- Hronika
- Kolumne
-
Radio
- Izdvajamo
-
Emisije
- Dokumentarni program
- Pop top
- Europuls
- Zrno po zrno
- Radio ordinacija
- Kulturna panorama
- Zelena priča
- Epoleta
- +382
- Spona
- Svijet jednakih šansi
- Matica
- Život po mjeri čovjeka
- Link
- Izokrenuti svijet
- Koracima mladih
- Moja profesija je...
- Sportski program
- Kulturno-umjetnički program
- Muzički program
- Koracima prošlosti
- Naučno-obrazovni program
- RCG
- R98
- Programska šema
- Trofej Radija Crne Gore
- Frekvencije
- Radio drama
Ditari
07. 05. 2025.
00:00 >> 16:26
Ditari 07.05.2025
Përgatiti, Senad Gilaj
Millatoviq: Mali i Zi duhet në mënyrë strategjike të ndërtojë identitet ndërkombëtar
“Mali i Zi, në dritën e trazirave globale, duhet të ndërtojë identitetin e tij ndërkombëtar dhe të promovojë fuqishëm integrimin evropian dhe rajonal”, tha presidenti, Jakov Millatoviq në Simpoziumin i cili po mbahet në Sent Galen, në Zvicër. Siç thuhet në njoftim nga kabineti i presidentit malazez, Millatoviq, me ftesë të Universitetit të këtij qyteti mbajti fjalën hyrëse mbi temën e këtij viti të Simpoziumit, “Zhvendosja e fuqisë globale”, ku foli për ndikimin e ndryshimeve gjeopolitike globale në Malin e Zi. “Millatoviq gjithashtu foli edhe në panelin për perspektivat në udhëheqje, ku, si përfaqësues i gjeneratës së re të liderëve, ndau përvojat dhe pikëpamjet e tij për sfidat dhe mësimet që formësojnë udhëheqjen bashkëkohore. Sipas presidencës malazeze, planifikohet edhe një takim bilateral ndërmjet Millatoviq dhe presidentes së Zvicrës, ku do të flitet për forcimin e lidhjeve politike dhe ekonomike mes dy vendeve. Simpoziumi i Sent Galen, i organizuar nga Universiteti i këtij qyteti, është një nga forumet ndërkombëtare më prestigjioze që mbledh liderë nga ekonomia, politika, shkenca dhe shoqëria civile. “Pjesëmarrësit përfshijnë liderë të rinj, përfaqësues të qeverive dhe shteteve, organizatave ndërkombëtare, kompanive kryesore botërore, qarqeve akademike dhe diplomatike, të cilët përmes dialogut shqyrtojnë sfidat dhe mundësitë kyçe globale të kohës sonë,” thuhet në njoftim.
Mandiq: Të orientuar që Mali i Zi të bëhet anëtari i parë i ardhshëm i BE-së
Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq njoftoi se aktiviteti i tyre politik synon që Mali i Zi të jetë anëtari i parë i radhës i Bashkimit Evropian dhe se nuk ka vend për gabime. Në një bisedë me përfaqësuesen speciale të kryesisë së OSBE-së, ambasadoren Terhi Hakalle, Mandiq tha se për këtë arsye për Malin e Zi është i rëndësishëm qëndrimi i kësaj organizate që përfaqëson dhe i vendit nga vjen, duke besuar se do të ketë qëndrim miqësorë për vendin. Kryeparlamentari malazez përkujtoi në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit që ka qenë në fuqi gjatë viteve të fundit dhe tha se është një nga luftërat më të rëndësishme të Malit të Zi. “Mali i Zi ka mbështetjen e fortë të OSBE-së, por edhe të Finlandës, në përpjekjet e saj për t'u bërë së shpejti anëtare e Bashkimit Evropian”, tha gjatë takimit ambasadorja Hakalle.
