- Hronika
- Kolumne
-
Radio
- Izdvajamo
-
Emisije
- Dokumentarni program
- Pop top
- Europuls
- Zrno po zrno
- Radio ordinacija
- Kulturna panorama
- Zelena priča
- Epoleta
- +382
- Spona
- Svijet jednakih šansi
- Matica
- Život po mjeri čovjeka
- Link
- Izokrenuti svijet
- Koracima mladih
- Moja profesija je...
- Sportski program
- Kulturno-umjetnički program
- Muzički program
- Koracima prošlosti
- Naučno-obrazovni program
- RCG
- R98
- Programska šema
- Trofej Radija Crne Gore
- Frekvencije
- Radio drama
Ditari
09. 10. 2025.
00:00 >> 17:52
Ditari 09.10.2025
Ditarin e përgatiti, Violeta Gjokaj
PSSH -JA : AKUZA KUNDËR GRUPIT TË DYSHUAR KRIMINAL
Pokuroria Speciale Shtetërore pohon në Urdhrin për fillimin e hetimeve kundër grupit të dyshuar kriminal të Aleksandar-Aco Miajlloviqit se disa gazetarë dhe aktivistë të sektorit joqeveritar kanë kërkuar donacione dhe sponsorime për projekte të ndryshme nga Miajlloviqi, ish-ministri Predrag Boshkoviq dhe biznesmeni Ranko Uboviq, respektivisht nga kompania Bemaks. Prokuroria Speciale thekson se Miajlloviqi, në periudhën nga viti 2018 deri në vitin 2024, ka ndikuar drejtpërdrejt në politikat redaktuese të medieve: “Standard”, “Pobjeda”, “CDM”, “Portali Analitika”, “Antena M”, “Mportal” dhe “Portali ETV”. Nga komunikimet që citohen në aktakuzën e Prokurorisë Speciale, thuhet gjithashtu se deputeti i Partisë Demokratike të Socialistëve Daniell Zhivkoviq, në vitin 2022, ka marrë një telefon Samsung S22 nga i dyshuari Aleksandar Miajlloviq. Zhivkoviqi i ka mohuar këto pretendime, duke deklaruar se bëhet fjalë për një proces të sajuar nga Prokuroria Speciale.
PDS: AKSIONI QË FILLOI TË PREMTEN KA FORMALIZUAR NJË BASHKËPUNIM KRIMINAL MIDIS PROKURORISË DHE POLITIKËS
Në reagimin e Partisë Demokratike e Socialistëve thuhet se aksioni që filloi të premten ka formalizuar një bashkëpunim kriminal midis prokurorisë dhe politikës, me qëllim që të ndikojë mbi vullnetin zgjedhor dhe situatën politike në vend, me pasoja që synojnë formimin e një pushteti që do të punojë për interesat e këtij grupi të organizuar kriminal. Në njoftimin e kryesisë së partisë, thuhet se aksioni i arrestimeve, i cili po realizohet në emër të shumicës parlamentare nga “prokurori i Skj-it” Vlladimir Novoviq, vetëm sa e konfirmon atë që PDS-ja ka paralajmëruar prej kohësh – se Prokuroria Speciale nuk vepron sipas detyrës zyrtare, por sipas direktivave partiake. Ata shtojnë se përmes mesazheve të montuara dhe në bashkëpunim me mediet e kontrolluara, tentohet diskreditimi publik i kundërshtarëve politikë, çka përbën një shembull klasik të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
SATLER: PËRPARIMI I MËTEJSHËM I MALIT TË ZI NË RRUGËN DREJT BASHKIMIT EVROPIAN VARET NGA REZULTATET NË FUSHËN E REFORMËS SË SUNDIMIT TË LIGJIT
Përparimi i Malit të Zi drejt Bashkimit Evropian do të varet ekskluzivisht nga reformat konkrete në sistemin e drejtësisë dhe rezultatet e prekshme në luftën kundër korrupsionit të lartë dhe krimit të organizuar – u theksua në konferencën vjetore me temën: “Drejtësi e pavarur dhe profesionale – parakusht kyç për integrimin në BE”. Shefi i delegacionit të BE-së në Mal të Zi, Johan Satler, deklaroi se përparimi i mëtejshëm i Malit të Zi në rrugën drejt Bashkimit Evropian varet nga rezultatet në fushën e reformës së sundimit të ligjit. Ai theksoi se kjo mbetet mesazhi kryesor i BE-së derisa puna të përfundojë plotësisht, duke shtuar se nuk ka më hapësirë për hezitim, vonesa apo shtyrje.
