- Hronika
- Kolumne
-
Radio
- Izdvajamo
-
Emisije
- Dokumentarni program
- Pop top
- Europuls
- Zrno po zrno
- Radio ordinacija
- Kulturna panorama
- Zelena priča
- Epoleta
- +382
- Spona
- Svijet jednakih šansi
- Matica
- Život po mjeri čovjeka
- Link
- Izokrenuti svijet
- Koracima mladih
- Moja profesija je...
- Sportski program
- Kulturno-umjetnički program
- Muzički program
- Koracima prošlosti
- Naučno-obrazovni program
- RCG
- R98
- Programska šema
- Trofej Radija Crne Gore
- Frekvencije
- Radio drama
Ditari
29. 05. 2025.
00:00 >> 17:20
Ditari 29.05.2025
Përgatiti, Senad Gilaj
Kuvendi me 3 qershor për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit dhe sërish për marrëveshjen me Emiratet e Bashkuara Arabe; Kuvendi do të diskutojë edhe për Ligjin mbi listën zgjedhore
Në seancën e Kuvendit të Malit të Zi, e cila sot filloi diçka me vonesë e pastaj u ndërpre, u vendos që të vazhdojë me 3 qershor, në të cilën deputetët do të deklarohen për shkarkimin e kryetarit të parlamentit dhe do të votojnë sërish për marrëveshjen me Emiratet e Bashkuara Arabe. Ndërkohë mes dy votimeve do të shqyrtohet edhe qëndrimi i Shoqatës së Juristëve se për miratimin e marrëveshjes kërkohet shumicë prej dy të tretave. Në këtë senacë do të deklarohen edhe për regjistrin zgjedhor. Në seancën e sotme të Kuvendit, deputetët është dashtë të deklarohen për iniciativën e opozitës për të shkarkuar Kryetarin e Parlamentit Andrija Mandiq. Gjithashtu në rend të ditës ishte edhe rivotimi për Marrëveshjen me Emiratet e Bashkuara Arabe për turizmin dhe zhvillimin e pasurive të paluajtshme, pasi presidenti, dokumentin e ktheu për rivotim. Pasi që ka mbërritur edhe mendimi nga Brukseli për marrëveshjen me Emiratet, sektori i OJQ-ve pret që nuk do të ketë shumicë në favor të marrëveshjes në rundin e dytë të votimit, ndërsa kryeministri Millojko Spajiq ende beson se këtë herë dokumenti që ai nënshkroi do të marrë më shumë mbështetje në parlament. Në rend të ditës të seancës së sotme ishte edhe Propozim-vendimi për dërgimin e pjesëtarëve të Ushtrisë së Malit të Zi në misionin e ndihmës ushtarake të Bashkimit Evropian për të mbështetur Ukrainën, si dhe një propozim për zgjatjen e afatit për punën e Këshillit Hetimor për të hetuar vrasjet me motive politike. Përndryshe më parë Këshilli për Siguri dhe Mbrojtje vendosi me shumicë votash t'i propozojë parlamentit miratimin e një vendimi për dërgimin e anëtarëve të Ushtrisë së Malit të Zi në misionin e ndihmës ushtarake të Bashkimit Evropian në mbështetje të Ukrainës. Ministri i Mbrojtjes Dragan Krapoviq tha se asnjë ushtar malazez nuk do të vendoset në Ukrainë. Në fillim të seancës së sotme u hap diskutimi mbi Ligjin e propozuar për regjistrin zgjedhor. Ky propozim, me vendim të shumicës së deputetëve, u përfshi në rendin e ditës të parlamentit, që do të vazhdoj në muajin qershor. Deputeti i Malit të Zi Demokratik, Momçillo Lekoviq, propozoi që rendi i ditës i seancës të plotësohet me Projektligjin për ndryshimet në Ligjin për regjistrin zgjedhor.
