Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

23. 01. 2025. 00:00 >> 17:32

Ditari 23.01.2025

Ditarin e përgatiti Marash Dedvukaj

Një person e ka humbur jetën, kurse një tjetër është lënduar në aksidentin automobilistik në rrugën Podgoricë Cetinë

Një person e ka humbur jetën, kurse një tjetër është lënduar në aksidentin automobilistik që ka ndodhur herët në mëngjes në rrugën kryesore Podgoricë-Cetinë, ka bërë të ditur Qendra Operacionale dhe Komunikuese e Drejtorisë së Policisë. Aksidenti ka ndodhur në orën 5 e 14 minuta në Barutanë, ku është përfshirë një automjet. Ky është aksidenti i dytë pasoja fatale brenda pak orësh. Mbrëmë e ka humbur jetën 19-vjeçari me inicialet A.L, ndërsa bashkudhëtari i tij ka mbetur i lënduar në një aksident në Rozhajë. I lënduari është transportuar në Qendrën Spitalore Klinike në Beran, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

 

Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Andria Mandiq, ka ftuar në takim përfaqësuesit e opozitës

Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Andria Mandiq, ka ftuar në takim përfaqësuesit e opozitës, është konfirmuar për Televizionin e Malit të Zi.

Takimi është menduar të mbahej sot në parlament, kurse tema do të ishte modelet për tejkalimin e krizës së shkaktuar nga bllokada e Kuvendit. Mirëpo, nga parlamenti është bërë me dije për Portalin e Radiotelevizionit të Malit të Zi se nuk kanë marrë përgjigje nga opozita dhe se, siç janë gjërat tani, nuk do të ketë takim.

 

Përfaqësuesit e grupit joformal të studentëve "KAMO SHUTRA?" i kanë dorëzuar kërkesat kryeministrit të Malit të Zi Millojko Spajiq

Përfaqësuesit e grupit joformal të studentëve "KAMO SHUTRA?" i kanë dorëzuar kërkesat kryeministrit të Malit të Zi Millojko Spajiq, duke  theksuar se lidhur me to presin prononcimin e tij për medie më 1 shkurt. Studentët parashtruan kërkesat që i kishin shpallur më herët, si dhe kërkojnë që kryeministri të informojë publikun se çfarë është bërë që nga 1 janari i vitit 2025 për të përmirësuar sigurinë e të gjithë qytetarëve.

 

Spajiq - Sundimi i ligjit është baza për përparimin e mëtejshëm të Malit të Zi

Sundimi i ligjit është baza për përparimin e mëtejshëm të Malit të Zi në negociatat për anëtarësim, rritjen ekonomike dhe cilësinë e jetës së qytetarëve të tij, dhe për këtë arsye mbetet prioritet i Qeverisë, tha kryeministri Millojko Spajiq. Ai këtë e tha në një takim me Komisionarin për Demokraci, Drejtësi dhe Sundim të Ligjit, Mishel Mekgrat. Mekgrat vlerësoi përparimin e bërë deri më tani në kapitujt 23 dhe 24 dhe marrjen e Raportit të Përkohshëm të Zbatimit të Standardeve -IBAR, por puna intensive për reformat e mëtejshme duhet të vazhdojë, thuhet në kumtesën e Qeverisë. Spajiq ka bërë me dije se prioritet i Qeverisë është sundimi i ligjit. Kemi festuar marrjen e IBAR-it, por jam i sigurt se kjo nuk do të jetë hera e fundit që festojmë konfirmimin se kemi bërë përparim në fushën e sundimit të ligjit, tha Spajiq. Ai ka thënë se Mali i Zi dëshiron të shfrytëzojë momentin dhe të vazhdojë të punojë në këtë front. Dhe jam i sigurt se do ia dalim, sepse ka vullnet të madh politik për këtë, ka shtuar Spajiq.

 

Sot është 19-vjetori i tragjedisë së Bioçës, në të cilën e humbën jetën 47 persona dhe u plagosën më shumë se 200 të tjerë

Sot është 19-vjetori i tragjedisë së Bioçës, në të cilën e humbën jetën 47 persona dhe u plagosën më shumë se 200 të tjerë. Aksidenti ndodhi kur një tren elektrik lokal, që udhëtonte nga Bjello Pola për në Tivar, pranë vendbanimit Bioçe, doli nga shinat në dalje të tunelit dhe të katër vagonët ranë në humnerë. Në tren kishte një numër të madh fëmijësh, të cilët kryesisht ktheheshin nga skijimi, kështu që në mesin e të plagosurve ishin më shumë se njëqind persona nën moshën 16 vjeçare. Për shkak të aksidentit në afërsi të Biocës, makinisti Sllobodan Drobnjak është dënuar me gjashtë vjet burg, ndërsa 11 punëtorë të Hekurudhës u liruan nga përgjegjësia.

