Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема
MNE Play
MNE Play

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

05. 09. 2025. 00:00 >> 19:12

Ditari 05.09.2025

Ditarin e përgatiti Marash Dedvukaj

Reagim i R.Fejziqit,Nikë Gjeloshaj dhe disa të tjerëve pas ndërprerjes së shfaqjes së filmit “Lejleku” në Zabjellë

Reisi i Bashkësisë Islame në Mal të Zi, Rifat Fejziq, ka reaguar pas ndërprerjes së shfaqjes së filmit “Lejleku” të regjisorit Isa Qosja, në lagjen Zabjello të Podgoricës, ku filmi po shfaqej në ambient të hapur në kuadër të Festivalit të Filmit “Xhada”. Siç ka deklaruar ai, disa lejlekë sollën pakulturë në rrugët e Podgoricës dhe Malit të Zi, ndërsa theksoi se gjuha shqipe është pasuri e kulturës së Malit të Zi. Reagimi ka pasuar edhe nga zëvendëskryeministri dhe lideri i Forumit Shqiptar, Nik Gjeloshaj, i cili tha se ndërprerja me dhunë e shfaqjes së filmit në gjuhën shqipe në Festivalin e Filmit “Xhada” nuk është çështje vetëm e komunitetit shqiptar, por çështje e Malit të Zi. Ai theksoi se shqiptarët ndoshta nuk duhet të jenë të parët që reagojnë, sepse është e logjikshme dhe e drejtë që të tjerët të ngrihen në mbrojtje të vlerave themelore dhe në mbrojtje të Kushtetutës.Delegacioni i Bashkimit Evropian në Mal të Zi gjithashtu ka shprehur shqetësim, duke deklaruar se janë thellësisht të shqetësuar nga raportimet se shfaqja e një filmi në kuadër të Festivalit Xhada, i financuar nga BE, është ndërprerë me dhunë.Sipas tyre, liria e shprehjes artistike është pjesë përbërëse e lirisë së fjalës dhe një nga vlerat thelbësore të demokracisë. Kujtojmë se ndërprerja e shfaqjes ndodhi pas reagimeve të zëshme të një grupi personash, të cilëve, sipas raportimeve, u pengoi fakti që filmi ishte në gjuhën shqipe. Filmi “Lejleku” do të transmetohet sonte në orën 21 e 30 minuta në Programin e Parë të Radiotelevizionit të Malit të Zi.

Markoviq - Forcimi i kapaciteteve institucionale dhe zbatimi i standardeve ndërkombëtare janë të rëndësishme për përpunimin e krimeve

Forcimi i kapaciteteve institucionale dhe zbatimi i standardeve ndërkombëtare në drejtimin e këtyre procedurave është i rëndësishëm për përpunimin e suksesshëm të krimeve lufte, tha prokurori i përgjithshëm Millorad Markoviq. Në kuadër të konferencës kushtuar përmirësimit të bashkëpunimit rajonal në përpunimin e krimeve të luftës, e mbajtur në Brione të Kroacisë, Markoviq dhe prokurorja speciale Tanja Çolan- Deretiq diskutuan me prokurorin kryesor të Mekanizmit, Serzh Bramerc, për bashkëpunimin e mëtejshëm dhe mbështetjen ndaj Malit të Zi në përpunimin e rasteve të krimeve të luftës.

N.Vuksanoviq - Me këtë tempo të punës nuk do të arrihet shumë sa i përket reformës zgjedhore

Me këtë tempo të punës nuk do të arrihet shumë sa i përket reformës zgjedhore, por mbetet shpresa që Brukseli së shpejti mund të ushtrojë presion ndaj partive politike, tha për radion tonë drejtoresha e CEDEM-it Nevenka Vuksanoviq. Për analistin Aleksandër Çukoviq është e dëshirueshme përshpejtimi i reformës zgjedhore dhe pritet që puna në këtë fushë të jetë nën vëzhgimin e kujdesshëm të opinionit të jashtëm dhe të brendshëm. Ndërsa Vuksanoviq thotë se gjëja e vetme e mirë që është bërë deri tani në reformën zgjedhore është mbajtja e zgjedhjeve lokale në një ditë. Tani puna është ngadalësuar dhe dinamika aktuale nuk premton aspak, thotë ajo.

