Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема
MNE Play
MNE Play

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

15. 09. 2025. 00:00 >> 13:13

Ditari 15.09.2025

Ditarin e përgatiti Marash Dedvukaj

Deputetët nuk e kanë miratu sot rendin e ditës, për të zgjedhur avokaten Mirjana Vuçiniq si gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese

Deputetët në Parlamentin e Malit të Zi nuk e kanë miratu sot rendin e ditës, pika e vetme e të cilit ishte propozimi i Presidentit Jakov Millatoviq për të zgjedhur avokaten Mirjana Vuçiniq si gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese. 59 deputetë votuan - 21 votuan pro, ndërsa 38 abstenuan. Nuk pati vota kundër. Për t'u zgjedhur në këtë pozicion, ishte e nevojshme të mbështetej nga 54 deputet. Nëse ajo nuk merrte shumicën, do të kalonte në raundin e dytë të vendimmarrjes, në të cilin do ti duheshin 49 vota të parlamentarëve. Sipas shkrimeve të mëparshme të "Vijesti", Vuçiniq kishte pak shanse për t'u zgjedhur në këtë pozicion. Demokratët deklaruan se nuk do ta mbështesnin propozimin, dhe sipas informacioneve jozyrtare, ajo nuk kishte as mbështetjen e partisë më të fortë në pushtet - Lëvizjes Evropa Tani (PES). Propozimi i Millatoviqit për zgjedhjen e saj ka qenë në "sirtarin" e dhomës më të lartë legjislative që nga mesi i majit, dhe në fillim të shtatorit ai kërkoi që Kuvendi të deklarohej për këtë çështje në një seancë të jashtëzakonshme. Gjykata Kushtetuese punon me një përbërje të reduktuar, duke pasur parasysh se aktualisht ka katër nga shtatë gjyqtarë, që është numri i përgjithshëm i gjyqtarëve që duhet të ketë ky institucion.

A.Nikoliq - Mali i Zi me qeverinë aktuale po bëhet një vend jofunksional

Mali i Zi me qeverinë aktuale po bëhet një vend jofunksional, tha deputeti i Partisë Demokratike të Socialistëve , Andrija Nikoliq, duke potencuar se ka frikë se interesi i shumicës është që Gjykata Kushtetuese të bllokohet. Në seancën e jashtëzakonshme, ata nuk diskutuan propozimin për zgjedhjen e Mirjana Vuçiniq si gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese, sepse rendi i ditës nuk u miratua. Nikoliq tha se Gjykata Kushtetuese ka katër gjyqtarë, dhe i katërti duhet të dalë në pension deri në fund të vitit. "Ky është një poshtërim që shumica parlamentare i ka shkaktuar Presidentit të Malit të Zi", tha Nikoliq. Siç tha ai, për shkak të qëndrimit të papërgjegjshëm dhe arrogant të shumicës parlamentare, vendi po përballet me një problem potencial me funksionimin e Gjykatës Kushtetuese. Nikoliq tha se është në interesin e dikujt që vendi të ketë një demokraci përfaqësuese jofunksionale dhe që Gjykata Kushtetuese të sillet në një bllokadë të re. Sipas tij, është e palogjikshme të caktohet një seancë e jashtëzakonshme dhe të mos votohet dhe të mos lejohet fare që seanca të zhvillohet. "Kush po i ikën diskutimeve në këtë rast? Ata mburren se kanë një shumicë parlamentare në rritje për ta afruar Malin e Zi me BE-në, por ne shohim se ata praktikisht po ikin nga përballja me diskutimet me opozitën, përfshirë presidentin e shtetit Jakov Millatoviq , tha Millosh Konatar. Ai poashtu tha se sot Millatoviq u poshtërua nga njerëzit me të cilët është në koalicion, në nivel lokal.

