- Hronika
- Kolumne
-
Radio
- Izdvajamo
-
Emisije
- Dokumentarni program
- Pop top
- Europuls
- Zrno po zrno
- Radio ordinacija
- Kulturna panorama
- Zelena priča
- Epoleta
- +382
- Spona
- Svijet jednakih šansi
- Matica
- Život po mjeri čovjeka
- Link
- Izokrenuti svijet
- Koracima mladih
- Moja profesija je...
- Sportski program
- Kulturno-umjetnički program
- Muzički program
- Koracima prošlosti
- Naučno-obrazovni program
- RCG
- R98
- Programska šema
- Trofej Radija Crne Gore
- Frekvencije
- Radio drama
Ditari
29. 09. 2025.
00:00 >> 18:45
Ditari 29.09.2025
Ditarin e përgatiti, Violeta Gjokaj
MALI I ZI I DËRGON NOTË PROTESTE AMBASADËS SË KOSOVËS PËR TË SHTËNAT NË KUFI
Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi i ka dërguar sot notë proteste Ambasadës së Kosovës në Podgoricë, lidhur me të shtënat me armë zjarri që dyshohet se u erdhën nga pjesa e Kosovës në zonën pranë qendrës malazeze të skijimit, Hajlla-Shtedim, afër kufirit mes dy shteteve. “Nga organet kompetente të Republikës së Kosovës është kërkuar që t’i identifikojnë dhe t’i procedojnë autorët e këtyre incidenteve, si dhe të njoftojnë Malin e Zi për të gjitha masat dhe veprimet e ndërmarra”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Malit të Zi. Nga dikasteri i udhëhequr nga Ervin Ibrahimoviq vlerësojnë se bëhet fjalë për incidente të izoluara. Të paktën në dy raste janë regjistruar dëmtime në infrastrukturën e qendrës së skijimit Hajlla-Shtedim në Mal të Zi, e cila ndodhet rreth një kilometër e gjysmë nga kufiri me Kosovën. Në të dyja rastet, organet kompetente malazeze dyshojnë se të shtënat janë shkrepur nga territori i Kosovës.
NJË PËRPARIM I RI NË REFORMËN ZGJEDHORE DERI NË FUND TË VITIT?
Pjesa e reformës zgjedhore që u zbatua në korrik hapi një proces që pritej prej dhjetë vitesh. Janë bërë ndryshime të rëndësishme, por ato janë larg asaj që nevojitet për të zgjidhur problemet që kanë rënduar zgjedhjet tona prej vitesh, dhe gjithashtu kemi lojtarë të vetos që duan që reforma të mos zbatohet plotësisht, tha Dragan Koprivica, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Tranzicionin Demokratik, në hapje të konferencës "Reforma Zgjedhore pas Korrikut: Një Histori e Përfunduar apo një Fillim i Ri".
“Siç mund ta shohim, shumë gjëra mbeten të papërfunduara dhe besoj se të gjithë ndajmë mendimin se puna duhet të fillojë me urgjencë. Presim që reforma të vazhdojë dhe puna energjike e të gjithë aktorëve politikë, veçanërisht atyre që vërtet kanë kapacitetin demokratik dhe besojnë sinqerisht në anëtarësimin tonë në BE”, tha Koprivica.
Bashkëkryetari i Këshillit për Reformën Gjithëpërfshirëse Zgjedhore, Vasilije Çarapiq, thekson se historia nuk ka mbaruar dhe nuk përfaqëson një fillim të ri. Ai thotë se reforma ka pasur një pikë gjysmë të rrugës dhe se tani është koha për të përfunduar punën. Ai beson se puna është sfiduese dhe se ka disa çështje të mëdha që janë politikisht të tensionuara, për të cilat duhet të kërkohen kompromise.
Bashkëkryetari i Këshillit për Reformën Gjithëpërfshirëse Zgjedhore, Nikolla Rakoçeviq, thotë gjithashtu se jemi në gjysmë të fazës së parë, por se vullneti politik është i rëndësishëm tani për të parë nëse gjithçka do të mbetet një shkronjë e vdekur në letër dhe se suksesi i fazës së dytë do të varet nga vullneti politik.
