Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема
MNE Play
MNE Play

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

10. 06. 2025. 00:00 >> 17:06

Ditari 10.06.2025

Ditarin e përgatiti Marash Dedvukaj

Ish-zyrtari i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (ANB) të Malit të Zi, Dushko Golluboviq, sot është marrë në pyetje në Prokurorinë Speciale të Shtetit

Ish-zyrtari i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (ANB) të Malit të Zi, Dushko Golluboviq, sot është marrë në pyetje në Prokurorinë Speciale të Shtetit (SDT) si pjesë e hetimit për kontrabandën e cigareve përmes Portit të Tivarit, si pjesë e aksionit të fundit në të cilin dyshohen edhe anëtarët e familjes Stanaj nga Podgorica. Golluboviq dyshohet si një nga krerët e organizatës kriminale, shtatë anëtarët e së cilës u arrestuan në operacionin e djeshëm nga Departamenti Special i Policisë. Sipas SDT organizator gjithashtu ishte edhe Sander Stanaj, themeluesi i kompanisë "Rokshped". Ndalua janë edhe Ish-drejtori i "Rokshpedit" Prokopij Periq, Adnan Sukoviq, Mileta Simaniq, Radoje Dakiq, Dejan Miliq, Predrag Madzhgalj dhe Ivan Turçinoviq. Nuo dhe Sander Stanaj janë në kërkim, sepse nuk janë të disponueshëm për organet hetimore në territorin e Malit të Zi. Golluboviq është arrestua dje me 9 maj me dyshimin për pastrim parash. Hetuesit pretendojnë se kanë mbledhur prova se familja e tij, gjatë dhjetë viteve, ka fituar asete me vlerë më shumë se një milion euro, duke përfshirë automjete luksoze dhe pasuri të patundshme në Mal të Zi dhe jashtë vendit. Policia është në kërkim edhe të Andrija Petanoviqit, pronarit të farmacisë "Petanoviq", për shkak të dyshimeve se ai ka marrë pjesë në kontrabandën e cigareve. Petanoviqi thuhet se ndodhet jashtë Malit të Zi, prandaj i shpëtoi arrestimit të djeshëm me urdhër të Prokurorisë Speciale të Shtetit.

Ministri i Mbrojtjes Dragan Krapoviq ka ngritë sot një kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Shtetit (SDT) kundër disa personave

Ministri i Mbrojtjes Dragan Krapoviq ka ngritë sot një kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Shtetit (SDT) kundër disa personave, në pozicione zyrtare përgjegjëse në Ministrinë e Mbrojtjes, të cilët, si persona përgjegjës, morën pjesë në shpërndarjen e 100 apartamenteve në Aeroportin e Vjetër në Podgoricë. "Apartamentet e lartpërmendura u ndanë me qira sipas njoftimit të majit 2010, me të drejtë blerjeje me kushte më të favorshme. Katër apartamente u ndanë për nëpunës civilë dhe punonjës, 75 apartamente për personel ushtarak profesional, shtatë apartamente për civilë që shërbejnë në Ushtri, 13 për oficerë dhe nënoficerë në pension dhe një apartament për civilë në pension. Janë 10 apartamente me tre dhoma, 49 apartamente me dy dhoma, 2 apartamente me një dhomë gjumi, 30 apartamente me një dhomë gjumi dhe 9 studio", tha Ministria e Mbrojtjes në një deklaratë. Siç theksoi Ministri Krapoviq në konferencën për shtyp sot, ai ngriti kallëzimin penal për shkak të "dyshimeve të bazuara për punë të pandërgjegjshme të disa personave N.N., se duke shfrytëzuar dhe tejkaluar pozicionin ose autoritetin e tyre zyrtar, ose duke mos kryer detyrat e tyre zyrtare, ata morën një përfitim për veten ose për një tjetër, i shkaktuan dëme një tjetri ose shkelën rëndë të drejtat e një tjetri, duke shkaktuar kështu dëme materiale në Buxhetin e Shtetit të Malit të Zi në shumën prej qindra mijëra eurosh".

