Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

11. 07. 2024. 00:00 >> 16:54

Ditari 11.07.2024

Përgatiti, Gj. Dukaj

Shënohet 29 vjetori i gjenocidit në Srebrenicë

Në Qendrën Përkujtimore në Potoçari, shënohet sot 29-vjetori i gjenocidit ndaj boshnjakëve në Srebrenicë, i kryer në vitin 1995. Mbetjet mortore edhe të 14 viktimave të tjera të identifikuara do të varrosen në këtë vend. Në Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë marrin pjesë edhe delegacionet e presidentit të Malit të Zi, Kuvendit dhe Qeverisë, si dhe përfaqësues të disa partive.

 “Vuajtjet e viktimave të pafajshme të Srebrenicës, shërbejnë si kujtesë e dhimbshme për brezat e sotëm se e keqja nga muaji korrik i viti 1995 nuk duhet të përsëritet më kurrë”, tha presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq.

Më 23 maj, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi Rezolutën që shpall 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit të Srebrenicës.

Në Qendrën Përkujtimore Potoçari, deri më tani, janë të varrosura mbi 6.600 viktima, në mesin e tyre mbi 430 të mitur.

Në lokacione të tjera, sipas dëshirës së familjarëve, janë të varrosura mbi 230 viktima, ndërsa kërkimet vazhdojnë ende për rreth 1 mijë të zhdukur.

Masakra e Srebrenicës, e cila ndodhi pesë muaj para përfundimit të luftës në Bosnje, u cilësua si më e rënda në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës u njoh si gjenocid.

Deri më tani, 50 persona u dënuan me më shumë se 700 vjet burgim për masakrën në Srebrenicë.

 

Në Podgoricë përkujtohen viktimat e gjenocidit në Srebrenicë

Me rastin e 11 korrikut, Ditës ndërkombëtare të përkujtimit të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë, Këshilli Boshnjak në bashkëpunim me Kryeqytetin dhe Shoqatat joqeveritare, e shënuan këtë ditë në parkun përkujtimor në Pobrezhje.

Kryebashkiakja e Podgoricës, Olivera Injac dhe kryetarja e Kuvendit të Kryeqytetit, Jelena Boroviniq- Bojoviq, vendosën kurorë në monumentin e viktimave të luftërave në ish-Jugosllavi, në vitet 1991-2001. Injac me këtë rast tha se konfliktet që ndodhën në territorin e ish-Jugosllavisë e lënduan thellë rajonin dhe lanë plagë në mbarë shoqëri, kurse kryetari i Këshillit Boshnjak, Sulo Mustafiq, në emër të organizatorëve, theksoi se Srebrenica është fjala më e trishtuar në gjuhën tonë, kurse Potoçari varri më i madh në historinë e boshnjakëve.

 

Kryeministri Spajiq, në pritjen e organizuar nga presidenti J.Biden

Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq dhe bashkëshortja e tij Milena, morën pjesë në pritjen e organizuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, dhe Zonja e Parë, Jill Biden, në Shtëpinë e Bardhë për të shënuar 75 vjetorin e Aleancës së NATO-s.

Siç njofton Kryeministria, në pritje kanë marrë pjesë krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut, si dhe përfaqësues të vendeve partnere.

Ndërkohë, gjatë qëndrimit në Uashington, kryeministri Spajiq ka takuar kryeministrin e Islandës, Bjarni Benedik-Tson, me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin e ngushtë në kuadër të NATO-s dhe për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe për të cilën, siç u pajtuan ata, ekziston gatishmëri reciproke. Spajiq e njoftoi bashkëbiseduesin për planet e Qeverisë malazeze dhe tha se në muajt në vijim prioritet është që Mali i Zi t'i bashkohet zonës unike të pagesave në euro- SEPA.

 

Rikonstruimi  i Qeverisë është çështja e ditës

Deputeti i Demokracisë së Re Serbe, Dejan Gjuroviq, thotë se rikonstruimi i Qeverisë do të ndodhë shumë shpejt dhe se do të jetë çështje ditësh, sepse nuk ka nevojë të zvarritet, sidomos pas rezultateve të jashtëzakonshme të Kuvendit në rrugën evropiane të Mali i Zi.

Gjuroviq thekson për gazetën “Dan” se nuk bëhet fjalë për padurimin e koalicionit “Për të ardhmen e Malit të Zi dhe Demokracisë së re serbe, të cilës i takon për të hyrë në Qeveri, por për rrethana objektive që u krijuan pas rezultateve të jashtëzakonshme të Kuvendit të Malit të Zi e po ashtu edhe të Qeverisë.

Ndërkohë, kryetari i Kuvendit e i Demokracisë së re serbe, Andrija Mandiq, ka thënë më parë se rikonstruimi  i Qeverisë mund të bëhet gjatë javës së ardhshme, më 19 ose 20 korrik, ndoshta deri në fund të muajit. Qeveria, pohon Mandiq, do të zgjerohet nga ajo pjesë e shumicës parlamentare e cila i ka dhënë mbështejen pakicë pushtetit ekzekutiv.

