- Hronika
- Kolumne
-
Radio
- Izdvajamo
-
Emisije
- Dokumentarni program
- Pop top
- Europuls
- Zrno po zrno
- Radio ordinacija
- Kulturna panorama
- Zelena priča
- Epoleta
- +382
- Spona
- Svijet jednakih šansi
- Matica
- Život po mjeri čovjeka
- Link
- Izokrenuti svijet
- Koracima mladih
- Moja profesija je...
- Sportski program
- Kulturno-umjetnički program
- Muzički program
- Koracima prošlosti
- Naučno-obrazovni program
- RCG
- R98
- Programska šema
- Trofej Radija Crne Gore
- Frekvencije
- Radio drama
Ditari
08. 09. 2025.
00:00 >> 16:13
Ditari 08.09.2025
Përgatiti, Senad Gilaj
Spajiq: Qeveria mund të rikonstruohet nesër, për një muaj apo një vit, fokusi mbetet te rruga evropiane dhe ekonomia
Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, tha sot se rikonstruktimi i Qeverisë mund të pritet ndoshta nesër, muajin e ardhshëm, ose edhe pas dy vjetësh. Ai përsëriti se plani është që deri vitin e ardhshëm të mbyllen të gjithë kapitujt bashkëbisedues, në mënyrë që të jemi të përgatitur për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Pas takimit me kryeministrin e Bullgarisë, Rosen Zhelazkov, Spajiq tha se kanë biseduar për temat më të rëndësishme, përfshirë edhe fushën e ekonomisë, dhe se ka ardhur koha që marrëdhëniet të përmirësohen në nivele të ndryshme dhe që kjo të jetë e dukshme. Zhelazkov deklaroi se Bullgaria mbështet rrugën evropiane të Malit të Zi. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ai tha se duhet përmirësuar tregu digjital mes Italisë dhe Malit të Zi, ku ekziston një kabllo nënujore që aktualisht nuk përdoret. Dy kryeministrat nënshkruan një marrëveshje për bashkëpunim shkencor-teknologjik, ndërsa ministrat e transportit nënshkruan gjithashtu një deklaratë të përbashkët për bashkëpunimin mes dy qeverive në fushën e transportit ajror.
Pejoviq: Dinamikën e rrugës drejt BE-së e kritikojnë ata që kanë mbyllur vetëm tri kapituj
Se Mali i Zi sot është vendi më afër anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian e pohojnë të gjithë faktorët relevantë për procesin e zgjerimit, përfshirë edhe komisioneren evropiane Marta Kos, ka vlerësuar sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes Evropa Tani dhe nënkryetari i Kuvendit, Boris Pejoviq. Siç thotë ai, as fakti që qeveria aktuale deri tani ka mbyllur më shumë kapituj negociues se të gjitha qeveritë e mëparshme së bashku, nuk i demotivon disa parti opozitare, si dhe analistët e lobistët e lidhur me to, të krijojnë përshtypjen se nuk është ashtu siç, sipas tij, del qartë nga faktet dhe deklaratat e zyrtarëve evropianë. Sipas tij, ritmin e rrugës evropiane e kritikojnë ata që gjatë mandateve të tyre kanë mbyllur vetëm tre kapituj negociues.
Të përkushtuar në forcimin e bashkëpunimit bilateral dhe rajonal
Mali i Zi dhe Belgjika ndajnë vlera të përbashkëta evropiane dhe përkushtimit për forcimin e bashkëpunimit bilateral dhe rajonal, vlerësuan ministri i financave Novica Vukoviq dhe ambasadori i sapoemëruar i Belgjikës në Mal të Zi, Frederik Develter. “Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime për rrugën evropiane të Malit të Zi, me theks të veçantë në intensifikimin e aktiviteteve me qëllim të mbylljes së kapitujve të mbetur të negociatave dhe arritjes së anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie. Vukoviq theksoi se nga nëntori i vitit të kaluar deri në gusht të këtij viti janë miratuar plot 22 ligje nga fusha e kompetencës së Ministrisë së financave, ndërsa Develter theksoi se Belgjika mbështet fuqishëm integrimet evropiane të Malit të Zi dhe se personalisht beson që ky vend do të bëhet anëtar i BE-së deri në vitin 2028. Me ambasadorin e Mbretërisë së Belgjikës në Mal të Zi, Frederik Develter, u takua edhe zëvendës kryeministri Nik Gjeloshaj i cilit i uroi suksese në detyrën e tij, ndërsa gjatë takimit diskutuan edhe mbi marrëdhëniet e mira mes Malit të Zi dhe Belgjikës si partnere në NATO, ndërsa u shpreh mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Belgjikës në rrugëtimin europian të Malit të Zi.
