Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема
MNE Play
MNE Play

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

10. 10. 2025. 00:00 >> 20:25

Ditari 10.10.2025

Ditarin e përgatiti, Violeta Gjokaj

PRONARI I KOMPANISË"MASTER INZHENJERING" VLLADAN IVANOVIQ U ARRESTUA ME URDHËR TË PROKURORISË SPECIALE TË SHTETIT

Pronari i kompanisë së ndërtimit "Master inzhenjering" Vlladan Ivanoviq u arrestua me urdhër të Prokurorisë Speciale të Shtetit. Ivanoviq u mor në pyetje në Departamentin Special të Policisë, dhe siç raportohet nga Zyra e Prokurorit Special, ai dyshohet për pastrim parash. Kujtojmë se me urdhër për bastisje të lëshuar nga gjyqtari hetues në Gjykatën e Lartë në Podgoricë, Goran Shqepanoviq, më 12 qershor të vitit të kaluar, gjatë operacioneve të zbulimit, pjesëtarët e Departamentin Special të Policisë kontrolluan të ashtuquajturën "shtëpi e askujt" në lagjen elitare të Podgoricës, Goricë, në pronësi të Vlladan Ivanoviqit.

PSSH: JAKIQ DHE MIJAJLLOVIQ KANË NUMËRUAR VOTUESIT  

Prokuroria Speciale e Shtetit në Urdhrin për kryerjen e hetimit kundër grupit të dyshuar kriminal të biznesmenit Aleksandar Mijajlloviq thekson se ai dhe Kryetari i Komunës së Shavnikut Jugosllav Jakiq nga radhët e PDS-së hartuan një plan që punonjësit e kompanive Bemaks dhe Geneks të shkonin në zgjedhje dhe të mbështesnin Partinë Demokratike të Socialistëve, përndryshe do të humbnin vendet e tyre të punës. Siç theksohet në Urdhrin e prokurorisë speciale në shihet qartë se organizata kriminale përdori strukturat ekonomike dhe bizneset për të ndikuar në ushtrimin e të drejtës së votës në zgjedhjet parlamentare të gushtit 2020 dhe zgjedhjet lokale që u mbajtën në Mal të Zi gjatë aktiviteteve të organizatës kriminale. Në urdhër thuhet gjithashtu se dyshimi i bazuar është se organizata kriminale ka ndikuar në pushtetin politik, median, pushtetin ekzekutiv dhe faktorë të tjerë të rëndësishëm ekonomikë dhe shoqërorë. Këtë e tregojnë komunikimet që Mijajlloviq kishte me përfaqësuesit e partive politike në Mal të Zi: Danijell Zhivkoviq, Ivan Vukoviq, Millosh Nikoliq, Jugosllav Jakiq dhe Predrag Boshkoviq, si dhe komunikimi midis organizatorëve dhe përfaqësuesve të medias", vlerëson Prokuroria speciale.

 VUJOVIQ: LIRIA E MEDIAS NË MAL TË ZI NUK ËSHTË E KËRCËNUAR

Liria e medias në Mal të Zi nuk është nën kërcënim, vlerësoi Ministrja përkatëse Tamara Vujoviq, duke komentuar hetimin e nisur nga Prokuroria Speciale e Shtetit dhe në kuadër të të cilit, siç është njoftuar, do të merren në pyetje edhe redaktorët e disa mediave. Vujoviq u tha gazetarëve pas konferencës "Si të përmirësohet siguria e punonjësve të medias", të organizuar nga Unioni i Medias, kur u pyet se si do t'i komentonte akuzat nga disa media se PSSH po sulmon median. Ajo tha se është shumë herët për të komentuar dhe për të bërë ndonjë vlerësim, veçanërisht "etiketimin e kësaj si një gjueti". Ajo tha se institucionet duhet të lihen të përpunojnë çështjen dhe të arrijnë një epilog për çështjet e përmendura në urdhrin për të kryer hetimin. "Dëgjova që zëdhënësi tha se disa redaktorë ose pronarë mediash do të merren në pyetje dhe mendoj se të gjithë janë të detyruar të dëshmojnë", shtoi Vujoviq. Kur u pyet nëse liria e medias është kërcënuar, Vujoviq u përgjigj negativisht.

