Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

19. 12. 2024. 00:00 >> 19:25

Ditari 19.12.2024

Përgatiti, Senad Gilaj

Spajiq nesër do t'u përgjigjet pyetjeve të deputetëve

Kryeministri Millojko Spajiq nesër do t'u përgjigjet pyetjeve të përfaqësuesve të klubeve parlamentare, në mbledhjen e veçantë të seancës së dytë të rregullt të Kuvendit për këtë vit. Deputetët e opozitës thanë më herët se nuk do të lejojnë mbajtjen e orës së kryeministrit për shkak të, siç deklaruan, rrezikimit të rendit kushtetues në Mal të Zi nga ana e shumicës parlamentare. Ndërsa ndër pyetjet që do ti drejtohen kryeministrit, nëse mbahet kjo seancë, është edhe e deputetit të Aleancës Shqiptare, Ilir Çapuni, i cili do të pyesë Spajiqin se cili është statusi i popullit shqiptar në Mal të Zi dhe çfarë të drejtash gëzon si komb dhe si individë. Përndryshe kryeministri Millojko Spajiq deklaroi sot se Qeveria e Malit të Zi është e gatshme për bisedime me përfaqësuesit e opozitës, duke shtuar se nuk do të ishte mirë që të bojkotohej puna e Kuvendit. Ai kujtoi se kishte ftuar opozitën në bisedime për Barometrin 26, por edhe për atë që ndodhi në Gjykatën Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese duhet të mbrojë interesat kombëtare malazeze

Kryeministri Millojko Spajiq deklaroi se kanë ftuar opozitën në takim, por ka ftuar edhe Gjykatën Kushtetuese të vlerësojë vendimet e Kuvendit për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese. “Gjykata Kushtetuese është malazeze dhe e vetmja, dhe ajo duhet të mbrojë interesat kombëtare. Të gjithë gjyqtarët e rinj që do t'i delegojmë dhe që do ti votojë Lëvizja Evropa Tani, do të jenë profesionistë", theksoi ai. Duke folur për njoftimet se presidenti, Jakov Millatoviq nesër do të takohet me përfaqësuesit e opozitës për të biseduar për situatën rreth Gjykatës Kushtetuese, Spajiq thotë se “gjuhët e liga thonë se takimi i nesërm është “hije” për koalicionin në Podgoricë”.

Liderët e opozitës nesër tek Millatoviq; Millatoviq letër kryetares së Gjykatës Kushtetuese

Krerët e partive opozitare do të takohen nesër me presidentin e Malit të Zi, Jakov Millatoviq. Siç njoftojnë mediat, temë e takimit të planifikuar do të jetë situata në Gjykatën Kushtetuese. Në bisedën me Millatoviqin do të marrin pjesë liderët e Partisë Demokratike të Socialistëve, Socialdemokratëve, Iniciativës Qytetare Kroate dhe Lëvizjes Qytetare URA. Opozita tha më herët se “grushteti kushtetues” u krye me vendimin për pensionimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese në Këshillin Kushtetues Parlamentar.

“Nuk jemi afër dhe as nuk kemi biseduar për formimin e pushtetit në Podgoricë”

Lëvizja për Podgoricën e ka mohuar lajmin se janë afër marrëveshjes me Partinë Demokratike të Socialistëve për formimin e pushtetit në Podgoricë. Këshilltari i Partisë Demokratike të Socialistëve në Kuvendin e Podgoricës, Andria Kllikovac, ka bërë me dije se kjo parti ka marrë sinjale pozitive, dhe se formimi i pushtetit në Podgoricë me Lëvizjen për Podgoricën është një opsion real. “Ne e mohojmë pretendimin se Lëvizja për Podgoricën është çfarëdo negociatash, e le më marrëveshjes me asnjë anë. Ne i jemi besnik qëndrimit të listës së Jakov Millatoviq – Për një Podgoricë më të mirë. Ata thonë se kanë prezantuar Platformën, e cila përmban zhvillimin e Podgoricës dhe kush e pranon mund t'i ftojë për bisedime”, u kumtua sot nga kjo Lëvizje.

Millatoviq - Shof: Holanda mbështet rrugën evropiane të Malit të Zi

Mali i Zi është i përkushtuar për reforma me qëllim që deri në vitin 2028 të bëhet shteti i 28-të anëtar i Bashkimit Evropian dhe mbështetja e Holandës është shumë e rëndësishme në këtë kontekst, tha presidenti Jakov Millatoviq. Millatoviq, siç njofton kabineti i tij, ka biseduar me kryeministrin e Holandës, Dik Shof, në margjinat e Samitit të liderëve Bashkimit Evropian dhe Ballkani Perëndimor që u mbajt dje në Bruksel. Në kumtesë thuhet gjithashtu se në takim u vlerësua se dy vendet kanë marrëdhënie të shkëlqyera.

