- Hronika
- Kolumne
-
Radio
- Izdvajamo
-
Emisije
- Dokumentarni program
- Pop top
- Europuls
- Zrno po zrno
- Radio ordinacija
- Kulturna panorama
- Zelena priča
- Epoleta
- +382
- Spona
- Svijet jednakih šansi
- Matica
- Život po mjeri čovjeka
- Link
- Izokrenuti svijet
- Koracima mladih
- Moja profesija je...
- Sportski program
- Kulturno-umjetnički program
- Muzički program
- Koracima prošlosti
- Naučno-obrazovni program
- RCG
- R98
- Programska šema
- Trofej Radija Crne Gore
- Frekvencije
- Radio drama
Ditari
26. 05. 2025.
00:00 >> 17:00
Ditari 26.05.2025
Ditarin e përgatiti, Violeta Gjokaj
MILLATOVIQ: MALI I ZI DO TË VAZHDOJË TË MBËSHTESË ZHVILLIMIN DHE PËRPARIMIN E BIH-SË
Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një shans historik për t'u bashkuar me klubin e demokracive të zhvilluara brenda Bashkimit Evropian dhe një mundësi e tillë nuk duhet të humbet, thotë Presidenti Jakov Millatoviq.
Duke folur në ceremoninë kushtuar 30-vjetorit të Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, ai tha se Mali i Zi do të vazhdojë të mbështesë përparimin e Bosnjë-Hercegovinës, sovranitetin dhe integritetin e saj territorial.
Millatoviq qëndron për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me ftesë të kreut të delegacionit amerikan në Asamblenë Parlamentare të NATO-s dhe kongresmenit Majk Tarner.
Zyra e Millatoviqit njoftoi se anëtarë të shquar të Kongresit Amerikan, zyrtarë të vendeve të rajonit dhe anëtarë të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, si dhe shumë zyrtarë të tjerë të lartë, morën pjesë në ceremoninë kushtuar 30-vjetorit të Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit.
SPAJIQ FOLI NË JAPONISHT: PJESËMARRJA E MALIT TË ZI NË EXPO 2025 ËSHTË NJË FILLIM I MIRË
Kryeministri Millojko Spajiq njoftoi se hapësira e Malit të Zi në Expo 2025 në Japoni ishte e vogël për të pritur numrin e madh të vizitorëve të interesuar.
Ai, në gjuhën japoneze, theksoi se për Malin e Zi, që të ketë sukses në kohën e sfidave globale, është me rëndësi vendimtare të zgjedhë një rrugë zhvillimi të bazuar në dije, ndërsa Japonia, siç tha ai, është mësuesi dhe shembulli më i mirë për këtë.
Kryeministri, i cili iu drejtua të pranishmëve në gjuhën japoneze, theksoi se Mali i Zi po e shënon Ditën Kombëtare në EXPO vetëm disa ditë pas festës së madhe shtetërore të 21 majit – Ditës së Pavarësisë.
Ai përsëriti se për Malin e Zi është thelbësore që të ndjekë një rrugë zhvillimi të bazuar në dije për të pasur sukses në kohën e sfidave globale, dhe Japonia është shembulli më i mirë për këtë.
KE: THIRRJE PUBLIKE NË LIDHJE ME EMËRIMIN E KRYETARIT DHE DY ANËTARËVE TË KËSHILLIT TË AGJENCISË RREGULLATORE PËR ENERGJINË
Komisioni Europian bën me dije se thirrja publike në lidhje me emërimin e kryetarit dhe dy anëtarëve të Këshillit të Agjencisë Rregullatore për Energjinë nuk ka qenë në përputhje me kërkesat e kontratës për komunitetin energjetik.
Ju kujtojmë se disa ditë më parë, deputetët e Kuvendit të Malit të Zi zgjodhën Këshillin e kësaj agjencie, pavarësisht paralajmërimit të Bashkimit Europian.
