- Hronika
- Kolumne
-
Radio
- Izdvajamo
-
Emisije
- Dokumentarni program
- Pop top
- Europuls
- Zrno po zrno
- Radio ordinacija
- Kulturna panorama
- Zelena priča
- Epoleta
- +382
- Spona
- Svijet jednakih šansi
- Matica
- Život po mjeri čovjeka
- Link
- Izokrenuti svijet
- Koracima mladih
- Moja profesija je...
- Sportski program
- Kulturno-umjetnički program
- Muzički program
- Koracima prošlosti
- Naučno-obrazovni program
- RCG
- R98
- Programska šema
- Trofej Radija Crne Gore
- Frekvencije
- Radio drama
Ditari
05. 05. 2025.
00:00 >> 16:39
Ditari 05.05.2025
Përgatiti, Senad Gilaj
Mali i Zi me marrëveshje me EBA krijoi parakushte për investime
Parlamenti i Malit të Zi është mikpritës i konferencës së pestë ndërkombëtare të Grupit të rrugës së mëndafshtë, të Asamblesë Parlamentare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (AP e OSBE), me temën "Lidhja e Kontinenteve: Përmirësimi i Turizmit të Qëndrueshëm", që po mbahet sot në Budvë. “Mali i Zi, me nënshkrimin e Marrëveshjes me Emiratet e Bashkuara Arabe, ka krijuar parakushte që në vend të hyjnë investime me vlerë prej disa miliarda eurosh, veçanërisht në turizëm”. Për këtë arsye, kryetari i Kuvendit, Andrija Mandiq, në hapje të kësaj Konference u ka bërë thirrje vendeve anëtare të OSBE-së që të investojnë në një vend i cili është njohur si urë bashkëpunimi mes civilizimeve të ndryshme. Nga hapja e konferencës së pestë ndërkombëtare u theksua gjithashtu se bashkëpunimi është më i nevojshëm se kurrë më parë. Shefi i misionit të OSBE-së në Mal të Zi, Jan Haukas, tha se duhet të sigurohemi që projektet e lidhjes të jenë të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe të udhëhequra nga parimet që ne i përmbahemi: menaxhimi i mjedisit, respektimi i të drejtave të njeriut, transparenca dhe konsultimi publik. Kryetarja e Delegacionit të Malit të Zi në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, Jellena Nedoviq deklaroi se Mali i Zi, si anëtar i përkushtuar i OSBE-së, mbështet në mënyrë aktive parimet e qëndrueshmërisë, bashkëpunimit dhe dialogut demokratik. Nedoviq përkujtoi se çështjet që kanë të bëjnë me mjedisin, zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin rajonal janë tema relevante me rëndësi jetike për të ardhmen tonë. Në hapje të pranishmëve u drejtuan kryetari i Parlamentit Andrija Mandiq dhe nënkryetari i AP të OSBE-së Kirijakos Hagjijani. Konferenca vazhdoi punimet në formë panelesh dhe do të përfundojë me miratimin e deklaratës së përbashkët.
"Mungesë e të ardhurave, mungesë e investimeve të huaja"
“Të ardhurat buxhetore për tre muajt e parë janë më të ulëta për 13 milionë euro se sa ishin planifikuar”. Analisti ekonomik Predrag Zeçeviq vlerëson se kjo është shqetësuese dhe se mungesa e të ardhurave është pasojë e mungesës së investimeve të huaja të drejtpërdrejta. Në raportin e Ministrisë së financave, i cili u publikua në ditën e fundit të muajit të kaluar, thuhet se të ardhurat buxhetore nga muaji janar deri në mars janë 1% jo e plotë krahasuar me periudhën e njëjtë në vitin e kaluar, por janë më të ulëta se sa ishin planifikuar me 13 milionë euro në fillim të vitit 2025. Tatimi në Vlerën Shtesë (TVSH) shënoi rritje krahasuar me vitin e kaluar ndërsa në fillim të këtij viti është sipas planit, thuhet në këtë raport. Sipas analistit Zeçeviq, fakti që të ardhurat e realizuara janë vetëm 2 ose 3% nën plan, tregon se pagesa është mesatare. Në raportin e Ministrisë së financave thuhet se të ardhurat nga kontributet kanë pësuar rënie krahasuar me vitin e kaluar, por edhe me planifikimin në tre muajt e parë të këtij viti. Analiza, siç thuhet në njoftim, tregon se deficiti total buxhetor nga janari deri në fund të marsit është 63.9 milionë euro dhe është më i mirë se sa sipas plani që parashihej deficit në thesarin e shtetit prej 120 milionë eurosh.
