- Hronika
- Kolumne
-
Radio
- Izdvajamo
-
Emisije
- Dokumentarni program
- Pop top
- Europuls
- Zrno po zrno
- Radio ordinacija
- Kulturna panorama
- Zelena priča
- Epoleta
- +382
- Spona
- Svijet jednakih šansi
- Matica
- Život po mjeri čovjeka
- Link
- Izokrenuti svijet
- Koracima mladih
- Moja profesija je...
- Sportski program
- Kulturno-umjetnički program
- Muzički program
- Koracima prošlosti
- Naučno-obrazovni program
- RCG
- R98
- Programska šema
- Trofej Radija Crne Gore
- Frekvencije
- Radio drama
Ditari
05. 11. 2025.
00:00 >> 17:11
Ditari 05.11.2025
Ditarin e përgatiti Marash Dedvukaj
Spajiq- dita e djeshme ka qenë një nga ditët më të rëndësishme në rrugëtimin tonë evropian
Kryeministri Millojko Spajiq ka njoftuar se dita e djeshme ka qenë një nga ditët më të rëndësishme në rrugëtimin tonë evropian. Spajiq, në rrjetin X, ka theksuar se raporti më pozitiv për përparimin që ka marrë Mali i Zi është rezultat i një pune të madhe dhe i dëshirës që, pavarësisht të gjitha sfidave, ta çojmë procesin e integrimit evropian deri në fund. Kryeministri ka theksuar gjithashtu se, falë bashkëpunimit të mirë dhe sinergjisë midis bashkëpunëtorëve të tij dhe përfaqësuesve të BE-së, Mali i Zi është zyrtarisht kandidati më mirë i përgatitur për anëtarësim.
Maida Gorçeviq - Mali i Zi ka arritur një përparim historik në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian
Ministrja e Punëve Evropiane, Maida Gorçeviq, tha se Mali i Zi ka arritur një përparim historik në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe është në fazën përfundimtare të negociatave.Ajo, gjatë një mëngjesi pune me gazetarët, duke prezantuar Raportin e Komisionit Evropian për Malin e Zi për vitin e kaluar, theksoi se ky është raporti më i mirë i Komisionit Evropian deri tani. “Dokumenti konfirmon vendi ynë ka arritur një përparim historik në procesin e anëtarësimit në BE dhe se ndodhet në fazën përfundimtare të negociatave,” tha Gorçeviq. Ajo shtoi se raporti tregon qartë se puna, përkushtimi dhe përgjegjësia sjellin rezultate.
Danillo Sharanoviq - harmonizimi i politikës së vizave pritet edhe nga Komisioni Evropian
Ministri i Punëve të Brendshme, Danillo Sharanoviq, nga i njëjti takim, tha se harmonizimi i politikës së vizave pritet edhe nga Komisioni Evropian, i cili në raportin e fundit thekson,se insiston edhe në vetting. Sa i përket Ministrisë së Punëve të Brendshme, ata kanë përfunduar pjesën e tyre të punës, dhe raporti më i fundit i Komisionit Evropian shihet si më i miri që nga fillimi i procesit të negociatave. Sharanoviq vlerësoi gjithashtu se lufta pa kompromis kundër krimit të organizuar konfirmohet edhe nga deklaratat e të arrestuarve. E dini se cili është një nga emrat më të mëdhenj që është privuar nga liria për krijimin e ndoshta organizatave më të mëdha kriminale? Çfarë tha ai para tre ose katër muajsh. Nëse Danillo Sharanoviq mbetet në krye të Ministrisë së Punëve të Brendëshme, ne do të mbetemi pa logjistikë në Drejtorinë e Policisë. Se kush është ai, do ta mësoni, tha Sharanoviq.
Ivan Vukoviq - toni pozitiv i Raportit të Komisionit Evropian dhe deklaratat optimiste të zyrtarëve nga Brukseli përbëjnë inkurajim
Kryetari i Këshillit Parlamentar për Integrimet Evropiane dhe nënkryetari i Partisë Demokratike të Socialistëve, Ivan Vukoviq, tha se toni pozitiv i Raportit të Komisionit Evropian dhe deklaratat optimiste të zyrtarëve nga Brukseli përbëjnë një inkurajim për çdo person që dëshiron të shohë Malin e Zi në Bashkimin Evropian. Megjithatë, siç shton Vukoviq, nuk ekziston një nivel i mjaftueshëm i përkushtimit dhe i koordinimit në nivel qeveritar kur bëhet fjalë për agjendën tonë evropiane.
