- Hronika
- Kolumne
-
Radio
- Izdvajamo
-
Emisije
- Novosti dana
- Dokumentarni program
- Pop top
- Europuls
- Zrno po zrno
- Radio ordinacija
- Kulturna panorama
- Zelena priča
- Epoleta
- +382
- Spona
- Svijet jednakih šansi
- Matica
- Život po mjeri čovjeka
- Link
- Izokrenuti svijet
- Koracima mladih
- Moja profesija je...
- Sportski program
- Kulturno-umjetnički program
- Koracima prošlosti
- Naučno-obrazovni program
- Muzički program
- RCG
- R98
- Programska šema
- Trofej Radija Crne Gore
- Frekvencije
- Radio drama
Ditari
13. 12. 2024.
00:00 >> 17:02
Ditari 13.12.2024
Ditarin e përgatiti Marash Dedvukaj
Oficerët e Policisë speciale kanë arrestuar ish-ministrat e Bujqësisë, Petar Ivanoviq dhe Millutin Simoviq
Oficerët e Policisë speciale kanë arrestuar ish-ministrat e Bujqësisë, Petar Ivanoviq dhe Millutin Simoviq. Gjithashtu, kallëzim penal është bërë edhe kundër ish-ministrit Budimir Mugosha. Siç njoftoi Prokuroria Speciale Shtetërore, në këtë aksion është arrestuar edhe shefja e atëhershme e Departamentit për Financa, Kontabilitet dhe Prokurim Publik e Ministrisë shtetasja me inicialet V.P.
Subjekt i kallëzimit penal është ndarja e parave për disa organizata joqeveritare, në periudhën nga prilli i vitit 2014 deri në korrik të vitit 2019, në kundërshtim me Dekretin për kushtet e zbatimit të masave të Agrobuxhetit, nga të cilat kanë përfituar organizatat joqeveritare, kurse shtetit i është shkaktuar dëm më shumë se 300 mijë euro, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale Shtetërore. Ivanoviq, i cili ka qenë edhe ish-këshilltar i presidentit të vendit, është arrestuar në një shtëpi në Dolani. Më herët në mëngjes, është arrestuar edhe ish-sekretari shtetëror i Ministrisë së Bujqësisë, Nemanja Katniq.
Këshilli i ambasadorëve të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian do të mblidhen për të ditur se sa kapituj do të mbyllë Mali i Zi
Këshilli i ambasadorëve të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian janë mblidhur nga or 17, kur do të dihet se sa kapituj do të mbyllë Mali i Zi. Vendimi për miratimin e mbylljes së kapitujve është në dorë të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe merret unanimisht. Kujtojmë se ditët e fundit është përfolur se Kroacia nuk do të lejojë mbylljen e katër por tre kapitujve. Përfaqësuesit e shumicës parlamentare presin që deri në fund të këtij viti të mbyllim katër kapituj, kurse deri në fund të vitit 2026 të gjithë të tjerët.
Angelo Ferrugia - Malta mbështet Malin e Zi në rrugën e tij Evropiane
Malta mbështet Malin e Zi në rrugën e tij për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian (BE), tha Kryetari i Parlamentit Maltez, Angelo Ferrugia, dhe sugjeroi formimin e një grupi parlamentar miqësie midis dy vendeve. Kryetari i Kuvendit Andrija Mandiq ka pritur sot në Kuvendin e Malit të Zi Ferrugian, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Mal të Zi. Siç njoftoi Kuvendi, në takim u theksua se Mali i Zi dhe Malta, si vende të vogla, duhet të qëndrojnë së bashku, sepse ndajnë interesa dhe synime të shumta të përbashkëta. “Ferrugia falënderoi Mandiqin për ftesën për të vizituar vendin tonë dhe për mikpritjen e treguar ndaj tij, duke shtuar se Malta është 100 për qind me Malin e Zi në rrugën e tij drejt anëtarësimit në BE”, thuhet në deklaratë.
