Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема
MNE Play
MNE Play

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

09. 09. 2025. 00:00 >> 18:40

Ditari 09.09.2025

Përgatiti, Musa Gjoka

JANË SEKUESTRUAR PASURI DHE PARA ME VLERË MBI 62 MILIONË EURO

Me propozim ose në iniciativë të Prokurorisë së Posaçme të Shtetit, Gjykata e Lartë në Podgoricë ka caktuar, në gjysmën e parë të këtij viti, masën e përkohshme të ndalimit të disponimit me pasuri të paluajtshme në Mal të Zi, me një sipërfaqe të përgjithshme prej 1.650.116 m², nga të cilat mbi 1 milion e 180 mi m² janë hapësira banimi, biznesi, parkingu dhe garazhe. Sipas njoftimit të Prokurorisë, përfshihen edhe hotele dhe objekte të naftësjellësit, ndërsa pjesa tjetër përfshin kategori të ndryshme tokash, pemishte, kopshte, pishina, hapësira magazinimi dhe jo-banimi, etj. Në 14 raste të trajtuara nga Prokuroria e Posaçme janë sekuestruar mjete monetare në shumën totale prej mbi 62 milion euro, mbi 2 milion rubla ruse, mbi 173 mi dollarë amerikanë e tjerë. Ndërsa në tre raste, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar edhe ndalimin e përkohshëm të pagesës ose dhënies së mjeteve të dyshimta në shumën prej mbi 2 milion euro, si dhe janë sekuestruar para të gatshme në shumën prej mbi 100 mi euro, thuhet në njoftimin e Prokurorisë. Me propozimin e Prokurorisë së posaçme, në gjysmën e parë të këtij viti janë sekuestruar edhe 74 automjete, shtohet më tej.

DANILLO MANDIĆ "VODHI" MAKINËN E AXHËS?

Prokuroria dyshon se nipi i Andrija Mandiqit ka vjedhur një makinë të Kuvendit në natën kur u plagosën dy persona në Podgoricë. "Vijesti" ka shkruar se Danillo Mandiq nuk ka qenë asnjëherë i punësuar apo i angazhuar në ndonjë mënyrë tjetër në Shërbimin e institucionit më të lartë ligjvënës, prandaj shtrohet pyetja se si ka mundur, gjoja, ta marrë makinën. Sipas Kodit Penal, kushdo që në mënyrë të paligjshme merr një automjet të huaj me qëllim për ta përdorur për vozitje, do të dënohet me gjobë ose burgim deri në dy vjet. bProkuroria e Podgoricës akuzon Danillo Mandiqin, nipin dhe rojën joformale të kryetarit të Kuvendit Andrija Mandiq, se natën e 19 prillit, kur supozohet se plagosi dy persona në qendër të Podgoricës, ka vjedhur një automjet zyrtar të Kuvendit. Këtë e kanë thënë dje për "Vijesti" nga kjo prokurori, e cila në fund të prillit hapi çështje zyrtarisht për shkak të dyshimeve për keqpërdorim të automjetit të institucionit më të lartë ligjvënës.

KOVAÇEVIQ: E MOHOVA FAJËSINË

Kryetari i Komunës së Nikshiqit dhe nënkryetar i partisë Demokracia e re serbe, Marko Kovaçeviq, ka deklaruar se ka dhënë deklaratë në Prokurorinë e Lartë të Shtetit në Podgoricë në çështjen që është hapur kundër tij për shkak të fjalimit në Grahovcë, dhe se ai e ka mohuar fajësinë. Ai tha se disa media, me qëllim të keq, problematizuan  fjalimin e tij në Grahovcë, në vend që të reagojnë ndaj brohoritjes së mbrëmshme "Vrite serbin", në ndeshjen e futbollit ndërmjet Kroacisë dhe Malit të Zi në Zagreb.      Kovaçeviq theksoi se disa media po zhvillojnë një fushatë të pistë kundër tij dhe po ndërtojnë një narrativë rreth fjalimit të tij, në të cilin, sipas tij, nuk ka asnjë thirrje për dhunë.  Ai shtoi se mbrëmë, pas ndeshjes Kroaci - Mal i Zi, sipas raportimeve të atyre mediave, mund të shihej se për ta nuk ka asgjë të diskutueshme në brohoritjet e tifozëve në "Maksimir": "Vrite serbin".