Çarapiq – Lëvizja Evropa Tani nuk do të lejojë që asnjë proces të pengojë integrimin evropian
Raporti i Komisionit Evropian (KE) mbi progresin e Malit të Zi për këtë vit konfirmon se Mali i Zi është vendi më i përparuar në procesin e negociatave, tha deputeti Vasilije Çarapiq nga Lëvizjes Evropa Tani (PES), dhe tha se partia nuk do të lejojë që asnjë proces të pengojë integrimin evropian. Çarapiq tha në konferencën për shtyp se Lëvizjua Evropa Tani do të bëjë gjithçka që është në fuqinë e saj për të siguruar stabilitet politik."Raporti i KE-së konfirmon se Mali i Zi është vendi më i përparuar në rajon në procesin e negociatave, si dhe se në periudhën e kaluar raportuese arriti nivelin më të lartë të progresit nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe nga të gjitha vendet e tjera që janë kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE)", tha Çarapiq. Sipas tij, kjo është provë e qartë se shumica parlamentare dhe Qeveria e kanë rikthyer Malin e Zi në pozicionin e liderit në procesin e pranimit në BE. "Është gjithashtu një provë se Lëvizja Evropa Tani, si një entitet politik që u shfaq me misionin e sjelljes së Malit të Zi në BE në një mandat, përmbush absolutisht atë që u premtoi qytetarëve në zgjedhjet e vitit 2023", shtoi Çarapiq. Ai tha se KE, në raportin e progresit për këtë vit, deklaroi se vullneti politik për të zbatuar reformat ka prodhuar rezultate të matshme, veçanërisht në fushën e drejtësisë, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
PDS ka kërkuar mbajtjen e një seance kontrolluese për kryeministrin Spajiq dhe ministrin e Punëve të Brendshme Danillo Sharanoviq
Partia Demokratike Socialiste ka kërkuar mbajtjen e një seance kontrolluese për kryeministrin Millojko Spajiq, ministrin e Punëve të Brendshme Danillo Sharanoviq, ushtruesin e detyrës të drejtorit të Drejtorisë së Policisë Llazar Shqepanoviq dhe drejtorin e Agjencisë për Siguri Nacionale Ivica Janoviq. Kërkesa për seancë është bërë për shkak, siç thuhet, të informimit të pasaktë të publikut nga Drejtoria e Policisë, vendimit urgjent të Qeverisë të marrë mbi bazën e dezinformatave, përkeqësimit të ksenofobisë në rrugë, si dhe për shkak të mundësisë së cenimit të marrëdhënieve të mira tradicionale mes Podgoricës dhe Ankarasë dhe mundësisë së masave reciproke.
Njëmbëdhjetë të vdekur dhe mbi 30 të lënduar nga zjarri në shtëpinë e pleqve në Tuzlla
Njëmbëdhjetë persona e kanë humbur jetën dhe më shumë se 30 të tjerë janë lënduar si pasojë e një zjarri që shpërtheu në katin e shtatë të një shtëpie pleqësh në Tuzlla mbrëmjen e së martës, njoftuan sot autoritetet në kantonin e Tuzllës në Bosnjë. Sipas të dhënave të fundit të pakonfirmuara, 30 persona janë shtruar në spital në Qendrën Klinike Universitare në Tuzlla, ndërsa numri i të lënduarve që deri më tani kanë kërkuar ndihmë mjekësore është më i lartë. Viktimat janë banorë të shtëpisë dhe sipas autoriteteve trupat e tyre do të dërgohen për identifikim dhe autopsi. Nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi zjarrin, por autoritetet e kanë nisur një hetim në vendin e ngjarjes. Drejtori i shtëpisë së pleqve, Mirsad Bakalloviq, dha dorëheqje një ditë pas zjarrit. Në një njoftim zyrtar disa orë pas zjarrit, shtëpia e pleqve konfirmoi numrin e të vdekurve dhe të lënduarve, dhe shtoi se të lënduarit po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Tuzllës. Sipas saj, mes të lënduarve ka edhe oficerë policie, zjarrfikës, punonjës mjekësorë dhe punonjës të shtëpisë së pleqve në Tuzlla. Një numër i madh zjarrfikësish morën pjesë në shuarjen e zjarrit, ndërsa në vendngjarje shkuan edhe policia dhe shërbimet e emergjencës. Kryeministri i kantonit të Tuzllës, Irfan Halilagiq, i tha shërbimit publik të Bosnjës se po kërkohet një zgjidhje për strehim të përkohshëm për banorët e shtëpisë. Kryeministri i Federatës së Bosnjës, Nermin Nikshiq, njoftoi për televizionin boshnjak se Qeveria do të marrë pjesë në rindërtimin e shtëpisë dhe kujdesjën për banorët e saj.
