Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

02. 07. 2024. 00:00 >> 19:31

Ditari 02.07.2024

Ditarin e përgatiti, Violeta Gjokaj

MOTI I KEQ NË MAL TË ZI: DY PERSONA HUMBEN JETËN DHE U SHËNUAN DËME TE KONSIDERUESHME 

Një stuhi e fuqishme e shoqëruar me reshje të dendura shiu dhe erë ka mbërritur edhe në Mal të Zi. Një punëtor në kantierin e ndërtimit në Çanj ka humbur jetën nga rrëzimi i vinçit nga stuhia, ndërsa një tjetër nga goditja e rrufesë në Llushticë, ka njoftuar qendra operative e Drejtorisë së Policisë.  Në bregdet, mobiliet e plazhit u prishën dhe disa makina u shkatërruan nga pemët e rrëzuara. Dëme materiale janë shkaktuar në vetura në Ulqin dhe disa qytete bregdetare. Gjatë paradites edhe në Nikshiq era e fortë ka shkaktuar edhe dëme materiale. Stuhia e fortë e shoqëruar me erëra, shi të dendur dhe bubullima ka shkaktuar dëme në fshatin Vellimle afër Nikshiqit. Duke pasur parasysh kushtet jo të mira meteorologjike që kanë prekur Malin e Zi, Drejtoria e policisë tërheq vëmendjen se situata mund të sjellë vështirësi në qarkullim, ulje të dukshmërisë, por edhe ndërprerje në komunikacion dhe rritje të numrit të aksidenteve në komunikacion, prandaj apelojnë tek të gjithë në kujdes maksimal dhe lëvizje të kontrolluar dhe vetëm në rast nevoje. Ndërsa për shkak të stuhisë të shoqëruar me erëra të forta që përfshiu Malin e Zi, ka pasur probleme edhe me rrjetin elektrik në disa komuna, njoftoi Sistemi malazez i shpërndarjes së energjisë elektrike.

MALI I ZI NUK DUHET TË HUMBASË MUNDËSINË PËR T'U BËRË SË SHPEJTI NJË ANËTAR I PLOTË I BE-SË

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, është takuar sot në Bruksel me kryetarin e Këshillit Evropian, Charles Michel.

“Në një bisedë miqësore dhe të përzemërt, Presidenti Jakov Millatoviq tha se Mali i Zi nuk duhet të humbasë mundësinë për t'u bërë anëtar fuqiplotë i BE-së e që është synimi prioritar i politikës së jashtme të vendit tonë”, thuhet në deklaratë.

Ai ritheksoi përkushtimin e tij ndaj agjendës evropiane në mënyrë që Mali i Zi të bëhet anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian në vitin 2028, duke shtuar se mandatin e tij aktual njëvjeçar ia ka nënshtruar realizimit të këtij interesi kombëtar, për hir të prosperitetit të të gjithë qytetarëve malazezë.

“Nëlidhje më këtë, Presidenti i vendit falënderoi Këshillin Evropian dhe Komisionin Evropian për mbështetjen politike dhe eksperte që na dhanë në periudhën e fundit për të përshpejtuar reformat dhe mbajtjen e Konferencës së fundit Ndërqeveritare dhe marrjen e IBAR-it. Ai tha se Marrja e një IBAR pozitiv është një moment historik i rëndësishëm për Malin e Zi dhe se një periudhë intensive reformash është përpara, duke shtuar se rëndësia e reformave nuk është vetëm në përmbushjen e kërkesave formale, por në transformimin thelbësor të shoqërisë sonë”, thuhet në deklaratë.

Millatoviq theksoi se shoqëria malazeze pothuajse plotësisht e mbështet anëtarësimin e Malit të Zi në BE, gjë që i detyron vendimmarrësit të punojnë me përkushtim drejt realizimit të këtij qëllimi.

“Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, shprehu kënaqësinë e tij në takimin me presidentin malazez, ai theksoi se Mali i Zi duhet të qëndrojë në rrugën evropiane dhe falënderoi Presidentin Millatoviq për angazhimin e tij që Mali i Zi të bëhet anëtari i parë i ardhshëm i BE-së. ”, thuhet në njoftim.

MIRATIMI I REZOLUTËS NUK ËSHTË NJË AKT I DREJTUAR KUNDËR KROACISË

Me miratimin e Rezolutës për gjenocidin në Jasenovac dhe kampet Dachau dhe Mauthausen, u shpreh qartë vullneti i parlamentit, njoftoi ministri i Mbrojtjes Dragan Krapoviq, duke thënë se nuk është i sigurt se vizita e kryetarit të Këshillit Evropian, Charles Michel , në Mal të Zi u anulua për shkak të atij dokumenti.

