- Hronika
- Kolumne
-
Radio
- Izdvajamo
-
Emisije
- Dokumentarni program
- Pop top
- Europuls
- Zrno po zrno
- Radio ordinacija
- Kulturna panorama
- Zelena priča
- Epoleta
- +382
- Spona
- Svijet jednakih šansi
- Matica
- Život po mjeri čovjeka
- Link
- Izokrenuti svijet
- Koracima mladih
- Moja profesija je...
- Sportski program
- Kulturno-umjetnički program
- Muzički program
- Koracima prošlosti
- Naučno-obrazovni program
- RCG
- R98
- Programska šema
- Trofej Radija Crne Gore
- Frekvencije
- Radio drama
Ditari
30. 06. 2025.
00:00 >> 19:15
Ditari 30.06.2025
Ditarin e përgatiti Marash Dedvukaj
Presidenti Millatoviq, në Konferencën e katërt Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara në Sevila
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, merr pjesë sot në Konferencën e katërt Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara për Financimin e Zhvillimit, e cila po mbahet në Sevila, në organizim të kryeministrit të Spanjës, Pedro Sançez, dhe sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterresh. Millatoviq do të flasë, në sesion plenar të konferencës, për sfidat dhe prioritetet në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm nga perspektiva e Malit të Zi si një ekonomi e vogël dhe e hapur që është në proces të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Kuvendi i Malit të Zi, në bashkëpunim me Ministrinë e punët evropiane, organizoi sot konferencën me temë “E ardhmja e zgjerimit të Bashkimit Evropian – e ardhmja është tani”
Kuvendi i Malit të Zi, në bashkëpunim me Ministrinë e punët evropiane, organizoi sot konferencën me temë “E ardhmja e zgjerimit të Bashkimit Evropian – e ardhmja është tani”. Në këtë ngjarje marrin pjesë Marjan Sharec, raportues i Parlamentit Evropian për Malin e Zi, ministrja për punët evropiane e Malit të Zi, Majda Gorçeviq dhe Rikardo Seri, i ngarkuari me punë i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi. Ndërsa kryetari i parlamentit, Andrija Mandiq, tha se Mali i Zi është kandidati më i avancuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian, raportuesi i Parlamentit Evropian për Malin e Zi, Marjan Sharec, tha se raporti i miratuar mbi përparimin e Malit të Zi në Parlamentin Evropian është një dokument tjetër që konfirmon se Mali i Zi ka bërë një hap të rëndësishëm përpara. Konferenca synon të theksojë rëndësinë e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe të nxitë dialogun për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, me fokus të veçantë në përparimin e Malit të Zi në procesin e integrimit evropian.
Ulareviq -Rruga evropiane e Malit të Zi po ngecë kryesisht për shkak të rrethanave të brendshme dhe rasteve të pashfrytëzuara
Rruga evropiane e Malit të Zi po ngecë kryesisht për shkak të rrethanave të brendshme, sepse pengohet për shkak të rasteve të pashfrytëzuara, abuzim të institucioneve dhe shkelje të ligjit, tha drejtoresha ekzekutive e Qendrës për Edukim Qytetar Daliborka Uljareviq në konferencën "13 vjet të rrugës evropiane: drejtimet, kryqëzimet dhe devijimet", të organizuar nga Qendra e Edukimit Qytetar. Uljareviq tha se rruga evropiane e Malit të Zi, megjithëse formalisht e strukturuar, nuk ishte një vijën e drejtë dhe se ajo kishte kryqëzime që ofronin mundësi, por edhe devijime që largoheshin prej tyre me mungesën e të kuptuarit se nuk është fjala për ushtrim teknik, por proces i transformimi të thellë shoqëror që kërkon vizion, vendosmëri dhe vullnet politik. "Rruga evropiane e Malit të Zi po ngec kryesisht për shkak të rrethanave të brendshme, sepse ajo pengohet në mundësi të papërdorura, abuzim të institucioneve dhe shkelje të ligjit", konsideron Uljareviq.
Filip Ivanoviq udhëheqë delegacionin e Malit të Zi, në takimin dyditor të udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor
Delegacioni i Malit të Zi, i kryesuar nga Zëvendëskryeministri për punë të Jashtme dhe Evropiane, Filip Ivanoviq, merr pjesë në takimin dyditor të udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor kushtuar Planit të Rritjes, i cili fillon sot në Shkup. Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, do të zhvillojë bisedime për përshpejtimin e zbatimit të Planit evropian të Rritjes. Për përfaqësuesit e vendeve të rajonit ky takim do të jetë mundësi për të diskutuar për fusha të reja të bashkëpunimit që do të përshpejtonte integrimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët të BE-së.
