- Hronika
- Kolumne
-
Radio
- Izdvajamo
-
Emisije
- Dokumentarni program
- Pop top
- Europuls
- Zrno po zrno
- Radio ordinacija
- Kulturna panorama
- Zelena priča
- Epoleta
- +382
- Spona
- Svijet jednakih šansi
- Matica
- Život po mjeri čovjeka
- Link
- Izokrenuti svijet
- Koracima mladih
- Moja profesija je...
- Sportski program
- Kulturno-umjetnički program
- Muzički program
- Koracima prošlosti
- Naučno-obrazovni program
- RCG
- R98
- Programska šema
- Trofej Radija Crne Gore
- Frekvencije
- Radio drama
Ditari
07. 04. 2025.
00:00 >> 17:24
Ditari 07.04.2025
Ditarin e përgatiti, Marash Dedvukaj
Kaja Kalas - Mali i Zi duhet të fokusohet në reforma, sepse ka ende shumë për të bërë në rrugën drejt Bashkimit Evropian
Mali i Zi duhet të fokusohet në reforma, sepse ka ende shumë për të bërë në rrugën drejt Bashkimit Evropian (BE), tha Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe nënkryetare e Komisionit Evropian, Kaja Kalas. Në një konferencë për media me kryeministrin malazez Millojko Spajiq, ajo tha se e mirëpret marrëveshjen e arritur së fundmi me opozitën. “Mali i Zi është një partner jashtëzakonisht i vlefshëm, prandaj po e nisim nga Mali i Zi, sepse ju keni bërë progres shumë të mirë në rrugën evropiane”, tha Kalas, e cila vizitën e saj të parë zyrtare në Ballkanin Perëndimor e nisi me qëndrimin në Mal të Zi. Ajo theksoi mbështetjen e BE-së për integrimin evropian të vendit dhe përshëndeti angazhimin e Malit të Zi ndaj reformave. Sipas Kalas, për procesin e anëtarësimit nevojiten reforma shumë komplekse. "Siç e dini, nuk ka rrugë të shkurtra drejt BE-së. Duhet të zbatohen reforma të rëndësishme dhe unë mirëpres marrëveshjen me opozitën që u arrit së fundmi," tha Kalas. Ajo shtoi se është krenare që BE-ja përmes ambasadorit të Unionit në Mal të Zi, Johan Sattler, ka ndihmuar në arritjen e një kompromisi. “Tani duhet të fokusoheni te reformat, sepse ka ende shumë për të bërë”, theksoi Kalas. Ajo tha se BE-ja është këtu për të mbështetur Malin e Zi. Ju siguroj se ne jemi këtu për ju në çdo hap”, tha Kalas. Ajo tha se sot kanë pasur rastin të diskutojnë rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit në fushën e sigurisë.“Po jetojmë në kohë shumë të trazuara dhe vërtet duhet të forcojmë bashkëpunimin në fushën e sigurisë”, shtoi pos tjerash Kaja Kalas.
J. Millatoviq - Pres që BE-ja të përcaktohet qartë sipas Marrëveshjes ndërmjet Malit të Zi dhe Emirateve të Bashkuara Arabe
Pres që BE-ja të përcaktohet qartë sipas Marrëveshjes ndërmjet Malit të Zi dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, nëse është në përputhje me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, tha presidenti Millatoviq, i cili në Cetinë u takua me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe Zëvendëspresidenten e Komisionit Evropian Kaja Kalas, e cila ndodhet për vizitë zyrtare në vendin tonë. Në kuadër të drekës punuese Millatoviq e Kalas shkëmbyenë mendimet për situatën aktuale të bisedimeve ndërmjet Malit të Zi dhe UE dhe për hapat e mëtejm të Malit të Zi drejtë antarësimit të plotë në UE deri në vitin 2028. Gjatë takimit, presidenti Millatoviq i kushtoi vëmendje të veçantë çështjes së Marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e turizmit dhe zhvillimit të patundshmërive, të cilën Qeveria e Malit të Zi e nënshkroi së fundmi me Qeverinë e Emirateve të Bashkuara Arabe”, thuhet në njoftim. Siç shkruhet, ai vlerësoi se vizita e përfaqësuesit të lartë të BE-së vjen në një moment vendimtar për rajonin dhe rrugën e tij evropiane dhe se vazhdimi i politikës së zgjerimit dhe integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor është një çështje e rëndësishme që mund të dëshmojë fuqinë e Bashkimit Evropian, tha pos tjerash presidenti Millatoviq.
