Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

10. 12. 2024. 00:00 >> 17:27

Ditari 10.12.2024

Përgatiti, Musa Gjoka

SEANCA E KËSHILLIT PËR MBROJTJE DHE SIGURI NUK U MBAJT SEPSE NUK ERDHI KRYEMINISTRI SPAJIQ

Seanca e Këshillit për Mbrojtje dhe Siguri nuk është mbajtur për shkak se nuk është paraqitur kryeministri Millojko Spajiq. “Vijesti” mëngjesin e sotëm ka bërë të ditur se nuk është e sigurt nëse do të ketë seancë sot, për shkak të mosmarrëveshjes mes kreut të shtetit Jakov Millatoviq dhe Spajiq për praninë e ministrit të Mbrojtjes dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm. Pasi Millatoviq konfirmoi dje para gazetarëve se nuk i ftoi Dragan Krapoviqin dhe Zoran Llazareviqin në seancën e komandës supreme dhe vlerësoi se ministri “me veprimet e tij u s’kualifikua nga ftesa të mëtejshme nga ana ime për të marrë pjesë në seancat”, nga kabineti i Spajiqit e informuan Këshillin që ai i thërret.
Sipas informacioneve të “Vijesti-t”, shefi i kabinetit Branko Krvavac e ka njoftuar sekretarin e Këshillit, kolonelin Velibor Bakraç, se kryeministri, përveç këshilltarit të tij Todor Goranoviq, në vazhdimin e seancës fton edhe Krapoviqin dhe Llazareviqin.


“MOSPARAQITJA E SPAJIQIT VËRTETON SE AI NUK ËSHTË NË LARTËSINË E POSTIT QË USHTRON”

Presidenti i vendit, Jakov Millatoviq, ka thënë se është i tronditur nga sjellja e kryeministrit Millojko Spajiq, i cili sot nuk u paraqit në mbledhjen e paraparë të Këshillit të Mbrojtjes dhe Sigurisë. Millatoviq thekson se kjo edhe një herë konfirmon se jo të gjithë janë në lartësinë e detyrës që kryejnë.
“Vërtetë nuk kam çfarë të shtoj, mund të them edhe një herë që erdhi kryetari i Kuvendit, por kur kishte kaluar gati një orë nga fillimi i seancës, ai u largua pasi nuk u paraqit kryeministri. Unë e di nga sekretari i këshillit, ai nuk përgjigjet në telefon dhe është plotësisht i pa qasshëm, ndaj mendoj se kjo është vetëm një vazhdimësi e sjelljes së papërgjegjshme të kryeministrit ndaj institucioneve shtetërore. Filloi me sjellje të papërgjegjshme në Parlamentin e Malit të Zi, vazhdoi te Presidenti i Malit të Zi, te vetë Qeveria dhe sot kulmoi në Këshillin për Mbrojtje dhe Siguri si institucioni më i rëndësishëm shtetëror në lidhje me mbrojtjen dhe sigurinë e vendit“, ka thënë Millatoviq.
Ai thekson se është e qartë se për shkak të mosarritjes së Spajiqit në seancë, ajo nuk ka mundur të mbahet. Kujtojmë se Millatoviq për sot kishte caktuar vazhdimin e seancës së Këshillit për Mbrojtje dhe Siguri, ku duhej të diskutohet për shkarkimin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Malit të Zi, Zoran Llazareviq.


