Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

13. 03. 2025. 00:00 >> 17:22

Ditari 13.03.2025

Përgatiti, Gj. Dukaj

Spajiq; Buxheti shtetëror është dëmtuar shumë nga kontrabanda e cigareve

Parandalimi i tregtisë së paligjshme të duhanit është i rëndësishëm për mbrojtjen e shëndetit publik, përmirësimin e shtetit ligjor, por edhe për zhvillimin ekonomik të vendit, u tha në një takim të nivelit të lartë lidhur me masat për të luftuar tregtinë e paligjshme të produkteve të duhanit në Ballkanin Perëndimor.

Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, theksoi se Qeveria e Malit të Zi, ka një kurs të qartë të integrimit evropian, përmirësimit të sundimit të ligjit dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

Sipas tij, Mali i Zi ka arritur rezultate të shumta në parandalimin e tregtisë ilegale të duhanit, por ka krijuar edhe kushtet për asgjësimin transparent të duhanit të konfiskuar.

Spajiq, theksoi se veprimet e Prokurorisë Speciale të Shtetit dhe Departamentit të Policisë Speciale rezultuan në arrestimin e anëtarëve të grupeve të krimit të organizuar të cilët ishin të përfshirë në kontrabandën e cigareve.

Drejtori i OBSH-së për Evropën, Hans-Henri Kluge, tha se konferenca e sotme dhe masat që do të diskutojnë përfaqësuesit e vendeve të rajonit janë shumë të rëndësishme për të gjithë brezat e ardhshëm.

Shefi i delegacionit të BE-së në Podgoricë, Johan Sattler, tha se lufta kundër konsumimit të duhanit është diçka me të cilën po merret BE-ja dhe se është një nga prioritetet e politikave shëndetësore të tija.

 

Konfiskimi i pasurisë së jashtëligjshme në fokus të Prokurorisë shtetërore  

Konfiskimi i pasurisë së fituar përmes krimit do të jetë në fokus të punës së Prokurorisë shtetërore këtë vit, thotë kryeprokurori shtetëror, Millorad Markoviq, duke shtuar se ka nxjerrë udhëzime detyruese për të gjitha Prokuroritë për kryerjen e hetimeve financiare, me qëllim të veprimit efektiv. Në hapjen e konferencës rajonale, “Konfiskimi i produkteve të veprës penale – zbatimi i standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe të praktikës gjyqësore”, Markoviq, tha se është e panevojshme të theksohet rëndësia e konfiskimit produkteve të veprës penale në luftën kundër krimit dhe shkallës në të cilën duhet të përfshihen institucionet.

 

Prokuroria shtetërore të hetoj ofertat milionëshe për qiramarrjen e plazheve  

Ofertat disa milionëshe për marrjen me qira të plazheve në bregdetin e Malit të Zi, me shumë gjasa do të futen në vështrimin e hetuesve, sepse ndërmarrja “Të mirat detare”, dje ka përgatitur një dokument ku i kërkon policisë dhe prokurorisë të hetojnë se nga vijnë paratë për projekte të tilla , pothuajse, të paimagjinueshme. Për shembull, 2.7 milionë euro janë ofruar për “Coco Beach” vetëm në Sllovenska plazha të Budvës.

Shumica e ofertave në Ulqin janë dorëzuar nga Eagle Hills, një kompani private ndërtimore nga Abu Dhabi, e specializuar në ndërtim dhe investime në pasuri të paluajtshme. Ajo njihet në Ballkan për punën e saj në projektin Beogradi mbi ujin.

Revoltën e ka shprehur Kompania Publike për menaxhimin e zonës bregdetare, të cilët i kanë bërë thirrje Prokurorisë Speciale të Shtetit që të hetojë prejardhjen e parave nga personat që kanë bërë oferta milionëshe për dhënien me qira të plazheve në tender.

Portali RTMZ, u njoftua se dokumenti është përgatitur dhe do t'i përcillet Sektorit të policisë për parandalimin e krimit financiar dhe se po kërkojnë përfshirjen e Prokurorisë speciale të shtetit.

 

Me qëndrim të qartë nga përfaqësues të Komunës  

Takimi i zhvilluar dje mes Kryetarit të komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, dhe kryeministrit Millojko Spajiq, ka përfunduar me një qëndrim të qartë nga përfaqësuesit politikë shqiptarë të qytetit.”Nëse nuk arrihet një marrëveshje që të jetë në interesin e qytetit dhe qytetarëve tanë, atëherë partitë shqiptare nuk do të jenë më pjesë përbërëse e kësaj qeverie,” tha Nimanbegu.