 

Sot është dita e gazetarëve të Malit të Zi

Sot është dita e gazetarëve të Malit të Zi. Në këtë ditë  përkujtohet 23 janari i vitit 1871, kur doli numri i parë i gazetës Crnogorac. Gazetarja Milla Raduloviq thotë se punëtorët e medieve e nisin ditën me paga të ulëta. Ajo thekson se nuk mund të jetë optimiste se diçka do të ndryshojë së shpejti. Gazetarët rëndohen gjithnjë e më shumë në shumicën e redaksive, sidomos në ato private, ku nuk ka kontrata kolektive, asgjë nuk i mbron, përveç vullnetit të mirë të punëdhënësit dhe njëfarë rreziku që mund të shkojnë në gjykatë, tha Radulloviq duke shtuar se nuk ka vend për optimizëm.

 

Kryeministri Millojko Spajiq ka uruar ditën e gazetarit

Kryeministri Millojko Spajiq ka uruar ditën e gazetarit. Në një deklaratë nga zyra e tij thuhet se gazetarët japin një kontribut të paçmuar në zhvillimin demokratik të shoqërisë. Siç theksohet, në një kohë të sfidave në rritje, kur lajmet e rreme po përhapen më shpejt se kurrë dhe kur të gjitha subjektet me përgjegjësi shoqërore pritet të jenë të informuara, transparente dhe operacionale, profesionalizmi dhe etika e gazetarëve luajnë një rol kyç.

 

Tamara Vujoviq - Besimi në mediat kryesore është rrënuar dukshëm

Besimi në mediat kryesore është rrënuar dhe shembuj të shumtë tregojnë se me gjithë reputacionin që kanë shumica prej tyre nuk kanë arritur të ruajnë besimin dhe raportimin etik, gjë që i shtyn qytetarët të kërkojnë informacion nga burime alternative, vlerësoi ministrja e Kulturës dhe Mediave Tamara Vujoviq. Në konferencën “Media në Mal të Zi – Arritjet dhe Sfidat”, ajo tha se është e nevojshme të investohet në forcimin e kapaciteteve për njohjen dhe luftimin e narrativave manipuluese, duke respektuar në të njëjtën kohë në vazhdimësi lirinë e fjalës dhe të drejtat e medias. Vujoviq deklaroi se indeksi i sigurisë së gazetarëve në Mal të Zi ka shënuar një rënie të lehtë nga 3.35 në 3.33, raporton qendra PR. “Sulmi fizik ndaj Ana Raiçeviqit ishte veçanërisht i rëndë, sikurse edhe kërcënimet ndaj Dragana Shqepanoviqit, gjë që çoi në një reagim të shpejtë dhe ndjekje penale të autorëve”, tha Vujovic në një konferencë të organizuar nga Ministria e Kulturës dhe Medias me rastin e Ditës  së Gazetarëve të Malit të Zi. Puna e gazetarëve, siç theksoi ajo, është themeli i demokracisë, pasi u mundëson qytetarëve të informohen në kohë dhe objektivisht dhe të marrin vendime  të duhura. Është përgjegjësia jonë, si Ministri dhe institucion, t'ju mbrojmë dhe t'ju ofrojmë kushte për punë të lirë dhe dinjitoze. “E drejta e qytetarëve për të ditur dhe e drejta juaj për punë të sigurt janë pikërisht kriteret me të cilat vlerësohen të drejtat themelore në kapitujt 23 dhe 24”, tha Vujoviq.

 

Mbrojtësi i të Drejtave dhe Lirive të Njeriut uroi ditën e gazetarëve malazezë

Mbrojtësi i të Drejtave dhe Lirive të Njeriut uroi ditën e gazetarëve malazezë dhe bëri thirrje për respekt më të madh për punën e tyre dhe vlerësoi kontributin që ata japin në demokratizimin e shoqërisë. “Duke ofruar raportim profesional për problemet që hasin qytetarët në jetën e tyre të përditshme, si dhe duke ndihmuar në zbardhjen e krimeve të rënda, duke respektuar prezumimin e pafajësisë, puna e gazetarëve jep një kontribut të rëndësishëm në klimën e përgjithshme të arritjes së shtetit ligjor dhe të drejtat dhe liritë e njeriut”, njoftohet nga  institucioni i Mbrojtësit. “Kjo është veçanërisht e vërtetë duke pasur parasysh faktin se sulmet e ndryshme ndaj gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të mediave vazhdojnë të ndodhin çdo vit. “Dhe vetëm një sulm apo kërcënim është i mjaftueshëm për të na kujtuar se kushtet për funksionimin e mediave mbeten të brishta dhe të ndjeshme, pavarësisht progresit të bërë”, thuhet në deklaratë.

