- Hronika
- Kolumne
-
Radio
- Izdvajamo
-
Emisije
- Novosti dana
- Dokumentarni program
- Pop top
- Europuls
- Zrno po zrno
- Radio ordinacija
- Kulturna panorama
- Zelena priča
- Epoleta
- +382
- Spona
- Svijet jednakih šansi
- Matica
- Život po mjeri čovjeka
- Link
- Izokrenuti svijet
- Koracima mladih
- Moja profesija je...
- Sportski program
- Kulturno-umjetnički program
- Koracima prošlosti
- Naučno-obrazovni program
- Muzički program
- RCG
- R98
- Programska šema
- Trofej Radija Crne Gore
- Frekvencije
- Radio drama
Ditari
11. 12. 2024.
00:00 >> 19:54
Ditari 11.12.2024
Ditarin e përgatiti Marash Dedvukaj
Malit të Zi vitin e ardhshëm do t'i mungojnë një miliardë e njëqind e dyzet milionë euro për shlyerjen e borxhit
Malit të Zi vitin e ardhshëm do t'i mungojnë një miliardë e njëqind e dyzet milionë euro për shlyerjen e borxhit dhe financimin e shpenzimeve kapitale. Diç më pak, 800 milionë, do të mungojnë për shlyerjen e borxhit dhe investimet kapitale në vitin 2026. Viti 2027 do të jetë veçanërisht sfidues, kur do të mungojnë një miliardë e dyqind e gjashtëdhjetë milionë euro. Në total, në tri vitet e ardhshme buxhetit do t'i mungojnë tri miliardë e dyqind milionë euro për shlyerjen e borxhit dhe financimin e investimeve kapitale. Kështu bëhet me dije në Projekt-programin e Reformave Ekonomike deri në vitin 2027, në të cilin Qeveria ka parashikuar projeksione të lëvizjes së borxhit shtetëror dhe publik, të cilat bazohen në projeksionet e përcaktuara në Strategjinë Fiskale nga viti 2024 deri në vitin 2027. Buxheti për vitin e ardhshëm do të diskutohet në seancën e rregullt parlamentare të caktuar për 17 dhjetor. Më pas do të diskutohet edhe për borxhin, si dhe për planet e punës së organeve të pavarura rregullatore.
Spajiq - Mali i Zi është në rrugën e duhur dhe me mbështetjen e vendeve të BE-së mund të arrijë të përmbushë planin ambicioz
Mali i Zi është në rrugën e duhur dhe me mbështetjen e vendeve të BE-së mund të arrijë të përmbushë planin ambicioz për mbylljen e kapitujve të negociatave deri në fund të vitit 2026, u vlerësua gjatë takimeve të kryeministrit Millojko Spajiq me ambasadorët e Holandës dhe Irlandës. Në bisedën me ambasadorin holandez, Marti Elgersman, Spajiq theksoi se angazhimi i plotë i Malit të Zi për integrimin evropian është konfirmuar edhe përmes platformës “Barometri 26”, e cila garanton se agjenda e BE-së do të jetë gjithmonë në fokus. Elgersman tha se përparimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në integrim është jashtëzakonisht i rëndësishëm si për rajonin ashtu edhe për Bashkimin Evropian, sepse do të sjellë stabilitet dhe prosperitet. Sipas tij, Malin e Zi e pret një punë e madhe, veçanërisht kur bëhet fjalë për reformën në fushën e sundimit të ligjit. Ne do të monitorojmë cilësinë e progresit në këtë fushë, tha ai.
Trendi pozitiv në Mal të Zi është vërejtur edhe nga Irlanda, thekson ambasadori Ragnar Almkvist.Siç tha kryeministri në janar, Mali i Zi po bën një punë të madhe dhe kjo u vërtetua me marrjen e IBAR-it dhe tani me mbylljen e kapitujve. Jeni në rrugën e duhur për të përmbushur planin dhe për të mbyllur të gjithë kapitujt deri në fund të vitit 2026”, tha Almqvist.
