Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

17. 02. 2025. 00:00 >> 18:35

Ditari 17.02.2025

Ditarin e përgatiti Marash Dedvukaj

Sot filloi bojkoti i përgjithshëm shtatëditor i marketeve Voli

Sot filloi bojkoti i përgjithshëm shtatëditor i marketeve Voli, u njoftua nga Alternativa Mali i Zi. Ata theksuan se kishin shpresuar që supermarketet megjithatë do të tentojnë, propozojnë apo paralajmërojnë se ekziston mundësia për uljen e çmimeve, por siç thonë ata, është humbur edhe kjo mundësi. Ata thanë se distancohen nga çdo ndërhyrje politike dhe se bojkoti ka për qëllim vetëm standardin jetësor të qytetarëve. Lidhur me bojkotin e paralajmëruar, kompania Voli njoftoi prodhuesit vendor se do të ulin sasitë për blerje të produkteve vendore. Bojkoti marketeve nuk është zgjidhje, tha më parë ministri i Zhvillimit Ekonomik Nik Gjeloshaj, duke theksuar se nuk po mbron kompaninë Voli, por punën e Qeverisë dhe vendimet e ministrisë që ai drejton.

Qeveria është adresa e vërtetë përgjegjëse për biznes, e jo tregtarët

Qeveria është adresa e vërtetë përgjegjëse për biznes, e jo tregtarët, njoftoi Shoqata e Punëdhënësve të Malit të Zi, duke i bërë thirrje Qeverisë që urgjentisht ti kthehet dialogut me afaristët. Kjo Shoqatë kumtoi se kërkesat e konsumatorëve për uljen e çmimeve janë absolutisht të arsyeshme, por thirrja për të shënjestruar adresat e gabuara nuk është e justifikuar dhe për këtë arsye ata i bënë thirrje Qeverisë që urgjentisht t'i kthehet dialogut real me afaristët dhe ekonominë.

Kabineti i Mandiqit ka mohuar informatat se në Ligjin Për Kuvendin e Malit të Zi i cili po përgatitet, parashihet kthimi i pensioneve të privilegjuara

Nga kabineti i kryetarit të Parlamentit të Malit të Zi,  Andrija Mandiq kanë demantuar informatat se në Ligjin Për Kuvendin e Malit të Zi i cili po përgatitet, parashihet kthimi i pensioneve të privilegjuara për deputetët. Në njoftim nga Kuvendi thuhet se versioni punues i ligjit nuk e trajton në asnjë pjesë temën e pensioneve. Ata mohojnë se në Ligj flitet për kthimin e pensioneve të privilegjuara, duke shtuar se në fazën përfundimtare është hartimi i projekt Ligjit për Kuvend, i cili pas përfundimit, fillimisht do t'i paraqitet Kolegiumit të Kryetarit të Kuvendit.

Komisionerja Evropiane për Zgjerim Marta Kos tha se Mali i Zi dhe Shqipëria janë kandidatët kryesorë për anëtarësim në Bashkimin Evropian

Komisionerja Evropiane për Zgjerim Marta Kos tha se Mali i Zi dhe Shqipëria janë kandidatët kryesorë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke shtuar se ato mund të përfundojnë procesin e negociatave deri në fund të vitit 2026 ose 2027. Megjithatë, përfundimi i negociatave nuk do të thotë se këto vende mund të anëtarësohen menjëherë në BE. Parakusht për këtë është që të gjithë anëtarët e BE-së të pajtohen me marrëveshjet e anëtarësimit të negociuara nga Komisioni Evropian dhe më pas t'i ratifikojnë ato.

J.Millatoviq - Organizimi i Samitit të Bashkësisë Politike Evropiane do të ishte ngjarje historike për vendin tonë

Organizimi i Samitit të Bashkësisë Politike Evropiane do të ishte ngjarje historike për vendin tonë, tha presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq. "Të përkushtuar ndaj këtij qëllimi, kryeministri Millojko Spajiq dhe unë jemi unik dhe besoj se do të kemi sukses në këtë iniciativë të rëndësishme për Malin e Zi," shkroi Millatoviq në rrjetin X. Përkujtojmë se disa media raportuan se Jakov Millatoviq, së bashku me Millojko Spajiq, do t'i dorëzojnë presidentit Francez Emanuell Makron, iniciativën që në vitin e ardhshëm, në 20 vjetorit e Pavarësisë, të jenë nikoqir të Samitit në të cilin do të bashkoheshin 50 krerë shtetesh dhe qeverish evropiane.

