Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема
MNE Play
MNE Play

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

04. 12. 2025. 00:00 >> 17:32

Ditari 04.12.2025

Ditarin e përgatiti Marash Dedvukaj

Millan Vujanoviq, nuk ka mundur të marrë pjesë në seancën e sotme të dhjetë të komisionit hetimor

Sot u mbajt mbledhja e Komisionit Hetimor për vrasjet e motivuara politikisht, sulmet ndaj gazetarëve dhe veprimtarinë e të ashtuquajturave “Treshet e Zeza”, në të cilën është dashur të dëshmojë ish-shefi i Qendrës së Sigurisë së Podgoricës, Millan Vujanoviq, i cili njoftoi anëtarët e Komisionit se, për shkak të problemeve shëndetësore, nuk mund të merrte pjesë në seancë. Ai është dashur të fliste për vrasjen e Dushko Jovanoviqit. Kryetari i Komisionit Hetimor, deputeti i PDS-së, Andria Nikoliq, tha se në seancë ishin të pranishëm shumica e anëtarëve, dhe se ekziston kuorumi për punë dhe vendimmarrje të vlefshme. Deputeti i Malit të Zi Demokratik, Momçillo Lekoviq, lexoi një deklaratë të Vujanoviqit dhënë medieve në vitin 2021, në të cilën ai kishte thënë se ish-kryeprokurorja Vesna Medenica ishte fajtore e vetme për rezultatet e dobëta në hetimin e vrasjes së Jovanoviqit. Ai e ftoi Medenicën që publikisht ose para organeve hetimore të tregojë gjithçka që di për vrasjen e Jovanoviqit dhe për krimet e tjera në Mal të Zi.

Millatoviq, i bëri thirrje deputetit dhe kryetarit të Partisë Demokratike Popullore Millan Knezheviq që të largohet sot nga Qeveria

Presidenti i Shtetit, Jakov Milatoviq, i bëri thirrje deputetit dhe kryetarit të Partisë Demokratike Popullore Millan Knezheviq që të largohet sot nga Qeveria nëse dëshiron të veprojë në parim për shkak të impiantit të trajtimit të ujërave të zeza në Botun. Millatoviq tha se Knezheviq po vazhdon me politikën e manipulimeve, pas sulmeve të fundit të papërshtatshme ndaj Kryeministrit Milojko Spajiq në parlament. "Qeveria ka dhënë pëlqimin për ndikimin mjedisor të impiantit të trajtimit të ujërave të zeza në Botun. Partia e deputetit Knezheviq është pjesë e së njëjtës qeveri. PDP nuk do të largohet nga qeveria, ashtu siç u largova nga Levizja Evropa Tani kur nuk isha më dakord me politikat e partisë sime", tha Millatovq. Millatoviq propozoi që PDP të largohet nga Qeveria sot, nëse, siç thotë ai, dëshiron të veprojë në parim. "Vetëm atëherë fjalët e tij do të fitojnë peshë të vërtetë", përfundoi Millatoviq.

Borxhi i përgjithshëm publik i Malit të Zi në fund të shtatorit ka arritur në 4.76 miliardë euro

Borxhi i përgjithshëm publik i Malit të Zi në fund të shtatorit ka arritur në 4.76 miliardë euro, që është 58.59 për qind e produktit të brendshëm bruto, thuhet në raportin tremujor të Ministrisë së Financave për borxhin shtetëror dhe publik. Nga ky resor shpjegojnë se kjo do të thotë se borxhi publik i Malit të Zi në fund të shtatorit ka qenë brenda kritereve të Mastrihtit, sipas të cilave ai nuk duhet të jetë më i lartë se 60 për qind e produktit të brendshëm bruto.

