Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема
MNE Play
MNE Play

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

13. 08. 2025. 00:00 >> 17:11

Ditari 13.08.2025

Ditarin e përgatiti, Violeta Gjokaj

ZJARRET: SITUATA MË KOMPLEKSE ËSHTË NË KRYEQYTET

Situata me zjarret në Mal të Zi është më e qëndrueshme, por Podgorica që mëngjesin e sotëm është mbuluar nga tymi. Ministria e Brendshme në një konferencën të jashtëzakonshme për mediet njoftoi se situata më komplekse është në kryeqytet, ku zjarret janë aktive në Zlaticë të vjetër, Fundna, Koriti, Medun dhe Dinoshë. Situata në Çanj dhe Bularicë gjatë natës ka qenë e qetë. Kanaderët nga Italia dhe Kroacia do të ftohen përsëri sot përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian, pasi mbrëmë u kthyen në vendet e tyre. Pritet ndihma e avionëve çek dhe hungarezë, po ashtu mbërrin një helikopter me ekuipazh nga Bosnjë Hercegovina, si dhe një ekip i specializuar nga Austria që do të ndihmojë zjarrfikësit në shuarjen e zjarreve, të cilët tashmë janë mjaftë të rraskapitur nga përballja disaditore me zjarreve. Shefi i Drejtorisë për Mbrojtjen Civile dhe Uljen e Rrezikut nga Fatkeqësitë Luban Tmushiq, tha se helikopterët po fluturojnë në mënyrë aktive mbi zona, dhe dronët po filmojnë vazhdimisht në mënyrë që autorët e zjarrit më në fund të ndiqen penalisht. Vojin Vojinovi, nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, tha se situata është komplekse në Danillovgrad, ku dy helikopterë ushtarakë po ndihmojnë në shuarjen zjarrit.

SHMSH:THIRRJE QYTETARËVE QË TË LARGOHEN NGA PLAZHET E LUMENJVE ZETA, MORAÇA DHE CEMI

Shërbimi i Mbrojtjes dhe Shpëtimit i Kryeqytetit u bëri thirrje qytetarëve që të largohen nga plazhet e lumenjve Zeta, Moraça dhe Cemi në mënyrë që helikopterët të mund të marrin ujë në mënyrë të sigurt për shuarjen e zjarrit. Ata gjithashtu apelojnë që të mos përdoren dronë, veçanërisht në zonat e prekura nga zjarri, si dhe të lejojnë kalimin e të gjitha automjeteve me rotacion.

QEVERIA DO TË MARRË VENDIM PËR HAPJEN E NJË LLOGARIE DONACIONI

Qeveria, në seancën e sotme, do të marrë vendim për hapjen e një llogarie donacioni për rindërtimin e pronës së shkatërruar nga zjarret dhe ka urdhëruar Ministrinë e Financave që të sigurojë fondet e nevojshme për pajisjet e duhura dhe shuarjen e zjarreve. Duke pasur parasysh se, sipas informacioneve të para, janë shkaktur dëme më të mëdha materiale, pas vlerësimeve zyrtare Qeveria do të ndihmojë qytetarëve dhe në sanimin e tyre, njoftohet nga zyra e Kryeministrit Spajiq, duke shtuar se se ka pasur një interes të madh të individëve, kompanive dhe vendeve që ofrojnë ndihmë dhe mbështetje për rindërtimin dhe sanimin e pronës së shkatërruar.

400 MIJË EURO PËR REHABILITIMIN DHE RINDËRTIMIN E SHTËPIVE TË DËMTUARA NGA ZJARRET

Ministria e Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Zhvillimit të Veriut dhe Eko-Fondi do të ndajnë 400,000 euro për rehabilitimin dhe rindërtimin e shtëpive të prekura nga zjarret, njoftoi ministri përgjegjës Damjan Qulafiq. Ai tha se si ministër, por mbi të gjitha si njeri, ndien një detyrim të thellë për të reaguar dhe për të ndihmuar, veçanërisht në momentet kur Mali i Zi është në flakë dhe kur, siç beson ai, askush nuk duhet të lihet mënjanë.
"Prandaj, vendosëm që Ministria e Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Zhvillimit të Veriut dhe Eko-Fondi të ndajnë 400,000 euro për rehabilitimin dhe rindërtimin e shtëpive që janë prekur nga zjarret", tha Qulafiq.
Këto para, tha ai, janë të destinuara për familjet që mbetën pa strehë në një çast.
Qulafiq tha se ata morën vendimin për t'i ndihmuar ato familje të kthehen në jetën normale sa më shpejt të jetë e mundur dhe të ndiejnë se nuk janë vetëm.