Në prill të këtij viti, Delegacioni i BE-së informoi Parlamentin se thirrja publike e shpallur më 21 Janar të këtij vitit, në lidhje me emërimin e kryetarit dhe dy anëtarëve të Këshillit të Agjencisë Rregullatore për Energjinë, nuk përcakton kriteret për zgjedhjen dhe emërimin e tyre, dhe si e tillë nuk është në përputhje me kërkesat e Traktatit për Komunitetin e Energjisë, i cili transpozon Direktivën e BE-së, në të cilën Mali i Zi është palë kontraktuese.
HERCEG NOVI: SHËNOHET VITI I 33-TË I DËBIMIT TË REFUGJATËVE NGA BOSNJA DHE HERCEGOVINA
Në Herceg Novi shënohet viti i 33-të i dëbimit të refugjatëve nga Bosnja dhe Hercegovina, kur më shumë se 60 refugjatë, kryesisht boshnjakë, u arrestuan dhe u dorëzuan nga forcat e ushtrisë së Republikës së Serbisë dhe njësivë paramilitare, shumica e tyre u vranë pak pas dëbimit.
Presidenti Millatoviq njoftoi se u ka kërkuar falje të gjitha familjeve që humbën të dashurit e tyre, të cilët për shkak të emrit, përkatësisë etnike dhe fetare të ndryshme kërkonin të shpëtoheshin nga lufta në vendin tonë.
Ai deklaroi se në ditën e 33 vjetorit të dëbimit të refugjatëve, ne kujtojmë jo vetëm një viktimë, por edhe përgjegjësitë që mbajmë si shoqëri.
NEGOCIATAT PËR FORMIMIN E PUSHTETIT NË NIKSHIQ KANË FILLUAR
Negociatat midis Lëvizjes Evropa Tani dhe bartësve te listës Për të ardhmen e Nikshiqit dhe Malit te Zi demokratik filluan këtë mëngjes, me qëllim që të bien dakord mbi autoritetin dhe shpërndarjen e funksioneve në Nikshiq, tha Zoran Mrkiq nga Lëvizja Evropa tani për TVMZ.
Në zgjedhjet lokale të mbajtura më 13 prill, koalicioni Për të ardhmen e Nikshiqit , i udhëhequr nga Kovaceviq, fitoi 15 mandate, Lëvizja Evropa tani pesë dhe Demokratët-Plenumi 083 tre mandate.
Kuvendi i Nikshiqit ka 41 këshilltarë dhe nevojiten të paktën 21 vota për të formuar një qeveri, dhe nëse Për të Ardhmen e Nikshiqit, Lëvizja Evropa tani dhe Demokratët arrijnë një marrëveshje, ata do të përfaqësohen nga 23 këshilltarë. Do të ketë gjithashtu 16 këshilltarë nga Partia Demokratike e Socialistëve dhe dy nga Aleanca Evropian.
NJË PERSON E KA HUMBUR JETËN NË NJË AKSIDENT TRAFIKU
Një person e ka humbur jetën në një aksident trafiku në rrugën magjistrale në Sutorina, raporton Novski portal.
Sipas portalit, aksidenti ndodhi për shkak të një përplasjeje midis një automjeti pasagjerësh nga Herceg Novi dhe një cisterne nga Kroacia.
Siç mëson Novski Portal nga policia, në këtë aksident e humbi jetën shoferi që po drejtonte automjetin me targa të Herceg Novit.
Me të ishte një fëmijë, i cili u shpëtua nga zjarrfikësit e Herceg Novit.
SINDIKATAT: SHKURTIMI I ORARIT TË PUNËS ËSHTË KOMPLEKSE
Çështja e shkurtimit të orarit të punës është komplekse dhe kërkon një dialog serioz social, vlerësojnë nga sindikatat e punëdhënësve dhe sindikatave të lira. Prandaj, ata presin një ftesë nga qeveria këtë javë në lidhje me negociatat për futjen e orarit të punës shtatë-orësh. Sindikata e Punëdhënësve thotë se e kuptojnë iniciativën, por se Mali i Zi nuk është ende gati për këtë model. Mbështetja për këtë reformë vjen nga Bashkimi i Sindikatave të Lira.