Kryeministri Milojko Spajiq deklaroi se pret mbështetjen e një pjese të opozitës në parlament
Kryeministri Milojko Spajiq deklaroi se pret mbështetjen e një pjese të opozitës në parlament, kur do të shqyrtohen marrëveshjet që Mali i Zi ka nënshkruar me Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA). "Kemi filluar konsultimet me klubet parlamentare. Nga reagimet fillestare do të thosha se mund të llogarisim në mbështetjen e një pjese të opozitës. Është shumë e rëndësishme që një projekt si ky të përkrahet nga sa më shumë deputetë, sepse kjo është diçka për të cilën duhet të kemi konsensus dhe jo të luftojmë politikisht", tha Spajiq, për gazetarët në Villa Goricë, pas takimit me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian (BE) për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Callas. Spajiq tha se përveç shumicës në pushtet pret mbështetje të madhe edhe nga opozita. Ai kujtoi se Emiratet kishin një marrëveshje shumë të ngjashme me vendet anëtare të BE-së, duke thënë se bashkëpunimi i tyre është mjaft intensiv. Spajiq bëri të ditur se deri në fund të vitit të ardhshëm do të ketë më shumë marrëveshje ndërshtetërore.
“Reagim - Forca e Re Demokratike: Kërkon Korrigjimin e Shenjës së Komunikacionit për Pejën”
Forca e Re Demoktaike kërkon korrigjimin e shenjës së komunikacionit ku permendet qyteti i Pejës. Jemi dëshmitar të publikimit në rrjetet sociale të fotografisë me shenjën e komunikacionit që tregon drejtimin për qytetin e Pejës, por rasti në fjalë është tjetërsuar duke mos e shënuar qytetin e Pejës qytet të Republikës së Kosovës, por të Serbisë. Ky rast i ndërmarrë nga nëpunësit e Ministrisë së Komunikacionit të Malit të Zi përbën një akt të shëmtuar dhe tregon se në Malin e Zi ende ekzistojnë mendje që ju pengon apo nuk mund të pajtohen apo që synojnë të tjetërsojnë fakte të njohura ndërkombëtarisht. Mali i Zi e ka njohur Republikën e Kosovës më 9 tetor 2008 si shtet të pavarur dhe sovran, së këndejmi këto veprime janë shqetësuese dhe duhen trajtuar me seriozitet e përgjegjësi dhe të korrigjohen sa më shpejt nga Ministria e Komunikacionit. Dënojmë aktin e shëmtuar nga Ministria e Komunikacionit dhe ftojmë kryeministrin e Malit të Zi të marrë masa urgjente për të korrigjuar shenjën e komunikacionit duke e vendosur shenjën sipas fakteve të kryera. Po ashtu, ftojmë kryeministrin e Malit të Zi të ndërmarrë masa që raste të tilla të mos përsëriten pasi përbëjnë diskriminim dhe fyerje ndaj indentitetit të popullsisë shqiptare, kurse nëpunësit e Ministrisë së Komunikacionit i ftojmë që përgjegjësitë e tyre t’i kryejnë me integritet të plotë brenda normave dhe rregullave të punës, thuhet nga Forca e Re Demokratike dhe Kryetarit Genci Nimanbegu
Mandiq - Janko Millatoviq ishte një deputet i vërtetë
Janko Millatoviq ishte një deputet i vërtetë, i vërtetë, në fjalën e të cilit ndjehej emocion dhe solidaritet me të padrejtët, tha kryetari i Kuvendit Andija Mandiq. Ai këtë e tha në seancën komemorative me rastin e vdekjes së Millatoviqit, këshilltar i kryetarit të Kuvendit dhe ish-deputet. Mandiq tha pos tjerash se me respekt të thellë e kujton Millatoviqin, i cili, siç u shpreh, ka qenë njeri me shpirt të madh dhe me zemër edhe më të madhe. "Sinqeriteti dhe dashuria e tij për drejtësinë ishin shembull për të gjithë ne që patëm nderin ta njihnim dhe të ndajmë me të luftën e përbashkët për drejtësi dhe liri të bashkatdhetarëve tanë," tha Mandiq. Sipas tij, Millatoviqi eci me krenari dhe drejtësi në jetë, duke u kujdesur për çdo person dhe duke qenë gjithmonë konsistent me veten dhe bindjet e tij. "Mali i Zi do t'i kujtojë gjithmonë prezantimet e tij në këtë sallë, sepse ai ishte një deputet i vërtetë. Në fjalët e tij ndjehej emocion, solidaritet me ata që u kërcënohej e drejta dhe për të gjithë ata që prisnin kaq shumë drejtësinë", tha Mandiq.