PAVLLIÇIQ: TRANSPARENCA ËSHTË MBROJTJA MË E MIRË E PAVARËSISË GJYQËSORE DHE BESIMIT TË QYTETARËVE
Pa gjykata të pavarura, nuk ka as drejtësi të vërtetë dhe as shtet të bazuar në sundimin e ligjit, tha kryetarja e Gjykatës Supreme Valentina Pavlliçiq, duke shtuar se përfundimet e raportit CEMI përfaqësojnë një tregues të rëndësishëm të progresit dhe drejtimit të reformave të mëtejshme.
Duke folur për Raportin Vjetor mbi Monitorimin e Procedurave Gjyqësore në Mal të Zi për periudhën Prill 2024 - Prill 2025, ajo theksoi se ky dokument kontribuon në një kuptim më të mirë dhe një hapje më të madhe të gjyqësorit ndaj publikut, duke shtuar se raporte të tilla nuk janë kritika, por "një partneritet në përmirësimin e të gjithë sistemit".
Ajo theksoi se raporti njeh progresin e bërë në gjyqësor gjatë vitit të kaluar, por gjithashtu vuri në dukje se ende ekzistojnë sfida sistemike, veçanërisht në aspektin e afateve kohore të punës së gjykatave. Ajo gjithashtu kujtoi rekomandimin që gjyqtarët të kontrollojnë me kohë përmbushjen e parakushteve procedurale, në mënyrë që të zvogëlojnë numrin e seancave të shtyra.
Ajo trajtoi në mënyrë specifike temën e paraburgimit, duke vënë në dukje se raporti tregon nevojën për individualizim dhe justifikim më të madh të vendimeve të paraburgimit.
VUKOVIQ: INVESTIMI NË OBLIGACIONE QEVERITARE ËSHTË NJË MUNDËSI PËR QYTETARËT QË TË MARRIN PJESË NË ZHVILLIMIN E VENDIT
Mali i Zi do të marrë hua deri në 50 milionë euro përmes emetimit të obligacioneve shtetërore të destinuara për qytetarët. Obligacionet do të emetohen prej më 3 deri më 18 nëntor, me afat fillim shlyerjeje prej dy vitesh dhe me normë interesi fikse vjetore prej 3.75 për qind. Ministri i Financave, Novica Vukoviq, theksoi se emetimi i parë i obligacioneve shtetërore përbën një moment shumë të rëndësishëm, sepse është hera e parë që qytetarët e Malit të Zi kanë mundësinë të investojnë në shtetin e tyre, në stabilitetin dhe të ardhmen financiare të tij. Me futjen e instrumenteve të tilla, po adoptojmë një praktikë të rrënjosur thellë në ekonomitë evropiane, tha Vukoviq.
MILLATOVIQ, U KA BËRË THIRRJE DEPUTETËVE QË TË MOS VOTOJNË PËR NDRYSHIMET DHE PLOTËSIMET E LIGJIT PËR TATIMIN E PASURIVE TË PALUAJTSHME
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, u ka bërë thirrje deputetëve që të mos votojnë për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për tatimin e pasurive të paluajtshme, sepse, sipas tij, një votë pro këtij ligji do të ishte votë kundër Kushtetutës dhe në favor të diskriminimit të prodhuesve bujqësorë. Ai vlerësoi se një zgjidhje e tillë ligjore çon në një pozitë të pabarabartë dhe të padrejtë për tatimpaguesit në territorin e shtetit, gjë që bie në kundërshtim me parimet e barazisë dhe ndalimit të diskriminimit të parashikuara me Kushtetutën e Malit të Zi
ZGJEDHJA E ZËVENDËSGUVERNATORIT DHE KËSHILLIT TË BANKËS QENDRORE TË MALIT TË ZI NËN MBIKËQYRJEN E BRUKSELIT
Zëvendësguvernatorët e Bankës Qendrore të Malit të Zi, si dhe anëtarët e Këshillit të atij institucioni, duhet të emërohen sa më shpejt të jetë e mundur, dhe përzgjedhja e tyre duhet të jetë e paanshme dhe e bazuar në meritë, thotë Brukseli. Zëdhënësi i Komisionit Evropian (KE), Guillaume Mercier, theksoi se Bashkimi Evropian (BE) po ndjek nga afër zhvillimet në lidhje me procesin e emërimit të Zëvendësguvernatorit dhe anëtarëve të Këshillit të Bankës Qendrore.
