- Hronika
- Kolumne
-
Radio
- Izdvajamo
-
Emisije
- Dokumentarni program
- Pop top
- Europuls
- Zrno po zrno
- Radio ordinacija
- Kulturna panorama
- Zelena priča
- Epoleta
- +382
- Spona
- Svijet jednakih šansi
- Matica
- Život po mjeri čovjeka
- Link
- Izokrenuti svijet
- Koracima mladih
- Moja profesija je...
- Sportski program
- Kulturno-umjetnički program
- Muzički program
- Koracima prošlosti
- Naučno-obrazovni program
- RCG
- R98
- Programska šema
- Trofej Radija Crne Gore
- Frekvencije
- Radio drama
Ditari
14. 05. 2025.
00:00 >> 17:04
Ditari 14.05.2025
Përgatiti, Gj. Dukaj
Mali i Zi është një nga shembujt më të mirë pozitiv të BE-së.
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, njoftoi në konferencën e sotme për shtyp se vizita e Presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Koshta, në Mal të Zi është një konfirmim se perspektiva evropiane e Malit të Zi, është lart në agjendën e Bashkimit Evropian (BE). Millatoviq, po ashtu ka deklaruar se do të dëshironte që Darko Vukoviq të ishte në krye të Shtabit të Përgjithshëm pas Zoran Llazareviqit. Kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Koshta, vlerësoi përpjekjet e Malit të Zi në rrugën evropiane, duke thënë se vendi ynë është një nga shembujt më të mirë të momentit pozitiv të bashkësisë evropiane.
"Është kënaqësi për mua të pres Kryetarin e Këshillit Evropian.Vizita juaj përfaqëson një mesazh të fortë mbështetjeje në rrugën tonë drejt BE-së. Takime të tilla konfirmojnë se perspektiva evropiane e Malit të Zi po bëhet një prioritet i lartë në agjendën e BE-së. Faleminderit për këtë", tha Millatoviq në fjalimin e tij të hapjes.
Millatoviq, tha se do të ketë darkë me Koshton ku do të diskutojë perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Në fjalimin e tij, Koshta tha se mezi pret gëzimin e përbashkët, veçanërisht kur bëhet fjalë për zgjerimin dhe hyrjen e Malit të Zi në BE. Kur u pyet se si e komenton faktin që anëtarët e Parlamentit Evropian, veçanërisht deputetja Marta Kos, janë të shqetësuar për marrëveshjet e nënshkruara me Emiratet e Bashkuara Arabe, sepse, siç deklarojnë ata, u mbetet mundësia të shmangin si legjislacionin vendas ashtu edhe atë evropian, Koshta tha se Kos dërgoi një letër që përcakton qartë qëndrimin e Komisionit Evropian.
Të gatshëm të ndajëmë përvojat me Moldavinë
Kryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, tha se Mali i Zi është i gatshëm të ndajë përvojat dhe njohuritë e fituara gjatë procesit të integrimit në BE me Moldavinë.
Ai e deklaroi këtë në një bisedë me Kryetarin e Parlamentit të Republikës së Moldavisë, Igor Gros me çrast bashkëbiseduesit diskutuan proceset aktuale të integrimit evropian të të dy vendeve. Siç u njoftua nga Parlamenti i Malit të Zi, kryetari Mandiq, theksoi se Mali i Zi, si një vend që po negocion intensivisht anëtarësimin në BE dhe që sot përfaqëson liderin absolut midis vendeve kandidate, ka mirëkuptimin dhe gatishmërinë për të ndarë përvojat dhe njohuritë e fituara gjatë këtij procesi me Moldavinë, e cila ende nuk ka hapur kapituj negociatash.
“Në këtë kontekst, ata diskutuan modalitetet e bashkëpunimit midis shërbimeve profesionale të dy parlamenteve, dhe u konkludua se në këtë drejtim, sekretarët e përgjithshëm të këtyre dy parlamenteve do të kenë komunikim më intensiv në periudhën e ardhshme”, thuhet në njoftim.
Raporti i Parlamentit Evropian konfirmon punën e suksesshme
Sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes Evropa Tani e zëvendëskryetar i Parlamentit të Malit të Zi, Boris Pejoviq, njoftoi se raporti i Komitetit të Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian, është një tjetër konfirmim i punës së suksesshme të Malit të Zi në rrugën e tij drejt BE-së.