Sergjio Matarella do të zhvillojë nesër vizitën zyrtare në Mal të Zi

Presidenti italian Sergjio Matarella do të zhvillojë nesër vizitë zyrtare në Mal të Zi, me ftesë të homologut të tij malazez, Jakov Millatoviq. Zyra e presidentit të Malit të Zi njoftoi se Mattarella do të pritet në Cetinë, me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake, e më pas do të zhvillojnë takime të drejpërdrejta. Në njoftim thuhet se vizita e presidentit të Italisë, të vendit anëtar të G7-ës, e që mbështet rrugën evropiane të Malit të Zi përmes nismës, “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, është sinjal i rëndësishëm pozitiv dhe mbështetje për përpjekjet e vendit në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2028. Millatoviq në kuadër të vizitës zyrtare të presidentit italian në Mal të Zi, do të marrë dekoratën më të lartë shtetërore të këtij vendi, Urdhrin e Kryqit të madh për merita.

Zyra e prokurorit- pritën rezultate konkrete në drejtësi

Zyra e Prokurorit të Mekanizmit Ndërkombëtar për Gjykatat Penale pret që në periudhën e ardhshme të jetë në gjendje të raportojë se po arrihen rezultate konkrete në drejtësi për krimet e luftës në Mal të Zi. Kështu thuhet në përshkrimin e vizitës së kryeprokurorit Serzh Bramerc në vend. Kryeprokurori i këtij Mekanizmit Ndërkombëtar, Serzh Bramerc, vizitoi Malin e Zi në muajin shtator. Prokurori, siç thuhet në raport, përshëndeti dinamikën e re në Mal të Zi në drejtim të vendosjes së drejtësisë për krimet e luftës dhe theksoi se tani ka pritje të mëdha për rezultate në hetime dhe ndjekje penale, duke shtuar se beson që këto pritje do të realizohen.

Ministri i Brendshëm Danilo Sharanoviq ka suspenduar oficerët e policisë Tamara Veljoviq dhe Veselin Boshkoviq për shkaqe sigurie

Ministri i Brendshëm Danilo Sharanoviq ka suspenduar oficerët e policisë Tamara Veljoviq dhe Veselin Boshkoviq për, siç është paralajmëruar, pengesat e sigurisë në punën e tyre të metejshme. Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) tha se ky dikaster qeveritar dhe Drejtoria e Policisë po vazhdojnë me vendosmëri zbatimin e mekanizmave të kontrollit në ministri, me qëllim të arritjes së integritetit të plotë të organit në tërësi. Thuhet se Sharanoviq i ka suspenduar Veljoviqin dhe Boshkoviqin në vazhdimësi të aktiviteteve për arritjen e besimit të plotë të opinjonit, por edhe dekriminalizimin e plotë të aparatit policor. Shtohet se dy policët i ka suspenduar me vendimin edhe të drejtorit të Administratës Policore, Llazar Shqepanoviq. “Për shkak të ekzistimit të pengesave të sigurisë për punën e mëtutjeshme në përputhje me nenin 162 të Ligjit për Punë të Brendshme, ministri ka nxjerrë vendime për suspendimin e policëve Tamara Veljoviq dhe Veselin Boshkoviq për shkelje të rëndë të detyrës zyrtare”, thuhet në komunikatë.