B.Bozhoviq - Këtë javë qeveria do të shqyrtojë propozimet për ndryshimin e disa ligjeve, të cilat parashikojnë rritje prej 30 për qind të pagave të gjyqtarëve
Këtë javë qeveria do të shqyrtojë propozimet për ndryshimin e disa ligjeve, të cilat parashikojnë rritje prej 30 për qind të pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve të shtetit, njoftoi ministri i Drejtësisë, Bojan Bozhoviq. “Këtë javë, Qeveria do të paraqesë propozimin për ndryshimin e disa ligjeve, ku parashihet rritje e pagës të gjyqtarëve dhe prokurorëve të shtetit për 30 për qind, duke filluar nga paga e majit”, ka thënë Bozhoviq në Facebook. Ai tha se sot zyrtarisht do ta informojë kryetaren e Gjykatës Supreme, Valentina Pavliçiq, për planin e detajuar, në përgjigje të letrës së saj të datës 31 mars.
Ministri i Diasporës, Mirsad Azemoviq, nga sot do të qendrojë në një vizitë pune dyditore në Slloveni
Ministri i Diasporës, Mirsad Azemoviq, nga sot do të qendrojë në një vizitë pune dyditore në Slloveni, njoftoi Ministria përkatëse. Bëhet e ditur se Azemoviq do të takohet me zëvendëskryeministrin e Qeverisë sllovene, Matej Archon dhe se janë planifikuar takime me shoqatat e diasporës në Lubjanë dhe Maribor. Shtohet se në takime do të trajtohen tema me rëndësi kyçe për ruajtjen e identitetit dhe përmirësimin e pozitës së komunitetit malazez në Slloveni, si dhe sfidat me të cilat ballafaqohen shoqatat e diasporës.
“Vizita e paralajmëruar është një simbol i mbështetjes për përfaqësuesit e diasporës malazeze në përpjekjet e tyre për të ruajtur identitetin, zakonet dhe vlerat e tyre kulturore”, thuhet në deklaratë.
S.Radunoviq - Xhamia “Husein Kovaç” në Konik nuk do të rrënohet
Xhamia “Husein Kovaç” në Konik nuk do të rrënohet, tha ministri i Planifikimit Hapësinor, Urbanizmit dhe Pronës Shtetërore, Sllaven Radunoviq. Ai këtë e tha në Kuvend, duke iu përgjigjur pyetjes së Nagja Llakoviq, deputete e Lëvizjes Evropa tani, pasi që Mali i Zi është vend multietnik, vendimi për rrënimin e xhamisë ishte i drejtë. Radunoviq ka thënë se Ministria në përgjigjen e saj me shkrim në pyetjen e Llakoviqit ka thënë se legalizimi i sa më shumë objekteve ilegale në Mal të Zi, përfshirë edhe këtë dhe se është në interes të opinjonit. "Nga kjo duhet të jetë e qartë se askujt nuk i ka ra ndërmend ta rrënojë këtë objekt. Kur në zyrën time erdhi Reis Rifat Fejziq, ai mori informacionin se Sllaven Radunoviq nuk do të rrënonte asnjë objekt në mandatin dhe jetën e tij. Ai e dinte që nga dita e parë", tha Radunoviq. Ai shtoi se e ka njoftuar edhe një ministër nga Partia Boshnjake se do të presë aplikimin për legalizim dhe se nuk ka lidhje me prishjen. "Megjithatë, arsyet politike apo të tjera e shtynë historinë se Sllaven Radunoviq do ta rrënonte xhaminë," tha Radunoviq.
Nga mesnata do të kemi rritje të re të çmimeve të karburanteve
Nga mesnata do të kemi rritjën e çmimit të të gjitha llojeve të karburanteve. Një litër BMB 98 do të kushtojë - 1.51 euro, që është një rritje prej tre cent. Po aq do të rritet edhe çmimi i BMB 95, pra do të kushtojë 1.47 euro për litër. Eurodieseli do të rritet për një cent, pra një litër do të kushtojë 1.36 euro, ndërsa nafta për ngrohje do të jetë 1.30 euro për litër, gjithashtu një cent më shtrenjtë. “Sipas dispozitave të Rregullores për mënyrën dhe nivelin e elementeve mbi bazën e të cilave formohen çmimet maksimale të derivateve të naftës, llogaritja e radhës do të bëhet më 22 prill.
