- Hronika
- Kolumne
-
Radio
- Izdvajamo
-
Emisije
- Dokumentarni program
- Pop top
- Europuls
- Zrno po zrno
- Radio ordinacija
- Kulturna panorama
- Zelena priča
- Epoleta
- +382
- Spona
- Svijet jednakih šansi
- Matica
- Život po mjeri čovjeka
- Link
- Izokrenuti svijet
- Koracima mladih
- Moja profesija je...
- Sportski program
- Kulturno-umjetnički program
- Muzički program
- Koracima prošlosti
- Naučno-obrazovni program
- RCG
- R98
- Programska šema
- Trofej Radija Crne Gore
- Frekvencije
- Radio drama
Ditari
08. 10. 2025.
00:00 >> 19:20
Ditari 08.10.2025
Ditarin e përgatiti, Envera Dukaj
PDS: do të përgjigjemi me të gjitha mjetet ndaj sjelljes kriminale të shumicës parlamentare
Partia Demokratike e Socialistëve vlerëson se po zhvillohet "persekutim brutal politik" dhe përpjekje për të futur vendin "në gjendje diktature të hapur", duke paralajmëruar se do të përgjigjen me të gjitha mjetet ndaj sjelljes kriminale të shumicës parlamentare dhe Prokurorisë.
Operacioni i paralajmëruar në mënyrë pompoze që filloi të premten e kaluar në sinkron me mediat e përshtatshme që vazhdimisht publikojnë të dhëna sekrete, dështoi, duke treguar se katër nga gjashtë anëtarët e dyshuar të organizatës kriminale janë tashmë të lirë," thanë nga PDS. Për këtë sjellje të shumicës parlamentare dhe Prokurorisë, që ka për qëllim të shtypë çdo kritikë, të shkelë lirinë dhe pavarësinë e mediave dhe të shkelë në mënyrë të paskrupullt të drejtat e njeriut, Partia Demokratike e Socialistëve do të përgjigjet me të gjitha mjetet, thuhet në njoftim nga kjo parti.
Rovçanin: aksioni i Prokurorisë profesional, i gjithë sistemi ka punuar për PDS
Deputeti i Demokratëve, Nikolla Rovçanin, nuk e sheh aksionin e fundit të Prokurorisë Speciale të Shtetit, në të cilin u arrestua ish-ministri i Mbrojtjes, Predrag Boshkoviq, dhe të tjerët që dyshohen se kanë punuar për biznesmenin Aleksandar Miajlloviq, si një surprizë, por si një konfirmim të asaj që qytetarët, sipas tij, e dinin prej kohësh. Partia Demokratike e Socialistëve në tri dekada sundimi ka vendosur struktura të ndryshme nën kontrollin e vet, tha Rovçanin dhe theksoi se bëhet fjalë për një aksion profesional të Prokurorisë Speciale Shtetërore. Rovçanin u ndal tek pjesa e aktakuzës ku të pandehurit akuzohen për zbardhje të të dhënave sekrete, dhe përmendi se dënimi me burg për këtë vepër penale arrin deri në 15 vjet.
Të përgjigjen ata që në mënyrë të paligjshme e kanë “shpërblyer” UNIPROM-in
Deputeti i Partisë Socialiste Popullore, Bogdan Bozhoviq, bëri thirrje që të gjithë ata që kanë mundësuar që kompania Uniprom të përfitojë në mënyrë të paligjshme duhet të mbajnë përgjegjësi. Gjetjet e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, sipas të cilave kompanisë Uniprom i janë dhënë në mënyrë të paligjshme 17 milionë euro përmes emisionit të kredive falas, janë një sinjal serioz se duhet të përcaktohet përgjegjësia e plotë e të gjithë atyre që kanë marrë pjesë në këtë proces, deklaroi Bozhoviq. Përkujtojmë se Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka konstatuar se regjistrimi dhe dhënia e emisioneve falas, që u kryen gjatë Qeverisë së Dushko Markoviqit, kanë qenë në kundërshtim me disa rregulla të asaj kohe.
