Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

10. 03. 2025. 00:00 >> 17:31

Ditari 10.03.2025

Përgatiti, Gj. Dukaj

Të arrihet marrëveshje e gjerë politike për reformat kryesore evropiane

Të gjithë akterët politikë duhet të veprojnë pa vonesë për të arritur një marrëveshje të gjerë politike dhe të mbështesin së bashku reformat kryesore Evropiane në Parlament, njoftoi Delegacioni i BE-së në Mal të Zi, për Portalin RTMZ

Na ka interesuar nëse do të vazhdonin bisedimet mes kryeministrit, Millojko Spajiq dhe përfaqësuesve të opozitës, të ndërmjetësuara nga ambasadori i BE-së Johan Sattler.

"Ndërsa ne nuk mund të komentojmë mbi diskutime specifike, Delegacioni i BE-së komunikon rregullisht me akterë të ndryshëm në Mal të Zi. Të gjithë përfaqësuesit politikë duhet të veprojnë pa vonesë për të arritur një marrëveshje të gjerë politike dhe të mbështesin së bashku reformat kryesore evropiane në Parlament," është thënë nga Delegacioni i BE.

Në takimin e fundit ndërmjet kryeministrit e lider i Lëvizjes Evropa Tani, Millojko Spajiq, dhe kryetarëve të partive opozitare PDS dhe SD, Danijell Zhivkoviq dhe Damir Shehoviq, organizuar nga shefi i delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi, Johan Sattler, nuk u arrit marrëveshje konkrete për tejkalimin e krizës politike.

Është një propozim që Parlamenti t'i paraqesë një kërkesë zyrtare Komisionit të Venecias për një opinion mbi vendimin e Komisionit Kushtetues që çoi në pensionimin e një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese dhe në krizën e mëvonshme dhe që ky opinion të jetë detyrues. Opozita kërkoi gjithashtu që të nënshkruhet një marrëveshje me të cilën qeveria angazhohet që të mos ndryshojë Kushtetutën në fushën e çështjeve të identitetit dhe Ligjin për Shtetësinë.

Konfirmim i marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, me ftesë të presidentit të atij vendi, Rumen Radev, po qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Bullgarisë.

Ai u prit me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake në sheshin Aleksandër Nevski, në Sofje, dhe më pas vendosi lule në Monumentin e Ushtarit të Panjohur.

“Të dy zyrtarët patën një bisedë të drejtpërdrejtë në rezidencën e Presidentit të Bullgarisë, ku është duke u zhvilluar një takim i delegacioneve e më pas do të jepen deklarata për opinionin. Presidentët Millatoviq dhe Radev, do të marrin pjesë edhe në nënshkrimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Institutit të Biologjisë Detare të Universitetit të Malit të Zi dhe Institutit Bullgar për hulumtimin e Antarktikut, thuhet në deklaratë.

Millatoviq, gjatë ditës do të takohet edhe me kryeministrin bullgar, Rosen Zhelyaskov dhe kryetaren e Kuvendit Popullor, Natalia Kiselova.

“Vizita e Presidentit Millatoviq në Bullgari është një konfirmim i marrëdhënieve të shkëlqyera dhe miqësore mes dy vendeve dhe një mundësi për të forcuar mbështetjen në kontekstin e synimit primar të politikës së jashtme të vendit tonë – anëtarësimit në Bashkimin Evropian deri në vitin 2028”, thuhet në deklaratë.

N.Camaj; Të mos theksohen çështjet ku është e vështirë të arrihet konsensusi

Malin e Zi nuk do ta dëmtonte nëse do të ketë më shumë gjuhë zyrtare, por në këtë moment nuk duhet të theksohen temat për të cilat është e vështirë të arrihet konsensusi, tha nënkryetari i Kuvendit, Nikollë Camaj, për Radion Malin e Zi.

Çështja e gjuhës serbe, ose më mirë njohja e saj si gjuhë zyrtare në vend të gjuhës në përdorim zyrtar, po ngrihet gjithnjë e më shumë në publik nga shumica parlamentare.

“Duke u nisur nga fakti se kemi nevojë për një pajtim të madh pas traumave politike, shkatërrimit të shteteve në të cilat kemi jetuar, keqkuptimeve dhe betejave të vështira politike që kemi bërë, të gjithë duhet të bashkohemi për zgjidhje të reja kushtetuese dhe ligjore përmes dialogut dhe procedurave të përcaktuara”, tha Mandiq.

Nënkryetari i Kuvendit, Nikollë Camaj, mendon se nuk duhet theksuar çështjet e identitetit aty ku është e vështirë të arrihet konsensusi.

“Edhe çështja e gjuhës edhe ajo e shtetësisë janë tema shumë interesante për ne shqiptarët në Mal të Zi, nëse ato zgjidhen ndryshe nga tani, por të jemi parimor deri në fund, nuk do të ishte keq që këto çështje të prisnin një herë tjetër”, thotë Camaj.