Në Mal të Zi, një e treta e të ardhurave shpenzohet për ushqim
Në Mal të Zi, rreth 30 për qind të të ardhurave mujore qytetarët i shpenzojnë për produktet ushqimore, thotë analiza të fundit të organizatës “Demostat”. Nëse krahasohet me vendet tjera në rajon, situata më e dobët është në Serbi, ku, sipas kësaj analize, mbi 40 për qind e të ardhurave shkojnë për ushqim. Në Kroaci kjo përqindje është 27, ndërsa në Slloveni vetëm 18.8 për qind. Paga mesatare në Mal të Zi në muajin janar ka qenë 1 mijë e 4 euro, ndërsa paga minimale është rritur dhe është 600 euro për profesionet me arsim të mesëm dhe 800 euro për ata me shkollë të lartë. Sindikata ka përpiluar një tabelë të shpenzimeve mujore dhe, sipas tyre, një familje ka nevojë për rreth 2 mijë euro në një muaj për një jetë dinjitoze. Kjo shumë është 100 euro më e lartë se një vit më parë, çka tregon ndikimin e inflacionit dhe rritjes së kostos së jetesë. Sipas kësaj tabele, shpenzimet më të mëdha janë për ushqim, që në Mal të Zi shkojnë deri në 615 euro në muaj.
Në Cetinë protestojnë sot, kurse në Ulqin dje; paralajmërim të radikalizimit të protestave
Qytetarët e Cetinës, të cilët kërkojnë përgjegjësi për dy rastet e vrasjeve masive në këtë komunë, për sot nga ora 17 e 30 deri në 20 e 30 kanë paralajmëruar bllokim të plotë të trafikut në Krushevo- Zhdrijello, si dhe radikalizim edhe më të ashpër të protestave, nëse pushteti, siç kanë theksuar në komunikatë, vazhdon të injorojë kërkesat e tyre për përgjegjësi nga autoritetet kompetente lidhur me ngjarjet që kanë tronditur Cetinën. Qytetarët e Cetinës po protestojnë tashmë prej dy muajsh, duke kërkuar përgjegjësi nga udhëheqësit e sektorit të sigurisë për njëzet e tre bashkëqytetarë të vrarë në dy tragjedi. Ndërkohë, edhe ish-punëtorët e Kriporës protestuan dje për shkak të pagave të papaguara që nga koha kur ndërmarrja ishte në funksion, të cilat nuk i morën as gjatë procedurave të falimentimit. Për shkak të 900 mijë eurove që u detyrohen, ata paralajmëruan radikalizimin e protestave dhe bllokadave të rrugëve, shkruan gazeta Dan.
Reagime të ashpra ndaj Joanikijes për Pavle Gjurishiqin
Partia Demokratike e Socialistëve e dënoi ashpër deklaratën e djeshme të metropolit Joanikije në të cilën udhëheqësin e çetnikëve Pavle Gjurishiq e quajti "hero të madh me karakter të pathyeshëm". Deklarata e Joanikies është një tjetër në serinë e përpjekjeve për të shtrembëruar historinë dhe rehabilitimin e ideologjive të bazuara në urrejtje, krime dhe bashkëpunim me okupatorët, thuhet në reagimin e PDS-së. Në deklaratën e mitropolitit Joanikije reaguan edhe nga Këshilli i Nacional Boshnjak dhe Mysliman në Mal të Zi. Përmes një komunikate ata thonë se Pavle Gjurishiq është përgjegjës për krime të rënda dhe masakër të kryer ndaj myslimanëve, veçanërisht në Plevle, Bjello Pole dhe pjesë të tjera të Sanxhakut gjatë Luftës së Dytë Botërore. Lartësimi i figurës së tij, veçanërisht nga kreu i kishës, është jo-vetëm fyerje morale, por ofendim direkt ndaj viktimave dhe pasardhësve të tyre, thuhet në komunikatën e Këshillit të myslimanëve të Malit të Zi. Edhe deputetja e Partisë Boshnjake, Kenana Strujiq- Harbiq ka reaguar përmes rrjeteve sociale ndaj deklaratës së Mitropolitit, duke i dërguar mesazh të qartë se “është e nevojshme të jemi në anën e duhur e të vërtetë të historisë, në mënyrë që brezat e ardhshëm të mos përballen me ngjarje të tilla”. Ndaj deklaratës së Mitropolitit Joanikje pati edhe reagime tjera të ashpra nga shoqata dhe aktivistë shoqërorë civil.
