurorisë ta njoftojnë këtë trup me rezultatet e hetimeve të sulmeve kundër  gazetës “Vijesti” për të cilat akuzohen Nebojsha Vukmiroviq dhe Marko Shofranac. Presim nga kompetentët që ti paraqesin rezultatet e hetimeve në bazë të të cilave janë pandehur Vukmiroviq dhe Shofranac për shkak të dyshimeve të shumta të paraqitura në opinion me rastin e kësaj ngjarjeje, ka theksuar Markoviq. Ai ka theksuar se në mbledhje do të formohen grupet punuese për rastet të cilat konsiderohen më urgjente dhe më të rëndësishme. Ai ka shtuar se mbledhja do të jetë e mbyllur për opinion, por do të jepen deklarata për opinion.

 

PDS ka besim tek Ragjenoviq

Partia demokratike e socialistëve është e bindur se kryetari i Komunës së Budvës Çasllav Ragjenoviq, i cili është marr në pyetje në prokurori, të gjitha funksionet me përgjegjësi të cilat i ka mbuluar i ka kryer me nderë dhe në pajtim me ligjet dhe beson se organet kompetente shtetërore do të zbulojnë të vërtetën lidhur me këtë rast. Ragjenoviq  është marr në pyetje mbrëmë në prokurorinë speciale për kriminalitet të organizuar për shkak të dyshimit të shpërdorimit të pozitës zyrtare. Sipas informatave jo zyrtare, inspektorët janë duke hetuar se si administrata lokale në vitin 2007 ka mbetur pa 2 milion euro në llogarinë e vetë duke i garantuar për kredi firmës private “SP Lluna” në “Prva Banka”. Ragjenoviqit pas marrjes në pyetje i është caktuar paraburgimi 48 orësh, njoftojnë mediat e Podgoricës.

                                                                                                                       

Qëndrime të ndryshme rreth punës së mëtejme të minierës së boksitit

Sindikata e pavarur e minierës së boksitit në Nikshiq përkrah vazhdimin e bisedimeve në organet kompetente dhe realizimin e bashkëpunimit afaristë dhe teknikë  si zgjidhje kalimtare, kurse punëtorët tjerë kërkojnë shitjen ekskluzive të ndërmarrjes dhe paralajmërojmë bllokimin e eksportimit të xehes. Përfaqësuesi i punëtorëve të tubuar para ndërtesës së minierës, Miomir Çollakoviq ka paralajmëruar se nesër do të fillojnë bllokimin e dërgesave të xehes të pa kënaqur me propozimin e përfaqësueseve të qeverisë që stazhi i punës tu llogaritet në bazë të të ardhurave minimale e jo në bazë të rrogave të llogaritura.

Kryetari i sindikatës së pavarur Borisav Bojanoviq, ka theksuar se për ta e vetmja zgjidhje është vazhdimi i bisedimeve në ministritë për punë dhe kujdesen sociale dhe në ministrinë e ekonomisë duke apeluar që Kuvendi sa më para të miratojë ligjin për lidhjen e stazhit të punës.

 

Ivanoviqit i realizohet dëshira, transferohet në Mitrovicë

Siç raportojnë mediat serbe lideri i Iniciativës Qytetare SDD, i arrestuar më 27 janar me dyshime për krime lufte ndaj shqiptarëve të kryera gjatë viteve 1999/2000, përfshirë edhe vrasje, është transferuar në burgun e Mitrovicës. Po sipas këtyre mediave një karvan automjetesh, në të cilin me siguri ndodhej edhe një me Oliver Ivanoviqin, ka mbërri sot, në orën 11 e 25 minuta në pjesën veriore.  Agjencia e lajmeve e Serbisë, Tanjug, raporton se ky karvan shoqërohej nga Policia - e Kosovës dhe EULEX-it dhe se ajo menjëherë ka hyrë në qendrën e paraburgimit, ku ka zbarkuar Ivanoviqin. Ndryshe Ivanoviq kishte hyrë në një grevë urie qysh më 4 mars me kërkesën për transferim.

