Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема
MNE Play
MNE Play

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

03. 11. 2025. 00:00 >> 17:08

Ditari 03.11.2025

Ditarin e përgatiti Marash Dedvukaj

Marta Kos - Paketa e zgjerimit të këtij viti përmbanë lëvdata për Malin e Zi

Paketa e zgjerimit të këtij viti, të cilën Komisionerja Europiane Marta Kos do ta prezantojë nesër, përmbanë lëvdata për Malin e Zi dhe Shqipërinë, fjalë inkurajimi për Ukrainën dhe Moldavinë, dhe shumë më pak entuziazëm kur bëhet fjalë për Bosnjën dhe Hercegovinën (BiH), Maqedoninë e Veriut dhe, veçanërisht, Serbinë, shkruan sot Politiko me qendër në Bruksel, duke iu referuar deklaratave të fundit të Komisioneres Europiane dhe bisedave me zyrtarët e BE-së. Kos, siç u tha së fundmi gazetarëve në Bruksel, do ta paraqesë paketën e zgjerimit si një mjet kyç gjeopolitik për të treguar se Unioni "në të vërtetë u përgjigjet sfidave në të gjithë Evropën". Sipas saj, ndihma ndaj vendeve në rrugën drejt anëtarësimit në BE është mënyra se si Brukseli mund t'i kundërvihet forcave që duan të destabilizojnë Unionin.Raporti, shkruan Politiko, do të jetë gjithashtu një mundësi për zyrtarët e lartë të Komisionit për të folur rreth perspektivave për një "Evropë të bashkuar". Pritet që raporti të përfshijë lëvdata për Malin e Zi dhe Shqipërinë, ku Mali i Zi ka përparuar më shumë në rrugën drejt BE-së dhe synon anëtarësimin në vitin 2027. Ndërkohë, dëgjohen zëra se është duke u hartuar traktati për pranimin e Malit të Zi, gjë që do të jetë një mundësi për Komisionin për të paraqitur siguri të ndryshme se pranimi i anëtarëve të rinj nuk mbart rreziqe, p.sh. duke vënë në pritje disa të drejta kyçe vote, siç është vetoja në politikën e jashtme, për një "periudhë prove" të caktuar. "Periudhat e tranzicionit janë një parim në brezin e ri të traktateve të pranimit", tha Kos.

Zyra e prokurorit të lartë të shtetit në Podgoricë konstatoi se nuk ka bazë për veprim në rastin e sulmit në Zabjellë

Zyra e prokurorit të lartë të shtetit në Podgoricë konstatoi se nuk ka bazë për veprim në rastin e sulmit në Zabjellë më 26 tetor të këtij viti, në të cilin u plagos M.J. Pas një analize të detajuar të video-inçizimeve dhe gjetjeve të ekzaminimit mjekësor, u arrit në përfundimin se bëhej fjalë për lëndime të lehta fizike, kështu që çështja iu dorëzua Zyrës së Prokurorit Themelor të Shtetit në Podgoricë, njoftoi Prokuroria e Lartë Shtetërore. Prokuroria e Lartë e Shtetit në Podgoricë, pasi ndërmori masat dhe veprimet e nevojshme me qëllim përcaktimin e të gjitha rrethanave të ngjarjes në Zabjellë nga 26 tetori 2025, kur personi M.J. u plagos, vlerësoi se në këtë rast të veçantë nuk ka dyshim të arsyeshëm se është kryer një vepër penale brenda juridiksionit të kësaj prokurorie."Pas analizës së paraqitur të materialit video të nxjerrë nga kamerat e mbikëqyrjes që kanë regjistruar ngjarjen specifike, u identifikuan pjesëmarrësit në ngjarje, si dhe objektet e veprës penale. Duke e lidhur këtë pohim me konstatimet dhe mendimin e ekspertit mjekësor, nga i cili rrjedh se në rastin konkret i dëmtuari M.J. ka marrë lëndime të lehta, si dhe me prova të tjera të mbledhura, kjo prokurori vlerësoi se ndoshta bëhet fjalë për një vepër penale të sjelljes së dhunshme, si dhe vepra të tjera penale nga juridiksioni i Prokurorisë Themelore të Shtetit në Podgoricë", njoftoj Prokuroria e Lartë.

