Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема
MNE Play
MNE Play

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

04. 06. 2025. 00:00 >> 18:27

Ditari 04.06.2025

Ditarin e përgatiti Marash Dedvukaj

Spajiq - Ratifikimi i marrëveshjes me Emiratet e Bashkuara Arabe në Kuvendin e Malit të Zi ka hapur dyert për një epokë të re partneriteti

Ratifikimi i marrëveshjes me Emiratet e Bashkuara Arabe në Kuvendin e Malit të Zi ka hapur dyert për një epokë të re partneriteti dhe mundësish, tha kryeministri Millojko Spajiq. Kuvendi përsëri ka miratuar Ligjin për konfirmimin e Marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e turizmit dhe zhvillimit të pasurive të paluajtshme mes qeverive të Malit të Zi dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Spajiq shkroi në platformën X se Emiratet janë vend i jashtëzakonshëm për ata që i ka vizituar, shembull se si vizioni, inovacioni dhe ambicia e drejtuar drejt së ardhmes afatgjatë mund ta ndryshojë një vend. “Me ratifikimin përfundimtar të marrëveshjes në Kuvendin e Malit të Zi, kemi hapur dyert për një epokë të re partneriteti dhe mundësish”, tha Spajiq. Ai shtoi se kjo është mundësi që fryma e përparimit dhe mirëqenies “të përcillet edhe në vendin tonë të vogël, por të veçantë”, tha Spajiq.

Krapoviq – Me emërimi i Miodrag Vuksanoviqit si Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Malit të Zi hapet një kapitull të ri në zhvillimin e sistemit të mbrojtjes

Me emërimin e Miodrag Vuksanoviqit si Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Malit të Zi hapet një kapitull të ri në zhvillimin e sistemit të mbrojtjes dhe krijon parakushte për reforma themelore dhe verifikime brenda sektorit të mbrojtjes, tha Ministri përkatës Dragan Krapoviq. Ai e përgëzoi Vuksanoviqin për marrjen e detyrës, duke deklaruar se është një moment i rëndësishëm për Ushtrinë e Malit të Zi dhe vendin. "Duke emëruar Vuksanoviqin si Shef të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Malit të Zi, po kthejmë një faqe të re dhe po hapim një kapitull të ri në zhvillimin e sistemit tonë të mbrojtjes", tha Krapoviq në një deklaratë dërguar mediave. Krapoviq shtoi se është i bindur se, përmes përpjekjeve të përbashkëta, do ta përmirësojë sistemin e mbrojtjes dhe do ta bëjë Ushtrinë e Malit të Zi  të aftë t'u përgjigjet sfidave të kohërave moderne, por edhe të arrijë një nivel që i përshtatet historisë së saj të pasur dhe traditës së lavdishme ushtarake. "Ne e perceptojmë këtë detyrë si një detyrë të shenjtë dhe një borxh ndaj paraardhësve tanë, heronjve nga Mojkovci, Vučje Dol, Grahovci, Fundnat dhe shumë fushëbetejash të tjera të famshme të historisë malazeze", deklaroi Krapoviq.

Jelena Peroviq, u përpoq sot përsëri të hyjë në zyrë, me avokatin e saj

Ish-drejtoresha e Agjencisë për parandalimin e korrupsionit, Jelena Peroviq, u përpoq sot përsëri të hyjë në zyrë, me avokatin e saj, Nikolla Martinoviq, por nuk iu lejua. Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Agjencisë, Dushan Drakiq, deklaroi se ky institucion duhet të respektohet. “Mos ta dëmtojmë institucionin tonë me këto gjëra”, tha ai dhe e pyeti Peroviq pse po përpiqet ta bllokojë punën dhe realizimin e rezultateve. Duke ju drejtuar avokatit Martinoviq ai tha se “klientja juaj është nën hetim nga Prokuroria Speciale, jo ne…”, duke theksuar se askund nuk shkruan që Peroviq duhet të rikthehet në punë. Pas kësaj, reagoi avokati Martinoviq i cili tha se herën tjetër do të vijnë pa paralajmërim. Peroviq dhe Martinoviq u larguan pastaj nga ndërtesa e Agjencisë për antikorrupsion.

