Žabljak
Vedro
13.7 °C
Pljevlja
Vedro
19.8 °C
Herceg Novi
Vedro
19.4 °C
Nikšić
Vedro
19.2 °C
Cetinje
Vedro
20.6 °C
Bar
Vedro
20.7 °C
Podgorica
Vedro
23.6 °C
Ulcinj
Vedro
21.2 °C
Kolašin
Vedro
22.8 °C

Lajmet

12. 04. 2018.   >>  17:54 0

Lajmet 12.04.2018

12.04.2018

Të përforcohen aktivitetet e kompetentëve

Këshilli parlamentar për mbrojtje dhe siguri ka debatuar pas dyerve të mbyllura për situatën aktuale të sigurisë në vend, ka kumtuar pas mbledhjes kryetari i këtij Këshilli Obrad Misho Stanishiq. Këshilli insiston në forcimin e mëtejmë të aktiviteteve të gjitha organeve kompetente shtetërore me qëllim që situata e sigurisë të përmirësohet pas ngjarjeve shqetësuese kah fundi i muajit të kaluar. Stanishiq ka theksuar se Këshilli përshëndet aksionin efikas të shërbimeve kompetente i cili ka pasuar pas mbledhjes të Këshillit për sigurinë nacionale, duke shtuar  se konsideron se përmes një veprimtarie të tillë  do të zbulohen kriminelët dhe grupet e organizuara kriminel me qëllim që qytetarët të jenë më të sigurt. Këshilli ka shqyrtuar sot edhe raportin për punën e Agjencisë për Sigurinë Nacionale (ASN) në vitin e kaluar, i cili është aprovuar njëzëri.

Përvoja e Maltës është me rëndësi për Malin e Zi

“Trashëgimia mesdhetare të cilën me një masë të mirë e ndajnë me dëshirë dhe interes të dyanshëm që bashkëpunimi bilateral të zhvillohet edhe më tej në kuadër të Evropës së integruar, do të vazhdojë të definojë raportet miqësore ndërmjet Malit të Zi dhe Maltës”, ka vlerësuar sot në Valeta, Ministri malazez i punëve të jashtme Srgjan Darmanoviq. Në kuadër të vizitës zyrtare në Maltë, Darmanoviq ka biseduar me Ministrin e punëve të jashtme dhe promovimin e tregtisë të republikës së Maltës, Karmel Abel, është kumtuar nga Ministria e punëve të jashtme. Siç theksohet, në qendër të bisedimeve përveç marrëdhënieve përmbajtjesore bilaterale, ka qenë edhe rruga evropiane e Malit të Zi. Darmanoviq ka shprehur falënderime për përkrahjen e vazhdueshme të Maltës në proceset reformiste dhe integruese të Malit të Zi dhe për rolin aktivë në promovimin e perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor. Ministri maltenzhian ka theksuar se vendi i tij do të vazhdojë të përkrah Malin e Zi dhe është me rëndësi që akcenti të jetë në cilësinë e realizimit të reformave duke vlerësuar se në linjën e rezultateve të arritura deri tani Mali i Zi është në pozicionin e liderit në rajon. Shefi i diplomacisë malazeze gjatë vizitës në Maltë është takuar edhe me kryetarin e Këshillit për punët e jashtme dhe punët evropiane të Parlamentit, Eduard Zamito Lluiso.

Do ti zbatojmë të gjitha aktvendime e Strasburit

“Sistemi unik i mbrojtjes evropiane të drejtave njerëzore është prodhim i vlerave të përbashkëta të cilat si evropian jemi të detyruar të zhvillojmë, kultivojmë dhe ti mbrojmë, si garanci e lirisë dhe cilësisë evropiane të jetës të qytetarëve tonë”, ka deklaruar nënkryetari i Qeverisë Zoran Pazhin në drejtimin e tij ministrave të drejtësisë të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës sot në Kopenhagë. Konferenca ministrore me titull,“Vazhdimi i reformës të sistemit konvencional të mbrojtjes të drejtave njerëzore në Evropë – baraz pesha më e mirë, mbrojtja më efikase”, është organizuar me qëllim të miratimit të deklaratës së Kopenhagës, e cila paraqet shprehjen e gatishmërisë të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës që sistemi i mbrojtjes të drejtave njerëzore në Evropë të bëhet edhe më efikas përmes afirmimit më të fortë të principit të ndarjes së përgjegjësive, gjegjësisht domosdoshmërisë që mbrojtja me kohë e të drejtave njerëzore para së gjithash të realizohet në planin nacional.

