Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

13. 01. 2025. 00:00 >> 19:12

Ditari 13.01.2025

Ditarin e përgatiti Marash Dedvukaj

Ish-inspektori i përgjithshëm i Agjencisë së Sigurisë Nacionale, Artan Kurti rikthehet në këtë detyrë

Ish-inspektori i përgjithshëm i Agjencisë së Sigurisë Nacionale, Artan Kurti, me vendim të Qeverisë të marrë në një seancë telefonike, në përputhje me vendimin e Gjykatës Administrative, sot rikthehet në këtë detyrë. Lidhur me këtë, Qeveria ka miratuar Vendimin për shkarkimin e Inspektorit të Përgjithshëm të Agjencisë për Siguri Nacionale, Predrag Buriq dhe ngarkoi ushtruesin e detyrës së  Drejtorit të Agjencisë së Sigurisë Nacionale t’i dërgojë kërkesë Drejtorisë së Mbrojtjes së të Dhënave të Klasifikuara për marrjen e lejes për qasje në të dhëna të klasifikuara për Inspektorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Sigurisë Nacionale, Artan Kurti.

Njëzetetrevjeçari me inicialet A.B. nuk u ka mbijetuar lëndimeve të marra mbrëmë në një aksident trafiku në Dinoshë

Njëzetetrevjeçari me inicialet A.B. nuk u ka mbijetuar lëndimeve të marra mbrëmë në një aksident trafiku në Dinoshë, është bërë me dije nga policia. Aksidenti ka ndodhur kur drejtuesi i mjetit ka përplasur makinën e tij në një shtyllë betoni për shkaqe ende të panjohura. I lënduari është transportuar në Qendrën Emergjente të Qendrës Klinike të Malit të Zi por, përkundër përpjekjeve të mjekëve, nuk u mbijetoi plagëve të marra. A.B. ishte i vetëm në automjetin e markës golf, me targa PG  LC 516.

Kryeparlamentari Andrija Mandiq ka caktuar një seancë të posaçme parlamentare për ditën e enjt 

Kryeparlamentari Andrija Mandiq ka caktuar një seancë të posaçme parlamentare për ditën e enjte, ku në rend dite do të ketë fjalimin e Komisioneres për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Marta Kos. Në mbledhje thuhet se seanca do të mbahen në ndërtesën e Kuvendit, me fillim nga ora 17:30. Në gjysmën e dytë të dhjetorit, opozita bllokoi disa seanca parlamentare për shkak të vendimit të Komisionit Kushtetues, i cili konkludoi se ishin plotësuar kushtet për daljen në pension të tre prej gjashtë gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Pas vendimit të Komisionit Kushtetues, Kuvendi më 17 dhjetor shpalli ndërprerjen e mandatit të gjyqtares Dragana Gjuranoviq. Opozita njoftoi se nuk do të ketë punë të rregullt të Kuvendit derisa të tërhiqet vendimi i Komisionit Kushtetues dhe qeveria të fillojë të respektojë Kushtetutën.

Rakoçeviq - Komisioni për Reformën Gjithëpërfshirëse Zgjedhore do të bllokohet derisa shumica parlamentare të pushojë së vepruari  kundër Kushtetutës dhe shtetit

Komisioni për Reformën Gjithëpërfshirëse Zgjedhore do të bllokohet derisa shumica parlamentare të pushojë së vepruari  kundër Kushtetutës dhe shtetit, tha Nikolla Rakoçeviq, deputeti i Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) dhe bashkëkryetar i këtij organi parlamentar. Ai tha se Komisioni Kushtetues i Kuvendit e ka marrë kompetencën e Gjykatës Kushtetuese dhe se më pas shtrohet pyetja se kur do të fillojnë procedurat e rregullta kushtetuese. Në momentin që të gjitha partitë politike, në këtë rast shumica parlamentare, i kthehen respektimit të Kushtetutës, deri atëherë, puna e Komisionit për Reformën Zgjedhore është pezulluar”, tha Rakoçeviq në një intervistë për agjencinë MINA.