Ibrahimoviq - Marrëdhëniet midis Malit të Zi dhe Turqisë janë aq të forta dhe të thella sa asnjë vendim nuk mund t'i kërcënojë ato

Marrëdhëniet midis Malit të Zi dhe Turqisë janë aq të forta dhe të thella sa asnjë vendim nuk mund t'i kërcënojë ato. E njëjta gjë vlen edhe për incidentin në Zabjellë. këto janë incidente serioze, të tmerrshme, por nuk do të kërcënojnë marrëdhëniet midis dy vendeve, tha Zëvendëskryeministri, Ministri i Punëve të Jashtme dhe kreu i Partisë Boshnjake (BS) Ervin Ibrahimoviq në seancën parlamentare. Ai tha se ai dhe ministrat nga Bosnja dhe Hercegovina nuk votuan për futjen e vizave për qytetarët turq. Duke folur për aktivitetet e tij natën e 25 tetorit, kur u plagos i riu M. J, Ibrahimoviq tha se i telefonoi Kryeministrit Millojko Spajiq dhe Ministrit të Brendshëm Danillo Sharanoviq, dhe se ata biseduan dhe kërkuan një zgjidhje, dhe se publiku dëshmoi ksenofobinë dhe islamofobinë atë natë. Deputeti i Partisë Demokratike të Socialistëve Ivan Vukoviq i tha Ibrahimoviqit se ai duhet t'i mbajë përgjegjës njerëzit nga pushteti ekzekutiv dhe se ai duhet ta ngrejë çështjen e përgjegjësisë në lidhje me futjen e vizave për qytetarët e Turqisë në seancën e ardhshme. "Kam frikë se mund të arrijmë shpejt në një situatë ku një numër i madh njerëzish do të ndiejnë pasojat e kësaj papërgjegjësie. Nuk do ta lejojmë që ngjarja të mbarojë këtu", tha ai.

Andrija Mandiq, u takua me delegacionin e Komitetit Parlamentar të Miqësisë të Parlamentit të Mbretërisë së Arabisë Saudite, i cili aktualisht ndodhet në një vizitë zyrtare në Mal të Zi

Kryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, u takua me delegacionin e Komitetit Parlamentar të Miqësisë të Parlamentit të Mbretërisë së Arabisë Saudite, i cili aktualisht ndodhet në një vizitë zyrtare në Mal të Zi. "Me këtë rast, Mandiq theksoi se Mali i Zi dhe Mbretëria e Arabisë Saudite kultivojnë marrëdhënie tradicionalisht miqësore, të bazuara në respekt të ndërsjellë dhe vlera të përbashkëta. Ai kujtoi se e përcolli këtë mesazh gjatë vizitës së tij zyrtare në Riad në fillim të këtij viti", thuhet në deklaratën e Asamblesë. Kreu i delegacionit të Komitetit Parlamentar të Miqësisë, Dr. Ali bin Mohammed bin Saed Al Shahrani, falënderoi Mandiqin për pritjen dhe shprehu kënaqësinë e tij për qëndrimin në Mal të Zi. “Bashkëbiseduesit ranë dakord se e ardhmja e marrëdhënieve midis dy vendeve mbështetet në forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tërheqjen e investimeve kapitale, veçanërisht në fushat e turizmit dhe energjisë. Në këtë kontekst, ata arritën në përfundimin se rivendosja e një linje ajrore të drejtëpërdrejtë midis Podgoricës dhe Riadit është shumë e rëndësishme”, thuhet në njoftim.