Kryesia e Forumit Shqiptar do të vendosë deri në fund të muajit nëse kjo aleancë politike do të mbetet në Qeverinë e Millojko Spajiq

Kryesia e Forumit Shqiptar do të vendosë deri në fund të muajit nëse kjo aleancë politike do të mbetet në Qeverinë e Millojko Spajiq apo do të largohet prej saj, tha kreu i Forumit, zëvendëskryeministri e ministri i Zhvillimit Ekonomik Nik Gjeloshaj. Shkak për këtë, siç thotë ai, janë vendimet e fundit të Qeverisë. Partitë shqiptare janë shprehur të pakënaqura për tenderin e shpallur për dhënien me qira të plazheve dhe se nga ky vendim, Ulqini do të jetë më i prekuri. Liderët e partive shqiptare kanë përkrahur protestën e tri shoqatave nga Ulqini pasi do të rriten në mënyrë drastike çmimet e lokaliteteve dhe objekteve. “Ne kemi marrëveshje që çdo vendim në lidhje me veprimet e mëtejshme politike të jetë unik në emër të dy subjekteve, Forumit Shqiptar dhe Unionit Demokratik Shqiptar, me qëllim të bashkimit dhe forcimit të faktorit shqiptar në skenën politike të Malit të Zi”, tha Gjeloshaj.

Gabasi - Gazetarët malazezë duhet të përmirësojnë vazhdimisht aftësitë e tyre të verifikimit të informacionit

Gazetarët malazezë duhet të përmirësojnë vazhdimisht aftësitë e tyre të verifikimit të informacionit, thuhet në doracakun "Çrregullimi i informacionit në raportimin mediatik".

Ky doracak u prezantua në një konferencë për shtyp nga anëtarët e Grupit Punues Teknik për Vetërregullim, të cilët edhe e pergatitën për publikimin. Zëvendës shefi i Misionit të OSBE-së në Mal të Zi, Giovanni Gabassi, tha se Grupi Teknik i Punës filloi punën në vitin 2017 dhe ishte një katalizator për bashkëpunimin ndërmjet organeve mediatike. "Misioni i është përkushtuar forcimit të mekanizmave vetërregullues në Mal të Zi," tha Gabasi. Siç tha ai në vazhdim, media është çelësi i raportimit të duhur. Gabasi tha se puna për një kod etik për gazetarët malazezë do të fillojë këtë vit. Kryeredaktori i Vijesti Mihailo Jovoviq tha se ky doracak është për ata që duan të kërkojnë të vërtetën.

Ish-lideri i Partisë Demokratike të Socialistëve, Millo Gjukanoviq, është zgjedhur kryetar nderi i PDS

Ish-lideri i Partisë Demokratike të Socialistëve, Millo Gjukanoviq, është zgjedhur kryetar nderi i kësaj partie. Kështu u vendos në Kongresin e dhjetë të PDS-së, i cili u mbajt dje në Qendrën Universitare Sportive e Kulturore në Podgoricë. Presidenti i Partisë Demokratike të Socialistëve, Danijell Zhivkoviq, në konferencën për gazetarët pas Kongresit deklaroi se ata e kanë "institucionalizuar institutin e ri të kryetarit të nderit" dhe paralajmëroi zgjedhjen e Këshillit të ri qendror dhe anëtarëve të ri të kryesisë së kësaj partie.

Në 17-vjetorin e pavarësisë kujtohet sakrifica e popullit për liri

Kosova shënon sot 17-vjetorin e pavarësisë së saj, të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008. Qeveria e vendit mbajti një mbledhje festive, në të cilën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shprehu mirënjohje dhe nderime për "të gjithë ata që u sakrifikuan dhe u flijuan" për lirinë. "Liria për të cilën kemi sakrifikuar kaq shumë, kërkon demokraci, e cila mundëson që të dëgjohet zëri i popullit dhe të mbrohen të drejtat e qytetarëve", tha Kurti. Sipas tij, Republika e Kosovës "sot është më e fortë dhe më vitale se kurrë më parë - jo vetëm se kemi investuar në siguri dhe në mbrojtje, por sepse kemi forcuar institucionet demokratike dhe kemi normalizuar funksionimin e tyre".  tha Kurti. Duke iu drejtuar gazetarëve pas ngritjes solemne të flamurit të Kosovës, pranë ndërtesave të Qeverisë dhe Kuvendit, presidentja Vjosa Osmani tha se kjo ditë kujton "sakrificën shekullore të popullit" për lirinë dhe pavarësinë. "Do të ecim përpara, sepse nuk ka asgjë që mund ta ndalë Republikën tonë të lirë, të pavarur, sovrane dhe të përjetshme", tha Osmani. Gjatë ditës në sheshet e Prishtinës parakalauan edhe trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Një ditë më herët, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se ka pranuar një mesazh urimi për përvjetorin e pavarësisë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Aty thuhet se Trump e “përgëzon popullin e Kosovës për rrugëtimin drejt pavarësisë” dhe vë në pah “qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë që e kanë shoqëruar këtë proces”. Shtatëmbëdhjetëvjetori i pavarësisë e gjen Kosovën si shtet të njohur nga rreth 117 vende të botës. Vendi është pjesë e disa organizatave ndërkombëtare, si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit. Por, nuk është ende në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës.