 

Presidenca: Asnjë nga vendimet e deritanishme të Trumpit nuk e afektojnë negativisht Kosovën

Presidenca e Kosovës tha se i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, ka konfirmuar se asnjë nga vendimet e deritanishme të presidentit amerikan, Donald Trump, “tani për tani, nuk e afektojnë negativisht Kosovën”. Këshilltari për media i presidentes të Kosovës, Vjosa Osmani, Bekim Kupina, tha për Radion Evropa e Lirë se këtë konfirmim Kasanof e ka bërë gjatë takimit që ka pasur në Uashington me shefen e stafit të Osmanit, Learta Hollaj. Kjo deklaratë nga Presidenca e Kosovës vjen pasi Trump në ditën kur mori mandatin e presidentit nënshkroi një urdhër ekzekutiv që pezullon përkohësisht të gjitha programet e ndihmës ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara për 90 ditë, derisa të shqyrtohen nëse ato janë në përputhje me objektivat e tij politik.

 

Kosova nënshkruan Marrëveshje për Tregti të Lirë me EFTA-n

Kosova ka nënshkruar Marrëveshje për Tregti të Lirë me shtetet e Asociacionit Evropian për Tregti të Lirë (EFTA), ku bëjnë pjesë Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra. Në ceremoninë e nënshkrimit në Davos të Zvicrës, anëtarët e EFTA-s dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thanë se kjo marrëveshje do të sjellë përfitime të dyanshme. Marrëveshja ofron mundësi të shumta, përfshirë për importimin dhe eksportimin e mallrave. Produktet me origjinë nga Kosova do të mund të eksprotohen në vendet e EFTA-s dhe kompanitë vendore nuk do të kenë nevojë që të paguajnë tarifë doganore për to. Deri më tani, prodhuesit vendorë janë detyruar që të paguajë deri në 10 për qind tarifë shtesë doganore. Marrëveshja u arrit pas më shumë se dy vjetësh negociata dhe sipas kryesueses së EFTA-s, Cecilie Myrseth, Kosova është vendi i parë në rajonin e Ballkanit Perëndimor që në këtë marrëveshje, me kërkesë të saj, ka përfshirë edhe shërbimet. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se me këtë marrëveshje hapet kapitulli i përforcimit i raporteve ekonomike, por edhe i avancimit të raporteve tregtare mes shtetit të tij dhe anëtarëve të EFTA-s.

 

Përmbyllen aktivitetet e Shtëpisë së Kosovës në Davos

Aktivitetet e Shtëpisë së Kosovës në Davos në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror, janë  përmbyllë mbrëmë me ‘Natën e Kosovës’. Të pranishmëve iu është drejtua kryeministri Albin Kurti, në mesin e të cilëve ishte prezent edhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Kroacisë, Gordan Grlić Radman. ”Këto ditë ne kemi mirëpritur qindra vizitorë, mes tyre politikanë, diplomatë dhe drejtorë ekzekutivë e zyrtarë të biznesit, aktivistë nga shoqëria civile dhe qytetarë e sipërmarrës të diasporës sonë. Kjo përpjekje e madhe u bë e mundur përmes një pune ekipore që ka punuar pa u lodhur për ta realizuar këtë. Kjo nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen, kontributin dhe ndihmën tuaj dhe ky është një falënderim i madh dhe një shenjë vlerësimi për punën tuaj të palodhur që keni bërë për shumë muaj”, tha Kurti, njoftoi Kryeministria.

 

Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, dëshmon Clarke

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sipas kalendarit sot  vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.Në gjykimin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ka nisur dëshmin të mërkurën eksperti i mjekësisë ligjore, John Clarke, i cili vazhdon edhe sot. Ai ka përshkruar viktimat që Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka prezantuar me fotografi.Për disa viktima të shfaqura në ekran, nga Prokuroria, Clarke ka theksuar se kanë vdekur nga plumbi e disa të tjera janë goditur me instrumente të ndryshme që kanë shkaktuar mavijosje.Pas prokurorisë, pyetjet ndaj dëshmitarit i ka vazhduar mbrojtja e Kadri Veselit.