KURTI PËR BLLOKIM: ZGJIDHJA ËSHTË VOTIMI I FSHEHTË
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se zgjidhja për të dalë nga ngërçi në Kuvendin e Kosovës është votimi i fshehtë. Sipas tij, partitë ish-opozitare padrejtësisht dhe duke dëmtuar shtetin e Kosovës po e pamundëson kuorumin. Duke komentuar kandidaturën për kryetare të Kuvendit të Albulena Haxhiut, Kurti u shpreh se emri i saj nuk është aspak në diskutim dhe se bllokimi po bëhet nga partitë ish-opozitare përmes refuzimit të kuorumit në votimin e fshehtë.“Albulena Haxhiu nuk është as në pyetje, as në pikëpyetje. E, përgjigja është votimi i fshehtë për çfarë opozita padrejtësisht dhe me dëm për shtetin e Kosovës po e pamundëson kuorumin”, ka theksuar Kurti. Ndërkohë, deputetët e zgjedhur më 9 shkurt do të mblidhen sërish nesër në Kuvendin e Kosovës në përpjekjen e 22-të për konstituimin e Legjislaturës së nëntë. Të dielën ka dështuar përpjekja e 21-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Sërish nuk u arrit të formohet komisioni për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
BEGAJ NË ASAMBLENË PARLAMENTARE TË NATO-S: ANGAZHIM PËR RUAJTJEN E PAQES NË RAJON
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, po merr pjesë në Sesionin Pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që këtë vit po mbahet në Dejton (Dayton) të Shteteve të Bashkuara në 30-vjetorin e marrëveshjes që i dha fund konfliktit në Bosnjë-Hercegovinë.
Gjatë fjalës në forumin me temë “Renewing focus on peace and prosperity in the Balkans”, Presidenti Begaj rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë ndaj Marrëveshjes së Dejtonit dhe integrimin Euroatlantik të Bosnjë-Hercegovinës.
Duke nxjerrë në pah përpjekjet ndërkombëtare për shuarjen e konflikteve në rajoni tonë, Presidenti i Republikës theksoi se, “Marrëveshja e Paqes e Dejtonit i dha fund një lufte brutale në Ballkan, duke mbetur një gur themeli i paqes, stabilitetit dhe shpresës”.
Presidenti Begaj nënvizoi rëndësinë e ndërhyrjes në kohë në Kosovë, që ndihmoi në parandalimin e një katastrofe.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës luajtën një rol historik në sigurimin e paqes tre dekada më parë. Pa udhëheqjen amerikane, Marrëveshja e ‘Dejtonit’ nuk do të kishte qenë e mundur. Pa udhëheqjen amerikane, nuk do të kishim një Kosovë të pavarur. Për më tepër, rajoni ynë nuk do të kishte arritur stabilitetin e tij aktual pa angazhimin e qëndrueshëm të SHBA-së”, theksoi Begaj.
Presidenti Republikës vlerësoi angazhimin e vazhdueshëm të SHBA-së, NATO-s dhe BE-së në rajonin e Ballkanit, ndërsa shprehu përkushtimin si anëtare e Aleancës Euroatlantike për të forcuar solidaritetin, unitetin dhe kohezionin e NATO-s.
OSMANI VIZITË ZYRTARE NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
Presidentja Vjosa Osmani ka shprehur mirënjohjen e thellë për ndihmën dhe përkushtimin e aleatëve të Kosovës, gjatë një darke të organizuar nga Kongresi Amerikan dhe Asambleja Parlamentare e NATO-s, në kuadër të vizitës së saj zyrtare në SHBA.
Në fjalimin e saj, presidentja Osmani theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për ruajtjen e paqes dhe lirisë, duke nënvizuar se paqja nuk është diçka që trashëgohet, por diçka që ndërtohet, mirëmbahet dhe mbrohet vazhdimisht, njofton Presidenca.
