- Hronika
- Kolumne
-
Radio
- Izdvajamo
-
Emisije
- Dokumentarni program
- Pop top
- Europuls
- Zrno po zrno
- Radio ordinacija
- Kulturna panorama
- Zelena priča
- Epoleta
- +382
- Spona
- Svijet jednakih šansi
- Matica
- Život po mjeri čovjeka
- Link
- Izokrenuti svijet
- Koracima mladih
- Moja profesija je...
- Sportski program
- Kulturno-umjetnički program
- Muzički program
- Koracima prošlosti
- Naučno-obrazovni program
- RCG
- R98
- Programska šema
- Trofej Radija Crne Gore
- Frekvencije
- Radio drama
Ditari
21. 02. 2025.
00:00 >> 17:13
Ditari 21.02.2025
Përgatiti, Gj. Dukaj
PE, vlerëson angazhimin e Malit të Zi drejtë BE
Parlamenti Evropian (PE) vlerëson angazhimin e fuqishëm të Malit të Zi drejtë Brukselit dhe konfirmon mbështetjen e tij të plotë për anëtarësimin e ardhshëm të vendit në BE, sipas draft Raportit të PE për Malin e Zi, të përgatitur nga raportuesi Marjan Sharec. Dokumenti njeh rolin kyç të Parlamentit malazez në procesin e pranimit. Megjithatë, bojkotet dhe bllokadat politike, si dhe rishfaqja e tensioneve dhe polarizimi etnik, vihen re me shqetësim.
Në draft raportin e tij, Parlamenti mirëpret përparimin pozitiv të Malit të Zi në zbatimin e reformave dhe masave të lidhura me BE-në, të mbështetur nga një kornizë kohore ambicioze dhe përpjekjet kolektive të aktorëve politikë, shoqërisë civile dhe qytetarëve, por gjithashtu vlerëson Malin e Zi në përmbushjen e standardeve të përkohshme për kapitujt 23 dhe 24 dhe për marrjen e një IBAR-i pozitiv.
Draft-raporti i Parlamentit Evropian mirëpret përafrimin e vazhdueshëm dhe të plotë të Malit të Zi me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, duke përfshirë masat kufizuese të BE-së, përfshirë ato që lidhen me luftën agresive të Rusisë kundër Ukrainës. Mali i Zi inkurajohet të forcojë zbatimin e masave kufizuese dhe të shmangë anashkalimin e tyre.
Në draft raport thuhet se Parlamenti është i tmerruar nga të shtënat masive tragjike në Cetinjë dhe shpreh ngushëllimet e tij për familjet e viktimave. Podgoricës i kërkohet gjithashtu të harmonizojë legjislacionin e saj të armëve me ligjin e BE dhe standardet ndërkombëtare. Parlamenti i bën thirrje Malit të Zi që të harmonizojë plotësisht politikën e tij të vizave me atë të BE-së, veçanërisht në lidhje me vendet që paraqesin rrezik për sigurinë.
Millatoviq, ftesë aktorëve social që me zgjidhje konkrete të ndikojnë në uljen e çmimeve
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, u bëri thirrje të gjithë aktorëve socialë në vend që të ndikojnë në uljen e çmimeve në Mal të Zi me zgjidhje konkrete. Siç theksoi ai, është më pak e rëndësishme që qytetarët të dëgjojnë një diskutim për arsyet, dhe është shumë më e rëndësishme që ata të dëgjojnë për ndonjë zgjidhje që do të çojnë në uljen e çmimeve në Mal të Zi. Siç deklaroi, Millatoviq, dje në një deklaratë, qytetarët kanë mundur të dëgjojnë një diskutim publik ndërmjet Qeverisë dhe bashkësisë akademike për arsyet e çmimeve të larta në Mal të Zi, por ai beson se është më pak e rëndësishme që qytetarët të dëgjojnë diskutimin për arsyet dhe se të gjithë së bashku; bashkësia akademike, qeveria dhe faktorë të tjerë socialë, ofrojnë një zgjidhje që do të çojë në uljen e çmimeve në Mal të Zi. “I rikujtoj edhe një herë Qeverisë së Malit të Zi për iniciativën që ia dërgova para disa ditësh, e cila përfshin 10 masa dhe hapa praktik, realizimi dhe zbatimi i të cilave do të çonte në uljen e çmimeve të ushqimeve bazë në Mal të Zi”, tha presidenti Millatoviq. Millatoviq së fundi i dërgoi Qeverisë së Malit të Zi një iniciativë për ndërmarrjen e dhjetë masave urgjente, zbatimi i të cilave do të mundësonte uljen e çmimeve dhe përmirësimin e standardeve të qytetarëve në vendin tonë.