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, nesër do të marrë pjesë në Samitin Ukrainë-Evropë Juglindore që zhvillohet në Odessa

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, do të marrë pjesë në Samitin Ukrainë-Evropë Juglindore që do të zhvillohet nesër në Odessa, me ftesë të homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky. Siç u njoftua nga kabineti i tij, Millatoviq do të flasë në seancën plenare dhe do të marrë pjesë gjithashtu në një konferencë për shtyp me Presidentin e Ukrainës dhe udhëheqës të tjerë nga rajoni. "Në margjinat e Samitit, Millatoviq do të ketë disa takime dypalëshe me qëllim përmirësimin e bashkëpunimit rajonal", thuhet në njoftim. Thuhet se Samiti i katërt në këtë format është një mundësi për të dërguar një mesazh të fortë paqeje dhe për të mbështetur negociatat që kanë filluar. Millatoviq deri më tani ka marrë pjesë në samitet në Athinë, Tiranë dhe Dubrovnik.

M. Gorçeviq, ka nënshkrua sot, në emër të Qeverisë së Malit të Zi, marrëveshje financiare me Bashkimin Evropian (BE) me vlerë 80 milionë euro

Ministrja e Çështjeve Evropiane, Maida Gorçeviq, ka nënshkrua sot, në emër të Qeverisë së Malit të Zi, marrëveshje financiare me Bashkimin Evropian (BE) me vlerë 80 milionë euro, të cilat lidhen me programe operative shumëvjeçare në fushën e mbrojtjes së mjedisit, punësimit dhe përfshirjes sociale. "Ne nënshkruam dy marrëveshje të rëndësishme financiare me një vlerë totale prej mbi 80 milionë eurosh. Këto janë fonde evropiane që do të arrijnë në çdo cep të Malit të Zi - në mënyrë që njerëzit të kenë një jetë më të mirë, jo një ditë, por sot dhe tani", tha Gorçeviq. Ajo tha se këto marrëveshje financiare përfaqësojnë një hap kyç në forcimin e kapacitetit të shtetit për të zbatuar reforma të rëndësishme dhe për të ndërtuar një shoqëri të qëndrueshme, si dhe konfirmim të angazhimit të Malit të Zi ndaj integrimit evropian dhe parimeve të zhvillimit të qëndrueshëm. "Mesazhi është i qartë: Mali i Zi e di se ku po shkon, beson në vlerat evropiane dhe po ndërton një shoqëri në të cilën zhvillimi, barazia dhe dinjiteti janë realitet, jo premtim", përfundoi Gorçeviq.

Pavliçiq - Zbatimi konsistent i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Liritë Themelore si dhe praktika e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut është thelbësore për forcimin e sundimit të ligjit

Zbatimi konsistent i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Liritë Themelore si dhe praktika e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut është thelbësore për forcimin e sundimit të ligjit dhe ndërtimin e besimit të qytetarëve në sistemin gjyqësor, tha Kryetarja e Gjykatës Supreme, Valentina Pavliçiq. Në Konferencën Ndërkombëtare të Kryetarëve të Gjykatave Supreme të Evropës, të mbajtur në Vlorë, duke folur për efikasitetin e gjykatave, ajo theksoi se zvogëlimi i numrit të çështjeve të vjetra është një nga prioritetet kryesore të gjyqësorit malazez. Pavliçiq, siç njoftoi Gjykata Supreme, theksoi se sistemi po përballet me sfida shumëvjeçare, nga mungesa e stafit, përmes pasojave të pandemisë dhe grevës së avokatëve, deri te koordinimi i pamjaftueshëm midis institucioneve. Ajo deklaroi se, në përgjigje të këtyre sfidave, ka përfunduar puna në Programin e Unifikuar për zgjidhjen e çështjeve të vjetra për periudhën 2025-2027, i cili përmban masa dhe aktivitete konkrete që synojnë rritjen e azhurnimit dhe efikasitetit të sistemit gjyqësor.