Liderët botërorë urojnë Kosovën në 17-vjetorin e pavarësisë

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, uroi Kosovën me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Në mesazhin e tij thuhet se Shtetet e Bashkuara “e kanë mbështetur me krenari rrugëtimin e Kosovës për t’u bërë një vend sovran, demokratik, multietnik dhe i begatshëm”. “Paqja rajonale, siguria dhe zhvillimi ekonomik mbeten thelbësore për prosperitetin e qëndrueshëm të Kosovës”, thuhet në mesazhin e sekretarit Rubio. Një ditë më herët, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se ka pranuar një mesazh urimi edhe nga presidenti amerikan, Donald Trump. Kosovën e uroi edhe presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, duke rikujtuar se shteti i tij, në shkurt të vitit 2008, ishte ndër vendet e para që njohu shtetësinë e saj. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se “përballë çrregullimeve dhe fragmentimit të botës, perspektiva evropiane e Kosovës, si dhe të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, duhet të rikonfirmohet”. "Franca mbetet një aleate e përkushtuar e Kosovës dhe do të vazhdojë ta mbështesë stabilitetin, zhvillimin dhe perspektivën evropiane të saj”, thuhet në mesazhin e presidentit Macron.Në mesazhin e presidentit të Italisë, Sergio Mattarella, thuhet se vendi i tij “mbetet një partner i përkushtuar i Kosovës” dhe se ai mbështet “përparimin e saj drejt integrimit euroatlantik dhe fuqizimin e demokracisë dhe stabilitetit në rajon”.“Jam shumë i kënaqur që shtetet tona ndajnë lidhje kaq të forta dhe pres ta forcojmë më tej miqësinë tonë”, tha në mesazhin e tij të urimit mbreti britanik, Charles III.

Liderët evropianë mblidhen në takim urgjent për Ukrainën

Udhëheqësit evropianë mblidhen sot në një takim urgjent për të diskutuar luftën trevjeçare të Rusisë kundër Ukrainës. Takimi në Paris vjen në përgjigje të shqetësimeve se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia do ta negociojnë vetë fundin e luftës, duke lënë mënjanë Ukrainën dhe aleatët e saj evropianë. Udhëheqësit evropianë pritet të prezantojnë një front të bashkuar dhe të diskutojnë propozime të reja për mbështetjen e Ukrainës dhe forcimin e sigurisë evropiane. “Duket se është një grup i vendeve të BE-së që e kanë të qartë se nuk do të jenë pjesë e një marrëveshjeje të projektuar keq dhe të nxituar nga presidenti amerikan, Donald Trump, dhe që janë të përqendruara në vazhdimin e mbështetjes së tyre për Ukrainën”, thotë Majda Ruge, bashkëpunëtore e lartë në Këshillin Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, me qendër në Berlin. Shqetësimet në Evropë u rritën pasi Keith Kellogg, i dërguari i Trumpit për Ukrainën dhe Rusinë, tha më 15 shkurt se Evropa nuk do të përfshihet drejtpërdrejt në bisedimet e paqes. Në të njëjtën ditë u bë e ditur se zyrtarët amerikanë dhe rusë do të takohen këtë javë në Arabinë Saudite, për të filluar bisedimet për përfundimin e luftës - pa vetë Ukrainën. Megjithatë, Trump tha më 16 shkurt se presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, “do të përfshihet” në bisedimet për paqe. Vetëm disa ditë më parë, ndërkaq, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha se Uashingtoni nuk është më “i fokusuar në radhë të parë” në sigurinë e Evropës.Këto deklarata shkaktuan alarm dhe bënë që liderët evropianë të kërkojnë përgjigje ndaj asaj që e shohin si qasje të njëanshme të Uashingtonit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Zyrtarët evropianë paralajmëruan se një marrëveshje paqeje ose armëpushimi e dakorduar me nxitim, do të minonte Ukrainën dhe sigurinë më të gjerë evropiane. Evropa është mbështetësja më e madhe financiare e Ukrainës.

