Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема
MNE Play
MNE Play

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

30. 09. 2025. 00:00 >> 16:56

Ditari 30.09.2025

Përgatiti, Senad Gilaj

Prioritete janë pastrimi i regjistrave zgjedhor dhe listat e hapura

Bashkëkryetari i Këshillit parlamentar për reformën gjithëpërfshirëse zgjedhore, Vasilije Çarapiq  deklaroi se “ka përfunduar pjesa e parë e reformës zgjedhore kurse tani është momenti për ta përfunduar punën”. Dy sfidat më të mëdha politike, sipas tij, janë futja e listave të hapura dhe pastrimi i regjistrave zgjedhor. Çarapiq konsideron se nuk do të ketë ndonjë presion nga bashkësia ndërkombëtare për këto dy pjesë, por mungon vullneti politik për t’a përmbyllur këtë proces deri në fund të vitit. “Situata deri tani është shumë e mirë, megjithatë ende duhet të përmirësohet”, vlerëson deputeti i Forumit Shqiptar, Nikollë Camaj, i cili thekson se modeli kosovar i listave gjysmë të hapura, për momentin, mund të jetë më i përshtatshmi për Malin e Zi. Bashkëkryetari tjetër i këtij Këshilli, Nikolla Rakoçeviq thotë se suksesi i fazës së dytë të reformës zgjedhore varet nga vullneti politik. “Faza e parë ishte e suksesshme falë profesionalizmit të organizatave joqeveritare, disa deputetëve dhe presionit të Komisionit Evropian”, konsiderojnë nga sektori civil. Diskutimi mbi reformën zgjedhore në Mal të Zi, i zhvilluar në kuadër të një paneli të organizuar nga Qendra për Tranzicion Demokratik, i cili solli në fokus rëndësinë e listave të hapura si një hap thelbësor drejt demokratizimit të procesit zgjedhor dhe forcimit të rolit të qytetarëve.

 

Departamenti amerikan i shtetit: hetim efikas i të gjitha rasteve të trafikimit me njerëz

Qeveria e Malit të Zi ka treguar përparim të përgjithshëm në përpjekje për të luftuar tregtinë me njerëz, në krahasim me periudhën e mëparshme, thuhet në raportin vjetor të publikuar mbrëmë nga Departamenti Amerikan i Shtetit për tregtinë me njerëz në botë. “Qeveria e Malit të Zi nuk i plotëson plotësisht standardet minimale për eliminimin e tregtisë me njerëz, por po bën përpjekje të konsiderueshme për ta arritur këtë,” thuhet ndër të tjera në raportin e prezantuar nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Marko Rubio. “Këto përpjekje përfshinë identifikimin e një numri më të madh viktimash, si dhe hapjen dhe financimin e plotë të një strehimoreje të përkohshme shtetërore për fëmijët, viktima të trafikimit me njerëz. Gjithashtu, qeveria ka forcuar Njësinë për Luftën kundër Trafikimit me Njerëz përmes një riorganizimi, i cili i ka mundësuar asaj të shpërndajë zyrtarë të specializuar në zyrat lokale”, thuhet mes tjerash në raport. Në raport theksohet se përpjekjet përfshijnë identifikimin e një numri më të madh të viktimave dhe financimin e plotë të strehimores së përkohshme për fëmijët viktima të tregtisë me njerëz.

 

Koprivica: Mali i Zi ka përparuar më shumë në negociatat me Bashkimin Evropian

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi për sistemin politik, drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit, Momo Koprivica, është takuar me nënkryetaren e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Irena Karalambides. Siç thuhet në njoftim, në takim është diskutuar për rolin e OSBE-së në reformat në Mal të Zi, integrimet evropiane dhe sfidat e mëtejshme në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit. Koprivica theksoi se Mali i Zi ka përparuar më shumë se të tjerët në negociatat me Bashkimin Evropian dhe se sistemi juridik dhe politik i vendit po kalon një transformim cilësor dhe është në masë të madhe i harmonizuar me standardet evropiane.