Zdravko Krivokapiq - tenderi për aeroportet duhet të anulohet

Ish-kryeministri dhe profesori në Universitetin e Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, tha se tenderi për aeroportet duhet të anulohet në mënyrë që të shmanget një tjetër turp."Vlerësimi i ofertave nuk është dhe nuk duhet të jetë një marrëveshje politike", tha Krivokapiq. Ai theksoi se reputacioni i vendit tonë është mbi çdo interes individual, partiak apo të brendshëm. "Kushtet sot, në mes të krizës së procesit të tenderimit, dyshimeve për parregullsi dhe dorëheqjeve të anëtarëve të komisionit, nuk janë të njëjta me 6 vjet më parë. Politikanë, mos harroni, detyrimi juaj është të mbroni interesat e Malit të Zi", përfundoi Krivokapiq.

Çarapiq - Të gjitha partitë politike kanë arritur marrëveshjën për të rritur shumën e parave të ndara nga buxheti për partitë

Të gjitha partitë politike kanë arritur marrëveshjën për të rritur shumën e parave të ndara nga buxheti për partitë, tha bashkëkryetari i Komitetit për Reformën Zgjedhore Vasilije Çarapiq, ndërsa përfaqësuesit e organizatave joqeveritare (OJQ) paralajmërojnë se rritja është ekzagjeruar. Çarapiq tha në seancën e Komitetit, duke prezantuar Projektligjin për Financimin e Subjekteve Politike dhe Fushatat Zgjedhore, se ata kishin një "garë me kohën" për të përgatitur zgjidhjen më komplekse ligjore që duhet të ofrojë Komiteti. Ai tha se në draft ata përcaktuan saktësisht se çfarë është fushata dhe kur fillon. Çarapiq theksoi se Drafti përcakton më mirë raportimin e partive dhe përforcon detyrimet në lidhje me raportimin dhe dorëzimin e dokumentacionit. "Ne prezantuam detyrime për të publikuar raportet financiare vjetore dhe planin e punës në faqen e internetit të partisë, për të dorëzuar raportet dhe dokumentacionin shoqërues, dhe në atë pjesë trajtuam çështjet teknike që shkaktuan probleme të mëdha", tha Çarapiq.

Raoniq -Sindikata po përdor manipulime për interesat e medieve private

Drejtori i Përgjithshëm i Radiotelevizionit të Malit të Zi, Boris Raoniq, duke iu përgjigjur akuzave të Sindikatës së Punëtorëve se udhëheqësia e tyre është nën presion të paparë për të nënshkruar propozimin e Marrëveshjes Kolektive, e cila është e papranueshme për ta, tha se Sindikata po përdor manipulime për interesat e medieve private. Raoniq theksoi gjithashtu se është i gatshëm të kalojë nëpër një detektor gënjeshtre me anëtarët e menaxhmentit dhe të Sindikatave, por kushdo që zbulohet se nuk thotë të vërtetën pas kësaj do të largohet vullnetarisht nga Radiotelevizioni i Malit të Zi. Raoniq tha se është një propozim i përbashkët i Marrëveshjes Kolektive, i cili është rezultat i disa muajve negociatash midis dy ndihmësve të tij dhe tre anëtarëve të Këshillit Drejtues të Sindikatës. Kryetarja e Sindikatës së Punëtorëve, Jadranka Drobnjak, ka thënë se me propozim të Marrëveshjes kolektive, e cila nuk është e pranueshme për ta, nuk parashihet rritje e pagave për kuadrin e mesëm.