Qendra për Tranzicion Demokratik bëri thirrje që të kryhen hetimet e nisura lidhur me ngjarjet në seancën e Kuvendit Komunal të Budvës

Qendra për Tranzicion Demokratik (CDT) i bëri thirrje Departamentit të Sigurisë së Budvës dhe Prokurorisë Themelore të Shtetit në Kotorr që në mënyrë efikase të kryejnë hetimet e nisura lidhur me ngjarjet në seancën e Kuvendit Komunal të Budvës (KK), e cila u ndërpre të premten për shkak të disa incidenteve. Qendra për Tranzicion Demokratik  gjithashtu i bëri thirrje ushtruesit të detyrës së drejtorit të Administratës së Policisë, Llazar Shqepanoviq dhe Prokurorit Suprem të Shtetit, Millorad Markoviq, që të përdorin të gjitha mundësitë ligjore dhe të kryejnë mbikëqyrjen e nevojshme mbi veprimet e vartësve të tyre, në mënyrë që publiku të mësojë të vërtetat për ngjarjet e ndodhura në Budvë dhe shkelësit e mundshëm të ligjit të sillën para drejtësisë. Drejtori Ekzekutiv i Qendra për Tranzicion Demokratik  Dragan Koprivica tha se kjo është e rëndësishme duke pasur parasysh se kjo ngjarje përveç implikimeve kriminale dhe juridike ka edhe elemente që mund të kuptohen si bllokim i proceseve demokratike dhe pengim të formimit të pushtetit që u zgjodh në zgjedhje. “Ne besojmë se Drejtoria e Policisë dhe Prokuroria e Shtetit duhet ta bëjnë punën e tyre në mënyrë perfekte në këtë rast dhe se pas kësaj nuk duhet të lihet as hapësira më e vogël për asnjë kalkulim për ndikim politik në pasivitetin dhe mosveprimin e mundshëm të tyre”, tha Koprivica.

Staniq - Sjellja e partive të pushtetit shtetërore në Budvë nuk ka të bëjë me nderin, moralin dhe kalorësinë tradicionale malazeze

Sjellja e partive të pushtetit shtetërore në Budvë nuk ka të bëjë me nderin, moralin dhe kalorësinë tradicionale malazeze, të cilës i referohen shumë prej tyre, tha kryetari i Bordit Kryesor të Partisë Socialdemokrate (SDP) dhe përfaqësues i Aleancës Evropiane  Mirko Staniq. Ai tha se këto ditë shembulli i Budvës po tregon se si duket heqja e demokracisë në një vend evropian. “Sipas mendimit të partive satelitore të Vuçiqit në Mal të Zi – vetëm ata kanë të drejtë të jenë qeveri  edhe nëse nuk kanë numër të mjaftueshëm të këshilltarëve, atëherë do të “interpretojnë vullnetin e qytetarëve”, ka thënë Staniq. E gjithë kjo, siç shtoi ai, është shoqëruar me asistencën e Drejtorisë së Policisë, e cila ka lejuar personat e paautorizuar të hyjnë në objekt dhe ta zënë sallën e Kuvendit gjatë vazhdimit të seancës. Ngjarjet e popullit nga koha e shpërbërjes të Jugosllavisë i kemi paguar shtrenjtë ne në Mal të Zi, por edhe vëllezërit tanë jugosllavë, tha Staniq.

Ervin Ibrahimoviq do të takohet sot në Tivar me ministrin kroat të Punëve të Jashtme dhe Evropiane, Gordan Grlić Radman

Ministri i Jashtëm malazez Ervin Ibrahimoviq do të takohet sot në Tivar me ministrin kroat të Punëve të Jashtme dhe Evropiane, Gordan Grlić Radman, i cili po qëndron në Mal të Zi për të shënuar Ditën e Popullit Kroat. Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi  njoftoi se Ibrahimoviq do të presë Grliq Radman në anijen trajnuese Jadran, e cila ndodhet në portin e Tivarit për mirëmbajtje të rregullt vjetore.  Ibrahimoviq, siç thuhet nga Ministria e Punëve të Jashtme, do të organizojë një turne të përbashkët në anije nga delegacionet e Malit të Zi dhe Kroacisë. Është bërë e ditur se pas bisedimeve, Ibrahimoviq dhe Grliq Radman do të japin deklarata të shkurtra.