Azemoviq: Diaspora shtyllë e rëndësishme e ruajtjes së identitetit kulturor
Diaspora nuk është vetëm urë lidhëse midis vendeve, por edhe shtyllë e rëndësishme e ruajtjes së identitetit kulturor të Malit të Zi, tha Ministri i diasporës Mirsad Azemoviq gjatë vizitës së punës në Qipro. Ministria e diasporës njoftoi se Azemoviq dhe Sekretari shtetëror në këtë ministri, Adell Omeragiq, qëndrojnë për vizitë në Qipro, ku, përveç takimeve tjera, u takuan me përfaqësues të Shoqatës së malazezëve dhe miqve të Malit të Zi në këtë vend. “Azemoviq i falënderoi për pritje dhe theksoi rëndësinë e ruajtjes së identitetit kombëtar, gjuhës dhe kulturës të diasporës malazeze”, thuhet në njoftim. Qeveria, siç theksoi ai, e njeh rëndësinë e diasporës si një pjesë të rëndësishme të shoqërisë malazeze dhe një partner në zhvillimin e vendit.
Zellensky në Podgoricë më 15 maj, nënshkruan marrëveshje sigurie
Sipas gazetës së përditshme “Dan”, gjatë vizitës së Zellenskyt në Mal të Zi dhe takimit me presidentin Jakov Millatoviq, dy udhëheqësit do të nënshkruajnë një marrëveshje dypalëshe sigurie, brenda kuadrit më të gjerë të bashkëpunimit midis Ukrainës dhe vendeve anëtare të NATO-s. Është një dokument që ndjek modelin e marrëveshjeve të sigurisë që Ukraina ka lidhur tashmë me disa vende perëndimore, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Francën dhe Italinë. Qëllimi i këtyre marrëveshjeve është të ofrojë mbështetje afatgjatë për Ukrainën në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, përmes ndihmës ushtarake, trajnimit, bashkëpunimit të inteligjencës dhe forcimit të qëndrueshmërisë së vendit që përballet me luftën me Rusinë.
Me këtë akt, Mali i Zi do të konfirmojë mbështetjen e tij të fortë për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës dhe do t'i bashkohet grupit të anëtarëve të NATO-s që kanë ndërmarrë tashmë angazhime sipas deklaratës së përbashkët të korrikut në vitin 2023.
Mali i Zi dhe Turqia mund të forcojnë bashkëpunimin ekonomik
Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Mirsad Nurkoviq, prezantoi në Turqi klimën aktuale të investimeve në Mal të Zi, duke theksuar marrëdhëniet e qëndrueshme politike midis dy vendeve si bazë për bashkëpunim më intensiv ekonomik. Nurkoviq i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Turqi, merr pjesë në Forumin Ekonomik Euroaziatik, në të cilin do të jenë liderë politikë dhe ekonomikë nga Evropa dhe Azia.
Mersie: Drejt rritjes ekonomike në përputhje me standardet e BE-së
Jemi njoftuar me Marrëveshjen për bashkëpunim në fushën e turizmit dhe zhvillimit të pasurive të paluajtshme që Mali i Zi nënshkroi me Emiratet e Bashkuara Arabe ndërsa komisionerja Marta Kos iu përgjigj letrës së dërguar nga presidenti i Malit të Zi, tha Gijom Mersie, zëdhënës i Komisionit Evropian. Siç deklaroi ai, duke pasur parasysh aspiratën e Malit të Zi për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, rritja ekonomike do të duhet të arrihet në mënyrë që është në përputhje me standardet e BE-së, dhe marrëveshjet do të duhet të zbatohen në mënyrë transparente dhe në përputhje me trashëgimin juridike të BE-së në fusha të ndryshme. “Komisioni Evropian me kujdes do të përcjellë këtë dhe është gati ta ndihmojë Malin e Zi në këtë drejtim, nëse është e nevojshme”, tha ai.