Hapet në Cetinë reparti  për dializë

Reparti për dializë ka filluar sot të punojë në Shtëpinë e shëndetit në Cetinë. Ky segment i rëndësishëm i Shtëpisë së shëndetit, në pajisjet e të cilës janë investuar 213 mijë euro, e kanë hapur ministri i shëndetësisë Kenan Hrapoviq dhe kryeministri Dushko Markoviq, i cili ka paralajmëruar se shteti do të vazhdojë të investojë edhe më tepër në infrastrukturën shëndetësore. Drejtori i shtëpisë së shëndetit në Cetinë Nenad Vushuroviq ka theksuar se pacientët nga territori i Cetinës të cilëve u nevojitet dializa, prej sot nuk duhet të udhëtojnë për në Podgoricë, sepse këtë shërbim mund ta marrin në këtë institucion shëndetësor i cili ka siguruara  pajisjet e domosdoshme dhe kuadrin profesionist. Kryeministri  Dushko Markoviq ka lavdëruar realizimin e këtij projekti dhe ka paralajmëruar se shteti do të vazhdojë të investojë në infrastrukturën shëndetësore. Projektin e rregullimit të repartit të dializës i cili është vendosur në rreth 100 metra katrorë, e kanë realizuar shtëpia e shëndetit në Cetinë, Ministria gjegjëse, Fondi i shëndetësisë dhe disa individ dhe kompani të përgjegjshme shëndetësore.

Dalja më e vogël në zgjedhje është shans për Gjukanoviqin

Analisti politik, Sergej Sekulloviq, ka vlerësuar se dalja më e ulët në zgjedhjet presidenciale i shkon në favor kandidatit të Partisë Demokratike të Socialistëve (PDS) Millo Gjukanoviq, që të fitojë në rrethin e parë zgjedhorë. Ai ka vlerësuar se nuk ka presione dhe eufori në prag të zgjedhjeve siç ishte rasti në ciklet e mëparshme zgjedhore. Ai ka përkujtuar se fushata ka qenë më e shkurtër sepse është pritur gjatë emërimi i kandidatëve. Duke shtuar se në një moment pothuaj se ishte gati e qartë se Gjukanoviq nuk do të jetë kandidat, Sekulloviq ka theksuar se vlerësimi brenda PDS  ka qenë i tillë se “u nevojitet fitore e bindshme”. Në pyetjen se si do të ndikojë në proceset politike në shtet fitorja eventuale e Gjukanoviqit ose e kandidatit nga radhët e opozitës, Sekulloviq ka theksuar se nëse fiton Gjukanoviq kjo do të jetë politikë e kontiunitetit, “gjë që kemi pasur rastin ta shohim edhe më parë”. 

Mesazh inkurajues i Putinit

Kandidati i Partisë Demokratike të Socialistëve (PDS) për president të Malit të Zi Millo Gjukanoviq e ka vlerësuar mbrëmë si inkurajues mesazhin e fundit të presidentit rus Vlladimir Putin për zhvillimin e marrëdhënieve me Podgoricën mbi baza të frytshme reciproke. Gjukanoviq në emisionin me titull “Zhiva Istina” ka theksuar se Podgorica zyrtare do të ketë raport të përgjegjshëm ndaj Rusisë dhe ka theksuar se nga Kremlini do të kërkojë  respektimin e të drejtës për të zgjedhur të ardhmen personale. Duke folur për politikën dhe ndikimin e Rusisë në rajon, Gjukanoviq ka vlerësuar se është kohë e shkurtër nga tetori i vitit 2016 e deri sot që në prag të ndryshimeve të politikës ruse ndaj nevojave të Ballkanit Perëndimor që të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian. “Unë sugjeroj kujdes dhe raport të mençur ndaj kësaj çështjeje”, ka shtuar Gjukanoviq. Ai ka konkluduar se pushteti në Mal të Zi është i gatshëm që të ndërtojë marrëdhënie të mira me Moskën.