Nënkryetari i Kuvendit Nikollë Camaj ka uruar 13 janarin - Ditën e Popullit Kroat në Mal të Zi

Nënkryetari i Kuvendit Nikollë Camaj ka uruar 13 janarin - Ditën e Popullit Kroat në Mal të Zi. Camaj në mesazhin e tij të urimit theksoi se shprehja “popuj më pak të shumtë” në Mal të Zi në fakt tregon unitetin e tij të pazgjidhshëm. “Këta janë popuj që me gjithë qenien e tyre janë thurur në themelet e shtëpisë malazeze dhe kanë kontribuar në pasurinë e saj me kultura të ndryshme. “Prandaj të gjithë këta “popuj më pak të shumtë” e bëjnë Malin e Zi më të madh”, theksoi Camaj. Siç tha ai, aspirata e të gjithëve në Mal të Zi duhet të jetë vazhdimi i respektit, mirëkuptimit dhe mbështetjes reciproke. “Duke mësuar nga e kaluara, ne sigurojmë një të ardhme të qëndrueshme për të gjithë qytetarët. “Në këtë emër, i uroj të gjithë pjesëtarët e popullit kroat në Mal të Zi për këtë ditë, duke uruar që së bashku të vazhdojmë të ndërtojmë një Mal të Zi edhe më të bukur dhe më të mirë”, tha Camaj.

Këshilltarët e Kuvendit të kryeqytetit në seancën e sotme kanë marrë vendim për financim të përkohshëm

Këshilltarët e Kuvendit të kryeqytetit në seancën e sotme kanë marrë vendim për financim të përkohshëm. Për vendimin votuan 33 këshilltarë, 31 pro, ndërsa dy këshilltarë abstenuan. Vendimi për financim të përkohshëm të Kryeqytetit Podgorica vlen për tremujorin e parë, gjegjësisht nga 1 janari deri më 31 mars.

Autorë të panjohur i kanë vënë zjarrin makinës së famullitarit të Tivatit, Miajllo Backoviq

Autorë të panjohur i kanë vënë zjarrin makinës së famullitarit të Tivatit, Miajllo Backoviq, rreth një orë e gjysmë pas mesnate. Makina ishte e parkuar para shtëpisë së familjes së Backoviq-it, në lagjen Uçuri të Tivatit.  Lidhur me këtë rast ka reaguar kryetari i Komunës së Tivatit, Zhelko Komnenoviq. Djegia e automobilit të klerikut të Mitropolisë së Malit të Zi dhe Bregdetit, Miajllo Backoviq, ka dëmtuar imazhin e Tivatit si qytet i qetë dhe i sigurt, ka cenuar situatën e sigurisë të banorëve lokalë, veçanërisht gjatë festave fetare, ka theksaur Komnenoviq, i cili ka ftuar Drejtorinë e Policisë dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme që të zgjidhin këtë rast sa më shpejt. Edhe Partia Popullore Socialiste e ka dënuar ashpër vandalizmin ndaj makinës së famullitarit të Tivatit, Miajllo Backoviq. Siç theksoi nënkryetari i kësaj partie Kërsto Ragjenoviq, famullitari Backoviq, si një nga priftërinjtë më të shquar të Mitropolisë së Malit të Zi dhe Bregdetit, është shpesh cak i sulmeve verbale dhe mediatike, theksoi Ragjenoviq.

Nga fillimi i luftës në Ukrainë, më 24 shkurt të vitit 2022, në Mal të Zi kanë hyrë 293.414 persona nga Ukraina, ndërsa janë larguar 292.500

Nga fillimi i luftës në Ukrainë, më 24 shkurt të vitit 2022, në Mal të Zi kanë hyrë 293.414 persona nga Ukraina, ndërsa janë larguar 292.500, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme (MPB). Departamenti qeveritar tha se nga 6 janari i këtij viti e deri më sot në Mal të Zi kanë hyrë 1031 persona nga Ukraina, ndërsa në të njëjtën periudhë janë larguar 940 persona. Gjatë asaj periudhe, thanë ata, 27 persona nga Ukraina paraqitën kërkesë për mbrojtje të përkohshme. “Që nga fillimi i aplikimit të Vendimit për Mbrojtje të Përkohshme, më 14 mars 2022, deri më sot janë paraqitur 13,034 kërkesa për mbrojtje të përkohshme (7,941 gra dhe 5,093 burra), nga të cilat janë miratuar gjithsej 12,302 kërkesa. thuhet në deklaratë.