Ibrahimoviq nesër në Egjipt, me ftesë të homologut egjiptian
Zëvendëskryeministri e Ministër i Jashtëm Ervin Ibrahimoviq do të zhvillojë nesër vizitën zyrtare në Egjipt. Ibrahimoviq, siç u njoftua nga Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi, do të qëndrojë në Egjipt me ftesë të Ministrit të jashtëm, emigracionin dhe diasporës egjiptiane, Badër Abdelati. "Fokusi i bisedës do të jetë përmirësimi i mëtejmë i bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët, si në planin bilateral ashtu edhe në atë shumëpalësh”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së jashtme malazeze.
Ivanoviq: Mali i Zi gati të mbyllë deri në nëntë kapituj me BE deri në fund të vitit
Zëvendëskryeministri për Punë të Jashtme dhe Çështje Evropiane i Malit të Zi, Filip Ivanoviq, deklaroi se vendi është i gatshëm të mbyllë nga gjashtë deri në nëntë kapituj të negociatave me Bashkimin Evropian (BE) deri në fund të këtij viti. Ai theksoi se nëse Mali i Zi vazhdon me reforma në ritëm të njëjtë të deritashëm, nuk do të ketë pengesa që Mali i Zi ta përfundojë procesin e anëtarësimit deri në vitin 2028. Ivanoviq tha se gjatë diskutimeve në Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, Mali i Zi mori mbështetje të fortë politike. Sa i përket përgatitjes për mbylljen e kapitujve, Ivanoviq u shpreh se vendi ka përmbushur pjesën më të madhe të kritereve teknike për gjashtë deri në nëntë kapituj, por, siç theksoi ai, për mbylljen zyrtare të kapitujve bashkëbisedues nevojitet dakordësia politike e të gjitha vendeve anëtare të BE-së. Por megjithatë, ministri Ivanoviq u shpreh optimist se Mali i Zi do të jetë anëtari i ardhshëm i Bashkimit Evropian.
Pavlliçiq: Vetëm gjyqësori i pavarur pajtohet me standardet juridike evropiane
Për përparimin e përgjithshëm të shoqërisë, ekzistenca e një gjyqësori të fortë, të pavarur dhe efikas të përbërë nga gjyqtarë dhe elita intelektuale, të aftë për të formësuar me vendosmëri sistemin ligjor malazez përmes interpretimit të synuar dhe zbatimit konsistent të rregulloreve, duke e zhvilluar atë në frymën e standardeve juridike evropiane dhe trashëgimisë juridike të Bashkimit Evropian, tha kryetarja e Gjykatës Supreme Vallentina Pavlliçiq. Ajo po merr pjesë në Kongresin Botëror të Juristëve në Republikën Dominikane, ngjarjen më e madhe globale gjyqësore. Më shumë se 300 folës dhe panelistë nga rreth 70 vende të botës marrin pjesë në këtë kongresi tre ditor në të cilin po diskutohen tema të ndryshme, e që është hapur para dy ditësh dhe do të mbahet deri nesër.
Zgjedhjet lokale në një dite do ta afronin pushtetin dhe qytetarët, por është variant i vështirë për tu realizuar
Koncepti që kohë më parë erdhi në Kuvend, i cili nënkupton mbajtjen e zgjedhjeve lokale brenda një dite dhe zgjedhjen e drejtpërdrejtë të kryetarëve të komunave, sipas analistëve, është ide e mirë. Ata thonë se në këtë mënyrë pushteti do t’i afrohej qytetarëve dhe do të shmangte fushatat e vazhdueshme zgjedhore. Megjithatë, ata dyshojnë se kjo do të jetë e lehtë për t’u realizuar. Ideja që kryetarët e komunave nuk zgjidhen nga partitë, por nga qytetarët, dhe që zgjedhjet në secilën komunë të mbahen në të njëjtën ditë çdo katër vjet, është e dobishme si për shtetin ashtu edhe për qytetarët, konsideron analisti Stefan Gjukiq. "Të gjithë vazhdimisht përsërisin se është e rëndësishme që zgjedhjet lokale të mbahen në një dite në mënyrë që të mos ketë turizëm zgjedhor dhe keqtrajtim të qytetarëve nga fushata në fushatë, kështu që kjo do të ishte mirë. Zgjedhja e drejtpërdrejtë e kryetarit të komunës është gjithashtu ide e mirë sepse na duhen sa më shumë zgjedhje të drejtpërdrejta dhe sa më shumë mundësi për të pasur marrëdhënie të drejtpërdrejtë me dikë që na përfaqëson", thotë Gjukiq.