Millorad Markoviq, ka formua Ekipin Operativ për luftën kundër krimit mjedisor

Prokurori i Lartë i Shtetit i Malit të Zi, Millorad Markoviq, ka formua Ekipin Operativ për luftën kundër krimit mjedisor, me qëllim një qasje të koordinuar dhe sistematike të organeve dhe institucioneve shtetërore në luftën kundër formave komplekse të krimit mjedisor, njoftoi sot Prokuroria e Lartë e Shtetit. Aktivitetet e ekipit do të kontribuojnë në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përfshirjen e shoqërisë civile në rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit", tha Zyra e Prokurorit të Lartë të Shtetit në deklaratë. Siç thuhet në njoftim, ky ekip multidisiplinar, i përbërë nga përfaqësues të prokurorisë, policisë, ministrive kompetente në fushën e ekologjisë, planifikimit hapësinor dhe menaxhimit të burimeve natyrore, si dhe ekspertë të tjerë në fushën e mbrojtjes së mjedisit, do të ketë detyrën e reagimit më efektiv ndaj akteve kriminale që kërcënojnë burimet natyrore, biodiversitetin dhe shëndetin e qytetarëve, thuhet në deklaratë. Përveç kësaj, siç thuhet, puna e përbashkët e institucioneve do të lehtësojë mbledhjen e të dhënave mbi përfitimin financiar të realizuar nga kryerja e krimeve mjedisore, gjë që do të mundësojë kryerjen e hetimeve financiare dhe krijimin e lidhjeve me krimin e organizuar dhe korrupsionin. "Kjo iniciativë do të forcojë ndjeshëm kapacitetet e institucioneve malazeze në luftën kundër krimit mjedisor, në përputhje me standardet dhe rekomandimet evropiane në fushën e mbrojtjes së mjedisit", përfundon njoftimi i Prokurorisë së Lartë shtetërore.

Knezheviq - problemi nuk është tek unë dhe partia ime por tek "marrëveshja korruptive"

Ndihem si Donald Trump, e tëra çfarë u mbetet është të më qëllojnë dhe të përfundojnë projektin mediatik, joqeveritar dhe politik që drejtohet kundër meje dhe pikëpamjeve që unë mbroj. Kjo u tha nga kreu i Partisë Demokratike Popullore Millan Knezheviq pas seancës dëgjimore në Qendrën e Sigurisë në Podgoricë. Ai u raportua në Drejtorinë e Policisë të premten nga aktivisti civil dhe mjedisor Aleksandar Dragiqeviq, duke deklaruar se ndihej i kërcënuar nga deklaratat e kreut të PDP nga protesta në Botun në komunën e Zetës. Knezheviq u tha gazetarëve se e percepton këtë kërkesë si një lloj presioni politik. "Të gjithë do ta bëjnë këtë nëse kundërshtojnë projektet dhe shoqatat anarkoliberaliste që nuk mund të pajtohen me ndryshimet globale pas fitores së Donald Trump", tha Knezheviq, duke shtuar se e sheh Qendrën e Sigurisë si "shtëpinë e tij". Ai tha se problemi nuk është tek ai dhe partia e tij, por tek "marrëveshja korruptive" që ish-kryetari i bashkisë së Podgoricës, Ivan Vukoviq, nënshkroi me kompanitë turke."Ku vetëm rreth 13 milionë euro u shpenzuan për shërbime konsulence, ndërsa situata faktike e jetës në Zetë u injorua. Në vitin 2021, qytetarët e Botunit paraqitën një peticion dhe përcaktuan qartë se një impiant për trajtimin e ujërave të zeza nuk mund të ndërtohet menjëherë pranë Uzinës së Aluminit në Podgoricë (KAP), sepse do të ishte një katastrofë mjedisore duke pasur parasysh (mos)rehabilitimin e pellgut të baltës së kuqe", tha Knezheviq. Ai theksoi vazhdimisht se kjo është neglizhencë administrative dhe poshtërim i qytetarëve të Zetës. "Është e qartë se kjo është një ndërmarrje e përbashkët mediatike, politike dhe joqeveritare, me qëllim qetësimin dhe ndalimin e aktiviteteve të mia me qytetarët e Botunit me qëllim mbrojtjen dhe ruajtjen e mjedisit", tha Knezheviq.