Kroacia do ta mbështesë Malin e Zi në rrugën drejt mbylljes së kapitujve me BE-në
Kroacia do ta mbështesë Malin e Zi në rrugën drejt mbylljes së kapitujve me BE-në, mirëpo Zagrebi zyrtar nuk do të pajtohet me mbylljen e katër kapitujve deri në fund të vitit, por tre, shkruan Veçernji list, duke iu referuar burimeve në Bruksel. Kroacia do t'i dërgojë një mesazh Podgoricës se duhet të ketë një vullnet të mirë për të zgjidhur çështjet e hapura, të cilat ajo i renditi në non-paper-in e fundit drejtuar Malit të Zi", thekson Veçernji list. Ministrja e punëve të jashtme dhe evropiane të Sllovenisë, Tanja Fajon ka bërë me dije dje se Sllovenia dhe Gjermania kanë përgatitur një non-paper me të cilin parashihet se nuk do të ketë mundësi të vetos dhe bllokadës në procesin e para-anëtarësimit për shkak të çështjeve dypalëshe të vendeve fqinje.
Komisioni për Arsim, Shkencë, Kulturë dhe Sport po e përcjell nga afër rastin e sjelljes,të profesorit Sllobodan Shkeroviq
Komisioni për Arsim, Shkencë, Kulturë dhe Sport është në dijeni dhe po e përcjell nga afër rastin e sjelljes së pahijshme të profesorit të gjimnazit të Podgoricës “Sllobodan Shkeroviq” ndaj një ish-nxënëses së këtij institucioni. Kryetari i Komisionit, Nikolla Rovçanin, tha se anëtarët e Komisionit kanë biseduar me ministrin përkatës dhe janë informuar për krejt rastin, por është rënë në përfundim se duhet të priten të gjeturat e të gjitha organeve inspektuese.
Prokuroria Themelore Shtetërore në Plavë ka ngritur aktakuzë kundër të dyshuarit G.R. nga Gucia
Prokuroria Themelore Shtetërore në Plavë ka ngritur aktakuzë kundër të dyshuarit G.R. nga Gucia, për shkak të dyshimeve se ka kërcënuar një gazetare se do ta përdhunojë, do ta fusë në varr dhe do t'ia heqë kokën. I dyshuari akuzohet se më 9 qershor të vitit 2022 ka kanosur sigurinë e të dëmtuarës R.A., e cila është gazetare së “Sinjali-t” në lidhje me kryerjen e punëve me rëndësi publike. Ditën që e dëmtuara publikoi një artikull në gazetën e lartpërmendur, ku ishte publikuar emri i të pandehurit në lidhje me mashtrimin, ai i ka dërguar një mesazh kërcënues në gjuhën shqipe, nga celulari i tij, përmes aplikacionit Viber.
Të dyshuarit K. S. nga ky qytet i është caktuar masa e paraburgimit
Me propozim të Prokurorisë Themelore Shtetërore në Plavë, të dyshuarit K. S. nga ky qytet i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer dhunë në familje duke e lënduar fizikisht bashkëshorten e tij në prani të tre fëmijëve të mitur. Në dokumentacionin mjekësor të viktimës thuhet se ajo ka pësuar lëndime të lehta në pjesën e qafës.
Hovenier për përgjegjësinë e sulmit në veri: Do të gjenden prova, por ende s’i kemi
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se ende nuk ka prova se kush mund ta ketë kryer sulmin ndaj kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në veri të Kosovës në fund të muajit të kaluar, por shtoi se “ne mendojmë se do të gjenden prova”. Shpërthimi i 29 nëntorit në kanalin e ujit në Varragë të Zubin Potokut - prej nga furnizohen me ujë disa qytete dhe termoelektrana të vendit - u shkaktua nga rreth 20 kilogramë eksplozivë, sipas autoriteteve kosovare, të cilat e cilësuan atë si më të rëndin në infrastrukturën kritike të vendit që nga lufta e viteve 1998/99. I pyetur në një intervistë në emisionin “Context” në ATV se cfarë dihet deri tani rreth sulmit, Hovenier e përsëriti se është ende shumë herët të thuhet. “Është ende shumë herët dhe siç e kam thënë javën e kaluar, që Shtetet e Bashkuara të jenë në gjendje të atribuojnë përgjegjësinë, duhet të kemi një varg mjaft të qartë provash. Ne mendojmë se do të gjenden prova, por ende nuk i kemi. Pra, hetimet po vazhdojnë dhe po kryhen nga autoritetet kosovare”, tha Hovenier - i cili po përfundon mandatin e tij në Kosovë në fund të dhjetorit. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri përgjegjëse Serbinë për, siç u shpreh, “sulmin terrorist” dhe tha se ajo është duke i kopjuar metodat që aplikon Rusia në luftën e saj në Ukrainë.