SAMITI I LIDEREVE POLITIKE FEMRA PËR HERË TË PARË NË MAL TË ZI
Përfaqësimi i grave në politikë nuk është i mjaftueshëm dhe duhet të shndërrohet në ndikim real, përgjegjësi dhe ndryshime – u vlerësua në Podgoricë gjatë hapjes së Samitit të lidereve politike, i cili po mbahet për herë të parë në Ballkanin Perëndimor. Nënkryetarja e Kuvendit, Zdenka Popoviq, rikujtoi se Kuvendi ka rritur kuotat ligjore për përfaqësimin e grave në 40 për qind, çka, siç theksoi ajo, është një mesazh i qartë se vendi i gruas është aty ku merren vendimet. Në samitin që mblodhi mbi 220 deputete, ministre, kryetare bashkish dhe drejtoresha kompanish nga 65 vende, u vlerësua se ky takim është një sinjal i rëndësishëm besimi dhe bashkëpunimi, dhe se barazia gjinore është çështje demokracie.
MILLOVAC:BESIMI NË SISTEMIN PROKURORIAL DHE GJYQËSOR ËSHTË NË NIVELIN MË TË ULËT HISTORIK
Nga Organizata Joqeveritare MANS theksojnë se ishte e pritshme që në rastin e Telekomit të vinte deri te parashkrimi. Siç theksoi drejtori i Qendrës Investigative të kësaj organizate, Dejan Millovac, në programin e mëngjesit të Transmetuesit Publik, pak shpresë ngjall iniciativa e Prokurorit Special të Shtetit për Këshillin e Prokurorëve që të përcaktojë përgjegjësinë e disa prokurorëve, pasi rasti ka qenë i mbyllur nëpër sirtarë për vite me radhë. Ai thotë se, duke shqyrtuar vendimet që kemi parë muajt e fundit, mund të përfundojmë se procesi i pastrimit përfundimtar të sistemit gjyqësor dhe prokurorial nuk ka alternativë. Besimi në sistemin prokurorial dhe gjyqësor është në nivelin më të ulët historik, tha Millovac.
ZIROJEVIQ: KLUBI I DEPUTETËVE TË SD-SË DO TË MBËSHTESË INTERPELANCËN E BEÇIQIT
Funksionaret e Partisë Demokratike po përpiqen t’i “bëjnë budallenj” qytetarët duke lëshuar njoftime për shtyp që “kapërcejnë të gjitha kufijtë e logjikës së shëndoshë”, tha një deputet i Socialdemokratëve.
Grupi parlamentar Socialdemokrat do të mbështesë interpelancën për të vlerësuar punën e Zëvendëskryeministrit Aleksa Beçiq, e cila do të paraqitet nga Partia Demokratike e Socialistëve, njoftoi deputeti i SD dhe funksionari i Aleancës Evropiane, Nikolla Zirojeviq.
Zirojeviq tha se çdo shpjegim i mbështetjes për një iniciativë të tillë do të ishte "plotësisht i tepërt", duke marrë parasysh se qytetarët "janë dëshmitarë të shkëmbimeve të zjarrit pothuajse çdo ditë me pasoja, për fat të keq, tragjike", se "raste gjithnjë e më të shpeshta të abuzimit dhe keqtrajtimit të qytetarëve dhe turistëve nga protestuesit", se "nuk kalon asnjë ditë pa vdekur dikush në rrugët e Malit të Zi", dhe se "monumente për kriminelët e luftës po na kontrabandohen dhe se sektori i sigurisë është në rrëmujë të plotë".
"Për të gjitha këto arsye, Bashkimi Evropian ka kohë që mbështet ndryshimet në sektorin e sigurisë, kështu që mbështetja e kësaj interpelance është mjaft logjike", tha ai.
MUJOVIQ: LETËR MINISTRIT TË EKOLOGJISË, ZHVILLIMIT TË QËNDRUESHËM DHE ZHVILLIMIT VERIOR, DAMJAN QULAFIQ
Kryetari i Komunës së Podgoricës, Sasha Mujoviq, i dërgoi një letër Ministrit të Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Zhvillimit Verior, Damjan Qulafiq, me iniciativën për t'i propozuar Qeverisë së Malit të Zi që depozita e baltës së kuqe pran Kombinatit të Aluminit të shpallet zonë me interes publik.
Kryetari i komunës, sipas një deklarate nga Kryeqyteti, kujtoi se depozitat që përmbajnë rreth tetë milionë ton baltë të kuqe kanë paraqitur një kërcënim serioz për shëndetin e popullsisë dhe mjedisin në Fushën e Zetës dhe Shkodrës për dekada të tëra.