Mehmed Zenka, theksoi se të Mirat Detare, duhet të ofrojnë përgjigje për padrejtësitë që i janë shkaktuar Ulqinit jo vetëm tani, por edhe për vitet e kaluara, duke rikujtuar se ky problem është i ngulitur për më shumë se tridhjetë vite. Ai kërkoi një zgjidhje të drejtë dhe të barabartë për të siguruar të ardhmen e qytetit dhe të gjithë banorëve të tij.

 

Komisioni hetimor do të veproj në ndriçimin e rasteve të dhunës në Mal të Zi

Parlamenti i Malit të Zi, miratoi dje propozimin për emërimin e Andrija Nikoliqit, nga PDS, si kryetar i Komisionit hetimor që do të merret me vrasjet dhe sulmet ndaj gazetarëve, policëve, politikanëve dhe intelektualëve të lirë nga policët e njohur si "treshet e zeza".

Zëvendës i tij do të jetë deputeti Millan Knezheviq, ndërsa anëtarë të Koimsionit janë emëruar: Gordan Stojoviq, Andrija Mandiq, Momçillo Lekoviq, Bogdan Bozhoviq, Oskar Huter, Nikolla Zirojeviq, Filip Axhiq dhe Vlladimir Dobriçanin.

Vëmendje e veçantë do t'i kushtohet rolit të të ashtuquajturit “Treshe të zeza”, të cilët dyshohet se kanë qenë përgjegjës për rrahjen e kundërshtarëve politikë të pushtetit të  mëparshëm.

Komisioni do të shqyrtojë rastet e dhunës që nga futja e sistemit shumëpartiak deri në ditët e sotme, si dhe veprimet e autoriteteve shtetërore në këto raste.

Qëllimi i Komisionit hetimor është të hedhë dritë mbi ngjarjet që kanë shënuar skenën politike të Malit të Zi në dekadat e fundit duke mbledhur prova dhe dëshmi.

Pritet që rezultatet e hetimit të kontribuojnë në procesin e ballafaqimit me të kaluarën dhe forcimin e shtetit ligjor.

 

D.Abazoviq; Situata e përgjithshme në sektorin e energjisë, nuk është e mirë

Kryetari i Lëvizjes Qytetare URA, Dritan Abazoviq, tha se ish-ministri i Energjisë, Sasha Mujoviq dhe kryetari i bordit të Elektro-ekonomisë së malit të Zi, Millutin Gjukanoviq, i kanë ulur akumulimet dhe se ato janë dukshëm nën atë që ka parashikuar Qeveria.

"Situata e përgjithshme në sektorin e energjisë nuk është e mirë sepse në vazhdimësi janë duke u bërë lëshime", tha Abazoviq në një konferencë për shtyp.

Ai vuri në dukje se Mali i Zi po përballet me një vit në të cilin Termocentrali në Plevla është planifikuar të mbyllet në 31 mars.

Ai, po ashtu, ka theksuar se Elektro-ekonomia gjithmonë ka nxjerrë të dhëna preliminare për rezultatet financiare në fillim të janarit, por aktualisht ende nuk ka të dhëna.

"Unë e di se cili është rezultati dhe i ftoj ata të thonë se cili është suksesi në tremujorin e parë", tha Abazoviq.

 

Vazhdojnë kërkimet për nënën dhe fëmjën së saj të mitur

Kërkimi i I. Gj. dhe djalit të saj të mitur, që janë raportuar të zhdukur para dy ditësh, ende nuk ka dhënë rezultat dhe vazhdoi edhe sot. Humbjen e I.Gj. dhe djalit të saj të mitur e ka denoncuar një familjar në shërbimin e sigurimit në Podgoricë, njoftoi Drejtoria e Policisë.

Policia thotë se menjëherë janë ndërmarrë masat dhe veprimet për kërkimin dhe gjetjen e tyre, dhe se në afërsi të urës Lluça është gjetur një automjet, për të cilin dyshohet se përdorej nga e gruaja në kërkim.

 Ata u bëjnë thirrje qytetarëve që nëse kanë informacione që mund të ndihmojnë në gjetjen e të humburve, të njoftojnë menjëherë Drejtorinë e Policisë duke telefonuar në numrin 122 ose të kontaktojnë stacionin më të afërt policor.