Plani zhvillimor do të përparojë punën e IRSH-s

Institucioni revizor i shtetit (IRSH), me miratimin e planit të ri strategjik zhvillimor deri në vitin 2020  ka filluar të trasojë rrugën e cila do të përparojë stabilitetin e tij, profesionalizmin dhe pavarësinë, ka vlerësuar kryetari i Senatit të këtij Institucioni, IRSH-së, Millan Daboviq. Ai ka shtuar se planin strategjik për 5 vitet ardhshme e ka hartuar grupi punues nga IRSH-ja në bashkëpunim me ekspertët e SIGMA-s. Daboviq ka shtuar se pjesë përbërëse e këtij dokumenti paraqet plani aksionar me të cilin konkretizohen afatet dhe përgjegjësia e të punësuarve  lidhur me realizimin e tyre. “Revizorët shtetëror në Mal të Zi sot paraqesin themelin e ruajtjes të disiplinës fiskale në financat publike, kurse IRSH-ja gëzon status të veçantë dhe autoritet në opinionin vendore dhe ndërkombëtarë”, konsideron Daboviq. Me planin strategjik është paraparë forcimi i kapaciteteve të institucionit përmes përparimit të organizimit të brendshëm, përgatitjeve më intensive dhe përmirësimin e sistemit informativ. 

Borxhi publik 2.8 miliard euro

Borxhi publik sipas të dhënave të Ministrisë së financave është 2 miliardë e 758 milion euro ose 65.1 % të bruto prodhimtarisë së brendshme (BPB). Para tri vitesh borxhi publik ka qenë rreth 2 miliardë euro, theksohet në strategjinë afatmesme të menaxhimit të borxheve deri në vitin 2020. Shkalla mesatare e kamatave të borxhit shtetëror në vitin e kaluar ka qenë 3.1 %, për dallim prej vitit 2016 kur ajo ishte 3.7 %, thuhet në strategjinë afatmesme të cilën e ka publikuar Ministria e financave. Në vitin 2018 borxhi publik do të arrijë maksimumin prej 70.5 % të bruto prodhimtarisë vendore dhe pastaj do të fillojë të shënojë rënie dhe në vitin 2020 do të jetë në nivelin e 59.3 % të bruto prodhimtarisë së brendshme, parashohim në Ministrinë e financave. 

Alkooli dhe duhani 31 % më të shtrenjta

Çmimet konsumatore në mars krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar janë më të larta 2.9 %, tregojnë të dhënat e MONSTAT-it. Inflacioni  mujor në mars të vitit 2018 i matur me Indexsin e çmimeve konsumatore ka qenë 0.2 % është kumtuar nga MONSTAT-i. Shkallët pozitive vjetore të inflacionit në mars të këtij viti krahasuar me një vit më parë janë shënuar në grupe, “pijet alkoolike dhe duhani 30.8%, veshmbathja është më e shtrenjtë 6.9%, në grupin e hoteleve dhe restoranteve është shënuar rritje e çmimeve 6.4%, kurse transporti është shtrenjtuar 4.4%. 

Dialogu me Kosovën në fazën fillestare

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, deklaroi se bisedimet për zgjidhjen e përhershme të çështjes së Kosovës është në fazën fillestare. Ndërkaq, lidhur me formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, Daçiq deklaroi se “krijimi i Asociacionit sipas ligjeve të Kosovës më duket disi qesharake”, bëjnë të ditur mediet serbe. “Kjo do të ishte sikurse Gjykata Kushtetuese e Bosnjë Hercegovinës të zhvlerësojë marrëveshjen e Dejtonit, po kjo është qesharake”, shtoi ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq. Ai hodhi akuza ndaj përfaqësuesve të Kosovës se “nuk duan të bisedojnë për zgjidhje të qëndrueshme të përhershme”, transmeton RTK. Ai, ndër të tjera, theksoi se bisedimet për zgjidhjen e përhershme të çështjes së Kosovës janë në fazën fillestare, duke shtuar se “bisedimet që po zhvillohen, ku po trajtohen çështje që janë më tepër teknike, ende kanë probleme të shumta”.

Asociacioni vetëm në përputhje me marrëveshjen e Brukselit

Zëdhënësi i Listës Serbe Igor Simiq ka thënë se deklarata e Maja Kocijanciq, zëdhënëses së Federica Mogherinit, e cila ka thënë se konkluzionet që do të dalin nga Gjykata Kushtetuese do të shërbejnë si bazë për hartimin e statutit të Asociacionit të Komunave Serbe, është në kundërshtim me atë çka javën e kaluar kanë dëgjuar në Prishtinë nga Angelina Einhorst, përfaqësuese e Politikës së Jashtme të shërbimeve të BE-së. “Ajo na ka thënë shumë herë se për të dhe BE-në se për ta formuar Asociacionin vlen vetëm marrëveshja e nënshkrua në Bruksel”, ka thënë deputeti Simiq, për mediat serbe. 