Rol i rëndësishëm i Ministrisë së Financave në procesin e negociatave

Ambasadori i Austrisë në Mal të Zi, Kristian Shtajner ka uruar Qeverinë për mbylljen e tre kapitujve të negociatave, duke theksuar rëndësinë e rolit të Ministrisë së Financave në procesin e negociatave, veçanërisht në fushën e ekonomisë, doganave dhe tregjeve. Ai theksoi se Austria mbështet Malin e Zi në rrugën e tij drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian. Ministria e Financave njoftoi se ministri Novica Vukoviq ka takuar Shtajnerin, me të cilin ka biseduar për përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. Vukoviq shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme që Austria i jep Malit të Zi, veçanërisht në rrugën drejt integrimeve evropiane.

Miratimi i ligjit krijoi kushtet për rritjen e prodhimeve vendore

Ligji për prodhimin organik, i cili u miratua nga Kuvendi, ofron bazën për zhvillimin e qëndrueshëm të asaj dege, duke garantuar njëkohësisht funksionimin efikas të tregut të produkteve organike dhe konkurrencën e ndershme, njoftoi Ministria e Bujqësisë. “Me rëndësi të veçantë është fakti se me miratimin e këtij ligji, Mali i Zi do të jetë një hap më afër mbylljes së kapitullit 11 të negociatave me BE-në”, thanë poashtu nga kjo ministri.

Kanë filluar pagesat për ish-punëtorët e Koshutës

Pagesa e detyrimeve të prapambetura për 40 ish-punëtorët e ish-Industrisë së Këpucëve, “Koshuta” nga Cetija filloi para dy ditëshh, ndërsa për punëtorët e tjerë do të paguhen pas shqyrtimit dhe kontrollit të dokumentacionit të plotë. Përfaqësuesja e ish-punëtorëve të Koshutës, Dijana Vujoviq, tha për gazetën “Pobjeda” se ka filluar pagesa për 40 ish-punëtorët, gjegjësisht të ardhurat e tyre personale përmes Fondit të punës. Ajo tha se pagesa e radhës pritet në fillim të vitit të ardhshëm, edhe për rreth 150 punëtorë. Mjetet do të paguhet pjesërisht derisa të 693 punëtorët të marrin pagesat e tyre kurse 85 prej tyre të marrin edhe kontributet e paguara.

Është hapur Klinika për sëmundjet infektive dhe dermatologji

Në Qendrën Klinike sot është hapur zyrtarisht objekti i ri i Klinikës për Sëmundje Infektive dhe Dermatologji. Objektin e hapën kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq, ministri i Shëndetësisë dr. Vojisllav Shimun, ambasadori i BE-së në Mal të Zi Johan Satler dhe drejtori i Qendrës Klinike të Malit të Zi, dr. Alleksandar Radoviq. Spajiq bëri të ditur gjithashtu se buxheti kapital për vitin e ardhshëm planifikon edhe 205 milionë euro investime në shëndetësi. Ndërsa ministri i Shëndetësisë Vojisllav Shimun tha se kjo Klinikë do të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e trajtimit dhe shpejtësinë e shërimit të pacientëve, ndërsa drejtori i Qendrës Klinike tha se me hapjen e klinikës së re jemi dëshmitarë të rëndësisë së integrimit për të gjithë pacientët, sepse edhe kjo është financuar nga projektet e IPA-s. Shefi i delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi tha se është krenar që BE ka financuar ndërtimin e kësaj klinike nga fondet janë siguruar nga fondet IPA të Bashkimit Evropian.