MILLOVIQ: ASKUSH NUK DUHET TË FALET PËR AKTIVITETE KRIMINALE, SELEKTIVITETI I PSSH-SË ËSHTË SHQETËSUES

Deputeti i PDS-së, Nikolla Milloviq, në emisionin Link në RMZ, deklaroi se kushdo që shkeli ligjin duhet të mbahet përgjegjës, por se pas ndërrimit të qeverisë, PSSH-ja i drejtoi të gjitha veprimet ndaj zyrtarëve ose simpatizantëve të PDS-së. "Veprimet e mëparshme dhe ajo që po dëshmojmë është një përpjekje e dështuar për të ulur vlerësimin e PDS-së, por ajo që është shumë më e rrezikshme është kur etiketon dikë në shoqërinë malazeze dhe përpiqesh ta diskreditosh atë", theksoi Milloviq, duke pretenduar se një nga qëllimet e veprimeve të PSSH-së është të diskreditojë politikanët e rinj të atij subjekti politik. Ai vlerësoi se veprimi i PSSH-së, i cili përfshinte arrestimin e Aleksandar Mijajlloviq, i cili akuzohet se është kreu i një grupi kriminal të përbërë nga prokurorë, oficerë policie dhe politikanë, të cilët vepruan me qëllim të ushtrimit të ndikimit mbi autoritetet politike dhe ekzekutive, median dhe faktorë të tjerë të rëndësishëm ekonomikë dhe socialë, kishte për qëllim median dhe heshtjen e tyre. Ai thotë se PDS është për drejtësi dhe se kushdo që ka shkelur ligjin duhet të mbahet përgjegjës. "Prandaj, ne si PDS jemi në favor të policisë, prokurorëve dhe gjykatave që bëjnë punën e tyre, por nuk duhet ta bëjnë atë në mënyrë selektive", theksoi Milloviq. Ai shprehu gjithashtu shqetësim për situatën e sigurisë dhe përplasjet mafioze në rrugë.

NËNSHKRUHET MARRËVESHJA E GRANTIT PËR NDËRTIMIN E NJË IMPIANTI PËR TRAJTIMIN E UJËRAVE TË ZEZA NË ULQIN

Marrëveshja e grantit nga Fondi i Përbashkët Evropian për Ballkanin Perëndimor u nënshkrua midis Ministrisë së Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Zhvillimit Verior, Bankës Gjermane për Zhvillim KFW, Komunës së Ulqinit dhe Vodacom. Kontrata u nënshkrua nga Ministri përkatës Damjan Qullafiq, Drejtori i Bankës KfW Klaus Müller, Kryetari i Komunës së Ulqinit Genci Nimanbegu dhe Drejtori i Vodacom Dragan Roganoviq. Në nënshkrim morën pjesë Ambasadori i Bashkimit Evropian në Mal të Zi Johan Sattler dhe Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë Peter Felten."Projekti për ndërtimin e një impianti për trajtimin e ujërave të ndotura në komunën e Ulqinit përfaqëson një hap të rëndësishëm në përmirësimin e infrastrukturës ekologjike në bregdetin Adriatik të Malit të Zi. Ky investim vlen 30.7 milionë euro dhe është pjesë e bashkëpunimit afatgjatë midis Qeverisë së Malit të Zi, Bankës KfW dhe komunave bregdetare në projektin 'Furnizimi me ujë dhe largimi i ujërave të ndotura në bregdetin e Adriatikut', i cili ka filluar që nga viti 2003", njoftoi Ministria e Ekologjisë. Drejtori i Bankës KFW Miller theksoi se ky projekt është me rëndësi të madhe për përmirësimin e mjedisit dhe përmbushjen e detyrimeve sipas Kapitullit 27. Drejtori i Vodacom, Dragan Roganoviq, falënderoi ministrin Qulafiq, duke theksuar se projekti do të përmirësojë ndjeshëm sistemin e trajtimit të ujërave të zeza në Ulqin. Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genc Nimanbegu, shprehu mirënjohjen e tij për Qeverinë e Malit të Zi dhe Ministrinë e Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Zhvillimit Verior për grantet e dhëna, duke theksuar se investimi prej mbi 30 milionë eurosh do të jetë me rëndësi të madhe për zhvillimin e komunës.