K.Kalas -Bashkimi Evropian është duke i zbërthyer gabimet në dialogun e Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë
Bashkimi Evropian është duke i zbërthyer gabimet në dialogun e Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që t’i japë gjallëri procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje, tha sot në Podgoricë shefja e politikës së jashtme të bllokut, Kaja Kallas.E pyetur për ngecjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Kallas tha gjatë një konference për media se “ajo çfarë po bëjmë këtë muaj është analizimi” së bashku me të dërguarit e BE-së për dialogun, Peter Sorensen, i cili e mori detyrën në shkurt. “Çfarë është me rëndësi për neve është normalizimi i marrëdhënieve, sepse pa këtë asnjëra nga to nuk mund të ecë përpara ne rrugën drejt BE-së”, tha Kallas.Kallas nuk dha më shumë hollësi se cilat mendon që ishin gabimet apo çfarë nuk ka shkuar deri tani në dialogun e ndërmjetësuar nga blloku. Por shtoi se me gjithë dialogun e zhvilluar ndër vite dhe nënshkrimin e marrëveshjeve, procesi ka ngecur dhe tensionet janë rritur.
Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim me të ngarkuarën me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, në lidhje me zhvillimet e fundit në vend
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim me të ngarkuarën me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, në lidhje me zhvillimet e fundit në vend, përfshirë situatën e sigurisë në Kosovë dhe në rajon. Takimi i tyre vjen një ditë pasi autoritetet kosovare njoftuan se kishin ndaluar 16 serbë në jug dhe jugperëndim të vendit, para se t’i lironin shumicën prej tyre. “Duke folur për situatën e sigurisë dhe zhvillimet në këtë sferë, Presidentja Osmani theksoi tendencat e vazhdueshme të Serbisë për destabilizimin e Kosovës dhe të të gjithë rajonit përmes veprimeve të mirëkoordinuara me struktura ilegale dhe banda kriminale serbe”, tha Presidenca e Kosovës në Facebook. Në bisedën me Prattipatiin, Osmani tha se serbët e arrestuar në Gjakovë dhe në Prizren “kishin ndërlidhje me strukturat e inteligjencës ushtarake serbe si dhe me anëtarë të grupit terrorist të Banjskës, sipas hetimeve fillestare”. “Presidentja theksoi se ky veprim është pjesë e një përpjekjeje të vazhdueshme nga Serbia për destabilizimin e Kosovës, përmes kërcënimeve dhe dhunës. Sipas Presidentes, kjo përbën një ndërhyrje të papranueshme në sovranitetin shtetëror të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim. Për katër të ndaluarit në Gjakova, prokuroria ka kërkuar një muaj paraburgim, duke i akuzuar për shkelje të ligjit të armëve. Ndërsa, 10 prej 12 të arrestuarve në Prizren janë liruar tashmë. Dy të tjerët me inicialet L.S. dhe S.R. po mbahen në paraburgim.
Gjuro Macut si mandatar për formimin e Qeverisë së re të Serbisë
Nga lëvdatat se si një figurë jopartiake do të nxisë dialogun në shoqëri, e deri te vlerësimet se do të udhëheqë një Qeveri të njëjtë dhe do të zbatojë urdhrat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq – janë reagimet ndaj emërimit të mjekut Gjuro Macut si mandatar për formimin e Qeverisë së re të Serbisë.Kryeministri në mandat teknik, Millosh Vuçeviq, deklaroi sot se Gjuro Macut dhe Qeveria e re duhet të sjellin energji të re. Në një intervistë për Radiotelevizionin e Serbisë (RTS), ai tha se Macut është një person "që mund të hapë dialogun shoqëror", sepse nuk është i ngarkuar me “disa gjëra nga periudha e kaluar”.“Nuk e di nëse është e mundur të arrihet konsensus, por besoj se është e mundur të zhvillohet bisedë dhe dialog. Zgjidhja nuk qëndron te bllokadat dhe hedhja e vezëve”, tha Vuçeviq. I pyetur nëse ka sinjale se një dialog i tillë mund të ndodhë, ai tha se kjo do të shihet në periudhën e ardhshme.“Besoj se dialogu është i mundur dhe jam i sigurt që është i domosdoshëm, por Serbia nuk ka shumë kohë për të pritur, duhet të ecë përpara”, tha Vuçeviq.Presidenti Vuçiq njoftoi të dielën se doktori i endokrinologjisë, Gjuro Macut, është mandatar për përbërjen e re të Qeverisë së Serbisë. Macut është anëtar i këshillit nismëtar për formimin e "Lëvizjes për popullin dhe shtetin" të Vuçiqit. Vuçiq, në adresimin e tij para publikut, tha se Qeveria e re do të zgjidhet deri më 18 prill dhe se Gjuro Macut “do të ndihmojë shumë në qetësimin e tensioneve”.