Millatoviq: Deputetët të mos votojnë kundër interesit shtetëror; Vajs: Projektet me EBA nuk duhet të anashkalojnë komunitetet lokale
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve në Kuvendin e Malit të Zi që të lexojnë arsyetimin për të cilin ai e ka kthyer ligjin për rishqyrtim, duke theksuar se Marrëveshja nuk është në përputhje me interesat shtetërore të Malit të Zi. Ai përkujtoi gjithashtu në mendimin e qartë të Komisionit Evropian se zbatimi i një marrëveshjeje të tillë mund të rrezikojë rrugën evropiane të vendit. Millatoviq theksoi se është duke shqyrtuar mundësinë e iniciativës drejt Gjykatës Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij ligji. Kryetari i Komitetit Parlamentar për Stabilizim dhe Asocim ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Malit të Zi, Tomas Vajs, deklaroi se projektet që janë planifikuar përmes marrëveshjes me Emiratet e Bashkuara Arabe mund të paraqesin pengesë serioze për anëtarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian, veçanërisht nëse anashkalohen komunitetet lokale gjatë përgatitjes së projekteve. Ai e bëri këtë deklaratë gjatë vizitës së tij sot në Ulqin, i cili zhvilloi gjithashtu takim me këshilltarët e parlamentit lokal dhe me përfaqësuesit e partive politike në Kuvendin e Komunës së Ulqinit. Pas kësaj, Vajs vizitoi Kriporen e Ulqinit dhe Plazhin e Madh.
Konatar deputetëve të shumicës: Votoni për shkarkimin e Mandiq dhe kundër marrëveshjes me Emiratet e Bashkuara Arabe
Përndryshe më parë, kryetari i klubit të deputetëve të Lëvizjes Qytetare URA, Millosh Konatar, u ka shkruar sot deputetëve të shumicës parlamentare, para seancës së Kuvendit të Malit të Zi në të cilën votohet për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Andrija Mandiq dhe për Marrëveshjen me Emiratet e Bashkuara Arabe. “Në prag të seancës së sotme të Kuvendit, në të cilën do të votohet për votëbesimin ndaj kryetarit të Kuvendit dhe përsëri për marrëveshjen me Emiratet e Bashkuara Arabe, po e shfrytëzoj këtë rast për t'ju ftuar të votoni për shkarkimin e Mandiqit dhe kundër marrëveshjes me Emiratet”, thuhet mes tjerash në letrën e deputetit Konatar, duke theksuar se përgjegjësia është e tyre. Ndërkohë, deputeti i Demokracisë së Re Serbe, Dejan Gjuroviq, tha se iniciativën për shkarkimin e Krye-parlamentarit e sheh si një manovër të opozitës, me qëllim të hyrjes në qeveri. Ai pret që iniciativa të jetë e pasuksesshme, sepse, siç u shpreh, nuk ka asnjë arsye për shkarkimin e Mandiqit.
Performancë para Kuvendit: Votoni sipas ndërgjegjes, mos votoni sipas urdhërit
Për shkak të rivotimit në parlament të Marrëveshjes me Emiratet e Bashkuara Arabe, koalicioni i organizatave, "Plazhi i Madh apo gënjeshtra e madhe" organizoi sot protestë para Kuvendit. Protestuesit thanë se Marrëveshja përfaqëson konfiskim të tokës së Malit të Zi në shkelje të ligjit, pa procedura dhe tenderë publikë. Edhe përfaqësueset e Qendrës për mbrojtjen dhe studimin e shpendëve dhe Shoqatës së Ekologëve të Malit të Zi janë mbledhur sot para Kuvendit për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj Marrëveshjes ndërmjet Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Malit të Zi, e cila ka të bëjë me bashkëpunimin në turizëm dhe zhvillimin e pasurive të paluajtshme. Përfaqësuesit e Qendrës dhe Shoqatës kanë dorëzuar në Kuvend Deklaratën për mbrojtjen e hapësirës së Malit të Zi. Ata u kanë bërë thirrje deputetëve që të votojnë sipas ndërgjegjes dhe jo sipas urdhrit. Jovana Bozhoviq nga kjo Qendër theksoi se Mali i Zi ka nevojë për infrastrukturë, institucione publike dhe, mbi të gjitha, për rikthimin e kulturës së planifikimit, kulturës së hapësirës dhe ide për zhvillimin e qëndrueshëm.