“Autoritetet duhet t’i emërojnë ata si çështje prioritare dhe duhet të sigurojnë një përzgjedhje të bazuar në meritë dhe kompetencë teknike në një mënyrë transparente dhe të paanshme”, theksoi zëdhënësi i KE-së. Ai njoftoi gjithashtu se kjo çështje do të përfshihet në raportin e ardhshëm të KE-së për Malin e Zi.
Komisioni shtoi se sigurimi i pavarësisë së Bankës Qendrore të Malit të Zi është “një shtyllë themelore e një sistemi financiar të qëndrueshëm dhe të besueshëm dhe është i nevojshëm për përparimin e vendit në negociatat e pranimit në BE”.
NIKSHIQ: NJË PERSON E KA HUMBUR JETËN, NDËRSA GJASHTË TË TJERË JANË LËNDUAR
Një person e ka humbur jetën, ndërsa gjashtë të tjerë janë lënduar, katër prej të cilëve kanë pësuar lëndime të rënda trupore, në një aksident trafiku që ka ndodhur mëngjesin e sotëm në rrugën e vjetër Bogetiqi–Gllava Zete, në komunën e Nikshiqit. Në aksident është përmbysur një furgon me punëtorë, shtetas të Turqisë. Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm në Nikshiq, Zoran Mërkiq, deklaroi se katër persona kanë lëndime të rënda trupore.
MILIÇIQ: SEKTORI QË USHQEN KOMBIN NUK PO MERR MBËSHTETJEN E DUHUR NGA SHTETI
Klasteri Bujqësor i Malit të Zi, i pakënaqur me Agrobuxhetin aktual, organizoi sot një tubim me traktorë në rrethrrotullimin drejt Kliçevës, në Nikshiq. Kryetari i Klasterit Bujqësor të Malit të Zi, Boshko Miliçiq theksoi se sektori që ushqen kombin nuk po merr mbështetjen e duhur nga shteti dhe se me këtë ritëm, bujqësia nuk ka një të ardhme afatgjatë. Ai rikujtoi se buxheti i përgjithshëm shtetëror i Malit të Zi për vitin 2025 është rreth katër miliardë euro, ndërsa agrobuxheti, së bashku me donacionet e Bashkimit Evropian, arrin në 77 milionë euro. Sipas tij, 11 milionë janë donacione, ndërsa 66 milionë vijnë nga burimet nacionale. Kjo është një shifër që tregon se sa pak investon shteti në ata që e ushqejnë kombin.
PROTESTË:KËSHILLI I INFERMIERËVE DHE TEKNIKËVE MJEKËSORË TË QENDRËS KLINIKE TË MALIT TË ZI
Këshilli i infermierëve dhe teknikëve mjekësorë të Qendrës Klinike të Malit të Zi protestoi sot para ndërtesës së Qeverisë së Malit të Zi, për shkak të mosrespektimit të kërkesës së tyre për rritje pagash prej 15 për qind, në krahasim me të punësuarit në institucionet e tjera publike shëndetësore. Sindikata e Punëtorëve të Lirë të Qendrës Klinike të Malit të Zi ka ftuar anëtarët e saj që të mbështesin protestën, pasi, siç theksojnë ata, bëhet fjalë për një betejë për Qendrën Klinike, që të njihet me ligj si institucion me rëndësi të lartë publike.
POLICIA E KOSOVËS ARRESTON FATMIR SHEHOLLIN NËN DYSHIMIN PËR SPIUNAZH
Autoritetet kosovare e kanë arrestuar sot një burrë kosovar të dyshuar për përfshirje në spiunazh.
Prokuroria Speciale e Kosovës tha se i dyshuari u arrestua në rrethin e Prishtinës pas hetimeve disamujore dhe se ai është dërguar në mbajtje për 48 orë. Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, tha se i arrestuari është Fatmir Sheholli, një burrë që ka pasur “hapësira të pakufizuara” në mediat e Kosovës, dhe se ai ka “bashkëpunuar me aktorë që çdo ditë punojnë e veprojnë për të minuar Republikën tonë dhe progresin e saj”. Derisa Prokuroria nuk tregoi se për kë dyshohet të ketë spiunuar ai, Sveçla la të kuptohej se ai mund të ketë spiunuar për Serbinë.