Këshilli, shqyrton situatën e sigurisë në Mal të Zi
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka caktuar për sot mbledhjen e Këshillit të Mbrojtjes dhe Sigurisë. “Tema kryesore e mbledhjes, do të jetë situata e sigurisë në Mal të Zi”, njoftoi zyra e Presidentit të vendit.
Përveç anëtarëve të Këshillit, në këtë mbledhje do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë, të cilët do të diskutojnë për sfidat aktuale dhe masat për përmirësimin e situatës së sigurisë në vend.
Besimi më i madh i qytetarëve ndaj kryeministrit, M.Spajiq
Një sondazh i agjencisë Ipsos, për opinionin politik e publik, i cili u prezantua në emisionin “Argument”, tregoi se në mesin e politikanëve, qytetarët malazezë i besojnë më së shumti liderit të “Lëvizjes Evropa Tani”, kryeministrit Millojko Spajiq, kurse sa i përket institucioneve, më së shumti i besojnë Kishën Ortodokse Serbe. Ky sondazh, është realizuar nga agjencia Ipsos, nga data 1 deri më 11 shkurt të këtij viti, në mostrën prej 1010 qytetarësh të rritur. Ajo që shihet nga hulumtimi është se shumica e qytetarëve besojnë se Mali i Zi ka marrë rrugën e gabuar. Kështu kanë deklaruar 46 për qind e qytetarëve, ndërsa 39 për qind kanë theksuar se Mali i Zi është në rrugën e duhur. Ndërsa, 15 për qind thanë se nuk e dinin. Meqë ra fjala, ky është muaji i dytë me radhë që një numër më i madh i qytetarëve besojnë se Mali i Zi po ecën në drejtim të gabuar. Ndërkaq, mbështetja për anëtarësimin në BE mbetet shumë e lartë, një trend i dukshëm jo vetëm kur bëhet fjalë për hulumtimin e IPSOS-it, por edhe kur bëhet fjalë për të gjitha anketat e ngjashme, ashtu që, 75 për qind e qytetarëve mbështesin anëtarësimin në BE, ndërsa 22 për qind janë kundër. Kur bëhet fjalë për besimin tek figurat politike, më së shumti i besohet kryeministrit Millojko Spajiq, dhe siç shihet, ai është bindshëm përpara vendit të dytë, Millo Gjukanoviq, i emëruar së fundmi kryetar nderi i PDS-së. Më pas vijnë Dritan Abazoviq, drejtues i Lëvizjes dhe Millan Knezheviq, kryetar i Partisë popullore demokratike. Presidenti Jakov Millatoviq, është në vendin e pestë, i ndjekur nga Danijell Zhivkoviq.
Spajiq: Besimi i qytetarëve është, shtytje për punë të mëtejshme
Kryeministri, Millojko Spajiq, theksoi se rezultatet e sondazhit të fundit të Ipsos, sipas të cilit qytetarët kanë besimin më të madh në punën e tij, paraqesin konfirmim të fortë se Qeveria po shkon në drejtimin e duhur.
“Në fund të fundit, më e rëndësishmja është gjykimi i qytetarëve, sepse është shprehje e mbështetjes për çdo gjë që bëjmë. Ne e kuptojmë këtë besim si një detyrim, por edhe si një motiv shtesë për të punuar edhe më shumë dhe me përkushtim drejt arritjes së qëllimeve tona. Jam i sigurt se së bashku do të ngulmojmë në synimin tonë për ta bërë Malin e Zi më të mirë për të gjithë qytetarët e tij. “Çdo mbështetje e dhënë është një erë në shpinë për të vazhduar me reformat dhe të gjitha gjërat e reja dhe të mira që po na vijnë”, tha Spajiq në rrjetin X.