Mali i Zi Demokratik i kërkoi Komisionit për Reformë Gjithëpërfshirëse Zgjedhore që ta përfshijë Projektligjin për Ndryshimet në Ligjin për Listën e Votuesve si një pikë prioritare në rendin e ditës

Mali i Zi Demokratik i kërkoi Komisionit për Reformë Gjithëpërfshirëse Zgjedhore që ta përfshijë Projektligjin për Ndryshimet në Ligjin për Listën e Votuesve si një pikë prioritare në rendin e ditës të seancës së ardhshme. Demokratët thanë se të martën i dërguan zyrtarisht një kërkesë urgjente Komisionit për Reformë Gjithëpërfshirëse Zgjedhore për ta shqyrtuar Projektligjin për listën e votuesve sa më shpejt të jetë e mundur. Ata deklaruan se, duke pasur parasysh që Projektligji ishte përfshirë në rendin e ditës të seancës së katërt të Kuvendit, ata besojnë se është me rëndësi thelbësore që ai të shqyrtohet para Komisionit me procedurë urgjente. "Ne i bëjmë thirrje Komisionit të vlerësojë rëndësinë e këtij Projektligji, veçanërisht në kontekstin e zhbllokimit të procesit zgjedhor në komunën e Shavnikut, dhe ta përfshijë atë si një pikë prioritare në rendin e ditës të seancës së ardhshme", thuhet në deklaratë.

Mali i Zi do të prodhojë dronë në bashkëpunim me SHBA-në

Autoritetet malazeze planifikojnë të fillojnë prodhimin e dronëve pa pilot, në bashkëpunim me një kompani nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe seria e parë do t’i dhurohet Ukrainës, shkruan në një dokument të Qeverisë së Malit të Zi. Kjo qeveri thekson se kjo nismë është në përputhje me orientimin strategjik të Malit të Zi dhe se, mes tjerash, ajo do të forcojë industrinë vendase të mbrojtjes. “Do t’i përmirësojë kapacitetet e Ushtrisë në raport me NATO-n, do t’i mbështesë nevojat mbrojtëse të Ukrainës, si dhe do ta pozicionojë Malin e Zi si një furnizues të besueshëm të pajisjeve më moderne të mbrojtjes në tregun global”,thuhet nga Qeveria malazeze. Se kur do të fillojë prodhimi, nuk dihet, e as sa para do t’i ndajnë autoritetet malazeze për këtë qëllim. Në dokument thuhet se marrëveshja me vlerë deri në 15 milionë dollarë, do të mbështetet nga administrata amerikane e udhëhequr nga presidenti Donald Trump. Përndryshe, këto janë paratë që SHBA-ja i ka ndarë për Ushtrinë e Malit të Zi.

Konferenca, me rastin e nisjes së fushatës kombëtare “Ruaje që të të ruajë”,mbahet nesër

Konferenca, me rastin e nisjes së fushatës kombëtare “Ruaje që të të ruajë” do të mbahet nesër, në Ditën ndërkombëtare të mbrojtjes së mjedisit, në Podgoricë. Siç u bë e ditur nga Shtëpia Evropiane, fushata është zhvilluar me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe do të realizohet nga një koalicion i gjerë i institucioneve shtetërore dhe lokale, partnerëve nga komuniteti akademik dhe sektori civil, kompanive me përgjegjësi shoqërore dhe mediave. Konferencën do ta hapin ambasadori i BE-së në Mal të Zi, Johan Satller, dhe kryeministri Millojko Spajiq.

Opong Asare,qëndrueshmëria digjitale është kyçe për rrugën evropiane

Ministrja britanike Opong Asare, gjatë takimit me ministrin e administratës publike Marash Dukaj, theksoi se qëndrueshmëria digjitale është kyçe për rrugën evropiane të Malit të Zi. Takimi ishte mundësi për shkëmbim informatash për mundësitë e përmirësimit të bashkëpunimit ndërmjet Malit të Zi dhe Mbretërisë së Bashkuar në fushën e sigurisë kibernetike dhe forcimin e kapaciteteve të Malit të Zi. Ministrja britanike sot u takua edhe me Prokurorin kryesor Special, Vlladimir Novoviq me çrast u vlerësua se vlerat e përbashkëta në lëmine e sundimit të ligjit kontribuojnë në stabilitetin rajonal.