"Qytetarët që jetojnë pranë tyre po përballen me një numër në rritje sëmundjesh, ndërsa problemi, pavarësisht premtimeve të shumta, mbetet i pazgjidhur. Është koha që shteti dhe vetëqeverisja lokale të veprojnë së bashku për të zgjidhur një nga problemet kryesore mjedisore në Mal të Zi, për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve dhe për të konfirmuar statusin e Malit të Zi si shtet ekologjik", tha Mujoviq.
Ai theksoi se zgjidhja e kësaj çështjeje do të përfaqësonte një konfirmim të fortë të angazhimit të Malit të Zi për mbrojtjen e mjedisit dhe përmbushjen e standardeve evropiane, veçanërisht brenda Kapitullit 27, mbyllja e të cilit është thelbësore për përparimin e vendit në rrugën e tij drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
KZ: REAGIM NDAJ DEKLARATËS SË KRYETARIT TË PODGORICËS
Komuna e Zetës ka reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të Podgoricës, duke e akuzuar atë për, siç thonë, “një sulm të papranueshëm ndaj tokës së Zetës, hipokrizi politike dhe përpjekje për t’u paraqitur si “shpëtimtar” lidhur me problemin e depozitës së baltës së kuqe. Nga Zeta bëjnë me dije se muaj me radhë kanë tentuar me kërkesa dhe letra të shumta që të alarmojnë institucionet kompetente për këtë problem ekologjik, por pa marrë ndonjë reagim konkret. Në njoftim thuhet se Mujoviq qëndronte pranë depozitës së baltës së kuqe, kur, sipas tyre, u izolua politikisht për shkak të qëndrimit të tij lidhur me ndërtimin e Kolektorit në Botun.
JELENA JOVANOVIQ-NIKOLIQ DHA DORËHEQJE
Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së përgjithshme të Drejtoratit për krijimtari kulturore dhe artistike, Jelena Jovanoviq-Nikolliq, ka dhënë dorëheqje nga funksioni, pasi, siç ka deklaruar, nuk dëshiron të jetë pjesë e një procesi pune që ajo e përjeton edhe si një formë presioni politik që ndikon në gjithë komunitetin kulturor. Në një deklaratë të dërguar agjencisë Mina, Jovanoviq-Nikolliq thekson se, pavarësisht përkushtimit dhe përpjekjeve të ministres Vujoviq, ajo shpreh shqetësim të thellë. Siç tha ajo, skandali që ka shoqëruar ndarjen e Çmimit të Trembëdhjetë Korrikut, dhënia e statusit të krijuesit të shquar kulturor pa ndjekur procedurat e plota, vendimi për t’i dhënë statusin e festivalit me rëndësi të veçantë Panairit Ndërkombëtar të Librit dhe Arsimit në Podgoricë, si dhe tërheqja e emërimit të drejtoreshës Aleksandra Bozhoviq – të gjitha këto i interpreton si presione politike mbi Ministrinë e Kulturës, që e lënë kulturën dhe artin në plan të dytë dhe dëmtojnë reputacionin e institucionit.
EDHE NESËR QYTETARËT DO TË KENË MUNDËSINË TË DORËZOJNË KËRKESËN PËR ZËVENDËSIMIN E LETËRNJOFTIMEVE TË VJET
Edhe nesër deri në orën 14:00, qytetarët do të kenë mundësinë të dorëzojnë kërkesën për zëvendësimin e letërnjoftimeve të vjetra, ndërsa edhe sot para qendrës së sigurisë në Podgoricë kishte radhë të gjata. Shumë prej qytetarëve kanë pritur edhe për disa orë. Për ata që nuk dorëzojnë kërkesën për lëshimin e letërnjoftimit brenda afatit të përcaktuar, Ligji për letërnjoftimin parashikon gjoba në shumë prej 60 deri në 300 euro.