Hovenierit i ndahet Urdhri “Dr. Ibrahim Rugova”
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ndau ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, Urdhrin “Dr. Ibrahim Rugova”. Hovenier, i cili ka vendosur të pensionohet, do të largohet nga misioni në Kosovë këtë muaj. Osmani e vlerësoi atë si më shumë se një ambasador. “Ishte me ne kur populli i Kosovës ishte viktimë e krimeve të llahtarshme, ishte me ne kur raportonte për masakrën e Reçakut, ishte me ne kur vendosnim themelet e shtetit tonë të pavarur, e ishte me ne edhe përgjatë viteve të fundit në mbrojtje të pavarësisë, sovranitetit dhe aleancës së pathyeshme me SHBA-në”, tha Osmani në një postim në Facebook, ku publikoi edhe një video nga ceremonia e ndarjes së Urdhrit. Ky urdhër u jepet personave, vepra jetësore e të cilëve cilësohet si kontribut i veçantë për ndërtimin e paqes, zhvillimin e demokracisë dhe kultivimin e humanizmit. Hovenier ishte në misionin e ambasadorit në Kosovë që nga fillimi i vitit 2022. “Ky çmim ka domethënie të madhe për mua, pasi përfaqëson punën kolektive dhe përkushtimin e kujtdo që ka qenë pjesë e kësaj përpjekjeje për të siguruar paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe për të avancuar vizionin tonë të përbashkët për një vend sovran, demokratik dhe multietnik. Ishte privilegj i madh të shërbej si ambasador i SHBA-së këtu në Kosovë”, shkroi Hovenier në një postim në X.
Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut ka vendosur të shtyjë seancën për kushtetueshmërinë e ligjit për përdorimin e gjuhëve
Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut ka vendosur të shtyjë seancën për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve për një datë të pacaktuar. Në këtë seancë, për të cilën do të vendoset se kur do të mbahet, pritet të marrin pjesë ekspertë të fushës dhe përfaqësues të partive politike, të cilët do të paraqesin argumentet e tyre lidhur me kontestimin e Ligjit për gjuhët. Propozimi për shtyrjen e seancës u bë nga gjykatësja e Gjykatës Kushtetuese, Elizabeta Dukovska, e cila është përgjegjëse për këtë çështje. Kundër këtij vendimi ishte gjykatësja Dobrilla Kacarska, e cila e theksoi se gjykata duhet të jetë ajo që jep fjalën përfundimtare. Ligji për gjuhët parasheh përdorim të zgjeruar të gjuhës shqipe. Seanca e sotme filloi me mungesën e dy gjykatësve shqiptarë, Osman Kadriu dhe Naser Ajdari, që bojkotuan procesin. Nëpërmjet bojkotit, Kadriu dhe Ajdari synojnë të bllokojnë nisjen e procedurës për këtë ligj.
Disa të vrarë nga sulmi rus në qytetin e Zaporizhjës
Numri i të vrarëve në një sulm të Rusisë në një klinikë në qytetin Zaporizhja të Ukrainës është rritur në shtatë, njoftoi sot Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës . Sipas tij, së paku 22 persona janë plagosur po ashtu, ndërsa operacionet e shpëtimit janë duke vazhduar. Guvernatori rajonal i Zaporizhjës, Ivan Fedorov, shkroi në Telegram se dy gra u nxorën nga rrënojat gjatë natës dhe aktualisht ndodhen në spital. Ai shtoi se katër persona besohet se janë ende të bllokuar poshtë ndërtesës së shkatërruar nga sulmi. Rusia ka intensifikuar sulmet e saj me dronë dhe raketa në qytetet e Ukrainës, e sidomos në infrastrukturën e saj energjetike, tani në fillim të dimrit. Zaporizhja ishte rregullisht shënjestër e sulmeve. Më 6 dhjetor, dhjetë njerëz u vranë nga një sulm në këtë qytet. Më 10 dhjetor, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u bëri thirrje aleatëve të Kievit që t’i sigurojnë edhe 10-12 sisteme të tjera të mbrojtjes ajrore, Patriot, që ai tha se janë të nevojshme për t’i mbrojtur plotësisht qiejt e Ukrainës. Agjencia e lajmeve, Reuters, citoi dy burime të kenë thënë se gjatë një takimi të Zelenskyt me presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, ai kërkoi garanci për sigurinë e Ukrainës në çfarëdo përfundimi të negociuar të luftës me Rusinë. Takimi i 7 dhjetorit në Paris u organizua nga presidenti francez, Emmanuel Macron.