Reforma zgjedhore: Është arritur përparim i madh, por sfidat sapo kanë filluar
Edhe pse është kryer një punë e madhe në lidhje me reformën zgjedhore, anëtarët e Këshillit kuvendor për reformën gjithëpërfshirëse zgjedhore theksojnë se ende mbeten sfida të shumta. Si qëllim kryesor përmendin krijimin e kushteve për pastrimin e regjistrave zgjedhor, në mënyrë që ajo të përfundojë para zgjedhjeve të vitit 2027. Megjithatë, ata theksojnë se nuk do t’i çudiste nëse disa parti do të pengonin procesin. Deputeti i Lëvizjes, Evropa Tani, Vasilije Çarapiq, thotë se ky është një hap i madh logjistik. "Ne do të kemi zgjedhje në vitin 2027, më 13 qershor do të mbahen zgjedhjet në një ditë. Deri atëherë duhet të zgjidhim çështjen e regjistrit të votuesve në aspektin logjistik, ndërsa deri në fund të vitit duhet të sigurojmë parakushte ligjore që një aksion kaq i madh të mund të realizohet", tha Çarapiq.
Radoviq: Banka Qendrore e Malit të Zi, partner i besueshëm në ruajtjen e stabilitetit dhe zbatimin e standardeve evropiane
Banka Qendrore e Malit të Zi është plotësisht e përkushtuar në zbatimin e reformave dhe integrimin në sistemin financiar evropian, theksoi guvernatorja Irena Radoviq gjatë një takimi me drejtorin ekzekutiv të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Jerun Klik. Nga ana tjetër, Klik e ka vlerësuar pozitivisht rrugën reformuese të Bankës Qendrore e Malit të Zi dhe përkushtimin e saj të fortë ndaj integrimeve evropiane. Ai deklaroi se Fondi Monetar Ndërkombëtar do të vazhdojë ta mbështesë procesin e reformave dhe agjendën ambicioze reformuese të Bankës Qendrore e Malit të Zi. Radoviq theksoi se Banka Qendrore e Malit të Zi, për herë të parë që nga themelimi, ka miratuar Planin Strategjik për periudhën nga ky vit deri në vitin 2028, të fokusuar në forcimin e stabilitetit financiar, integrimin evropian përmes SEPA-s, transformimin digjital dhe zhvillimin e burimeve njerëzore. Kurse Klik e ka vlerësuar rrugën reformuese të BQ të MZ-së dhe përkushtimin ndaj integrimeve evropiane, duke theksuar se Banka Qendrore po jep kontribut të rëndësishëm në rrugën e përgjithshme të Malit të Zi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Bllokimi i borxheve në llogaritë e kompanive malazeze ka kaluar 1,5 miliardë euro
Numri i kompanive dhe sipërmarrësve të bllokuar është rritur me më shumë se 2.200 krahasuar me fundin e vitit 2020, ndërsa shuma e borxhit të bllokuar është dyfishuar dhe është rritur për gati 750 milionë euro, shkruan gazeta “Pobjeda”. Në Mal të Zi, sipas të dhënave më të fundit të Bankës Qendrore, në fund të muajit gusht kishte 21,1 mijë ndërmarrje me llogari të bllokuara, ndërsa shuma totale e borxhit mbi bazën e të cilit janë bllokuar llogaritë ishte 1,52 miliardë euro. Në fund të dhjetorit para 5 vitesh, në Mal të Zi ishin në bllokadë 18,85 mijë ndërmarrje dhe sipërmarrës. Shuma totale e borxhit mbi bazën e të cilit ishin bllokuar llogaritë në fund të vitit 2020 ishte 771,21 milionë euro. Kryetari i Këshillit parlamentar për ekonomi, financa dhe buxhet dhe deputet i Socialdemokratëve, Boris Mugosha, vlerësoi se mungesa e likuiditetit të subjekteve ekonomike është një nga sfidat më serioze të ekonomisë sonë.