Dhjetëra çiklistë serbë janë duke i bërë 1.300 kilometra rrugë drejt Parlamentit Evropian
Dhjetëra çiklistë serbë janë duke i bërë 1.300 kilometra rrugë drejt Parlamentit Evropian në Strasburg, për ta tërhequr vëmendjen në lidhje me fushatën e vendit të tyre kundër korrupsionit. Protestuesit me biçikleta janë mirëpritë në kryeqytetin e Hungarisë, Budapest, pasi ishin nisur dy ditë më herët nga Novi Sadi. Shembja e një strehe prej betoni në stacionin e trenit në Novi Sad nëntorin e kaluar vrau 16 njerëz dhe nxiti protesta gjithëkombëtare në Serbi. Protestuesit e fajësojnë Qeverinë për korrupsion dhe dështim. Protestuesit tani po përpiqen të fitojnë mbështetje edhe jashtë Serbisë dhe nga ligjvënësit e BE-së. "Shpresojmë për ndryshim; shpresojmë për një vend më të mirë dhe shpresojmë për më të mirën", tha njëri nga studentët që mbërritën me biçikleta në Budapest. Kryetari i Budapestit, Gergely Karacsony, shprehu mbështetjen e tij për çiklistët serbë, ashtu si edhe disa studentë serbë që studiojnë në kryeqytetin hungarez. "Jam këtu për të mbështetur miqtë, familjen dhe të gjithë ata që po përpiqen të ndryshojnë diçka në Serbi, që ta bëjmë Serbinë një vend më të mirë për të jetuar për të gjithë ne”, tha një studente. Studentët në Serbi kanë qenë forcë shtytëse pas protestave kundër Qeverisë në vendin e tyre dhe kanë kërkuar që të bëhen publike të gjitha dokumentet që lidhen me punimet e ndërtimit në stacionin të trenit të Novi Sadit. Autoritetet pretendojnë se i kanë bërë publike të gjitha “dokumentet në dispozicion”, por protestuesit e hedhin poshtë këtë pretendim. Studentët planifikojnë të udhëtojnë me biçikleta përmes katër vendeve – Hungarisë, Sllovakisë, Austrisë dhe Gjermanisë – përpara se të arrijnë në Francë brenda rreth dy javësh dhe në Parlamentin Evropian në Strasburg.
Presidenti francez Emmanuel Macron bëri thirrje sot për "veprim të fortë" nëse Rusia vazhdon të refuzojë paqen
Presidenti francez Emmanuel Macron bëri thirrje sot për "veprim të fortë" nëse Rusia vazhdon të "refuzojë paqen", pasi një raketë balistike ruse vrau nëntë fëmijë në Kryvyi Rih. Macron, siç raporton Radio Evropa e Lirë, tha se pavarësisht përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Evropës për të siguruar paqen në Ukrainë, Rusia vazhdoi të "vrasë fëmijë dhe civilë". “Mendimet e mia janë me fëmijët dhe të gjitha viktimat civile të sulmeve të përgjakshme të kryera nga Rusia, përfshirë të premten në Kryvyi Rih”, tha Macron në rrjetin X. Ai tha se duhet një armëpushim sa më parë. “Dhe veprime të forta nëse Rusia vazhdon të përpiqet të blejë kohë dhe të refuzojë paqen”, shtoi Macron. Të premten, 20 persona, përfshirë nëntë fëmijë, u vranë në një sulm me raketa në qytetin qendror të Ukrainës, Kryvyi Rih. Viktima më e vogël ishte një djalë tre vjeçar. Predha goditi një zonë banimi pranë një këndi lojërash për fëmijë.