SHBA-ja i ndan miliarda dollarë Ukrainës para largimit të Bidenit
Shtetet e Bashkuara njoftuan se i kanë ndarë Ukrainës 20 miliardë dollarë hua, në kuadër të një pakete të mbështetjes prej 50 miliardë dollarësh, për të cilën grupi i vendeve më të industrializuara, G7, ka rënë dakord në verë. Administrata e presidentit aktual, Joe Biden, ka premtuar se do ta ndajë kredinë përpara fundit të vitit, për shkak të shqetësimeve se presidenti i zgjedhur, Donald Trump, mund ta ndalë mbështetjen e SHBA-së për vendin në luftë. Trump, i cili do ta marrë detyrën më 20 janar, ka kritikuar vazhdimisht ndihmat e SHBA-së për të, por ka thënë, gjithashtu, se do të mbështeste një program të huadhënies. Ukraina është shumë e varur nga ndihma ushtarake dhe financiare e SHBA-së dhe Evropës, në luftën e saj kundër pushtimit rus, që ka hyrë tashmë në vitin e tretë. Një paketë e ndihmës e SHBA-së, në vlerë prej 61 miliardë dollarësh, ka kaluar në prill, por ka të ngjarë që ajo të përfundojë deri në fillim të vitit të ardhshëm. Kjo bën që kredia prej 50 miliardë dollarësh e G7-ës të sigurojë që Ukraina ka fonde dhe armë të mjaftueshme për t’u mbrojtur gjatë pjesës së parë të vitit 2025, nëse Trump e ndalon mbështetjen e mëtejshme për të. “Këto fonde - të paguara nga të ardhurat e aseteve të pamobilizuara të Rusisë - do t’i ofrojnë Ukrainës një infuzion kritik të mbështetjes, ndërsa mbrohet kundër një lufte të paprovokuar agresioni”, tha sekretarja e Thesarit amerikan, Janet Yellen.
Rusia u thotë qytetarëve të saj t’i shmangin udhëtimet në Perëndim
Rusia ka njoftua sot se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara janë aq konfrontuese, saqë qytetarët rusë nuk duhet të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe disa vende të Bashkimit Evropian, meqë rrezikojnë të ndiqen nga autoritetet amerikane. Duke folur në një konferencë për gazetarët në Moskë, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha se marrëdhëniet me SHBA-në janë në prag të prishjes. “Në kontekstin e konfrontimit në rritje, udhëtimet në Shtetet e Bashkuara - privatisht ose për nevoja zyrtare - bartin rreziqe serioze”, tha Zakharova, transmeton Reuters. “Ne ju bëjmë thirrje që të vazhdoni të përmbaheni nga udhëtimet në Shtetet e Bashkuara dhe shtetet satelitore aleate të tyre - përfshirë, para së gjithash, Kanadanë dhe vendet e Bashkimit Evropian me disa përjashtime - gjatë këtyre festave”, tha ajo.
Në Gjeorgji vazhdojnë protestat, BE-ja paralajmëron ndëshkime
Protestuesit proevropianë u mblodhën në rrugët e Tbilisit, natën e 13-të me radhë, për të protestuar kundër Qeverisë së udhëhequr nga partia Ëndrra Gjeorgjiane. Rreth 4.000 protestues, duke valëvitur flamujt e BE-së dhe të Gjeorgjisë, u mblodhën jashtë ndërtesës së Parlamentit, të zemëruar me vendimin e fundit të Qeverisë për t’i lënë mënjanë bisedimet e pranimit në Bashkimin Evropian së paku deri në vitin 2028. “Çdo ditë pas punës, ne vijmë këtu”, i tha AFP-së Sofia Japaridze, 40 vjeçe. “E gjithë Gjeorgjia, çdo qytet, çdo fshat, të gjithë duan [të bashkohen] me BE-në. Ne nuk duam të kthehemi në Bashkimin Sovjetik”, u shpreh ajo. Ministrat e Jashtëm të BE-së, të cilët do të mblidhen në një samit më 16 dhjetor, paralajmëruan se do të diskutojnë për ndëshkimin e liderëve gjeorgjianë, për shkak të, siç thanë, taktikave të represionit kundër protestuesve. Në deklaratën e saj thuhet, po ashtu, se ka “shqetësime të besueshme të torturës dhe trajtimit çnjerëzor” dhe se raportet për shkelje të të drejtave të njeriut duhet të hetohen. “BE-ja shpreh keqardhje për këto veprime shtypëse kundër protestuesve, përfaqësuesve të mediave dhe liderëve të opozitës dhe bën thirrje për lirimin e menjëhershëm të të gjithë individëve të arrestuar”, thuhet në deklaratë.