Nga mesnata të gjitha llojet e karburanteve do të shtrenjtohen me nga tre centë

Të gjitha llojet e karburanteve do të shtrenjtohen me nga tre centë për një litër nga mesnata, njoftoi Ministria e Minierave, Naftës dhe Gazit. Eurosuper 95 dhe 98 oktanësh do të rriten me tre centë, pra do të kushtojnë përkatësisht 1.47 euro dhe 1.51 euro. Edhe çmimi i Eurodizelit do të rritet me tre cent për litër dhe dy javët e ardhshme do të jetë 1.39 euro. Me tre centë të rritet edhe çmimi i naftës për ngrohje, nga 1.33 në 1.36 euro për një litër.

O’Brien: Kosova e Serbia duhet të ecin përpara për hir të së ardhmes së tyre evropiane

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë t’i normalizojnë marrëdhëniet fqinjësore për hir të synimeve të veta për integrime evropiane. Në një intervistë për tabloidin serb, Kurir, të publikuar të dielën, O’Brien tha se të dyja vendet kanë nevojë ta bëjnë këtë. “Mendoj Kosova dhe Serbia duhet ta kuptojnë se ka rrugë normale evropiane për këtë çështje. Mendoj se tani, me një Bashkim Evropian më aktive në rajon, të dyja vendet e kuptojnë se ka gjëra që secila prej tyre duhet t’i bëjë, e  të cilat do ta bëjnë më të lehtë zgjidhjen e çështjeve”, tha O’Brien. Por, shtoi se ato duhet të ecin përpara dhe t’i bëjnë këto gjëra “për hir të rrugës së tyre evropiane, jo për shkak të disa negociatave të veçanta”. Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog për normalizim e marrëdhënieve që nga viti 2011, ndërsa në vitin 2023 arritën Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksin për zbatimin e saj. Megjithatë, ato ende nuk kane filluar ta zbatojnë këtë marrëveshje, sipas BE-së. Dialogu mes tyre, i ndërmjetësuar nga BE-ja, mbështetet edhe nga Shtetet e Bashkuara.

Lajçak: Këtë javë, fokusi te takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për të zhdukurit

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, tha se fokusi i kësaj jave në Bruksel do të jetë te takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur në luftën e fundit në Kosovë. Në postimin e bërë në Facebook, Lajçak nuk dha ndonjë datë konkrete për takimin. Ky komision është pjesë e Deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur, të cilën Kosova dhe Serbia e kanë arritur në vitin 2023, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Megjithatë, zotimet që përfshin ajo - si qasja e plotë në informacione të besueshme, vënia në dispozicion e të gjitha dokumenteve me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur dhe puna e përbashkët përmes një komisioni të kryesuar nga BE-ja - kanë mbetur pa u zbatuar. Në takimin e fundit në Bruksel më 17 dhjetor të vitit të kaluar, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, kanë thënë se janë pajtuar për zbatimin e plotë të Deklaratës për personat e zhdukur. Në atë rast, Bislimi ka konfirmuar se Komisioni i Përbashkët do të fillojë të merret me çështjet në fjalë që nga janari. “Ka premtime nga Serbia se nuk do të ketë tendenca që të pengohet puna e këtij komisioni në të ardhmen”, ka thënë atëkohë Bislimi. Petkoviq, në anën tjetër, ka thënë se është ndërmarrë “hapi i fundit i nevojshëm” për çështjen e personave të zhdukur.

