- Hronika
- Kolumne
-
Radio
- Izdvajamo
-
Emisije
- Dokumentarni program
- Pop top
- Europuls
- Zrno po zrno
- Radio ordinacija
- Kulturna panorama
- Zelena priča
- Epoleta
- +382
- Spona
- Svijet jednakih šansi
- Matica
- Život po mjeri čovjeka
- Link
- Izokrenuti svijet
- Koracima mladih
- Moja profesija je...
- Sportski program
- Kulturno-umjetnički program
- Muzički program
- Koracima prošlosti
- Naučno-obrazovni program
- RCG
- R98
- Programska šema
- Trofej Radija Crne Gore
- Frekvencije
- Radio drama
Ditari
24. 06. 2025.
00:00 >> 18:08
Ditari 24.06.2025
Ditarin e përgatiti Marash Dedvukaj
Ministria e punëve të brendshme ka njoftuar se është rreptësishtë e ndaluar ndezja e zjarrit në ambiente të hapura
Për shkak të temperaturave të larta dhe rrezikut nga zjarret, Ministria e punëve të brendshme ka njoftuar se është rreptësishtë e ndaluar ndezja e zjarrit në ambiente të hapura, si dhe përdorimi i mjeteve piroteknike. Nga kjo ministri kumtuan se temperaturat e larta të regjistruara këto ditë në gjithë territorin e Malit të Zi paraqesin një rrezik real për shpërthimin e zjarreve në ambient të hapur.
Spajiq - Mali i Zi më në fund u çlirua nga dekada turpi dhe njolla e keqe si vend kontrabandist
Kryeministri Millojko Spajiq shkroi në rrjetin X se Mali i Zi më në fund u çlirua nga dekada turpi dhe njolla e të qenit një vend kontrabandist. Siç deklaroi ai, kjo njohje nga organizata prestigjioze si Bloomberg dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë është një konfirmim se Mali i Zi më në fund po shkon në drejtimin e duhur."Rritja e pensioneve dhe pagave nuk paguhet nga borxhi, por realizohet, ndër të tjera, falë luftës kundër tregtisë së paligjshme të duhanit. Në vend që të shkojnë në xhepat e individëve, duke futur tregun në rrjedha ligjore, paratë nga shitja e produkteve të duhanit shkojnë në llogaritë e të gjithë qytetarëve. Kjo sjell një standard më të mirë, dhe për këtë arsye ne do të mbetemi konsistentë me tolerancë zero për kontrabandën e duhanit, tha Spajiq.
M.Koprivica - Shkatërrimi i duhanit të konfiskuar në Zonën e Lirë të Portit të Tivarit ka filluar dhe po kryhet nën video mbikëqyrje
Duhani i sekuestruar nga organet shtetërore ka filluar sot të asgjësohet në Zonën e Lirë të Portit të Tivarit, njoftoi zëvendëskryeministri për Sistem politik, drejtësi dhe antikorrupsion, Momo Koprivica. Ai tha se kontraktor është kompania shtetërore SHPK Deponija. Shkatërrimi kryhet pasi në vend bëhet regjistrimi i duhanit, me mbikëqyrje e kamerave, kontrollin e ekipeve dhe komisionit që përbëhet nga oficerë doganorë dhe policorë, si dhe përfaqësues të HMRC-së, tha Koprivica.