Komisioni Komunal i Zgjedhjeve në Kotorr në mbledhjen e sotme ka vërtetuar rezultatet e votimit nga të gjitha vendvotimet në këtë komunë

Komisioni Komunal i Zgjedhjeve në Kotorr në mbledhjen e sotme ka vërtetuar rezultatet e votimit nga të gjitha vendvotimet në këtë komunë, në zgjedhjet e 29 shtatorit të vitit 2024, raporton Radio Kotorri. Lista e Partisë Demokratike të Socialistëve ka fituar shumicën e votave dhe ka marrë dhjetë mandate, po aq sa koalicioni i Demokratëve dhe i Lëvizjes Evropa Tani. Me nga tre mandate pasojnë listat: “Për të ardhmen e Kotorrit”, “Lista e Gërblit” dhe “Alternativa Demokratike”. Lista e Aleancës Evropiane ka fituar dy mandate, kurse Iniciativa Qytetare Kroate dhe lista “Lëvizja e Kotorrit – Sinisha Kovaçeviq” nga një mandat. Gjatë shqyrtimit të raportit, anëtarët e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve nuk kanë pasur kundërshtime mbi vërtetimin e rezultateve të zgjedhjeve.

Delegacioni i Bashkimit Evropian ka hapur në Bjello Pole Shtëpinë Evropiane, qendrën e tretë të këtij lloji në Mal të Zi

Delegacioni i Bashkimit Evropian ka hapur në Bjello Pole Shtëpinë Evropiane, qendrën e tretë të këtij lloji në Mal të Zi. Më parë, lidhur me këtë rast, nga Podgorica u nis një tren special për në Bjello Pole me mesazhe të fushatës nacionale ekologjike “Ruaje që të të ruajë”. Para nisjes së trenit, ambasadori i BE-së në Mal të Zi, Johan Satler, theksoi për Radio Televizionin e Malit të Zi se ky aktivitet ka për qëllim rritjen e vetëdijes për rëndësinë e ruajtjes së mjedisit, si dhe ambicien që Mali i Zi të përfundojë negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2026.

Misioni i Përhershëm i Malit të Zi në Strasburg dhe Qendra e Filmit JU e Malit të Zi po planifikojnë disa aktivitete

Me rastin e kryesimit të ardhshëm të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës nga Mali i Zi, Misioni i Përhershëm i Malit të Zi në Strasburg dhe Qendra e Filmit JU e Malit të Zi po planifikojnë disa aktivitete që do të zbatohen në periudhën midis nëntorit 2026 dhe qershorit 2027, me qëllim promovimin e kinematografisë malazeze dhe aktiviteteve plotësuese që afirmojnë vlerat evropiane. Për të arritur një dukshmëri më të madhe të Malit të Zi në kornizat shumëpalëshe, përveç kinematografisë, është planifikuar pjesëmarrja e përfaqësuesve të departamenteve përgjegjëse për kulturën, drejtësinë, të drejtat e njeriut dhe të pakicave, mediat, zhvillimin e qëndrueshëm, mbrojtjen e mjedisit, administratën publike, punën dhe mirëqenien sociale, financat, punët e brendshme dhe policinë, si dhe institucione të tjera përkatëse. "Kryesimi i ardhshëm i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës është një mundësi e rëndësishme që kinematografia malazeze të jetë më e dukshme në hapësirën audiovizuale evropiane. Përmes programeve të hartuara me kujdes, duam të tregojmë se Mali i Zi ka autorë dhe projekte që marrin pjesë në mënyrë të barabartë në trendet evropiane, në partneritet me institucionet kryesore evropiane", tha drejtoresha e Qendrës së Filmit të Malit të Zi, Aleksandra Bozhoviq.

Nga sot, në Qendrën Klinike të Malit të Zi lejohet që vetëm një anëtar i familjes të vizitojë pacientët

Nga sot, në Qendrën Klinike të Malit të Zi lejohet që vetëm një anëtar i familjes të vizitojë pacientët, në orarin nga 14 deri në 16, për një kohëzgjatje prej 15 minutash, bëhet e ditur nga ky institucion shëndetësor.Përkujtojnë se vizitat nuk lejohen në Klinikën e Sëmundjeve Infektive, në Seksionin e Obstetrikës si dhe në Seksionin e Neonatologjisë të Klinikës së Gjinekologjisë dhe Obstetrikës.