Sot shënohet Dita e kryeqytetit dhe Dita e çlirimit; Zhvillimi i Podgoricës të jetë dinamik dhe i qëndrueshëm

Podgorica sot shënon ditën e vet. Ditën e Podgoricës e ka uruar presidenti i vendit, Jakov Millatoviq, duke theksuar se Podgorica po përballet me sfida dhe mundësi të reja. “Tërheqja e investimeve dhe investimet e mëtejshme në infrastrukturë dhe zgjidhja e çështjeve urgjente si puna joadekuate e kompanive lokale, ndërtimet e paplanifikuara dhe problemet e trafikut duhet të jenë prioritet në menaxhimin e Kryeqytetit”, tha mes tjerash Millatoviq në urim me rastin e Ditës së kryeqytetit. Kryeparlamentari Andria Mandiq në mesazhin e tij theksoi se “Podogorica është qytet dinamik dhe modern evropian, simbol i zhvillimit të përshpejtuar dhe i transformimit urban”. Me rastin e Ditës së Kryeqytetit dhe tetëdhjetëvjetorit të çlirimit të Podgoricës në Luftën e Dytë Botërore, urime ka dërguar edhe kryeministri Millojko Spajiq. Ai thekson se “Projekti Vele Bërdo do ta bëjë kryeqytetin një metropol evropian”. Kryetarja e kryeqytetit Olivera Injac vendosi kurorë lulesh në Monumentin e Luftëtarit Partizan në Goricë, si dhe në Monumentin e Josip Broz Titos në bulevardin Shën Pjetrit të Cetinës.

E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE, pas zgjidhjes së çështjeve dypalëshe në rajon

Kryetari i ri i Këshillit Evropian, Antonio Costa deklaroi se nuk ka asnjë dyshim se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian, ndërsa theksoi se për të përshpejtuar integrimin rajoni duhet të punojë në zgjidhjen e çështjeve të hapura dypalëshe. Ai i bëri këto komente në një konferencë të përbashkët me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në mbyllje të takimit ndërmjet udhëheqësve të Bashkimit Evropian dhe atyre të Ballkanit Perëndimor. “Zgjerimi është investimi më i mirë gjeostrategjik që të gjithë ne mund të bëjmë për paqen, sigurinë dhe qëndrueshmërinë”, tha ai duke theksuar se “ka ende sfida, çështje të hapura dhe mëdyshje dypalëshe të cilat duhet të trajtohen”. Aktualisht vetëm Serbia nuk është harmonizuar me politikën e Jashtme të Bashkimit Evropian duke refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

Banka Botërore parashikon përshpejtim të mëtejshëm në 2025

Banka Botërore parashikon një ecuri pozitive për ekonomitë e vendeve të Ballkanin Perëndimor përgjatë vitit 2025. Projeksionet pozitive bazohen tek rritja e konsumit dhe investimeve, te mbështetura nga fuqia blerëse në rritje, kjo sipas Raportit Periodik për Ballkanin Perëndimor. Banka Botërore parashikon që rritja ekonomike e kombinuar e Malit të Zi, Shqipërisë, Bosnjës Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë do të arrijë në 3.7% në 2025, me një rishikim me 0.2 pikë përqindjeje më lart krahasuar me edicionin pranveror të raportit. Ndërkohë për vitin 2024 rritja në tërësi parashikohet të përmbyllet në 3.3%, lehtësisht me mirë krahasuar me parashikimet fillestare. Sipas raportit, për të ruajtur këtë moment pozitive dhe për të përshpejtuar konvergjencën me BE, nevojiten reforma strukturore, përfshirë ato të parashikuara në Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian.

Kosova ka 1.586.659 banorë të regjistruar

Kosova i ka 1.586.659 banorë të regjistruar, sipas raportit përfundimtar të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për regjistrimin e popullsisë për vitin 2024. Ushtruesi i detyrës së drejtorit të ASK-së, Avni Kastrati, tha në një konferencë për media në Prishtinë se ASK-ja e ka bërë vlerësimin për komunat me shumicë serbe në veri të vendit, ku kryesisht u bojkotua procesi. Sipas të dhënave zyrtare nga regjistrimi i kaluar i popullsisë i realizuar më 2011, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë ishte rreth 1.7 milion. Procesi edhe në atë kohë ishte bojkotuar në masë të madhe nga serbët. Regjistrimi i vitit 2024 tregon se struktura etnike në Kosovë mbetet pothuajse e njëjtë si në vitin 2011, me shqiptarët që përbëjnë shumicën dërrmuese të popullsisë dhe pakicat që ruajnë praninë e konsiderueshme, tha ASK-ja. Nga regjistrimi i vitit 2011 në regjistrimin e sivjetmë të popullsisë vërehen vetëm ndryshime të vogla në përbërjen etnike, të nxitura nga regjistrimi më i madh në mesin e komunitetit serb.