Para gjimnazit Sllobodan Shkeroviq në Podgoricë është bllokuar komunikacioni për 30 minuta, në shenjë proteste pas mesazheve të papërshtatshme të profesorit Çeçoviq
Para gjimnazit Sllobodan Shkeroviq në Podgoricë është bllokuar për 30 minuta komunikacioni, në shenjë proteste pas mesazheve të papërshtatshme që i ka dërguar profesori ish nxënëses së kësaj shkolle. Vazhdimi i protestës është paralajmëruar nga ora 17. Organizatorët thonë se protesta është shprehje e mospajtimit të tyre kolektiv me sjelljen e papranueshme në institucionet arsimore. Ata kërkojnë heqjen e licencës së profesorit Radoman Çeçoviq, shkarkimin e drejtoreshës Bilana Vuçuroviq dhe disa ndryshime në ligj. Më parë, inspektimi arsimor ka propozuar shkarkimin e drejtoreshës, e cila ka tri ditë kohë për të shprehur mendimin e saj. Më pas, inspeksioni arsimor do t'ia dorëzojë propozimin dhe shkresat e lëndës ministres së arsimit, e cila duhet të miratojë vendim përfundimtar.
Andria Mandiq, ka bërë të ditur se kundër drejtoreshës së shkollës së mesme, Bilana Vuçuroviq është nisur një fushatë e pistë
Kryetari i Demokracisë së Re Serbe dhe kryetar i Kuvendit, Andria Mandiq, ka bërë të ditur se kundër drejtoreshës së shkollës së mesme, Bilana Vuçuroviq është nisur një fushatë e pistë. Siç tha, nga pozita e drejtoreshës ajo e ka ngritur këtë shkollë elitare në një nivel më të lartë, pa asnjë ndikim të politikës. Mandiq thotë se përmes një analize të hollësishme të rastit është bindur se Vuçuroviq ka bërë gjithçka sipas ligjit, dhe se këtë bindje do t'iu komunikojë edhe adresave të tjera. Siç theksohet, Mandiq dënoi ashpër sjelljen e turpshme të profesor Radoman Çeçoviq, e cila njollos rëndë mbi këtë profesion fisnik.
Qeveria e Malit të Zi mbrëmë ka konstatua dorëheqjen e drejtorit të Agjencisë për Siguri Nacionale Boris Miliq
Në seancën e mbajtur mbrëmë, Qeveria e Malit të Zi ka konstatuar dorëheqjen e drejtorit të Agjencisë për Siguri Nacionale, Boris Miliq, dhe në këtë pozitë ushtrues detyre e ka emëruar Ivica Janoviqin. Miliq, i cili ka mbajtur pozita në sektorin e sigurisë mbi 30 vjet, do të vazhdojë të punojë në Agjenci, duke kontribuar në këtë institucion me angazhimin e tij, njoftoi Qeveria. Miliq tha se po jep dorëheqje nga posti i drejtorit të Agjencisë së Sigurisë Nacionale për arsye personale.
URA - Me zgjedhjen e Ivica Janoviqit për ushtrues detyre të drejtorit të Agjencisë për Siguri Kombëtare (ANB), Qeveria vazhdon të shkelë institucionet
Me zgjedhjen e Ivica Janoviqit për ushtrues detyre të drejtorit të Agjencisë për Siguri Kombëtare (ANB), Qeveria vazhdon të shkelë institucionet dhe ta poshtërojë shtetin, vlerëson Lëvizja Qytetare (GP) URA. Nga kjo parti thanë se me këtë akt Qeveria e Millojko Spajiqit në mënyrën më të keqe po e bën të pakuptimtë meritokracinë, të cilën, siç pohojnë nga URA-, me gjithë zemër ua premtuan qytetarëve para zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar. URA tha se tani mund të shohim se si duket ajo meritokraci në praktikë. “Për drejtor të ASK-së u zgjodh një njeri që është gjysmëvëllai i deputetit të Lëvizjes Evropën tani, Tonçi Janoviq dhe kumbara i shefit të kabinetit të Spajiqit, Branko Krvavac. Gjithashtu, ai është edhe bashkëshorti i kryetares së Bordit Drejtues të Mirave Detare, Zvezdana Janoviq”, thuhet në njoftimin e URA,s.