M. Dukaj - Mali i Zi, në rrugën drejt Bashkimit Evropian (BE), po ndërton me vendosmëri një administratë publike
Mali i Zi, në rrugën drejt Bashkimit Evropian (BE), po ndërton me vendosmëri një administratë publike që është përgjegjëse, e hapur dhe efikase dhe që u shërben qytetarëve, u njoftua në ceremoninë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Administratës Publike. Ceremonia në të cilën u ndanë çmimet për nëpunësit më të mirë civilë u mbajt nën moton "Përgjegjës, i hapur, efikas", raportohet nga Qendra. Ministri i Administratës Publike Marash Dukaj tha se qëllimi i këtij departamenti është një administratë efikase dhe e depolitizuar që ndjek trendet moderne që u shërben qytetarëve dhe ekonomisë. Dukaj përgëzoi fituesit e çmimeve për arritjet e tyre të jashtëzakonshme dhe theksoi se slogani i sotëm "Përgjegjës, i hapur, efikas" nuk është rastësi. "Ky slogan është thirrje për marrëdhënie të ndershme dhe të respektuar ndaj administratës publike, si kusht për një jetë më të rehatshme, më të lehtë dhe më të drejtë për të gjithë ne. Kështu vazhdojmë së bashku", tha Dukaj.
Instituti Alternativa do të dorëzojë rekomandime shtesë për Ligjin mbi Qeverinë
Instituti Alternativa do të dorëzojë rekomandime shtesë për Ligjin mbi Qeverinë, drafti që ka marrë opinion pozitiv nga Komisioni i Venecias. Millena Muk, për Radion tonë, njoftoi se do të sugjerojë përmirësime lidhur me mandatet teknike, organizimin, detyrimet gjatë dorëzimit të pushtetit dhe rolin e sekretariatit të përgjithshëm të Qeverisë. Ajo mendon se iniciativa për miratimin në të njëjtën kohë të Ligjit mbi Qeverinë dhe Ligjit mbi Kuvendin nuk është e nevojshme, sepse rregullorja ekzistuese e parlamentit, sipas saj, trajton në mënyrë shumë të detajuar funksionimin e organit ligjvënës.
Shumica e propozimeve të qytetarëve të Cetinës do të përfshihen në ligjet që do të miratohen në periudhën e ardhshme
Shumica e propozimeve të qytetarëve të Cetinës, të cilët prej muajsh protestojnë për shkak të reagimit joadekuat të institucioneve kompetente pas dy tragjedive në qytet, do të përfshihen në ligjet që do të miratohen në periudhën e ardhshme. Këtë e deklaroi Millosh Pizhurica, anëtar i Këshillit për Siguri dhe Mbrojtje nga Lëvizja Evropa Tani. Ai gjithashtu theksoi se pret që legjislacioni i ri do të zvogëlojë bllokadat e rrugëve në Mal të Zi. Ndërkohë, punëtorët e Kripores së Ulqinit vazhdojnë protestat e tyre, pasi kërkojnë pagesën e rrogave dhe njohjen e përvojës së punës.
Ministritë e Financave, Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit të dytin vit me rallë po e shkelin rëndë Marrëveshjen Kolektive
Paga mesatare pa taksa dhe kontribute në maj, sipas të dhënave të Monstatit, ishte 1 mijë e 10 euro dhe ishte 0.5 për qind më e lartë krahasuar me muajin prill. Sipas kësaj agjencie statistikore, paga neto mesatare në maj krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar shënoi rritje prej 21.9 për qind. Paga bruto mesatare në muajin maj në Mal të Zi ishte 1.2 mijë euro.Ministritë e Financave, Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit të dytin vit me rallë po e shkelin rëndë Marrëveshjen Kolektive në fushën e arsimit, kanë njoftua nga Sindikata e Arsimit, duke deklaruar se këta resor kanë vendosë të ulin pagat e edukatorëve deri në 50 EUR përmes llogaritjes së re të pagave. Bordi Ekzekutiv (BE) i Sindikatës së Arsimit tha se ata kishin një premtim nga përfaqësuesit e Ministrisë së Financave se qëllimi i tyre nuk ishte të ulnin pagat e edukatorëve dhe se me një kompromis, përmes ndryshimeve në KKD, ata mund të gjenin një zgjidhje të favorshme. "Megjithatë, javën e kaluar, në një takim me përfaqësuesit e Ministrive të Financave, Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, na u tha se Qeveria nuk ka ndërmend të punojë për ndryshime në KKD, dhe se sistemi i centralizuar i llogaritjes së pagave duhet të zbatohet", thuhet në deklaratë.