SHBA duhet të përfshihet në dialogun Kosovë – Serbi

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, vazhdon të insistojë për një rol më të fuqishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që po zhvillohet në Bruksel me lehtësimin e Bashkimit Evropian. Në një tryezë të organizuar nga organizata joqeveritare Lëvizja “FOL”, kryeministri Haradinaj tha se epilogu i këtij dialogu duhet të jetë njohja reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri i Kosovës tha se është kundër vazhdimit me këtë format të dialogut në Bruksel. “Iu kam thënë se duhet të kalojmë në fazën finale të bisedimeve që nënkupton njohjen reciproke mes dy shteteve. Këtë ia kam thënë edhe Federica Mogherinit. Nëse ndodhë kështu, është mirë për Kosovën. Ndryshe, status quo-ja është e dëmshme për vendin dhe rrezikon ta kthejë prapa”, u shpreh ai. Sa i përket Kosovës, Haradinaj tha se pajtohet që në krye të dialogut të jetë presidenti i vendit, Hashim Thaçi. Sipas tij, kryeministri edhe ashtu është shumë i zënë me punë, kurse presidenti ka më shumë kohë që të merret me diçka. Ndërkaq, lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, kryeministri u shpreh se ky është një proces serioz që është nisur, i bazuar në obligimet që ka Kosova, dhe e gjitha që ndërtohet si statut i Asociacionit, duhet të verifikohet në Gjykatë Kushtetuese. Një çështje tjetër që shtohet vazhdimisht në debate të tilla është edhe ajo e formimit të Forcave të Armatosura të Kosovës. Kryeministri Haradinaj tha se formimi i ushtrisë së Kosovës, nuk është pjesë e marrëveshjes me Listën Serbe. Në këtë diskutim me mediat, Haradinaj është shprehur i bindur edhe në lidhje me marrjen e konfirmimit nga Bashkimi Evropian për liberalizimin sa më të shpejtë të vizave për qytetarët e Kosovës.

Shpresojmë që brenda vitit qytetarët e Kosovës të lëvizin lirisht

Ministrja e Integrimit Evropian të Kosovës, Dhurata Hoxha, në një intervistë për Zërin e Amerikës komentoi mbi analizën e organizatës Freedom House mbi problemet e vërejtura në Kosovë gjatë vitit të fundit si dhe diskutoi lidhur me ambiciet dhe sfidat e Kosovës. Ajo tha se qeveria e Kosovës ka miratuar së fundi 11 ligje, që janë të lidhura me luftën kundër korrupsionit. "Shpresojmë që këto ligje të plotësojnë zbrazëtirat dhe do të na ndihmojnë të jemi më efikase e të ketë llogaridhënie më të madhe", - tha Ministrja e Integrimit e Kosovës. Ajo tha se ka shpresa që brenda vitit qytetarët e Kosovës të lëvizin lirisht në vendet e BE-së, sikurse fqinjët e tyre dhe se më 17 prill presin raportin e vlerësimit të kritereve që i janë vendosur Kosovës për të përparuar në integrimet europiane. 

Ministri i Jashtëm grek viziton Kosovën

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias do të qëndrojë sot në një vizitë pune në Kosovë. Ai pritet që në Prishtinë të zhvillojë një takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Behxhet Pacolli. Pas takimit, të dy ministrat kanë paralajmëruar dhe një konferencë të përbashkët për media. Diplomati grek do të takohet edhe me presidentin, Hashim Thaçi. Kotzias vjen në Kosovë pas vizitave në Serbi dhe Maqedoni. Gjatë vizitës në Beograd, Kotzias ka thënë se vendi i tij nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, ndërsa ka sqaruar se zyra tregtare e Kosovës në Athinë nuk do të jetë përfaqësi diplomatike. "Qysh në vitin 2011 dhe 2014, në kohën e qeverisë së atëhershme, është rënë dakord të hapet zyra tregtare e Kosovës. Zyra tregtare në Athinë, kur të hapet, nuk do të jetë përfaqësim diplomatik i Kosovës. Kjo nuk është rënë dakord dhe nuk është paraparë", ka thënë Kotzias. 