„Në Raportin për Malin e Zi të miratuar dje, anëtarët e Komitetit të Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian, theksuan edhe një herë se vendi ynë mbetet kandidati më i përparuar për anëtarësim midis vendeve të rajonit”, tha Pejoviq. Në atë dokument, sipas Pejoviq, Parlamenti Evropian, vlerësoi veçanërisht progresin e rëndësishëm në harmonizimin me kornizën ligjore të BE-së, mbështetjen e qëndrueshme dhe të lartë të qytetarëve që i njohin përfitimet e anëtarësimit në BE dhe ambicien e qartë për t'u bërë anëtare e plotë e Unionit deri në vitin 2028.
Nesër protestë e re në Ulqin
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, njoftoi se nesër do të mbahet një protestë në atë komunë për shkak të investimeve të paralajmëruara nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe marrëveshjes me atë vend, duke pretenduar se ndërtimi në Plazhin e Madh, në këtë moment dhe në mënyrën e paralajmëruar, nuk mund të lejohet. Këtë e bëri të ditur Nimanbeg në një konferencë për media në zyrën e Kryetarit të Komunës së Ulqinit. Nimanbegu tha se ata i bënë thirrje Qeverisë që të dëgjonte zërin e tyre, por rezultoi e kotë. Ai deklaroi se ata u shkruan edhe ambasadorëve dhe zyrtarëve të BE-së.
"Është gjithashtu shqetësuese që rekomandimet e dhëna nga Komiteti i Punëve të Jashtme i Parlamentit Evropian nuk janë ndjekur. Ju kujtoj se sot në Mal të Zi, Presidenti i BE-së, Antonio Koshta, theksoi rëndësinë e zbatimit të standardeve evropiane në lidhje me këto marrëveshje. Ne i kemi informuar ambasadat dhe misionet diplomatike për të gjitha këto. Prandaj, nesër në orën 11:00 të gjitha subjektet pjesëmarrëse në Parlamentin e Ulqinit kanë rënë dakord të organizojnë një protestë njëorëshe në pikën kufitare Sukubin dhe në Krruçë në rrugën për në Tivar, për të treguar se Ulqini dhe qytetarët e tij janë kundër marrëveshjes dhe investimeve të paralajmëruara në këtë formë", tha Nimanbegu.
Mali i Zi, aleat i besueshëm i NATO-s
Mali i Zi është konfirmuar si një aleat i besueshëm brenda NATO-s dhe një kandidat i kredibël për anëtarësim në Bashkimin Evropian, dhe Ministria e Brendshme, së bashku me Drejtorinë e Policisë, ka një rol kyç në forcimin e institucioneve të sundimit të ligjit, sigurisë dhe qëndrueshmërisë së sistemit, u njoftua në takimin e delegacionit të Kolegjit Mbretëror të Studimeve të Mbrojtjes (RCDS) nga Mbretëria e Bashkuar dhe delegacionit të Ministrisë së Brendshme.
Kjo vizitë, siç u shprehën ata, përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në forcimin e mirëkuptimit të ndërsjellë, shkëmbimin e përvojave dhe përmirësimin e marrëdhënieve të partneritetit midis Malit të Zi dhe Mbretërisë së Bashkuar. Gjatë takimit, theksojnë ata, u zhvillua një dialog i hapur mbi sfidat bashkëkohore të sigurisë, politike dhe sociale, me theks të veçantë në reformat e zbatuara nga Mali i Zi në procesin e integrimit evropian.
Mali i Zi, të shfrytëtoj anëtarësimin në Programin Horizont Europe
Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, hapi një seminar mbi projektet kërkimore të orientuara drejt teknologjisë në kuadër të Marrëveshjes së Anëtarësimit në Horizont Europe. Me atë rast, ai theksoi se Mali i Zi duhet të përdorë anëtarësimin e tij në Program dhe mjetet teknologjike për zhvillim të përgjithshëm, me fokus në fusha të specializuara që inkurajojnë inovacionin dhe tërheqin investime. Si pjesë e Marrëveshjes për bashkëngjitje me Programin Horizont Europe, në Parkun e Shkencës dhe Teknologjisë të Malit të Zi u organizua një punëtori mbi projektet e infrastrukturës së kërkimit të orientuar drejt teknologjisë - Mundësitë për Ballkanin Perëndimor, njoftoi Ministria e Administratës Publike.
Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, hapi aktivitetin duke thënë se Mali i Zi duhet të shfrytëzojë anëtarësimin e tij në këtë Program, dhe kështu të gjitha mjetet teknologjike në dispozicion për të filluar zhvillimin e përgjithshëm të vendit.
MANS, kërkon debat të hapur për publikun
Rrjeti për Afirmimin e Sektorit Joqeveritar (MANS), njoftoi se i kërkoi Këshillit për Siguri dhe Mbrojtje që një pjesë të diskutimit në seancën e ardhshme ta hapte për publikun me qëllim forcimin e besimit të qytetarëve në institucione dhe kërkoi që, siç deklarojnë ata, përfaqësuesit të tij t'i lejohet të marrë pjesë.
Ata kujtojnë se seanca e këtij komisioni parlamentar është planifikuar për të premten, më 16 maj.
Ne besojmë se prania e sektorit civil do të kontribuonte në një kuptim më të mirë të kontekstit institucional, duke rritur besimin e publikut dhe duke forcuar rolin kontrollues të Kuvendit mbi strukturat e sigurisë.
Turizmi si motor i zhvillimit ekonomik
Prioritetet e Malit të Zi në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE dhe rëndësia e turizmit si nxitës i zhvillimit ekonomik, ishin temat e takimit të Ministrave të Turizmit të Malit të Zi dhe Francës, Simonide Kordiq dhe Natali Delatr. Gjatë takimit në Forumin Botëror të Turizmit, ata diskutuan prioritetet e Malit të Zi në kuadër të procesit të pranimit në BE dhe perspektivën e mbylljes së negociatave deri në fund të vitit 2028. Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime mbi rëndësinë e turizmit si një nxitës i zhvillimit ekonomik, ku u theksua se turizmi në Mal të Zi, kontribuon deri në 30 përqind të produktit të brendshëm bruto të vendit.
“Ata diskutuan gjithashtu rëndësinë e zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit - një qasje që balancon rritjen dhe zhvillimin e destinacionit me ruajtjen e komunitetit lokal dhe burimeve natyrore, në përputhje me pritjet moderne të turistëve”, thuhet në njoftim.
Liderët e BE, urojnë kryeministrin Rama për fitoren në zgjedhje
Liderët e Bashkimit Evropian e kanë uruar të mërkurën kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për fitoren e partisë së tij në zgjedhjet parlamentare të fundjavës, ndërsa presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e lartësoi “përparimin e madh” të Shqipërisë drejt bllokut.
“Le ta vazhdojmë punën së bashku në reformat evropiane. Shqipëria e ka vendin në BE!” shkroi Ursula von der Leyen në X. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e lartësoi fitoren e Ramës, duke shkruar në X: “Franca gjithmonë do t’i qëndrojë përkrah Shqipërisë në rrugën e saj evropiane”.
Dështon sërish tentativa për të knstituar përbërjen e Parlamentit
Për të pesëmbëdhjetën herë me radhë, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar të martën ta konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.
Ligjbërësit refuzuan për të shtatën herë rresht që ta formonin një komision për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kreun e ri të organit ligjvënës – sipas një propozimi të bërë më 1 maj nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pasi e propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk arriti në disa votime t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u konfirmuar në post. Dështimi i radhës ndodhi një ditë pasi Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dërgoi në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës çështjen e votimit të fshehtë për kryetarin e Kuvendit të Kosovës.
BE, miraton paketën e re të sanksioneve kundër Rusisë
Bashkimi Evropian (BE) e ka miratuar të mërkurën një paketë të re të sanksioneve kundër Rusisë, duke goditur “flotën në hije” të Rusisë, ndërkohë që Evropa po kërcënon me ndëshkim shtesë, nëse Moska nuk pajtohet për armëpushim në Ukrainë. Masat e reja kundër Kremlinit – pra paketa e 17-të e sanksioneve nga BE-ja që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022 – ishin përgatitur para se liderët evropianë ta jepnin ultimatumin e fundit për Moskën lidhur me përpjekjet e udhëhequra nga SHBA-ja për paqe në Ukrainë. Diplomatët - që përfaqësojnë 27 shtetet anëtare të BE-së - e miratuan paketën në e re një takim në Bruksel, sipas presidencës polake të bllokut.