Millanoviq rizgjidhet president i Kroacisë, sipas rezultateve fillestare

Zoran Millanoviq e ka fituar mandatin e dytë si president i Kroacisë, sipas rezultateve të para pas numërimit të 98.65 për qind të votave. Millanoviq, nga partia opozitare Partia Social-Demokrate (SDP) – është në rrugën e duhur për t’i fituar 74.58 për qind të votave, sipas numërimit të votave nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Kroacisë. Kundërshtari i tij në balotazhin e të dielës, Dragan Primorac, nga partia në pushtet, Unioni Demokratik i Kroacisë (HDZ) – i ka fituar 25.42 për qind të votave. Dalja në zgjedhjet presidenciale në Kroaci – vendin anëtar të NATO-s dhe Bashkimit Evropian – ishte 44.15 për qind, sipas të dhënave fillestare. “Kroaci, faleminderit”, tha Millanoviq para gazetarëve. “Kjo është një ditë e madhe për mua personalisht. Këtë fitore e shoh si njohje për punën time, një lloj besimi i popullit në mua”, tha ai. Roli i presidentit në Kroaci është kryesisht ceremonial. Kreu i shtetit nuk mund të vërë veto ndaj ligjeve, megjithëse ka fjalën e tij në politikat e jashtme dhe në çështjet e sigurisë dhe të mbrojtjes. Gjatë mandatit të tij, Millanoviq – një ish-kryeministër populist – e ka kundërshtuar kryeministrin Andrej Plenkoviq në lidhje me politikat e jashtme dhe publike.

SHBA-ja kërkon që Rusia të ketë “zero” pronësi në NIS

Kushti i vetëm i Shteteve të Bashkuara për Industrinë e Naftës së Serbisë (NIS) është që të mos ketë rrjedhë të parasë drejt Rusisë, tha ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien. Zyrtari amerikan tha se SHBA-ja nuk dëshiron që Moska ta udhëheqë NIS-in. “E vetmja mënyrë që rreziku të jetë zero, është që pjesa e pronësisë ruse të jetë zero. Ky është qëndrimi me të cilin hyjmë në këtë bisedë. Ne tashmë e kemi bërë këtë gjë me kompani të tjera ruse në vende të tjera si, Holandë, Zvicër dhe Turqi”, tha dje O'Brien për Radiotelevizionin e Serbisë (RTS). Ai shtoi se SHBA-ja do të ndjekë rrugën drejt, siç tha, pronësinë konstruktive të NIS-it, nga e cila përfiton Serbia. Industria e Naftës e Serbisë u sanksionua nga Departamenti i Financave i Shteteve të Bashkuara më 10 janar, pasi është nën pronësinë e kompanisë ruse Gazprom Nefta. Kompania NIS u sanksionua për shkak të ashtuquajturit "rrezik sekondar", do të thotë për shkak të lidhjes me Gazpromin rus. Richard Verma, zëvendëssekretari amerikan i Shtetit për Menaxhim dhe Burime, tha në Beograd të shtunën se Serbia nuk do të përballet me pasoja ekonomike, nëse pronësia ruse hiqet nga NIS-i.

Zelensky ofron shkëmbim të ushtarëve të Koresë së Veriut

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se është i gatshëm t’i dorëzojë Phenjanit dy ushtarë të kapur të Koresë së Veriut, në këmbim të të burgosurve ukrainas të luftës në Rusi. “Për ata ushtarë të Koresë së Veriut që nuk dëshirojnë të kthehen, mund të ketë opsione të tjera në dispozicion”, shkroi Zelensky në X. Atyre që duan “ta sjellin paqen më afër, duke përhapur të vërtetën për këtë luftë në koreanisht, do t’u jepet mundësia”, shtoi ai. Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës (SBU) tha se njëri nga dy ushtarët u tha zyrtarëve se mendonte se do të shkonte në Rusi për “stërvitje” dhe jo në luftë. Atij iu gjet një kartë identiteti ushtarake ruse, e lëshuar në emër të një personi tjetër. Ushtari tjetër nuk kishte dokumente. SBU-ja tha se dy burrat, të cilët u kapën më 9 janar, janë në Kiev dhe nën kujdes mjekësor. Ata flasin vetëm koreanisht dhe janë duke u marrë në pyetje me ndihmën e Shërbimit Informativ Kombëtar të Koresë së Jugut, tha  Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës .          