Rakoçeviq: paralajmërim shqetësues në rrugën drejt BE-së
Komisioni Evropian dërgoi një mesazh diplomatik paralajmërimi dhe shqetësimi për sistemin juridik të Malit të Zi në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimit Evropian. Këtë e deklaroi për emisioni Link deputeti i Partisë Demokratike të Socialistëve, Nikolla Rakoçeviq duke komentuar marrëveshjen me Emiratet e Bashkuara Arabe. Ai tha se mund të ketë keqpërdorim të marrëveshjes, dhe për një marrëveshje të tillë, Mali i Zi nuk ka nevojë. Ndërsa nga Rrjeti për afirmimin e sektorit joqeveritar MANS thanë se përjashtimi i tenderëve dhe pezullimi i ligjeve paraqet thelbin e marrëveshjes midis Malit të Zi dhe Emirateve të Bashkuara Arabe për bashkëpunimin në fushën e turizmit dhe zhvillimit të pasurive të patundshme. Ata pretendojnë se marrëveshja nuk është përgatitur për të mundësuar zhvillimin e një projekti specifik përmes konkurrencës së drejtë dhe të ndershme publike. Mirëpo, është pezulluar korniza ligjore, në mënyrë që investitori i paracaktuar të ketë trajtim ekskluziv, vlerësohet nga MANS. Ndërsa lidhur me marrëveshjen me Emiratet e Bashkuara Arabe, deputeti i Partisë Demokratike Popullore, Dragan Bojoviq thotë se Mali i Zi nga Komisioni Evropian mori përgjigje politike me rezerva të caktuara. Ai theksoi se askush nuk është kundër investimeve por duhet të ketë transparencë dhe kontroll mbi të gjithë procesin.
Muleshkoviq: Përveç "veprimeve të katalogut", duhet të mbështesim edhe prodhimin vendor
Vendimmarrësit, përveç "veprimeve të katalogut", duhet të implementojnë masa për të subvencionuar prodhimtarinë vendore, sepse kjo është e vetmja mënyrë për të forcuar ekonominë dhe në këtë mënyrë për të provuar që të ndikojnë në treg për sa i përket çmimeve, tha analisti ekonomik Mirza Muleshkoviq. Ai duke komentuar deklaratën e zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të zhvillimit ekonomik, Nik Gjeloshaj, se nga 15 maji, pas përfundimit të fushatës, “Çmimet e limituara”, do të hyjnë në fuqi masat e reja, me të cilat Qeveria planifikon të ndikojë në çmimet elementare të ushqimeve. Këshilli parlamentar për ekonomi, financa e buxhet në kohët e fundit, me propozimin e kryetarit të këtij trupi kuvendor, Boris Mugosha, miratoi qëndrimet nga dëgjimet kontrolluese lidhur me çmimet e rrjeteve tregtare të shitjes.
Rritja e të ardhurave buxhetore, rritja e aktiviteteve të DT-së gjatë sezonit
Drejtoria Tatimore (DT) arriti grumbullimin katërmujor të të ardhurave bruto në shumën prej diçka më shumë se 599 milionë euro, që është 5.4 milionë euro më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. “Kjo rritje është rezultat i disa faktorëve, duke përfshirë rritjen e shkallës së disiplinës fiskale, inkurajimin e përmbushjes vullnetare të rregulloreve tatimore, zbatimin e masave të detyrueshme dhe sanksionimin e biznesit të paligjshëm, ndërsa në sezonin veror turistik aktivitetet operative do të intensifikohen në të gjitha segmentet e përgjegjësisë me qëllim të sigurimit të një fluksi të qëndrueshëm të fondeve buxhetore”, thuhet në kumtesë nga Drejtoria Tatimore. Grumbullimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) shkoi në 167 milionë euro, që është 27 milionë euro ose 19 për qind më shumë se vitin e kaluar.