Këshilli kushtetues do t’i propozojë kuvendit Jovanoviq dhe Radoviq për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese
Aksioni për të Drejtat e Njeriut ka përshëndetur vendimin e djeshëm për caktimin e dy kandidatëve për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese. Ata vlerësojnë se është inkurajuese që drita jeshile për shqyrtim në seancën plenare të Kuvendit iu dha zëvendës- avokates së Popullit për të drejtat dhe liritë e njeriut, Mirjana Radoviq, dhe gjyqtarit të Gjykatës së Lartë në Podgoricë, Jovan Jovanoviq, të cilët, sipas tyre, kurrë nuk kanë qenë anëtarë të partive politike. Ata shtojnë se në mbledhjet e Komisionit Kushtetues nuk është kundërshtuar asnjëherë profesionalizmi i kandidatëve, as kapaciteti i tyre për vendimmarrje të paanshme, cilësi këto të domosdoshme për Gjykatën Kushtetuese të Malit të Zi.
Ibrahimoviq në takimin e ministrave të jashtëm të procesit të Berlinit
Zëvendëskryeministri dhe ministri i punëve të jashtme i Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq, merr sot pjesë në takimin e ministrave të jashtëm të procesit të Berlinit, i cili zhvillohet sot dhe nesër në Belfast. Siç u tha nga Ministria e Punëve të Jashtme të Malit të Zi, fokusi i bisedimeve do të jetë shqyrtimi i rezultateve të arritura dhe përcaktimi i lëmive të reja të bashkëpunimit në kuadër të Procesit që inkurajon integrimin evropian dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal. "Takimi ministror në Belfast do të jetë një mundësi për të shkëmbyer pikëpamje për përgjigjen e përbashkët ndaj sfidave aktuale në sferat ekonomike, të sigurisë dhe të atyre sociale, për të promovuar aktivitete që kontribuojnë në lidhshmërinë rajonale dhe për të afirmuar vendin si pjesëmarrës aktiv në procesin e Berlinit që aktualisht është lider në rrugën drejt anëtarësimit në BE", thuhet në kumtesë nga kjo Ministri.
Bashkëpunimi rajonal dhe integrimet evropiane sjellin përfitime konkrete për ekonomitë e Ballkanit perëndimor
Bashkëpunimi më i fuqishëm rajonal dhe hapat konkretë drejt integrimit të ekonomive në Tregun e përbashkët të Bashkimit Evropian janë kyç për përparimin më të shpejtë ekonomik të Ballkanit Perëndimor, është mesazhi i pjesëmarrësve në "Forumin e Odave të tregtisë dhe Investimeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit". Sipas njoftimit, Forumi, ku u takuan liderë biznesi, përfaqësues të odave të tregtisë të Ballkanit Perëndimor, diplomatë dhe organizata ndërkombëtare, theksoi rëndësinë e aktiviteteve të përbashkëta, vullnetit politik dhe reformave në arritjen e objektivave të Procesit të Berlinit dhe afrimit të rajonit me BE-në. Në këtë Forum nga Mali i Zi morën pjesë kryetarja e Odës së tregtisë së Malit të Zi Nina Drakiq dhe afaristi nga Grey International Mal i Zi, Marko Shkuletiq.
Kuvendi i Malit të Zi organizoi një konferencë rajonale
Kuvendi i Malit të Zi në bashkëpunim me Shoqërinë gjermane për bashkëpunim ndërkombëtar- GIZ, organizuan konferencën rajonale me temën, "Roli i kontrollit efektiv parlamentar në përmirësimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian". Konferencën e hapi kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, ndërsa në pjesën hyrëse folën edhe Ivan Vukoviq, kryetar i Këshillit kuvendor për integrime evropiane, Boban Stanishiq, sekretar i përgjithshëm i Kuvendit dhe Peter Fellten, ambasador i Gjermanisë në Mal të Zi. "Konferenca ka për qëllim të mundësojë vazhdimin e shkëmbimit rajonal të përvojave dhe praktikave të mira në fushën e mbikëqyrjes parlamentare mbi procesin e integrimeve evropiane," thuhet në njoftim nga Kuvendi i Malit të Zi.