RAONIQ: TË GJITHË AKTORËT JANË TË PËRFSHIRË NË NJË FUSHATË TË GJATË KUNDËR TRANSMETUESIT PUBLIK 

Drejtori i Përgjithshëm i Transmetuesit Publik, Boris Raoniq, ka komentuar, siç thekson ai, fushatën shumëvjeçare që po zhvillohet kundër Radiotelevizionit të Malit të Zi. Në ditët kur Malin e Zi po e trondit një skandal lidhur me komunikimet e publikuara, Raoniq pohon se është e qartë që të gjithë aktorët janë të përfshirë në një fushatë të gjatë kundër Transmetuesit Publik. Nga OJQ-të të cilat, sipas tij, bëjnë moralizëm profesional nga një hapësirë ultraluksoze në “kullën” e një kompanie të njohur ndërtuese, e deri te drejtori i objektit sportiv të së njëjtës kompani, i cili është dënuar për sulm fizik, si dhe një sërë mediash me mijëra artikuj negativë – shpesh banalë dhe plot urrejtje – që nuk janë të vërtetë. Raoniq thekson se nuk dëshiron të besojë që edhe gjyqësori është pjesë e kësaj loje, sepse, nëse kjo degë e pushtetit bëhet mjet i fushatave dhe përballjeve politike, kjo do të përbënte një dështim të shoqërisë në tërësi.

DITA BOTËRORE E SHËNDETIT MENDOR

Sot është Dita Botërore e Shëndetit Mendor. Këtë vit theksi është te shëndeti mendor në situata emergjente humanitare. Në gjashtë komuna të Malit të Zi nga sot deri më 20 tetor, organizohet festivali i tretë i shëndetit mendor, i cili bashkon ekspertë, artistë, të rinj dhe qytetarë në një reflektim të përbashkët mbi shëndetin mendor, besimin dhe përgjegjësinë sociale.

KONSTITUOHET KUVENDI I REPUBLIKËS SË KOSOVËS, RASHIQI ZGJIDHET NËNKRYETAR

Konstituohet Kuvendi i Kosovës, ku këtë të premte ka zgjedhur Nenad Rashiqin si nënkryetar nga radhët e komunitetit serb, duke përmbyllur kështu një ngërç institucional që kishte zgjatur për 8 muaj. Rashiq ishte kandidati i vetëm i mbetur në garë, pasi në votimet e mëparshme asnjëri nga nëntë kandidatët e Listës Serbe nuk arriti të marrë mbështetjen e nevojshme nga deputetët. Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, sqaroi se nuk kishte nevojë të hidhej shorti për zgjedhje, pasi Rashiq mbeti kandidati i vetëm nga komuniteti serb dhe, sipas rregullores, ai do të votohej nga Kuvendi. Rashiq nuk u propozua nga Lista Serbe, e cila vazhdimisht ka kundërshtuar përfaqësimin e tij si pjesë e komunitetit serb në institucione. Megjithatë, në mungesë të një kandidature tjetër të pranuar nga Kuvendi, ai u përfshi në votim dhe u zgjodh. Deputeti serb, Nenad Rashiq, është futur si kandidat për nënkryetar të Kuvendit pa propozim direkt nga përfaqësuesi i komitetit serb. Rashiqi mori 71 vota pro, 9 kundër, dhe 24 abstenime. Pro tij votuan deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ndërkohë, deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës abstenuan, ndërsa Lista Serbe votoi kundër zgjedhjes së tij. Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, tha se votimi për Nenad Rashiqin lidhet me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese.Me zgjedhjen e Rashiqit, përmbyllet procesi i konstituimit të Kuvendit, pasi më herët ishin zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët e tjerë.