Vuçiniq - Shkatërrimi i produkteve të paligjshme të duhanit dërgon një mesazh të qartë se shteti nuk do të tolerojë shkeljet e ligjit
Shkatërrimi i produkteve të paligjshme të duhanit dërgon një mesazh të qartë se shteti nuk do të tolerojë shkeljet e ligjit, duke forcuar kështu besimin e qytetarëve në institucione dhe sundimin e ligjit dhe duke mbrojtur interesat financiare të Malit të Zi, tha drejtoresha e Administratës Doganore, Maja Vuçiniq. Ajo këtë e deklaratë me rastin e fillimit të shkatërrimit të produkteve të duhanit të sekuestruara në Zonën e Lirë të Portit të Tivarit. Sipas Vuçinq, Administrata Doganore kreu me sukses të gjitha aktivitetet që synonin fillimin e qetë të procesit të shkatërrimit të produkteve të duhanit të konfiskuara në Zonën e Lirë të Portit të Tivarit. Vuçiniq kujtoi se Administrata Doganore, në tetor dhe nëntor, kreu me sukses një inventar të produkteve të duhanit të sekuestruara. "Duke shkatërruar produktet e paligjshme të duhanit, ne po dërgojmë një mesazh të qartë se shteti nuk do të tolerojë shkeljet e ligjit, duke forcuar kështu besimin e qytetarëve në institucione dhe sundimin e ligjit, dhe duke mbrojtur kështu interesat financiare të Malit të Zi", tha Vuçiniq.
Presidenti i Malit të Zi Jakov Millatoviq kryeson delegacionin malazez në Samitin e NATO-s
Presidenti i Malit të Zi Jakov Millatoviq kryeson delegacionin malazez në Samitin e NATO-s, i cili mbahet sot dhe nesër në Hagë. Kabineti i Millatoviqit tha se takimi i krerëve të shteteve dhe qeverive të 32 anëtarëve të Aleancës, shteteve partnere dhe Bashkimit Evropian (BE) është samiti i parë i kryesuar nga Sekretari i Përgjithshëm i ri i NATO-s, Mark Rutte. "Temat kryesore që do të diskutohen janë forcimi i aftësive parandaluese dhe mbrojtëse të NATO-s, rritja e shpenzimeve të mbrojtjes dhe zhvillimi i industrisë së mbrojtjes, si dhe vazhdimi i mbështetjes për Ukrainën", thuhet në deklaratë. Siç është njoftuar, Millatoviq do të marrë pjesë në darkën gala për udhëheqësit e anëtarëve të Aleancës të organizuar nga Mbreti Viljem Alexander. "Në margjinat e Samitit në Hagë, Presidenti do të flasë me shumë udhëheqës evropianë dhe do të përsërisë angazhimine Malit të Zi për arritjen e qëllimit strategjik të anëtarësimit në BE deri në vitin 2028", njoftoi zyra e Millatoviqit.
Ivanoviq - Mali i Zi duhet të forcojë rrjetin diplomatik
Mali i Zi duhet të forcojë rrjetin diplomatik, i cili është një instrument për një prani më aktive në skenën ndërkombëtare, përfaqësim efektiv të interesave kombëtare dhe forcimin e lidhjeve politike dhe ekonomike, tha Zëvendëskryeministri për Çështjet e Jashtme dhe Evropiane Filip Ivanoviq. Ivanoviq, në hapjen e ditës së dytë të Shkollës së 18-të Verore për Diplomatët e Rinj "Gavro Vukovićq" në Kolashin, tha se diplomacia moderne kërkon jo vetëm njohuri dhe profesionalizëm, por edhe aftësinë për t'iu përgjigjur sfidave komplekse globale. "Në një kontekst të tillë, forca e diplomacisë qëndron në aftësinë e saj për të ndërtuar ura, për të ruajtur besimin dhe për të promovuar politika të përgjegjshme. Mali i Zi mbetet fuqimisht i përkushtuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian, i cili nuk është vetëm qëllimi ynë i politikës së jashtme, por edhe një shprehje e orientimit tonë të vlerave dhe interesit tonë strategjik afatgjatë", tha Ivanoviq.