Vukoviq: fuqia e liderizmit nacional dhe mbështetja ndërkombëtare në modernizimin e financave publike
Ministri i financave Novica Vukoviq u takua sot me Haoling Xu, ushtrues detyre i administratorit të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim- UNDP-së, i cili ndodhet në vizitë zyrtare në rajonin e Ballkanit Perëndimor për të shënuar 60 vjetorin e themelimit e kësaj organizate të Kombeve të Bashkuara. Ministri Vukoviq falënderoi UNDP-në për mbështetjen e vazhdueshme të projekteve zhvillimore në Mal të Zi, duke theksuar rëndësinë e partneritetit në fushat e tranzicionit të gjelbër, digjitalizimit dhe zhvillimit shoqëror gjithëpërfshirës. Administratori Xu, theksoi se partneriteti shumëvjeçar midis Ministrisë së financave dhe UNDP-së është shembull rajonal i bashkëpunimit të suksesshëm në financat publike.
Shtetësia e dyfishtë, çështje që shkakton tensione politike
Çështja e shtetësisë së dyfishtë në Mal të Zi shpesh shkakton tensione politike, por në jetën e përditshme kjo po krijon probleme konkrete për qytetarët. Sipas ligjit të Malit të Zi, nga viti 2008, shtetësia fitohet me prejardhje, lindje në territorin e shtetit ose përmes pranimit. Megjithatë, edhe sot një numër i konsiderueshëm i banorëve të Malit të Zi nuk kanë shtetësi malazeze, edhe pse jetojnë dhe punojnë në këtë vend prej dekadash. "Problemi kryesor është tek ata që janë në pushtet dhe mosinteresimi i tyre për këtë çështje. Nëse pushteti do të ishte i interesuar për fatin dhe këto probleme, kjo çështje do të ishte zgjidhur shumë lehtë dhe në mënyrë efikase", thotë analisti politik Alleksandar Qukoviq.
Plagoset kandidati i BDI në Likovë, 43-vjeçari është jashtë rrezikut për jetën
Një nga kandidatët e Bashkimit Demokratik për Integrim për zgjedhjet lokale në komunën e Likovës në Maqedoninë e Veriut u plagos me armë zjarri, por fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën. Ministri e Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut njoftoi se i plagosuri është Zekirija Shaini, 43 vjeç, kryesues i listës së këshilltarëve të Bashkimit Demokratik për Integrim në Likovë për zgjedhjet e 19 tetorit. Partia shqiptare në opozitë Bashkimi Demokratik për Integrim reagoi menjëherë pas incidentit, duke e dënuar ashpër sulmin ndërsa bëri thirrje për reagim urgjent nga institucionet shtetërore. BDI që kryeson edhe koalicionin Aleanca Kombëtare për Integrim në zgjedhjet e 19 tetorit, u bëri thirrje mbështetësve dhe qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e provokimeve. Edhe VLEN, koalicioni shqiptar në bashkëqeverisje në Maqedoninë e Veriut reagoi për ngjarjen. Incidenti ndodhi dy javë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, të planifikuara për 19 tetor, ndërsa subjektet politike janë duke zhvilluar fushatën elektorale.
Osmani bisedon me komandantin e ri të KFOR-it për “kërcënimet me dronë” nga Serbia
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar gjatë një takimi me komandantin e ri të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë se vendi i saj po përballet me “kërcënime me dronë” nga Serbia. Në takim me gjeneralmajorin turk Ozkan Ulutash, i cili u riemërua komandant i KFOR-it javën e kaluar, presidentja kosovare me komandantin e KFOR-it bisedoi edhe për zhvillimet në fushën e sigurisë. Zyrtarë të Kosovës thanë në fund të shtatorit se hapësira ajrore e Kosovës ishte shkelur nga dronë të dyshuar serbë. Më parë Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i hodhi poshtë pretendimet e Osmanit, duke thënë se “të gjithë po përgatiten për luftë”. KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX. Misioni i NATO-s, veç tjerash, është përgjegjës për sigurinë në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.