Nga lëvizja “Evropa tani”, theksojnë se gjithçka do të shkojë sipas marrëveshjes së koalicionit e që, po ashtu, pajtohen edhe demokratët.

 

Përpjekjet e deritashme reflektojnë rezultate të mira në stabilitetin fiskal

Delegacioni i Ministrisë së Financave dhe Bankës Qendrore të Malit të Zi, i kryesuar nga ministri i Financave, Novica Vukoviq, po merr pjesë në takimet e Konstituencës Belgo-Hollandeze të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB) i cili po mbahet në Kishinjev të Moldavisë, me temën “Sigurimi i rritjes së fortë në një mjedis plot pasiguri”.

Gjithashtu, delegacioni malazez zhvilloi një sërë takimesh dypalëshe, në fokus të të cilave ishte zbatimi i një agjende që do të ndikojë në sfidat me të cilat përballet ekonomia malazeze, në radhë të parë në kontekstin e financave publike të qëndrueshme dhe rëndësinë e përmirësimit të mëtejshëm të kuadrit rregullator.

Vukoviq, së bashku me bashkëpunëtorët, u takua edhe me Kenji Okamura, zëvendësdrejtor i FMN-së, i cili theksoi mbylljen e detyrimeve që dalin nga procesi i integrimit në BE.

“Pjesëmarrësit e takimit deklaruan bashkërisht se përpjekjet e bëra në muajt e mëparshëm për forcimin e stabilitetit fiskal dhe financiar do të japin rezultate, si në procesin e integrimit në BE, ashtu edhe në fushën e forcimit të qëndrueshmërisë dhe përmirësimit të stabilitetit”, thuhet në njoftimin nga Ministria e financave.

 

Përmes bashkëpunimit drejtë përforcimit të kapaciteteve administrative

Me bashkëpunim të ngushtë të UNDP-së dhe Ministrisë së administratës publike në të gjitha fushat, e në veçanti në fushën e digjitalizimit dhe shërbimeve elektronike, po forcohen kapacitetet administrative dhe negociuese të Malit të Zi në rrugën drejt Bashkimit Evropian, u bë e ditur në takimin e ministrit të administratës publike, Marash Dukaj, me shefin e ekipit të menaxhimit dhe ndërtimit të paqes në qendrën rajonale të UNDP-së për Evropë dhe Azinë Qendrore, Robert Bernard dhe përfaqësuesen e përhershme të kësaj zyre në Mal të Zi, Ekaterina Paniklova.

Siç u njoftua nga kjo Ministri, Bernard tha se bashkëpunimi i suksesshëm do të vazhdojë edhe përmes digjitalizimit të mëtejshëm të shërbimeve publike.

 

Të punohet në përgatitjen e Ligjit për Kuvendin

Qendra për Tranzicion Demokratik  i bëri thirrje Parlamentit të Malit të Zi që urgjentisht të formojë  grupin punues për përgatitjen e ligjit për Kuvendin, i cili, siç thanë nga kjo OJQ, do të funksionojë mbi parimet e transparencës. Zëvendësdrejtoresha e kësaj Qendre, Milena Gvozdenoviq, tha se ngjarjet e fundit në Parlament, duke filluar nga shtyrja e pastaj pengimi i mbajtjes së orës së kryeministrit dhe shtyrjes së seancave, deri te kufizimi i së drejtës së opozitës për të inicuar seanca kontrolluese, paraqesin domosdoshmërinë e miratimit të ligjit për Kuvendin.

 

N.Gegaj; Ideja për dyshtetësinë me Serbinë, rrezikon paqen në Ballkan

Anëtari i Këshillit qendrorë të Partisë Demokratike të Socialistëve, Nikollë Gegaj, në një intervistë për gazetën Pobjeda ka vlerësuar se paralajmërimi për dyshtetësinë me Serbinë është  ide e rrezikshme politike. “Kjo është  ide shumë e rrezikshme politike që mund të ketë pasoja të pakuptueshme për qenien qytetare dhe shtetformuese të Malit të Zi, dhe jo vetëm. Është faktor destabilizues që rrezikon të prishë sërish paqen në Ballkan, tha mes tjerash Gegaj.

 

Rritet numri i të prekurve nga fruthi në Mal të Zi

Instituti për Shëndet Publik regjistroi rastin e tetë të fruthit në Mal të Zi. Sëmundja është regjistruar tek një person i pavaksinuar, 22-vjeçari nga Bijello Pola, i cili aktualisht jeton dhe punon në Budva. Sipas Institutit për Shëndet Publik, pacienti është shtruar në Qendrën spitalore në Kotor dhe sipas informacioneve të fundit, në përgjithësi është në gjendje të mirë shëndetësore.