UDSH; “Spajiq, që të rishqyrtojë vendimin për dhënien në qira të plazheve”
Unioni Demokratik i Shqiptarëve (UDSH) i bën thirrje kryeministrit Millojko Spajiq, që të rishqyrtojë vendimin për tenderin për dhënien me qira të plazheve. Siç thonë ata, ende nuk është vonë për të parandaluar një tjetër padrejtësi ndaj qytetarëve të Ulqinit, të cilët kanë vite që po durojnë vendime të tilla. “Nuk duhet të harrojmë se kjo lëvizje cenon sektorin e turizmit, i cili ka qenë gjithmonë faktor kyç në suksesin e sezonit turistik dhe përfaqëson segmentin më të organizuar dhe funksional të ekonomisë sonë”, thuhet në njoftimin e UDSH. Përkujtojmë se kompania Të mirat detare, më 18 shkurt ka shpallur thirrje publike për tender për dhënien me qira të plazheve në komunat e Tivarit dhe Ulqinit. Nga komunat bregdetare, sqaruan se kushdo që synon të marrë pjesë në tender është i detyruar të blejë dokumentacionin e tenderit, çmimi i të cilit është 100 euro.
Këshilli Kushtetues, miratoi raportin e Komisionit për plotësimin e Gjyqit Kushtetues
Komisioni Kushtetues Parlamentar miratoi raportin e komisionit për përzgjedhjen e dy gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Siç është paralajmëruar, komisioni ka konstatuar se të gjitha aplikacionet janë dorëzuar me kohë dhe se janë plotësuar kushtet nga thirrja publike. Hapi tjetër do të jenë seancat dëgjimore të kandidatëve. Komisioni i përbërë nga deputetët Darko Dragoviq, Nikola Rovçanin dhe Bogdan Bozhoviq, konstatoi se kandidatët kanë dorëzuar aplikacionet me kohë dhe i kanë plotësuar të gjitha kushtet nga thirrja publike. Dragoviq, ka theksuar se i njëjti person nuk mund të aplikojë për dy thirrje publike, përkatësisht ato të shpallura nga komisioni dhe presidenti i shtetit. Komisioni do të kërkojë të gjitha informacionet për konkursin nga presidenti i shtetit, për të verifikuar të gjitha aplikimet.
“Lëvizja Evropa Tani”, përshëndet vendimin e gjyqtares Gjuranoviq
Lëvizja Evropa tani, mirëpret vendimin e Dragana Gjuranoviq, për ta ndjekur penalisht rastin e saj para organeve kompetente, gjë që përfundimisht do të eliminojë çdo dilemë të mundshme që opinioni kishte në lidhje me statusin e ish-gjyqtares të Gjykatës Kushtetuese.
"Kjo qasje do të zvogëlojë tensionet politike dhe të shkaktuara artificialisht, dhe kështu do të sigurojë funksionimin e rregullt të gjitha degëve të qeverisë," deklaruan nga Lëvizja për ndryshime.
Ata shtojnë se përpjekja për të cenuar rendin kushtetues në Shavnik, nga ata që e identifikojnë veten si mbrojtës të Kushtetutës, duhet të trajtohet edhe në kuadër të institucioneve kompetente, me qëllim të ruajtjes së rendit kushtetues dhe juridik të Malit të Zi.
“Ne besojmë se nuk ka më asnjë arsye për ndonjë pengesë nga autoritetet ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore në rrugën e përshpejtuar drejt Bashkimit Evropian”, deklaruan nga Lëvizja Evropa tani.
Komuna e Tuzit, ndanë bursa për studentët
Kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, sot ka nënshkruar kontrata me 55 studentë të cilëve Komuna u ka ndarë bursa, në vlerë prej 1000 euro për person.
Siç thuhet në komunikatën e Komunës, Gjelaj, ka uruar përfituesit e bursave nga Malësia për sukseset e tyre akademike dhe ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së të rinjve në arsim.
"Bursat e dhëna kanë për qëllim lehtësimin e obligimeve financiare të studentëve dhe inkurajimin e tyre për vazhdimin e suksesshëm të studimeve. Ky hap është pjesë e përpjekjeve të Komunës së Tuzit për të investuar në edukimin dhe zhvillimin e rinisë si faktorë kyç për të ardhmen e vendit", thuhet në komunikatë nga komuna.
Stabiliteti i rajonit, në interes të përgjithshëm
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se stabiliteti në Kosovë, Bosnje e Hercegovinë dhe në Serbi, është në interes të të gjithëve dhe nuk sheh arsye të besojë që mund të ketë ndonjë ndryshim dramatik sa i përket përkushtimit amerikan në aleancën ushtarake perëndimore.