Albin Kurti në konferencën e përbashkët me homologun e tij kroat, Andrej Plenkoviq ka folur për sulmin e fundit terrorist në Kosovë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në konferencën e përbashkët me homologun e tij kroat, Andrej Plenkoviq ka folur për sulmin e fundit terrorist në Kosovë. Kreu qeveritar tha se ky sulm i fundit, që është bërë nga profesionistë terroristë në kanalin Ibër- Lepecit, është i ri për nga natyra, në kuptimin që tash është goditur popullsia civile. Më herët kemi pasur sulme ndaj Policisë së Kosovës, ndaj ndërtesave zyrtare komunale, por kësaj radhe në shënjestër është popullsia civile sepse furnizimi me ujë dhe prodhimi i energjisë, që është jetik edhe për qytetarët edhe për bizneset, ka qenë shënjestër. Janë arrestuar disa persona. Hetimet po zhvillohen, kemi konfiskuar shumë armatim e municion, por edhe uniforma e emblema, 20 prej të cilave të njësive të ndryshme ruse. Duhet të presim cili do të jetë përfundimi i këtyre hetimeve, por ne konsiderojmë që gjithçka tregon që këtë nuk e kanë bërë qytetarë të zakonshëm dhe se na bëjnë të besojmë që një sulm i tillë vjen i mbështetur, i orkestruar nga Serbia siç ishte sulmi në Banjskë, sulmi ndaj KFOR-it, apo edhe rrëmbimi i tre policëve tanë në Leposaviq, ka theksuar Kurti.
Normalizimi me Kosovën, ndër kushtet e BE-së për avancimin e Serbisë
Hapja e grupit të tretë të kapitujve për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, do të merret në konsideratë pasi ky vend të bëjë përparim të rëndësishëm në fushën e sundimit të ligjit - kapitujt 23 dhe 24 - si dhe në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën. Kështu është thënë në versionin e përditësuar të draft-konkluzioneve për Serbinë, të cilat do të diskutohen sot nga ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Në këtë dokument përsëritet se përparimi i Serbisë në fushën e sundimit të ligjit dhe në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën "do të vazhdojë të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave të anëtarësimit". Konkluzionet për zgjerimin duhet të miratohen në nivel ambasadorësh dhe më pas të miratohen formalisht në takimin e ministrave për Çështje Evropiane, që do të mbahet më 17 dhjetor në Bruksel. Negociatat mes Brukselit dhe Beogradit për anëtarësim të Serbisë në bllok, janë të ngrira kryesisht për shkak të mosvendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë nga ana e palës serbe. Serbia nuk ka hapur asnjë kapitull që nga dhjetori i vitit 2021. Hungaria, e cila kryeson Bashkimin Evropian deri më 31 dhjetor, e ka lënë të hapur mundësinë për hapjen e grupit të tretë të kapitujve për Serbinë, për të cilin Komisioni Evropian konsideron se vendi është teknikisht i gatshëm. Megjithatë, Hungaria është përballur me rezistencë nga një numër i caktuar shtetesh anëtare që, përveç problemit të harmonizimit me politikën e jashtme të BE-së, këmbëngulin për përparim në sundimin e ligjit dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
BE-ja do t’i bëjë thirrje Kosovës ta fillojë pa vonesa themelimin e Asociacionit
Bashkimi Evropian (BE) pritet t’i bëjë thirrje Kosovës ta nisë punën pa asnjë vonesë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, thuhet në një dokument të zgjerimit të BE-së, që Radio Evropa e Lirë e ka parë. BE-ja i ka përgatitur konkluzat për zgjerimin e bllokut, të cilat do të duhej të miratohen të martën, më 17 dhjetor, në takimin e Ministrave të BE-së. Në draftin e këtyre konkluzave, BE-ja gjithashtu u bën thirrje Kosovës dhe Serbisë që pa vonesa t’i zbatojnë marrëveshjet nga dialogu dhe të gjitha detyrimet e tjera, si dhe ua rikujtohen atyre se këto rrugëtimi i të dyjave shteteve drejt integrimeve evropiane varet pikërisht nga këto detyrime. “Këshilli e përsërit se Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksi për zbatimin e saj, të miratuara në shkurt dhe mars 2023, duhet të respektohen dhe zbatohen në tërësi sa më shpejtë që të jetë e mundur pa parakushte, sikurse të gjitha obligimet e tjera nga BE-ja“, thuhet në këtë dokument.