 

Markoviq– Karalambides: Prokuroria e pavarur është shtyllë e rrugës evropiane të Malit të Zi
Kryeprokurori i Shtetit, Millorad Markoviq, u takua me nënkryetaren e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe përfaqësuesen speciale për luftën kundër korrupsionit, Irena Karalambides, për të diskutuar rreth prioriteteve të Prokurorisë shtetërore në luftën kundër korrupsionit dhe përmirësimin e integritetit institucional, thuhet në njoftimin e Kryeprokurorisë. “Mbështetja e OSBE-së për proceset reformuese në Prokurori është me rëndësi të madhe për forcimin e sundimit të ligjit dhe për një punë më efikase të institucionit”, tha Markoviq. Ai e informoi Karalambides mbi gjendjen aktuale dhe sfidat në punën e prokurorisë, duke theksuar përkushtimin e plotë për ndjekjen pa kompromis të korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar. Ndërsa nënkryetarja e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe përfaqësuese speciale për luftën kundër korrupsionit theksoi se “reforma që po zhvillohet aktualisht në Prokurori në Mal të Zi është me rëndësi thelbësore për vendosjen e standardeve të larta të integritetit, mbikëqyrjes dhe përgjegjshmërisë, duke shtuar se një prokurori e pavarur është thelbësore për rrugën evropiane të Malit të Zi”.

 

Gjeloshaj: Të gjitha informatat për “Aeroportet” do t’ua dorëzoj organeve kompetente

Të gjitha informacionet, të dhënat dhe dokumentet në lidhje me vlerësimin dhe koncesionet për aeroportet malazeze jam i gatshëm t’i ndaj me organet kompetente, ka deklaruar zëvendëskryeministri i Malit të Zi e kryetar i Komisionit të tenderit, Nik Gjeloshaj. Përkujtojmë se Gjeloshaj disa muaj më parë ka bërë të ditur se ekspertët e Bankës Botërore në këtë proces “kanë shtyrë” ofertuesin nga Koreja e Jugut.

Për këtë arsye, Gjeloshaj ka kërkuar nga Institucioni Financiar Ndërkombëtar (IFC) që të nënshkruajë dhe të vërtetojë një deklaratë me të cilën merr përgjegjësi të plotë për pasojat që mund të shkaktojnë interpretimet e tyre, të cilat, siç tha ai, kanë ndikuar në procesin e tenderit. “Vendimi i Komisionit për koncesione, nëse bazohemi në ankesë, është mjaft kontradiktore. Një pjesë e vendimit është kundërthënëse, sepse na kanë kërkuar të arsyetojmë vendimet tona. Këtu hasim në problem,” tha Gjeloshaj. Ai shtoi se ka mbajtur një takim me anëtarët e Komisionit dhe se kanë analizuar, biseduar dhe diskutuar për mundësitë ligjore që ka Komisioni.

 

Janë ndarë çmimet në samitin WPL-së; Spajiq: Mali i Zi anëtar i ri i be-së në vitin 2028

Kryeministrit të Malit të Zi, Millojko Spajiq, nënkryetares së Parlamentit Evropian, Eva Kopaç, nënkryetares së Kuvendit të Malit të Zi, Zdenka Popoviq dhe ministres së punëve evropiane, Maida Gorçeviq, u është ndarë çmimi, “Ura e Evropës” nga kryetarja e Rrjetit global të politikaneve, Sillvana Koh- Merin. Kryeministri Spajiq theksoi se është krenar që i është ndarë ky çmim, duke shtuar se këtë njohje e kupton jo vetëm si konfirmim të përpjekjeve të deritanishme, por edhe si një shtytje për të vazhduar me vendosmëri në rrugën e integrimeve evropiane. Sipas fjalëve të tij, samiti në Podgoricë dërgon mesazhin se Mali i Zi i përket bashkësisë së shteteve që ndërtojnë besimin, promovojnë demokracinë dhe punojnë së bashku për një të ardhme më të mirë. Përndryshe, në Podgoricë u mbajt Samiti i liderëve politike, i pari i këtij lloji në Ballkanin Perëndimor, ku mbi 220 gra lidere nga 65 shtete u mblodhën për të diskutuar fuqizimin e grave në politikë dhe shoqëri. Mesazhi kryesor i samitit ishte se përfaqësimi i grave duhet të kthehet në ndikim real, përgjegjësi dhe ndryshim shoqëror.

