- Hronika
- Kolumne
-
Radio
- Izdvajamo
-
Emisije
- Dokumentarni program
- Pop top
- Europuls
- Zrno po zrno
- Radio ordinacija
- Kulturna panorama
- Zelena priča
- Epoleta
- +382
- Spona
- Svijet jednakih šansi
- Matica
- Život po mjeri čovjeka
- Link
- Izokrenuti svijet
- Koracima mladih
- Moja profesija je...
- Sportski program
- Kulturno-umjetnički program
- Muzički program
- Koracima prošlosti
- Naučno-obrazovni program
- RCG
- R98
- Programska šema
- Trofej Radija Crne Gore
- Frekvencije
- Radio drama
Ditari
02. 04. 2025.
00:00 >> 18:28
Ditari 02.04.2025
Ditarin e përgatiti, Violeta Gjokaj
Protestë para ndërtesës së Qeverisë
Prindërit e fëmijëve dhe të rinjve të spektrit autik, mbajtën sot një protestë para ndërtesës së Qeverisë, për shkak të, siç thonë, pakujdesisë së shtetit dhe problemeve shumëvjeçare me të cilat po përballen. Drejtori i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Vuk Kadiq, ka deklaruar për programin e mëngjesit se Fondi i ka të kufizuara kompetencat dhe se asnjë nga kërkesat e prindërve nuk ka të bëjë konkretisht me Fondin sepse, siç shtoi ai, do t'i kishin zgjidhur ato.
Do të formojë një grup pune për përmirësimin e kushteve për personat me autizëm
Deri në fund të prillit, Kuvendi i Malit të Zi do të fillojë procesin e formimit të grupit punues që do të punojë në krijimin e kushteve më të mira për personat me autizëm, njoftuan nga zyra e kryeparlamentarit, Andrija Mandiq. Kabineti i Mandiqit, me rastin e shënimit të 2 Prillit – Ditës Botërore të Personave me Autizëm, tha se Kuvendi dëshiron të tërheqë vëmendjen për rëndësinë e përmirësimit të të drejtave dhe kushteve të jetesës së personave me autizëm.
Siç thanë ata, Kuvendi ka bërë përpjekje për përmirësimin e pozitës së personave me autizëm edhe në thirrjet e mëparshme.
“Kjo mbledhje do t'i përshpejtojë edhe më shumë ato përpjekje, sepse e njeh nevojën për angazhim shtesë në këtë fushë dhe deri në fund të prillit do të fillojë procesi i formimit të grupit punues që do të punojë në krijimin e kushteve më të mira për personat me autizëm”, thuhet në njoftim. Një theks i veçantë do t'i kushtohet përfshirjes në këtë proces të prindërve të personave dhe fëmijëve me autizëm, të cilët do të jenë partnerë të barabartë në hartimin e politikave dhe strategjive”, theksohet në njoftim. Mandiq tha se prindërit janë ekspertët më të mirë në nevojat dhe sfidat me të cilat përballen personat me autizëm dhe se pa pjesëmarrjen e tyre aktive, asnjë masë nuk do të jetë efektive.
Qeveria bleu repartin e fëmijëve të Institutit Igalo për 4.8 milionë euro dhe do të ndërtojë një shkollë fillore
Qeveria e Malit të Zi bleu repartin për fëmijët të Institutit Igalo për 4.8 milionë euro dhe në atë vend, siç thuhet, planifikojnë të ndërtojnë një shkollë fillore. Në këtë mënyrë, siç thonë ata, Qeveria i përmbush obligimet e saj nga Plani i ristrukturimit të Institutit “Dr.Simo Millosheviq”.
Marrëveshja e blerjes është nënshkruar nga drejtori ekzekutiv i Institutit Igalo, Zoran Kovaçeviq dhe drejtori i Administratës së Pronës Shtetërore, Koça Gjurishiq.
“Ky hap është pjesë e procesit të ristrukturimit të Institutit Igalo, të miratuar me Planin e Ristrukturimit dhe vendimin e Bordit të Drejtorëve për të pranuar ofertën e Qeverisë së Malit të Zi nga 11 mars 2025, sipas ftesës publike të datës 28 shkurt 2025”, thuhet në Qeveri.