Osmani në SHBA, në fokus forcimi i partneritetit mes dy vendeve
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është duke zhvilluar një mori takimesh me zyrtarë të Kongresit amerikan në Shtetet e Bashkuara, me të cilët ka thënë se po diskuton për rëndësinë e mbështetjes amerikane në shumë sektorë të vendit që udhëheq. Përmes disa postimeve në Facebook, Osmani ka thënë se është takuar me senatorët republikanë: Ted Cruz, Joni Ernst dhe Thom Tillis, si dhe kongresistët, Gary Palmer, Pete Sessions dhe Mike Lawler. “Bashkëpunimi dhe komunikimi i rregullt janë kyç për veprim të duhur në kohë të duhur. Kosova dhe SHBA-të, kanë hapësirë e mundësi të shumta për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit, andaj kjo edhe është një nga objektivat kryesor në rrugëtimin përpara”, ka thënë Osmani pas përfundimit të njërit prej takimeve. Ajo ka thënë se ka diskutuar edhe për bashkëpunimin në fushën e sigurisë, me qëllim të parandalimit të përpjekjeve të aktorëve të dëmshëm për më shumë “kaos dhe jostabilitet”. Vizita e Osmanit në SHBA është duke u realizuar disa javë para inaguruimit të presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump. Erin Elizabeth McKee, ndihmësadministratore në Byronë për Evropë dhe Euroazi në USAID, i ka thënë javë më parë Radios Evropa e Lirë se marrëdhëniet e SHBA-së me Kosovën nuk janë lëkundur gjatë administratave të ndryshme dhe se përkushtimi i popullit amerikan ndaj popullit të Kosovës është e bindur se do të vazhdojë.
Presidenti Emanuel Makron ka emëruar Frasoa Bajru si kryeministër të ri të Francës
Presidenti Emanuel Makron ka emëruar Frasoa Bajru si kryeministër të ri të Francës, është bërë me dije nga zyra e tij. Bajru zëvendëson Mishel Barnier i cili dha dorëheqjen javën e kaluar pasi politikanët e ekstremit të djathtë dhe të majtë votuan për rrëzimin e qeverisë, duke e zhytur Francën në krizën e dytë të madhe politike në gjashtë muaj. Një ditë më parë, Makron udhëtoi drejt Polonisë, aleate kyçe e BE-së dhe NATO-s, por e shkurtoi vizitën për të finalizuar emërimin e kryeministrit.
Forcat ruse filluan sërish sulme masive ajrore me dronë dhe raketa kundër Ukrainës
Forcat ruse filluan sërish sulme masive ajrore me dronë dhe raketa kundër Ukrainës gjatë natës, deklaruan Forcat Ajrore të Ukrainës. Një numër avionësh luftarakë MiG-31 të pajisur me raketa hipersonike ”Kinzhal” sulmuan objektiva të ndryshme në territorin ukrainas. Vëzhgimet ushtarake thonë se raketat ”Kinzhal” qëlluan në objektiva në Ukrainën perëndimore pranë termocentralit ”Burshtyn” dhe bazës ajrore ushtarake ”Starokostiantyniv”. Disa raketa goditën gjithashtu edhe rajonin e Odesës, në jug të Ukrainës. Ministri ukrainas i Energjisë, German Galushchenko, deklaroi se ”sektori i energjisë ishte edhe një herë subjekt i një sulmi masiv”. Ndërkohë, Administrata e presidentit Xho Bajden ka bërë me dije një tjetër ndihmë ushtarake për Ukrainën, me vlerë 500 milionë dollarë.