Megjithatë, siç thotë ai, nuk sheh asgjë të keqe që të ketë shumë gjuhë në përdorim zyrtar, por vëren se çështja duhet të trajtohet me kujdes dhe në një kohë të përshtatshme.

Plotësisht të përkushtuar në përmbushjen e obligimeve nga kapitulli 27

Ministria e Punëve të Brendshme është plotësisht e përkushtuar në përmbushjen e obligimeve të saj nga procesi i negociatave me Bashkimin Evropian, duke përmbushur objektivat e përcaktuara në kapitujt e negociatave, njoftuan nga ministria.

Këtë, siç thonë ata, e mbështet edhe fakti se Ministria e Punëve të Brendshme, ka përmbushur të gjitha detyrimet nga negociatat e kapitullit 27 – Mjedisi dhe ndryshimet klimatike.

“Dëshirojmë t'ju kujtojmë se kapitulli 27 i negociatave është një nga më kërkuesit dhe më komplekset në procesin e negociatave të Malit të Zi me Bashkimin Evropian, i cili u hap në Konferencën ndërqeveritare në fund të vitit 2018, në Bruksel. Mbrojtja civile, për të cilën Drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim e Ministrisë së Punëve të Brendshme, është përgjegjëse për një nga fushat që mbulon këtë kapitull”, thuhet në njoftimin e kësaj Ministrie.

Krahas përmbushjes së detyrimeve nga Plani i Veprimit, Mali i Zi ishte i detyruar t'u përgjigjej kërkesave të përfshira në Pozicionin e Përbashkët të Bashkimit Evropian për PP 27.

AQ, propozon ndihmën juridike falas për viktimat civile të luftës 

Aleanca Qytetare, ka dorëzuar sot një Iniciativë në Ministrinë e Drejtësisë për ndryshimin e Ligjit për ndihmë juridike falas, i cili kërkon që viktimat civile të luftës të ushtrojnë të drejtën e tyre për mbrojtje juridike falas, deklaruan nga kjo OJQ.

“Duke pasur parasysh se Ministri i Mirëqenies Sociale, Kujdesit Familjar dhe Demografisë, Damir Gutiq, shpalli kompensimin e viktimave civile të luftës me një vendim të Qeverisë, është e qartë se shteti njeh nevojën për të korrigjuar padrejtësitë gjatë dekadave. Megjithatë, pa ndihmë juridike falas, shumë viktima nuk do të jenë në gjendje të arrijnë atë që u takon me  ligj. Kjo iniciativë është e rëndësishme jo vetëm për arsye morale dhe juridike por edhe në kontekstin e integrimeve evropiane të vendit.

Komisioni Evropian vazhdimisht thekson nevojën për arritjen e drejtësisë për viktimat e krimeve të luftës dhe një reagim efikas institucional, gjë që e bën këtë iniciativë edhe më urgjente.

Për të gjitha këto, ata i bëjnë thirrje Ministrisë së Drejtësisë dhe Qeverisë së Malit të Zi që urgjentisht ta shqyrtojnë këtë Iniciativë dhe të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të siguruar qasje të barabartë në drejtësi për viktimat civile të luftës dhe për të ofruar ndihmë juridike falas si mekanizëm kyç për mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Odoviq, u mor në pyetje në cilësinë e qytetarit

Ish-ministri i Planifikimit hapësinor, Urbanizmit dhe Pronës shtetërore, Janko Odoviq është marrë në pyetje me ftesë të Departamentit Special të Policisë në cilësinë e qytetarit.

Siç u tha gazetarëve, ai nuk do të arrestohet.

"Dikush nga ish-resori im ndoshta do të mbajë përgjegjësi, por nuk e di nëse do të arrestohen. Arrestimet nuk arrijnë asgjë," tha Odoviq.

Ai është marrë në pyetje mëngjesin e sotëm, në cilësinë e qytetarit, në lidhje me, siç u tha gazetarëve, një projekt ndërtimi në Budvë dhe nuk ka dashur të specifikojë se për cilin projekt bëhet fjalë.

Ish-ministri deklaroi se leja e ndërtimit për këtë godinë është dhënë në ditën e fundit, ose më saktë të parafundit të mandatit të tij.

“Të cilin nuk e kam nënshkruar, as nuk kam qenë i autorizuar ta nënshkruaj, por dikush tjetër. Mendoj se është në interes të të gjithë qytetarëve të kontrollojnë nëse është ndjekur procedura ligjore”, tha Odoviq.