Abdixhiku: U refuzua Qeveria e Unitetit, po propozohet Qeveri e Pakicës
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se propozimi i partisë së tij për krijimin e një Qeverie të Unitetit Kombëtar u refuzua, ndërsa tani po propozohet formimi i një Qeverie të Pakicës.Në konferencën për media të mbajtur sot, Abdixhiku tha se ideja e tij bazohej në parimin e përgjegjësisë së përbashkët dhe bashkërendimit shtetëror, ndërsa propozimin e Glauk Konjufcës si mandatar e cilësoi si humbje kohe. “Fatkeqësisht, ky propozim u refuzua me shpejtësi dhe me furi. Në vend të bashkëpunimit, u zgjodh vazhdimi i krizës, me seanca të pakuptimta, me shkelje kushtetuese dhe me një mungesë të plotë përgjegjësie institucionale,” theksoi Abdixhiku. Sipas tij, pas gjashtë muajsh vendi ndodhet në një situatë të ngjashme, por më të rënduar – pa institucione funksionale, me ndarje më të thella dhe me pak kohë për t’i adresuar sfidat aktuale. “Dhe në gjendje të tillë, në fund të këtij cikli që më shumë i ngjan një cirku politik, pra në fund të bllokadës tetë mujore, Kosovës dhe qytetarëve tanë po u propozohet si ‘zgjidhje’ një Qeveri e Pakicës, për periudhë kalimtare, me pretendimin për të trajtuar çështje shtetërore,” tha kryetari i LDK-së.
Pesë vjet nga arrestimi i ish-krerëve të UÇK-së
Sot shënohen pesë vjet nga arrestimi i katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Në këtë përvjetor, organizatat e dala nga lufta e UÇK-së kanë reaguar ashpër, duke e cilësuar procesin ndaj tyre si një padrejtësi të madhe.“Pesë vite padrejtësi, pesë vite që heronjtë e lirisë mbahen larg familjeve dhe vendit për të cilin luftuan. Ne nuk harrojmë dhe nuk dorëzohemi përballë kësaj padrejtësie historike,” thuhet në deklaratën e OVL-UÇK-së. Më 5 nëntor 2020, Hashim Thaçi dha dorëheqje nga posti i Presidentit të Kosovës, pasi Dhomat e Specializuara në Hagë konfirmuan aktakuzën ndaj tij dhe tre bashkëluftëtarëve të tjerë. Po atë ditë, Kadri Veseli, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës, njoftoi se do të udhëtonte drejt Hagës për t’u përballur me drejtësinë. Një ditë më herët, më 4 nëntor, Jakup Krasniqi ishte nisur drejt Qendrës së Paraburgimit në Hagë, ndërsa Rexhep Selimi kishte marrë gjithashtu konfirmimin e aktakuzës dhe ishte nisur për në Holandë. OVL-UÇK ka mbajtur protesta në disa qytete shqiptare dhe evropiane në përkrahje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë.
Kurti: S’ka arsye ligjore që ish-krerët e UÇK-së të mbahen ende në paraburgim në Hagë
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, beson se nuk ka më arsye ligjore që ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) - të cilët janë duke u gjykuar për krime lufte në Hagë - të mbahen akoma në paraburgim në qytetin holandez. Në pesëvjetorin e arrestimit dhe paraburgosjes së Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, Kurti shkroi në Facebook se “Prokuroria e ka përfunduar rastin e saj. Dëshmitarë më nuk ka. Nuk ka as arsye ligjore, as morale që të mbahen edhe më tej në paraburgim”. Gjyqi ndaj tyre nisi në vitin 2023 dhe po shkon drejt përfundimit. Që të gjithë ata i mohojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit para dhe gjatë luftës së viteve 1998–1999. Kurti është kritikuar në të kaluarën se nuk e ka ngritur zërin për ish-krerët e UÇK-së dhe që nuk i ka vizituar asnjëherë të katër figurat në Hagë. Por, ai tha sot se ka punuar “gjatë dhe në heshtje” për lirimin e tyre. “Kështu kam menduar që nga dita e parë. Kemi punuar gjatë dhe me përkushtim për këtë çështje, në heshtje, sepse shpesh puna e mirë bëhet pa zhurmë. Por, ndonjëherë puna që nuk shihet, nuk dihet”, shkroi Kurti.