Rusia i afrohet qytetit kyç të Ukrainës, teksa Zelensky e viziton vijën e frontit
Forcat ruse vazhdojnë t’i afrohen qytetit strategjik në lindje të Ukrainës, Pokrovsk, derisa përpjekjet diplomatike janë rritur për t’i dhënë fund luftës më të madhe në Evropë ndër dekada. Sipas platformës online të hartave të luftës, Deep State, trupat ruse janë afruar 3 kilometra pranë pjesës lindore të Pokrovskut, i cili është kryqëzim kyç për Ukrainën, si dhe furnizuesi i vetëm i brendshëm i vendit për koks. “Duhet të ndërmerren vendime jokonvencionale për ta zgjatur qëndresën e mbrojtjes sonë dhe për ta shkatërruar më shumë pushtuesin”, tha gjenerali Oleksandr Syrskiy, kryekomandanti i Ukrainës. Rusët po i përdorin të gjitha forcat në përpjekje për ta thyer mbrojtjen tonë”, shkroi ai në Facebook. Kjo zonë prej muajsh është dëshmitare e disa prej betejave më të ashpra nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës prej Rusisë. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili ka vizitua dje vijat e frontit në rajonin e Zaporizhjas, ka kërkuar përforcime, pasi duket se pozicionet ukrainase po hasin në vështirësi për ta përballuar përparësinë e Rusisë në ushtarë. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Serhiy Filimonov, komandanti i batalionit të 108-të “Da Vinci Wolves”, paralajmëroi se arsyeja kryesore e humbjeve derisa Rusia po çan përpara drejt Pokrovskut, janë “detyrat joreale” për trupat në këtë rajon, duke marrë parasysh numrin e ushtarëve të tyre. Luftimet në fushëbeteja janë ashpërsuar pasi të dyja palët janë duke synuar t’i përforcojnë pozicionet e tyre, pasi ka shenja për një armëpushim të mundshëm dhe për bisedime për paqe në muajt në vijim.
Shefi i NATO-s thotë se Putini dëshiron konfrontim me Evropën pas Ukrainës
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka paralajmëruar dje se presidenti rus, Vladimir Putin, dëshiron “ta zhdukë Ukrainën nga harta” dhe mund pastaj t’ua mësyjë pjesëve të tjera të Evropës. Për këtë arsye, ai u bëri thirrje evropianëve t’u bëjnë trysni qeverive të veta për t’i rritur shpenzimet në mbrojtje. “Ka ardhur koha ta kemi një mendësi lufte”, tha Rutte para ekspertëve të sigurisë dhe analistëve në organizatës Carnegie Europe në Bruksel. Ai theksoi se njerëzit duhet të përgatiten për mundësinë që Rusia të përpiqet t’i përdorë “tufa dronësh” në Evropë, siç është duke bërë me ndikim vdekjeprurës në Ukrainë. Putini “po përpiqet ta prishë lirinë dhe mënyrën e jetesës sonë”, tha Rutte. Gjatë fjalimit të tij, ish-kryeministri i Holandës i përmendi sulmet e Rusisë në Gjeorgji në vitin 2008, aneksimin e gadishullit ukrainas, Krimea, në vitin 2014, si dhe pushtimin e plotë të Ukrainës që nisi para gati tri vjetëve. “A kemi nevojë edhe për më shumë paralajmërime të tjera . Ne duhet të jemi thellësisht të shqetësuar. Unë e di që jam”, tha pos tjerash Mark Rutte.