“Sot përfaqësoj një Kosovë të lirë dhe sovrane, një tokë që dikur ishte e shkatërruar nga lufta, por që sot flet me gjuhën e paqes, shpresës dhe mirënjohjes. Ushtarët amerikanë dhe aleatët e NATO-s erdhën në Kosovë jo për lavdi, por sepse besonin në të drejtën themelore të çdo njeriu për të jetuar i lirë nga shtypja”, tha presidentja Osmani.
E para e shtetit po qëndron në SHBA, me ftesë të Kongresit Amerikan, për të marrë pjesë në sesionin pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s.
“Në momentet më të brishta, ata nuk na ofruan strehë vetëm për shtëpitë tona, por edhe për ëndrrat tona. Falë tyre, fëmijët e Kosovës më në fund flenë të sigurt. Falë tyre, një shtet u ngrit nga hiri”, shtoi Osmani.
Në këtë kontekst, presidentja Osmani tha se ushtarët amerikanë që erdhën me uniformë dhe qëndruan me vendosmëri, gjithmonë do ta kenë një shtëpi në Kosovë.
NË BALLKAN NIS STËRVITJA MË E MADHE USHTARAKE E UDHËHEQUR NGA SHBA-JA, MERR PJESË EDHE KOSOVA
Rreth 12.000 trupa ushtarake nga Shtetet e Bashkuara dhe nga vendet aleate të saj, përfshirë Kosovën, janë mbledhur në Ballkan, në kuadër të fazës së dytë të stërvitjes “DEFENDER 25”, të udhëhequr nga ushtria amerikane.
Ushtrimi, i quajtur “Immediate Response 25”, që zhvillohet nga 26 maji deri më 9 qershor, ka për qëllim të testojë se “sa shpejt dhe sa efektshëm” mund të dislokohen trupat amerikane në Evropë për ta mbrojtur Krahun Lindor të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) me aleatët dhe me partnerët.
Kosova është një ndër tetë vendet ku do të zhvillohet stërvitja që, sipas Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara, synon të forcojë mbrojtjen kibernetike dhe të demonstrojë kapacitetet e sigurisë të SHBA-së dhe aleatëve.
Pjesë të ushtrimit do të mbahen edhe në Shqipëri, Bullgari, Kroaci, Greqi, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Sllovaki.
Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka thënë se, gjatë periudhës sa do të zgjatë stërvitja ushtarake, në Kosovë “do ketë lëvizje të konvojeve nga vendbazimet e Forcës së Sigurisë së Kosovës në drejtim të rajonit të Gjakovës, saktësisht Aeroportit të Gjakovës dhe poligonit ushtarak në Babaj të Bokës”.
FSK-ja, sipas ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, “do të tregojë gatishmërinë operacionale dhe shkallën e ndërveprueshmërisë luftarake me vendet partnere dhe të rajonit”.
SULMET IZRAELITE NDAJ SHKOLLËS STREHIMORE NË GAZË VRANË TË PAKTËN 52 NJERËZ, THONË MJEKËT
Sulmet izraelite vranë të paktën 52 njerëz në Rripin e Gazës, sot, përfshirë 36 në një shkollë të shndërruar në strehimore, e cila u godit teksa njerëzit po flinin, duke i vënë flakën gjësendeve të tyre, bënë të ditur zyrtarët lokalë shëndetësorë.
Ushtria izraelite tha se kishte në shënjestër militantët që operonin nga shkolla, raporton Associated Press.
Izraeli përtëriu ofensivën e tij në mars, pasi i dha fund një armëpushimi me Hamasin, grupin palestinez që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë shpallur organizatë terroriste.
Izraelitët janë zotuar se do ta marrin kontrollin e Gazës dhe se do të vazhdojnë të luftojnë, derisa Hamasi të shkatërrohet apo të çarmatoset, dhe derisa ai të kthejë 58 pengjet e mbetura – një e treta prej të cilave besohet të jenë gjallë – që u morën gjatë sulmit të 7 tetorit të 2023-tës, e cila nxiti luftën.