Mali i Zi nuk është konkurrues në çmime, prej dekadash ka probleme me infrastrukturë

Mali i Zi nuk është konkurrues në çmime, prej dekadash ka probleme me infrastrukturë, në vitet e fundit edhe me lidhjet ajrore, dhe i mungon qasje strategjike në menaxhimin e turizmit, sepse duket se ky sektor është lënë në mëshirë të fatit, mendon analisti ekonomik Mirza Muleshkoviq. Duke komentuar të dhënat që tregojnë një rënie të numrit të bujtjeve të qëndrimit të turistëve, ai tha se duhet të jemi të kujdesshëm sepse ekzistojnë probleme strukturore dhe se Mali i Zi nuk po përjeton një rënie drastike të numrit të turistëve, por ka pasur probleme me statistikat. Muleshkoviq vlerëson se definitivisht nuk është mirë që Mali i Zi nuk është përgatitur për sezon. “Të fillojmë nga plazhet,  ende nuk e dimë kush do të jetë pronar dhe kur do të jenë të gatshme, ndërkohë që tashmë kemi hyrë në muajin qershor, kur gjithçka do të duhej të ishte gati”, përkujtoi ai.

Shkalla e papunësisë në Mal të Zi, e regjistruar në muajin prill të këtij viti ishte 9.91 për qind

Shkalla e papunësisë në Mal të Zi, e regjistruar në muajin prill të këtij viti ishte 9.91 për qind, që paraqet nivelin më të ulët të papunësisë që nga ekzistenca e regjistrit të Entit për Punësim të Malit të Zi dhe për herë të parë në historinë e vendit, kjo shkallë është njëshifrore, njoftoi ministrja e punës, punësimit dhe dialogut social Naida Nishiq, në konferencën për shtyp, organizuar nga Enti për punësim dhe kjo ministri.

Vazhdon saga e dështimeve për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Për të 26-n herë me radhë, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar ta konstituojnë përbërjen e re parlamentare të dalë nga zgjedhjet e shkurtit. Që nga 1 maji, për të tetëmbëdhjetën herë, deputetët kanë refuzuar të formojnë një komision që do të mbikëqyrte një votim të fshehtë për kreun e ri të Kuvendit. Votimi i fshehtë është propozuar nga kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, pasi e propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, disa herë nuk ka arritur të sigurojë 61 vota për t’u zgjedhur në krye të organit ligjvënës. Çështja e votimit të fshehtë është dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese nga partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë. Ato vlerësojnë se mënyra se si LVV-ja po tenton që kryetari i ri i Kuvendit të zgjidhet përmes votës së fshehtë është jokushtetuese, duke kërkuar nga Gjykata që të marrë “një masë të përkohshme për ndalimin e mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë lëndë dhe të marrë një vendim”. Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe sërish refuzuan, në vazhdimin e seancës konstituive sot me 4 qershor, që të propozonin një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.

Të burgosurit e parë nga Danimarka pritet të transferohen në burgun në Gjilan në pjesën e parë të vitit 2027

Të burgosurit e parë nga Danimarka pritet të transferohen në burgun në Gjilan në pjesën e parë të vitit 2027, konfirmuan nga Shërbimi danez i Burgjeve për Radion Evropa e Lirë. Ky shërbim tha se institucioneve të Kosovës u janë dorëzuar kërkesat specifike për renovimin dhe përshtatjen e burgut të Gjilanit. Duke përfshirë një ndërtesë të re për punësim dhe ambiente të reja për vizitorë. Ne presim që puna të nisë këtë verë, kurse gjatë gjysmës se parë të vitit 2027, pritet që burgu të vihet në përdorim”, tha Shërbimi danez i Burgjeve. Danimarka tha se kjo është një detyrë komplekse, pasi bëhet fjalë për një burg të Kosovës që duhet të funksionojë sipas rregullave daneze. Shërbimi i Burgjeve tha se kjo është një detyrë sfiduese, duke nisur me renovimin e ndërtesave dhe përshtatjen e tyre sipas nevojave të Danimarkës.