Qeveria e Zaevit i mbijeton mocionit të opozitës

Në Kuvendin e Maqedonisë nuk ka kaluar mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë së kryeministrit Zoran Zaev, që ishte ngritur nga partia opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE. Pak pas mesnate, me 62 vota kundër, u hodh poshtë mocioni për mosbesimin e Qeverisë së Maqedonisë, ndërkohë që VMRO-DPMNE e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski arriti të sigurojë vetëm votat e 40 deputetëve, të cilët votuan kundër Qeverisë aktuale, përderisa 2 deputetë kanë abstenuar. Pak para votimit për mocionin, kryeministri Zaev i ka bërë thirrje opozitës që të tregohet më konstruktive në funksion të interesave të shtetit, i cili është në prag të proceseve euro-integruese. Partia VMRO-DPMNE mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë e ka arsyetuar me një varg dështimesh në planin ekonomik, ndikimin politik në gjyqësor si dhe, siç ka thënë, paaftësinë e kuadrove nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë dhe Bashkimi Demokratik për Integrim për të drejtuar institucionet shtetërore. Përderisa deputetët socialdemokratë thanë se VMRO-DPMNE po bën teatër dhe se mocioni për mosbesimin e Qeverisë e shfrytëzon si arsyetim, që deputetët e kësaj partie të kthehen në Kuvend, pas një periudhe të gjatë të bojkotimit të seancave plenare.

Shqipëri, tension në parlament

Në Shqipëri, seanca e parlamentit ka nisur me tensione të forta, ndërsa opozita bllokoi foltoren pas fjalës së kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili paralajmëroi se nuk mund të ketë një seancë normale pa u përjashtuar më parë kryeministri Edi Rama, “njeriu që përdori fjalorin më të ndyrë ndaj popullit të vet, e që fyu shqiptarët”, në seancën e kaluar, u shpreh Basha. Opozita javën e shkuar bëri kërkesë zyrtare për përjashtimin e kryeministrit, por ajo u hodh poshtë nga Byroja e parlamentit. Deputetët e opozitës pavarësisht ndërprerjeve të shpeshta të seancës nuk lëvizën nga foltorja, duke hedhur thirrje kundër kryeministrit dhe duke kërkuar lirimin e 11 qytetarëve nga Kukësi, të mbajtur në arrest me burg për shkak të ngjarjeve të dhunshme të 10 ditëve më parë në Rrugën e Kombit, gjatë protestës kundër tarifës së parashikuar për kalimin në aksin rrugor që çon drejt Kosovës. Kryetari i parlamentit Gramoz Ruçi njoftoi përjashtimin e të paktën tre deputetëve të opozitës. Seanca u mbyll ndërsa çështjet në rendin e ditës u kaluan me shpejtësi dhe pa diskutime.

SHBA kërcënon me sanksione Iranin

Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin ka sinjalizuar se Shtetet e Bashkuaruara mund të vendosin saksione “shumë të forta” ndaj Iranit, teksa presidenti amerikan, Donald Trump dëshiron t’i adresojë, ato që ai i cilëson si “të meta” në marrëveshjen bërthamore mes Teheranit dhe fuqive botërore të arritur më 2015. Mnuching, duke dhënë dëshmi para një nënkomiteti të Dhomës së Përfaqësuesve, ka thënë se masat mund të përfshijë sanksione ndaj Iranit dhe entiteteve të tjera që bëjnë biznes me këtë shtet. Ai ka thënë se beson se sanksione të tilla do të kenë “ndikim të fuqishëm” në ekonominë iraniane. Trump ka caktuar 12 majin si afat që marrëveshja bërthamore me Iranin të përmirësohet. Në të kundërtën, ai kërcënuar se SHBA-ja do të tërhiqet nga marrëveshja. 