Këshilli i Gjykatës Supreme të Malit të Zi ua ka zgjati paraburgimin të pandehurve Tarik Mujkoviq, Emir Crnovrshanin dhe Admir Kaçar

Këshilli i Gjykatës Supreme të Malit të Zi ua ka zgjati paraburgimin të pandehurve Tarik Mujkoviq, Emir Crnovrshanin dhe Admir Kaçar edhe për një muaj, përkatësisht deri më 7 dhjetor 2025. Paraburgimi i të pandehurve u zgjat për shkak të dyshimit të bazuar se ata kanë kryer veprën penale të tentativës së vrasjes së rëndë. "T.M., E.C. dhe A.K. akuzohen se kanë tentuar t'u marrin jetën shtetasve azerbajxhanas A.X. dhe M.A. më 6 qershor të këtij viti në Ulqin. Shtetasëve të Azerbajxhanit u kanë shkaktuar plagë të shumta me thikë në zonën e gjoksit, gjatë të cilave viktimat pësuan lëndime kërcënuese për jetën. Paraburgimi i të pandehurve u zgjat për shkak të rrezikut të arratisjes", tha Gjykata Supreme në një deklaratë. Në marrjen e vendimit për zgjatjen e paraburgimit, Gjykata Supreme, siç thekson ajo, mori parasysh peshën e veprës penale dhe lartësinë e dënimit të kërcënuar, faktin se të pandehurit janë shtetas të Republikës së Serbisë, të rinj dhe të papunë, si dhe faktin se ata nuk kanë lidhje të forta dhe të përhershme me Malin e Zi, gjë që çon në përfundimin se ata kanë krijuar kontakte jashtë vendit, nga të cilët mund të kërkojnë dhe të marrin ndihmë për t'u fshehur dhe arratisur.

Sindikatat që përfaqësojnë punonjësit e RTMZ pranuan propozimin e Marrëveshjes së re Kolektive të përgatitur nga Menaxhmenti i RTMZ-së

Sindikatat që përfaqësojnë punonjësit e Radiotelevizionit të Malit të Zi pranuan propozimin e Marrëveshjes së re Kolektive të përgatitur nga Menaxhmenti i RTMZ-së. Marrëveshja përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të pozicionit të punonjësve dhe stabilitetit të Shërbimit Publik të Medias së Malit të Zi. Marrëveshja e re Kolektive parashikon rritjen e pagave dhe përmirësim të kushteve të punës, gjë që është rezultat i një dialogu të hapur dhe një qasje të përgjegjshme në proces. Propozimi i Marrëveshjes Kolektive është dërguar në Ministrinë e Financave për miratim dhe pritet një përgjigje e shpejtë në mënyrë që zgjidhjet e reja të zbatohen sa më shpejt të jetë e mundur. Menaxhmenti thotë se ata mbeten të përkushtuar për të krijuar një mjedis profesional dhe stimulues, të bazuar në përgjegjësi dhe transparencë, në të cilin puna e punonjësve vlerësohet dhe shpërblehet, dhe shërbimi publik zhvillohet në interes të qytetarëve.

Drafti i Raportit të Progresit për Kosovën: Përparim i kufizuar për shkak të ngërçit politik

Përparimi i Kosovës në agjendën e Bashkimit Evropian është penguar nga politikat e brendshme përçarëse dhe nga ngërçi politik pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, pavarësisht se Kosova është e përkushtuar në rrugën evropiane, me nivel të lartë të mbështetjes publike.Kështu thuhet në një draft të Raportit të Progresit në pjesën për Kosovën për vitin 2024, të cilin e ka siguruar Radio Evropa e Lirë. BE-ja i përpilon këto raporte për vendet që synojnë anëtarësimin në bllokun evropian. Kosova, për dallim prej vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor, nuk e ka statusin e vendit kandidat, ndonëse ka aplikuar për anëtarësim në dhjetor të vitit 2022. Në dokument përmendet se Kosova e ka përshtatur në mënyrë vullnetare politikën e saj të jashtme me atë të Bashkimit Evropian, çka sinjalizon përkushtim të qartë për vlerat e BE-së, veprim shumë i mirëpritur. Mes tjerash në draft-raport përmendet se Komisioni Evropian i ka marrë hapat e parë drejt heqjes graduale të masave ndëshkuese. Kosova ishte ndëshkuar me masa prej BE-së në verën e vitit 2023, meqë blloku kishte vlerësuar se autoritetet kosovare nuk kishin bërë mjaftueshëm për t’i parandaluar trazirat që patën shpërthyer në veriun e banuar me shumicë serbe.“Hapat tjerë do të varen nga shtensionimi i vazhdueshëm në veri. Komisioni synon t’i heqë masat financiare kur të ketë transferim të rregullt të qeverisjes lokale në veri, pas zgjedhjeve të mbajtura”. Në zgjedhjet lokale të mbajtura më 12 tetor, katër komunat me shumicë serbe në veri – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok - i ka fituar Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Dhunë në protestat në Beograd, teksa nëna e një viktime të Novi Sadit nis grevë urie