Në një konferencë për media me ministrin e Mbrojtjes të Sllovenisë, Marjan Sharec, ai tha se Mali i Zi po përpiqet të përkufizohet sipas ngjarjeve që kanë ndodhur në rajon.

Krapoviq tha se përfaqësuesit e Malit të Zi Demokratik gjithmonë kanë votuar në parim për respektimin e viktimave.

Ai beson se miratimi i Rezolutës në asnjë mënyrë nuk ishte një akt i drejtuar ndaj ndonjë vendi në rajon, veçanërisht ndaj Kroacisë, dhe as nuk është një veprim i lehtë ndaj saj dhe raportit të saj ndaj Jasenovacit.

GURÇEVIQ: ASNJË REZOLUTË E MIRATUAR NË PARLAMENTIN E MALIT TË ZI NUK MUND TË JETË SHKAK PËR SHTYRJE TË VIZITAVE TË NDONJË ZYRTARI EVROPIAN

Ministrja e Çështjeve Evropiane, Maida Gorçeviq, tha se resori i saj nuk ka informatë zyrtare nëse kryetari i Këshillit Evropian e ka shtyrë vizitën e tij në Mal të Zi për shkak të miratimit të Rezolutës për gjenocidin në Jasenovc. Ajo pret që asnjë Rezolutë e miratuar në Parlamentin e Malit të Zi nuk mund të jetë shkak për shtyrje të vizitave të ndonjë zyrtari evropian, veçanërisht nëse merret parasysh se kabineti i Mishell më parë kishte njoftuar se e vlerëson punën e Malit të Zi dhe marrjen e IBAR-it.

" MORËM IBAR-IN PËR SHKAK TË PREMTIMIT SE REZOLUTA NUK DO TË MIRATOHEJ"

Kryetari i Këshillit Kryesor të Partisë Socialdemokrate, Mirko Staniq, thotë se ka dëgjuar se e kemi marrë IBAR-in për shkak të premtimeve të prera se rezoluta për Jasenovacin nuk do të miratohet. Në emisionin “Mirëmëngjes Mali i Zi”, ai vlerësoi se anulimi i vizitës së zyrtarit evropian Charles Michel lidhej drejtpërdrejt me Rezolutën. Ai theksoi se Bashkimi i ri Evropian, i cili përbëhet nga Social Demokratët, Partia Socialdemokrate dhe Partia Liberale, po përgatitet për zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Ne ende do të ndjejmë pasojat e miratimit të asaj rezolute. Nuk mund të mashtrosh njerëz seriozë në adresa serioze. Me sa kam dëgjuar, para IBAR-it ka pasur premtime serioze se kjo rezolutë nuk do të miratohet dhe për këtë arsye është marrë IBAR”, tha ai dhe theksoi se Kroacia nuk e mohon Jasenovacin.

Ai tha se është e rëndësishme të respektohet logjika dhe dinamika politike.

Partia e re politike Lidhja Evropian, e cila përbëhet nga Social Demokratët, Partia Socialdemokrate dhe Partia Liberale, do të prezantohet zyrtarisht të enjten.

Staniq thotë se do të përbëhet nga intelektualë të pavarur, studentë më të mirë, profesorë universiteti dhe aktivistë qytetarë që nuk kanë qenë deri më tani në politikë. Grupi i synuar i tyre janë qytetarët e zhgënjyer të cilët janë të fokusuar në të ardhmen evropiane të Malit të Zi.

ABAZOVIQ DHE AXHIQ: SPAJIQ DHE MANDIQ KËRCËNUAN RRUGËN EVROPIANE

Kryeministri Millojko Spajiq dhe kryetari i Kuvendit Andrija Mandiq po e çojnë Malin e Zi drejt rrënimit, qëllimi i tyre politik është gjunjëzimi i vendit tonë, thanë deputetët e URE-s, Dritan Abazoviq dhe Filip Axhiq.

Ata me veprimet e tyre të dëmshme kërcënuan rrugën evropiane të Malit të Zi, pozitën dhe disponimin e shkëlqyer të institucioneve që kishim në Bruksel, duke prishur edhe marrëdhëniet e mira fqinjësore që trashëguam me të gjitha vendet e rajonit”, njoftuan nga Lëvizja Qytetare. URA pas takimit të kryesisë së partisë me Këshillin Komunal në Bijelo Pole.

URA shton se do t'i rezistojë fuqishëm këtyre synimeve, si në Kuvend ashtu edhe në nivel lokal.