Në Mal të Zi aktualisht ndodhen mbi 91 mijë turistë
Në Mal të Zi, sipas të dhënave jozyrtare të organizatave lokale turistike e që posedon Organizata Turistike në nivel qendrorë, aktualisht ndodhen mbi 91 mijë turistë. Përfaqësuesja e Organizatës nacionale turistike, Millena Vujaçiq, tha se kjo është pothuajse e njëjtë me periudhën në vitin e kaluar dhe paraqet rritje prej 2,6 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019. “Numri më i madh i vizitorëve qëndrojnë në Budva, Herceg Novi, Ulqin dhe Tivar. Pritjet tona janë që sezoni të jetë në nivelin e atij të vitit të kaluar,” tha Vujaçiq.
Prej mesnate çmimet e derivateve të naftës më të larta
Çmimet e derivateve të naftës prej mesnate do të jenë më të larta prej dy deri në tetë centë. Euro super 95 do të shtrenjtohet 2 centë, kurse Euro super 98 për 3 cent, kështu që gjatë 15 ditëve të ardhshme një litër do të kushtojë 1.45, gjegjësisht 1.49 euro. Çmimi i Eurodizelit rritet për 8 cent dhe kushtojë 1.38 euro, kurse nafta për ngrohje 1.31 apo 7 centë më shtrenjtë.
Filmi i metrazhit të gjatë i Malit të Zi që u shfaq në programin kulturor në Kosovë
Forever Hold Your Peace” ishte filmi i metrazhit të gjatë të Malit të Zi që u shfaq në programin kulturor të Malit të Zi në Kosovë, të titulluar “Në rrugëtim: nga Dita e Pavarësisë deri te Dita e Shtetësisë”, javë kulturore që ka nisë më 21 qershor. Në mesin e të pranishmëve në këtë festë të shtetit të Malit të Zi ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sikurse që ishin të pranishëm edhe ambasadorë të shumtë, përfaqësues të botës akademike, artistike, mediatike dhe afariste, si piktorja Zake Prelvukaj, ish ambasadorja Mimoza Ahmetaj, Dren Abazi dhe personalitetet tjera të jetës publike kosovare dhe nga diaspora. Ndërkohë, java kulturore vazhdon në Pejë, ku do të shfaqet filmi dokumentar “I was ten”.
Kurti: Të akuzuarit për Banjskën, më afër Vuçiqit sesa mbrojtja e afërt
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se të akuzuarit për sulmin në Banjskë gjenden shumë afër presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, madje, sipas tij, më afër sesa mbrojtja e tij e afërt. Kurti kërkoi sërish që ata t’iu dorëzohen autoriteteve kosovare.Kurti i bëri këto komente gjatë një ngjarjeje të sotme, pasi në rrjetet sociale u publikuan pamje dhe fotografi që shfaqnin disa persona para ndërtesës së Presidencës së Serbisë, gjatë protestës së së shtunës, për të cilët pretendohet se janë të akuzuar për sulmin e armatosur në Banjskë. Radio Evropa e Lirë po verifikon identitetin e tyre. Kurti tha se kjo dëshmon se ekzekutivi i tij ka pasur të drejtë kur e ka shpallur organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut” në vitin 2023. “Në Banjskë të Zveçanit, në fund të shtatorit e vranë rreshterin tonë policor, Afrim Bunjaku, dhe ne kërkojmë dorëzimin e kryekriminelit, kryeterroristit Millan Radoiçiq dhe 44 paramilitarë të tjerë të cilët morën pjesë në sulmin terrorist e kriminal të shtatorit të vitit 2023. Tash, të njëjtit janë më afër sesa mbrojtja e afërt e presidentit të Serbisë [Aleksandar Vuçiq]”, tha Kurti gjatë një deklarimi për gazetarë në Bardhosh të Prishtinës.
Ngrihet aktakuzë në mungesë ndaj dy personave për krime lufte në Kaçanik
Prokuroria Speciale e Kosovës tha se ka ngritur aktakuzë në mungesë ndaj dy personave, me inicialet J.J. dhe V.T., për veprën penale të krimit të luftës kundër popullatës civile. J.J. dhe V.T. akuzohen se, në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, kanë vrarë dy persona, të identifikuar me inicialet R.E. dhe M.H., në fshatin Kaçanik i Vjetër, në komunën e Kaçanikut. Sipas aktakuzës, në periudhën 1998-1999, të pandehurit kanë “rrahur, kanë shkaktuar maltretime fizike dhe psikike, dhe kanë plaçkitur pasurinë e luajtshme të të dëmtuarit SH.D. dhe viktimave, tani të ndjerëve M.H. dhe R. E.”. Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që ndaj të akuzuarve të mbajë gjykim në mungesë për shkak se ata “janë të paarritshëm për organet e drejtësisë”. Gjykimi në mungesë mundësohet në Kosovë pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, të bëra në vitin 2022. Megjithatë, gjykime të tilla mund të bëhen vetëm me kushtin që prokuroria dhe gjykata t’i kenë shteruar të gjitha mjetet për të siguruar praninë e të akuzuarit.