 

Ideja për futjen e shtetësisë së dyfishtë po pengon rrugën evropiane të Malit të Zi, u vlerësua në panelin e QTD-së

Ngritja e çështjes për shtetësisë së dyfishtë, në një moment kur Mali i Zi ka mundësinë të “kapë trenin e fundit” për në Bruksel, do të thoshte që perspektiva evropiane e Malit të Zi do të humbiste përfundimisht. Qendra për Tranzicion Demokratik- CDT njoftoi se kjo është vlerësuar në panelin, “A është e nevojshme të ndryshohet Ligji për shtetësinë malazeze?”, organizuar nga kjo OJQ në kuadër të projektit rajonal “SMART Ballkan – Shoqëria Civile për një Ballkan Perëndimor të Lidhur”. Duke komentuar propozimin e Partisë Demokratike Popullore që çështja e shtetësisë në Mal të Zi të rregullohet si në Turqi, deputetja e CIVIS-it, Maja Vuçeliq tha se “nuk duhet të lejojmë asnjë ndryshim të Kushtetutës sa i përket kësaj teme”. Duke krahasuar Malin e Zi me Turqinë, deputeti i Socialdemokratëve, Nikolla Zirojeviq, tha se Mali i Zi është shtet i vogël, ndërsa Turqia ka 75 deri në 80 milionë banorë, dhe aty qëndron thelbi dhe rrënja e gjithë kësaj çështjeje.

 

Dëshmitari: Askush nga policia nuk i ka fshirë aplikacionet nga telefoni i Medenicës

Sot në Gjykatën e Lartë dëshmoi zyrtari i Drejtorisë së Policisë dhe Njësisë speciale të policisë, Drashko Kaliniq. “Askush nga policia nuk i ka fshirë aplikacionet nga telefoni i Vesna Medenicës. Personalisht dhe profesionalisht mendoj se askush nga policia nuk e ka bërë këtë”, tha ai. Me dëgjimin e dy dëshmitarëve, sot në Gjykatën e Lartë në Podgoricë është vazhduar gjykimi ndaj ish-kryetares së Gjykatës Supreme të Malit të Zi, Vesna Medenica, djalit të saj Millosh Medenica dhe të pandehurve të tjerë. Kaliniq ka marrë pjesë në arrestimin e Vesna Medenicës dhe gjatë kontrollit të shtëpisë së saj. Mbrojtja thotë se është e kënaqur me seancën gjyqësore, sepse, sipas tyre, kanë kontestuar ligjshmërinë e kontrollit të shtëpisë së Vesna Medenicës.

 

75 të paraburgosur në grevë urie; Tomkoviq: Të paraburgosurit do ta vazhdojnë grevën, diçka duhet të ndryshojë

Protesta e familjarëve të të paraburgosurve, të cilët për herë të dytë këtë vit protestojnë në shenjë mbështetjeje për të afërmit e tyre që ndodhen në Drejtorinë për ekzekutimin e sanksioneve penale (UIKS), u mbajt sot para Gjykatës së lartë në Podgoricë. Në emër të familjarëve të grevistëve foli avokati Nikolla Tomkoviq, i cili theksoi se situata është alarmante. “Situata është e rëndë, si për të paraburgosurit ashtu edhe për familjet e tyre. Sa i përket të paraburgosurve, ata po vazhdojnë grevën dhe synojnë të qëndrojnë të vendosur në këtë drejtim”, tha avokati Tomkoviq. “Nëse keni një situatë ku më shumë se 100 të paraburgosur janë në grevë, nëse ka paralajmërim për grevë nga punonjësit e Drejtorisë, nëse ka paralajmërim për grevë nga Sindikata e administratës dhe e gjyqësorit, kjo do të thotë se diçka nuk është në rregull dhe se diçka duhet të ndryshojë. Në një burg që është paraparë për 200-300 të paraburgosur ndodhen mbi 600 persona, kurse në dhomat e paraburgimit qëndrojnë nga 10 deri në 12 veta”, tha Tomkoviq.