Gjykata Supreme e Malit të Zi pranohet në Institutin Ligjor Evropian

Gjykata Supreme e Malit të Zi është pranua në Institutin Ligjor Evropian (ELI), një organizatë e pavarur dhe demokratike e bazuar në anëtarësim, e cila u themelua në vitin 2011 në Bruksel. Siç njoftoi Gjykata Supreme, ELI, e frymëzuar nga puna e Institutit Amerikan të Drejtësisë (ALI) në vitin 1923, ka një mision për të çuar përpara zhvillimin ligjor në Evropë duke filluar dhe kryer kërkime, duke dhënë rekomandime dhe duke ofruar udhëzime praktike mbi sistemin ligjor evropian, dhe projektet e saj mbulojnë të gjitha fushat e ligjit, materiale dhe procedurale, publike dhe private. "Instituti, duke punuar për të përmirësuar legjislacionin, kontribuon në tejkalimin e problemeve midis kulturave të ndryshme ligjore, si dhe midis shkencës dhe praktikës", thuhet në deklaratë. ELI mbledh një rrjet të gjerë ekspertësh, me më shumë se 1.7 mijë anëtarë individualë dhe 160 institucionalë, duke përfshirë Parlamentin Evropian, Gjykatën e Drejtësisë të Bashkimit Evropian, Komisionin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtën Tregtare Ndërkombëtare , Institutin Ndërkombëtar për Unifikimin e së Drejtës Private, gjykata të shumta supreme të Evropës, fakultete, zyra avokatie dhe shoqata profesionale. Kryetarja e Gjykatës Supreme, Valentina Pavliçiq, deklaroi se duke iu bashkuar ELI-t, gjykata nën mbikëqyrjen e saj konfirmon angazhimin e saj ndaj vlerave ligjore evropiane dhe hap dyer të reja për shkëmbimin e njohurive, përvojave dhe praktikave më të mira me institucionet dhe ekspertët kryesorë ligjorë në Evropë dhe në botë", tha Pavliçiq.

Gjyqi në Hagë, Rubin: Thaçi kishte rol politik në UÇK, nuk diktonte kushte

Ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi thirri sot ish-Ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit, Xhejms Rubin, për të dëshmuar në favor të tij në Hagë, ku akuzohet për krime lufte. Dëshmitari i ditës u paraqit në Gjykatën Speciale së bashku me përfaqësues aktualë të qeverisë amerikane.Rubin ishte i dërguar i lartë i Sekretares së Shtetit, Medllin Ollbrajt dhe u përfshi në punimet në Rambuje me përfaqësuesit shqiptarë për marrëveshjen e paqes mes Kosovës dhe Jugosllavisë. Ai ka treguar para trupit gjykues se gjatë periudhës 1997-2000 ka shërbyer si ndihmëssekretar i Shtetit për çështjet publike dhe si zëdhënësi kryesor që ka raportuar drejtpërsëdrejti përpara sekretares së shtetit, Madeleine Albright. Gjatë angazhimit për konferencën e Rambujesë, Rubin ka thënë se është takuar disa herë me Thaçin, për të cilin tha se “ishte i shqetësuar që nuk do ta kishte autoritetin ose lejen e plotë për ta nënshkruar marrëveshjen e Rambujesë”. Avokati i ish-presidentit Thaçi, Pier Prosper tha se dëshmia e ish-ndihmëssekretarit amerikan do të jetë “shans për të dëgjuar të vërtetën se çfarë ndodhi dhe kush ishin përgjegjësit”. Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka nisur në prill të vitit 2023.

Shqipëria çel nesër katër kapituj të tjerë të negociatave me BE

Shqipëria do të hapë nesër edhe katër kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Nesër do të mbahet konferenca e radhës ku, siç paralajmërohet, do të hapen edhe 4 kapituj të rinj të negociatave për anëtarësim. Kryeministri shqiptar, Edi Rama deklaroi se ftesa për hapjen e kapitujve u bë nga presidenca Daneze e Bashkimit Europian, në prani të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare. Këto i shtohen 24 kapitujve të hapur brenda 11 muajve të fundit, ku sipas Ramës, përbën një rekord absolut për shpejtësinë e procesit negociator. Derisa ministrja e Danimarkës do të paraqesë të ashtuquajturin “Qëndrim të Përbashkët të BE-së”, siç është rënë dakord nga BE, dhe do t’i kërkojë kryeministrit Rama nëse Shqipëria mund të bjerë dakord me hapjen e këtij grupi, komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos do të japë gjithashtu vërejtjet e saj në këtë drejtim, kurse kryeministri Rama do të paraqesë qëndrimin e Shqipërisë.