Jokoviq do të dërgojë të gjitha kërkesat e peshkatarëve në adresat përkatëse
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave do të dërgojë në procedurë urgjente të gjitha kërkesat e Shoqatës nacionale të prodhuesve të peshkut në adresat përkatëse dhe do t’i informojë ata për përgjigjet e marra, njoftoi ministri përgjegjës, Vladimir Jokoviq. Ai u takua sot me përfaqësuesit e Shoqatës së prodhuesve të peshkut për të diskutuar rreth kërkesave të tyre. Nga Ministria është bërë e ditur se temat e diskutimit ishin: akcizat për karburant, vendet e ankorimit për anijet e peshkimit, mungesa e mundësive për riparimin e anijeve, rinovimi i flotës komerciale, themelimi i një fondi garantues, pagesat për kryqëzorët dhe skafet që hyjnë në Bokë si kompensim për dëmet ndaj peshkatarëve, ndihma financiare, rritja e kufirit për hyrje në TVSH dhe rritja e Buxhetit Bujqësor për këtë sektor ekonomik. Jokoviq deklaroi se do të ndërmjetësojë mes peshkatarëve dhe institucioneve kompetente për këto kërkesa.
Në Botun do të vendoset stacioni matës mobil për nivelin e ndotjes
Masat e parashikuara në Elaboratin e vlerësimit të ndikimit në mjedis për projektin e ndërtimit të sistemit për pastrimin e ujërave të zeza pritet të garantojnë mbrojtjen e mjedisit në zonën e Botunit, ku është planifikuar realizimi i këtij projekti, njoftoi Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit. Në këtë kuadër, do të vendoset një stacion matës mobil, i cili do të sigurojë të dhëna në kohë reale mbi nivelin e ndotjes. Përndryshe, disa ditë më parë, Agjencia për mbrojtjen e mjedisit i ka dhënë miratimin kryeqytetit për projektin e ndërtimit të sistemit për pastrimin e ujërave të zeza, Kolektorit, në Podgoricë, i cili do të vendoset në zonën industriale të ish Kombinatit të Aluminit në Botun. Drejtori i Agjencisë për mbrojtjen e mjedisit, Millan Gazdiq, me këtë rast bëri të ditur se kjo Agjenci ka marrë këtë vendim pas disa muajsh konsultimesh me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë.
Protestë e banorëve pranë Deponisë në Omerbozhaj
Deponia në Omerbozhaj është kthyer në problem serioz për shkak të mbeturinave, erës së rëndë dhe rrezikut për shëndetin. Banorët e këtij vendi si dhe Tojeqit, Dinoshës protestuan duke kërkuar ndërhyrje urgjente nga autoritetet. Banorët e fshatit Omerbozhaj u mblodhën para dy ditësh në një protestë kundër deponisë që ndodhet në këtë zonë. Krahas tyre, në protestë morën pjesë edhe banorë të Dinoshës, të cilët po përballen me të njëjtat pasoja. Ata theksuan se pakënaqësia e tyre lidhet me hedhjen pa kontroll të mbetjeve shtazore dhe planet për ndërtimin e një kade të pestë, projekt që, sipas tyre, do të kundërshtohet me vendosmëri. Ndërkohë banorët paralajmërojnë se prania e deponisë pranë shtëpive po rrezikon seriozisht shëndetin e tyre, veçanërisht të fëmijëve dhe të moshuarve, duke ndotur ajrin, ujërat dhe duke ulur cilësinë e jetesës në këtë zonë. Në protestë mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, kryetari i Kuvendit Fadil Kajoshaj të shoqëruar nga bashkëpunëtorët tjerë. Nga Komuna u theksua se prania e tyre ishte në shenjë përkrahjeje për banorët dhe se tashmë janë ndërmarrë hapat institucionalë të nevojshëm për trajtimin e problemit të deponisë. Për Radio Televizionin e Malit të Zi, përgatitëm një kronikë ku disa nga banorët u shprehën disa banorë të kësaj zone, të cilët treguan shqetësimin e tyre për pasojat që ka deponia në jetën e përditshme dhe kërkuan reagim sa më të shpejtë nga institucionet. Banorët e kesaj zone, shpresojnë që ky tubim të shënojë fillimin e një zgjidhjeje përfundimtare, që do t’u mundësonte të gjithëve të jetojnë në një mjedis më të pastër, më të sigurt dhe më të shëndetshëm.