 

Dita e fundit për zëvendësimin  e letërnjoftimit; MPB: askujt nuk do t’i mohohet e drejta për dokumente

“Asnjë qytetari, as pas ditës së sotme, nuk do t’i ndalohet qasja në realizimin e të drejtës për letërnjoftim”, kanë bërë të ditur nga Ministria e Punëve të Brendshme, duke iu referuar informacioneve se sot skadon afati për ndërrimin e kartave të vjetra të identitetit. Edhe pse sportelet e Ministrisë së Punëve të Brendshme hapen në orën 08:00, shumë qytetarë të cilët ende nuk i kanë ndërruar dokumentet personale, kanë zënë radhët që në orët e para të mëngjesit. Bëhet me dije se mes tyre kishte edhe persona mbi 80 vjeç. Për qytetarët që nuk dorëzojnë kërkesë për nxjerrjen e kartës së identitetit brenda afatit të përcaktuar parashikohen gjoba nga 60 deri në 300 euro. Ndryshe Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Policisë kanë prezantuar sot aplikacionin mobil, “Stacioni virtual i policisë – Policia e Malit të Zi”, që ka për synim rritjen e sigurisë kolektive në përgjithësi. Përmes kësaj platforme digjitale do të jetë e mundur të bëhen denoncime anonime për vepra penale, të merren informacione mbi gjendjen në rrugë, këshilla dhe përgjigje për pyetjet më të shpeshta, si dhe informacione të tjera të dobishme. Bëhet fjalë për një platformë digjitale, të qasshme për të gjithë, që ofron një sërë informacionesh.

 

Nga nesër do të angazhohen roje sigurie në shkolla

Angazhimi i personelit të sigurisë në shkolla do të fillojë prej nesër dhe do të zgjasë deri në fund të gjysmës së parë të vitit shkollor, u njoftua nga Ministria e Arsimit, të cilët theksojnë se kjo është zgjidhje kalimtare. Eksperti i sigurisë, Igor Pekiq mendon se policët shkollorë do të ishin më efikasë se sa rojet e sigurisë. Përndryshe, me qëllim të parandalimit dhe ndalimin të dhunës dhe ngjarjeve të padëshiruara dhe  duke pasur parasysh rastet gjithnjë e më të shpeshta të dhunës fizike në institucionet arsimore, Qeveria ka miratuar që në 68 shkolla fillore, 44 shkolla të mesme dhe një konvikt për nxënës dhe studentë të angazhohet sigurimi fizik në periudhën nga 1 tetori deri më 31 dhjetor të këtij viti.

 

Paga mesatare në gusht 1.015 euro

Paga mesatare bruto në muajin gusht të vitit 2025 në Mal të Zi ishte 1.210 euro, ndërsa paga mesatare neto, pa tatime dhe kontribute, ishte 1.015 euro, janë të dhënat e Entit të Statistikave të Malit të Zi- MONSTAT. Sipas raportit të Monstat-it, paga mesatare neto në gusht krahasuar me korrikun e vitit 2025 shënoi një rritje prej 0,1%, ndërsa krahasuar me muajin gusht të vitit të kaluar, rritja ishte 17,9%. “Duke pasur parasysh që çmimet e konsumit në muajin gusht të këtij viti, krahasuar me korrikun e të njëjtit vit, kanë shënuar një rritje prej 0,5%, rezulton që pagat reale për të njëjtën periudhë kanë pësuar rënie prej 0,4%”, theksohet në raportin e Monstat-it. Kurse nga Ministria e Financave është njoftuar se të ardhurat buxhetore për tetë muajt e këtij viti kanë arritur në 1.838,2 milionë euro, që paraqet rritje prej 0,6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

 

Formimi i Qeverisë së Kosovës, përfundon masa e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese

Sot përfundon masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila që nga 5 shtatori i ka pezulluar të gjitha veprimet dhe vendimet e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke përfshirë edhe procedurat për formimin e Qeverisë. Gjykata vlerësoi më parë se ndalimi i të gjitha vendimeve dhe veprimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit, dhe çdo procedurë e mëtejme për formimin e Qeverisë, mund të evitojë rreziqe apo dëme të pariparueshme që ndërlidhen me themelimin e institucioneve shtetërore dhe nxjerrjen e vendimeve në kundërshtim me Kushtetutën. Për më tepër, Gjykata vlerësonte se, në kuptim të përcaktimeve të Ligjit, ekzistojnë rrethana të “interesit publik” e që përfshijnë ruajtjen e rendit kushtetues të Kosovës. Kjo masë ishte ndërmarrë pas ankesës së paraqitur nga Lista Serbe, e cila kontestoi mënyrën e zhvillimit të seancës konstituive të Kuvendit.