NJË TJETËR PROFESOR RAPORTOI PËR NGACMIM TË MUNDSHËM TË NJË STUDENTEJE

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit është njoftuar mbrëmë për një rast tjetër të ngacmimit të mundshëm të një nxënëse nga një profesor, njoftojnë ata. Siç mëson Portali RTMZ, bëhet fjalë për një tjetër profesor. Korrespondenca është dërguar për veprim urgjent në Gjimnazin “Slobodan Shkeroviq”, si dhe në Prokurorinë Themelore të Shtetit. “Duke qenë se tema që ka shqetësuar opinionin në ditët e fundit është e qartë se nuk është një rast i izoluar, ftojmë të gjithë ata që kanë njohuri për këtë apo ngjarje të ngjashme në shkollat ​​e Malit të Zi të raportojnë në Ministri në mënyrë që të ndërmarrim veprime të mëtejshme dhe japim fund dukurive që nuk duhen lejuar në sistemin tonë arsimor”, thuhet në njoftimin e Ministrisë. Opinioni do të informohet me kohë për të gjitha aktivitetet e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit. Kujtojmë se opinioni është shqetësuar ditëve të fundit nga letërkëmbimi i profesorit të Gjimnazit “Slobodan Shkeroviq” R.Ç. dhe ish-nxënëses së tij që dolën në publik. Përkatësisht, ish-nxënësja e gjimnazit, Sara Vujisiq, ka bërë të ditur se profesori e ka ngacmuar seksualisht përmes mesazheve në vitin 2021 dhe se më pas ia ka raportuar drejtoreshës aktuale të shkollës, Biljana Vuçuroviq. Vuçuroviq në konferencën e djeshme për media tha se ka bërë gjithçka në kompetencën e saj. Sot është sjell vendimi për suspendimin e profesorit në fjalë deri në përfundimin e procesit disiplinor.

VLLADIMIR NOVOVIQ: KORRUPSIONI PO RRËNON THEMELET E SHOQËRISË SONË

Korrupsioni po rrënon themelet e shoqërisë sonë, besimin e qytetarëve në institucionet dhe po pengon progresin e gjithanshëm të shtetit, tha prokurori special shtetëror Vlladimir Novoviq në panelin e sotëm të Konferencës Kombëtare Kundër Korrupsionit, të organizuar nga Rrjeti për Afirmimin e Sektorit Joqeveritar. Ai theksoi se konfiskimi i pasurisë së fituar përmes krimit dhe i pasurisë pa dëshmi të origjinës zë një vend qendror në të drejtën penale moderne. Prandaj, lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm një imperativ ligjor, por edhe moral me rëndësi vendimtare për mirëqenien e Malit të Zi, tha Novoviq. "Hetimet financiare dhe procedurat e konfiskimit të pronës kanë të njëjtën rëndësi dhe peshë si vetë procedurat penale. Drejtësia nuk mund të jetë e plotë nëse nuk sigurohet që përfitimet pasurore të fituara përmes aktiviteteve kriminale t'u merren atyre që i kanë fituar në mënyrë të paligjshme, tha ai.

TË HIQET SHTETËSIA MALAZEZE PERSONAVE NËN SANKSIONE

Mali i Zi pritet të sigurojë që të gjitha aplikimet e mbetura në lidhje me skemën e shtetësisë së investitorit të shfuqizuar së fundi të shqyrtohen dhe të përpunohen në përputhje me standardet më të larta të mundshme të sigurisë, dhe që shtetësia e dhënë përmes asaj skeme personave që i nënshtrohen masave kufizuese ndërkombëtare të revokohet, thuhet në raportin në kuadër të mekanizmit për pezullimin e vizave, i cili u njoftua nga Komisioni Evropian në fund të javës së kaluar. Në pjesën e raportit që i referohet skemës së “pasaportave të arta”, përkatësisht shtetësisë në këmbim të investimeve, theksohet se ka vijuar shqyrtimi i kërkesave të paraqitura para datës së përfundimit, pra 31 dhjetor 2022. Në vitin 2023, Mali i Zi përpunoi 423 aplikime (për 423 aplikues dhe 927 anëtarë të familjes) dhe u dha shtetësinë 701 personave. “Nga këta 701 persona, 396 kanë shtetësinë e Federatës Ruse dhe 65 të Republikës Popullore të Kinës”. Shtetësia u jepet individëve që kanë nënshtetësinë e vendeve të tjera të treta që kërkojnë vizë (Afrika e Jugut, Turqia, Libani, Pakistani, India, Bjellorusia, Filipinet, Indonezia, Kamboxhia, Kazakistani, Malajzia, Nigeria, Arabia Saudite, Tunizia, Uzbekistani) ", theksohet në dokument.