Gjykata serbe urdhëron një muaj paraburgim për veteranin e UÇK-së

Një gjykatë në Beograd ka urdhëruar sot një muaj paraburgim për një shtetas të Kosovës, i cili u arrestua në fund të muajit të kaluar për gjoja krime lufte në vitin 1999, njoftoi Ministria e Jashtme e Kosovës. Avni Qenaj, veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u arrestua nga policia serbe më 25 nëntor në pikëkalimin kufitar mes dy vendeve, Merdare, derisa po udhëtonte drejt Bosnjës, ku familja e tij ka një biznes familjar. Në një njoftim në Facebook të enjten, Ministria theksoi se autoritetet gjyqësore në Serbi kanë nisur procedurë penale ndaj Qenaj për gjoja krime lufte të vitit 1999. Ajo tha se arrestimi i Qenajt “përbën vazhdimësi të praktikave të Serbisë për ndjekje politike ndaj qytetarëve të Kosovës, përmes akuzave të pabazuara dhe të motivuara politikisht”.

BE-ja dhe të tjerë e dënojnë gjuhën e Kurteshit të LVV-së ndaj mediave

Bashkimi Evropian, Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe të tjerë e kanë dënuar gjuhën e përdorur nga një anëtar i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) ndaj mediave, pasi ai i kishte cilësuar ato si “kriminale" dhe "vrasës me pagesë”. Në një reagim në Facebook, Zyra e BE-së në Prishtinë bëri thirrje sot që t’i jepet fund një gjuhe të tillë, duke shtuar se liria e medias duhet të mbrohet në çdo shoqëri demokratike. Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në Kosovë (OSBE) tha se sjellja e Kurteshit ndaj gazetarëve ishte e “papranueshme”. “Liria e medias dhe diskursi publik i përgjegjshëm janë thelbësore për demokracinë e Kosovës. Përfaqësuesit politikë në institucionet e pavarura duhet t'i mbajnë standardet më të larta të profesionalizmit dhe respektit”, tha OSBE në Facebook.

Zyrtarë ukrainas drejt Brukselit dhe Majamit për bisedime për paqe

Negociatorët ukrainas pritet të takohen sot me zyrtarë evropianë në Bruksel, dhe më pas me zyrtarë amerikanë në Florida. Takimet vijnë disa ditë pas një takimi pesorësh në Kremlin mes zyrtarëve të Uashingtonit dhe Moskës, ku presidenti rus, Vladimir Putin, i ritheksoi kushtet e tij të ashpra për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Para takimeve të sotme, Putini përsëriti kërkesat e tij të kamotshme dhe gjithëpërfshirëse për sovranitetin dhe ushtrinë e Ukrainës, gjatë një interviste për India Today. "Ose ne i çlirojmë këto territore me forcë, ose trupat ukrainase largohen nga këto territore dhe i ndalin luftimet atje", i tha Putini kanalit indian, në një intervistë të regjistruar paraprakisht dhe të publikuar një ditë para udhëtimit të tij në Indi. I dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë Steve, Witkoff, dhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, u takuan me Putinin dhe zyrtarë të tjerë të lartë në Kremlin më 2 dhjetor, në përpjekjet më të fundit për ta gjetur një marrëveshje që do t’i jepte fund pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska.

Presidenti rus, Vladimir Putin tha sot se Rusia do të merrte me forcë, kontrollin e plotë të rajonit të Donbasit nëse forcat ukrainase nuk tërhiqeshin

Presidenti rus, Vladimir Putin tha sot se Rusia do të merrte me forcë, kontrollin e plotë të rajonit të Donbasit, në Ukrainë, nëse forcat ukrainase nuk tërhiqeshin, një kërkesë që Kievi e ka refuzuar kategorikisht, sipas “Reuters”.Presidenti Putin dërgoi dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, pas tetë vitesh luftimesh midis separatistëve të mbështetur nga Rusia dhe trupave ukrainase në Donbas, i cili përbëhet nga rajonet e Donetskut dhe Luhanskut.“ Ukraina ka kundërshtuar t’i lëshojë Rusisë territorin e saj që Moska nuk ka arritur ta fitojë në fushën e betejës. Ndërkohë, I dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, pritet që të takohet sot në Miami me kreun e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Ukrainës, Rustem Umerov, ka bërë të ditur Shtëpia e Bardhë. Takimi vjen menjëherë pas vizitës pesëorëshe të Witkoff-it në Kremlin të martën, ku ai bisedoi me presidentin rus Vladimir Putin.