Dhunë dhe tensione janë raportuar përgjatë një proteste të mbajtur në Beograd në mbrëmjen e 2 nëntorit në mbështetje të Dijana Hërkas, nënës së njërës prej 16 viktimave të vrara si pasojë e shembjes së një strehe betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit një vit më parë. Ajo ka nisur grevë urie, duke kërkuar përgjegjësi nga ata që, siç thotë ajo, i kanë vrarë fëmijën. Në protestë janë hedhur mjete piroteknike në drejtim të protestuesve nga ana e mbështetësve qeveritarë që kanë qenë të mbledhur në një zonë tjetër. Më vonë kanë shpërthyer përleshje mes dy grupeve, mirëpo policia ka ndërhyrë shpejt dhe i ka ndalur ato. Përgjatë protestës, Dijana Hërka i është drejtuar policisë me megafon, duke thënë se ky institucion do të fajësohet për incidentet. Pas një kohe siguria është përforcuar me forcat e xhandarmërisë. Studentët që protestojnë tashmë një vit, i kanë bërë thirrje secilit që të mos përfshihet në përleshje. “Dijana Hërka nuk duhet të lihet vetëm”, kanë thënë studentët përmes një postimi në X, duke shtuar se gjëja më e rëndësishme është siguria e saj, por që nëse Hërka vendos të vazhdojë grevën dhe të protestojë, atëherë duhet të ketë mbështetje adekuate. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i ka akuzuar qytetarët që e kanë mbështetur Dijana Hërkan për “tentime brutale që të sulmojnë simbolin e lirisë – Parkun e Pionierëve”, ka raportuar agjencia e lajmeve Beta. Vuçiq ka thënë se ata që i organizojnë grevat janë në kontakt me shumë zyrtarë të Ambasadës amerikane. “Kjo është diçka e pritshme dhe nuk na befason, sepse i kemi monitoruar këto kontakte të atyre që kanë dashur të shkaktojnë kaos me struktura të huaja”, ka thënë , pos tjerash Vuçiq.

Kallas: Koha për të përfunduar mbikëqyrjen ndërkombëtare në Bosnje, por pas forcimit të kapaciteteve vendore

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, tha në Sarajevë se ka ardhur koha që mbikëqyrja ndërkombëtare në Bosnje dhe Hercegovinë të përfundojë, por shtoi se kjo mund të ndodhë vetëm kur vendi t’i ketë kapacitetet e nevojshme për të marrë vendime vetë. Kallas ndodhet për një vizitë zyrtare në Bosnje dhe Hercegovinë, gjatë së cilës vizitoi kampin Butmir pranë Sarajevës, ku janë të vendosur pjesëtarët e Misionit të BE-së për Paqe, EUFOR. EUFOR-i ka mandat edhe për të përdorur forcën, në rast se “mjedisi i sigurt dhe i qëndrueshëm kërcënohet seriozisht” apo “strukturat ekzistuese të sigurisë janë në rrezik të shemben”. Kallas tha se ngjarjet e fundit në Kuvendin Popullor të Republikës Sërpska paraqesin një mundësi të re për të qetësuar tensionet politike. “Zgjedhjet e lira dhe të ndershme mund të rivendosin besimin tek autoritetet lokale. Qytetarët e Bosnje dhe Hercegovinës meritojnë një shans për stabilitet dhe një shans për të marrë frymë lirshëm”, tha Kallas.

A do të funksionojë plani 12-pikësh i BE-së për Ukrainën?