Britania ka shprehur zemërim pasi autoritetet izraelite ndaluan dy ligjvënëse britanike që të hynin në Izrael
Britania ka shprehur zemërim pasi autoritetet izraelite ndaluan dy ligjvënëse britanike që të hynin në Izrael, në mënyrë që më pas të vizitonin Bregun e pushtuar Perëndimor. Izraeli i ka akuzuar ligjvënëset britanike se mbështesin bojkotimin kundër tyre. Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, tha se është “e papranueshme, kundërproduktive dhe shumë shqetësuese” që dy anëtarëve të Parlamentit britanik iu ndalua dhe refuzua hyrja në Izrael. “Ua kam bërë shumë të qartë homologëve të mi në Qeverinë izraelite se nuk është kjo mënyra si duhet trajtuar deputetët britanikë”, tha ai. Abtisam Mohamed dhe Yuan Yang thanë se ishin të “tronditur nga ky veprim i paprecedent i ndërmarrë nga autoritetet izraelite për të refuzuar hyrjen tonë për vizitë në Bregun e pushtuar Perëndimor”.
Irani refuzon kërkesën e Trumpit për bisedime direkte mbi programin bërthamor
Ministri i Jashtëm i Iranit refuzoi propozimet e Shteteve të Bashkuara për negociata të drejtpërdrejta mbi ambiciet bërthamore të Teheranit, disa ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump bëri thirrje për bisedime sy më sy. Në një deklaratë të lëshuar dje më 6 prill nga Ministria e Punëve të Jashtme, Abbas Araghchi tha se Teherani ishte i gatshëm të mbante bisedime indirekte me Uashingtonin.“Irani e mban veten të përgatitur për të gjitha ngjarjet e mundshme apo të pritshme dhe, ashtu siç është serioz në diplomaci dhe negociata, do të jetë po aq vendimtar dhe serioz në mbrojtjen e interesave dhe sovranitetit të tij kombëtar”, u citua të ketë thënë ai. Komentet e Araghchit erdhën tre ditë pasi Trump bëri thirrje për “bisedime të drejtpërdrejta” me Teheranin, duke thënë se ato ishin “më të shpejta” dhe ofronin një kuptim më të mirë sesa përdorimi i ndërmjetësve.
Dy fëmijë kanë vdekur deri tani në Teksas nga fruthi
Dy fëmijë kanë vdekur deri tani në Teksas nga fruthi, ku shpërthimi i kësaj sëmundjeje ka çuar në gati 500 numrin e rasteve dhe është përhapur në 22 shtete të tjera të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, thanë zyrtarët amerikanë. Sekretari i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, Robert F. Kennedy Jr. – kundërshtar i kamotshëm i vaksinave i cili më parë kishte këmbëngulur se vaksinimi është zgjedhje personale – tha të dielën se vaksinat janë mbrojtja më e mirë kundër fruthit. “Mënyra më efektive për ta parandaluar përhapjen e fruthit është vaksina [kundër fruthit, shytave dhe rubeolës]”, shkroi Kennedy në rrjetin social X. Zyrtarët shëndetësorë në Teksas thanë se fëmija i dytë që humbi jetën është një vajzë 8-vjeçare e pavaksinuar, e cila nuk kishte sëmundje të tjera. Ajo vdiq më 3 prill në spital nga dështimi I frymëmarrjes i shkaktuar nga fruthi, thanë zyrtarët. Një fëmijë tjetër në Teksas vdiq më herët pas përhapjes së fruthit, që nisi në fund të janarit në këtë shtet. Fruthi ishte shpallur i eliminuar në Shtetet e Bashkuara nga viti 2000, por për raste të kohëpaskohshme me këtë sëmundje janë fajësuar udhëtarët nga vende të tjera. Kennedy tha se ka 642 raste të konfirmuara me fruth, 499 prej tyre vetëm në Teksas. Ai shtoi se ekipe nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) janë dërguar në Teksas me kërkesë të guvernatorit Greg Abbott.
Sot në jug të vendit ka mbajtë mot kryesisht me diell, kurse në veri mot i vranët
Frynë erë e mesme deri e forte nga drejtimi i veriut dhe verilindjes. Temperaturat në orën 14:Budvë e H.Novi 13 gradë, Tivar e Ulqin 12, Podgoricë 10, Cetinë 6, Nikshiq 4, B.Pole 3, Beranë e Shavnik 2, Plevle, Kollashin, Plluzhinë e Andrievicë 1, Rozhajë -1, Guci -2 dhe në Zhablak - 5 gradë.
Për nesër metereologët parashohin të mbajë mot kryesisht me diell dhe vranësira kalimtare. Do të fryjë erë e mesme deri e forte nga veriu dhe verilindja e cila në orët e pasditës do të dobësohet. Temperatura e mëngjesit do të sillet prej – 10 deri në 5, kurse më e larta e ditës prej 0 deri në 16 gc.
Коментари0
Остави коментар