Ka ikur nga Qendra Klinike: Policia e Podgoricës është në kërkim të Aleksandar Preleviq
I burgosuri Aleksandar Preleviq, i cili po vuan dënimin për vjedhje në Drejtorinë për ekzekutimin e sanksioneve penale, ka ikur mëngjesin e sotëm nga Klinika e sëmundjeve infektive në Qendrën Klinike të Malit të Zi, ku ndodhej për trajtim spitalor. Gjatë qëndrimit në spital, sigurimi i tij i ishte besuar dy zyrtarëve të Drejtorisë për ekzekutimin e sanksioneve penale. Nga Drejtoria për ekzekutimin e sanksioneve penale bëjnë të ditur se janë duke u zhvilluar aktivitete për lokalizimin e të burgosurit, ku janë angazhuar zyrtarë të kësaj Drejtorie dhe të policisë, ndërsa paralelisht po hetohen rrethanat në të cilat ndodhi arratisja. Siç është konfirmuar për Portalin e Radiotelevizionin e Malit të Zi nga Drejtoria e policisë, pas verifikimit të plotë të fakteve, do të lëshohet një njoftim zyrtar.
Tensione të forta në Serbi; Marshime paralele e përplasje mes mbështetësve të qeverisë dhe protestuesve
Dita e djeshme shënoi sërish tensione të forta në disa qytete të Serbisë, ku mbështetësit e qeverisë marshuan kundër protestuesve, që vijojnë prej 10 muajsh demonstratën, ku pati dhe përplasje mes palëve. Në qytetet si Nishi, Çaçaku dhe Shabaci janë mbajtur marshe paralele dhe me raste janë raportuar tensione mes dy palëve. Policia ka intervenuar në një incident të raportuar në Çaçak ndërsa në Shabac i ka ndarë dy grupet e protestuesve përmes kordonit. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili ka marrë pjesë në marshin në Borça, ka përsëritur thirrjen e tij për dialog. Disa prej studentëve që protestojnë kundër Qeverisë, e kanë refuzuar ftesën e Vuçiqit për debat të hapur televiziv, duke thënë se do të flasin me të kur t’i thërrasë zgjedhjet e parakohshme dhe t’i përmbushë kërkesat. Studentët u kanë bërë thirrje qytetarëve që të mos dalin nëpër rrugë dhe të mos përleshen me protestuesit e palës tjetër. Studentët dhe mijëra qytetarë tjerë protestojnë që 10 muaj, duke kërkuar përgjegjësi për shembjen e një strehe betony në Novi Sad. Në kuadër të protestave janë bllokuar 60 fakultete në shtatë universitete nëpër Serbi.
Osmani do t’i dërgojë Gjykatës Kushtetuese komente për çështjen e konstituimit të Kuvendit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do t’i dërgojë nesër gjykatës më të lartë të vendit komentet e saj për çështjen e konstituimit të Kuvendit, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë këshilltari i saj për media, Bekim Kupina. Javën e kaluar, Gjykata Kushtetuese vendosi njëzëri masë të përkohshme përmes së cilës ua ndaloi deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të ndërmarrin veprime, si dhe ua ndaloi zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re. Përndryshe, kryetari I Kuvendit Kosovar Dimal Basha e shpalli të mbyllur seancën konstituive më 30 gusht, edhe pse nënkryetari serb nuk ishte zgjedhur. Nga pesë nënkryetarët e kërkuar me Kushtetutë, katër u zgjodhën, tre shqiptarë dhe një përfaqësues i pakicave joserbe, ndërsa i pesti, nga komuniteti serb, nuk arriti t’i siguronte votat e mjaftueshme. Ankesa e Listës Serbe erdhi pasi Basha, i hodhi në votim ndaras kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit nga komuniteti pakicë joserb dhe serb.