Presidenti i Sllovakisë nesër për vizitë zyrtare në Mal të Zi
Presidenti i Sllovakisë, Peter Pelegrini, do të qëndrojë nesër për vizitë zyrtare në Mal të Zi, me ftesë të homologut malazez Jakov Millatoviq. Millatoviq dhe Pelegrini do të hapin Forumin e biznesit, në të cilin do të marrin pjesë afaristë nga Mali i Zi dhe Sllovakia. Siç njoftohet nga kabineti i presidentit, Pelegrini do të pritet në Rezidencën në Cetinë, me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake, e më pas do të zhvillohet një bisedë midis dy zyrtarëve. "Pas regjistrimit në librin e mysafirëve dhe takimit të dy delegacioneve, presidentët do të japin deklarata për medie dhe do të mbjellin një pemë miqësie në oborrin e Rezidencës në Cetinë", njoftoi zyra e presidentitNë njoftim nga kabineti i presidentit të Malit të Zi thuhet se vizita e ardhshme zyrtare e Pelegrinit paraqet nxitje të fortë për përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe si dhe vazhdimin e një aktiviteti të fuqishëm diplomatik të Millatoviqit në rrugën e Malit të Zi drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2028.
Eurobarometri: Në Mal të Zi ka më së shumti besim në BE
Nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, më së shumti besim në Bashkimin Evropian ka në Mal të Zi, tregon një hulumtim i Eurobarometrit për pranverën e vitit 2025. Bëhet fjalë për hulumtimin e opinionit publik për nivelin e besimit të qytetarëve në BE, që nga viti 2007. Në vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat gjithashtu u përfshinë në këtë hulumtim, besimi në BE, pas Malit të Zi, është më i larti në Shqipëri ndërsa më i ulëti në Serbi. Hulumtimi u krye në secilin vend në muajt mars e prill të këtij viti. Është interesante që shumica e të anketuarve në Mal të Zi, rreth 70 për qind, e vlerësojnë situatën e tyre personale të punës dhe gjendjen financiare të familjes si mjaft të kënaqshme dhe në të njëjtën kohë, 68 për qind e të anketuarve vlerësojnë se gjendja e ekonomisë malazeze është mjaft e mirë.
MICEB 2025: "Financat e qëndrueshme dhe transformimi digjital – çelësi për integrimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian"
Presidenti i shtetit, Jakov Millatoviq, deklaroi se zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik nuk është çështje zgjedhjeje, por domosdoshmëri në kohë sfidash globale gjithnjë e më të thella, pabarazive në rritje dhe institucioneve të brishta. Ai e bëri këtë deklaratë në hapjen e konferencës MICEB në Budva, të organizuar nga Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Malit të Zi. Millatoviq theksoi se Mali i Zi, si vend në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, përballet me sfida të një tranzicioni të dyfishtë, si ekonomik ashtu edhe demokratik. “Qëndrueshmëria nuk është më shtesë, por themel i çdo plani serioz të zhvillimit”, theksoi presidenti Millatoviq. Guvernatorja e Bankës Qendrore të Malit të Zi, Irena Radoviq, prezantoi sot në konferencën ndërkombëtare MICEB 2025, „Formësimi i ekonomive të qëndrueshme: Rruga drejt anëtarësimit në BE“, aktivitetet kyçe të Bankës Qendrore në drejtim të afrimit të këtij institucioni me Sistemin Evropian të Bankave Qendrore dhe mbështetjes së të gjithë procesit të integrimeve evropiane të Malit të Zi. Duke folur për temën e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian në fushën e financave, Radoviq prezantoi aktivitetet kryesore të Bankës Qendrore për të përforcuar rolin e si institucion që kontribuon në përgatitjen e vendit për anëtarësim të plotë në BE. Në kuadër të konferencës, guvernatorja u takua me Xhejms Robinson, fituesin e çmimit Nobel për ekonomi vitin e kaluar, i cili e mori këtë çmim prestigjioz për kërkimet e tij mbi integritetin, përfshirjen dhe pavarësinë e institucioneve dhe ndikimin e tyre në prosperitetin ekonomik. Gjatë bisedës, u shkëmbyen mendime për ndikimin e fragmentimit gjeoekonomik në Mal të Zi dhe për rëndësinë e institucioneve të pavarura dhe gjithëpërfshirëse si bazë e zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm dhe e qëndrueshmërisë së vendit.