Disa të arrestuar pasi policia serbe heq bllokadat në Beograd
Disa persona janë arrestuar mëngjesin e 30 qershorit, teksa policia serbe hoqi të gjitha bllokadat e vendosura në rrugët në Beograd, njoftoi Ministria për Punë të Brendshme e Serbisë. Policia po ashtu tha se po heq barrikadat e vendosura në qytet tjera, të cilat u vendosën nga protestuesit në dhjetëra lokacione një natë më parë si formë e “mosbindjes civile”, pas protestës së madhe studentore në Beograd. Në këtë protestë, ku u arrestuan dhjetëra persona, vlerësohet se morën pjesë 140.000 protestues. Në njoftimin e policisë serbe nuk u specifikua numri i personave të arrestuar pas heqjes së bllokadave. Studentët që po bllokojnë fakultetet në Beograd kanë publikuar video të arrestimeve në rrjetet sociale, duke thënë se “të arrestuarit u rrahën dhe u privuan nga liria”.
Komisionarja Kos dhe udhëheqësit e Ballkanit takohen në Shkup për Planin e Rritjes
Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, do të zhvillojë bisedime në Shkup sot dhe nesër me udhëheqësit e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor për përshpejtimin e zbatimit të Planit evropian të Rritjes për këtë rajon, njoftoi Komisioni Evropian. Udhëheqësit nga Kosova, Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe komisionarja Kos do të përqendrohen në reformat kyç për të “zhbllokuar” ndarjen e fondeve nga Plani i Rritjes dhe të sjellin përfitime të prekshme për qytetarët e shteteve kandidate për anëtarësim në BE para pranimit të tyre në bllok, u tha në njoftim. Nga Plani i Rritjes, të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor - përveç Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës - kanë marrë fondet e para të para-financimit. Takimi në Shkup po ashtu do të jetë mundësi për të diskutuar për fusha të reja të bashkëpunimit: mbrojtja e konsumatorëve, turizmi dhe rruga drejt tregut të përbashkët që do të përshpejtonte integrimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët të BE-së.
Kryediplomati gjerman: Putin dëshiron kapitullimin e Ukrainës
Presidenti rus, Vladimir Putin, dëshiron që Ukraina të dorëzohet, tha kryediplomati i Gjermanisë, Johann Wadephul, gjatë vizitës në Kiev, teksa Rusia javët e fundit ka intensifikuar bombardimet ndaj shtetit fqinj. Kjo është vizita e parë e ministrit të Jashtëm gjerman, Wadephul, që kur ai mori këtë post muajin e kaluar. Në mes të bisedimeve të bllokuara për t’i dhënë fund luftës trevjeçare, “Putin nuk po tërhiqet nga asnjë nga kërkesat e tij maksimaliste – ai nuk dëshiron negociata, ai dëshiron kapitullim”, tha Wadephul gjatë vizitës të paparalajmëruar në Kiev. “Liria dhe pavarësia e Ukrainës janë detyra më e rëndësishme e politikës tonë të jashtme dhe të sigurisë”, u tha në njoftimin e lëshuar nga Ministria e Jashtme gjermane. Rusia “po llogarit në dobësimin e mbështetjes sonë dhe dëshiron pushtim dhe nënshkrim me çdo kusht, madje edhe në kurriz të mijërave jetë”, tha ai.
Nesër pritet mot kryesisht me diell dhe shumë i nxehtë
Sot në pjesën më të madhe të Malit të Zi po mban mot kryesisht i kthjellët, në veri dhe viset e larta malore me vranësira të pakta. Fryn erë e dobët deri mesatare nga drejtimet e veriut. Temperaturat në orën 14 u shënuan: Podgoricë 37 gradë, Ulqin, Budvë e Herceg Novi 33, Cetinë e Bijello Pole 32, Nikshiq e Beranë 31, Tivar 30, Kollashin e Plevle 29, Rozhajë e Guci 27 dhe në Zhablak 23 gradë.
Nesër pritet mot kryesisht me diell dhe shumë i nxehtë. Pas dite në veri dhe pjesët qendrore janë të mundshme vranësira të pakta lokale. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare, kryesisht nga drejtimet e veriut dhe verilindjes. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 11 deri në 27 kurse më e larta e ditës prej 24 deri në 38 gradë celsius.
Коментари0
Остави коментар