DONALD TRUMP KËRKON T’I JAPË FUND LUFTËS NË GAZA: TË NDALOJË SA MË SHPEJT TË JETË E MUNDUR
Duke folur me gazetarët dje, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se kishte folur me Izraelin dhe i kishte kërkuar që të ndalonte luftën në Rripin e Gazës sa më shpejt të jetë e mundur.
Presidenti gjithashtu raportoi përparim në bisedimet me Iranin mbi programin bërthamor të këtij të fundit dhe me Hamasin, dhe shprehu optimizëm të kujdesshëm për një përparim në ditët në vijim.
Lidhur me luftën në Rripin e Gazës, Trump tha: “Ne duam të shohim nëse mund ta ndalojmë këtë. Dhe Izraeli, ne kemi folur me ta, dhe duam të shohim nëse mund ta ndalojmë të gjithë atë situatë sa më shpejt të jetë e mundur”. Sa i përket Iranit, Reuters raporton se presidenti ka thënë: “Mendoj se mund të kemi disa lajme të mira në frontin e Iranit. Nuk e di nëse do t’ju them diçka të mirë apo të keqe gjatë dy ditëve të ardhshme, por kam një ndjesi se mund t’ju them diçka të mirë”.
TRUMP SHTYN TARIFAT NDAJ BE-SË
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se Shtetet e Bashkuara do ta shtyjnë zbatimin e një tarife prej 50 për qind ndaj mallrave nga Bashkimi Evropian deri më 9 korrik, për t’iu dhënë kohë negociatave me bllokun për një marrëveshje tregtare.
Pajtimi u arrit pas një bisede telefonike, të dielën, me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila i kishte thënë Trumpit se donte “negociata serioze”, sipas presidentit amerikan.
“I thashë kujtdo që do të dëgjonte, se këtë duhej ta bënin”, deklaroi Trump para gazetarëve në Morristaun të Nju-Xhersit, më 25 maj, teksa po përgatitej të kthehej në Uashington.
Von der Leyen, sipas Trumpit, u zotua se BE-ja do të angazhohej shpejt për të punuar drejt një zgjidhjeje, raporton Associated Press.
Në një postim në mediat sociale, të premten, Trump kishte kërcënuar BE-në me tarifë, duke u ankuar për qasjen e bllokut 27-anëtarësh dhe mungesën e përparimit në bisedime. Tarifat, kishte paralajmëruar ai, do të hynin në fuqi më 1 qershor. Por, biseda me von der Leyen duket t’i ketë zbutur tensionet, të paktën tani për tani.
SPORT: KLUBI TAEKWONDOSE “BESA”, NË GARAT NDËRKOMBËTARE NË BEOGRAD
Klubi Taekwondose “Besa”, morën pjesë në garat ndërkombëtare në Beograd. Pjesëmarrës ishin mbi 500 garues nga shtetet e rajonit ku në mesin e tyre 6 anëtare të klubit te Taekwondose Besa nga Tuzi. Nikolla Juncaj nga senior A2 vendin e dytë, Liri Dibra ,juniore 1A po-ashtu vendin e dytë . Me medalje të arta u shpërblyen Mateo Vulaj dhe Izabella Frluçkiq. Me medalje të agjentë,Jozef Asanaj. Kurse bronzin e fituan Llejlla Frluçkiq dhe Liri Dibra.
NESËR MOT ME VRANËSIRA TË PAKTA DERI MESATARE, POR EDHE ME PERIUDHA TË GJATA ME DIELL
Për nesër pritet mot me vranësira të pakta deri mesatare me periudha të gjata me diell. Kryesisht në zonat malore, pasdite deri plotësisht i vranët, vende-vende edhe me kushte për reshje të përkohshme të shiut. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare, kryesisht nga veriu dhe verilindja. Temperatura e mëngjesit nga 5 deri në 16, ndërsa më e lartë ditore nga 16 deri në 26 gradë.
Коментари0
Остави коментар