Aleanca e NATO-s, po u kërkon anëtarëve evropianë të pesëfishojnë kapacitetin e tyre të mbrojtjes kundër ajrore

Aleanca e NATO-s po u kërkon anëtarëve evropianë të pesëfishojnë kapacitetin e tyre  tokësore të mbrojtjes kundër ajrore, sipas disa burimeve të mirë informuara, raporton sot agjencia Bloomberg. Siç u shtua, këto kërkesa do të diskutohen nesër në takimin e ministrave të mbrojtjes së NATO-s në Bruksel. Rritja pesëfish e kapacitetit do të jetë kolektive për anëtarët evropianë të Aleancës, dhe nivelet individuale të zgjerimit do të përcaktohen në fund të bisedimeve. Për momentin, nuk është e qartë se cili është afati kohor për përmbushjen e këtyre kërkesave nga NATO. Ministrat ranë dakord këtë javë të miratojnë një rritje të rezervave të armëve, një nga më ambiciozet që nga Lufta e Ftohtë, si pjesë e përpjekjeve evropiane dhe kanadeze për t'u armatosur dhe për të zvogëluar varësinë nga sistemet e mbrojtjes amerikane, tha Bloomberg. Në takimin në Bruksel, do të hidhen themelet për samitin e udhëheqësve të Aleancës, i cili do të mbahet në Hagë, nga 24 deri më 25 qershor. Rritja e armatimeve është pjesë e ambicieve më të gjera për të ndarë më shumë burime për mbrojtje për krejtë NATO-n.

Kellogg: Rreziku po rritet ndjeshëm pas sulmeve të Ukrainës ndaj bombarduesve rusë

I dërguari i presidentit amerikan, Donald Trump, për Ukrainën tha se rreziku i përshkallëzimit nga lufta në Ukrainë po “rritet ndjeshëm”, pasi forcat ukrainase përdorën dronë për të sulmuar bombarduesit bërthamorë rusë në disa baza ajrore thellë brenda Rusisë. Ukraina tha se ka sulmuar bazat ajrore në Siberi dhe në pjesë të tjera në veri të Rusisë gjatë fundjavës, duke shënjestruar caqe deri në 4.300 kilometra larg nga vijat e frontit. “Po ju them, nivelet e rrezikut po rriten ndjeshëm, pas asaj që ndodhi gjatë fundjavës”, tha i dërguari i Trumpit, Keith Kellogg, për Fox News. “Njerëzit duhet ta kuptojnë këtë në kontekstin e sigurisë kombëtare: kur sulmon një pjesë të sistemit të mbijetesës kombëtare të kundërshtarit, që është struktura bërthamore, atëherë nënkupton që rritet niveli i rrezikut sepse nuk e dini se çfarë do të bëjë pala tjetër”, shtoi ai. Kellogg tha se dëmi ndaj bombarduesve rusë gjatë fundjavës është më pak i rëndësishëm sesa ndikimi psikologjik ndaj Rusisë, duke shtuar se ai është i shqetësuar nga raportimet e pakonfirmuara se Ukraina ka sulmuar një bazë detare në veri të Rusisë.

Qendrat e ndihmës në Gazë mbyllen përkohësisht pas vrasjes së 27 personave

Qendrat për shpërndarjen e ndihmës në Gazë janë mbyllur sot përkohësisht, njoftoi fondacioni që udhëheq ato, teksa ushtria izraelite paralajmëroi se rrugët që çojnë drejt qendrave “konsiderohen zona të luftës”. Njëzet e shtatë persona u vranë në jug të Gazës, kur ushtria izraelite hapi zjarr pranë një qendre të ndihmës që drejtohet nga Fondacioni Humanitar për Gazën (GHF), që mbështetet nga Shtetet e Bashkuara. Së fundi, Izraeli ka lehtësuar bllokadën në enklavën palestineze, por Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se e gjithë popullsia e territorit është në rrezik nga zia e bukës. Sot, Këshilli i Sigurimit i OKB-së pritet të votojë një rezolutë që bën thirrje për armëpushim dhe qasje humanitare në Gazë, një masë për të cilën SHBA-ja pritet të vendosë veto. GHF-ja tha se “qendrat e shpërndarjes do të mbyllen për rinovim, riorganizim dhe përmirësim të efikasitetit të punës”sot dhe operacionet do të rinisin përsëri nesër.