Shefi i ushtrisë serbe hedh poshtë kritikat për paradën ushtarake në Beograd

Në Serbi, si dhe në Republika Sërpska, sot shënohet Dita e bashkimit serb, lirisë dhe flamurit kombëtar, në kujtim të 15 shtatorit të vitit 1918, kur ushtria serbe theu frontin e Selanikut, me çgjë u shpërbeu aleanca e Fuqive qendrore dhe përfundimin e Luftës së Parë Botërore. Manifestimi qendror u mbajt në Gaxhin Han. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në mesazhin e tij nga Japonia tha se sot me krenari shënojmë Ditën e bashkimit, lirisë dhe flamurit kombëtar, që na kujton atë që na bashkon. Këtë vit, dita e bashkimit serb, do të shënohet edhe me një paradë të madhe ushtarake më 20 shtator në Beograd. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Millan Mojsilloviq, lidhur me paradën e ardhshme ushtarake në Beograd, tha se ushtria serbe nuk dëshiron të përfshihet në politikë dhe lojërat e saj. Ai hodhi poshtë kritikat se me paradën ushtarake frikësohen qytetarët dhe kërcënohen fqinjët, duke e quajtur këtë “manipulim”. Nga ana tjetër, Policia serbe hodhi gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit antiqeveritarë në qytetin e Novi Sadit, ndërsa studentët vazhdojnë të kërkojnë zgjedhje të parakohshme. Protestat janë pjesë e tubimeve të organizuara nga studentët në Serbi.

Trump paralajmëron Netanjahun: Katari aleat i shkëlqyer i SHBA, ki kujdes!

Presidenti i SHBA, Donald Trump, tha se Izraeli duhet të jetë “shumë i kujdesshëm” në mënyrën se si e trajton Katarin. Ata duhet të bëjnë diçka kundër Hamasit, por Katari ka qenë dhe është një aleat i shkëlqyer i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shumë nuk e dinë,” tha Trump, pak ditë pas sulmit ajror të paprecedentë të Izraelit në një kompleks banimi në Katar, në Doha, ku ndodheshin drejtues të lartë të lëvizjes palestineze Hamas. Presidenti amerikan, i cili priti kryeministrin e Katarit në New Jersey, u tha gazetarëve se Katari ka qenë një aleat i shkëlqyer dhe se Izraeli, si dhe të tjerët, duhet të jenë shumë të kujdesshëm. “Kur sulmojmë njerëz, duhet të jemi të kujdesshëm,” u shpreh Trump. Në ditën e 710-të të konfliktit në Lindjen e Mesme, ushtria izraelite, konfirmoi sulmin në një ndërtesë në qytetin e Gazës mbrëmjen e së dielës, pasi sipas saj ajo po përdorej nga Hamasi. Ndërkohë, transmetuesi publik izraelit “Kan” ka bërë me dije se përpara operacionit izraelit për të pushtuar qytetin e Gazës, Hamasi ka zhvendosur pengjet, gjë e cila u dëshmua edhe nga një video e publikuar nga grupi terrorist, ku një prej pengjeve ndodhej në sediljen e pasme të një makine.

Trump: Urrejtja mes Putinit dhe Zelensky-t po zgjat luftën

Në ditën e 1,300-të të luftës në Ukrainë, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se përfundimi i konfliktit ka rezultuar më i ndërlikuar nga sa kishte pritur fillimisht, duke e cilësuar si shkak “urrejtjen e pakuptueshme” mes presidentit rus Vladimir Putin dhe atij ukrainas Volodymyr Zelensky. Gjatë një deklarate për mediat, Trump theksoi se ndoshta do të duhet të ndërhyjë personalisht për të mundësuar një takim mes dy liderëve, pasi “ata e urrejnë aq shumë njëri-tjetrin sa mezi flasin”. Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky bëri të ditur se forcat e armatosura të Ukrainës kanë shënuar përparim në zonat kufitare të rajonit verior të Sumy-t, një territor ku trupat ruse kanë tentuar prej muajsh të konsolidojnë një pikëmbështetje. Ai shtoi gjithashtu se, sipas raporteve të komandantit të përgjithshëm të ushtrisë, forcat ruse kanë pësuar humbje të konsiderueshme në rajonet e Donetskut dhe Kharkivit përgjatë një vije fronti prej 1,000 kilometrash. Situata në jug të vendit mbetet gjithashtu e tensionuar. Autoritetet lokale në rajonin e Zaporizhzhya-s raportojnë se forcat ruse kanë kryer 607 sulme në 17 vendbanime, ku për pasojë është vrarë një person dhe janë plagosur dy të tjerë. Sipas kreut të administratës ushtarake rajonale, Ivan Fedorov, në sulme janë përdorur 398 dronë, 191 predha artilerie dhe nëntë raketahedhës të shumtë. Në një zhvillim tjetër, njësitë ukrainase kanë ndërmarrë një sulm me dron në rafinerinë e naftës në qytetin Kirishi, në rajonin e Leningradit të Federatës Ruse. Sipas autoriteteve lokale, tre dronë janë rrëzuar në zonë, por mbetjet e tyre shkaktuan zjarr në objekt, i cili tashmë është vënë nën kontroll.