KURTI DHE LAWLER FLASIN PËR PARTNERITETIN KOSOVË–SHBA DHE SFIDAT NË BALLKAN
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është takuar sot në Nju Jork me kongresistin amerikan nga radhët e Partisë Republikane, Mike Lawler, anëtar i Komitetit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së. Sipas njoftimit të Qeverisë në detyrë, në këtë takim u diskutua për thellimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me fokus te bashkëpunimi ekonomik, investimet e huaja direkte dhe shkëmbimet tregtare. U theksua gjithashtu roli i rëndësishëm i diasporës shqiptare në këtë proces. Kryeministri Kurti e informoi kongresistin Lawler për zhvillimet e fundit në Kosovë, duke përmendur progresin në ekonomi, demokraci, siguri dhe sundimin e ligjit. Temë e diskutimit, sipas njoftimit, ishte edhe rreziku i ndikimit rus në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor. Kongresisti Lawler njoftoi Kurtin për vendimin e tij që t’i bashkohet Kaukusit të Çështjeve Shqiptare në Kongresin Amerikan.
KUVEND- I HAPET RRUGA 11 KOMISIONEVE PARLAMENTARE PËR TË NISUR PUNËN
Kuvendi u mblodh në seancë plenare këtë të hënë ku me miratimin e procesverbalit të seancës së kaluar, kur u votua përbërja e 11 komisioneve parlamentare, i hapet rruga këtyre komisioneve për të nisur nga puna.
Ndërkohë, opozita ka kërkuar mocion me debat lidhur me programin e qeverisë. Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, tha se ata po ashtu kërkojnë vijimin e procedurave për kërkesën e tyre për shkarkimin e kreut të Kuvendit, Niko Peleshi. Për komisionet parlamentare, Tabaku akuzoi se Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale po merr përgjegjësitë e komisioneve të tjera parlamentare. “Grupi parlamentar i PD ka kërkuar mocion me debat sa i përket diskutimit të programit të qeverisë, mocion për kryetarin e Kuvendit, por dhe një inteprelancë për prioritetet e qeverisë për procesin e integrimit”.
U SHKARKUA SI KRYEBASHKIAK I TIRANËS, VELIAJ KUNDËRSHTON VENDIMIN NË GJYKATËN KUSHTETUESE: I PALIGJSHËM DHE ANTIKUSHTETUES
Erion Veliaj ka kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin për shkarkimin e tij nga detyra si kryebashkiak i Tiranës.
Ai e cilëson vendimin si “të paligjshëm dhe antikushtetues”, duke iu referuar nenit 115 të Kushtetutës, sipas të cilit një kryetar bashkie mund të shkarkohet vetëm për shkelje të rënda. Në këtë kontekst, ai argumenton se ligji “Për vetëqeverisjen vendore” ka specifikuar dy raste që përbëjnë “shkelje të rëndë”: kur kryetari dënohet penalisht me vendim të formës së prerë dhe kur mungon në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë.
Sipas Veliajt, ai ende nuk është dënuar përfundimisht dhe mungesa e tij në detyrë nuk ka ardhur me vullnetin e tij, por prej një pamundësie objektive të shkaktuar nga masa e paraburgimit.
Ankimimi i Veliajt pezullon shkarkimin e tij dhe ngrin procesin e përcaktimit të një date për zgjedhjet e parakohshme në Bashkinë e Tiranës, deri në shprehjen e Gjykatës Kushtetuese.
BE: MOLDAVIA ZGJODHI EVROPËN PARA RUSISË NË ZGJEDHJET KYÇ
Bashkimi Evropian e ka përshëndetur sot rezultatin e zgjedhjeve parlamentare në Moldavi, duke thënë se ai tregoi se vendi i vogël i Evropës Lindore është vendosur qartë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Partia e presidentes së Moldavisë, Maia Sandu, pritet të dalë e para në zgjedhjet vendimtare, megjithëse u përball me një fushatë dezinformimi që besohet se u orkestrua nga Kremlini. Por, fituesi i vërtetë mund të jetë Brukseli.
PAS, partia properëndimore në pushtet e Moldavisë, shënoi fitore të thellë ndaj rivalit të saj të afërt me Rusinë në zgjedhjet e së dielës, sipas rezultateve të publikuara të hënën.
PAS-i parashikohet t’i ketë marrë të paktën 55 nga 101 ulëse në Parlament.
Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se Moldavia votoi qartësisht për Evropën, demokracinë dhe lirinë.
BE-JA KONFIRMON RIVENDOSJEN E SANKSIONEVE KUNDËR IRANIT
Bashkimi Evropian (BE) njoftoi sot se i ka rivendosur sanksione Iranit, duke e ndjekur hapin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).