 

Takim me kongresistin Torres, Kurti nënvizon përkushtimin për BE e NATO

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, takoi në Uashington, kongresistin amerikan nga radhët e Partisë Demokratike, Ritchie Torres. Nga qeveria kosovare kanë njoftuar se Kurti e falënderoi kongresistin Torres për qëndrimet e tij të hapura dhe të zëshme në mbështetje të Kosovës. Ai e informoi për progresin ekonomik dhe demokratik që vendi ka shënuar vitet e fundit, si dhe për zhvillimet më të fundit në Kosovë dhe rajon. Kurti njëkohësisht theksoi aspiratën e palëkundur të Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian dhe në NATO, si orientim dhe objektiva strategjike të vendit. Gjithashtu, sipas njoftimit, Kurti nënvizoi planet e mëdha investive në vend, përfshirë projektin e hekurudhës Prishtinë–Durrës, zhvillimin e hovshëm të sektorit të teknologjisë dhe mundësitë që kompanitë amerikane të bashkëpunojnë e të investojnë në Kosovë.

 

Maqedoni e Veriut, nis zyrtarisht fushata për zgjedhjet lokale të vitit 2025

Në Maqedoninë e Veriut ka nisur zyrtarisht fushata njëzetditore për zgjedhjet lokale, që do të mbahen më 19 tetor. Partitë politike dhe koalicionet kanë nisur aktivitetet e tyre zgjedhore me tubime dhe prezantime para qytetarëve. Fushata, e cila u hap në mesnatë, do të zgjasë deri më 17 tetor, kur edhe fillon heshtja 24-orëshe para ditës së votimit. Raundi i parë i zgjedhjeve zhvillohet më 19 tetor, ndërsa i dyti më 2 nëntor. Në gjithë vendin do të funksionojnë 3 mijë e 480 qendra votimi, ndërsa në 132 qendra me më pak se 10 votues, procesi do të zhvendoset në qendrat më të afërta. Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut mbahen çdo katër vjet, në gjysmën e dytë të tetorit. Vendin e përbëjnë 80 komuna dhe Qyteti i Shkupit, i cili ka status të veçantë me 10 komuna. 

 

Këshilli i Ministrave i dërgon Presidentit vakancat për 6 bashkitë, përfshirë edhe Tiranën

Qeveria e Shqipërisë ka njoftuar presidencën për vakancën në Bashkinë e Tiranës pas shkarkimit të Erion Veliajt, edhe pse ky i fundit e ka ankimuar vendimin në Gjykatën  Kushtetuese. Në shkresë, presidenti Bajram Begaj informohet gjithashtu për vakancat në pesë bashki të tjera të vendit, në Vlorë, Berat, Mat, Cërrik dhe Tepelenë. Nga ana tjetër, Gjykata Kushtetuese ka bërë me dije sot pezullimin e procesin e zgjedhjeve në Tiranë. Kjo është përgjigja e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka bërë me dije se ka regjistruar kërkesën e Erion Veliajt kundër shkarkimit të tij dhe ka shpallur publikimin e regjistrimit. Sipas njoftimit, kjo shpallje ka efektin e një njoftimi publik për të gjitha palët e përfshira, duke përfshirë Këshillin e ministrave dhe Presidentin. Gjykata thekson gjithashtu se pezullimi i vendimit të shkarkimit mbetet në fuqi deri në një vendim përfundimtar.

 

Rutte: Duhet ta mbajmë qiellin tonë të sigurt pas incidenteve në hapësirën ajrore

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka bërë thirrje për përpjekje shtesë për ta mbrojtur më mirë hapësirën ajrore të aleatëve, pas një sërë shkeljesh të hapësirës ajrore dhe shfaqjes së dronëve. “Ne duhet ta mbajmë qiellin tonë të sigurt”, tha Rutte, duke folur përkrah presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, para një takimi me komisionarët e Bashkimit Evropian. “Ne e kemi parë gjatë javëve të fundit se çfarë ka ndodhur me dronët në Poloni, avionët në Estoni, por edhe çfarë po ndodh tani në Danimarkë”, tha Rutte. Në fillim të shtatorit, tre avionë luftarakë rusë hynë në hapësirën ajrore të Estonisë pasi një numër i madh dronësh rusë depërtuan në hapësirën ajrore polake. Pamje të përsëritura të dronëve në Danimarkë shkaktuan pengesa të mëdha në trafikun ajror danez. “Evropa duhet të japë një përgjigje të fortë dhe të bashkuar ndaj depërtimeve të dronëve rusë në kufijtë tanë”, tha kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