Rusia thotë se takimi “domethënës” me SHBA-në për paqe në Ukrainë mbaroi “pa përparim”

Një delegacion amerikan, i kryesuar nga i dërguari i posaçëm Steve Witkoff, u takua me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe ndihmësit e tij për gati pesë orë në Kremlin, për bisedime mbi një propozim për t’i dhënë fund pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska. Në një ditë përpjekjesh intensive diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit më të madh dhe më vdekjeprurës në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, nuk ka pasur “kurrë” mundësi më të mirë se tani për ta arritur një marrëveshje. Por, pak para bisedimeve, Putini i akuzoi qeveritë evropiane se po përpiqen ta pengojnë paqen dhe paralajmëroi se, nëse Evropa dëshiron ta nisë një luftë me Rusinë, atëherë Moska është e gatshme të luftojë. Yury Ushakov, këshilltar i Putinit për politikën e jashtme, u tha gazetarëve pas takimit në Kremlin se “nuk jemi as më afër, por as më larg” arritjes së paqes.

Hungaria do ta sfidojë vendimin e BE-së për importet e energjisë ruse

Hungaria do ta sfidojë vendimin e Bashkimit Evropian për heqjen dorë në mënyrë graduale të burimeve të energjisë ruse. Lënda do të dërgohet në Gjykatën e Drejtësisë të BE-së, tha ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto. Vendet anëtare të BE-së janë pajtuar që të heqin dorë gradualisht nga importet e gazit rus deri në fund të vitit 2027, si pjesë e përpjekjeve për t’i dhënë fund varësisë disa dekadëshe të bllokut nga energjia ruse. Vendimi u mor pavarësisht kundërshtimit të Hungarisë dhe Sllovakisë. Sllovakia po shqyrton gjithashtu opsionet e saj ligjore kundër urdhrit të BE-së, pasi të dyja vendet vazhdojnë të jenë shumë të varura nga furnizimet me gaz dhe naftë nga Moska dhe frikësohen se alternativat më të kushtueshme do të dëmtonin ekonomitë e tyre. “Pranimi dhe zbatimi i këtij urdhri të Brukselit është i pamundur për Hungarinë”, tha Szijjarto gjatë një prononcimi të transmetuar në faqen e tij në Facebook. Ai tha se ky veprim shkel dokumentin themelues të BE-së dhe se përbën një masë sanksionesh të maskuar si politikë tregtare. Szijjarto tha se Hungaria do ta paraqesë zyrtarisht çështjen në gjykatën më të lartë të BE-së sapo vendimi të finalizohet në Bruksel.

Izraeli thotë se do të hapë pikëkalimin e Rafahut “në ditët në vijim”

Izraeli njoftoi për një hapje të pjesshme të pikëkalimit kufitar të Rafahut, që lidh Rripin e Gazës me Egjiptin si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit me Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Megjithatë, pikëkalimi do të hapet vetëm për palestinezët që duan të largohen nga territori. “Në përputhje me marrëveshjen e armëpushimin dhe nën udhëzimin e spektrit politik, pikëkalimi i Rafahut do të hapet në ditët në vijim ekskluzivisht për daljen e banorëve nga Rripi i Gazës për në Egjipt”, tha COGAT, që është autoritet përgjegjës për zbatimin e politikave izraelite në territoret palestineze. “Dalja e banorëve përmes pikëkalimit të Rafahut do të lehtësohet përmes koordinimit me Egjiptin, pas miratimeve të sigurisë të bëra nga Izraeli dhe nën mbikëqyrjen e misionit të Bashkimit Evropian”, u tha në njoftim. Megjithatë, në një njoftim të Shërbimit për informim shtetëror të Egjiptit u mohua koordinimi me Izraelin për hapjen e kufirit në Rafah në ditët në vijim. Duke cituar një burim zyrtar egjiptian, agjencia deklaroi se, në rast të një marrëveshjeje për të hapur pikëkalimin, qarkullimi kufitar do të zhvillohej në të dy drejtimet – si për hyrje, ashtu edhe për dalje nga Rripi i Gazës.