 

Ministri Rashiq; “Bashkëjetesa duhet të jetë dukuri normale në shoqërinë multietnike”

Ministri për Komunitete dhe Kthim i Kosovës, Nenad Rashiq, e ngriti çështjen e bashkëjetesës në një mbledhje të Qeverisë së Kosovës, duke thënë se ajo duhet të jetë një dukuri krejt normale në një shoqëri multietnike.

Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të mos u kushtojnë rëndësi deklaratave të politikanëve, por t’i pranojnë realisht bashkëqytetarët nga komunitetet tjera.

Më 9 korrik, Radio Evropa e Lirë shkroi se në Kosovë ka një diskurs negativ kur bëhet fjalë për bashkëjetesën mes shqiptarëve dhe serbëve, ndërsa sektori civil tha se bashkëpunimi mes këtyre dy komuniteteve zhvillohet më së shumti “pas perdeve”, për shkak të retorikës së përdorur nga politikanët.

 

G.Konjufca; “Kosova  e përgatitur për çfarëdo lloj sfide”

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se deklarata e tij, dhënë ditë më parë, për trajnime të grupeve terroriste në Serbi dhe rrezikun që ata mund të destabilizojnë Kosovën, nuk ka pasur për qëllim frikësimin e qytetarëve, por për të njoftuar bashkësinë ndërkombëtare në mënyrë që të ndëshkohet Serbia.

“E di gjithë shoqëria jonë, e di e gjithë bashkësia ndërkombëtare se Serbia ka pretendime territoriale ndaj Kosovës, që nuk ka hequr dorë kurrë. Por në të njëjtën kohë, Kosova kurrë nuk ka qenë më e përgatitur për t’iu përgjigjur çfarëdo lloj sfidave të sigurisë. Kështu që populli i Kosovës duhet të jetë i sigurt”, ka thënë Konjufca.

Kryeparlamentari pohoi se askush nuk i thotë këto deklarata për të frikësuar dikë, as për të shkaktuar ndonjë panik.

 

Shtetet anëtare të NATO-s, në mbështetje të Ukrainës

Shtetet e Bashkuara do të nisin dislokimin e raketave me rreze të gjatë veprimi në Gjermani më 2026, njoftuan dy shtetet gjatë takimit të aleancës së NATO-s. Ky konsiderohet një hap i madh që synon të luftojë, atë që aleatët e cilësojnë si kërcënimin në rritje që Rusia paraqet për Evropën.

Sipas vendimit, Uashingtoni do të dërgojë në Gjermani armët më të fuqishme amerikane që do të vendosen në kontinentin evropian që nga Lufta e Ftohtë dhe ky vendim po shihet si paralajmërim i qartë për presidentin rus, Vladimir Putin.

Në deklaratën e përbashkët të lëshuar nga SHBA-ja dhe Gjermania u tha se “dislokimet episodike” ishin përgatitje për stacionim afatgjatë në Evropë të aftësive ushtarake që përfshijnë raketat SM+6, Tomahawk dhe dislokimin e armëve hipersonike me rreze të gjatë veprimi.

 

Për raporte më të ngushta me homologët Evropian

Presidenti amerikan, Joe Biden, i tha kryeministrit të ri britanik, Keir Starmer, se mirëpret dëshirën e tij për raporte më të ngushta me homologët evropianë, sipas njoftimit të Qeverisë britanike.

Starmer u takua me Bidenin në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën dhe liderët diskutuan për raportet mes dy shteteve të tyre si dhe për konfliktet në Ukrainë dhe Gazë.

“Presidenti mirëpriti deklaratat e bëra së fundi nga kryeministri për krijimin e raporteve të ngushta me homologët tanë evropianë, por edhe përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar për AUKUS”, tha Qeveria britanike, duke iu referuar paktit të sigurisë mes Britanisë, SHBA-së dhe Australisë.

“Në kohën kur ne po përballemi me sfida në mbarë botën, ne jemi më të fortë kur jemi bashkë dhe punojmë së bashku”.

 

Nesër, mot i ngjashëm me të sotmin

Në Mal të Zi mban mot kryesisht me diell. Frynë erë e lehtë e drejtimeve të ndryshme. Temperatura në orën 14;

Podgoricë 37 gradë, Plevle 35, Beranë, Budvë, Plluzhinë, Nikshiq e Ulqin 34, Herceg Novi, Andrijevicë e Petnjicë 33, Rozhajë, Tivar, Kollashin e Cetinë 32, Guci 31 dhe në Zhablak 29 gradë.

Meteorologët paralajmërojnë se nesër do të mbajë mot me diell dhe shumë i nxehtë, vende – vende me vranësira kalimtare, në viset e larta malore pasdite janë të  mundshme të reshura të përkohshme e bubullimë.

Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtime të ndryshme, ndërsa temperatura e ditës do të jetë prej 29 deri në 40 gradë celsius.

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се