“Sot, BE-ja riktheu sanksionet ndaj Iranit si përgjigje ndaj mosrespektimit të vazhdueshëm të marrëveshjes bërthamore. Dera për bisedime diplomatike mbetet e hapur”, thuhet në një deklaratë të presidencës së BE-së.
BE-ja bëri të ditur se sanksionet përfshijnë ngrirjen e aseteve të Bankës Qendrore të Iranit dhe bankave të tjera iraniane, si dhe ndalimin e udhëtimit për disa zyrtarë iranianë.
Gjithashtu, BE-ja ndaloi blerjen dhe transportin e naftës së papërpunuar nga Irani, si dhe shitjen ose furnizimin me ar dhe pajisje të caktuara detare.
Të dielën, Kombet e Bashkuara rikthyen një embargo armësh dhe sanksione të tjera ndaj Iranit për programin e tij bërthamor, pas një procesi të nisur nga fuqitë evropiane, të cilit Teherani i është kundërpërgjigjur me paralajmërime për masa të ashpra.
Britania, Franca dhe Gjermania iniciuan rikthimin e sanksioneve ndaj Iranit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke e akuzuar Teheranin për shkeljen e marrëveshjes së vitit 2015, synimi i të cilës ishte të mos e lejonte Iranin të prodhojë ndonjë bombë bërthamore.
Irani mohon se synon të prodhojë armë bërthamore.
RUSIA PARALAJMËRON PËR LUFTË BËRTHAMORE, UKRAINA DHE SHBA REAGOJNË
Tensionet mes Rusisë, Ukrainës dhe Perëndimit po rriten ndjeshëm. Rusia paralajmëron për rrezik lufte bërthamore, Ukraina kërkon mburojë ajrore me aleatët, ndërsa SHBA mbështet sulmet ukrainase në territorin rus. Ndërkohë, sulmet ajrore kanë shkaktuar viktima në Moskë, Kiev dhe Zaporizhia. Situata mbetet kritike. Zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Dmitry Medvedev, ka lëshuar një paralajmërim të ashpër, duke thënë se nëse udhëheqësit evropianë nisin një luftë kundër Rusisë, ajo mund të përshkallëzohet në një konflikt bërthamor. Në një postim në Telegram, Medvedev tha se Rusia nuk ka interes për një luftë me "Evropën e vjetër dhe të ftohtë", por theksoi se ekziston gjithmonë mundësia për "një aksident fatal", që mund të çojë në përdorimin e armëve të shkatërrimit në masë. Në të njëjtën kohë, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, në një fjalim përmes video-lidhjes në Forumin e Sigurisë së Varshavës, kërkoi ndërtimin e një mburoje ajrore të përbashkët me aleatët evropianë për t’u mbrojtur nga sulmet ruse. Ai u bëri thirrje Polonisë dhe vendeve të tjera partnere që të bashkëpunojnë për krijimin e një sistemi mbrojtës të besueshëm ndaj kërcënimeve ajrore nga Rusia.Ndërkohë, tensionet në terren vijojnë të përshkallëzohen. Dy persona u vranë gjatë një sulmi me dron në rajonin e Moskës, sipas autoriteteve lokale. Ministria Ruse e Mbrojtjes njoftoi se gjatë natës janë shkatërruar 84 dronë ukrainas në tetë rajone të vendit, ndërsa janë goditur edhe objektiva ushtarake ukrainase.
NESËR MOT I NDRYSHUESHËM
Në pjesën më të madhe të Malit të Zi mban mot me vranësira mesatare deri krejtësisht i vranët , në pjesët jugperëndimore, vende- vende me reshje te dobëta te shiut. Frynë erë e dobët nga drejtimet e ndryshme. Temperaturat e shënuara ne orën 14: Tivar 25, Podgoricë 24, Ulqin 23, Budvë e Nikshiq 19, H.Novi 18, Plluzhinë 17,Shavnik 16, Cetinë 15, Bijello Pole , Plevle, Petnjicë e Guci 14, Beranë e Andrievicë 13, Kollashin 12, Rozhajë 10 dhe në Zhablak 9 grade. Për nesër në jug pritet mot kryesisht me diell, vende-vende me vranësira të pakta. Në veri priten vranësira të ndryshueshme me intervale të gjata me diell. Do të fryjë erë kryesisht e lehtë, nga drejtime të ndryshme. Temperatura e mëngjesit nga 4 deri në 16, ndërsa më e larta e ditës nga 13 deri në 26 gradë.
Коментари0
Остави коментар