Maduro, ka bërë të ditur se rreth dhjetë ditë më parë ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin amerikan Donald Trump

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, ka bërë të ditur se rreth dhjetë ditë më parë ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin amerikan Donald Trump, në një moment kur tensionet mes dy vendeve janë rritur ndjeshëm. Ai tha në televizionin publik se biseda ishte “me respekt dhe e përzemërt”, ndërsa shtoi se një dialog i tillë mund të hapë rrugën për marrëdhënie më të qeta.Maduro theksoi se po kërkon “dialog të respektueshëm, shtet me shtet”, duke nënvizuar se Venezuela kërkon paqe dhe diplomaci, jo përplasje. Ndërkohë, presidenti Trump konfirmoi shkurtimisht komunikimin, duke thënë se “i tregoi disa gjëra” Maduros, por mohoi se ka pasur një telefonatë të dytë.Biseda vjen në një kohë kur SHBA ka ashpërsuar presionin ndaj Venezuelës, duke vendosur trupa në Karaibe dhe duke goditur anije që Uashingtoni i konsideron si transportuese të drogës.

Federica Mogerini, ish-diplomatja më e lartë e BE-së, ka dhënë dorëheqjen nga roli i saj si rektore e Kolegjit të Evropës

Federica Mogerini, ish-diplomatja më e lartë e BE-së, ka dhënë dorëheqjen nga roli i saj si rektore e Kolegjit të Evropës, pas një hetimi ndaj mashtrimeve të dyshuara në lidhje me programet e trajnimit të financuara nga BE-ja për diplomatët e rinj, sipas “Euractiv”.“Në përputhje me rigorozitetin dhe drejtësinë maksimale me të cilën kam kryer gjithmonë detyrat e mia, sot kam vendosur të jap dorëheqjen si rektore”, tha sot ajo në një deklaratë pas një takimi të Komitetit Ekzekutiv të Kolegjit.Deklarata e saj vjen një ditë pasi zyrtari i lartë i BE-së, Stefano Sannino tha se do të tërhiqej në fund të dhjetorit, pasi u shpall gjithashtu, i dyshuar në hetim.

Në numrin e ri të gazetës “Koha javore”

Në numrin e ri të gazetës “Koha javore”, mund të lexoni:
Nga Qazim Muja: Ese postanimaliste mbi psiken e zhurmës – Njeriu që bërtet në studio;
Në rubrikën “Opinione dhe Vështrime”: Ekumenizmi shqiptar – Fara që e shpëtoi kombin, si dhe Diskursi politik – Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë;
Në rubrikën “Diasporë” raportin nga panairin e parë të librit shqip në SHBA të organizuar nga Federata Pan-Shqiptare “Vatra në Nju Jork;
Në rubrikën “Kulturë” ky numër sjell shkrimin: Në Ulqin e Ostros u përurua libri i Amina Nurajt “Unë, bija e atdheut” – Një dokument krenarie për kombësinë, kurse
Në “Sport”: Edicioni i 13-të i Maratonës së Pavarësisë Ulqin – Shkodër – Traditë, bashkim dhe frymë kombëtare, si dhe artikuj të tjerë me interes për lexuesin.

Nesër mot i ngjashëm me të sotmin

Sot në Mal të Zi mbna mot kryesisht i vranët dhe vende vend me reshje të dobëta të shiut. Frynë erë e dobër deri e mesme e vend vend e deri e fortë nga drejtimi i veriut dhe verilindjes. Temperaturat në orën 13: Tivat 19 gradë, Budvë 18, Kotorr, H.Novi e Tivar 17, Ulqin 14, Podgroricë 11, Nikshiq e Beranë 9, Cetinë , B. Pole , Rozhajë e Petnicë 8 , Kollashin e Andrievicë 7, Plluzhinë 6, Plrevle 5 dhe në Zhablak 4 gradë.
Për nesër metereologët parashohin të mbajë mot i vfranët dhe me reshje të kohëpaskohshme të shiut, e në viset e larta malore me skllotë dhe borë. Do të fryjë erë e dobët deri e mesme e vende vende deri e fortë nga drejtimi i veriut dhe verilindjes. Temperatura e mëngjesit do të sillet prej 1 deri në 12 kurse më e larta e ditës prej 5 deri n ë 17 gc.

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се