Masakër në mes të Shkodrës; Vriten dy vetë, por jo shënjestra. Kapet autori i atentatit
Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci reagoi sot pas ngjarjes së rëndë, ku mbetën të vrarë dy person dhe dy të tjerë të plagosur. Policia njoftoi se “sot rreth orës 08:50, në lagjen “Qemal Stafa”, në ambientet e jashtme të një lokali, dyshohet se shtetasi R. G. ka qëlluar me armë zjarri dhe si pasojë ka humbur jetën në vendngjarje shtetasi A. P., ndërsa në Spitalin Rajonal Shkodër ka ndërruar jetë edhe shtetasi L. K., 31 vjeç”. Viktima Armando Pali ka qenë më parë anëtar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës dhe ish-punonjës në Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit të qytetit ndërsa Erogen Vaso nuk është i panjohur për organet e rendit, pasi emri i tij u përmend në vitin 2023 në lidhje me grupin kriminal të Bajrave në Shkodër. Dyshohet se Erogen Vaso ka qenë shënjestra kryesore e atentatit, ndërsa ai dhe viktima Armand Pali ndodheshin së bashku në lokal në momentin e sulmit. Burimet zyrtare bëjnë me dije se një person është arrestuar në lidhje me këtë ngjarje, por ende nuk është bërë e qartë nëse bëhet fjalë për autorin e drejtpërdrejtë të sulmit apo për një bashkëpunëtor.
Kërkoi zëvendësimin e masës së sigurisë, GJKKO lë në burg Ilir Metën
Apeli i Gjykatës së Posaçme për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për lënien në burg të Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Meta ankimoi dy javë më parë vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë e cila i ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg”, me arsyetimin se pozita e tij është rënduar dhe ekziston rreziku për prishje provash apo intimidim të dëshmitarëve. Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta dhe ish-bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi akuzohen nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, në lidhje me lobimin e LSI në SHBA dhe aferën CEZ–DIA. Meta ndodhet në paraburgim prej 21 tetorit të vitit të kaluar për akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë.
Trump paralajmëron Hamasin: Prano kushtet e mia dhe jepi fund luftës në Gazë
Pesë persona janë vrarë dhe shtatë të tjerë janë plagosur në një sulm me armë nga persona të armatosur palestinezë në Jerusalem, sipas policisë izraelite. Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka lënë të kuptohet se një marrëveshje për Rripin e Gazës mund të arrihet së shpejti për ta siguruar lirimin e të gjitha pengjeve që po mbahen nga Hamasi. Paraprakisht, Trumpi tha se po e paralajmëronte “për herë të fundit” Hamasin që t’i pranojë kushtet e marrëveshjes. Edhe ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Saar, deklaroi se lufta në Gaza mund të përfundojë nëse lirohen pengjet dhe grupi militant palestinez Hamas çarmatoset, kurse ministri izraelit i Mbrojtjes, Yisrael Katz, deklaroi se ushtria izraelite është përgatitur të zgjerojë sulmet e saj ndaj Qytetit të Gazës dhe kërcënoi se edhe sot do të kryejnë sulme të dhunshme. Nga ana tjetër Hamasi përsëriti qëndrimin e tij se do të lirojë të gjithë pengjet nëse Izraeli bie dakord për t’i dhënë fund luftës dhe për të tërhequr forcat e tij nga qyteti i Gazës.
Trump takon liderët e BE-së në SHBA, temë bisede situata në Ukrainë
Sulmi më i madh ajror i Rusisë në Ukrainë, prej nisjes së luftës, i ka vënë zjarrin njërës prej ndërtesave kryesore të Qeverisë ukrainase në Kiev, dhe i ka lënë të vdekur tre persona, përfshirë një foshnje, trupi i së cilës është nxjerrë nga rrënojat, kanë thënë zyrtarët ukrainas. Ndërkohë Forcat e Mbrojtjes Ajrore të Ukrainës kanë njoftuar se gjatë natës së kaluar kanë rrëzuar 112 nga 142 dronët e lëshuar nga Rusia mbi territorin ukrainas. Ministria e Energjisë e Ukrainës konfirmoi se një ndër objektivat e sulmeve ishte një termocentral në rajonin e Kievit. Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka raportuar se gjatë natës janë rrëzuar shtatë dronë ukrainas mbi katër rajone ruse, kurse kjo valë e re sulmesh ajrore, e konsideruar si një ndër më të mëdhatë në javët e fundit, thekson intensifikimin e përballjes mes dy vendeve. Përndryshe, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se "nuk është i kënaqur" me asgjë në lidhje me luftën Rusi-Ukrainë.