Shtyhet sërish seanca gjyqësore ndaj Llazoviq dhe Raiçeviq

Është shtyrë sërish seanca gjyqësore ndaj zyrtarit të Agjencisë për sigurinë kombëtare Petar Llazoviq dhe zyrtarit të Drejtorisë së policisë, Jugosllav Raiçeviq. Gjykata urdhëroi Prokurorinë Themelore që brenda 15 ditësh t'i japë informacione dhe sqarime në lidhje me marrjen e përmbajtjes nga aplikacioni Sky, natyrën juridike të tij dhe respektimin e parimeve të sistemit juridik vendas dhe rregullave përgjithësisht të pranuara të së drejtës ndërkombëtare.

Gjykata urdhëroi gjithashtu prokurorinë të dorëzojë dokumentacionin e përgjithshëm për përjashtimin e Sky.

Avokati, Damir Lekiq, tha se mbrojtja kundërshtoi provat që burojnë nga dokumentacioni i SKY-së.

Eko-fondi mbështet projekte me mbi 200,000 euro

Si pjesë e përpjekjeve për përmirësimin e infrastrukturës komunale dhe mbrojtjen e mjedisit, projektet janë zbatuar me sukses në disa komuna në Mal të Zi, me subvencione nga Eko-Fondi.

Me këtë, Eko-Fondi vazhdon financimin dhe inkurajimin e vazhdueshëm të iniciativave mjedisore, duke u mundësuar vetëqeverisjeve vendore dhe bizneseve të zbatojnë reformat e nevojshme në menaxhimin e mbetjeve, higjienën urbane dhe shërbimet komunale.

Këto projekte, të realizuara me mbështetjen financiare të Eko-Fondit, paraqesin një kontribut të rëndësishëm për qëndrueshmërinë mjedisore dhe përmirësimin e shërbimeve komunale, duke mundësuar një mjedis më të pastër dhe më të shëndetshëm për të gjithë qytetarët.

Eko-Fondi, vazhdon transformimin ekologjik të Malit të Zi, duke inkurajuar praktika të qëndrueshme dhe duke siguruar që komunitetet lokale të kenë akses në infrastrukturën moderne të menaxhimit të mbetjeve, në rrugën drejt mbrojtjes së mjedisit.

Takim përkujtimor me rastin e vdekjes së B.Vukasanoviq

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) dhe punëtor shumëvjeçar i sportit, Bozhidar Vuksanoviq ishte një figurë e respektuar dhe një profesionist, përkushtimi i të cilit në punë mund të merrej si shembull, u tha në mbledhjen përkujtimore të Parlamentit të Malit të Zi.

Shefi i grupit parlamentar të PDS-së, Andrija Nikoliq, tha se Vuksanoviq, me një sërë virtytesh të rrënjosura, modesti dhe zell si tipare me të cilat njerëzit e njohën, kishte hapur rrugën e tij për dekada të tëra.

Ai theksoi se Vuksanoviq, la pas një punë serioze të jetës, bëma të mëdha sportive dhe një familje shembullore për të cilën ai ishte krenar.

Nikoliq, përkujtoi se Vuksanoviq është mbajtës i gjashtë medaljeve botërore dhe evropiane në karate, si dhe ka qenë kryetar i Shoqatës së Boksit të Malit të Zi.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, mbërriti sot në BH    

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Veriatlantike, Mark Rutte, mbërriti sot, për një vizitë zyrtare në Bosnjë Hercegovinë, ku do të takohet me drejtuesit më të lartë politikë, në një moment kur autoritetet e Republikës Sërpska, duke kërcënuar me shkëputje, kanë tentuar të ndalojnë funksionimin e institucioneve shtetërore të drejtësisë dhe policisë në territorin e këtij entiteti.

Pas bisedimeve me anëtarët e Presidencës së Bosnje  Hercegovinës, është planifikuar një konferencë për media.

Rutte, po ashtu, do të zhvillojë një takim me kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnj Hercegovinës, Borjana Krishto.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ka mbërritur në Bosnjë Hercegovinë pas miratimit të ligjeve antikushtetuese në entitetin Republika Sërpska të Bosnje  Hercegovinës.

Kurti, paralajmëron se ai, sërish, do të jetë kryeministër

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar sot se ai do të udhëheq edhe me qeverinë e re, e cila pritet të krijohet pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit.

“Së pari rezultatet përfundimtare, pastaj certifikimi, pastaj bisedimet. Qeveria, e sigurt, e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje dhe unë”, tha Kurti në një prononcim të shkurt për gazetarë pas përfundimit të aktivitetit në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, ku u bë prezantimi i Rrjetit të Grave në pozita vendimmarrëse në administratë publike dhe institucione te pavarura.

Partia që e drejton Kurti në zgjedhjet e 9 shkurtit doli e para me 42.27 për qind të votave të fituara, që përkthehet me 48 ulëse në legjislaturën e re të Kuvendit. Megjithatë, për ta krijuar qeverinë i duhen 61 deputetë.