Fajon: Zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, domosdoshmëri gjeopolitike
Ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon ka deklaruar se zgjerimi i Bashkimit Evropian është një domosdoshmëri gjeopolitike. Gjatë një vizite zyrtare në Bratisllavë, Fajon u prit edhe nga presidenti i ri i Sllovakisë, Peter Pelegrini, me të cilin ndër të tjera u fol edhe për sfidat aktuale në Ballkanin Perëndimor, zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe zhvillimet globale. Përmes një postimi në platformën X, ministrja sllovene bëri të ditur se në takimin me homologun sllovak, Juraj Blanár, u dakorduan se zgjerimi i BE-së është një domosdoshmëri gjeopolitike dhe një mundësi për të gjithë. Fajon theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk duhet të lihen mënjanë në këtë proces.
Kurti përmend rritjen e pranisë së ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka përmendur rritjen e pranisë së Forcave të Armatosura të Serbisë pranë kufirit me Kosovën, njoftojnë agjencitë koosvare. Në fjalën e tij para fillimit të mbledhjes së Qeverisë në detyrë të Kosovës, Kurti tha se prania e shtuar e forcave serbe është si reaksion i ushtrimit "Defender Europe 25". "Rritja e gatishmërisë dhe pranisë në kufirin tonë e Forcave të Armatosura të Serbisë besojmë që është reaksion ndaj 'Defender Europe 25', por ajo çfarë nuk e dimë ende është se a po e bën këtë vetë Serbia apo një gjë të tillë ia ka kërkuar Rusia", theksoi Kurti. Kurti tha se institucionet kosovare dhe ushtria kosovare po dëshmojnë që janë të afta për të mikpritur dhe për të organizuar në territorin e saj ushtrime komplekse të cilat kërkojnë planifikim, organizim dhe mbështetje të nivelit shumë të lartë.
Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar as pas 23 përpjekjesh
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar sot për herë të 23-të radhazi ta konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit. Dështimi për konstituimin e Kuvendit të ri e ka zhytur Kosovën në një ngërç politik duke e lënë atë edhe pa qeveri të re, kur kanë kaluar më shumë se tre muaj nga mbajtja e zgjedhjeve. Të enjten, ligjbërësit refuzuan për të pesëmbedhjetën herë rresht ta formonin një komision për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kreun e ri të organit ligjvënës. Deri më tani, deputetët kanë kaluar vetëm dy pika të agjendës së seancës konstituive: raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe atë të betimit të deputetëve. Por, procesi ka ngecur te pika e tretë: zgjedhja e kryeparlamentarit. Dështimet e njëpasnjëshme po ndodhin pavarësisht thirrjeve nga brenda dhe jashtë vendit për të lëvizur përpara me krijimin e institucioneve. Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re. Seanca konstituive do të vazhdojë të shtunën.
Kuvendi i Shqipërisë mblidhet në seancë plenare
Seanca e sotme plenare e Kuvendit të Shqipërisë zgjati vetëm pak minuta, në të cilat opozita nuk ngurroi të artikulonte akuzat kundrejt mazhorancës për farsë elektorale. Gjatë debateve, opozita e cilësoi procesin zgjedhor si një “farsë elektorale” dhe denoncoi manipulimin e votës së qytetarëve. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, akuzoi kryeparlamentaren Spiropali për lidhje me krimin, gjë që solli ndërprerjen e fjalës së tij. Pas mbylljes së seancës, kryedemokrati Sali Berisha deklaroi para mediave se Parlamenti është shndërruar në një bodrum të mafias ku nuk respektohet asnjë rregull dhe ligj. Ai vijoi me akuzat kundrejt socialistëve, duke u ndalur kryesisht te deputetët e dalë nga zgjedhjet e 11 majit të cilët do të ulen në karriget e Parlamentit në muajin shtator, kur nis dhe sesioni i ri parlamentar. Berisha theksoi se ata deputetë që do të jenë në shtator në Kuvend, janë përfaqësues të një farëse të shëmtuar elektorale. Pas debateve, mazhoranca miratoi e vetme kalendarin e punës së Kuvendit deri në fund të sesionit legjislativ.