Paketa, e cila pritet të miratohet zyrtarisht të martën që vjen, përfshin futjen në listën e zezë të rreth 200 cisternave të naftës që përdoren për t’i shmangur kufizimet ndaj eksporteve të naftës ruse. Kompani nga vende si Vietnami, Serbia dhe Turqia, të akuzuara se ndihmojnë në furnizimin e ushtrisë ruse me mallra, gjithashtu do të përballen me kufizime.
Zelenski, kërkon ndihmë nga Tramp për të siguruar takimin në Turqi
Pas propozimit të presidentit rus Vladimir Putin për bisedime dypalëshe, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka shtuar përpjekjet për një takim të drejtpërdrejtë në Turqi të enjten, duke i bërë thirrje edhe SHBA-së që të vendosë sanksione ndaj Rusisë nëse Putini refuzon të marrë pjesë. Zelensky i kërkoi presidentit amerikan Donald Trump, të ndihmojë në sigurimin e këtij takimi me Putinin në Turqi, duke e akuzuar liderin rus se nuk është serioz në përpjekjet për të ndalur luftën.
“Do të bëjmë gjithçka që ky takim të ndodhë,” deklaroi Zelensky, ndërsa shtoi: “Unë besoj se Putini nuk dëshiron që lufta të përfundojë, nuk dëshiron armëpushim dhe nuk dëshiron asnjë lloj negociate.”
Kremlini deri më tani nuk ka komentuar mbi ftesën e Zelenskyt për një takim në Turqi për të dytën ditë radhazi, edhe pse vetë Putini kishte sugjeruar më parë mundësinë e bisedimeve të drejtpërdrejta mes Rusisë dhe Ukrainë, shkruan Le Monde. Nga ana tjetër, Trump është shprehur pozitivisht për idenë e një takimi mes dy presidentëve dhe ka thënë se mund të marrë pjesë vetë.
Tramp, paralajmëron heqjen e sanksioneve ndaj Sirisë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi të martën se planifikon të heqë sanksionet ndaj Sirisë, pas rrëzimit të regjimit të Bashar al-Asadit. Trump, në një fjalim në një forum investimesh saudite, tha se e mori vendimin pasi e diskutoi atë me Princin e Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman, si dhe me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
"Siria, ata kanë pasur pjesën e tyre të trazirave, luftës, vrasjeve në shumë vite. Kjo është arsyeja pse administrata ime tashmë ka ndërmarrë hapat e parë drejt rivendosjes së marrëdhënieve normale midis Shteteve të Bashkuara dhe Sirisë për herë të parë në më shumë se një dekadë", tha ai, duke vënë në dukje se Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, pritet të takohet me ministrin e Jashtëm të Sirisë në Turqi "më vonë këtë javë". Regjimi i Asadit ra gjatë administratës Biden në dhjetor, dhe administrata e re në Siri ka shpresuar që Trump do të shqyrtojë heqjen e sanksioneve ndëshkuese ndaj vendit, raporton CNN.
Nesër, mot me diell, pasdite vranësim gradual
Në Mal të Zi mban mot kryesisht me diell. Frynë erë e lehtë deri e mesme e drejtimeve të ndryshme. Temperatura në orën 14; Ulqin 25 gradë, Podgoricë, Herceg Novi e Budvë 23, Tivar 22, Bjello Pole 20, Cetinë, Nikshiq e Berane 19, Andrijevic e Shavnik 18, Plevlë, Kolalshin, Plluzhinë e Rozhaje 17, Zhablak e Guci 16 dhe në Petnjicë 15 gradë.
Meteorlogët parashohin se nesër do të mbaj mot kryesisht me diell, nga mesi ditës pritet vranësim gradual kurse në orët e mbrëmjes me të reshura të shiut.
Do të fryjë erë e lehtë deri e mesme e drejtimeve jugore e cila në orët e mbrëmjes do të marr kahje veriore.
Temperatura e mëngjesit prej 1 deri në 14, kurse më e larta e ditës prej 14 deri në 24 gradë celsius.
Коментари0
Остави коментар