Ka filluar trajnimi për përdorimin e pavarur të Sistemit të llogaritjes së centralizuar të pagave
Nga Ministria e financave kumtuan se deri në fund të kësaj jave, mbi 160 punonjës të institucioneve të arsimit fillor, të angazhuar në detyrat e llogaritjes së pagave, do të përfundojnë trajnimin për përdorimin e sistemit të Centralizuar të llogaritjes së pagave. Sipas kësaj ministrie, llogaritja e centralizuar e pagave është sistem informatik menaxhimi për kontrollin e shpenzimeve që kanë të bëjnë me kostot e burimeve njerëzore, pra të punonjësve të sektorit publik. Ky sistem sjell përfitime të konsiderueshme, vendos barazi në zbatimin e rregullave për llogaritjen e pagave, eliminon parregullsitë e konstatuara, mundëson nivel më të lartë kontrolli, ul rrezikun e gabimeve si dhe automatizon shumë procese që më parë kryheshin manualisht. Sipas njoftimit të këtij dikasteri qeveritar, sistemi gjithashtu siguron ndërveprim me të dhënat e regjistrit qendror të burimeve njerëzore dhe me sistemet e tjera të informacionit brenda vetë kësaj ministrie. Në këtë mënyrë, siç thuhet, sigurohet një kontroll më efikas dhe një pasqyrë më e qartë mbi fondet buxhetore të destinuara për pagat e nëpunësve publikë, si dhe raportim më cilësor dhe më i shpejtë për pagat e llogaritura.
Kuvendi i Kosovës nuk konstituuohet edhe në përpjekjen e 12-të
Kuvendi i Kosovës zhvilloi sot seancën në përpjekjen e 12-të radhazi për ta konstituuar Kuvendin pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Pas nisjes së seancës, kryesuesi Avni Dehari e ndërpreu seancën për herë të 12-të dhe njoftoi se ajo do të vazhdojë pas dy ditëve. Seanca dështoi përsëri pasi propozimi i kryesuesit, i cili vjen nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk mori vota të mjaftueshme për të formuar një komision për votim të fshehtë për kryetarin e Kuvendit. Procesi ka ngecur prej javësh pasi partia fituese, LVV, nuk po arrin t’i sigurojë votat e nevojshme për kandidaten e saj për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu. Ajo shihet nga disa parti parlamentare si “figurë përçarëse”, por LVV ngul këmbë se ajo është kandidate meritore. Së voni, ka pasur lëvizje për zhbllokimin e ngërçit, por asnjë marrëveshje për një gjë të tillë. LVV i ka kërkuar marrëveshje LDK-së, e cila ka refuzuar dhe kërkon qeveri tranzitore mes partive parlamentare. Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re.
Abdixhiku: Qeveria Nacionale e Tranzicionit do të ketë afat të caktuar
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i është përgjigjur reagimit të disa partive të komuniteteve joshumicë joserbe, që e akuzuan se në propozimin për qeveri të tranzicionit i ka përjashtuar komunitetet. Abdixhiku ka thënë se këto parti minoritare po instrumentalizohen dhe po kopjojnë gjuhën fyese të polarizuesve. Kurse kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pas dështimit për herën e dymbëdhjetë për t’u konstituuar Kuvendi i Kosovës, tha se secili duhet ta luajë rolin e vet ndaj qytetarëve. Ai edhe sot kërkoi që të ndërrohet kandidatja për kryetare të Kuvendit të Kosovës. Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i pyetur për propozimin e Lidhjes Demokratike për një qeveri tranzicionale ka thënë se preferon një qeveri të shumicës. Ai ka thënë se ekziston potenciali për këtë. Ndërsa kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, pas dështimit të sotëm për t’u konstituuar Kuvendi i Kosovës, tha se nëse vazhdon kështu, do të ishte më mirë të shkojmë në zgjedhje. Përndryshe, ditë më pare kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, i dërgoi letër, kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në të cilën ka kërkuar koalicion qeverisës. Kurse Lidhja Demokratike e Kosovës ka propozuar qeveri të tranzicionit me të gjitha partitë shqiptare. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në një konferencë për media ka bërë të ditur se partia e tij nuk e pranon ftesën e Lëvizjes Vetëvendosje për koalicion. Ai tha se bashkëpunimi mes këtyre dy subjekteve është i pamundur. Ndërkohë komesarja evropiane për zgjerim Marta Kos ka bërë thirrje për formimin sa më të shpejtë të institucioneve në Kosovë, që do të mundësonin zbatimin e reformave evropiane dhe përfitimin nga mjetet financiare të Planit Evropian për Rritje.