“Mbesim të përkushtuar të mbrojmë vendin tonë nga të gjitha qarqet që nuk hezitojnë ta rrezikojnë atë për çfarëdo përfitimi të tyre. Koha e spiunëve të Serbisë në Kosovë ka përfunduar. Kushdo që punon për Serbinë e kundër Kosovës do të ndiqet pa kompromis e pandalshëm”, shkroi Sveçla në Facebook.
Njësitet e Policisë së Kosovës janë duke kryer bastisje në vendbanimin e të dyshuarit, me qëllim të sigurimit edhe të provave të tjera materiale, theksoi Prokuroria në një komunikatë.
KUVENDI VAZHDON NESËR SEANCËN KONSTITUIVE
Kuvendi i Kosovës ka bërë të ditur në faqen e tij se do të mbajë vazhdimin e seancës konstituive më 10 tetor. Ai e ka të përcaktuar vetëm një pikë në rendin e ditës: zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb. Njoftimi i Kuvendit vjen një ditë pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë proces. Gjykata erdhi në përfundim se zgjedhja e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb është e domosdoshme për përmbylljen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Sipas saj, votimi në pako për nënkryetarët e Kuvendit nuk është i imponueshëm, por mund të realizohet me dakordim ndërmjet grupeve parlamentare. Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit - ishte ankuar pikërisht për këtë pikë të procedurës, duke pretenduar se mosvotimi në pako i dy nënkryetarëve nga pakicat, përbënte shkelje.
Kuvendi i ka zgjedhur kryetarin, tre nënkryetarët shqiptarë dhe nënkryetarin nga pakica joserbe tashmë, por ka dështuar ta zgjedhë atë nga pakica serbe - me gjithë vazhdimet e pafundme të seancës së nisur më 15 prill.
Deputetët do të kenë tani 12 ditë kohë, sipas urdhrit të gjykatës më të larët të vendit, për ta zgjedhur nënkryetarin serb dhe për ta bërë Kuvendin e ri përfundimisht.
RAMA: KEMI MURIN MBROJTËS MË TË MIRË KIBERNETIK MES VENDEVE TË NATO-S. JEMI PËRBALLUR ME 48 SULME GJATË VITIT TË FUNDIT, POR PA PASOJA
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka theksuar rolin udhëheqës të Shqipërisë në fushën e sigurisë kibernetike, gjatë Konferencës për Mbrojtjen Kibernetike që po zhvillohet në Tiranë. Në fjalën e tij, ai nënvizoi se vendi ynë është ndër të parët që ka integruar inteligjencën artificiale në sistemet mbrojtëse dhe se përballon mesatarisht një sulm kibernetik çdo tre minuta.
Sipas kryeministrit, Shqipëria është përballur me 48 sulme kibernetike me ndikim gjatë vitit të fundit, por asnjë prej tyre nuk ka shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Rama apeloi për më shumë bashkëpunim mes vendeve të NATO-s, duke theksuar se fragmentarizimi është një dobësi në përballjen me kërcënimet kibernetike. Ai vlerësoi nismën e NATO-s për krijimin e një qendre të përbashkët për menaxhimin e incidenteve kibernetike, ku Shqipëria është ndër vendet e para pjesëmarrëse.
Drejtues politikë, ekspertë të lartë, përfaqësues të industrisë dhe institucioneve të sigurisë nga vendet anëtare të NATO-s dhe partnerët e saj janë mbledhur në Tiranë, pasi kryeqyteti shqiptar mirëpret sot dhe nesër (9-10 tetor) një prej aktiviteteve më të rëndësishme të nivelit të lartë që trajton sfidat dhe strategjitë në fushën e mbrojtjes kibernetike në nivel global, Konferencën e tretë të Mbrojtjes Kibernetike të NATO-s.