Dal Mas: Ne duam që Mali i Zi të bëhet pjesë e BE-së deri në vitin 2028
Mali i Zi është lider në procesin integrues dhe zgjerimi është i rëndësishëm për forcimin e stabilitetit të Evropës, u vlerësua në takimin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq, me Sekretarin e Përgjithshëm të Iniciativës së Evropës Qendrore (CEI), Frank Dal Mas.
“Zgjedhja e Malit të Zi për një nga vizitat e para inauguruese është një konfirmim i kontributit të fuqishëm të vendit tonë në punën e IEQ, si dhe rezultateve të suksesshme në procesin e anëtarësimit në BE”, theksoi Ibrahimoviq, duke uruar Dal Masin për marrjen e detyrës. Ai theksoi se IEQ , si iniciativa më e vjetër rajonale, është një faktor i rëndësishëm për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në Union, duke shtuar se forcimi i kapaciteteve të saj është në përputhje me forcimin e rolit global të Evropës.
Në kontekstin e rëndësisë strategjike të anëtarësimit në BE, Ibrahimoviq vuri në dukje rrezikun e kërcënimeve hibride dhe ndikimin e palëve të treta, duke theksuar se hyrja e Malit të Zi në BE do të ishte një sinjal i fortë i përkushtimit ndaj vlerave të përbashkëta dhe të ardhmes evropiane të rajonit.
Dal Mas konfirmoi se integrimi i rajonit në BE është qëllimi kryesor i kësaj nisme, së bashku me forcimin e bashkëpunimit ndërshtetëror.
"Hyrja e Ballkanit Perëndimor në BE do të kontribuonte në stabilitetin e Evropës. Ne vlerësojmë përpjekjet e Malit të Zi në rrugën drejt BE-së dhe duam që ai, si lider i integrimit në BE në rajon, të bëhet pjesë e Bashkimit deri në vitin 2028", tha Dal Mas.
Zenoviq: Tregu unik i BE-së nuk është vetëm një koncept ekonomik, por edhe një projekt politik
Mali i Zi e sheh Tregun Unik të Bashkimit Evropian si një mundësi për një epokë të re të zhvillimit të tij ekonomik, tha kryenegociatori me Brukselin, Predrag Zenoviq. Në takimin e Nënkomitetit për Tregun e Brendshëm dhe Konkurrencën ndërmjet Malit të Zi dhe Komisionit Evropian, të mbajtur në Podgoricë, ai tha se tregu unik i BE-së nuk është vetëm një koncept ekonomik, por edhe një projekt politik, i cili synon afrimin e popujve evropianë përmes standardeve dhe vlerave të përbashkëta. Komisioni Evropian në këtë takim u përfaqësua nga bashkëkryetari i Nënkomitetit, Heinke Veit, i cili vlerësoi se Mali i Zi po bën përpjekje të mëdha në rrugën e tij drejt anëtarësimit në Bashkim Evropian.
Shahmanoviq për Hidrocentralin Komarnica: Gjetja e një ekuilibri ndërmjet mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit ekonomik
Ministri i Minierave, Naftës dhe Gazit dhe shefi i Ministrisë së Energjisë, Admir Shahmanoviq ka folur për ndërtimin e hidrocentralit Komarnica. Ai thotë se nëse projekti nuk i plotëson standardet mjedisore, edhe ai do të jetë kundër, por se duhet të gjejë një ekuilibër mes mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit ekonomik.
"Ministria e Energjisë dhe unë personalisht i qasemi çdo projekti në mënyrë shumë të përgjegjshme. Hidrocentrali i Komarnicës ka qenë prej shumë vitesh në domenin e projekteve prioritare të kësaj qeverie. Ne do të ndjekim gjithashtu vetëm parimin e qëndrueshmërisë ekonomike, sigurisë së furnizimit dhe mbrojtjes së mjedisit. Mendoj se i kuptoj shqetësimet e qytetarëve, pjesës së publikut dhe pjesës së organizatave mjedisore, por thjesht nuk dua që kjo të kthehet në një lloj ndjekjeje se ne jemi apriori kundër gjithçkaje”, theksoi Shamanoviq. Ai thotë se ne kemi nevojë për një projekt të qëndrueshëm.