Kurti: Kosova vazhdon rritjen ekonomike dhe mbështet sektorin privat
Kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë në detyrë, Artane Rizvanolli, komentuan rezultatet e raportit të Bankës Qendrore të Kosovës për gjendjen ekonomike dhe masat mbështetëse për sektorin privat dhe ndërmarrjet publike. Kryeministri kosovar theksoi se qeveria po punon për të rritur kërkesën agregate dhe për të mbështetur eksportet e Kosovës, si dhe gjenerimin e energjisë elektrike. “Investimet në rritjen e kapacitetit dhe modernizimin e energjisë sigurojnë jo vetëm efikasitet, por edhe qëndrueshmëri. Lajmi i mirë është që Kosova në çerekun e dytë të këtij viti ka pasur rritje ekonomike prej 4.5% të Bruto Produktit Vendor. Në katër vitet e fundit, mesatarja e rritjes ekonomike ka qenë 6%, pa rënë asnjëherë nën 4%. Këtë vit është 4.58%, pra vazhdojmë të qëndrojmë stabilë dhe nuk ka vend për brengosje”, tha Kurti. Ministrja Rizvanolli shtoi se përkrahja për sektorin privat është rritur ndjeshëm gjatë këtij mandati. Ky diskutim përkon me raportet ndërkombëtare që theksojnë performancën e Kosovës në Ballkanin Perëndimor dhe forcon besimin në stabilitetin ekonomik të vendit.
Von der Leyen: Muri panevropian kundër dronëve do të mbrojë edhe anën jugore të Evropës
Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se Evropa duhet të forcojë mbrojtjen e saj për të penguar “luftën hibride” të Rusisë, pas një sërë incidentesh që përfshijnë ndërhyrje ajrore, sulme kibernetike dhe dëmtime të kabllove nënujore. “Këto nuk janë ngacmime të rastësishme, por një fushatë e qëllimshme dhe në rritje” tha ajo para ligjvënësve të BE-së. Sipas saj, vendet si Polonia, Estonia dhe Rumania janë goditur së fundmi nga ndërhyrje ajrore ruse, ndërsa dronë të paidentifikuar janë vërejtur në Danimarkë, Gjermani dhe Belgjikë. “Evropa duhet të përgjigjet. Ne duhet të hetojmë çdo incident dhe nuk duhet të hezitojmë të atribuojmë përgjegjësinë, pasi çdo centimetër katror i territorit tonë duhet të mbrohet dhe të jetë i sigurt”, u tha Von der Leyen politikanëve të BE-së. Zyrtarët e BE-së besojnë se Rusia mund të jetë e aftë të nisë një sulm ndaj një vendi tjetër evropian brenda tre deri në pesë vjetësh. Në këtë kontekst, BE-ja po shqyrton ndërtimin e një “muri mbrojtës kundër dronëve” si pjesë e projekteve të përbashkëta të mbrojtjes.
Zelenski: Rusia po përdor dronë për të destabilizuar Evropën
Presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin, e nënshkroi një dekret javën e kaluar, i cili duket se synon asetet e kompanive të huaja që vazhdojnë të operojnë në Rusi dhe që ende nuk janë sekuestruar nga Qeveria ruse. Putini e nënshkroi këtë dekret si përgjigje ndaj shqyrtimit nga BE-ja të një skeme për t’i dhënë Ukrainës miliarda dollarë në formë huaje, bazuar në asetet e ngrira ruse në BE, të cilat janë bllokuar qëkurse Moska e nisi pushtimin e Ukrainës. Sulmet ajrore ruse kanë shkaktuar dëme të rënda në një central në rajonin verior të Çernihivit në Ukrainë, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike dhe të vrarë. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka akuzuar Rusinë se po përpiqet të destabilizojë Evropën përmes përdorimit të dronëve për sabotime dhe ndërprerje të qëllimshme. Ndërsa ministrat e financave të BE-së pritet të shqyrtojnë më shumë hollësi rreth planite të një “huaje dëmshpërblimi” në Parlamentin Evropian kur të mblidhen në Luksemburg javën e ardhshme.