Demokratët, Rovçanin: mbajtja e zgjedhjeve në një ditë, ide e mirë por duhet të bëhet gradualisht
Shkrimtari Gjuro Radosavoviq gjithashtu pajtohet se koncepti i propozuar është i mirë dhe do të zgjidhte probleme të shumta. Nëse gjërat nuk ngadalësohen dhe nëse politikanët do të respektojnë ata që i përfaqësojnë, në vitin e ardhshëm zgjedhjet mund të mbahen sipas rregullave të reja. Mbajtja e zgjedhjeve lokale në një ditë është një ide e mirë dhe në këtë mënyrë pushteti do t’u afrohej qytetarëve dhe do të shmangeshin fushatat e vazhdueshme zgjedhore, vlerëson deputeti i Demokratëve, Nikolla Rovçanin. Nga ana tjetër, duke komentuar zgjedhjen e drejtpërdrejtë të kryetarëve të komunave, Rovçanin tha në programin e mëngjesit të Televizionit të Malit të Zi, se kjo është një rrezik i caktuar dhe se disa zgjidhje duhet të miratohen gradualisht, e jo në mënyrë të menjëhershme, për të shmangur pasojat e dëmshme. Megjithatë, sipas bashkëbiseduesve, vihet në pyetje nëse rregullat e reja do të lenë hapësirë për abuzime të reja. Që të pengohet kjo, është e rëndësishme, siç theksojnë ata, definim i qartë i këtyre rregullave e pastaj edukimi i politikanëve dhe qytetarëve se si të realizohen ato.
Ministria e Mbrojtjes ka shpallur konkurs për pranimin e 100 ushtarëve me kontratë
Ministria e Mbrojtjes ka shpallur konkurs për pranimin e 100 ushtarëve ose ushtareve me kontratë, në periudhë të caktuar prej një viti. Nga ky resor i qeverisë u bë e ditur se batalioni i këmbësorisë pranon 49 ushtarë të profileve të ndryshme, me shërbim në Nikshiq, Plevle dhe Danillovgrad. “Në Marinën e Ushtrisë së Malit të Zi pranohen gjashtë me shërbim në Tivar dhe Ulqin ndërsa për Njësinë speciale, në njësinë detare, pesë me vend shërbimi në Danillovgrad dhe Tivar si dhe 11 ushtarë për punë në Batalionin e mbështetjes, me vend shërbimi në Podgoricë, Danillovgrad e Zetë. Çeta e policisë ushtarake, me vend shërbimi në Podgoricë, kërkon tetë ndërsa Garda 16, me vend shërbimi në Zetë”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes. Ata shtuan se në Forcat ajrore ka vende për katër ushtarë, gjithashtu me shërbim në Zetë, ndërsa kërkohet një ushtar ose ushtare për Qendrën e trajnimit në Danillovgrad. Konkursi është i hapur deri më 30 maj.
Llazoviq: Unë parandalova vrasjet e Kan, Belivuk, Mijkoviq, Kashqellan...
Në Gjyqin e Lartë sot vazhdoi procesi gjyqësorë kundër Radoje Zvicer dhe grupit, e në mesin e të akuzuarve është edhe ish zyrtari i lartë i sektorit të sigurisë Petar Llazoviq. Ai vazhdoi mbrojtjen e tij duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatëve të tij. Në përgjigje të pyetjeve, Llazoviq foli, ndër të tjera, për kontributin e tij profesional në sektorin e sigurisë. Sipas aktakuzës, kjo organizatë kriminale është formuar në gjysmën e dytë të vitit 2020 dhe, përveç në Mal të Zi, vepronte edhe në Amerikën e Jugut, Afrikë, Evropë dhe Australi. Llazoviq dyshohet për pjesëmarrje në organizatë kriminale, shpërdorim të detyrës, kontrabandë droge dhe armësh. Sipas Prokurorisë Speciale, ai dyshohet se ka punuar për anëtarët e klanit Kavaç. Llazoviq i mohoi këto akuza. Të pandehurit akuzohen për disa krime të rënda, siç janë vrasje, tentativa vrasjeje, kontrabandë droge, armësh dhe cigaresh, si dhe shpërdorim të detyrës. Zvicer akuzohet gjithashtu se ka urdhëruar vrasjen e Millan Lepojës, i cili mori pjesë në organizimin e përpjekjes për ta likuiduar atë në Kiev.