 

Hamasi shqyrton planin e paqes të Tramp para përgjigjes; Vendet myslimane dhe fuqitë evropiane e mbështetin planin e Trampit për Gazën

Hamasi njoftoi sot se do ta diskutojë planin e paqes për Gazën të presidentit të SHBA-së, Donald Tramp, brenda grupit dhe me fraksionet e tjera palestineze, para se të japë përgjigjen. Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu tashmë e ka mbështetur atë, por mbetet e paqartë nëse Hamasi do të pajtohet apo kur do të japë përgjigje. Një zyrtar i Hamasit, deklaroi se kjo Lëvizje e mori propozimin nga dy ndërmjetësit e Lindjes së Mesme, Egjipti dhe Katari, dhe “do të fillojë ta shqyrtojë” me fraksione të tjera, raporton AP. Propozimi kërkon që Hamasi të dorëzohet plotësisht dhe të çarmatoset, në këmbim të përfundimit të luftimeve, ndihmës humanitare për palestinezët dhe premtimit për rindërtimin e Gazës. Ndërkohë, mbështetjet dhe përkrahjet vinë nga komuniteti ndërkombëtar për propozimin, për të cilin Tramp dhe Netanjahu kishin rënë dakord pas bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë. Ky plan parashikon lirim të të gjithë pengjeve, në këmbim Izraeli do të lirojë qindra të burgosur dhe gradualisht do të tërheqë ushtrinë, deklaroi Tramp në konferencën e shtypit me Netanjahun.

 

Qeveria amerikane buzë mbylljes së parë pas gati shtatë vjetësh

Një mosmarrëveshje mes partive për shëndetësinë dhe shpenzimet mund ta shkaktojë mbylljen e Qeverisë amerikane për herë të parë pas gati shtatë vjetësh. Demokratët dhe republikanët në Kongres nuk po arrijnë dot marrëveshje, pavarësisht se mijëra punonjës federalë rrezikojnë të dërgohen në pushim të detyruar nga puna ose të shkarkohen. Qeveria do të mbyllet sonte në mesnatë, nëse Senati nuk e kalon një projektligj të Dhomës së Përfaqësuesve, i cili do ta zgjaste financimin federal për shtatë javë, për t’u dhënë kohë ligjvënësve ta përfundojnë punën mbi projektet vjetore të shpenzimeve. Demokratët në Senat thonë se nuk do ta votojnë projektligjin, nëse ai nuk përfshin zgjatjen e benefiteve shëndetësore që po skadojnë, mes kërkesave të tjera. Presidenti Donalld Tramp dhe republikanët nuk duan bile as të bisedojnë, duke argumentuar se bëhet fjalë për një projektligj të “pastër” që nuk duhet të jetë i diskutueshëm. Nuk është e qartë nëse ndonjëra palë do të lëshojë pe para afatit.

 

Mot i ndryshueshëm, pasdite me reshje shiu, deri në 24 gradë

Në Mal të Zi sot mbajti mot kryesisht me diell deri me vranësira të ndryshueshme. Fryn erë dobët deri e mesme nga drejtimet e ndryshme. Temperaturat në orën 14 u shënuan: Ulqin 25 gradë, Podgoricë, Tivar e Tivat 24, Budvë e Herceg Novi 23, Nikshiq 20, Cetinë e Bijello Pole 19, Beranë 18, Kollashin 17, Plevle e Guci 16,  28, Tivar 27, në Plevle, Beranë e Bijello Pole 26, Rozhajë 25, Guci 24, Nikshiq 23, Cetinë, Kollashin e Rozhajë 22 dhe në Zhablak 17 gradë. Për nesër në viset veriore paralajmërohet mot i vranët dhe reshje të përkohshme shiu, kryesisht pasdite. Në jug dhe pjesët qendrore me vranësira të ndryshueshme dhe intervale me diell, në mbrëmje edhe reshje të mundshme lokale të shiut. Do të fryjë e dobët, pasdite e mesme deri e fortë nga drejtimet e veriut. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 2 deri në 15 kurse maksimale e ditës prej 6 deri në 24 gradë celsius.

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се