Vota e diasporës, 151 192 zarfe me fletëvotimi të mbërritura në KQZ
Procesi i votimit të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit vijon, ndërsa deri sot në orën 11:00, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë mbërritur 151 192 zarfe me fletëvotimi. Derisa afatit për dorëzimin e votës nga diaspora po i afrohet fundit, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i ka bërë thirrje emigrantëve shqiptarë të nxitojnë të japin votën e tyre. Në total, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri më tani 65% e votës së diasporës është dorëzuar, ndërsa mbeten ende me mijëra zarfe që pritet të mbërrijnë deri më 9 maj. Deri më tani nivelin më të ulët të dorëzimit të zarfeve të votimit e ka Greqia me 39%, ndërsa më i larti është diaspora në Itali me 74%. Rama tha se shqiptarët nuk duhet ta humbasin këtë mundësi historike për të vendosur për të ardhmen e vendit të tyre, atë të “Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe shqiptarëve me status të barabartë me qytetarët e BE-së”. Përndryshe në Shqipëri të dielën me 11 maj do të mbahen zgjedhjet parlamentare.
Përkundër kritikave nga Brukseli, presidenti i Serbisë udhëtoi në Moskë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka udhëtuar sot në Moskë, ku më 9 maj do të marrë pjesë në Paradën e Fitores dhe do të takohet me presidentin rus, Vlladimir Putin. Vizita ndodh në një moment të kritikave të shtuara nga Bashkimi Evropian për mungesën e reformave kyçe, mosvendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe, sipas vlerësimeve nga Brukseli, largimin gjithnjë më të theksuar të Serbisë nga vlerat evropiane. Para nisjes për në Moskë, ai u takua në Beograd me ambasadorin rus, Alleksandar Bocan- Harçenko. Edhe pse konfirmimi zyrtar nga Presidenca e Serbisë ende nuk është publikuar, disa media në Beograd raportojnë se Vuçiq tashmë është nisur drejt kryeqytetit rus. Udhëtimi i Vuçiqit në Rusi ndodh në kohën e tensioneve të shtuara ndërmjet autoriteteve serbe dhe Bashkimit Evropian. Pavarësisht kritikave, Vuçiq do të marrë pjesë në kremtimin në Moskë, ndërsa ministri i punëve të jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se presidenti më vonë “do të tregojë detajet mbi sjelljen e shteteve të ndryshme ndaj Serbisë”.
Ministrat e Jashtëm të BE-së takohen për të diskutuar marrëdhëniet me SHBA-në dhe luftën në Ukrainë
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian do të nisin sot një takim joformal dyditor në Varshavë, të fokusuar në ndryshimin e marrëdhënieve BE-SHBA dhe luftën e vazhdueshme në Ukrainë. Kthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, në fillim të vitit ka ndryshuar ndjeshëm “erërat” politike në BE. Pas rritjes së vazhdueshme të tregtisë transatlantike, BE është bërë objektiv i politikave tregtare të paparashikueshme të Trump. Blloku ende shpreson të zgjidhë konfliktin lidhur me tarifat shtesë të pezulluara, aktualisht ndaj importeve të BE-së në SHBA – me vlerë miliarda euro përmes negociatave. Ministrat e BE-së pritet të diskutojnë se si të forcojnë pozicionin e Ukrainës përpara bisedimeve të mundshme të paqes dhe si të rrisin presionin mbi Moskën. Bisedimet pritet të përqendrohen në bashkëpunimin në çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë përpara një samiti të ardhshëm BE-BM në Londër, në fund të majit. Ministrat e Jashtëm të vendeve kandidate për në BE janë të ftuar të marrin pjesë në bisedimet e nesërme, të përqendruara në sigurinë dhe kërcënimet hibride.