Raundi i dytë i negociatave Ukrainë- Rusi, më 2 qershor në Stamboll
Ushtria ruse ka kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit duke i sulmuar me dronë shënjestrat civile në rajonin jugor të Ukrainës, Herson, sipas një raporti të ri të Kombeve të Bashkuara. Raporti i Komisionit të Pavarur Ndërkombëtar për Hetime në Ukrainë, është prova më e fundit që dëshmon për krime të mundshme të kryera nga autoritetet civile apo ushtarake të Rusisë në Ukrainë. Sulmet ruse "janë kryer me qëllimin kryesor për të përhapur terror mes popullsisë civile, duke e shkelur ligjin humanitar ndërkombëtar", tha paneli i ekspertëve, që funksionon në kuadër të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara. Gjykata Ndërkombëtare Penale, e cila funksionon në mënyrë të pavarur nga Kombet e Bashkuara, ka ngritur akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj presidentit Vladimir Putin. Përndryshe rundi i dytë i negociatave midis Rusisë dhe Ukrainës do të zhvillohet në Stamboll më 2 qershor, njoftoi Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov. Njoftimi vjen ndërsa Presidenti i SHBA-së, Donalld Tramp po ushtron presion mbi dy palët ndërluftuese që t’i japin fund konfliktit.
Vatikani: Ajo që po ndodh në Gazë është e papranueshme, Izraeli të ndalë bombardimet; 19 të vdekur pas sulmit izraelit kundër një kampi refugjatësh në Gaza
Sekretari i Shtetit i Selisë së Shenjtë, kardinali Pietro Parolin, deklaroi se ajo që po ndodh në Rripin e Gazës është e papranueshme dhe kërkoi që të mundësohet dërgimi dhe shpërndarja e ndihmës humanitare për banorët civil. Parolin bëri thirrje për ofrimin e ndihmës humanitare për palestinezët në Gazë, e cila është nën një bllokadë të rreptë të vendosur nga Izraeli. Ai e përshkroi situatën si një gjendje në të cilën populli po vuan nga uria. Një ditë më parë Papa Leoni i 14-të bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës, si dhe për lirimin e të gjithë pengjeve të mbajtura nga Hamasi dhe respektimin e plotë të ligjit humanitar. Ndërkohë, edhe përkundër apeleve ndërkombëtare, një seri sulmesh izraelite ndaj ndërtesave të banimit në kampin e refugjatëve Bureij në Rripin qendror të Gazës kanë vrarë 19 persona, raporton ”Al Xhazira” duke cituar Ministrinë e Shëndetësisë të kontrolluar nga Hamasi në Rripin e Gazës. ”Tre shtëpi u shënjestruan radhazi pa paralajmërim. Sulmi e çon numrin e të vdekurve të sotëm në të paktën 37”, sipas ministrisë palestineze. Dy ditë më parë qeveria izraelite ka hedhur poshtë propozimin e fundit për armëpushim dhe lirimin e pengjeve në Rripin e Gazës, raportuan mediet lokale. Izraeli deklaroi se do të krijojë 22 vendbanime hebraike në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke përfshirë legalizimin e posteve të ndërtuara tashmë pa autorizimin e qeverisë. Ndërkohë, Qeveria në Gaza ka deklaruar se Izraeli po bën "fushatë sistematike të dezinformimit" për të shmangur përgjegjësinë për politikën e tij të "urisë" kundër palestinezëve në Rripin e Gazës.