Diaspora, kyç për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe zhvillimin ekonomik

Në kuadër të takimit të 4-të vjetor të Këshillit Koordinues të Diasporës, Ministri i Jashtëm I Shqipërisë Igli Hasani, theksoi rëndësinë e hartimit të politikave konkrete për ruajtjen e identitetit kulturor, gjuhësor dhe të traditave kombëtare të diasporës shqiptare. Ai nënvizoi se ky takim ka për qëllim forcimin e lidhjeve të diasporës me Shqipërinë, si dhe afirmimin e vlerave kombëtare dhe evropiane. Ministri shqiptar theksoi se prioritet do të ketë lehtësimi i pajisjes së tyre me dokumentacion si dhe përthithja e investimeve. Për ministrin bashkëpunimi me diasporën është thelbësor për zhvillimin e politikave që ruajnë gjuhën dhe kulturën shqiptare. Hasani theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me Kosovën dhe shqiptarët në rajon, duke e quajtur këtë aleancë një mundësi të shkëlqyer për forcimin e lidhjeve dhe për sigurimin e mbështetjes për projektet që përfitojnë shqiptarët në të gjithë Ballkanin.

Zelensky takon liderët e BE-së në Bruksel

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, qëndron në Bruksel për takim me shefin e NATO-s, Mark Rutte, dhe me disa liderët evropianë, për të biseduar për strategjinë e luftës, pasi ka shqetësime se presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, mund ta ndërpresë mbështetjen e SHBA për Kievin kur të kthehet në Shtëpinë e Bardhë në muajin e ardhshëm. Liderët evropianë kanë ngulur këmbë vazhdimisht se vetëm Ukraina duhet të vendosë se kur është e gatshme të bisedojë me Rusinë për marrëveshje armëpushimi. Zelensky pati bisedime me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s dhe udhëheqës të tjerë evropianë, me synimin për të marrë ndihmë të menjëhershme për të forcuar përpjekjet e Kievit në luftë dhe për të diskutuar garancitë afatgjata të sigurisë. Rutte tha se aleatët e Kievit duhet të përqendrohen në rritjen e furnizimeve me armë për t’u siguruar që Ukraina të jetë në një pozicion të fortë. Pritet që Zelensky të kërkojë përsëri më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore për të ndihmuar në parandalimin e sulmeve të Rusisë kundër rrjetit energjetik të Ukrainës.

Rusia pretendon se mori kontrollin e dy vendbanimeve të tjera në rajonin ukrainas Donetsk

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë njoftoi se forcat e saj morën kontrollin e fshatit Zelenivka, rreth 15 kilometra në perëndim të qytetit Kurakhove, një bastion kyç i Ukrainës në rajon, ku ndodhet edhe një termocentral. Rusia pretendoi se mori kontrollin e dy vendbanimeve të tjera në Donetsk, rajonin lindor të Ukrainës, ku sipas pretendimeve të Moskës, forcat e saj kanë bërë përparime të shpejta. Rusia ka raportuar shpesh përparime në muajt e fundit teksa vazhdon ofensivën e saj në Donetsk, ndërsa zonat përreth qyteteve Pokrovsk dhe Kurakhove kanë parë aktivitet të shtuar ushtarak. Autoritetet ukrainase nuk kanë komentuar ende pretendimet e Rusisë dhe verifikimi i pavarur është i vështirë për shkak të luftës në vazhdim.

Mohimi i ujit në Gazë nga Izraeli, akt gjenocidi

Organizata për të drejtat e Njeriut, Human Rights Watch (HRW) ka thënë sot se Izraeli i ka vrarë mijëra palestinezë në Rripin e Gazës duke ua mohuar ujin e pastër. Kjo, shtoi HRW-ja, përbën akte gjenocidi dhe shfarosjeje. “Kjo politikë, e sjellë si pjesë e vrasjes masive të civilëve palestinezë në Gazë, nënkupton se autoritetet izraelite kanë kryer krim kundër njerëzimit, shfarosje, gjë që po vazhdon. Kjo politikë përbën edhe ‘vepër gjenocidi’ sipas Konventës së Gjenocidit nga viti 1948”, tha HRW-ja në një raport. Izraeli i ka hedhur poshtë vazhdimisht akuzat për gjenocid, duke thënë se e respekton ligjin ndërkombëtar dhe se ka të drejtë ta mbrojë veten, ndërsa Ministria e Jashtme e Izraelit në rrjetin X shkroi se e vërteta është e kundërta e gënjeshtrave të HRW-së.