Sulmet izraelite vrasin të paktën 59 palestinezë në Gazë
Sulmet izraelite në të gjithë Gazën vranë të paktën 59 njerëz, përfshirë gra dhe fëmijë, thane sot zyrtarë spitalorë. Izraeli po përgatitet të zgjerojë fushatën kundër Hamasit në një luftë shkatërruese që po hyn në muajin e 20-të. Gjatë sulmeve është goditur edhe një shkollë që strehonte qindra palestinezë të zhvendosur, ku u vranë 27 njerëz, sipas zyrtarëve të spitalit Al-Aksa, përfshirë nëntë gra dhe tre fëmijë. Kjo ishte hera e pestë që shkolla në Gazën qendrore është goditur që nga fillimi i luftës. Izraeli fajëson Hamasin për numrin e viktimave, duke thënë se operon nga infrastrukturë civile, përfshirë shkolla. Hamasi e mohon këtë. Në fillim të javës, Izraeli e aprovoi një plan për ta uzurpuar tërë Rripin e Gazës dhe për të qëndruar në territorin palestinez për një kohë të papërcaktuar.
Të paktën 26 të vrarë nga sulmet raketore të Indisë në territorin pakistanez
India ka hedhur raketa në disa pjesë të territorit të kontrolluar nga Pakistani në orët e hershme të ditës së sotme, duke i vrarë të pakën 26 njerëz. Lideri i Pakistanit i cilësoi sulmet si “akt lufte”. India tha se e ka goditur infrastrukturën e përdorur nga militantët e lidhur me sulmin e muajit të kaluar në pjesën e kontrolluar nga India në Kashmir, ku u vranë 26 turistë hindu. Ndërkohë Pakistani njoftoi se i ka rrëzuar disa avionë luftarakë indianë në shenjë hakmarrjeje, teksa dy avionë ranë në fshatrat e kontrolluara nga India në Kashmir. Të paktën shtatë civilë u vranë në këtë rajon nga sulmet pakistaneze, thanë policia dhe mjekët indianë. Tensionet mes Indisë dhe Pakistanit janë rritur ndjeshëm që nga sulmi i muajit të kaluar, për të cilin India i ka fajësuar militantët e mbështetur nga Pakistani. Islamabadi e ka mohuar përfshirjen.
Kardinalët katolikë nisin sot votimet për Papën e ri në Kapelën Sistine
Kardinalët katolikë nga e gjithë bota nisin sot procesin e votimit për një papë të ri, nën afreskun e famshëm të Michelangelo-s, “Gjykimi i Fundit”, në Kapelën Sistine. Ky është një konklav i veçantë dhe ndoshta më i paparashikueshëm që ka ndodhur ndonjëherë, pas vdekjes së Papa Françeskut në moshën 88 vjeçare. Një nga trashëgimitë kryesore të Papa Françeskut ishte krijimi i një kolegji kardinalësh të larmishëm dhe shpesh të përçarë, me disa që mbështesin vizionin progresiv të tij dhe të tjerë që dëshirojnë të rihapin diskutimin mbi shumë nga ndryshimet që ai solli në Kishën Katolike. Pas takimeve të përditshme që nga 28 prilli, 133 kardinalët me të drejtë vote janë njohur me njëri-tjetrin dhe kanë diskutuar vizionet e tyre për të ardhmen e Kishës. Përpara se të nisë procesi i votimit, kardinalët u takuan për herë të fundit ditën e djeshme dhe më pas u zhvendosën në Casa Santa Maria, ku do të qëndrojnë të izoluar nga bota e jashtme derisa të zgjidhet papa i ri.
Edhe nesër mot i ndryshueshëm, me diell por edhe me reshje të mundshme
Në Mal të Zi sot mban mot me vranësira të ndryshueshme deri krejt i vranët, vende vende edhe me reshje të shiut. Fryn erë mesatare deri e fortë jugore. Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Podgoricë e Ulqin 24 gradë, Tivar e Budvë 23, Herceg Novi 22, Beranë e Bijello Pole 20, Cetinë, Rozhajë e Plevle 19, Nikshiq 18, Guci 16, Zhablak 14 dhe në Kollashin 13 gradë.
Për nesër paralajmërohet mot me vranësira të ndryshueshme dhe intervale me diell, vende vende edhe me reshje të mundshme të shiut e bubullimë. Do të fryjë erë e mesme deri e fortë e drejtimeve të jugut. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 5 deri në 17, kurse më e larta e ditës prej 13 deri në 23 gradë celsius.
Коментари0
Остави коментар