Në një intervistë për mediat italiane, nënkryetari i LVV-së dhe njëherësh kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se qeverinë synojnë ta formojnë me partitë joserbe, të cilat kanë 10 vende të rezervuara, derisa sivjet një ulëse në kuvend e ka siguruar edhe partia serbe e drejtuar nga ministri aktual në qeverinë Kurti, Nenad Rashiq.

Por, për të arritur shumicën e thjeshtë, kryeministri Kurti ka nevojë edhe për dy deputetë.

E.Rama; Nuk kam vendosur ende a do të jem në garë për deputet

Kryeministri, Edi Rama, ka lënë të hapur mundësinë që të mos jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e ardhshme të 11 majit, duke i dhënë përparësi të rinjve dhe një gare të barabartë brenda Partisë Socialiste.

"Vendimin për veten time nuk e kam marrë ende plotësisht, mund të mos jem edhe fare në listë duke qenë deputet i të gjithëve me këtë detyrë që kam dhe të mos i zërë vendin askujt”, tha Rama.

Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Rama u shpreh se procesi i përpilimit të listës ende nuk është përmbyllur, ndërsa theksoi se kushdo që nuk dëshiron të jetë pjesë e listës së hapur, duhet ta bëjë me dije. Rama, tha se asnjë deputet që ka marrë më shumë se një mandat nuk do të ishte në listën e mbyllur, por kjo nuk vlen për drejtuesit politik.

Situata e sigurisë në rajon është “seriozisht e lëkundur”, thotë presidenti A.Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se situata e sigurisë në Ballkan është "seriozisht e lëkundur" dhe se Serbia "përpiqet të ruajë paqen dhe stabilitetin, si dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve të saj".

Më 10 mars, Vuçiq mori pjesë në një mbledhje të Qeverisë, në të cilën, siç tha ai, u diskutua për situatën aktuale të sigurisë në vend dhe rajon, veçanërisht për "sfidat e sigurisë në Kosovë dhe në Bosnjë e Hercegovinë".

"Diskutuam edhe për të gjitha aspektet e protestës së paralajmëruar më 15 mars", shkroi Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram pas mbledhjes së Qeverisë.

Më herët, presidenti serb kishte deklaruar se në protestën dhe bllokadën e paralajmëruar nga studentët për 15 mars në Beograd, ai pret që "opozita të organizojë dhunë të madhe".

Pa dhënë detaje dhe prova për këto pretendime, Vuçiq tha se "të gjithë ata që do të marrin pjesë në këtë, do të arrestohen".

Zelensky arrin në Riad, një ditë para bisedimeve për paqen në Ukrainë  

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, do të vizitojë sot Riadin ku do të takohet me Princin e Kurorës, Mohammed bin Salman, udhëheqësin de facto të Arabisë Saudite. Vizita e Zelenskyt, zhvillohet një ditë para bisedimeve mes delegacioneve të Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara në Xheda të Arabisë Saudite, bisedime që kanë për synim t’i japin fund luftës trevjeçare të Rusisë në Ukrainë.

SHBA-ja, mbështetësja kryesore ushtarake e Kievit, po synon që t’i japë fund shpejt konfliktit, duke mbajtur bisedime të drejtpërdrejta me Moskën, teksa Uashingtoni ka pezulluar ndihmën ushtarake dhe ndarjen e informacioneve të inteligjencës me Ukrainën.

Zelensky ka thënë se nuk do të jetë pjesë e bisedimeve SHBA-Ukrainë në Xheda. Delegacioni ukrainas do të përfshijë ministrin e Jashtëm, Andrii Sybiha, shefin e stafit të Zelenskyt, Andriy Yermak, dhe ministrin e Mbrojtjes, Rustem Umerov.

Ata do të takohen me delegacionin amerikan që pritet të përfshijë të dërguarin e Trumpit për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, dhe këshilltarin për siguri kombëtare, Mike Waltz.

Nesër, mot i vranët dhe me të reshura

Në pjesën më të madhe të vendit mban mot me vranësira të pakta deri plotësisht i vranët. Frynë erë e lehtë deri e mesme e drejtimeve jugore.

Temperatura në orën 13;

Berane 20 gradë, Ulqin 19, Tivar 17, Podgoricë e Andrievic 16, Herceg Novi, Bjello Pole e Shavnik 15, Plevle, Rozhajë e Petnjic 14, Guci 12, Nikshiq e Plluzhine 11, Cetinë e Kollashin 10 dhe në Zhablak 8 gradë.

Për nesër, parashihet mot me vranësira mesatare deri plotësisht i vranët, vende – vende, me të reshura të shiut.

Do të fryjë erë e mesme, kohë pas kohe, e fortë e drejtimeve jugore.

Temperatura e mëngjesit prej 5 deri në 15 kurse më e larta e ditës prej 7 deri në 19 gradë celsius.

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се