Policia kufitare e Malit të Zi konfiskoi dy automjete që kërkoheshin nga Interpoli
Policia kufitare ka konfiskuar dy automjete që kërkohen në nivelin ndërkombëtar, njoftoi Drejtoria e policisë. Sipas fjalëve të tyre, policia në pikën e përbashkët kufitar Sukobinë- Muriqan, në daljen nga Mali i Zi ka kontrolluar shtetasin e Shqipërisë me inicialet F.B. i cili drejtonte automjeti Land Rover. "Me këtë rast, u konstatua se automjeti i përmendur kërkohej nga Interpol i Britanisë së Madhe me ç’rast u konfiskua përkohësisht", thuhet në deklaratë. Poashtu policia në vendkalimin kufitar Dobrakovo, nga vendi konfiskoi automjeti e tipit Audi që drejtohej nga 20 vjeçari M.B. nga Nikshiqi. "Policia zbuloi se automjeti kërkohej nga Interpoli gjerman”, thuhet në njoftimin e drejtorisë se policisë.
Kurti fton LDK-në për koalicion me LVV-në
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), njëherësh kryeministër në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i ka shkruar një letër kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), përmes së cilës e ka ftuar për marrëveshje politike mes dy partive. Kurti e ka ftuar Lumir Abdixhikun që LVV-ja dhe LDK-ja të bëjnë koalicion qeverisës, i cili do t’i hapte rrugë zhbllokimit të Kuvendit të Kosovës dhe formimit të Qeverisë së re të Kosovës. Letra, të cilën Radio Evropa e Lirë e ka siguruar, u bë publike pas dështimit të përpjekjes së njëmbëdhjetë për konstituimin e Kuvendit. Kurti i ka thënë Abdixhikut se "koalicionet bëhen pikërisht ndërmjet atyre që kanë dallime", teksa ka shkruar se ka bindjen që "votuesit e LDK-së sot e preferojnë më së shumti koalicionin me LVV". Nga LDK-ja nuk janë deklaruar deri më tani për ftesën e Kurtit.
As përpjekja e njëmbëdhjetë nuk çon në konstituim të Kuvendit
Për të njëmbëdhjetën herë me radhë, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar ta konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit. Ligjbërësit refuzuan për të tretën herë rresht që ta formojnë një komision për votimin e fshehtë për kreun e ri të organit ligjvënës. Në vazhdimin e seancës konstituive, të hënën, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), LDK-ja, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe refuzuan sërish që të propozojnë një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë. Partitë që po kundërshtojnë emrin e Haxhiut për kryeparlamentare i kanë kërkuar LVV-së të ndryshojë propozimin për postin, në mënyrë që procesi të zhbllokohet. Seanca konstituive do të vazhdojë të mërkurën, në orën 10:00.
Krasniqi: Mund të mblidhemi edhe 111-të herë, Albulena Haxhiu nuk kalon
Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi pas dështimit për herën e njëmbëdhjetë për t’u konstituuar Kuvendi i Kosovës, tha se mund të vijnë edhe 111-të herë të tjera, por Albulena Haxhiu nuk kalon. Krasniqi tha se Kurti duhet ta kuptojë se nuk mund ta mbajë peng me zor shtetin. “Ne jemi të gatshëm t’i marrim përgjegjësitë tona, por si duket LVV-ja duke mos dashur ta pranojë humbjen që ka pësuar në zgjedhje” tha Krasniqi. Sipas tij, Haxhiu nuk kaloi e as nuk do të kalojë as në të ardhmen. “Ai e ka më të lehtë që ta sakrifikojë atë sesa të dalë e të matet vetë meqë secili e di që ai nuk i ka numrat”, shtoi kreu i PDK-së.