Ai këto komente i bëri gjatë qëndrimit në Bratisllavë të Sllovakisë, kur u pyet në një debat me student se a e sheh mundësinë e rifillimit të konfliktit në Kosovë, pasi ka pasur thashetheme se politika e re amerikane mund të çojë deri te largimi i tyre ushtarak.
Kjo deklaratë e shefit të NATO-s vjen në kohën e raporteve të tensionuara mes Evropës dhe SHBA-së, pas hapave të ndërmarrë nga administrata amerikane me Rusinë për përfundimin e luftës në Ukrainë.
Mbyllen katër qendra për punë sociale në Mitrovicën e Veriut
Policia e Kosovës i ka mbyllur të premten objektet e Qendrës për punë sociale në Mitrovicën e Veriut - të cilat funksiononin në kuadër të sistemit paralel serb - për shkak të dyshimit se aty janë kryer “veprime të paligjshme lidhur me procesin zgjedhor”.
Policia ka thënë përmes një njoftimi se është duke kontrolluar objektet e kësaj Qendre në tri komuna me shumicë serbe në veri – Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan - pasi ka dyshime për “veprime të kundërligjshme lidhur me procesin zgjedhor”.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se në këtë aksion nuk është arrestuar askush dhe se është duke u zhvilluar një intervistë informative me drejtorin përgjegjës të Qendrës për Punë Sociale në Mitrovicën Veriore dhe Zveçan.
Takimi Tramp- Putin, varet nga rrjedha e bisedimeve për paqen
Një takim eventual mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe presidentit rus, Vladimir Putin, do të varet prej progresit që bëhet drejt përfundimit të luftës në Ukrainë, ka thënë Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.
Rubio ka thënë në një intervistë se ia ka bërë të ditur ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në takimin e tyre në Arabinë Saudite më 18 shkurt, se nuk do të ketë takim “derisa të dimë qartë se për çfarë do të mbahet ai”.
Takime të tilla nuk mbahen derisa “të dihet ndonjë rezultat, apo të dihet se është arritur përparim”, ka shtuar Rubio.
Në bisedimet në Riad, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia janë pajtuar për të krijuar ekipe negociatore për t’i hapur rrugë përfundimit të luftës, që është nisur nga Rusia, në shkurt të vitit 2022.
Anulohet konferenca për gazetarët pas takimit Zelenski - Kellogg
I dërguari i Presidentit amerikan Donald Trump, për konfliktin në Ukrainë, Keith Kellogg u takua të enjten në Kiev me Presidentin Volodymyr Zelensky. Pas takimit dy zyrtarët e lartë pritej të mbanin një konferencë të përbashkët për shtyp, por pala ukrainase tha se amerikanët kërkuan që ajo të anulohej.
Duke iu referuar takimit, në një postim në median sociale Zelensky tha se Ukraina ishte e gatshme të punonte shpejt dhe pa u lodhur, për të arritur një marrëveshje të fortë dhe të dobishme mbi investimet dhe sigurinë, me Shtetet e Bashkuara.
“Ne duhet dhe mund të sigurojmë që paqja të jetë e fortë dhe e qëndrueshme – në mënyrë që Rusia të mos na sulmojë më ”, shkruante Zelensky në rrjetin social X pas takimit me të dërguarin e SHBA-ve për Ukrainën dhe Rusinë.
I dërguari i Trumpit për Ukrainën dhe Rusinë, Keith Kellogg tha para takimit me Zelenskyn, se ai po shkonte në Kiev për të dëgjuar.
Nesër, mot kryesisht me diell
Në Mal të Zi mban mot kryesisht me diell. Frynë erë e lehtë deri e mesme e drejtimeve të ndryshme.
Temperatura në orën 13; Herceg Novi e Budvë 14 gradë, Tivar 13, Ulqin 12, Podgoricë 10, Nikshiq 9, Berane e Rozhajë 6, Bjello Pole 5, Plevle, Kollashin e Shavnik 3, Petnjicë 2, Zhablak, Plluzhinë e Guci 1 dhe në Andrijevcë -1 gradë.
Meteorologët parashohin se nesër do të mbaj mot kryesisht me diell, vende - vende me vranësira mesatare.
Do të fryjë erë e lehtë deri e mesme e drejtimeve të ndryshme.
Temperatura e mëngjesit prej -14 deri në 4, kurse më e larta e ditës prej 3 deri në 15 gradë celsius.
Коментари0
Остави коментар