Kompania luksemburgaso-amerikane Korporata Amerikane e aeroporteve do të inicojë procesin administrativ me padi në Gjykatën administrative kundër vendimit të Komisionit për koncesione

Kompania luksemburgaso-amerikane Korporata Amerikane e aeroporteve do të inicojë procesin administrativ me padi në Gjykatën administrative kundër vendimit të Komisionit për koncesione, shkruan gazeta “Pobjeda”. Komisioni për koncesione disa ditë më parë miratoi pjesërisht ankesën e kësaj kompanie për listën e renditjes së ofertuesve në procesin e dhënies së koncesionit për aeroportet e Podgoricës dhe Tivatit. Lista e renditjes së ofertuesve, e cila u përcaktua nga Komisioni dhe u publikua nga Ministria e Transportit, është kthyer për shkak të heqjes së parregullsive të konstatuara në arsyetimin e vlerësimit dhe renditjes së ofertave.

Shpallja e paligjshme e vendimit të Kuvendit për shkarkimin e Irena Radoviqit

Gjykata e Lartë në Podgoricë ka konfirmuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore nga viti 2019, me të cilin është shpallur i paligjshëm vendimi i Kuvendit për shkarkimin e Irena Radoviqit nga detyra e zëvendësguvernatores së Bankës Qendrore, kanë bërë me dije avokatët Goran Rodiq dhe Sinisha Gazivoda. Ata sqarojnë se me këtë vendim, shkarkimi i Radoviqit është anuluar përfundimisht, pas një procesi gjyqësor që ka zgjatur më shumë se shtatë vjet. Irena Radoviq është aktualisht guvernatore e Bankës Qendrore të Malit të Zi.

Dragan Kovaçeviq shpallet i pafajshëm

Ish-drejtori i Drejtorisë së Pasurive të Paluajtshme, Dragan Kovaçeviq, është shpallur i pafajshëm ndaj akuzave që rëndonin mbi të. Këtë vendim e mori trupi gjykues i Gjykatës së Lartë në Podgoricë, i kryesuar nga gjyqtari Zoran Radoviq. Hetimi dhe aktakuza ndaj Kovaçeviqit dhe disa personave tjerë, ishin ngritur nga Prokuroria Speciale e Shtetit gjatë kohës kur ajo drejtohej nga prokurori i atëhershëm special, Milivoje Katniq. Sipas aktakuzës, ata ngarkoheshin me vepra penale si: krijim i një organizate kriminale, uzurpim i paligjshëm i tokës, disa vepra të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, falsifikim dokumentesh dhe shantazh.

Prokuroria Themelore Shtetërore ka paraqitur një aktakuzë pranë Gjykatës Themelore të Podgoricës ndaj M.N

Prokuroria Themelore Shtetërore në Podgoricë ka paraqitur një aktakuzë pranë Gjykatës Themelore të Podgoricës ndaj M.N., për shkak të kërcënimeve ndaj gazetares së Televizionit E, Itana Kallugjeroviq. Sipas njoftimit të Prokurorisë, M.N. dyshohet për kryerjen e veprës penale rrezikim i sigurisë. Prokuroria ka dorëzuar aktakuzë ndaj të pandehurit M.N., për veprën penale rrezikim i sigurisë, e kryer më 26 maj ndaj gazetares I.K., përmes kërcënimeve të drejtpërdrejta ndaj jetës dhe integritetit të saj fizik, thuhet në njoftim.

Maja Radisheviq është arrestuar për dyshimin se ka dëmtuar Institutin për më shumë se 170 mijë euro

Kryetarja e organizatës sindikale të Institutit për ndihmë të shpejtë mjekësore të Malit të Zi, Maja Radisheviq, është arrestuar për dyshimin se ka dëmtuar Institutin për më shumë se 170 mijë euro, ndërsa kundër zëvendësit të saj, Mlladen Reshetar, është ngritur aktakuzë penale. Dyshohet se ata kanë kryer vepra penale të keqpërdorimit të pozitës në mënyrë që, gjatë periudhës nga viti 2016, kanë tërhequr vazhdimisht mjete nga llogaria e organizatës sindikale, kanë bërë transferime të paligjshme të mjeteve të sindikatës në llogaritë e tyre në disa banka, dhe me këto para, ndër të tjera, kanë blerë veshje të ndryshme, këpucë dhe orë për vete.