J. Peroviq - nuk ka arsye për shkarkimin tim
Nuk ka arsye për shkarkimin tim, e gjithë kjo është një qëllim politik që do të arrihet në kohën e duhur, do të shohim se si, tha ish-drejtoresha e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (ASK) Jelena Peroviq sot për mediat pas seancës së Këshillit të ASK-së ku shpjegoi arsyet e shkarkimit të saj. Ajo beson, se ka njerëz në Këshill që kanë integritet dhe përgjegjësi. "Pyetja ime e parë ishte se nga cili pozicion po shkarkohem dhe nëse po shkarkohem nga pozicioni i drejtoreshës. Përgjigja ishte, thjesht jo. E di që po shkarkohem nga pozicioni i drejtoreshës, që do të thotë se më 30 maj, deri më sot, më penguan në mënyrë të paligjshme të kryeja detyrat e mia si drejtoreshë", tha ajo. Diskutimi i Këshillit zgjati rreth një orë. Avokati i Peroviq, Nikolla Martinoviq, tha se ata nuk kanë marrë asnjë nga përgjigjet që duhet të kishte Këshilli. "Nuk kemi marrë përgjigje se çfarë po bëjnë dhe kë po shkarkojnë, as për arsyet e shkarkimit, dhe sot kemi vërtetuar se në vendimin me të cilin është iniciuar kjo procedurë, nuk ka asnjë pretendim faktik që do të përmbante shkelje të ligjit nga Jelena Peroviq. Ajo që është interesante është se kjo seancë është regjistruar në audio, kështu që kur të marr regjistrimin audio do ta ndaj me mediat", tha Martinoviq.
Këshill Parlamentar për Turizëm, Ekologji dhe Planifikim Hapësinor shqyrton Propozim- Vendimin për Miratimin e Planit Hapësinor të Malit të Zi
Këshill Parlamentar për Turizëm, Ekologji dhe Planifikim Hapësinor shqyrton Propozim- Vendimin për Miratimin e Planit Hapësinor të Malit të Zi. Ky dokument strategjik planifikon zhvillimin dhe bazat e përgjithshme të organizimit, përdorimit, rregullimit dhe mbrojtjes së territorit të Malit të Zi për periudhën deri në vitin 2040. Qeveria, që është propozues i vendimit pret që deputetë ta miratojnë unanimisht. Sekretarja shtetërore në Ministrinë e planifikimit hapësinor dhe udhëheqësja e hartimit të Planit hapësinor, Svetllana Jovanoviq, ka deklaruar se nuk janë të vërteta pretendimet se planifikohet ndërtim në zonën e Plazhit të Madh dhe Bularicës.
PDS është në përfundim të punës për ligjin që ndalon veprimin e organizatave fashiste dhe nacionaliste esktreme
Partia Demokratike e Socialistëve është në përfundim të punës për ligjin që ndalon veprimin e organizatave fashiste dhe nacionaliste esktreme, kanë bërë të ditur për Radion tonë nga kjo e parti. Sipas tyre, arsyeja është glorifikimi gjithnjë më i pranishëm i kriminelëve të luftës nga një pjesë e shumicës qeverisëse dhe disa organizata fetare. Nga Demokracia e re serbe ka deklaruar se PDS duhet të ndalojë vetveten, ndërsa nga Demokratët thonë se bëhet fjalë për një përpjekje të kësaj partie për të rikthyer rejtingun e lëkundur. Deputeti i Partisë Demokratike të Socialistëve dhe nënkryetari i Kuvendit, Nikolla Rakoçeviq, thotë se arsyeja e propozimit të këtij Ligji është glorifikimi i kriminelëve të luftës që kohët e fundit është bërë i shpeshtë.
Administrata në falimentim e Kripores së Ulqinit u ka paguar ish-punëtorëve nga 350 euro
Administrata në falimentim e Kripores së Ulqinit u ka paguar ish-punëtorëve nga 350 euro mjete të papaguara që ua detyrohen prej dhjetë apo më shumë vitesh. Sindikata e ka konfirmuar se 70 punëtorë kanë marrë një pjesë të borxhit dhe se kjo është pagesa e parë nga kjo administratë që prej muajit dhjetor të vitit 2023. Punëtorët janë të kënaqur pasi kjo do të përmirësojë sado pak gjendjen e tyre të rëndë ekonomike, kanë thënë nga sindikata. Rreth 70 punëtorë të Kripores, të cilët kanë qëndruar në punë deri në fund, u pushuan në vitin 2014, një vit pas vjeljes së fundit të realizuar nga kjo Kripore.