Rubio takim me Netanyahun pas sulmit izraelit në Katar

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, është takuar me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Jerusalem, ku pritet të diskutojnë pasojat e sulmit të fundit izraelit në Katar. Sulmi, i cili kishte në shënjestër drejtues të lartë të Hamasit në territorin e Katarit, një aleat i ngushtë i Shteteve të Bashkuara, ka shkaktuar zemërim ndërkombëtar dhe është kritikuar edhe nga Presidenti Donald Trump. Rubio deklaroi më herët se “nuk jemi të kënaqur me këtë. Presidenti nuk ishte i kënaqur. Tani duhet të ecim përpara dhe të kuptojmë çfarë do të ndodhë më tej”. Takimi zhvillohet në të njëjtën kohë që liderët arabë po mbajnë një samit në mbështetje të Katarit, ndërsa kryeministri i këtij vendi i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të ndalojë zbatimin e “standardeve të dyfishta” dhe të marrë masa kundër Izraelit. Katari është një vend që strehon një bazë të rëndësishme ajrore amerikane dhe ka luajtur një rol kyç në negociatat indirekte midis Izraelit dhe Hamasit për përfundimin e luftës në Gaza.

Vazhdon stërvitja e përbashkët strategjike Rusi-Bjellorusi

Ministria Ruse e Mbrojtjes tregoi sot dia pamje që tregonin aeroplanët e saj luftarakë MIG-31 që bashkoheshin me patrullat Tu-22M3 mbi ujërat neutrale të Detit Barents. Gjithashtu, në Detin Baltik u zhvillua një stërvitje për të sprapsur sulmet nga anijet armike pa pilot. Stërvitja ka përfshirë mbi 10 anije dhe 10 barka luftarake, si dhe mbi 500 ushtarakë të Flotës Baltike", thuhet në përshkrimin e videos. Përveç kësaj, në rajonin e Kaliningradit, njësitë detare të Flotës Baltike përfunduan detyrat bregdetare të mbrojtjes kundër uljes. Stërvitjet e përbashkëta ushtarake që do të zgjasin deri më 16 shtator, vijnë në një kohë tensionesh të larta me NATO-n pasi kur dronët rusë shkelën hapësirat ajrore të Polonisë dhe Rumanisë, të dyja anëtare të aleancës veriatlantike dhe BE-së. Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, e quajti incidentin e fundit "një tjetër shkelje të papranueshme të sovranitetit të një shteti anëtar të BE-së". Edhe Presidenti amerikan Donald Trump, ka folur gjithashtu për shkeljen e hapësirës ajrore më parë këtë javë, duke thënë se ishte gati të vendoste sanksione më të ashpra ndaj Rusisë, por vetëm nëse vendet e NATO-s përmbushnin kushte të caktuara, të tilla si ndalimi i blerjes së naftës ruse.

Nesër mot i ngjashëm me të sotmin

Sot në Mal të Zi ka mbajtë mot me diell dhe vende vende me vranësira të dobëta e kalimtare. Frynë erë e dobët deri e mesme nga drejtimet e ndryshme. Temperaturat në orën 14: Podgoricë e Budvë 31 gradë, H. Novi, Tivar e Ulqin 29, Rozhajë 28, Nikshiq e Cetinë 27, Plluzhinë e Shavnik 26, Beranë, B.Pole e Andrievicë 25, Plevle e Kollashin 24, Petnicë 23 dhe në Zhablak 20 gradë.
Për nesër metereologët parashohin të mbajë mot me diell dhe i ngrohtë. Do të fryjë erë e dobët deri e mesme nga drejtimet e ndryshme. Temperatura e mëngjesit do të sillet prej 8 deri në 19 kurse më e larta e ditës prej 21 deri në 31 gc.

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се