Kushtetuesja vendos masë të përkohshme që ndalon çdo veprim për formimin e Qeverisë

Gjykata Kushtetuese e Kosovës njëzëri ka vendosur masë të përkohshme përmes së cilës ua ndalon deputetëve të ndërmarrin veprime si dhe ndalon zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. Masa do të jetë në fuqi nga sot 5 shtatori deri më 30 shtator. Kjo masë u vendos nga Gjykata në mënyrë ex officio dhe në bazë të kërkesës së deputetëve të Listës Serbe. Kushtetuesja tha se e pranoi kërkesën për masë të përkohshme, sepse ajo i shërben “evitimit të rreziqeve ose dëmeve të pariparueshme” dhe është në “interes publik”. Radio Evropa e Lirë kontaktoi për koment Qeverinë në detyrë të Kosovës dhe është në pritje të përgjigjes. Nëntë deputetët e Listës Serbe dhe deputeti goran, Adem Hoxha iu drejtuan Kushtetueses me kërkesë më 30 gusht, lidhur me votimin për nënkryetarin serb në Kuvendin e Kosovës. Gjykata theksoi se - pa u vlerësuar dyshimet e ngritura nga Lista Serbe për shkelje kushtetuese gjatë seancës së 30 gushtit, kur kryetari i ri Kuvendit, Dimal Basha, e shpalli të përfunduar konstituimin e Kuvendit pa u zgjedhur nënkryetari serb - "është e domosdoshme që të ndalohen të gjitha veprimet e mëtejme drejt zgjedhjes së Qeverisë dhe vazhdimit të punës së Kuvendit". Ajo shtoi se masën e vendosi “në mënyrë që të mos cenohet rendi juridik dhe demokratik në Republikën e Kosovës”.

Orav me Bashën biseduan lidhur me çështjen e konstituimit të organit ligjvënës

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav dhe ambasadori britanik gjatë takimit me kryetarin e ri të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, mes tjerash biseduan lidhur me çështjen e konstituimit të organit ligjvënës të vendit, i cili ka nxitur polemika, pasi Basha e shpalli të konstituuar pa zgjedhjen e nënkryetarit serb, ndërsa partitë e tjera e quajnë shkelje të Kushtetutës vendimin e tij.  Shefi i Zyrës së BE-së bëri me dije se me Bashën diskutuan nevojën për respektimin e proceseve kushtetuese, duke siguruar institucione gjithëpërfshirëse dhe multietnike, kurse ambasadori britanik në Prishtinë, tha se me Bashën u pajtuan që Kuvendi duhet të konstituohet plotësisht sa më parë.

Shqipëria dhe Bashkimi Europian janë në hapat e fundit të përgatitjes për konferencën ndërqeveritare që zyrtarizon hapjen e kapitujve

Shqipëria dhe Bashkimi Europian janë në hapat e fundit të përgatitjes për konferencën ndërqeveritare që zyrtarizon hapjen e kapitujve të mbetur të bisedimeve të anëtarësimit. Burime të besueshme thonë se data e projektuar është ajo e 16 shtatorit, ndërkohë që në pritje është edhe të miratimit nga parlamenti i Holandës. Në Kuvendin e Shqipërisë, Komisioni për Çështjet Europiane shqyrtoi pak ditë më parë projektpozicionin negociues të Shqipërisë për Grupimin e pestë të kapitujve, mbajtur me kërkesë të posaçme, pozicioni i miratuar nuk ka qenë publik as në diskutime dhe as në variantin e tij përfundimtar.

Me shumicë votash, Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar padinë e Partisë Demokratike, duke vulosur kështu zgjedhjet parlamentare të 11 majit

Me shumicë votash, Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar padinë e Partisë Demokratike, duke vulosur kështu zgjedhjet parlamentare të 11 majit. PD e kishte ankimuar vendimin e Komisionit që i certifikoi zgjedhjet, duke kërkuar pavlefshmërinë e tyre, por, Kolegji e rrëzoi padinë dhe i konsideroi të rregullta zgjedhjet. Vendimi është i formës së prerë dhe ndaj tij nuk mund të bëhet ankim. Partia Demokratike i ka konsideruar zgjedhjet e 11 majit si “farsë” dhe ka akuzuar mazhorancën socialiste për vjedhje e blerje votash. Partia Socialiste siguroi 83 mandate deputetësh, PD-ja 50, 3 mandate mori PSD-ja, 2- Partia Mundësia dhe nga një mandat morën Lëvizja Bashkë dhe Nisma Shqipëria Bëhet.