IKOVIQ: MALI I ZI HUMBET MESATARISHT 100 MILIONË EURO NË VIT PËR SHKAK TË ZJARREVE

Ekologu Vuk Ikoviq, i ftuar në programin e mëngjesit të RTMZ-së, tha se Mali i Zi humbet mbi 100 milionë euro çdo vit për shkak të zjarreve dhe se kjo është mjaftueshëm alarmante për të vënë gjithçka në funksion të mbrojtjes nga zjarri. Sezoni i zjarreve për vitin 2026 planifikohet sot, jo kur ato "digjen deri në themel". Që nga viti 2017, Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka siguruar asnjë helikopter apo aeroplan për shuarjen e zjarreve, tha Ikoviq.
Duke komentuar humbjet ekonomike dhe ekologjike dhe nëse është bërë një analizë pas sezonit të mëparshëm, Ikoviq thekson se, si rregull, një analizë duhet të bëhet çdo vit pasi zjarret të kenë mbaruar. Ai shtoi se është shumë e trishtueshme që patëm një zjarr të fortë në vitin 2017, dhe se në atë moment, siç deklaroi ai, MPB ishte më e aftë dhe e gatshme për të shuar zjarrin. Kjo është një situatë që përsëritet vit pas viti. Nëse dikush ka marrë përsipër ta bëjë atë punë dhe ka marrë para nga qytetarët dhe nuk ka treguar rezultate, atëherë është e pritshme që të japë dorëheqjen. Duke komentuar se si është e mundur që zjarret të ndodhin në disa vende në të njëjtën kohë, Ikoviq thotë se dihet dhe është e qartë se mbi 90 përqind e zjarreve janë të ndezura qëllimisht.

ZJARRET NË TË GJITHË EVROPËN JUGORE, TË PAKTËN TRE PERSONA KANË VDEK

Zjarret janë intensifikuar në të gjithë Evropën Jugore. Të paktën tre persona kanë vdekur në një valë shkatërruese të të nxehtit që ka nxitur dhjetëra zjarre, duke detyruar mijëra banorë të largohen nga shtëpitë e tyre. Alarmet e kuqe të motit janë në fuqi në disa pjesë të Italisë, Francës, Spanjës, Portugalisë dhe Ballkanit, ku temperaturat tejkalojnë 40 gradë Celsius, me rreziqe serioze për shëndetin e popullsisë. Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë u ka bërë thirrje urgjente banorëve në Nartë, Skënderbegas të Gramshit dhe Delvinë që të largohen nga banesat e tyre, për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve. Zjarri i përmasave apokaliptike në Gramsh ka djegur 39 banesa. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako tha se për shuarjen e zjarreve në të gjithë vendin janë angazhuar rreth 10 mijë forca.

MILLATOVIQ: MALI I ZI KA NJË SHANS HISTORIK, NUK KA KOHË PËR TË HUMBUR

Mali i Zi duhet të ndryshojë dhe të bëhet më i suksesshëm, sepse përpara tij është një shans historik për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), tha presidenti i vendit, Jakov Millatoviq, dhe tha se nuk ka më kohë për të humbur. Sipas raportimeve nga zyra e tij, Millatoviq e tha këtë në një bisedë me kancelarin austriak Christian Stocker në Cetinë.
Thuhet se Millatoviq dhe Shtoker konfirmuan angazhimin e tyre për të forcuar më tej marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve, bazuar në vazhdimësinë historike, respektin e ndërsjellë dhe dialogun e shpeshtë politik. Millatoviq falënderoi Stocker për gatishmërinë e Austrisë për të ofruar ndihmë Malit të Zi në përballimin e pasojave të zjarreve të shumta.
Ai gjithashtu falënderoi Austrinë për mbështetjen e saj në rrugën evropiane të Malit të Zi dhe përpjekjet e saj për t'u bërë anëtari i parë i ardhshëm i BE-së. Ai vuri në dukje prioritetet kryesore të politikës së jashtme të Malit të Zi, të cilat, siç tha ai, përfshijnë, përveç anëtarësimit në BE, anëtarësimin e besueshëm të Malit të Zi në NATO dhe zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Millatoviq dhe Shtoker diskutuan gjithashtu mundësitë për investime të reja austriake në Mal të Zi, duke përfshirë projektet e centraleve të energjisë me erë, hidrocentraleve dhe modernizimin e sektorit të energjisë.