Shporta e konsumatorit për tremujorin e parë të këtij viti arrin në 2 mijë euro
Shporta sindikaliste e konsumatorit për tremujorin e parë të vitit 2025 arrin në 2 mijë euro, që paraqet rritje të kostove prej 1.52 për qind ose 30 euro krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2024, bëri me dije Unioni i Sindikatave të Lira të Malit të Zi. Siç thanë ata, për plotësimin e kushteve minimale për një jetë dinjitoze të një familjeje katëranëtarëshe në Mal të Zi, nevojiten dy paga mesatare.
Koraq: Të gjitha degët e pushtetit të zgjidhin situatën në gjyqësor
Të tria degët e pushtetit duhet të zgjidhin situatën në gjyqësorin malazez, pushteti ekzekutiv duhet të sigurojë kushte materiale dhe hapësinore për punën e gjyqtarëve dhe legjislativi duhet të miratojë ndryshimet e nevojshme në ligj, tha kryetari i Këshillit Gjyqësor, Radoje Koraq. Në konferencën për media ku u prezantua Raporti për punën e Këshillit Gjyqësor dhe gjendjen e përgjithshme në gjyqësor për vitin e kaluar, ai tha se nuk mund të thuhet se gjendja është e kënaqshme, por ka zhvillime serioze. Sipas Koraqit, situata do të jetë e kënaqshme kur të zgjidhet numri i nevojshëm i gjyqtarëve, kur gjyqtarët të jenë më efikas dhe kur të krijohen kapacitetet hapësinore dhe teknike për punë gjyqësore.
Siç tha ai, Malit të Zi i mungojnë 51 gjyqtarë dhe dy kryetarë gjykatash, pra 53 gjithsej. Sipas Koraqit, gjykatat malazeze e kanë filluar vitin e kaluar me gjithsej 67.564 lëndë, ndërsa gjatë këtij viti janë regjistruar 94.124 lëndë të reja. Kryetarja e Gjykatës Supreme, Valentina Pavliçiq, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari, tha se është absolutisht e arsyeshme pakënaqësia e gjyqtarëve me pagat e tyre dhe shtoi se Mali i Zi ka marrë përsipër që këtë çështje ta rregullojë me ligj të veçantë.
Gjykata e Apelit: 40 vjet për Dalibor Nikoliqin për vrasjen e Zimrita Nerdës
Dalibor Nikoliq është dënuar me 40 vjet heqje lirie për vrasjen brutale të gruas së tij Zumrita Nerda, në janar të vitit 2022. Gjykata e Apelit e Malit të Zi sot shpalli aktgjykimin me të cilin ndryshoi aktgjykimin e Gjykatës së Lartë në Podgoricë, duke e shpallur fajtor të akuzuarin Dalibor Nikoliq për veprën penale të vrasjes së rëndë dhe duke e dënuar me burgim të gjatë prej 40 vjetësh. Vendimi është marrë pas një seance dëgjimore në Gjykatën e Apelit në procesin e vendosjes për ankesën e Prokurorisë së Lartë Shtetërore kundër aktgjykimit të shkallës së parë të Gjykatës së Lartë në Podgoricë. Me këtë aktgjykim i pandehuri ishte shpallur fajtor për veprën penale të dhunës në familje ose dhunës në bashkësi familjare dhe ishte dënuar me 12 vjet heqje lirie, njoftoi Gjykata e Apelit. Kujtojmë se Zumreta Nerda ishte 27 vjeçe dhe kishte tre fëmijë kur, në janar të vitit 2022, bashkëshorti i saj e rrahu për vdekje.
Osmani i propozon Britanisë marrëveshje për mbrojtje dhe ekonomi
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka propozuar sot sekretarit të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, lidhjen e një marrëveshjeje për mbrojtje dhe për ekonomi ndërmjet dy vendeve. Lammy po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, në kuadër të një turneu në Ballkanin Perëndimor, që, sipas Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, ka për qëllim kyç forcimin e bashkëpunimit në luftimin e imigracionit të parregullt dhe krimit të rëndë të organizuar. Osmani ka thënë, në një konferencë të përbashkët për media me Lammyn, se me kryediplomatin britanik ka diskutuar për "thellimin strategjik të bashkëpunimit" ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, i cili, sipas saj, "në veçanti do të mbulojë fushën e mbrojtjes dhe të ekonomisë”. Osmani ka thënë se autoritetet e Kosovës janë të përkushtuara për të punuar me ato britanike për t'i dhënë formë marrëveshjes, që ajo të nënshkruhet sa më parë.