Putin ftoi Zelinskin për bisedime

Pas ftesës së bërë nga presidenti rus Vladimir Putin ndaj homologut të tij ukrainas për një takim mes tyre në Moskë dhe refuzimit të vendtakimit nga ana e Zelenskyt, Kremlini vijon të këmbëngulë se ftesa është bërë për të biseduar dhe për të prodhuar një rezultat dhe jo për t’u dorëzuar. Putin ka refuzuar propozimet perëndimore për një “forcë sigurie” në Ukrainë, një ditë pas një takimi në Paris që synonte finalizimin e planeve për garanci sigurie, në rast të arritjes së një armëpushimi në Ukrainë dhe tha se çdo dislokim i forcave perëndimore do të ishin objektiv “legjitim” për ushtrinë e Moskës.

Putin: Trupat perëndimore në Ukrainë do të ishin objektiv i ushtrisë ruse

Presidenti rus, Vladimir Putin, paralajmëroi se çdo dislokim i forcave perëndimore do të ishin objektiv “legjitim” për ushtrinë e Moskës. Kjo deklaratë e bërë sot vjen një ditë pasi aleatët e Kievit thanë se janë të përkushtuar të dislokojnë trupa në Ukrainë në rast se arrihet një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës. Dhjetëra shtete, të udhëhequra nga Franca dhe Britania, u zotuan për dislokimin e një force të sigurisë në tokë, ajër apo det, për të monitoruar një marrëveshje eventuale të paqes. “Nëse disa trupa do të shfaqeshin atje, veçmas tani gjatë luftimeve, ne veprojmë me premisa se ata do të jenë objektiva legjitimë”, tha Putin gjatë një forumi ekonomik të mbajtur në qytetin Vlladivostok, në Lindjen e Largët të Rusisë. Ai shtoi se dislokimi i një force të tillë nuk do të kontribuonte në një paqe afatgjatë, duke shtuar se raportet më të ngushta të ushtrisë së Ukrainës me Perëndimin ishin një prej atyre që ai i cilëson si “shkaqe kryesore” të konfliktit. Putin tha se nëse mund të arrihet një marrëveshje, nuk do të ketë nevojë për trupa. “Nëse arrihen vendime që do të çojnë në paqe, në paqe afatgjatë, atëherë unë thjesht nuk shoh arsye për praninë e tyre në territorin e Ukrainës. Sepse nëse arrihen marrëveshje, nuk duhet të ketë dyshime që Rusia nuk do ta respektojë”, tha ai.

Raportohet për 19 të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë

Agjencia për mbrojtje civile në Gazë raportoi se 19 persona janë vrarë sot si pasojë e një sërë sulmesh ajrore izraelite në dhe përreth Qytetit të Gazës – vendbanim që ushtria izraelite dëshiron ta marrë nën kontroll të plotë. Zëdhënësi i kësaj agjencie, Mahmud Bassal, tha se sulmet goditën ndërtesa dhe tenda ku strehohen palestinezët e zhvendosur në disa lagje dhe në periferi të qytetit, ku Kombet e Bashkuara thonë se më shumë se një milion persona po përballen me zi të bukës. Izraeli ka intensifikuar bombardimet ndaj Qytetit të Gazës që kur ka deklaruar se do të nisë një ofensivë për ta marrë nën kontroll të plotë. Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Nadav Shoshani, deklaroi një ditë më parë se nuk do të ketë njoftim për nisjen e ofensivës për shkak të “ruajtjes së elementit të befasisë”. Ndërkaq, një zëdhënës tjetër ka thënë se Izraeli veçse kontrollon 40 për qind të qytetit. Izraeli pret që ofensiva e re të detyrojë rreth një milion persona të zhvendosen drejt jugut të Rripit të Gazës. Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 64.000 palestinezë sipas shifrave të prezantuara nga Ministria e Shëndetësisë që udhëhiqet nga Hamasi – shifra që nga OKB-ja vlerësohen të besueshme.