Bujar Bukoshi, ish-kryeministër i Kosovës në mërgim dhe politikan i rëndësishëm i vendit, ka vdekur sot në moshën 78-vjeçare

Bujar Bukoshi, ish-kryeministër i Kosovës në mërgim dhe politikan i rëndësishëm i vendit, ka vdekur sot në moshën 78-vjeçare. Raportohet se ai vuante nga një sëmundje e rëndë e paspecifikuar. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se lajmin për vdekjen e Bukoshit e “mora me dhimbje të thellë” dhe e përshkroi Bukoshin si një “mjek me vizion dhe një burrë shteti me përkushtim të pashoq”. “Kontributi i tij si mjek, intelektual dhe udhëheqës politik ka lënë gjurmë të pashlyeshme në ndërtimin e rrugës sonë drejt lirisë dhe pavarësisë”, tha Osmani, sipas një komunikate të Presidencës. Bukoshi, mjek, urolog, profesor i universitetit, ishte kryeministër i Kosovës në mërgim nga viti 1991 deri në vitin 1999. Ai ishte pjesëmarrës aktiv i lëvizjes politike për pavarësinë e Kosovës. Bukoshi ishte ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe pas pavarësimit të vendit mbajti disa poste politike, si deputet i Kuvendit të Kosovës, ministër i Shëndetësisë dhe zëvendëskryeministër.Bukoshi – i lindur në Suharekë në vitin 1947 – e mbaroi Fakultetin e Mjekësisë në Beograd më 1971, ndërsa tezën e doktoratës e mbaroi në vitin 1985, në Fakultetin e Mjekësisë në Berlin. Gjatë karrierës së tij ai punoi edhe si mjek dhe profesor universitar në Prishtinë.

Të paktën dhjetë njerëz, përfshirë shtatë nxënës, janë vrarë sot në një sulm të dyshuar me armë në një shkollë në qytetin Grac

Të paktën dhjetë njerëz, përfshirë shtatë nxënës, janë vrarë sot në një sulm të dyshuar me armë në një shkollë në qytetin Grac, në jug të Austrisë, raportojnë mediat austriake. Kryetarja e qytetit, Elke Kahr, tha se sulmuesi i dyshuar është vrarë gjithashtu. Ajo e përshkroi sulmin si “tragjedi të tmerrshme”. Khar tha se shumë njerëz të tjerë janë dërguar në spitale për shkak të plagëve. Policia austriake tha se beson se sulmuesi veproi i vetëm. Edhe Forcat Speciale janë dërguar në gjimnazin BORG Dreierschützengasse, pas një telefonate në orën 10:00 të mëngjesit. Rreth një orë më vonë, policia njoftoi në rrjetin social X se të gjithë janë evakuuar nga shkolla dhe janë dërguar në vend të sigurt. Policia shtoi se situata është “nën kontroll” dhe se nuk ka më rrezik. Bëhet me dije gjithashtu se nga ky sulm kanë mbetur 28 të plagosur të cilët gjenden në spital, 4 prej të cilëve janë në gjendje të vështirë. Grac, qyteti i dytë më i madh i Austrisë, ndodhet në juglindje të vendit dhe ka rreth 300.000 banorë.

Marina e Izraelit ka goditur sot portin Hodeidah të Jemenit në Detin e Kuq

Marina e Izraelit ka goditur sot portin Hodeidah të Jemenit në Detin e Kuq, ndërsa ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, i ka kërcënuar rebelët Huthi me një bllokadë detare dhe ajrore, nëse i vazhdojnë sulmet ndaj Izraelit. Televizioni Al Masirah, i kontrolluar nga Huthit, raportoi se Izraeli i kreu dy sulme ndaj dokeve të portit Hodeidah. Ushtria izraelite tha në një komunikatë se marina e saj goditi shënjestrat e Huthëve, duke shtuar se porti përdoret nga rebelët Huthi për të transportuar armë. Deri më tani nuk është raportuar për viktima. Sulmet ndodhën pasi që ushtria izraelite dje u ka bërë thirrje njerëzve të largohen nga portet e kontrolluara nga Huthit në Ras Isa, Hodeidah dhe Salif. "Ne paralajmëruam organizatën terroriste Huthi se, nëse vazhdon të qëllojë me armë drejt Izraelit, do të përballen me një përgjigje të fuqishme dhe do t’i nënshtrohen një bllokade detare dhe ajrore", tha Katz në X.