 

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kaluar për gjykim dosjen e koncesionit të Sterilizimit

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kaluar për gjykim dosjen e koncesionit të Sterilizimit pasi gjykata rëndoi pozitën e ish-ministrit të Shëndetësisë së Shqipërisë, Ilir Beqaj, ish-zëvendësministrit Klodian Rrjepaj dhe biznesmenit Ilir Rrapaj. Në seancën e sotme është rrëzuar kërkesa e Beqajt për përjashtimin e gjyqtares Flojera Davidhi. Ish-ministri i shëndetësisë kërkoi përjashtimin e saj me argumentin se Davidhi nuk pranoi arsyetonte vendimin për rëndimin e akuzës në vjedhje duke shpërdoruar detyrën në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Beqaj ka kërkuar gjykim të zakonshëm duke pretenduar se gjatë procesit do ta rrezojë këtë akuzë. Ish-ministri ka hedhur poshtë akuzat duke i cilësuar si tendencioze. Beqaj deklaroi se nuk bie pre e presionit të gjykimit të shkurtuar për te mos hapur provat një më një.

 

Zelensky: 200 mijë trupa paqeruajtëse do të nevojiteshin për mbështetjen e armëpushimit

Derisa presidenti amerikan, Donald Trump, është duke i shpeshtuar thirrjet për një marrëveshje paqeje në Ukrainë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky paraqiti një ide për një forcë paqeruajtëse evropiane me 200.000 trupa. I pyetur gjatë një panel diskutimi për numrin e një force paqeruajtëse për ta garantuar një marrëveshje armëpushimi me Rusinë në të ardhmen, Zelensky tha: “Nga të gjithë evropianët? Të paktën 200.000 trupa. Ky është minimumi, përndryshe është e kotë”. Zelensky, duke folur në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, tha se një forcë e tillë paqeruajtëse do të ishte vetëm njëra nga pjesët e garancive të përgjithshme të sigurisë që do t’i nevojiteshin Kievit, në rast se fillojnë bisedimet për armëpushim me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Më herët, Zelensky tha për Bloomberg News se për të qenë efektive një forcë paqeruajtëse, pjesë e saj duhet të jenë patjetër edhe trupat amerikane. “Nuk mund të jetë pa Shtetet e Bashkuara”, tha ai për Bloomberg. "Së pari, askush nuk do të rrezikojë pa Shtetet e Bashkuara. Së dyti, kjo mund ta ndajë NATO-n, t’i ndajë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Është ëndërr e Putinit ta ndajë këtë aleancë", shtoi ai.

 

Rutte thotë se fitorja e Rusisë në Ukrainë do të sillte pasoja të mëdha për NATO-n

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha sot se një fitore e Rusisë kundër Ukrainës do ta minonte fuqinë parandaluese të aleancës më të madhe ushtarake në botë dhe do t’i kushtonte asaj triliona euro për ta rikthyer besueshmërinë. NATO-ja është duke e rritur praninë përgjatë krahut lindor me Rusinë, Bjellorusinë dhe Ukrainës, pasi i ka dërguar atje mijëra trupa dhe pajisje për ta frenuar Moskën nga përhapje e luftës së saj edhe në territoret e ndonjërit prej 32 anëtarëve të aleancës. “Nëse Ukraina humb, atëherë për ta rikthyer fuqinë frenuese të pjesës tjetër të NATO-s, çmimi do të jetë shumë më i lartë sesa ai që po e shqyrtojmë në këtë kohë në lidhje me rritjen e shpenzimeve dhe të prodhimit tonë industrial”, tha Rutte. “Nuk do të jenë miliarda shtesë; do të jenë triliona shtesë”, shtoi ai, duke folur në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës. Rutte nguli këmbë se mbështetësit perëndimorë të Ukrainës duhet “të rrisin, e jo ta zvogëlojnë mbështetjen” që janë duke ia dhënë asaj, pothuajse tre vjet pas fillimit të pushtimit të plotë nga Rusia.

 

Trump kërcënon BE-në dhe Kinën me tarifa nga 1 shkurti

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Turmp, është zotuar se do të vendosë tarifa ndaj Bashkimit Evropian dhe Kinës. Ai ka thënë se administrata e tij po shqyrton një tarifë ndëshkuese prej 10 për qind ndaj importeve kineze, sepse fentanili po dërgohet nga Kina në SHBA përmes Meksikës dhe Kanadasë. Trump bëri kërcënimet e tij të fundit për tarifa para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, një ditë pasi mori pushtetin pa vendosur menjëherë tarifa, siç kishte premtuar gjatë fushatës zgjedhore, raporton Reuters. Tregjet financiare dhe grupet tregtare shijuan përkohësisht qetësinë por komentet e tij të fundit theksuan dëshirën e kamotshme të Trumpit për tarifa më të gjera dhe një afat të ri – 1 shkurt – për tarifa prej 25 për qind ndaj Kanadasë dhe Meksikës, si dhe tarifa ndaj Kinës dhe BE-së. Presidenti amerikan ka thënë se BE-ja dhe vendet e tjera kanë, po ashtu, tregti të çekuilibruar dhe shqetësuese me SHBA-në. “Bashkimi Evropian është shumë i keq me ne”, është shprehur Trump, duke përsëritur disa komente. “Do të ketë tarifa për ta dhe kjo është e vetmja mënyrë, ka theksua Tramp.