SHBA-JA I NDAN ÇMIM KREUT TË SPAK-UT PËR LUFTËN KUNDËR KORRUPSIONIT 

Drejtuesi i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit, Altin Dumani, është nderuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit si kampion në luftën kundër korrupsionit në Shqipëri.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, teksa i dorëzoi çmimin Dumanit, e vlerësoi SPAK-un si institucionin më të besueshëm në Shqipëri.
“Kryeprokurori i Posaçëm i Shqipërisë, Altin Dumani, drejton një agjenci të re kombëtare, që ndjek penalisht zyrtarë të lartë dhe drejtues të krimit të organizuar. Sot është institucioni publik më i besuar në Shqipëri”, tha Blinken.
Dumani ishte mes 10 kampionëve kundër korrupsionit nga e gjithë bota që u nderuan të hënën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

HOVENIER: KA AKTORË TË HUAJ QË DUAN TA MINOJNË DEMOKRACINË E KOSOVËS 

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Xhefri Hovenier, ka deklaruar se në Kosovë ka aktorë të huaj keqdashës aktivë që duan të minojnë demokracinë në vend duke i shfrytëzuar përçarjet etnike. Ambasadori amerikan ka thënë se nuk mund të lejohet që kjo të ndodhë. Në konferencën për integritetin e informacionit, të organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik, ai ka thënë se dezinformimi mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta gjithmonë, veçanërisht gjatë periudhës zgjedhore, në të cilën Kosova ndodhet aktualisht përpara zgjedhjeve të 9 shkurtit. Diplomati ia kujtoi audiencës një bisedë të rreme të publikuar në rrjetet sociale disa vite më parë, e cila përfshinte një bisedë të rreme mes tij dhe kryeministrit Kurti dhe që kishte për “synim të mbillte mosbesim brenda komunitetit serb të Kosovës”. Hovenier ka theksuar se SHBA-ja mbetet e përkushtuar ndaj Kosovës si një vend i larmishëm dhe në mbështetje të medieve të pavarura, përfshirë ato që drejtohen nga pakicat.

BE KONFIRMON SE MË 17 DHJETOR ZHVILLOHET RUNDI I RI I DIALOGUT KOSOVË-SERBI

Bashkimi Evropian ka konfirmuar të martën se takimi i radhës në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel kryenegociatorësh, do të zhvillohet më 17 dhjetor në Bruksel, dhe se të dyja palët kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në këtë takim. Zëdhënësja e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Anitta Hipper, ka thënë se në këtë takim do të shqyrtohen një varg çështjesh, përfshirë edhe zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve. Takimi i fundit në nivel kryenegociatorësh është zhvilluar më 23 tetor në Bruksel. Kosova përfaqësohet nga zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, ndërsa Serbia nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

SERBIA “MINIERË ARI”, VUÇIÇ “KOKË MË KOKË” ME SCHOLZ PËR LITIUMIN!

Nxjerrja e qëndrueshme e litiumit është në fokusin e bisedimeve mes kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç në Freiberg. Si në Serbi, ashtu edhe në tokën gjermanolindore të Saksonisë, besohet të ketë sasi të mëdha të mineralit të konsideruar komponent kyç për prodhimin e baterive të automjeteve elektrike. Projekti sakson synon të prodhojë rreth 12 000 tonë hidroksid litiumi në vit për një periudhë prej 35 vitesh, duke kontribuar në prodhimin e baterive për rreth 600 000 automjete elektrike çdo vit. Shumë më e madhe është sasia e litiumit që planifikohet të prodhohet në Serbi: 58,000 ton litium në vit. Kjo sasi mund të mjaftojë për rreth 1.1 milionë automjete elektrike – që mbulon afërsisht 17% të kërkesës europiane. Korrikun e këtij viti, Brukseli e Beogradi firmosën një marrëveshje për nxjerrjen e litiumit në Luginën serbe të Jadarit.