Trump i bën presion Evropës për naftën ruse

Presidenti amerikan, Donald Trump, duket se mori një qëndrim më të ashpër me mbështetësit kryesorë evropianë të Kievit, duke u thënë atyre se duhet t’i bëjnë më shumë presion financiar Rusisë dhe aleates së saj kryesore, Kinës, për ta detyruar Kremlinin që t’i japë fund luftës në Ukrainë, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë. Udhëheqësit evropianë e ftuan “presidentin Trump në takimin e Koalicionit të Vullnetit”, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë lidhur me telefonatën e zhvilluar më 4 shtator, pas takimit në Paris që zhvilluan mbështetësit e Kievit. “Presidenti Trump theksoi se Evropa duhet të ndalë blerjen e naftës ruse që po financon luftën – pasi Rusia mori 1.1 miliard euro nga shitjet e karburanteve për Bashkimin Evropian brenda një viti”, tha zyrtari, sipas Reuters. Zyrtari i Shtëpisë së Bardhë shtoi se Trump gjithashtu tha gjatë bisedës telefonike se “udhëheqësit evropianë duhet të ushtrojnë presion ekonomik mbi Kinën për financimin e përpjekjeve të luftës të Rusisë”.

Sot shënohet 9-vjetori i shenjtërimit të Shën Nënë Terezës

Sot shënohet 9-vjetori i shenjtërimit të Shën Nënë Terezës, figurës së ndritur shqiptare e njohur botërisht për përkushtimin ndaj më të varfërve dhe të braktisurve. Më 5 shtator 2016, Nënë Tereza fituese e çmimit Nobel për Paqen, u shpall shenjtore nga papa Françesku duke njohur dy mrekullitë e saj. Nënë Tereza u lind më 26 gusht 1910 në Shkup, me emrin Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, nga prindër shqiptarë. Në moshën 18-vjeçare, ajo u largua nga Shkupi për t’iu bashkuar Motrave të Loretos në Irlandë e pastaj shkoi në Kalkutë të Indisë me mision. Figura e Shën Nënë Terezës vazhdon të jetë burim frymëzimi për bamirësi, besim dhe shërbim të përulur, veçanërisht në një botë gjithnjë e më të përçarë nga varfëria dhe padrejtësitë sociale.

Presidenti amerikan, Donald Trump nuk i vlerëson të rëndësishme idetë se ai dëshiron të fitojë çmimin Nobel për Paqe

Presidenti amerikan, Donald Trump nuk i vlerëson të rëndësishme idetë se ai dëshiron të fitojë çmimin Nobel për Paqe, pas javësh spekulimesh, sipas BBC. “E vetmja gjë që mund të bëj është të ndaloj luftëra. Nuk kërkoj vëmendje. Dua vetëm të shpëtoj jetë”, shtoi presidenti . Fituesi i çmimit Nobel për Paqe pritet të shpallet nga Komiteti Nobel Norvegjez më 10 tetor. Katër presidentë të mëparshëm amerikanë janë nderuar me këtë çmim, përfshirë rivalin politik, Barack Obama. Trump është nominuar nga disa vende, përfshirë Izraelin dhe Pakistanin.

Në numrin e ri të përjavshmes Koha Javore mund të lexoni

Në numrin e ri të gazetës “Koha javore” mund të lexoni:

Pesë vite nga ndërrimi i pushtetit në Malin e Zi,  Pritjet dhe zhgënjimi. Në rubrikën “Fokus”: Përkitazi me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për ullishtarinë dhe vajin e ullirit, Betonizimi arrin ullishtat në Malin e Zi. Ne opinion: Mali i Zi dhe multikulturalizmi – Mali i Zi të aplikojë demokracinë konsensuale dhe mekanizmin e baraspeshës. Në rubrikën “Kulturë”, Gratë e Ulqinit që ruajnë kuzhinën autentike përmes dokumentarit “Thesari gastronomik i Ulqinit”. Në rubrikën “Fejton”, Myftinia e Ulqinit në periudhën e Tokave të Liruem,  Nënprefektura e Ulqinit, pjesë e Prefekturës së Ulqinit si dhe shumë artikuj të tjerë me interes për lexuesin.

Nesër pritet mot kryesisht me diell

Në Mal të Zi sot mbajti mot kryesisht i kthjellët, deri me vranësira të pakta lokale. Fryn erë e dobët deri mesatare nga drejtimet e jugut. Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Podgoricë 33 gradë, Herceg Novi 32, Budvë 31, Nikshiq 30, Ulqin, Tivar e Beranë 29, Cetinë, Rozhajë e Plevle 28, në Guci 27, Kollashin 26, Bijello Pole 25 dhe në Zhablak 23 gradë.

              Edhe për nesër pritet mot kryesisht me diell, vende-vende me zhvillim të vranësirave të dobëta deri mesatare. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtime të ndryshme, gjatë natës vende-vende deri e fortë, nga drejtimi i veriut. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 9 deri në 21, ndërsa më e larta e ditës prej 22 deri në 34 gradë celsius.

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се