KE-ja i jep dritën jeshile Bullgarisë për euron

Komisioni Evropian i ka dhënë dritën jeshile Bullgarisë për t’u anëtarësuar në eurozonë më 1 janar 2026, duke shënuar hapin e dytë të rëndësishëm të shtetit brenda një viti në rrugën drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian. KE-ja, e cila u mblodh më 4 qershor për të marrë një vendim lidhur me këtë çështje, tha se Bullgaria i përmbush katër kriteret nominale të konvergjencës që përdoren për të vlerësuar nëse një vend është i gatshëm të adoptojë euron.“Euroja është një simbol i prekshëm i forcës dhe unitetit evropian”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Banka Qendrore Evropiane pritet po ashtu që të publikojë mendimin e saj më 4 qershor, dhe zyrtarët bullgarë kanë thënë se presin një vlerësim pozitiv edhe nga ky institucion. Këshilli i Bashkimit Evropian do të marrë vendimin përfundimtar për pranimin e Bullgarisë në eurozonë, duke u bazuar në opinionet e KE-së dhe Bankës Qendrore Evropiane, si dhe në diskutimet me Eurogrupin dhe Këshillin Evropian. Edhe pse pranimi i euros ishte një nga kushtet për anëtarësimin në BE, dështimet legjislative – përfshirë reformat për luftimin e pastrimit të parave, shqetësimet për inflacionin dhe bllokadat politike (Bullgaria ka mbajtur shtatë procese zgjedhore në katër vjetët e fundit) – e kanë bërë këtë rrugëtim të vështirë për Sofjen. Një vendim në favor të adoptimit të euros është hapi i dytë i madh i Bullgarisë brenda një viti në rrugën e shtetit drejt integrimit në BE.

Nxënësit e klasës së 8-të të shkollës fillore “Mahmut Lekiq” në Tuz, me profesoreshën Sidorela Berishaj, realizuan vizitë edukative në ambientet e Shërbimit të Policisë Komunale

Nxënësit e klasës së 8-të të shkollës fillore “Mahmut Lekiq” në Tuz, me profesoreshën Sidorela Berishaj, realizuan vizitë edukative në ambientet e Shërbimit të Policisë Komunale dhe Inspeksionit Komunal të Komunës së Tuzit. Kjo vizitë u organizua në kuadër të projektit që nxënësit po zhvillojnë në lëndën e edukimit mediatik, me qëllim që të njihen nga afër me funksionimin e institucioneve lokale. Ata u pritën nga kryeshefi i shërbimit, Rexhep Çunmulaj, së bashku me punonjësit e tjerë të shërbimit ku patën mundësinë të njihen nga afër me punën, rolin që këto shërbime në ruajtjen e rendit publik, kontrollin e hapësirave publike, zbatimin e rregulloreve komunale dhe sfidat me të cilat përballen në terren. Vizita u vlerësua si shumë edukative dhe e dobishme, duke kontribuar në zgjerimin e njohurive të nxënësve për funksionimin e administratës lokale, si dhe për rëndësinë që ka respektimi i rregullave dhe informimi i drejtë në një shoqëri të organizuar.

Nesër do të mbajë mot kryesisht me diell

Sot po mban mot kryesisht i kthjellët. Fryn erë e dobët deri mesatare nga drejtimet ndryshme. Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Podgoricë 31 gradë, Beranë, Bijello Pole e Plevle 30, Kollashin e Rozhajë 28, Cetinë, Nikshiq e Guci 27, Budvë 26, Ulqin, Tivar e Herceg Novi 25 dhe në Zhablak 24 gradë.

               Nesër do të mbajë mot kryesisht me diell dhe relativisht i nxehtë. Do të fryjë erë e lehtë nga drejtimet e ndryshme. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 8 deri në 19, kurse më e larta e ditës prej 24 deri në 33 gradë celsius.

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се