Elon Musk largohet nga administrata Trump; Gjykata tregtare amerikane bllokon tarifat e Trump
Një gjykatë federale amerikane ka bllokuar tarifat masive të presidentit Donalld Tramp, duke i dhënë një goditje një komponenti kyç të politikave të tij ekonomike, sipas BBC. Gjykata e Tregtisë Ndërkombëtare vendosi që një ligj emergjence i thirrur nga Shtëpia e Bardhë nuk i jep presidentit autoritet të njëanshëm për të vendosur tarifa për pothuajse asnjë vend. Gjykata e Manhatanit tha se Kushtetuta e SHBA-së i jep Kongresit fuqi ekskluzive për të rregulluar tregtinë me kombet e tjera dhe se kjo fuqi nuk është zëvendësuar nga mandati i presidentit për të mbrojtur ekonominë. Administrata Tramp tha se ”do ta apelonte vendimin”. Largimi i tij shënon fundin e një kapitulli që përfshiu mijëra largime nga puna, shuarjen e agjencive qeveritare dhe një sërë padish. Roli i Maskut në administratë Tramp ishte që në fillim i përkohshëm, dhe ai së fundi kishte dhënë sinjale se do të rikthehej te drejtimi i bizneseve të tij, si prodhuesi i makinave elektrike Teslla dhe kompania hapësinore Space X. Mandati 130-ditor i Elon Masku si punonjës i posaçëm i qeverisë në administratën Tramp pritej të përfundonte rreth datës 30 maj.
Koha Javore, numri më i ri sjellë materiale interesante për lexues
Para motit edhe një informatë. Në numrin e ri të gazetës “Koha javore” mund të lexoni:
nga Doktor Eduard Caka: Ç’është për ne Ulqini? Zemra e kujtesës historike e kulturore. Analizë nga Nik Gashaj, Çfarë shteti kemi dhe çfarë na duhet? Në Ulqin u mbajt konferenca shkencore “Gjuha dhe kultura e shqiptarëve në Malin e Zi”, ndihmesë në thellimin e dijeve për shumë çështje. Në rubrikën “Arsim”, gjimnazistët e parë të Malësisë kremtuan 50-vjetorin e matures, Gjenerata që hapi dyert e dijes. Në rubrikën “Kulturë”: Ulqini mirëpret artin; Orkestra Simfonike e RTSH-së dhe zërat e sopranove lokale në një koncert të jashtëzakonshëm. Nga Diaspora jonë: Shoqata “Besi” dhe nxënësit e shkollës “Fol Shqip” shfaqen në Nju Jork dramën “Dasma jonë (krajane)”, ndërsa në rubrikën “Letërsi”: Poezi nga Anton Gjuravçaj; Koha pa kohë ose koha që gëlltiti kohën, si dhe shumë artikuj të tjerë me interes për lexuesin.
Moti nesër: i ndryshueshëm, deri në 27 gradë
Në Mal të Zi sot mban mot me vranësira të ndryshueshme, vende vende me reshje të shiut. Fryn erë e dobët deri mesatare nga drejtimet e ndryshme, vende vende deri e fortë veriore dhe verilindore. Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Podgoricë e Tivar 21 gradë, Budvë 19, Herceg Novi 18, Ulqin 17, Nikshiq 16, Cetinë, Plevle, Beranë e Bijello Pole 15, Kollashin 14, Guci 13, Rozhajë 11 dhe në Zhablak 8 gradë. Në jug dhe pjesët qendrore të Malit të Zi nesër do të mbajë mot kryesisht me diell, vende-vende me vranësira të ndryshueshme. Në veri kryesisht i vranët dhe me reshje të mundshme të shiut, në orët e pasdites pritet kthjellim gradual. Do të fryjë ere e mesme deri e fortë, vende vende shumë e fortë nga drejtimet e veriut dhe verilindjes. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 6 deri në 17 kurse më e larta e ditës prej 13 deri në 27 gradë celsius.
Коментари0
Остави коментар