ZHELJAZKOV: BULLGARIA MBËSHTET MALIN E ZI NË RRUGËN DREJT BE-SË

Kryeministri i Bullgarisë, Rosen Zhelazkov, ka theksuar se mbështetja e shtetit të tij për Malin e Zi në rrugën drejt Bashkimit Evropian është e fuqishme dhe e pakontestueshme, duke kujtuar se popujt tanë kanë qenë të lidhur për shekuj me radhë dhe janë mbështetur reciprokisht. Ai e hapi ligjëratën e tij për të ardhmen evropiane të gjeneratave të reja në Fakultetin e Shkencave Politike në Podgoricë. Gjatë fjalës së tij me temën "Evropa e gjeneratave të reja: Përparësitë e anëtarësimit në BE dhe mësimet nga rruga e Bullgarisë", Zheljazkov kujtoi se Bullgaria ishte një nga vendet e para që e njohu pavarësinë e Malit të Zi. Ai theksoi gjithashtu mbështetjen e fuqishme të Bullgarisë për rrugën evropiane të Malit të Zi. “Bullgaria qëndron përkrah Malit të Zi dhe e mbështet në rrugën drejt BE-së, si një vend lider në procesin e integrimeve evropiane. Ju urojmë për gjithçka që keni arritur deri tani, për guximin për të zbatuar reformat, dhe ju siguroj që keni mbështetjen e Bullgarisë në këtë rrugë,” tha kryeministri bullgar. Ai shtoi se Mali i Zi duhet të besojë në vetvete dhe të qëndrojë i palëkundur drejt qëllimeve të tij. Duke folur për sfidat me të cilat përballet BE-ja, ai theksoi se kur flasim për Bashkimin Evropian, duhet të kemi parasysh se bota e sotme po përjeton ndryshime të mëdha.

PEJOVIQ: DINAMIKËN E RRUGËS DREJT BE-SË E KRITIKOJNË ATA QË KANË MBYLLUR VETËM TRE KAPITUJ

Dinamiken e rrugës evropiane e kritikojnë strukturat politike të cilat, gjatë negociatave me Bashkimin Evropian, kanë mbyllur vetëm tri kapituj ndërsa ishin në pushtet për disa mandate, deklaroi sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes Evropa Tani dhe nënkryetari i Kuvendit, Boris Pejoviq. Siç tha ai, se Mali i Zi sot është vendi më afër anëtarësimit të plotë në BE e pohojnë të gjithë faktorët relevantë për procesin e zgjerimit, përfshirë edhe komisionaren evropiane Marta Kos. “Megjithatë, as fakti që Qeveria aktuale deri më tani ka mbyllur më shumë kapituj negociues sesa të gjitha qeveritë e mëparshme së bashku, nuk i demotivon disa parti politike opozitare, si dhe analistët dhe lobistët e afërt me ta, që të imponojnë përshtypjen se megjithatë nuk është ashtu siç përfundojmë të gjithë në bazë të fakteve të sakta dhe deklaratave të zyrtarëve evropianë”, thuhet në deklaratën e Pejoviqit.

OSMANI: KUVENDI NUK MUND TË BLLOKOHET PËR NJË NËNKRYETAR

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar sot se funksionalizimi i Kuvendit të Kosovës nuk duhet të bllokohet nga mungesa e një nënkryetari, si dhe e kritikoi Listën Serbe se po “synon” ta bllokojë formimin e institucioneve të vendit. Duke folur në një konferencë për media në Prishtinë, Osmani tregoi se sapo i ka dërguar komentet e saj në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës lidhur me ankesën e partisë më të madhe të serbëve për votimin e nënkryetarëve të Kuvendit.  “Në rrethana kur bllokohet puna e Kuvendit, përkundër faktit që kryesia ka kuorum, pamundësohet ushtrimi i sovranitetit. Bllokimi i Kuvendit për mos përzgjedhjen e një nënkryetari, përderisa kryesia ka kuorum, do t'i cenonte në mënyrë serioze edhe themelet mbi të cilat është ndërtuar republika jonë”, tha Osmani. Ajo shtoi se “po synohet që për një nënkryetar të bllokohet shteti në tërësi. Një shtet pa institucione është shtet i dështuar”.

URDHRI I USHTRISË IZRAELITE PËR EVAKUIM SHKAKTON PANIK NË QYTETIN E GAZËS

Ushtria izraelite sot urdhëroi banorët e Qytetit të Gazës të evakuohen para fillimit të një ofensive të re, një ditë pasi Izraeli paralajmëroi se do t’i shpeshtojë sulmet ushtarake, nëse Hamasi nuk i liron pengjet e mbetura në Gazë. nBanorët e qytetit me një milion palestinezë e kanë pritur një sulm të tillë prej javësh, qëkurse Qeveria izraelite e përgatiti një plan për t’i dhënë Hamasit një goditje vdekjeprurëse duke ia rrënuar bastionet e fundit grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. "U them banorëve të Gazës, shfrytëzojeni këtë mundësi dhe më dëgjoni me kujdes: ju kemi paralajmëruar: largohuni prej andej!” tha kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu. Urdhrat për evakuim shkaktuan panik dhe hutim mes banorëve të qendrës më të madhe urbane të Rripit të Gazës.