“Spajiq dhe Mandiq nuk kanë më legjitimitet për të ushtruar pushtetin në nivel shtetëror dhe zgjidhja për të dalë nga kriza në të cilën e kanë futur qëllimisht Malin e Zi janë zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare”, thekson URA.

Kryetari i Lëvizjes Qytetare URA, Dritan Abazoviq dhe nënkryetari Filip Axhiq, dje bënë një vizitë pune në Këshillin Komunal të URA-s në Bijelo Pole, gjatë së cilës u ranë dakord për aktivitete të mëtejshme për forcimin e infrastrukturës së partisë dhe një sërë aktivitetesh me rëndësi për komunitetin lokal.

ËSHTË SHTYRË SEANCA E VESNA MEDENICËS

Në Gjykatën e Lartë në Podgoricë sot është shtyrë për herë të 18-të seanca gjyqësore ndaj ish-kryetares së Gjykatës Supreme, Vesna Medenica, djalit të saj Milloshit dhe të akuzuarve të tjerë.

Arsyeja është se siç raporton “Dan”, në seancë nuk ka ardhur i pandehuri Vasilije Petroviq.

Mbrojtësi i tij ka dorëzuar paraditen e sotme në gjykatë raportin e mjekut specialist të Qendrës Klinike të Malit të Zi, në të cilin i është rekomanduar pushim nga pesë deri në shtatë ditë.

Siç ka thënë gjyqtarja Nada Rabrenoviq, shkruan gazeta “Dan”, kallëzimi është bërë më 1 korrik pas orës 22:00.

SASHA MUJOVIQ: OFERTA AKTUALE, SIPAS TIJ, ËSHTË E FAVORSHME DHE PA RREZIK

Ministri i energjetikës Sasha Mujoviq po përpiqet të gjejë zgjidhjen më të mirë për Hekuranën, për të ardhmen e kësaj kompanie dhe të punësuarve. Siç tha Mujoviq, kompania 8B Kapital, në pronësi të biznesmenit Igor Shamiz, po kërkon qira 50-vjeçare të repartit të çelikut të Hekuranës së Nikshiqit. “Unë thashë që nuk do të bëjmë asgjë derisa të shihet kontrata dhe të gjitha detajet nga organet përkatëse. Kontratën ia kam përcjellë Mbrojtëses së interesave pronësore dhe juridike të Malit të Zi, Bojana Qiroviq, dhe pres përgjigjen e saj”, tha Mujoviq. Oferta aktuale, sipas tij, është e favorshme dhe pa rrezik, por nënvizoi se duhet parë nëse kontrata mund të jepet në 50 vjet, cila është procedura dhe Mbrojtësi duhet ta vlerësojë se nëse kjo është e mundur dhe në përputhje me Ligj.

KRYENEGOCIATORËT E KOSOVËS DHE TË SERBISË, BISLIMI DHE PETKOVIQ TAKOHEN SOT NË BRUKSEL

Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, takohen sot në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, paralajmëroi se në krye të agjendës së diskutimeve do të jetë zbatimi urgjent i Marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve.

Marrëveshja u arrit vitin e kaluar, por nuk u zbatua. Ajo, mes tjerash, i kërkon Kosovës t’i ofrojë një nivel vetëmenaxhimi komunitetit serb, ndërsa Serbisë të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Për zbatimin e saj, javën e kaluar në Bruksel u thirrën edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Por, Kurti nxori disa kërkesa për vazhdimin e dialogut – përfshirë nënshkrimin e marrëveshjes dhe dorëzimin e Millan Radoiçiqit – që Vuçiq nuk i pranoi.

Radoiçiq mori përgjegjësinë për organizimin e një sulmi të armatosur në Kosovë – shtatorin e kaluar – ku mbeti i vrarë një polic.

Ai besohet se është i lirë në Serbi. Pritjet që Bislimi dhe Petkoviq të dakordohen për ndonjë gjë, nuk janë të mëdha.

Disa raunde bisedimesh mes tyre për ndalimin e dinarit serb në Kosovë, përfunduan në maj pa ndonjë marrëveshje.

Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është kusht për të dyja që të avancojnë në rrugën e integrimit evropian.

VUÇIQ BISEDON ME ZËVENDËSIN E LAVROVIT PËR MARRËDHËNIET DYPALËSHE

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, priti në Beograd zëvendësministrin rus të Punëve të Jashtme, Aleksandar Grushko, të cilin e falënderoi për mbështetjen e tij në lidhje me Rezolutën për Srebrenicën, e cila u votua në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në muajin maj.