 

Komunat veriore sot pritet të miratojnë statutet dhe simbolet

Për sot në orët e pasditës janë caktuar seancat e kuvendeve komunale në Mitrovicën Veriore, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, në të cilat duhet të miratohen statutet dhe simbolet e komunave. Kryetari i Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq, ka thënë se pret që statutet të miratohen dhe ka bërë me dije se draft-dokumentet u janë dorëzuar me kohë këshilltarëve. “Presim që edhe ministria kompetente në Prishtinë të pranojë statutet tona, sepse gjatë hartimit të tyre jemi mbështetur ekskluzivisht në ligjin për vetëqeverisje lokale”, ka theksuar Jabllanoviq.

 

Njëmbëdhjetë vjet nga vrasja e Gjingjiqit

Në Beograd sot u shënua 11-vjetori i vrasjes së ish-kryeministrit të Serbisë, Zoran Gjingjiq.
Manifestime përkujtimore me këtë rast zhvilluan krerët shtetërorë, subjekti i tij politik, Partia Demokratike, si dhe shoqëria civile. Gjinigjiq ka qenë kryeministri i parë i Serbisë, i zgjedhur pas rrëzimit të regjimit të Sllobodan Millosheviqit në vitin 2000. Ai është vrarë më 12 mars të vitit 2003 nga një snajperist pranë ndërtesës së qeverisë në qendër të Beogradit. Organizatori i vrasjes, Millorad Ulemek Llegija, dhe snajperisti Zvezdan Jovanoviq janë dënuar me nga 40 vjet burgim.

 

Franca pro integrimit të Shqipërisë

“Franca mbështet integrimin e Shqipërisë. Nuk thamë jo për statusin, por e lamë Shqipërinë të vijojë me agjendën e integrimit dhe të ofronte kredibilitet”. Kështu u shpreh sot në Tiranë, Presidenti i Senatit të Francës Jean-Pierre Bel në Tiranë gjatë një konference të përbashkët për shtyp që pati me kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta.  Pyetjes se nëse Franca do i thotë ‘Jo’ sërish marrjes së statusit së Shqipërisë si vend kandidat në BE, në muajin Qershor, Bel tha se Shqipëria duhet të krijojë integritet në rrugën e saj të integrimit për të larguar pikëpyetjet dhe dyshimet që kanë vendet e BE-së. Ndërsa kreu i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta ka deklaruar se Franca mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.  Gjithashtu kreu i Kuvendit shtoi se Shqipëria është një vend i hapur për investime ndërsa ka ftuar edhe investitorët e huaj të zhvillojnë bizneset e tyre në Shqipëri.

 

Këshilli i Evropës do t’i inspektojë zgjedhjet në Maqedoni

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka dërguar delegacion për vizitë parazgjedhore në Maqedoni, si përgatitje për misionin e tij monitorues për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në muajin prill.  Delegacioni pesanëtarësh i Këshillit të Evropës, i kryesuar nga austriaku Shtefan Shenah, gjatë ditës së sotme takimin e parë e ka pasur me presidentin e vendit Gjorgje Ivanov, ndërsa më vonë janë takuar edhe me kryetarin e parlamentit Trajko Velanovski.  Gjatë ditës, përfaqësuesit e delegacionit të Këshillit të Evropës kanë pasur takime edhe me përfaqësues të mediave dhe shoqatave të gazetarëve, si dhe takime të veçanta me kandidatë për kryetarë.  Kuvendi parlamentar i Këshillit të Evropës në Maqedoni do të dërgojë 21 monitorues të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare. 

 

Ashton në Sarajevë, bisedime për situatën ekonomike

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ndodhet në Sarajevë për bisedime me udhëheqësit e Bosnjës.

Vizita ndodh në vazhdën e protestave në këtë vend, kundër papunësisë dhe korrupsionit. Ashton ka thënë se do të takojë zyrtarët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile “për të dëgjuar pikëpamjet e tyre në lidhje me situatën dhe për atë se si të zgjidhen shqetësimet e qytetarëve, sidomos ato ekonomike dhe sociale”. Bosnja është përfshirë nga korrupsioni, papunësia dhe grindjet ndëretnike qysh në fund të luftës së viteve 1992-95. Përleshjet e dhunshme midis policisë dhe protestuesve muajin e kaluar kanë lënë mbi 200 njerëz të plagosur.