SHBA në OKB kritikon veprimet e Izraelit në Bregun Perëndimor

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ambasadorja e SHBA-ve Linda Thomas- Greenfield ka kritikuar veprimet e Izraelit në Bregun Perëndimor. Ndërsa ajo pranon vendimin e fundit izraelit për të zgjatur një marrëveshje bankare përkatëse për një vit tjetër, e cila parandalon rrëzimin e Autoritetit Palestinez, Thomas- Greenfield tha se ky është vetëm  fillimi duke pasur parasysh situatën e rëndë ekonomike në Bregun Perëndimor. Përndryshe, ish-zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Mike Casey kritikoi vendin e tij se nuk ka politikë për Palestinën dhe kritikoi politikat e SHBA-së për Gazën. Sipas tij, “administrata e presidentit Joe Biden refuzon çdo plan të paraqitur në favor të propozimeve të Izraelit". "Për çdo ide që ne parashtronim, administrata e Bidenit thoshte se izraelitët kanë një ide tjetër, tha Casey.

Uashington, humbet mbështetje projekt-ligji për financimin e qeverisë

Presidenti i zgjedhur i SHBA, Donald Trump hodhi poshtë papritur një plan dypartiak për të parandaluar mbylljen e qeverisë gjatë Krishtlindjeve, dhe i tha Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson dhe republikanëve, që në thelb ta rinegociojnë atë - disa ditë përpara një afati kur skadon financimi për buxhetin e qeverisë federale. Demokratët kritikuan rebelimin e republikanëve për projekt-ligjin për financimin e qeverisë. Masa e financimit të përkohshëm është e nevojshme sepse Kongresi nuk ka arritur të miratojë buxhetin e rregullt për agjencitë e ndryshme në qeverinë federale, duke filluar që nga Pentagoni dhe strukturat e sigurisë kombëtare, tek shëndetësia dhe shërbimet e tjera të brendshme. Kur viti fiskal përfundoi më 30 shtator, Kongresi thjesht e zgjidhi problemin duke miratuar një projekt-ligj të përkohshëm financimi që skadon të premten.

Sot nis Fest 63 - Për 4 net, 30 artistë në garë do performojnë në Pallatin e Kongreseve

Pak orë na ndajnë nga nisja e ngjarjes më të madhe të muzikës shqiptare. Për 4 net me radhë, duke nisur nga sot ora 21 e mbrëmjes e deri më datë 22, në Pallatin e Koncerteve në Tiranë mbahet Fest 63, ku një buqetë këngësh, me muzikë të mirëfilltë shqiptare, do të ngjisë në skenë 30 artistë në garë. Një traditë e përvitshme në këtë rrugëtim të gjatë, ku bashkë me atmosferën e fundvitit ky event premton për publikun emocione të forta dhe surpriza të shumta. Ky edicion do të jetë një kombinim i talentit të artistëve të mëdhenj dhe zërave të rinj që do të shoqërohen nga orkestra dinjitoze e RTSH-së. Drejtoreshë artistike e Festivalit është Elhaida Dani, me autore Zefina Hasani. Ky spektakël i muzikës do të vijë nën regjinë e Redi Trenit, ndërsa pjesë e grupit të punës janë edhe emra të tillë, si: Shpëtim Saraçi, Alfred Kaçinari apo Elton Deda. Surprizat që do të shoqërojnë këtë edicion të sivjetshëm do të zbulohen pas çdo mbrëmje, deri në natën finale me shpalljen e fituesit të Fest 63, i cili do te siguroje edhe biletën në Eurovizion vitin e ardhshëm.

Nesër mot i ndryshueshëm, paradite me shi, pas dite dhe n në mbrëmje edhe skllotë e borë

Sot në Mal të Zi mbajti mot i ndryshueshëm dhe me diell. Fryn erë e dobët deri mesatare nga drejtimet e jugut. Temperaturat në orën 13 u shënuan: në Tivar e Budvë 15 gradë, Ulqin 14, Podgoricë 13, Herceg Novi 12, Beranë e Nikshiq 10, Cetinë e Guci 9, Rozhajë, Kollashin e Zhablak 8 dhe në Bijello Pole e Plevle 0 gradë. Për nesër meteorologët paralajmërojnë të mbajë mot të vranët dhe me reshje të shiut, vende vende reshje të dendura. Në Veri dhe viset e larta malore pas dite rënie e temperaturës, kështu që shiut do të kthehet në skllotë dhe borë. Do të fryjë erë e mesme deri e fortë, vende vende edhe shumë e fortë nga drejtimet e jugut, kurse pas dite dhe në mbrëmje me intensitet diçka më të dobët veriore. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 0 deri në 10 kurse më e larta e ditës prej 3 deri në 15 gradë celsius.    

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се