Me samitin e propozuar mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin, në Budapest që duket se është shtyrë, shtetet evropiane sërish po tentojnë ta bëjnë veten të rëndësishme në çdo zgjidhje të mundshme të luftës në Ukrainë. Një nga përpjekjet e fundit është një plan 12-pikësh, që e ka parë Radio Evropa e Lirë, që është iniciuar nga Finlanda. Ky plan ka qarkulluar në kryeqytetet evropiane javët e fundit. Dokumenti nuk është një marrëveshje e gatshme paqeje, gjë që bëhet e qartë përmes titullit provizor: “Elementet për paqe në Ukrainë”. Ky plan po ashtu nuk është diskutuar në nivelet më të larta të BE-së dhe nuk është mbështetur zyrtarisht nga asnjë shtet. Përkundrazi, është diçka që është punuar në Koalicionin e Vullnetit – një grup prej më shumë se 20 shtetesh që e mbështesin Ukrainën – që nga pranvera. Dymbëdhjetë pikat janë strukturuar në dy faza: e para “armëpushimi” dhe e dyta “negociatat”. Qasja “fillimisht armëpushim” është diçka që shumica e shteteve evropiane kanë kërkuar që kur administrata Trump nisi të bisedonte me Kremlinin. Në dokument thuhet se një armëpushim i tillë “do të fillojë 24 orë pasi palët ta kenë pranuar këtë plan” dhe se një linjë kontakti “do të ngrihet në momentin që nis armëpushimi”. Duke pranuar rolin udhëheqës të SHBA-së në bisedime, plani po ashtu sugjeron që monitorimi i armëpushimi të nisë “menjëherë nën udhëheqjen amerikane, duke përdorur satelitë, dronë dhe mjete të tjera të teknologjisë”. Po ashtu, gjatë fazës së armëpushimit, plani është që Ukraina dhe Rusia të pajtohen për një pakt “kundër agresionit”.

Afganistan: Të paktën 20 të vdekur si pasojë e një tërmeti 6.3 shkallësh

Të paktën 20 persona kanë vdekur si pasojë e një tërmeti që e ka goditur pjesën veriore të Afganistanit, kanë bërë të ditur autoritetet lokale. Sipas tyre, numri i viktimave mund të rritet teksa vazhdojnë përpjekjet për kërkim-shpëtim. Tërmeti e ka goditur pjesën afër Mazar-e-Sharifit, njëri prej qyteteve më të mëdha në Afganistan, në të cilin jetojnë rreth 500.000 banorë. Tërmeti 6.3 shkallësh është regjistruar me thellësi prej 28 kilometrash, sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara. Sipas autoriteteve në krye me talibanët, mbi 530 njerëz janë plagosur. Disa zyrtarë kanë thënë se shumica e të plagosurave kanë raportuar se janë rrëzuar vetë nga ndërtesat e banimit, për shkak të frikës. Tërmeti ka rezultuar me ndërprerje të energjisë elektrike në një pjesë të madhe të Afganistanit, përfshirë kryeqytetin, Kabulin, për shkak të dëmtimit të kabllove që kalojnë nëpër Uzbekistan dhe Taxhikistan. Tërmeti i sotëm është regjistruar pas një tërmeti tjetër 6.0 shkallësh në rajonin malor të Afganistanit në pjesën lindore, në fund të muajit gusht, duke vrarë më shumë se 1.100 persona.

Nesër mot i ndryshueshëm

Sot në Mal të Zi mban mot kryesisht i vranët dhe vende vende me reshje të shiut. Frynë erë e dobët deri e mesme nga drejtimi i jugut. Temperaturat në orën 14 u shënuan: H. Novi e Tivar 21, Ulqin e Budvë 20, Podgoricë 19, Beranë e Petnicë 18,Plevle, Plluzhinë e Andrievicë 17, Rozhajë 16, Cetinë, Shavnik, B. Pole e Guci 15, Nikshiq 14, dhe Kollahin e Zhablak 13 gradë.Për nesër në orët e paraditës metereologët parashohin të mbajë mot me shi, kurse në orët e pasditës kthjellim gradual të motit. Do të fryjë erë e mesme deri e forte e vende vende tejet e forte nga drejtimi i veriut dhe verilindjes. Temperatura e mëngjesit do të sillet prej 1 deri në 14 kurse më e larta e ditës prej 6 deri në 22 gc.

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се