Izraeli ndalon sërish një flotilje të ndihmave pro-palestineze që shkonte drejt Gazës
Presidenti amerikan, Donald Tramp, deklaroi se ka "gjasa reale" për një marrëveshje paqeje në Rripin e Gazës, pasi Hamasi dhe negociatorët izraelitë kanë zhvilluar bisedime të tërthorta në përvjetorin e dytë të fillimit të luftës. Trump deklaroi se një tjetër ekip amerikan u nis për të marrë pjesë në negociatat për Gazën, duke shprehur shpresë për një marrëveshje. Nga ana tjetër, grupi palestinez Hamas njoftoi se dëshiron të arrijë një marrëveshje për përfundimin e luftës në Gaza, bazuar në planin e Trampit, por theksoi se ende ka një sërë kërkesash, gjë që sinjalizon se negociatat indirekte me Izraelin në Egjipt mund të jenë të vështira dhe të zgjatura. Nga ana tjetër, disa anije të tjera, që po përpiqeshin të dërgonin ndihma në Gazë, janë ndaluar nga forcat izraelite në ujërat ndërkombëtare, njoftoi koalicioni Flota e Lirisë. Ky është incidenti i dytë i këtij lloji në ditët e fundit, pasi Izraeli kishte ndaluar rreth 40 anije dhe kishte arrestuar më shumë se 450 aktivistë në një tjetër konvoj ndihmash, Flotës Globale Sumud, i cili gjithashtu po përpiqej të dërgonte ndihma në Gazë.
Nobelin për Kimi e fitojnë tre shkencëtarë për punën në kornizat metalo-organike
Çmimi Nobel për Kimi u është ndarë shkencëtarëve Susumu Kitagawa, Richard Robson dhe Omar M Yaghi për punën e tyre në kornizat metalo-organike. Puna e të tre shkencëtarëve do të mund të përdoret për t’i luftuar disa prej problemeve më të mëdha në planet, përfshirë kontrollimin e dioksidit të karbonit, që mund të ndihmojë në luftimin e ndryshimeve klimatike, apo edhe në zvogëlimin e ndotjes plastike, duke përdorur elementë kimikë. Puna e tre shkencëtarëve bazohet në atë se si mund të ndërtohen molekulat në struktura. Komiteti i Nobelit e ka quajtur punën e tyre “arkitekturë molekulare”. Vitin e kaluar këtë çmim e kanë fituar shkencëtarët Demis Hassabis, John Jumper dhe David Baker për punën e tyre në proteina, të cilat i ndërtojnë blloqet e jetës.
Moti nesër: kryesisht kthjellët, deri në 23 gradë
Në jug dhe pjesët qendrore të Malit të Zi sot po mban mot kryesisht i kthjellët, kurse në veri me vranësira të ndryshueshme. Fryn erë e dobët deri mesatare, në pjesët jugore deri e fortë veriore. Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Budvë 23 gradë, Ulqin e Herceg Novi 22, Tivar 21, Podgoricë 19, Cetinë 16, Nikshiq 14, Beranë e Plevle 11, Bijello Pole 10, Plavë 9, Kollashin 8, Rozhajë 7 dhe në Zhablak 5 gradë. Edhe për nesër në jug dhe pjesët qendrore pritet mot me diell. Në veri gjatë ditës kryesisht me diell, me vranësira të herëpashershme të pakta deri mesatare. Do të fryjë erë kryesisht e dobët, nga drejtime të ndryshme. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 1 deri në 14, ndërsa më e larta e ditës prej 11 deri në 23 gradë celsius.
Коментари0
Остави коментар