Izraeli godet shkollën dhe shtëpitë ku ishin strehuar civilët në Gaza, humbin jetën 11 persona

Njoftohet se 11 palestinezë, mes tyre edhe fëmijë, humbën jetën në sulmet e ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës.Sipas informacionit të marrë nga burimet shëndetësore, ushtria izraelite goditi shkollën Salah al-din, ku civilët e zhvendosur u strehuan në lagjen Daraj në lindje të qytetit të Gazës.Në sulm humbën jetën pesë palestinezë, mes tyre edhe fëmijë, ndërsa u plagosën edhe shumë të tjerë.Gjithashtu, ushtria izraelite goditi shtëpinë e familjeve palestineze "Jerade" dhe "Hatir" në lagjen Shuyaiyya në lindje të qytetit të Gazës. Në sulm humbën jetën pesë palestinezë dhe shumë të tjerë u plagosën.

Vazhdon lufta me zjarret në Los Anxhelos, dhjetëra njerëz të vdekur

Zjarrfikësit po bëjnë përpjekje t’i frenojnë zjarret në Los Anxhelos, që vazhdojnë të shkrumbojnë zona për të shtatën ditë me radhë. Autoritetet evidentuan së paku 24 njerëz të vdekur si pasojë e zjarreve, ndërsa 16 të tjerë janë të zhdukur. Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, tha se kjo mund të jetë fatkeqësia më e madhe natyrore në historinë e SHBA-së, pasi ka shkatërruar mijëra shtëpi dhe ka detyruar mbi 100.000 njerëz të evakuohen. Sipas zyrtarëve, mbi 12.300 struktura janë dëmtuar ose shkatërruar. Situatën pritet ta përkeqësojnë edhe erërat me shpejtësi 80 deri në 112 kilometra në orë, të cilat, sipas Shërbimit Kombëtar të Motit, të cilat mund  të zgjasin deri ditën e  mërkurë. Zyrtarët paralajmëruan të gjithë popullsinë e Qarkut të Los Anxhelosit - prej afro 10 milionë banorësh - se mund të urdhërohet të evakuohën nga flakët dhe tymi toksik. “Këto erëra të kombinuara me lagështi të ulët relative, do ta mbajnë të lartë kërcënimin nga zjarri”, tha në një konferencë për media shefi i zjarrfikësve të qarkut të Los Anxhelosit, Anthony Marrone.

Jack Smith jep dorëheqje nga Departamenti i Drejtësisë

Prokurori i Posaçëm, Jack Smith, ka dhënë dorëheqje nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, pasi e ka dorëzuar raportin hetues ndaj presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump. Departamenti i Drejtësisë e bëri të ditur largimin e tij të shtunën mbrëma, duke thënë se ai dha dorëheqje të premten. Dorëheqja e tij, 10 ditë para se Trumpi ta marrë detyrën, vjen pas përfundimit të pasuksesshëm të dy ndjekjeve penale kundër Trumpit, të cilat pushuan pasi Trumpi i fitoi zgjedhjet presidenciale në nëntor. Tash çështje është fati i një raporti dyvolumesh që Smithi dhe ekipi i tij e kishin përgatitur gjatë hetimit të tyre të dyfishtë për përpjekjet e Trumpit për ta zhbërë humbjen e tij kundër presidentit Joe Biden në zgjedhjet e vitit 2020 dhe keqpërdorimin e dokumenteve të klasifikuara në resortin e tij, Mar-a-Lago.

Nesër mot i ndryshueshëm

      Sot në Mal të Zi ka mbajt mot kryesisht i vranët dhe në veri vende vende me borë të dobët. Ka fry erë e mesme deri e fortë e vende vende tejet e fortë nga drejtimi i veriut dhe veri lindjes.

    Temperaturat në orën 13: Herceg Novi e Budvë 10 g, Tivar 9, Ulqin 8, Podgoricë 7, Cetinë 4, Nikshiq 2, Beranë 1 , Shavnik e Bjello Pole 0, Andrevicë -1, Plevle e Guci -2, Kollashin e Rozhajë -3, Petnicë -4 dhe në Zhablak -8 g. c.

             Nesër në zonat jugore dhe qendrore do të mbajë mot me vranësira të ndryshueshme dhe me intervale me diell, ndërsa në veri do të jetë kryesisht i vranët dhe i thatë. Do të fryjë erë e mesme deri e fortë nga drejtimi i veriut dhe verilindjes, ndërkaq në fund të ditës do të dobësohet. Temperatura e mëngjesit nga -10 deri në 5, kurse më e larta ditore nga -7 deri në 13 gradë.

 

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се