Rama: Shqipëria në rrugën e duhur. Synimi ynë, raporti i 2027 të rekomandojë anëtarësimin në BE
Në një konferencë të përbashkët për shtyp, Kryeministri Edi Rama dhe Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, prezantuan raportin e progresit për Shqipërinë në kuadër të procesit të integrimit europian.Raporti vlerëson se vendi është në rrugën e duhur për të përmbyllur teknikisht negociatat e anëtarësimit brenda vitit 2027, një objektiv që Kryeministri e cilësoi si “historik” dhe “ambicie kombëtare”. Rama theksoi se raporti përmban shumë elementë, por sipas tij, mesazhi më i rëndësishëm është qartësia se Shqipëria po ecën drejt përmbylljes së negociatave. “Ky raport thotë shumë gjëra, por mbi të gjitha thotë një gjë: që Shqipëria është në rrugën e duhur për të përmbyllur teknikisht negociatat brenda vitit 2027. Duke thënë këtë, raporti i ka thënë të gjitha,” u shpreh ai. Megjithatë, Kryeministri nuk e fshehu se rruga drejt anëtarësimit nuk është pa sfida. Ai e përshkroi raportin si një “gotë e mbushur përgjysmë”, duke nënvizuar se energjia duhet të fokusohet tek “gjysma bosh”, pra tek sfidat cilësore dhe sasiore që mbeten për t’u adresuar në çdo hap të procesit. Gjithmonë kemi bërë atë që bëjmë edhe sot: duke marrë energjinë nga gjysma plotë, fokusohemi tek gjysma bosh,” tha Rama, duke shtuar se synimi është që raporti i vitit 2027 të përmbajë rekomandimin për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Në vijim, Kryeministri u shpreh krenar për pozicionin që Shqipëria ka arritur në rajon, duke e cilësuar vendin si “në parajsën e këtij procesi” së bashku me Malin e Zi.
Spitali Nasser njoftoi sot se mori trupat e 15 të burgosurve palestinezë si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit me Izraelin
Spitali Nasser në pjesën jugore të Rripit të Gazës njoftoi sot se mori trupat e 15 të burgosurve palestinezë si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit me Izraelin."Grupi i dhjetë i mbetjeve mortore të martirëve palestinezë, i përbërë nga 15 martirë, mbërriti si pjesë e shkëmbimit të mbetjeve mortore midis palës palestineze dhe pushtuesit izraelit", tha administrata e spitalit, duke shtuar se 285 trupa ishin pranuar në Rripin e Gazës që nga hyrja në fuqi e armëpushimit më 10 tetor. Nga 28 pengjet e ndjera që Hamasi pranoi t'ia dorëzonte Izraelit si pjesë e marrëveshjes, ndërsa 21 janë kthyer deri më sot. Izraeli ende po kërkon kthimin e shtatë trupave të mbetur. Më 13 tetor, lëvizja islamiste palestineze Hamas liroi 20 pengjet e fundit të gjalla që mbaheshin në Rripin e Gazës, në këmbim të lirimit të rreth 2,000 të burgosurve palestinezë.
Demokratët fitojnë tri gara kyç, Mamdani bëhet kryetari i parë mysliman i Nju Jorkut
Demokratët i kanë fitua dje tri gara në zgjedhjet e para të rëndësishme qëkurse Donald Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë, duke ngritur një brez të ri udhëheqësish dhe duke i dhënë partisë së tyre një shtysë të re para zgjedhjeve kongresionale të vitit të ardhshëm. Në Nju Jork, Zohran Mamdani, një socialist demokrat 34-vjeçar, fitoi garën për kryetar, që kulmoi me ngritjen e tij të shpejtë dhe të papritur nga një ligjvënës i panjohur shtetëror në një nga figurat më të dukshme të demokratëve në vend. Ndërkohë, në Virxhinia dhe Nju Xhersi, demokratet e moderuara Abigail Spanberger, 46 vjeçe, dhe Mikie Sherrill, 53 vjeçe, fituan zgjedhjet për guvernatore me epërsi të dukshme. Kandidatët fitues pritet ta ringjallin energjinë dhe të nxisin më shumë angazhim nga votuesit demokratë, shumë prej të cilëve kanë kërkuar figura të reja në krye të partisë. Pjesëmarrja në zgjedhjet për kryetar në Nju Jork ishte më e larta që nga viti 1969.