I BËNË THIRRJE SPAJIQIT QË TË DËGJONTE KËRKESAT E FAMILJEVE TË VIKTIMAVE NË CETINË

Aksioni për të Drejtat e Njeriut dhe Qendra për të Drejtat e Grave i bënë thirrje Kryeministrit Millojko Spajiq të dëgjojë kërkesat e familjeve të viktimave të vrasjeve masive në Cetine dhe t'u përgjigjet atyre. Drejtoreshat ekzekutivë të këtyre dy organizatave joqeveritare (OJQ), Tea Gorjanc Preleviq dhe Maja Raiçeviq, morën pjesë në përvjetorin e tretë të vrasjes masive në Medovinë të martën. Këto OJQ njoftuan se mbështesin kërkesat e familjeve të viktimave dhe këmbëngulin në zbulimin e së vërtetës rreth ngjarjeve që i paraprinë vrasjeve të dhjetë personave në vitin 2022 dhe 13 këtë vit, përfshirë katër fëmijë.
"Deri më sot, të gjitha rrethanat e vrasjeve në Medovinë nuk janë sqaruar", thanë këto OJQ.
Ata theksuan se edhe pas tre vjetësh, nuk është përcaktuar se kush është përgjegjës për faktin se arma e vrasësit me të cilën ai kreu vrasjet nuk u konfiskua në kohë, edhe pse ai ishte dënuar më parë për sjellje të dhunshme.

SONTE PËRFUNDON AFATI PËR CERTIFIKIM TË PARTIVE E KANDIDATËVE PËR ZGJEDHJE

Sonte, do të përfundojë afati për aplikimin e subjekteve politike për certifikim dhe dorëzimin e listave me emrat e kandidatëve në garën zgjedhore për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale. Vetëm dy muaj më pas, më 12 tetor 2025, qytetarët e Kosovës do të votojnë për të zgjedhur të parin e komunës së tyre dhe anëtarët e Kuvendeve Komunale.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se “periudha e aplikimit, e cila ka filluar më 26 qershor, do të përfundojë më 13 gusht, në orën 23:59”. Sipas Elezit, është në vullnetin e subjekteve politike të përcaktohen për llojin e zgjedhjeve dhe për komunat në të cilat duan të garojnë.
“Subjektet politike kanë të drejtën e plotë të vendosin në cilat komuna do të marrin pjesë në zgjedhje. Po ashtu, ato përcaktojnë vetë nëse do të garojnë vetëm në Zgjedhje për Kryetar Komune ose për Kuvend Komunal apo për të dyja njëkohësisht në një komunë të caktuar”, tha Elezi. Deri më tani, KQZ ka arritur të certifikojë grupin e parë me 10 subjekte politike, prej të cilave 2 iniciativa qytetare dhe 8 kanidatë të pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve, që përfaqësojnë këto subjekte politike, është: 64 kandidatë, prej të cilëve 5 kandiatë për Kryetarë të Komunave dhe 59 për anëtarë të Kuvendeve Komunale.

GJKKO LË SËRISH NË BURG ILIR METËN, RRËZOHET KËRKESA E AVOKATËVE TË ISH-PRESIDENTIT

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka rrëzuar sërish kërkesën e Ilir Metës për zbutje të masës së sigurisë, duke lënë në fuqi arrestin me burg ndaj tij.
Edhe pse SPAK i komunikoi mbylljen e hetimeve dhe çështja do të shkojë në gjykim, kryetari i Partisë së Lirisë do të vazhdojë të qëndrojë në burg deri në një vendim të ri, pasi gjyqtari Erjon Çela la në fuqi masën e arrestit ndaj tij, raporto euronews.al. Avokati Kujtim Cakrani braktisi seancën me argumentin se gjyqtari nuk është i pavarur.
Ish-presidenti Ilir Meta kishte kërkuar të lirohej nga qelia me argumentin që tashmë hetimet ndaj tij janë mbyllur dhe dosja ka kaluar për gjykim. Ish-presidenti akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, për çështjet që kanë të bëjnë me dosjen e lobimit të LSI në SHBA dhe aferën CEZ-DIA. Ai u arrestua më 21 tetor 2024 dhe që prej atij momenti qëndron në paraburgim me masë “arresti në burg”.