Albin Kurti - opozita është duke ia zgjatur mandatin qeverisë
Derisa Kuvendi ka tentuar dhe ka dështuar 36 herë që ta konstituojë legjislaturën e nëntë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sot ka thënë se opozita është duke ia zgjatur mandatin qeverisë së tij. Madje, sipas tij, “dikush mund të mendojë se ekziston një marrëveshje. Kurti ka thënë se kjo po ndodh me vonesat në konstituim të Kuvendit, tash e pesë muaj prej zgjedhjeve të 9 shkurtit. Ai e cilësoi të pakuptueshme mosvotimin e opozitës për komisionin për votim të fshehtë për kryeparlamentarin. “Ju gjithmonë e dini që kam hyrë në çerekun e dytë të vitit të pestë të mandatit të plotë. Çdo opozitë demokratike përpiqet që t’ia shkurtojë mandatin qeverisë. Përveç opozitës kosovare, e cila, siç jeni dëshmitarë të gjithë ju, po e zgjat mandatin e qeverisë Kurti. Dikush edhe mund të mendojë se kemi marrëveshje. Pra, ne si qeveri në detyrë kemi marrëveshje me opozitën aktuale që të qëndrojmë sa më shumë në pushtet. Por ju siguroj që kjo nuk është e vërtetë. Nuk kam shpjegim për këtë sjellje nëpër të cilën po kalojnë institucionet e Kosovës. Ne, në bazë të nenit 31 të Ligjit për Qeverinë, kemi më pak kompetenca, por kemi njësoj shumë punë. Sa më herët që e konstituojmë Kuvendin, duke e formuar me votim të fshehtë kryesinë e Kuvendit, aq më shpejt do të jemi edhe te qeveria e re”, tha Kurti.
Rutte: SHBA-ja është plotësisht e përkushtuar ndaj NATO-s
Aleatët evropianë nuk duhet të shqetësohen për përkushtimin e Shteteve të Bashkuara ndaj NATO-s, tha Mark Rutte, shefi i aleancës ushtarake, duke folur para një samiti ku pritet të miratohet një synim i ri për shpenzime të mëdha. Takimi dyditor në Hagë ka për qëllim t’ia dërgojë një mesazh presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, se NATO-ja është e bashkuar, pavarësisht kritikave të mëparshme të presidentit amerikan, Donald Trump, ndaj aleancës, dhe se është e vendosur ta zgjerojë dhe përmirësojë mbrojtjen për ta frenuar çdo sulm nga Moska. “Presidenti amerikan dhe udhëheqja e lartë amerikane janë plotësisht të përkushtuar ndaj NATO-s”, tha Rutte në një forum publik para hapjes zyrtare të samitit, duke shtuar, megjithatë, se ky përkushtim vjen me pritshmërinë që vendet evropiane dhe Kanadaja t’i rrisin shpenzimet për mbrojtjen. Samiti dhe deklarata përfundimtare e tij do të jenë të shkurtra dhe të përqendruara në përgjigjen ndaj thirrjes së Trumpit për t’i shpenzuar 5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto – një rritje e madhe nga caku i tanishëm prej 2 për qind. Rutte e përshkroi çështjen e shpenzimeve si “pengesë, irritim i madh, që është fakti se ne nuk po shpenzojmë sa duhet si evropianë dhe kanadezë, dhe ata duan që të barazohemi me atë që shpenzon SHBA-ja”.Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se ka planifikuar të takohet me Trumpin në Hagë – edhe pse ai nuk do të marrë pjesë në samit, pasi zyrtarët e NATO-s janë përpjekur të shmangin përplasjet mes Trumpit dhe udhëheqësve të tjerë për luftën në Ukrainë.