Aeroporti i Brukselit pritet të rihapet, pas pranisë së dronëve
Aeroporti kryesor i kryeqytetit të Belgjikës pritet sot ta rifillojë punën, pasi ndaloi rreth 80 fluturime për shkak të dyshimeve për praninë e dronëve, tha një zëdhënëse. Rreth 400 deri në 500 udhëtarë u detyruan ta kalonin natën në aeroportin Zaventem për shkak të pranisë së dronëve, tha për AFP-në zëdhënësja e aeroportit të Brukselit, Ariane Goossens. “Situata do të kthehet në normalitet gjatë ditës” me rifillimin e fluturimeve, shtoi ajo. Mbrëmë ishte pezullua trafiku ajror për arsye sigurie në aeroportin e dytë më të madh në Sharleua, njoftuan operatorët. Kompania Skeyes përgjegjëse për kontrollin e trafikut ajror në Belgjikë, ndaloi mbrëmë fluturimet dy herë, rreth orës 20:00 dhe sërish rreth orës 22:00, pasi dronë të dyshuar u panë pranë aeroportit të Brukselit - Zaventem dhe atij të Liezhit. Ndërprerjet e fluturimeve vijnë pas një sërë incidentesh misterioze me dronë që kanë shënjestruar aeroporte dhe zona të ndjeshme ushtarake në disa vende evropiane, përfshirë Gjermaninë dhe Danimarkën.
Gjermania e mbyll një shoqatë myslimane që akuzohet se bënte thirrje për kalifat
Gjermania e ka mbyllur sot një shoqatë myslimane, duke e akuzuar për veprimtari kundërkushtetutëse, përfshirë thirrje për krijimin e një kalifati, njoftoi Ministria e Brendshme gjermane. Policia gjermane bastisi shtatë ndërtesa në qytetin verior të Hamburgut, ku e kishte selinë shoqata Muslim Interaktiv. "Ne nuk do të lejojmë që organizata, si Muslim Interaktiv, ta minojnë shoqërinë tonë të lirë me urrejtjen e tyre dhe ta sulmojnë vendin tonë nga brenda", tha ministri i Brendshëm Alexander Dobrindt. Shoqata u vu në qendër të kritikave në prill të vitit 2024 gjatë një proteste në Hamburg, ku më shumë se 1.200 njerëz demonstruan, duke dënuar politikat gjoja islamofobe të Gjermanisë. Pankartat e mbajtura në atë protestë përfshinin disa me mbishkrimin “kalifati është zgjidhja”, gjë që bëri bujë në të gjithë vendin dhe nxiti debat të ashpër kombëtar. Sipas Ministrisë shoqata, e akuzuar gjithashtu për mohimin e të drejtave të grave dhe nxitjen e urrestjes ndaj Izraelit, tani do të shpërbëhet dhe pasuria e saj do të konfiskohet. Qyteti i Hamburgut tha se kjo shoqatë, e themeluar në vitin 2020, ishte aktive kryesisht online dhe i kritikonte politikanët dhe shoqërinë për gjoja mospranimin e “të gjithë komunitetit mysliman”. Ministri i Brendshëm i Hamburgut, Andy Grote, përshëndeti mbylljen e kësaj shoqate dhe tha se autoritetet e “eliminuan një grup islamist të rrezikshëm dhe shumë aktiv”. Policia të mërkurën bastisi gjithashtu ndërtesa në Berlin dhe në landin perëndimor Hese, si pjesë e hetimeve ndaj dy grupeve të tjera, Generation Islam dhe Realitaet Islam.
Nesër mot me diell
Sot në pjesën më të madhe të Malit të Zi mban mot kryesisht me diell. Frynë erë e dobët deri e mesme e vende vende deri e forte nga drejtimi i verilindjes. Temperaturat në orën 13: Budvë 23 gradë, Podgoricë, Tivar e Ulqin 20, H.Novi 19, Nikshiq e Cetinë 18, Shavnik 15, Plluzhinë 14, Beranë, B.Pole e Guci 12, Petnicë11, Kollashin, Plevle e Andrievicë 10, Rozhajë 8 dhe në Zhablak 3 gradë.
Për nesër pritet të mbajë mot kryesisht me diell. Do të fryjë erë e dobët deri e mesme nga drejtimi i verilindjes. Temperatura e mëngjesit do të sillet prej – 1 deri në 11 kurse më e larta e ditës prej 12 deri në 22 gc.
Коментари0
Остави коментар