 

Nis fushata “Bëhu përgjegjës – raporto gjuetinë pa leje”

Ndalimi i peshkimit në Parkun Kombëtar të Liqenit të Shkodrës, fillon të shtunën dhe është në fuqi deri më 15 maj, në përputhje me Urdhrin për ndalimin e peshkimit, sezonin e peshkimit dhe përmasat minimale të peshqve dhe organizmave të tjerë ujorë ku është paraparë ndalimi i peshkimit me vendimin nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave.

Në të njëjtën kohë, Parqet Kombëtare të Malit të Zi po nisin një fushatë të quajtur "Bëhu përgjegjës - Raporto gjuetinë pa leje" me qëllim të ndërgjegjësimit të opinionit për rëndësinë e ruajtjes së vlerave natyrore të mjedisit ujor, veçanërisht të stoqeve të peshkut, dhe luftimin e gjuetisë pa leje dhe të gjitha formave tjera të aktiviteteve të paligjshme që ndikojnë negativisht në biodiversitetin.

Ata theksojnë se përveç rritjes së aktiviteteve të Shërbimit të Mbrojtjes në terren dhe raportimit të rregullt para opinionit, gjatë fushatës vëmendje e veçantë do t'i kushtohet edhe aktiviteteve edukative që do të zbatohen nga Shërbimi Profesional i Parkut.

 

KQZ, pret konfirmimin e Supremes lidhur me ankesat eventuale  

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) para shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit do të marrë konfirmimet nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe Gjykata Supreme, nëse në këto institucione ka ndonjë ankesë që kërkon vendimmarrjen e tyre.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se aktualisht KQZ-ja është duke pritur vendimmarrjen nga Gjykata Supreme, lidhur me ankesën e paraqitur në këtë institucion nga një subjekt politik i certifikuar.

Pas ndjekjes së këtyre hapave ligjor, ai tha se KQZ-ja mund t’i shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, në bazë të rezultateve preliminare të KQZ-së, Vetëvendosje ka dalë e para, e dyta PDK, LDK e treta dhe AAK-Nimsa e katërta.

 

Rama: Anëtarësimi në BE, rruga e vetme për Shqipërinë

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka pritur në një takim komisioneren e BE-se për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerimin, Marta Kos, në fokus të të cilit ka qenë Plani i Rritjes, disbursimi i fondeve shtesë për Shqipërinë dhe rrugëtimi i vendit për t'u integruar në Bashkimin Evropian.

Kreu i qeverisë shqiptare e bëri të qartë në konferencën e përbashkët me komisioneren Kos, se rruga e vetme për Shqipërinë është anëtarësimi në familjen e madhe evropiane brenda 2030-ës. Kos, e cilësoi si një objektiv realist ambicien e Shqipërisë për të mbyllur negociatat deri në fund të vitit 2027. Komisionerja, vlerësoi punën e bërë nga vendi në rrugën drejt anëtarësimit, teksa theksoi se me Shqipërinë, BE-ja do të jetë edhe më e fortë.

 

Situatë e tensionuar në Beograd, në prag të protestës më 15 mars

Në kryeqytetin serb po shtohen tensionet në prag të protestës studentore të 15 marsit. Ndërsa mijëra studentë pritet të dalin në rrugë kundër regjimit, pushteti po organizon mbështetës për të kundërbalancuar demonstratat. Prania e ish-pjesëtarëve të njësive speciale, të lidhur me krime të së kaluarës, ka ngritur shqetësime mbi sigurinë dhe mundësinë e përshkallëzimit të situatës.

Në prag të protestës masive studentore të paralajmëruar për 15 mars, Beogradi është bërë qendra e tensioneve.

Për ditë me radhë, autobusë me qytetarë nga Serbia, por dhe Kosova mbërrijnë në Beograd.

Raportet nga terreni tregojnë se serbët e Kosovës janë mobilizuar përmes Listës Serbe të vijnë në Beograd për të përkrahur Vuçiqin, janë sjellë në mënyrë të organizuar dhe paguar për pjesëmarrjen e tyre.

 

Delegacioni amerikan në Moskë, diskuton armëpushimin me Ukrainën

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se ekipi amerikan është në rrugë drejt Rusisë, për të diskutuar planin e armëpushimit të Ukrainës, e cila u pajtua për një armëpushim 30-ditor të martën pas bisedimeve me SHBA-në që ishte takimi i parë zyrtar midis dy vendeve që nga përplasja publike Trump-Zelensky.