Aktivistja Greta Thunberg është dëbuar sot nga Izraeli

Aktivistja Greta Thunberg është dëbuar sot nga Izraeli, një ditë pasi ushtria izraelite e konfiskoi anijen me të cilën ajo dhe disa aktivistë të tjerë po udhëtonin për në Rripin e Gazës, njoftoi Ministria e Jashtme e Izraelit. Thunberg u nis me avion drejt Francës, nga ku më pas do të kthehet në vendin e saj, në Suedi, tha Ministria e Jashtme e Izraelit në X. Thunberg ishte në mesin e 12 udhëtarëve në anijen Madleen, e cila po dërgonte ndihma për Gazën, në shenjë proteste kundër luftës së vazhdueshme të Izraelit dhe me qëllim për ta tërhequr vëmendjen mbi krizën humanitare në territorin palestinez, sipas Koalicionit të Flotës së Lirisë, i cili e organizoi udhëtimin. Forcat detare izraelite e konfiskuan anijen pa ndonjë incident mëngjesin e së hënës, rreth 200 kilometra larg bregut të Gazës, sipas koalicionit, i cili bashkë me grupe për të drejtat e njeriut, thanë se Izraeli e shkeli ligjin ndërkombëtar me këtë veprim.

Donald Trump, ka urdhëruar dërgimin e 700 marinsave amerikanë dhe 2.000 trupave shtesë të Gardës Kombëtare në Los Anxhelos

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka urdhëruar dërgimin e 700 marinsave amerikanë dhe 2.000 trupave shtesë të Gardës Kombëtare në Los Anxhelos, duke u zotuar se ata që protestojnë kundër arrestimit të imigrantëve do të "goditen më fort" se kurrë më parë. Dërgimi i mijëra trupave dhe qindra marinsave të martën po ndodh në ditën e katërt të protestave në rrugët e Los Anxhelosit, të nxitura nga arrestimi i dhjetëra imigrantëve në një qytet me një popullsi të madhe të lindur jashtë vendit dhe me prejardhje latine. Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, e kritikoi ashpër këtë vendim të Trumpit, duke e quajtur atë të pamatur, si dhe “mungesë respekti ndaj trupave tona”. “Kjo nuk ka të bëjë me sigurinë publike,” shkroi Newsom në X. “Ka të bëjë me ushqimin e egos së rrezikshme të një presidenti”. Ndërsa duke folur nga Uashingtoni, Trump i quajti protestuesit "nxitës profesionistë dhe kryengritës". Trump shkroi në rrjetet sociale se protestuesit kishin pështyrë trupat, dhe nëse vazhdojnë ta bëjnë këtë, "ju premtoj se do të goditen më fort se kurrë më parë."

Nesër mot me diell

Në Mal të Zi sot po mban mot kryesisht i kthjellët. Fryn erë e dobët deri mesatare nga drejtimet e ndryshme. Temperaturat e shënuara në orën 14 ishin: në Podgoricë e Herceg Novi 32 gradë, Budvë 31, Ulqin 29, Cetinë 28, Tivar, Beranë e Bijello Pole 27, në Plevle 26, Guci 25, Rozhajë 24, Kollashin 23 dhe në Zhablak 21 gradë.
Për nesër pritet mot kryesisht me diell. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtime të ndryshme, në mbrëmje dhe gjatë natës vende- vende mesatare deri e fortë veriore dhe verilindore. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 7 deri në 21 kurse më e lartë e ditës prej 24 deri në 36 gradë celsius.

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се