Rama mbyll fushatën në Lezhë kurse Berisha në Mat
Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka mbajtur në Mirditë takimin përmbyllës të fushatës, në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit. Berisha i kërkoi qytetarëve që t’i besojnë voton, ndërsa qeverisjen socialiste e konsideroi si “një të keqe të madhe që po shkreton Shqipërinë”. Premtimit e kryeministrit Edi Rama, Berisha i konsideroi si “gënjeshtra” me të cilat, sipas tij, kryesocialisti po mundohet të bindë shqiptarët. Ndërsa gjatë takimin përmbyllës të fushatës elektorale në Lezhë, kryeministri Edi Rama, njëherazi edhe kreu i PS-së, Edi Rama komentoi lobimin 6 milion dollarësh të Partisë Demokratike në SHBA, duke akuzuar opozitën se është në ankth për shkak të afrimit të ditës së zgjedhjeve. Sipas Ramës, opozita e ka gati edhe alibinë për humbjen e zgjedhjeve. Rama u ndal edhe tek partitë e reja opozitare që garojnë në këto zgjedhje ku tha se ato përfaqësojnë interesa të vogla dhe kush voton këto parti e bën nga inati i të mëdhave.
Ultranacionalisti Simion përballë të moderuarit Dan në balotazhin presidencial në Rumani
Ultranacionalisti George Simioni siguroi fitore solide në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Rumani, por ai nuk arriti të marrë shumicën e nevojshme për të shmangur një përballje balotazhi me prefektin e Bukureshtit, Nicusor Dan. Pas numërimit të të gjitha fletëvotimeve sot në mëngjes, Simion, udhëheqës 38-vjeçar i partisë AUR, doli i pari me 40.96 për qind, apo 3 milion e 860 mijë vota, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Rumanisë. Dan, 55-vjeçar, i konsideruar politikan i moderuar, kaloi Crin Antonescun, pjesëtar i koalicionit qeverisës të vendit, për të zënë vendin e dytë, i ndihmuar nga votat nga diaspora. Dan mori 20.99 për qind të votave, kurse Antonescu 20.07 për qind. Anketat pas votimit kishin sugjeruar rezultate të ngjashme të përgjithshme, ndonëse ato i jepnin Simionit një epërsi më të vogël.
Zelensky: Nuk besojmë se Rusia do të respektojë armëpushimin tre-ditor të shpallur
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka deklaruar se ai nuk beson se Rusia do të respektojë armëpushimin e ardhshëm treditor që do të përkojë me festimet e Ditës së Fitores në Moskë. Putin propozoi një armëpushim treditor rreth 9 majit, kur Rusia feston fitoren e saj në Luftën e Dytë Botërore mbi Gjermaninë naziste. Sipas Moskës, kjo lëvizje synon të testojë gatishmërinë e Kievit për të bërë paqe. “Ky nuk është provokimi i parë, as premtimet e para të bëra nga Rusia për një armëpushim. Ne e dimë se me kë kemi të bëjmë, nuk i besojmë“, tha Zelensky. Qeveria ruse shpalli një armëpushim jetëshkurtër gjatë fundjavës së Pashkëve në prill, gjë që çoi në një reduktim të luftimeve, por nuk u respektua plotësisht nga asnjëra palë. Në mars, Moska hodhi poshtë një armëpushim të pakushtëzuar 30 ditor të propozuar nga Kievi dhe Uashingtoni.
Ministrat izraelitë miratojnë planin për pushtimin e të gjithë Gazës
Ministrat izraelitë miratuan planin për pushtimin e të gjithë Gazës. Lajmi është bërë me dije nga dy zyrtarë për Asoshiedet Press, duke sqaruar se plani përfshin edhe zhvendosjen e qindra mijëra palestinezëve në jug të Gazës. “Kabineti i sigurisë i Izraelit miratoi një plan për të pushtuar të gjithë Rripin e Gazës dhe për të qëndruar atje për një kohë të pacaktuar”, thanë dy zyrtarët. Plani u miratua sot dhe është pjesë e përpjekjeve të Izraelit për të rritur presionin mbi Hamasin për të liruar pengjet dhe për të negociuar një armëpushim sipas kushteve të Izraelit. Izraeli rifilloi operacionet e mëdha në të gjithë Gazën më 18 mars, mes një bllokimi mbi mënyrën e vazhdimit të një armëpushimi dy-mujor që kishte ndaluar kryesisht luftën me Hamasi.