Trump: Zelensky “do të përfshihet” në bisedimet për paqe

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, “do të përfshihet” në negociatat për t’i dhënë fund pushtimit të vendit të tij nga Rusia, ndërsa shtoi se “shumë shpejt” mund të takohet edhe me liderin rus, Vladimir Putin.“Nuk ka kohë të caktuar, por mund të ndodhë shumë shpejt”, u tha Trump gazetarëve në bordin e aeroplanit Air Force One. “Unë mendoj se ai dëshiron t’i japë fund luftës. Ata duan ta përfundojnë shpejt. Të dy,  edhe Zelensky”, tha Trump më 16 shkurt. Duke iu drejtuar gazetarëve në të njëjtën ditë, në një ngjarje sportive në Floridë, Trump tha se Zelensky “do të përfshihet” në bisedimet për paqe. Javën e kaluar kishte shqetësime se Uashingtoni do të mund të arrinte marrëveshje me Rusinë, duke anashkaluar Kievin dhe Evropën. Bloomberg, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar, raportoi më 16 shkurt se Trump dëshiron të sigurojë një armëpushim deri në Festën e Pashkëve, e cila bie më 20 prill të këtij viti.

Rubio në Izrael, thotë se Hamasi duhet të “shfaroset”

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka thënë dje se i mbështet plotësisht synimet e Izraelit në luftën e tij në Rripin e Gazës, duke thënë se Hamasi “duhet të shfaroset patjetër”. Hamasi është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Rubio u takua me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, në Jerusalem, në fillim të turneut të tij në Lindjen e Mesme, ku ka shumë mundësi të përballet me kundërshtime nga liderët arabë lidhur me planin e presidentit Donald Trump për ta zhvendosur popullsinë palestineze jashtë Rripit të Gazës dhe për ta rindërtuar enklavën palestineze duke e vendosur nën pronësi amerikane. Netanyahu e ka mirëpritur planin dhe tha se ai dhe Trump kanë "strategji të përbashkët" për të ardhmen e Gazës. Duke iu bërë jehonë fjalëve të Trumpit, Netanyahu tha se "dyert e ferrit do të hapen" nëse Hamas nuk i liron dhjetëra pengje të mbetura në Gazë, që ishin rrëmbyer gjatë sulmit të 7 tetorit 2023, i cili e shkaktoi luftën.

I dyshuari për sulmin vdekjeprurës në Austri kishte “motive ekstremiste islamike”, thonë autoritetet

Autoritetet austriake kanë thënë dje se burri i dyshuar për vrasjen e një djali 14-vjeçar dhe plagosjen e pesë njerëzve të tjerë një ditë më herët, ishte i nxitur nga “terrorizmi islamik”. I dyshuari, një sirian 23-vjeçar, u arrestua pasi e kreu sulmin me thikë në pikë të ditës në qytetin jugor Fillak. Ministri i Brendshëm i Austrisë, Gerhard Karner, tha  se ndjeu “zemërim ndaj sulmuesit islamist, i cili i theri me thikë njerëzit e pafajshëm këtu, në këtë qytet”. Karner tha për gazetarë në Fillak se sulmuesi kishte lidhje me grupin Shteti Islamik dhe se ishte radikalizuar në internet brenda një kohë shumë të shkurtër. Guvernatori i landit, Peter Kaiser, e falënderoi një burrë 42-vjeçar, i cili është sirian gjithashtu, për parandalimin e përkeqësimit të situatës pasi ai e ndali të dyshuarin gjatë sulmit. "Kjo tregon se sa ngushtë mund të bashkohen e keqja terroriste dhe mirësia njerëzore brenda të së njëjtës kombësi", tha ai. Ky është sulmi i dytë vdekjeprurës xhihadist në Austri në vitet e fundit.