Khamenei: Rënia e Assadit, rezultat i planit amerikano-izraelit
Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, tha se përmbysja e presidentit sirian, Bashar al-Assad, ishte rezultat i një plani të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit. Ai shtoi se një nga fqinjët e Sirisë kishte gjithashtu rol, por nuk e përmendi me emër. Mesa duket, Khamenei iu referua Turqisë, e cila i ka mbështetur rebelët kundër Assadit. “Ajo që ndodhi në Siri, ishte planifikuar kryesisht në dhomat e komandës së Amerikës dhe Izraelit. Ne kemi prova për këtë. Një qeveri fqinje e Sirisë ishte gjithashtu e përfshirë. Ajo kishte rol të qartë dhe vazhdon ta ketë”, tha Khamenei gjatë një fjalimi që u transmetua nga media shtetërore iraniane. Regjimi i Assadit në Siri ra më 8 dhjetor, kur pushtetin e mori organizata Hayat Tahrir al-Sham (HTS) - e shpallur terroriste nga SHBA-ja. Përmbysja e tij shihet si një goditje e madhe ndaj aleancës politike dhe ushtarake të “Boshtit të rezistencës”, të udhëhequr nga Irani. Kjo aleancë kundërshton ndikimin e Izraelit dhe të SHBA-së në Lindjen e Mesme.
Kryeministri i ri i Sirisë u bën thirrje refugjatëve sirianë të kthehen
Kryeministri i ri i Sirisë u bëri thirrje sirianëve që kanë kërkuar strehim jashtë vendit, të kthehen në Siri, pas përmbysjes së presidentit Bashar al-Assad. Mohammad al-Bashir, i emëruar nga grupet rebele si udhëheqës i Qeverisë kalimtare, i tha së përditshmes italiane, Corriere della Sera, se një nga synimet e tij të para është “kthimi i miliona refugjatëve sirianë që ndodhen jashtë vendit”. “Kapitali i tyre njerëzor, përvoja e tyre do t’i mundësojë vendit të lulëzojë”, tha Bashir në intervistën e publikuar të mërkurën. “Kam një thirrje për të gjithë sirianët jashtë vendit: Siria është tani një vend i lirë që ka fituar krenarinë dhe dinjitetin e saj. Kthehuni! Ne duhet ta rindërtojmë, të rilindemi dhe kemi nevojë për ndihmën e të gjithëve”, tha ai.
OBSH: Miliarda raste të malaries u parandaluan këtë shekull
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se rreth 2.2 miliardë raste të malaries u parandaluan që nga viti 2000 përmes edukimit, përdorimit të rrjetave kundër mushkonjave dhe vaksinimit. Në këtë proces u shmangën rreth 12.7 milionë vdekje, vlerësoi OBSH-ja në raportin e publikuar sot. Shtatëmbëdhjetë vende tani i vaksinojnë në mënyrë rutinore fëmijët e vegjël kundër malaries. Sipas vlerësimit të OBSH-së, një gjë e tillë mund të shmangë dhjetëra mijëra vdekje çdo vit. Malaria është sëmundja më e zakonshme tropikale. Paraziti transmetohet nga mushkonjat anofele, të cilat pickojnë kryesisht në mbrëmje dhe gjatë natës. Sëmundja shkakton temperaturë të lartë dhe dhimbje të gjymtyrëve dhe mund të trajtohet me barna.
Për nesër në pjesët jugore dhe qendrore pritet mot i ndryshueshëm dhe me intervale me diell
Sot në Mal të Zi ka mbajt mot kryesisht i vranët vende vende me reshje të shiut në pjesët jugore , kurse borës në pjesët veriore të vendit. Frynë erë e dobët nga drejtimet e ndryshme.
Temperaturat në orën 13: Ulqin 15, Tivar 14, Herceg Novi 12, Budvë 10, Podgoricë 9, Nikshiq, Beranë, Bjello Pole e Andrievicë 6, Cetinë, Rozhaëj e Petnicë 5, Plevle , Kollashin, Plluzhihnë e Guci 4, dhe në Zhablak 2 g.
Per nesër në pjesët jugore dhe qendrore pritet mot i ndryshueshëm dhe me intervale me diell, kurse në pjesët jugore mot kryesisht i vranët dhe me mjegull, Do të fryjë erë e dobët deri e mesme nga drejtimet e ndryshme. Temperatura e mëngjesit do të sillët prej -3 deri në 7, kurse më e larta e ditës prej 1 deri në 16 g. c.
Коментари0
Остави коментар