Ajo ka bërë, po ashtu, thirrje për prani edhe më aktive të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.
Kryediplomati britanik ka thënë se vendi i tij dëshiron një “normalizim të qëndrueshëm e paqësor” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, teksa ka bërë thirrje që autoritetet e Kosovës të angazhohen me plot energji në dialogun me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Kurti nis bisedimet me pakicat për qeverinë e re
Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) – parti e cila i fitoi zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në vend – ka nisur takimet me partitë politike të pakicave, për t’u konsultuar rreth formimit të qeverisë së re të vendit. Ky proces ka nisur pas certifikimit të rezultatit të votimeve, dhe fillimit të afateve kushtetuese drejt formimit të legjislaturës dhe qeverisë së re, teksa presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar 15 prillin si datë për mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Kurti ka bërë të ditur se sot është takuar me kryetaren e Partisë së Re Demokratike (NDS) nga komuniteti boshnjak, njëherësh zëvendëskryeministre në detyrë, Emilija Rexhepi. Sipas një njoftimi nga Zyra e Kryeministrit, Rexhepi “konfirmoi gatishmërinë e plotë për vazhdim të bashkëpunimit” me LVV-në, dhe mbështetjen e Kurtit në përpjekjet e tij për formimin e qeverisë së re. Sot, Kurti është takuar edhe me kryetarin e Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë nga komuniteti serb, njëherësh ministër në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq."Përgjatë diskutimit, ministri Rashiq e përsëriti mbështetjen e tij ndaj kryeministrit Kurti për formimin e qeverisë së re dhe vazhdimit të bashkëpunimit", thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Kryeministria. LVV-ja pretendon se mund t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për formimin e qeverisë së re të Kosovës. Ndërkohë, dy parti opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë hedhur poshtë mundësinë e bashkëqeverisjes me LVV-në, kurse Partia Demokratike e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate nuk kanë vendosur vija të kuqe për koalicione.
Maqedonci e Malaj diskutojnë për deklaratën Kosovë-Shqipëri-Kroaci
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka takuar sot ambasadorin e Shqipërisë, Petrit Malaj, me të cilin ka folur për deklaratën trepalëshe Kosovë-Shqipëri-Kroaci, si dhe bashkëpunimin mes dy vendeve.
“Ishte kënaqësi që sot të pres në takim ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, z. Petrit Malaj.Në takim me ambasadorin Malaj diskutuam rreth deklaratës trepalëshe, bashkëpunimit të deritanishëm ushtarak Kosovë-Shqipëri si dhe planet për të ardhmen, që në aspektin strategjik ka rol unik për stabilitetin, sigurinë dhe perspektivën euro-atlantike të dy vendeve dhe gjithë rajonit”, ka shkruar Maqedonci në Facebook. Maqedonci theksoi se marrëdhëniet bilaterale do të intensifikohen edhe më tej ndërmjet dy vendeve.
GAZA – 19 të vrarë pas sulmeve ajrore izraelite në spitalin e drejtuar nga OKB-ja
Një sulm ajror izraelit në Gazën veriore thuhet se ka goditur një spital të operuar nga agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë. ”Të paktën 19 persona u vranë, duke përfshirë nëntë të mitur dhe të tjerë u plagosën në sulmin në Jabalia”, njoftoi agjencia palestineze e lajmeve WAFA.WAFA gjithashtu raportoi se njerëz të zhvendosur brenda spitalit ishin të pranishëm pranë spitalit dhe se një zjarr kishte shpërthyer në ndërtesë. ”Diku tjetër në Gaza, katër persona u vranë në sulme të veçanta izraelite, ndërsa ekipet e shpëtimit në Khan Younis gjetën trupat e 12 personave, përfshirë gra dhe fëmijë, nga rrënojat”.