SHPËRTHIME TË FUQISHME NË DAMASK TEKSA IZRAELI SULMON QENDRAT USHTARAKE

Shpërthime të fuqishme janë dëgjuar sot në Damask, teksa ka raportime se Izraeli është duke goditur në mënyrë sistematike qendra të ushtrisë siriane, pas rrëzimit të regjimit brutal të Bashar al-Assadit. Vëzhguesi Sirian për të Drejta të Njeriut, organizatë me bazë në Londër, ka thënë përmes një deklarate se Izraeli “ka shkatërruar shumicën e qendrave të rëndësishme ushtarake në Siri”, derisa trupat ushtarake izraelite janë pozicionuar në zonë neutrale afër Rrafshnaltës së Golanit, të aneksuar nga Izraeli. Qeveria izraelite e ka arsyetuar pozicionimin ushtarak, duke përmendur “arsye të sigurisë”. Vëzhguesi Sirian ka thënë se Izraeli i ka kryer mbi 250 sulme ajrore në territorin sirian në dy ditët e fundit, me qëllim të shkatërrimit të kapaciteteve ushtarake të Sirisë.

ZELENSKY I HAPUR PËR PRANINË E TRUPAVE TË HUAJ NË UKRAINË

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë dje se do ta konsiderojë vendosjen e përkohshme të forcave të huaja ushtarake në tokën ukrainase derisa vendi të bëhet anëtar i NATO-s, si mënyrë për ta siguruar vendin e tij si pjesë e marrëveshjes për paqe me Rusinë. Duke folur më dje në një konferencë të përbashkët në Kiev me liderin opozitar të Gjermanisë, Freidrich Merz, Zelensky tha se për të qenë Ukraina e sigurt, nuk nevojitet vetëm anëtarësimi në NATO, por edhe në Bashkimin Evropian gjithashtu, në mënyrë që të frenohej agresioni nga Moska. “Një kontingjent i forcave ushtarake nga një vend apo tjetër mund të qëndrojnë në Ukrainë derisa ajo të bëhet anëtare e NATO-s”, tha Zelensky, duke lënë të nënkuptohet se Kievi është i hapur për gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike për luftën ruse gati tri vjet të gjatë.

PRESIDENTI KINEZ: LUFTA TREGTARE ME SHBA-NË NUK DO TË KETË FITUES

Presidenti kinez, Xi Jinping ka paralajmëruar të martën se një luftë tregtare me Shtetet e Bashkuara nuk do të rezultonte me fitues, ka raportuar media shtetërore.
Xi i ka bërë këto deklarata pak para inaugurimit të presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump në janar.
Trump, ish-president amerikan, ka shtyrë përpara luftën tregtare me Kinën përgjatë mandatit të parë në Shtëpinë e Bardhë, dhe e ka akuzuar këtë shtet për vjedhje të pronës intelektuale dhe praktika tjera “të padrejta”.
Ai është zotuar për të vendosur tarifa edhe më të larta ndaj Kinës në mandatin e dytë, teksa Pekini vazhdon të përballet me rimëkëmbje të ngadalshme ekonomike pas pandemisë së koronavirusit.

MOT I VRTANËT, DERI NË 15 GRADË

Sot ishte mot I vranët vende vende me shi. Frynë ere e mesme nga drejtimet e jug lindjes.
Temperaturat në orën 13 u shenduan: Tivar 16, Ulqin 15, Budvë 13, Podgoricë 11, Hrceg Novi 10, Nikshiq 7, Cetinë 6, Beranë e Bjello Pole 5, Plevle, Plluzhinë , Andrievicë e Gucisnë 4, Kollashin e Rozhaj 3, Petnicë 2 dhe në Zhablak 2 g.
Për nesër meteorologët paralajmërojnë mot të ngjashëm me të sotmin, të vranët vende vende me shi të dobët, kurse në zonat malore me skllotë dhe bore. Do të fryjë erë e lehtë deri e mesme nga drejtimet e ndryshme. Temperatura e mëngjesit prej -1 deri në 11, kurse më e larta e ditës prej 1 deri në 15 g.

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се