LIDERËT BOTËRORË MIRËPRESIN MARRËVESHJEN PËR FAZËN E PARË TË PLANIT TË TRUMPIT PËR GAZËN
Vetëm një ditë pas përvjetorit të dytë të sulmit vdekjeprurës të Hamasit – grupit palestinez të shpallur terrorist nga SHBA dhe vende të tjera – i cili e nxiti luftën shkatërruese në Gazë, bisedimet e tërthorta në Egjipt sollën një marrëveshje për fazën fillestare të planit 20-pikësh të Trumpit për të sjellë paqe në enklavën palestineze. Presidenti amerikan ka bërë me dije se Izrali dhe grupi palestinez Hamas kanë nënshkruar fazën e parë të një marrveshjeje të propozuar nga SHBA-ja. Kjo do të thotë që të gjithë pengjet do të lirohen shumë shpejt dhe Izraeli do të tërheq trupat e tij në një vijë të rënë dakord si hapat e parë drejtë një paqeje të fortë, të qëndrueshme dhe të përjetshme , tha Tramp. Ai falënderoi të gjithë ndërmjetësit , përfshirë Turqinë, “të cilët punuan me ne për të bërë të mundur këtë ngjarje historike dhe të pashembullte”. Pas lajmit mbi marrëveshjen për fazën e parë të planit të presidentit Tramp për Gazën , palestinezët festuan në rrugë. Arritjet e marrëveshjes së shumëpritur për ti dhënë fund luftës dyvjevare mes Izraelit dhe Hamasit , ku humbën jetën 67 mijë persona e përshëndetën udhëheqësit nga e gjithë bota.
VON DER LEYEN I MBIJETON VOTËBESIMIT NË PARLAMENTIN EVROPIAN
Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i ka mbijetuar me lehtësi dy mocioneve të votëbesimit në Parlamentin Evropian të enjten, pasi deputetët kundërshtuan përpjekjet e grupeve të ekstremit të djathtë dhe të majtë për ta shkarkuar atë. Ajo e fitoi votëbesimin e ligjvënësve të BE-së në Parlamentin me 720 ulëse. Von der Leyen e mori mbështetjen e 378 ligjvënësve në votimin e parë, si dhe të 383 të tjerëve në të dytin.
Von der Leyen tha në një postim në X se e vlerëson thellësisht mbështetjen dhe se ekipi i saj i komisionarëve do të punojë ngushtë me Parlamentin për t’u përballur me sfidat e Evropës.
Këto rezultatet ishin pak më të mira për shefen e ekzekutivit të BE-së sesa ato në korrik, kur 360 ligjvënës votuan kundër një mocioni të ngritur kryesisht nga deputetë të ekstremit të djathtë, pak më pak se 401 votat që mori ajo i mori për t’u rizgjedhur për një mandat të dytë në korrik 2024.
SHKRIMTARI HUNGAREZ LASZLO KRASZNAHORKAI FITON NOBELIN PËR LETËRSI
Shkrimtari hungarez, Laszlo Krasznahorkai, ka fituar Çmimin Nobel për Letërsi për “veprën e tij bindëse dhe vizionare që, në mes të një tmerri apokaliptik, riafirmon fuqinë e artit”.
“Laszlo Krasznahorkai është një shkrimtar epik në traditën e Evropës Qendrore, që shtrihet nga Kafka deri te Thomas Bernhard, dhe që karakterizohet nga absurdi dhe teprimi grotesk”, tha Akademia Suedeze përmes një deklarate.
“Por, ka më shumë në anën e tij krijuese dhe ai po ashtu shikon drejt Lindjes duke përvetësuar një ton më të kalibruar”.
Ai është hungarezi i dytë që ka fituar këtë çmim që ndahet nga Akademia Suedeze, pasi Imre Kertesz më 2002 e fitoi Nobelin për Letërsi. Romani i tij i parë që i dha famë, Stantango, u botua më 1985 u bë një sensacion letrar në Hungari.
Moti: Kryesisht me diell
Në Mal të Zi mban mot kryesisht me diell dhe me vranësira të pakta deri mesatare. Frynë erë e dobët deri mesatare nga drejtimet e ndryshme. Temperaturat e shënuara në orën 14: Budvë e H.Novi 23, Tivar e Podgoricë 22, Ulqin 21, Nikshiq e Cetinë 19, Beran e Bijello Pole 18, Kollashin e Shavnik 17, Plevle e Andrievicë 16, Rozhajë 15, Petnjicë 14 dhe në Zhablak 12 gradë.
Për nesër meteorologët parashohin të mbaj mot me vranësira të ndryshueshme , në jug me intervale të gjata të diellit , kurse ne veri kryesisht i thatë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimi i veriut. Temperatura e mëngjesit prej 3 deri ne 14, kurse më e larta e ditës prej 12 deri në 24 gradë celsius.
Коментари0
Остави коментар