Vuçiq postoi në Instagram një fotografi nga takimi me zëvendësin e ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ku shkroi se e falënderon Rusinë veçanërisht për mbështetjen e integritetit territorial të Serbisë.

“Kemi biseduar për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Serbisë dhe Rusisë dhe i kemi vlerësuar si shumë të mira”, tha presidenti serb.

Rusia votoi kundër Rezolutës për Srebrenicën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Rezoluta, e cila u miratua, e shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë dhe kërkon t’i jepet fund mohimit të gjenocidit dhe madhërimit të kriminelëve të luftës.

Serbia loboi kundër miratimit të saj.

Një ditë më herët, Grushko takoi edhe ministrin e Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, me të cilin bisedoi për çështjet aktuale të sigurisë dhe shprehu nevojën për koordinim të vazhdueshëm të institucioneve kompetente të sigurisë, njoftoi MPB-ja serbe.

Grushko u prit edhe nga zëvendëskryeministri i Serbisë dhe ish-shefi i agjencisë serbe të inteligjencës, Aleksandar Vulin, i cili është në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara për shkak të lidhjeve të tij me Moskën.

Krahas bashkëpunimit politik, Serbia dhe Rusia janë duke thelluar edhe bashkëpunimin ushtarak dhe ekonomik.

Serbia ka mbështetjen e Rusisë në kundërshtimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Pavarësisht thirrjeve nga Bashkimi Evropian, Serbia nuk ka ndërmarrë sanksione kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

KOSOVA SHPALL DITË ZIE NË NDERIM TË KADARESË

E mërkura e 3 korrikut do të jetë ditë zie në Kosovë, në nderim të shkrimtarit shqiptar, Ismail Kadare, i cili vdiq të hënën në moshën 88-vjeçare.

Vendimin e mori presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Zija shtetërore do të jetë gjatë ditës së mërkurë - ditën kur edhe varroset i ndjeri Ismail Kadare, ndërkaq Protokolli i Shtetit ngarkohet që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në njoftim.

I lindur më 1936, Kadare vdiq më 1 korrik si pasojë e një arresti kardio-respirator.

Veprat e tij u përkthyen në më shumë se 45 gjuhë të botës.

Ai ishte fitues i disa çmimeve ndërkombëtare, ndërsa vitin e kaluar Franca - ku jetoi me dekada - i dha titullin “Oficeri i Madh i Legjionit të Nderit”.

Udhëheqës në Shqipëri dhe në Kosovë thanë se me vdekjen e Kadaresë, “shqiptarët humbën gjeniun e tyre të letrave”, ndërsa “bota humbi shkrimtarin e saj më të madh të gjallë”.

Shqipëria shpalli dy ditë zie, më 2 dhe 3 korrik, në nderim të shkrimtarit të ndjerë.

EVROPË: KËRCËNIM PËR SULM TË MUNDSHËM TERRORIST NDAJ BAZAVE AMERIKANE

Bazat ushtarake dhe personeli amerikan në të gjithë Evropën u vunë në gatishmëri të shtuar, pasi informacionet e reja të inteligjencës paralajmëruan për një sulm të mundshëm terrorist. Një zyrtar i mbrojtjes amerikane konfirmoi për Zërin e Amerikës se objektet ushtarake në të gjithë Komandën Evropiane të SHBA-së u ngritën në shkallën “Charlie” të mbrojtjes, që do të thotë se një sulm është i mundur. “Rritja e gatishmërisë nuk lidhet me ndonjë kërcënim specifik, por me disa faktorë të kombinuar, siç janë ngjarjet e mëdha - përfshirë këtu Kampionatin Evropian të Futbollit dhe Lojërat Olimpike - dhe sulmet e mundshme nga individë të këqij kundër objektivave të ndryshme joushtarake në Evropë”, thuhet në deklaratë.

ORBAN ARRIN PËR VIZITË NË KIEV

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, arriti për vizitë në Kiev, për herë të parë prej se Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022.

Zëdhënësi i tij, Zoltan Kovacs, tha se Orban do të diskutojë për “paqen evropiane” me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

“Bisedimet do të fokusohen në mundësitë për arritjen e paqes, si dhe në çështjet aktuale në marrëdhëniet dypalëshe hungareze-ukrainase”, shkroi Kovacs në X.

Vizita e tij vjen një ditë pasi Hungaria mori presidencën e radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian.

Orban është një kritik i ndihmave ushtarake të Perëndimit për Ukrainën.