Presidenti Trump thotë se kishte marrë "mesazhe pozitive" në lidhje me potencialin e një armëpushimi ndërsa përfaqësuesit e Uashingtonit po shkojnë në Rusi pikërisht ndërsa ai po fliste" për të diskutuar propozimin.

Kremlini të mërkurën tha se ishte në pritje të detajeve nga Uashingtoni në lidhje me një propozim për një armëpushim 30-ditor në Ukrainë, ndërsa burime të larta të Moskës thanë se një marrëveshje do të duhej të merrte parasysh përparimet e Rusisë dhe të adresonte shqetësimet e saj. Tani për tani Rusia thotë se është duke "studiuar deklaratat".

 

M.Rutte, shkon sot në Washington ku do të pritet nga presidenti D.Trump

Sekretari të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte shkon sot në Shtëpinë e Bardhë.

Rutte do të pritet nga presidenti i ShBA-së, Donald Trump.

Shefi i NATO-s të hënën dhe të martën qëndroi për vizitë në rajonin tonë. Ai qëndroi fillimisht në Bosnjë e Hercegovinë, e më pas vizitoi edhe Kosovën, ku pati takime të ndara me presidenten e vendit, Vjosa Osmani si dhe kryeministrin e vendit, Albin Kurti.

Takimet u cilësuan si rikonfirmim i angazhimit të Kosovës për siguri në rajon dhe më gjerë.

 

Tramp, kërcënon BE-në me 200% tarifa ndaj pijeve alkoolike

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka kërcënuar Bashkimin Evropian se do të vendosë 200 për qind tarifë ndaj verës, shampanjës dhe pijeve të tjera alkoolike evropiane, nëse blloku e zbaton tarifën e propozuar ndaj uiskit amerikan.

Tarifa, të cilën BE-ja tha se po e vendos si kundërmasë kundër tarifave të administratës amerikane ndaj aluminit dhe çelikut, pritet të zbatohet nga 1 prilli.

Por, Trump u zotua të enjten për përshkallëzimin e luftës tregtare, nëse BE-ja nuk heqë dorë nga synimi i saj për vendosjen e tarifës prej 50 për qind ndaj uiskit amerikan.

 

Në numrin e ri të gazetës “Koha javore”, artikuj interesant për lexuesit  

Nga Korab Kraja: Përditshmëria jonë – Antivlera si vlerë e moralit etik.  

Anton Gojçaj: Rafti i librave të munguar – “Në prehër të jetës së re”, një doracak i harruar.

Në këtë numër mund të lexoni edhe kronikat nga shënimi i Ditës së Mësuesit në shkollat në Dacaj, Ostros, shkollën e mesme në Ulqin dhe Qendrën Kulturore-Informative “Malësia” – Tuz.

Regjisorja,  Edina Mustafiq - Avdiu dhe aktorja Blerta Kurti rrëfejnë përshtypjet e tyre pas shfaqjes me sukses të dramës “Bongjorno” – Trajtim i temave dhe situatave aktuale të përditshmërisë sonë.

Në rubrikën “Sport”: “Deçiq” dhe “Otrant- Olimpic” me objektiva të ndryshme në Ligën e Parë të Futbollit të Malit të Zi - “Deçiq” synon Evropën, “Otrant- Olimpic”, qëndrimin në kategori, si dhe shumë artikuj të tjerë me interes për lexuesin.

 

Nesër, mot i ndryshueshëm dhe me të reshura të përkohshme

Në Mal të Zi mban mot me vranësira mesatare deri plotësisht i vranët, vend vende me të reshura kalimtare. Frynë erë e lehtë deri e mesme kohë pas kohe deri e fortë e drejtimeve jugore.

Temperaturat në orën 13: Podgoricë 18 gradë, H. Novi, Tivar, Ulqin, Budvë e Bjello Pole 17, Andrievicë, Rozhaj e Petnicë 14, Cetinë 13, Nikshiq, Plevle, Kollashin e Plluzhinë 12, Guci 11, Shavnik 10, Berane 8 dhe në Zhablak 6 g.

Për nesër parashihet të mbajë mot me vranësira të ndryshueshme dhe me të reshura të përkohshme të shiut. Do të fryjë erë e mesme deri e fortë e drejtimeve jugore. Temperatura e mëngjesit prej 5 deri në 15, kurse më e larta e ditës prej 10 deri në 21 g.c.

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се