ZELENSKY DHE UDHËHEQËSIT EVROPIANË DO TË FLASIN ME TRUMPIN NË PRAG TË TAKIMIT TË TIJ ME PUTININ

Udhëheqësit e Evropës dhe Ukrainës do të flasin me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në një takim virtual, para samitit të tij me presidentin e Rusisë, Vladimir Putinin.
Trump do të mirëpresë Putinin - i cili është i izoluar nga Perëndimi prej se Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës në vitin 2022 – për bisedime në Alaskë të premten. Presidenti amerikan ka thënë se ky takim do të shërbejë si një “takim njohës” në përpjekjet e tij për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.
Derisa bisedimet diplomatike po vazhdojnë , e në të njëjtën kohë edhe lufta. Rusia lëshoi 49 dronë në Ukrainë gjatë natës , thotë ushtria ukrainase. Në 24 orët e fundit , Rusia bombardoi vendbanimet në rajonin e Donetskut 30 herë. Ushtria e Ukrainës thotë se “goditi një numër objektesh të rëndësishme” në Rusi , përfshirë stacionin e pompimit të naftës Unecha.

GJERMANIA, FRANCA DHE MBRETËRIA E BASHKUAR LETËR OKB: GATI TË RIVENDOSIM SANKSIONE NDAJ IRANIT, NËSE NUK ULET NË BISEDIME

Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania kanë vënë në dijeni OKB-në se janë të gatshme të rivendosin sanksione ndaj Iranit nëse deri në fund të këtij muaji, Republika Islamike nuk rinis bisedimet për programin e saj bërthamor. Në një letër adresuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe Këshillit të Sigurimit, ministrat e jashtëm të tre fuqive europiane shprehen se janë të angazhuara të përdorin çdo mjet diplomatik që kanë në dispozicion për të ndalur zhvillimin e një arme bërthamore nga Teherani, nëse ky i fundit nuk ulet në bisedime. Londra, Parisi dhe Berlini gjithashtu kërcënuan të përdorin mekanizmin për rikthimin e sanksioneve, pjesë e marrëveshjes ndërkombëtare të 2015-ës, që fuqitë bërthamore nënshkruan me Republikën Islamike dhe e cila reduktoi sanksionet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Sipas së njëjtës marrëveshje, e cila ndërkohë skadon në muajin tetor, çdo palë e saj mund të rivendosë sanksione. Tre fuqitë europiane janë pjesë e kësaj marrëveshjeje, së bashku me Kinën dhe Rusinë, ndërkohë që SHBA u tërhoq në 2018-n gjatë mandatit të parë të Donald Trump si president.

SULMET IZRAELITE VRASIN 123 PERSONA NË GAZË NË 24 ORËT E FUNDIT

Ushtria izraelite ka vazhduar bombardimet në Qytetin e Gazës, para një ofensive të planifikuar për marrjen nën kontroll të plotë të kësaj zone, teksa Ministria e Shëndetësisë në Gazë tha se në 24 orët e fundit janë vrarë 123 persona. Shifrat e viktimave janë më të lartat e regjistruara brenda një jave, teksa lufta mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – pothuajse është në vitin e dytë.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, përsëriti një ide që palestinezët duhet të largohen nga Gaza.
“Ata nuk po dëbohen, do t’u lejohet të ikin”, tha ai për kanalin izraelit të televizionit i24NEWS. “Të gjithë ata që shqetësohen për palestinezët dhe thonë se duan t’i ndihmojnë, duhet të hapin dyert e tyre dhe të mos na japin ne leksione”.
Arabët dhe shumë udhëheqës botërorë janë kundër idesë për zhvendosjen e popullsisë së Gazës prej 2 milionë banorësh. Ndërkaq, palestinezët thonë se një zhvendosje e tillë do të ishte sikurse një tjetër Nakba (katastrofë), kur qindra mijëra palestinezë u larguan apo u dëbuan gjatë luftës më 1948.

NESËR MOT SHUMË I NXEHTË

Në Mal të Zi mban mot me diell dhe shumë i nxehtë , vende-vende me vranësira të pakta deri mesatare. Frynë erë e dobët deri mesatare nga drejtimet e ndryshme. Temperaturat e shënuara në orën 14: Ulqin 40, Podgoricë e H.Novi 39, Budvë 38, Bijello Pole e Beran 36, Cetinë 35, Nikshiq e Andrievicë 34, Plevle, Kollashin , Plluzhinë e Rozhajë 33, Guci 31 dhe në Zhablak 27 gradë.
Për nesër pritet mot kryesisht i kthjellët dhe shumë i nxehtë. Pasdite kryesisht në pjesët malore mund të ketë reshje të shkurtra të shiut. Do të fryjë erë e lehtë deri e mesme e drejtimeve të ndryshme. Temperatura e mëngjesit prej 11 deri në 28, kurse më e larta e ditës prej 27 deri në 40 gradë.

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се