PROKURORIA KËRKON PARABURGIM PËR TË DYSHUARIN PËR SPIUNAZH, FATMIR SHEHOLLIN

Prokuroria Speciale e Kosovës i ka kërkuar Gjykatës Themelore në Prishtinë të urdhërojë mbajtjen e Fatmir Shehollit në paraburgim, derisa autoritetet po kryejnë hetime ndaj tij nën dyshimin se ka qenë i përfshirë në spiunazh kundër shtetit. Sheholli u arrestua dje në rrethin e Prishtinës pas hetimeve disamujore kundër tij. Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, tha dje , pas arrestimit, se Sheholli ka pasur “hapësira të pakufizuara” në mediat e Kosovës, dhe se ai ka “bashkëpunuar me aktorë që çdo ditë punojnë e veprojnë për të minuar Republikën tonë dhe progresin e saj”. Prokuroria deri tani nuk ka dhënë hollësi për atë se për kë dyshohet të ketë spiunuar Sheholli, por Sveçla la të kuptohej se ai mund të ketë spiunuar për Serbinë. “Mbesim të përkushtuar të mbrojmë vendin tonë nga të gjitha qarqet që nuk hezitojnë ta rrezikojnë atë për çfarëdo përfitimi të tyre. Koha e spiunëve të Serbisë në Kosovë ka përfunduar. Kushdo që punon për Serbinë e kundër Kosovës do të ndiqet pa kompromis e pandalshëm”, shkroi Sveçla në Facebook.

URSULA VON DER LEYEN VIZITON KOSOVËN, DO TË TAKOHET ME OSMANI E KURTIN

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të nisë turneun e saj ballkanik në fillim të javës së ardhshme, është konfirmuar nga ky institucion. Vizitën treditore në rajon ajo do ta fillojë të hënën, më 13 tetor, në Tiranë, ndërsa do ta përfundojë të mërkurën, më 15 tetor, në Shkup.Po të mërkurën, sipas agjendës, Von der Leyen do të qëndrojë në Prishtinë, ku do të zhvillojë takime bilaterale me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Kjo është vizita e parë e Von der Leyen në rajon gjatë mandatit të saj të dytë, ndonëse ajo kishte vizituar gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor saktësisht një vit më parë, në përfundim të mandatit të saj të parë.

PALESTINEZËT NISIN TË RIKTHEHEN NË SHTËPITË E TYRE PASI HYN NË FUQI ARMËPUSHIMI NË GAZË

Mijëra palestinezë të zhvendosur nisën të ktheheshin në shtëpitë e tyre më 10 tetor, pasi hyri në fuqi armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – dhe trupat izraelite nisën të tërhiqen nga pjesë të Gazës. Një numër i madh i palestinezëve u nisën drejt veriut për në Qytetin e Gazës – zonën më të madhe urbane të enklavës – e cila ka qenë nën sulme të vazhdueshme në një nga ofensivat më të mëdha që Izraeli ka kryer në Rripin e Gazës gjatë luftës që nisi në tetor të vitit 2023.Forcat izraelite thanë se marrëveshja e armëpushimit ka hyrë në fuqi në orën 11:00, sipas kohës lokale në Kosovë. Qeveria izraelite miratoi armëpushimin me Hamasin të premten, duke i hapur rrugë tërheqjes së pjesshme të trupave dhe ndërprerjen e armiqësive në Gazë brenda 24 orëve. Hamasi pritet t'i lirojë 20 pengje të gjalla brenda 72 orësh dhe pas kësaj, Izraeli do t'i lirojë 250 palestinezë që kanë qenë duke vuajtur dënime të gjata në burgjet izraelite dhe 1.700 të arrestuar të tjerë gjatë luftës në Gazë. I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, tha se ushtria izraelite e ka përmbyllur fazën e parë të tërheqjes nga Gaza dhe afati për lirimin e pengjeve ka nisur.Sapo marrëveshja të nisë së zbatuari, kamionë me ushqime dhe ndihma mjekësore do të hyjnë në Gazë për t'i ndihmuar civilët.