 

Pentagoni do të dërgojë 1.500 trupa aktive në kufirin me Meksikën, thonë zyrtarët  

Pentagoni në ditët në vijim do të nisë dislokimin e deri në 1.500 trupave aktive për të ndihmuar në sigurinë e kufirit jugor, thanë zyrtarët amerikanë. Ky vendim është në kuadër të zbatimit të planeve që presidenti Donald Trump i ka shpalosur në urdhrat ekzekutivë të nënshkruar pasi mori detyrën, që synojnë të luftojnë imigrimin e paligjshëm. Sekretari në detyrë i Mbrojtjes, Robert Salesses, pritet të nënshkruajë urdhra për dislokimin e ushtarëve, por ende është e paqartë se kur ushtarët do të dislokoheshin dhe nëse numri i përgjithshëm i tyre mund të ndryshojë. Zyrtarët që njoftuan për këtë çështje folën në kushte anonimiteti, për shkak se njoftimi për dislokimin e ushtarëve ende nuk është bërë publik, raporton AP. Forcat aktive do t’iu bashkoheshin afër 2.500 pjesëtarëve të Gardës Kombëtare amerikane dhe Forcave Rezervë që aktualisht gjenden në kufirin mes SHBA-së dhe Meksikës. Në kufi aktualisht nuk ka trupa aktive. Forcat pritet të përdoren për të mbështetur agjentët e patrullimit kufitar, me logjistikë, transport dhe ndërtimin e barrierave. Ata kanë bërë detyra të ngjashme në të kaluarën, kur Trump dhe ish-presidenti Joe Biden, kishin dërguar trupa aktive në kufi. Sipas ligjit në SHBA, trupave u ndalohet që të kryejnë detyrat e organeve ligjzbatuese në kufi, por kjo mund të ndryshojë. Përmes urdhrave ekzekutivë, Trump ka udhëzuar sekretarët e ardhshëm të Mbrojtjes dhe të Brendshëm që të raportojnë brenda 90 ditësh nëse ata mendojnë se ligji i vitit 1807 duhet të shfuqizohet. Nëse ndodh kështu, atëherë trupat mund të përdoren për detyra civile të organeve të zbatimit të ligjit në tokën amerikane.

 

Doli numri i ri i gazetës Koha javore

Doli numri i ri i gazetës Koha javore. Në numrin e ri të kësaj të përjavshme mund të lexoni: Opinionin me titull “Epoka e dytë TRAMP”, pastaj Intervistën me ish-diplomatin Avni Spahiu, ambasador i parë i Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bisedën me ministrin e Administratës Publike, Marash Dukaj. Në rubrikën “Arkeologji” – Zbulimi i gurit të “çuditshëm” në Shas me fytyrën e njeriut të skalitur, pastaj Takim në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Ulqin - Qeveria e Shqipërisë, donacion 50 mijë euro për Librarinë “Ulqini”, dhe artikuj të tjerë me interes për publikun.

 

Neser mot i ngjashëm me të sotmin

Sot në Mal të Zi ka mbajt mot kryesisht i vranët dhe vende vende me reshje të dobëta të shiut. Frynë erë e dobët deri e mesme nga drejtimet e ndryshme. Temperaturat në orën 13: Tivar, Budvë e Beranë 12 g, Andrievicë 11, Herceg Novi e Ulqin 10, Podgoricë, Plevle e Rozhajë 9, Plluzhinë 7, Nikshiq, Cetinë e Bjello Pole 6, Zhablak, Kollashin e Guci 5 dhe në Shavnik 4 g. Për nesër pritet mot me vranësira mesatare deri në plotësisht i vranët, vende-vende edhe me reshje shiu. Nga mesi i ditës në shumicën e zonave pritet ndërprerje e reshjeve dhe kthjellim i pjesshëm. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtime të ndryshme, në veri gjatë mëngjesit, herë pas here deri e fortë nga jugu. Temperatura e mëngjesit nga 2 deri në 10, kurse më e larta ditore nga 7 deri në 18 gradë.

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се