Kreu i IAEA-s, Grossi paralajmëron për një botë me 25 fuqi bërthamore
Shefi i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, Rafael Grossi ka paralajmëruar për një botë me mbi 25 shtete me armë bërthamore. Ai ka sugjeruar se në një pikë 20 deri në 25 shtete do të mund të kenë armë bërthamore, pa përmendur afate kohore. Aktualisht, janë nëntë shtete në botë me armë bërthamore, sipas ekspertëve. “Procesi i çarmatimit apo zvogëlimi i kontrolluar i arsenalit bërthamor është bllokuar”, ka thënë shefi i agjencisë së Kombeve të Bashkuara. Ndërkohë, Irani është i gatshëm të pranojë kontrollin e programit të tij bërthamor dhe kufizimin e pasurimit të uraniumit në këmbim të heqjes së sanksioneve ndërkombëtare, ka deklaruar ministri i jashtëm iranian për gazetën britanike The Guardian. Përndryshe, në fund të muajit gusht, grupi E3, Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar, aktivizoi një mekanizëm në OKB për rivendosjen e sanksioneve kundër Iranit, në përputhje me marrëveshjen ndërkombëtare për kontrollin e programit bërthamor Iranian. Teheranit iu dha një afat prej një muaji për të negociuar rreth programit të tij bërthamor dhe për të shmangur rivendosjen e sanksioneve.
Përfundoi edicioni VIII-të i pikturës së rajonit në Ulqin
Për të tetin vit radhazi u organizua Kolonia e Piktorëve, e cila mblodhi 50 artist nga rajoni për të sjellë pamje të veçanta të Ulqinit. “Besojmë se Ulqini është një qytet ku çdo artist gjen frymëzim. Aspirata e kësaj Kolonie është që Ulqini të jetë një qytet ku artistët do të krijojnë dhe kështu të bëhet një destinacion i famshëm turistik, një qytet i artit. Projektet kulturore janë promovimi i vërtetë i qytetit tonë. Përmes këtij projekti ne po tëntojmë që të krijojmë një lidhje të mirë midis kulturës dhe turizmit, dhe si e tillë të njihet në botë”, thonë organizatorët. Për disa ditë sa zgjati ky manifestim kulturor, këta piktorë shëtitën dhe pikturuan qytetin bregdetar, njëkohësisht kontribuan edhe në turzimin dhe shkëmbimin kulturor. Organizator ishte Instituti i Librit dhe Promocionit nga Shqipëria, me përkrahje të Ministrisë së Drejtësisë dhe të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave, Organizatës Turistike të Ulqinit, Komunës së Ulqinit dhe Qendrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave. Për këtë aktivitet për Radio dhe Televizion përgatitëm edhe një kronikë. Ky manifestim i artit të rajonit, siç thamë, priti 50 artistë nga Mali i Zi, Shqipëria, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Kosova.
Prej mesnate shtrenjtohen të gjitha llojet e karburanteve
Të gjitha llojet e karburanteve do të shtrenjtohen nga mesnata me një deri në dy centë për litër, ka njoftuar Ministria e Energjetikës dhe Minierave. Çmimi për litër i eurosuperit 95 dhe atij 98 oktanësh do të rritet përkatësisht me një dhe dy centë, duke arritur për dy javët e ardhshme në 1.43 dhe 1.47 euro. Edhe çmimi i eurodizelit do të shënojë një rritje prej dy centësh dhe do të tregtohet me 1.34 euro për litër. Me dy centë për litër do të shtrenjtohet edhe nafta për ngrohje, e cila do të kushtojë 1.28 euro për një litër.
Nesër moti kryesisht me diell, në veri me vranësira të pakta
Në Mal të Zi sot mbajti mot kryesisht i kthjellët deri me vranësira të ndryshueshme. Fryn erë e dobët deri mesatare nga drejtimet e ndryshme. Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Podgoricë 31 gradë, Budvë 30, Ulqin, Herceg Novi, Rozhajë, Beranë e Plevle 29, Cetinë, Nikshiq, Kollashin e Bijello Pole 27, Guci 26 dhe në Zhablak 23 gradë. Për nesër pritet mot kryesisht me diell, pasdite me vranësira të ndryshueshme lokale. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare, e drejtimeve të ndryshueshme. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 9 deri në 21, kurse më e larta e ditës prej 23 deri në 32 gradë celsius.
Коментари0
Остави коментар