VRITET NJË FËMIJË, PLAGOSEN 20 TË TJERË NGA SULMET RUSE NË UKRAINË

Sulmet me dronë dhe raketa nga Rusia plagosën të paktën 20 persona në Kiev, dëmtuan ndërtesa banimi dhe shkaktuan ndërprerje të energjisë elektrike në pjesë të mëdha të Ukrainës herët të premten, thanë autoritetet. Një fëmijë gjithashtu u vra në sulmet tjera  në juglindje të vendit. Në zemër të kryeqytetit ukrainas, ekipet e shpëtimit nxorën më shumë se 20 persona nga një ndërtesë banimi 17-katëshe, ndërsa flakët përfshinë katin e gjashtë dhe të shtatë. Pesë persona u shtruan në spital, ndërsa të tjerët morën ndihmë të parë në vendngjarje, thanë autoritetet. Presidenti Volodymyr Zelensky tha në rrjetet sociale se sulmet ruse kishin në shënjestër infrastrukturën civile dhe atë energjetike, ndërsa Ukraina po përgatitet për rënien e temperaturave gjatë dimrit, raporton AP. Kryeministrja Yuliia Svyrydenko e përshkroi gjithashtu sulmin si “një nga goditjet më të mëdha të përqendruara” ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës. Forcat ajrore të Ukrainës thanë të premten se vala më e fundit e sulmeve ruse përfshinte 465 dronë sulmues dhe mashtrues, si dhe 32 raketa të llojeve të ndryshme. Sistemet e mbrojtjes ajrore rrëzuan ose penguan 405 dronë dhe 15 raketa, u bë e ditur nga forcat ukrainase. Në rajonin juglindor të Zaporizhjës, zonat e banuara dhe objektet energjetike u goditën me dronë sulmues, raketa dhe bomba të drejtuara, duke vrarë një djalë 7-vjeçar dhe plagosur prindërit e tij dhe persona të tjerë, thanë zyrtarët e administratës ushtarake. Një hidrocentral në zonë u nxor jashtë funksionit si masë paraprake, shtuan ata.

POLITIKANIA NGA VENEZUELA, MARIA CORINA MACHADO, FITON NOBELIN PËR PAQE

Politikania Maria Corina Machado është shpërblyer me Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2025, ka bërë të ditur Komiteti Norvegjez i Nobelit. Komiteti ka thënë se ajo është përzgjedhur për punën e saj të palodhshme në promovimin e të drejtave demokratike për popullin e Venezuelës dhe për përpjekjet e saj për tranzicion paqësor nga diktatura në demokraci. “Kur autoritarët e marrin pushtetin, është jetike që të njihen mbrojtësit guximtarë të lirisë, të cilët ngrihen dhe rezistojnë”, është thënë në deklaratën e Komitetit. Çmimi Nobel për Paqe, në vlerë të rreth 1.2 milion dollarëve, do të ndahet edhe zyrtarisht në një ceremoni të organizuar në Oslo sot.

Ceremonia mbahet gjithmonë në datën e njëjtë, për të shënuar edhe përvjetorin e vdekjes së industrialistit suedez, Alfred Nobel, me dëshirën e tij të cilit janë krijuar çmimet më 1895.

NESËR  MOT I NDRYSHUESHËM

Në Mal të Zi mban mot kryesisht me diell, kurse në veri me vranësira të pakta deri  kryesisht i vranët. Frynë erë e dobët deri mesatare, kryesisht nga drejtimet  perëndimore. Temperaturat e shënuara në orën 14: Herceg Novi 25, Podgoricë, Ulqin e Budvë 24, Tivar 23, Nikshiq 20, Cetinë 19, Shavnik 18, Beran 17, Plluzhinë ,Bijello Pole e Andrievicë 16, Kollashin e Guci 15, Plevle 14, Rozhajë e Petnjicë 13 dhe në Zhablak 10 gradë.

Për nesër parashihet të mbaj mot, në pjesët jugore me diell, vende- vende me vranësira mesatare, kurse në veri me vranësira mesatare deri plotësisht vranët, por kryesisht i thatë . Do të  frynë erë mesatare deri e forte e drejtimeve veriore . Temperatura e mëngjesit prej 3 deri në 16, kurse më e larta e ditës prej 8 deri në 24 gradë.

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се