Në Istog në mënyrë solemne u festua 17 vjetori i pavarësisë së Kosovës

Organizator të këtij manifestimi madhor ishin Televizioni Fontana nga Istoku , Shoqata Aleksnader Mojsiu nga Peja, shoqata Kosovë Malësi e Madhe Martin Dreshaj si dhe ansambli autokton Rugova. I tërë programi manifestiv i kësaj mbrëmje fillojë me intonimin e hymnave të Shqipërisë dhe Kosovës. Pas kësaj para se të fillojë programi i paraparë u dha një minut heshtje për gjithë dëshmorët e Kosovës që flijuanë jetën e tyre për lirinë e Kosovës. Pastaj programit i parapriu recitali i artistit Isuf Ibrahimaj kushtuar plisit të bardhë atyre që e mbajtën mbi kokë dhe të cilët u flijuan për pavarësinë e Kosovës. Kurse në vazhdim ishin fjalët përshëndetëse të mysafirëve të kësaj mbrëmje nga Malësia e Madhe dhe nga Malësia e Rozhajës Gjergj Camaj, Marash Dedvukaj, Ali Daci dhe Haxhi Lajçi, Të pranishmit i përshëndeti edhe profesori i historisë nga Istogu Isuf Mavraj si dhe pronari i televizionit Fontana Zeqir Mehmetaj. Në këtë mbrëmje nuk munguan as artistë të tjerë të shumtë, poet, shkrimtar, heronjë të gjallë nga lufta dhe aktivistë të shumtë nga disa qytetet të Kosovës, siç janë Prishtina, Peja , Gjakova, Drenica, Ferizaj dhe vendet e tjera nga rrafshi i Dukagjinit. Në këtë mbrëmje me program festiv interesantë dhe të larmishëm organizatori ndau edhe disa mirënjohje përfaqësueseve nga Malësia dhe Rozhaja për kontributin e tyre të dhënë gjatë viteve 1998-99 për popullatën e përndjekur nga Kosova dhe angazhimin e tyre në ruajtjen e vlerave kombëtare. Mirënjohet  iu ndanë personave nga Malësia Gjergj Camaj, Marash Dedvukaj dhe Zef Dedvukaj si dhe se mirënjohje pas vdekjes për Xhemal Nikaj. Mirënjohjet u ndanë edhe për aktivistët e pa lodhur nga Rozhaja Ali Daci dhe Haxhi Lajçi. Kurse krejt programi argëtues i kësaj mbrëmje ishte rezervuar për vëllezërit Besim dhe Sherif Zabeli nga Peja dhe këngëtarit Afrim Uka. Në fund ju njoftojmë se materialin më të zgjeruar lidhur me këtë manifestim do ta japim ditën e shtunë në emisionin tonë  ,,Në fund të javës,,. Pra lidhur me këtë festim të 17 vjetorit përveç tjerash do të dëgjoni edhe intervistën që zhvilluam me njërin nga organizatorët kryesor të kësaj mbrëmje Ziqir Mehmetaj.

Për nesër paralajmërohet të mbajë mot i ndryshueshëm

Në Mal të Zi sot mbajti mot kryesisht i vranët por i thatë. Fryn erë e dobët deri mesatare nga drejtimet e ndryshme, vende vende deri e fortë nga drejtimet e veriut. Temperaturat në orën 13 u shënuan: në Herceg Novi 16 gradë, Tivar e Budvë 14, Podgoricë e Ulqin 11, Nikshiq 7, Cetinë 5, Beranë e Bijello Pole 1, në Rozhajë, Guci, Kollashin e Plevle -1 dhe në Zhablak -5 gradë.   

                Për nesër paralajmërohet të mbajë mot i ndryshueshëm, pasdite me intervale më të gjata me diell. Në veri deri krejt i vranët. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimet e ndryshme, në mbrëmje e fortë nga drejtimet e verilindjes. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej -10 deri në 6, kurse më e larta e ditës -3 deri në 14 gradë celsius.

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се