OKB hedh poshtë planin izraelit të ndihmës për Gazën, pasi rrezikon civilët
Kombet e Bashkuara (OKB) kanë hedhur poshtë propozimin e Izraelit për të dërguar ndihma në Gaza në kushte të kontrolluara nga ushtria, duke përmendur shqetësime serioze humanitare. Ekipi humanitar i OKB-së në Gazë tha se plani i Izraelit do të shkelte parimet themelore humanitare dhe se mund të jetë hartuar për të përforcuar kontrollin mbi artikujt që mbështesin jetën si një taktikë presioni si pjesë e një strategjie ushtarake. Mekanizmi i propozuar i shpërndarjes do të kërkonte miratimin e OKB-së për të shpërndarë furnizime përmes pikave të kontrollit izraelite, sipas kushteve të përcaktuara nga ushtria izraelite. Ekipi i OKB-së paralajmëroi se strategjia e propozuar do t’i detyronte civilët të futeshin në zona të militarizuara për të mbledhur racione duke i vënë në rrezik si ata ashtu edhe punonjësit e ndihmës. Izraeli ka bllokuar të gjithë ndihmën humanitare në Gazë që nga fillimi i marsit, duke ndaluar shpërndarjen e ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Zyrtarët e OKB-së paralajmëruan se civilët po vuajnë nga uria dhe se spitalet nuk janë në gjendje të trajtojnë të sëmurët dhe të plagosurit.
BE premton 500 milionë euro fonde për të tërhequr shkencëtarët amerikanë
Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, premtoi sot fonde kërkimore me vlerë 500 milionë euro, respektivisht 566 milionë dollar, për të nxitur shkencëtarët të zhvendosen në Evropë. “Ne duam që shkencëtarët, studiuesit, akademikët dhe punonjësit me aftësi të larta të zgjedhin Evropën”, tha Von der Leyen, duke folur në një aktivitet në Universitetin e Sorbonës, në Paris. “Evropa ka gjithçka që nevojitet që shkenca të lulëzojë. Ne kemi investime të qëndrueshme. Ne kemi infrastrukturën. Ne kemi angazhimin për kërkime të hapura dhe bashkëpunuese”, shtoi ajo. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka akuzuar universitetet elitare të vendit të tij se kanë ndjekur një ideologji të krahut të majtë duke lejuar antisemitizmin në kampus. “Paketa e re e financimit për vitet 2025-2027 synon ta bëjë Evropën një magnet për studiuesit”, tha Von der Leyen.
Çmimet e karburanteve mbeten të pandryshuara
Ministria e Energjisë njoftoi se çmimet e karburanteve në Mal të Zi do të mbeten të pandryshuara për dy javët e ardhshme. Kjo do të thotë se benzina 98 do të vazhdojë të kushtojë 1,43 euro për litër, ndërsa ajo 95 do të kushtojë 1,39 euro për litër. Nafta do të kushtojë 1,28 euro për litër, ndërsa nafta për ngrohje 1,22 euro për litër. Ndryshimet e fundit në çmimet ishin më 23 prill, kur të gjitha llojet e karburanteve u liruan tetë centë. Llogaritja e ardhshme e çmimeve do të bëhet me 19 maj.
Nesër gjatë ditës reshje të përkohshme, në mbrëmje reshje më intensive
Në Mal të Zi sot mban mot me vranësira të ndryshueshme dhe intervale me diell. Fryn erë e dobët deri mesatare, në veri deri e fortë jugore. Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Budvë e Beranë 24 gradë, Podgoricë e Tivar 23, në Ulqin, Herceg Novi e Bijello Pole 22, Plevle 21, Kollashin 19, Cetinë e Rozhajë 18, Guci 17, Nikshiq 16 dhe në Zhablak 14 gradë. Për nesër paralajmërohet mot i ndryshueshëm deri krejt i vranët por edhe me reshje të shiut të përcjellura me rrebeshe dhe vetëtima. Gjatë natës në pjesët jugore dhe qendrore reshje më intensive. Do të fryjë erë mesatare deri e fortë nga drejtimet e jugut dhe juglindjes. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 7 deri në 19, ndërsa më e larta e ditës prej 14 deri në 24 gradë celsius.
Коментари0
Остави коментар