 

Rusia refuzon kontaktet për Krimenë

Ushtruesi i detyrës së presidentit të Ukrainës, Oleksandr Turchynov, ka thënë se Rusia ka refuzuar çdo kontakt për krizën në Krime. Duke folur për agjencinë AFP, Turchynov ka thënë se Moska kundërshton çdo zgjidhje diplomatike të konfliktit. Komentet vijnë derisa ushtruesi i detyrës së kryeministrit të Ukrainës, Arseniy Yatsenyuk, përgatitet të takojë sot në Uashington presidentin e Shteteve të Bashkuara, Barack Obama. Dy zyrtarët do të flasin për situatën në Krime dhe ndihmën ekonomike për Ukrainën. Ndërkohë që kriza në Ukrainë vazhdon, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi me shumicë dërrmuese të votave një rezolutë e cila dënon shkeljen e sovranitetit të Ukrainës nga ana e forcave ushtarake ruse, dhe bën thirrje për vendosjen e vëzhguesve ndërkombëtarë në Krime dhe rajone të tjera të Ukrainës. 403 ligjvënës votuan në favor të rezolutës dhe gjashtë prej tyre votuan kundër. Republikanët dhe Demokratët janë të bashkuar në dërgimin e një mesazhi për Moskën. Me një shfaqje të rrallë të unitetit, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi masën e dytë në më pak se një javë për të treguar solidaritet me popullin e Ukrainës. 

 

Barroso kritikon Rusinë në lidhje me Krimenë

Kryetari i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, ka kritikuar ashpër Rusinë për situatën në Krime, duke thënë se propozimi për Moskën për bisedime të drejtpërdrejta ka mbetur pa përgjigje.
Duke folur para Parlamentit Evropian në Strasburg, Barroso ka thënë se komisioni do të lëshojë një deklaratë së shpejti, e cila do t’i bëjë thirrje Rusisë që të ndalojë të gjitha përpjekjet për të përvetësuar Krimenë. Ai ka përsëritur se Brukseli do të vendosë sanksione nëse negociatat kuptimplote nuk nisin së shpejti dhe nuk prodhojnë rezultate brenda një kohe të shkurtër. Barroso ka thënë se ministrat e Jashtëm të BE-së do të mblidhen më 17 mars dhe mund të marrin vendime për sanksione.

 

Edhe nesër mot me diell

Sot në Mal të Zi ka mbajt mot me diell. Frynë erë e dobët deri mesatare, vende vende e fortë nga drejtimet veriore. Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Podgoricë 19 gradë, Herceg Novi, Budvë e Tivat 18, Ulqin 17, Tivar, Cetinë, Beranë e Bijello Pole 16, Nikshiq e Shavnik 14, Plevle e Rozhaj 13, Plavë e Plluzhinë 12, Kollashin e Mojkovac 11 dhe në Zhablak 10 gradë. Edhe për nesër parashihet të mbajë mot me diell dhe relativisht i nxehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtime të ndryshme. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej  -3 deri në 8, kurse më e larta e ditës prej 10 deri në 20 g.c. 

Komentari 0

ostavi komentar

Ostavi komentar

Pravila komentarisanja sadržaja Portala RTCG
Poštujući načelo demokratičnosti, kao i pravo građana da slobodno i kritički iznose mišljenje o pojavama, procesima, događajima i ličnostima, u cilju razvijanja kulture javnog dijaloga, na Portalu nijesu dozvoljeni komentari koji vrijeđaju dostojanstvo ličnosti ili sadrže prijetnje, govor mržnje, neprovjerene optužbe, kao i rasističke poruke. Nijesu dozvoljeni ni komentari kojima se narušava nacionalna, vjerska i rodna ravnopravnost ili podstiče mržnja prema LGBT populaciji. Neće biti objavljeni ni komentari pisani velikim slovima i obimni "copy/paste" sadrzaji knjiga i publikacija.Zadržavamo pravo kraćenja komentara.

Da biste komentarisali vijesti pod vašim imenom

Ulogujte se