Dhjetorin e kaluar, ai u largua nga një takim i liderëve të Bashkimit Evropian për të shmangur votimin kundër nisjes së bisedimeve për anëtarësimin e Ukrainës në BE.

BE-ja, muajin e kaluar, i nisi këto bisedime me vendin në luftë.

Orban është, po ashtu, një nga udhëheqësit e paktë perëndimorë që është takuar me presidentin rus, Vladimir Putin, prej se ai ka urdhëruar pushtimin e vendit fqinj.

FORCAT IZRAELITE BOMBARDUAN GAZËN JUGORE

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) gjatë natës kryen një valë sulmesh ajrore në Khan Yunis në Rripin jugor të Gazës, duke vrarë të paktën 9 persona dhe duke plagosur më shumë se 30, sipas zyrtarëve shëndetësorë.

FMI tha se sulmet kishin në shënjestër vende në zonën e qytetit nga ku 20 raketa u hodhën në qytete në jug të Izraelit të hënën.

Ushtria izraelite tha se kishte urdhëruar evakuimin e civilëve para sulmit, raportoi Times of Israel.

"Vendndodhjet përfshinin një depo armësh, një apartament të përdorur nga terroristët dhe infrastrukturë tjetër," tha ushtria izraelite.

Para sulmit, ushtria izraelite urdhëroi banorët e disa qyteteve dhe fshatrave në Khan Yunis lindore të largoheshin nga shtëpitë e tyre.

Bombardimi pasoi një sulm me raketa mbi vendbanimet izraelite pranë kufirit me Rripin e Gazës, për të cilin mori përgjegjësinë Xhihadi Islamik Palestinez, një organizatë që lufton përkrah Hamasit kundër Izraelit.

BLINKEN: TË VENDOSUR PËR TË PARANDALUAR KONFLIKTIN IZRAEL-HEZBOLLAH

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të vendosura për të parandaluar që konflikti ushtarak midis Izraelit dhe luftëtarëve të Hezbollahut me bazë në Libanin jugor të përshkallëzohet në një luftë gjithëpërfshirëse, tha Sekretari amerikan i Shtetit Antoni Binken në Institutin Brookings me qendër në Uashington. Sipas Sekretarit Blinken "asnjë nga aktorët kryesorë në të vërtetë nuk dëshiron luftë". Sekretari Blinken përsëriti thirrjen drejtuar kreut të Hamasit në Gazë, Yahya Sinwar, për të pranuar armëpushimin e propozuar nga SHBA-të dhe nënvizoi nevojën për një plan të mirëpërgatitur për Gazën pas luftës .

SONTE  LUAJNË RUMANI—HOLANDË DHE AUSTRI-TURQI

Futbollistet e Portugalisë pas gjuajtjes më të mirë të penaltive eliminuan ekipin e Sllovenisë dhe u klasifikuan në çerekfinale të kampionatit evropian në Gjermani. Ndeshja në kohën e rregullt përfundoi me rezultatin 0 me 0, njëjtë edhe pas dy vazhdimeve. Kombëtarja e Portugalisë në çerekfinale do të luaj kundër Francës e cila në ndeshjen e parë dje në Diseldorf mundi Belgjikën me rezultatin 1 me 0.

Sonte në program janë dy ndeshje të rrallës. Në ora 18 luajnë Rumania me Holandën, kurse në ora 21 Austria kundër Turqisë. Fituesit e këtyre dy ndeshjeve do të luajnë në çerekfinale.

Përgatiti: Musa Gjoka

NESËR MOT ME VRANËSIRA TË NDRYSHUESHME DHE ME INTERVALE ME DIELL

Instituti Hidrometeorologjik ka bërë thirrje që të shmangen shëtitjet ose punët në natyrë pasi gjatë së sotme pritet të ketë stuhi dhe rrufe. “Këshillohet që gjatë këtyre kushteve të rënda meteorologjike të mos krijojmë kaos, sidomos në komunikacion, t’u shmangemi shëtitjeve ose punëve të natyrës së ndryshme në pyje, sepse ky mot parashihet të shoqërohet me stuhi, rrufe e në vende të kufizuara do të ketë kushte edhe për reshje, breshër dhe erëra të fuqishme”, thuhet në komunikatën për medie. Moti i lig ka përfshirë edhe vende të tjera të Ballkanit. Ndërsa për nesër pritet të mbajë mot me vranësira të ndryshueshme dhe me intervale me diell. Paradite diçka më i vranët. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimet e ndryshme. Temperatura maksimale e ditës do të jetë prej 18 deri në 30 gradë celsius.

 

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се