Izraeli paralajmëron Iranin

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu ka paralajmëruar Iranin që të mos e testojë Izraelin dhe e ka krahasuar Teheranin me Gjermaninë naziste. Këto komente kryeministri izraelit i ka bërë në ditën kur shteti i tij përkujton vrasjen e gjashtë milionë hebrenjve nga Gjermania naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore. “Kam një mesazh për sunduesit iranianë: mos e testoni vendosmërinë e shtetit të Izraelit. Këto nuk janë fjalë boshe”, ka thënë Netanyahu, gjatë ceremonisë në Memorialin e Holokaustit në Jerusalem.  Këto komente të liderit izraelit vijnë dy ditë pas një sulmi me raketa mbi një bazë ajrore siriane, sulm për të cilin, Siria dhe Irani kanë fajësuar Izraelin. Në këtë sulm janë vrarë të paktën 14 luftëtarë pro-qeveritarë, përfshirë edhe shtatë ushtarë iranianë. Netanyahu në vazhdimësi ka paralajmëruar Iranin kundër ndërtimit të një prezence të përhershme ushtarake në Siri, ku presidenti sirian, Bashar al-Assad me aleatët e tij, që shtatë vjet po lufton në luftën civile kundër rebelëve suni. Pas sulmit mbi bazën ajrore siriane, Teherani ka paralajmëruar se do t’i kundërpërgjigjet Izraelit, duke bërë që Tel Avivi të vë në gatishmëri të lartë forcat ushtarake. 

Miratohet buxheti për këtë vit

Dje në Tuz, Kuvendi i Komunës së Tuzit, komunë në kuadër të Kryeqyteti, në seancën e e vet në vazhdim, të cilën e kryesoi kryetari Fadil Kajoshaj, e në të cilën mori pjesë edhe kryetari i Komunës, dr. Abedin Axhoviq, miratoi buxhetin e komunës për këtë vit në vlerë prej diçka më shumë se 2 milion e 400 mijë euro. Në rend të ditës ishin edhe disa pika tjera si, Propozim-Vendimi mbi kompensimin e këshilltarëve në Kuvendin e komunës në kuadër të Kryeqytetit; Propozim-Vendimi mbi të ardhurat e funksionarëve lokal dhe personave që emëron Kuvendi i komunës; Propozim-Vendimi mbi të ardhurat e zyrtarëve dhe nëpunësve lokal të komunës; Projekt-Vendimi, mbi kriteret, mënyrën dhe procedurën e shpërndarjes së mjeteve organizatave joqeveritare; Projekt-Vendimi mbi financimin e sportit dhe Projekt-Vendimi mbi të drejtat nga mbrojtja sociale dhe e fëmijëve.  Lidhur me buxhetin e Komunës pati mjaft diskutime dhe vërejtje si në mënyrën e shpërndarjes së buxhetit, si në çmimin e punimeve të cilat i kryen sipërmarrja “Putevi”.  Nga Alternativa Shqiptare , pati një amendament të cilën e përkrahi edhe Lidhja Demokratike Shqiptare dhe Demokratët e që ka të bëj me ndarjen e mjeteve për sanimin e Shtëpisë së Kulturës në Sukuruq, mirëpo ky amendament nuk kaloi nga shumica parlamentare. Në fund të seancës së djeshme u paralajmërua edhe mbledhja e jashtëzakonshme e kuvendit lokal në të cilën do të flitet për legalizimin e objekteve në këtë Komunë. 

Edhe nesër mot pa ndryshime, deri në 26 gradë

Sot në Mal të Zi mban mot kryesisht me diell. Frynë erë e dobët deri mesatare nga drejtimet të ndryshme. Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Podgoricë 27 gradë, Beranë e Bjello Pole 26, Plevle 24, Budvë, Kollashin e Rozhaj 23, Tivar, Nikshiq, Ulqin, Herceg Novi e Cetinë  22, Plavë 21, Plluzhinë 19 dhe në Zhablak 18 gradë.  Edhe për nesër gjatë ditës parashihet të mbajë mot kryesisht me diell. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimet e jugut. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 4 deri në 14, kurse më e larta e ditës prej 16 deri në 26 gradë celsius.

 

Komentari 0

ostavi komentar

Ostavi komentar

Pravila komentarisanja sadržaja Portala RTCG
Poštujući načelo demokratičnosti, kao i pravo građana da slobodno i kritički iznose mišljenje o pojavama, procesima, događajima i ličnostima, u cilju razvijanja kulture javnog dijaloga, na Portalu nijesu dozvoljeni komentari koji vrijeđaju dostojanstvo ličnosti ili sadrže prijetnje, govor mržnje, neprovjerene optužbe, kao i rasističke poruke. Nijesu dozvoljeni ni komentari kojima se narušava nacionalna, vjerska i rodna ravnopravnost ili podstiče mržnja prema LGBT populaciji. Neće biti objavljeni ni komentari pisani velikim slovima i obimni "copy/paste" sadrzaji knjiga i publikacija.Zadržavamo pravo kraćenja komentara.

Da biste komentarisali vijesti pod vašim imenom

Ulogujte se