Trump e kritikon vendimin për ta lejuar Ukrainën të sulmojë thellë brenda Rusisë
Presidenti i ardhshëm amerikan, Donald Trump, e ka kritikuar administratën Biden pse i dha leje Ukrainës të kryejë sulme thellë brenda Rusisë me raketa të fuqishme amerikane, duke thënë se kjo gjë vetëm sa e përshkallëzon luftën.“Unë nuk pajtohem aspak me dërgimin e raketave, qindra raketave në Rusi. Pse po e bëjmë këtë? Ne vetëm sa po e përshkallëzojmë këtë luftë dhe po e përkeqësojmë. Kjo gjë nuk duhej lejuar të ndodhte”, tha Trump gjatë një interviste për revistën Time, që është publikua dje. Pas një ngurrimi mbi njëvjeçar, administrata e presidentit Joe Biden përfundimisht vendosi në nëntor t’i japë leje Ukrainës për të kryer sulme ndaj aseteve ushtarake brenda Rusisë duke përdorur raketa të prodhimit amerikan, Sisteme të Raketave Taktike Ushtarake (ATACMS). Këto raketa të fuqishme dhe precize mund ta godasin shënjestrën deri hiç më pak se 300 kilometra larg. Administrata e Bidenit e arsyetoi vendimin duke thënë se Rusia e ka përshkallëzuar konfliktin duke dërguar rreth 11.000 ushtarë koreanoveriorë në vijë të frontit. Vetëm disa ditë pasi Ukraina i përdori për herë të parë raketat ATACMS kundër Rusisë, Kremlini u kundërpërgjigj duke goditur Ukrainën me një raketë të re balistike ndërkontinentale, e cila është e aftë të bartë kokë bërthamore. Kremlini deklaroi se përdorimi i kësaj rakete ishte mesazh për Perëndimin.
Bombardimet izraelite vrasin 28 njerëz në Gazë, thonë zyrtarët shëndetësorë
Zyrtarët shëndetësorë palestinezë thanë se sulmet ajrore izraelite i kanë vrarë të paktën 28 njerëz në Rripin e Gazës, përfshirë shtatë fëmijë dhe një grua, disa orë pasi Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e aprovoi një rezolutë për armëpushim të menjëhershëm në Gazë. Njëri nga sulmet gjatë mëngjesit të së enjtes e bëri rrafsh me tokën një shtëpi në kampin e refugjatëve Nuseirat, sipas spitalit Al-Aqas Martyrs, ku u dërguan viktimat. Dy sulme të tjera ajrore i vranë 15 burra të cilët ishin pjesë e komiteteve lokale ë themeluara për t’i ruajtur kamionët me ndihma. Komitetet ishin themeluar nga palestinezët e zhvendosur në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme që udhëhiqet nga Hamasi. Ushtria izraelite tha se forcat e saj “kryen sulme precize” gjatë natës ndaj militantëve të armatosur të Hamasit, që ishin të pranishëm në korridorin humanitar në Gazën jugore.
Për nesër pritet mot kryesisht i vranët, kohë pas kohe me reshje shiu
Sot në Mal të Zi ka mbajtur mot kryesisht me diell dhe vende vende me vranësira kalimtare. Ka fryrë ere e dobët e deri e mesme nga drejtimi i veri lindjes. Temperaturat në orën 13: Tivar e Budvë 15, Podgoricë e Ulqin 13, Herceg Novi 12, Nikshiq e Cetinë 10, Beranë e Andrievicë 7, Guci 6, Bjello Pole e Petnicë 4, Zhablak, Kollashin, Plevle e Plluzhinë 3 dhe në Rozhajë 2 g. Për nesër pritet mot kryesisht i vranët, kohë pas kohe me reshje shiu, në jug vende-vende edhe me bubullima. Paradite dhe gjatë natës në zonat malore në veri do të ketë edhe reshje të skllotës dhe borës. Reshjet do të dobësohen ndjeshëm në fund të ditës. Do të fryjë erë vende-vende e mesme deri e fortë nga drejtimi i jugut. Temperatura e mëngjesit nga -4 deri në 10, kurse më e larta ditore nga 4 deri në 14 gradë.
Коментари0
Остави коментар