UKRAINA KRYEN SULME AJRORE NË DY QYTETE NË PJESËN E PUSHTUAR TË DONJECKUT

Forcat ukrainase kanë kryer sulme me dronë dhe raketa ndaj dy qyteteve në pjesët e pushtuara të rajonit lindor të Ukrainës, Donjeck, mbrëmjen e së hënës. Dy njerëz u vranë dhe 16 të tjerë u plagosën në këto sulme, sipas Denis Pushilin, kreut të vendosur nga Rusia në rajonin e Donjeckut. Forcat ukrainase goditën shënjestrat në qytetin Donjeck dhe në Makivka, një qytet industrial në veri të rajonit të Donjeckut, tha Pushilin të hënën vonë. Zyrtarë të sigurisë në zonat e pushtuara thanë se të paktën 20 dronë u përdorën në dy sulmet dhe se njësitë e mbrojtjes ajrore u aktivizuan. Agjencitë ruse të lajmeve cituan zyrtarët të kenë thënë se shpërthimet u dëgjuan në të gjithë qytetin Donjeck. Një ndërtesë banimi nëntë katëshe në Makivka u godit nga një dron, dhe video në rrjete sociale shfaqën sulme me raketa, përfshirë ndaj një fabrike të dikurshme të sistemeve ushtarake të mbikëqyrjes në Donjeck.

RRËZOHET QEVERIA FRANCEZE

Parlamenti i Francës ka rrëzuar Qeverinë e kryeministrit Francois Bayrou, pas nëntë muajsh në pushtet, pasi ekzekutivi i tij humbi mocionin e votëbesimit që ai thirri më 8 shtator. Gjatë votimit në Asamblenë Kombëtare, 364 deputetë votuan për rrëzimin e Qeverisë, ndërkaq 194 ishin kundër. “Në linjë me nenin 50 të Kushtetutës, kryeministri duhet të dorëzojë dorëheqjen e Qeverisë së tij”, tha kryetari i Parlamentit, Yael Braun-Pivet.     AFP-ja, duke u thirrur në burime, tha se Bayrou do t’i dorëzojë dorëheqjen e tij presidentit Emmanuel Macron të martën në mëngjes. Bayrou është kryeministri i tretë që Franca ka pasur në 12 muaj. Rrëzimi i Qeverisë pritet të shkaktojë edhe më shumë paqëndrueshmëri për ekonominë e dytë më të madhe të Bashkimit Evropian. Bayrou, politikan centrist, 74 vjeç ishte emëruar nga presidenti Emmanuel Macron para më pak se nëntë muajsh. Bayrou ka thënë se beson se shkurtimet janë të nevojshme për t’i frenuar deficitin dhe borxhet në rritje të shtetit francez.

SONTE NË TUZ HAPET PANAIRI I 6 I LIBRIT

Sonte në Tuz hapet edicioni i 6-të i Librit, sipas organizatorit, Komunës së Tuzit, ky panair tashmë është bërë një traditë e bukur, duke sjellë së bashku botues, autorë dhe lexues nga e gjithë trevat. “Libri mbetet ura më e fortë që lidh gjeneratat dhe forcon identitetin tonë kulturor”, thonë nga kjo komunë. Programi prej sot e deri me 12 shtator, përfshin lexime për të rritur dhe fëmijë, biseda me autorë, promovime librash dhe diskutime kulturore. Sonte në mbrëmje, pas hapjes, do të promovohet libri, Ora e Kosovës, Pavarësia dhe shtet ndërtimi, të autorit, ish presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, për të cilin do të flasë vet autori dhe mysafir tjetër kosovar, dr. Ibrahim Beriash, kurse moderatorë do të jetë, Rina Muhaj. Siç thuhet në njoftim, Panairin e sivjetmë do ta hap kryetari i Komunës, Lindon Gjelaj.

PASDITE ME SHI, DERI NË 32 GRADË

Kryesisht i kthjellët ishte moti sot, vende vende me vranësira  graduale. Frynë erë e lehtë deri e mesme nga drejtimet e jugut. Temperaturat në ora 14 u shënuan; Beranë, Podgoricë e B. Pole 30, Ulqin, Budvë e Rozhajë 29, H. Novi 28, Tivar, Plevle, Andrievicë e Petnicë 27, Nikshiq, Cetinë e Shavnikë 26, Kollashin 25 dhe në Zhablak 23 gradë.

Për nesër meteorologët paralajmërojnë mot në mëngjes të kthjellët kurse nga mesi i ditës vranësira që do të rezultojnë me të reshura në orët e mbrëmjes. Do të fryjë erë e lehtë deri e mesme nga drejtimet e jugut, në orët e pasdites e fortë. Temperatura e mëngjesit prej 10 deri 21 kurse më e larta e ditës prej 21 deri në 32 gradë.

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се