KIEV – Zelensky takohet me partnerët perëndimorë për dislokimin e trupave
Udhëheqësit ushtarakë perëndimorë janë të gatshëm të diskutojnë dislokimin e mundshëm të trupave në Ukrainë, deklaroi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky. Në një takim në Kiev me ministren e Jashtme gjermane në largim, Annalena Baerbock, Zelensky tha se një grup i vogël vendesh ishin të gatshëm të dërgonin trupa.Të premten e kaluar, presidenti ukrainas njoftoi një takim midis shefave të shtabit të Francës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Ukrainës, por nuk specifikoi se kur do të zhvillohej. Franca dhe Mbretëria e Bashkuar kanë treguar gatishmërinë e tyre për të dërguar trupa si pjesë e të ashtuquajturit “koalicioni i të gatshmëve” për të monitoruar një armëpushim të mundshëm.Megjithatë, Rusia ka kundërshtuar fuqishëm çdo vendosje të trupave të NATO-s, duke paralajmëruar kundër përshkallëzimit të mëtejshëm. Gjermania ka përjashtuar dërgimin e trupave të veta.
Ministrat e Jashtëm të NATO-s takohen në Bruksel
Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s mblidhen sot për një samit dy ditor në Bruksel, ku sytë duket se do të jenë të drejtuar nga shefi i diplomacisë amerikane. Kur Marco Rubios iu dha fillimisht roli në administratën e re të presidentit Donald Trump, shumica e europianëve u gëzuan, sepse ai shihej një “transaltantist” i zjarrtë. Por tani sipas diplomatëve, në radhët e aleancës ka një lloj nervozizmi. Aleatët sërish shpresojnë se SHBA-ja do të rikonfirmojë angazhimin e saj ndaj NATO-s dhe nenit 5 të traktatit, që ka të bëjë me mbrojtjen e ndërsjellë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, po kërkon që të çdo aleat të zotohet se do të shpenzojë të paktën 3.7 për qind të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtje sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të ketë raporte të rregullta mbi përparimin, me shpresën se kjo do ta qetësojë presidentin amerikan, Donald Trump.
Trump: Tarifat e SHBA prekin një gamë të gjerë mallrash
Pas javësh premtimesh dhe presionesh të vazhdueshme, ka ardhur dita ku lahen hesapet: 2 prilli!Një datë e paralajmëruar shpesh nga presidenti Donald Trump si momenti vendimtar për ekonominë amerikane dhe ndërkombëtare .E mërkura është dita kur tarifat reciproke të Shteteve të Bashkuara për mallrat e importuara nga pjesa tjetër e botës hyjnë në fuqi, një masë që do të ndikojë drejtpërdrejt në marrëdhëniet tregtare dhe në ekonominë globale. Tarifat e SHBA prekin një gamë të gjerë mallrash, duke përfshirë ato nga Kanadaja dhe Meksika, të cilat do të shtyhen për një muaj. Pjesa tjetër e vendeve do të përballen me një mori çmimesh më të larta. Ndërsa më 3 prill do të hyjnë në fuqi tarifat 25% për makinat dhe komponentët e prodhuara jashtë vendit, një tjetër hap në realizimin e politikave të Trump për të rivendosur dominimin amerikan në sektorin e prodhimit. Kjo është një ngjarje që pritet të ketë ndikim të gjerë në Amerikë dhe në Botë, ndaj edhe Trump do të flasë përpara kombit më 2 prill, në një fjalim të drejtpërdrejtë nga Shtëpia e Bardhë.
Nesër mot kryesisht i vranët
Në pjesët bregdetare të Malit të Zi mban mot kryesisht me diell dhe me vranësira të pakta deri mesatare, kurse në pjesët e tjera me vranësira mesatare deri plotësisht i vranët. Në veri me reshje të dobëta të shiut. Frynë erë mesatare deri e fortë nga drejtimet veriore. Temperaturat e shënuara në orën 14:Herceg Novi , Ulqin e Budvë 22 gradë, Podgoricë 21, Tivar 19, Cetinë 16, Nikshiq 15, Beran e Shavnik 12, Plevle , Bijello Pole, Plluzhinë, Andrievicë e Petnjicë 11, Guci 10, Kollashin 9 dhe në Zhablak e Rozhajë 6 gradë.
Për nesër në pjesët jugore dhe qendrore parashihet mot me vranësira të ndryshueshme dhe me intervale të diellit . Në pjesët veriore, kryesisht i vranët, vende-vende me reshje të dobëta të shiut . Do të fryjë erë e dobët deri mesatare, vende -vende edhe e fortë e drejtimeve veriore dhe verilindore. Temperatura e mëngjesit prej 1 deri në 13, kurse më e larta e ditës prej 8 deri në 22 gradë.
Коментари0
Остави коментар