Rreth 25 të vrarë në Gazë pasi ushtria izraelite hapi zjarr ndaj njerëzve që po prisnin për ndihma
Forcat izraelite kanë hapur zjarr, përfshirë dronë, ndaj qindra njerëzve që i prisnin kamionët me ndihma në pjesën qendrore të Rripit të Gazës në orët e hershme të mëngjesit të së martës, duke i vrarë të paktën 25 njerëz, sipas dëshmitarëve palestinezë dhe spitaleve. Ushtria izraelite nuk e ka komentuar ende këtë ngjarje. Spitali Avda në kampin e refugjatëve Nuseirat - i cili pranoi viktimat - tha se palestinezët po prisnin kamionët në rrugën Salah al-Din, në jug të Gazës. Dëshmitarët i thanë agjencisë Associated Press se forcat izraelite hapën zjarr derisa njerëzit po lëviznin drejt lindjes për të shkuar më afër kamionëve me ndihma që po vinin drejt tyre. "Kjo është masakër", tha Ahmed Halava. Ai tregoi se ushtria izraelite hapi zjarr me tanke dhe dronë mbi njerëz, "madje edhe kur po iknim. Shumë njerëz u martirizuan ose u plagosën". Një dëshmitar tjetër, Hossam Abu Shahada, tha se dronët po fluturonin mbi zonë, duke vëzhguar turmën fillimisht, dhe pastaj filluan të shtënat nga tanket dhe dronët teksa njerëzit po lëviznin drejt lindjes. Ai përshkroi gjendjen si "kaotike dhe të përgjakshme" teksa njerëzit po përpiqeshin të shpëtonin. Ai tha se pa të paktën tre njerëz të shtrirë në tokë dhe të palëvizshëm, si dhe shumë të tjerë të plagosur, teksa po largohej nga vendngjarja. Spitali Awda tha se edhe 146 palestinezë të tjerë u plagosën. Mes tyre, 62 ishin në gjendje kritike dhe u transferuan në spitale të tjera në Gazën qendrore.
Lëkundet armëpushimi pasi Izraeli thotë se Irani lëshoi raketa
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, ka thënë se Irani e ka “shkelur plotësisht” armëpushimin mes Izraelit dhe Iranit duke lëshuar raketa pas hyrjes në fuqi të armëpushimit. Katz theksoi se e ka urdhëruar ushtrinë izraelite t’i rifillojë sulmet ndaj caqeve paramilitare dhe qeveritare në Iran. Izraeli tha se ka vërejtur raketa të lëshuara nga Irani në hapësirën e tij ajrore më pak se tri orë pas hyrjes në fuqi të armëpushimit, pasi si Izraeli, ashtu edhe Irani e kishin pranuar thirrjen e presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës 12-ditore që ka tronditur Lindjen e Mesme. Pranimi i marrëveshjes nga të dyja palët mëngjesin e së martës erdhi pasi Teherani e kreu sulmin e fundit raketor ndaj Izraelit, si pasojë e të cilit humbën jetën katër njerëz në orët e hershme të mëngjesit të së martës, ndërkohë që Izraeli kreu bombardime në të gjithë Iranin para agimit. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Izraeli është pajtuar për armëpushim dypalësh me Iranin, në bashkërendim me Trumpin.
Nesër mot i ngjashëm me të sotmin
Sot në Mal të Zi po mban mot me diell dhe i nxehtë. Frynë erë e lehtë e drejtimeve të ndryshme. Temperaturat në ora 14u shënuan: në Podgoricë 34 gradë, Bijello Pole 33, Nikshiq e Beranë 32, Cetinë e Kollashin 31, Plevle 30, Herceg Novi 29, Ulqin, Tivar, Rozhajë, Guci e Petnjicë 28 dhe në Zhablak 24 gradë.
Edhe për nesër pritet mot i kthjellët dhe shumë i nxehtë. Do të fryjë erë kryesisht e lehtë e drejtimeve të ndryshme. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 10 deri në 23, kurse më e larta e ditës prej 28 deri në 38 gradë celsius.
Коментари0
Остави коментар