- Hronika
- Kolumne
-
Radio
- Izdvajamo
-
Emisije
- Novosti dana
- Dokumentarni program
- Pop top
- Europuls
- Zrno po zrno
- Radio ordinacija
- Kulturna panorama
- Zelena priča
- Epoleta
- +382
- Spona
- Svijet jednakih šansi
- Matica
- Život po mjeri čovjeka
- Link
- Izokrenuti svijet
- Koracima mladih
- Moja profesija je...
- Sportski program
- Kulturno-umjetnički program
- Koracima prošlosti
- Naučno-obrazovni program
- Muzički program
- RCG
- R98
- Programska šema
- Trofej Radija Crne Gore
- Frekvencije
- Radio drama
Ditari
29. 11. 2024.
00:00 >> 19:03
Ditari 29.11.2024
Përgatiti, Gj. Dukaj
M.Spajiq; Qeveria nuk do të privatizojë institutin në Igallo
Kryeministri, Millojko Spajiq, në konferencën e sotme për media ka bërë të ditur se Qeveria nuk do të privatizojë dhe as ta shesë Institutin "Dr. Simo Millosheviq" në Igallo.
Spajiq tha se për shkak të neglizhencës së rëndë të ish-menaxhmentit si dhe të ish-ministrive, Instituti „Dr. Simo Millosheviq” është mbyllur që nga viti 2018. "Megjithatë, ne nuk do ta privatizojmë atë kompani siç kanë privatizuar qeveritë e mëparshme 300 kompani në periudhën e mëparshme. Ne në thelb po shkojmë në një lloj rikapitalizimi," tha ai.
Ai beson se Instituti ka qenë gjithmonë specifik nga pikëpamja e strukturës së pronësisë.
„Kështu në vitin 2018 disa aksionarë pakicë, blenë një pjesë të aksioneve me një çmim prej rreth 10 milionë euro për një kompani që në atë kohë funksiononte pozitivisht, por për shkak të neglizhencës së madhe të ish-menaxhmentit por edhe të ministrive, ajo kompani dalëngadalë u mbyll dhe u neglizhua plotësisht“, tha Spajiq.
Ai thotë se janë të kënaqur me bashkëpunimin me Fakultetin Ekonomik, i cili bëri një punë të madhe në ristrukturimin e kompanisë.
Ministri i Planifikimit Hapësinor, Urbanizmit dhe Pronës Shtetërore, Sllaven Radunoviq, tha se ky plan është maksimumi që Qeveria mund ta bëjë.
N.Vukoviq; Nga huaja vetëm për financimin e buxhetit kapital dhe borxhet e mëparshme
Të vetmet borxhe që janë paraparë janë për financimin e buxhetit kapital dhe për detyrimet nga periudha paraprake. Në fillim të tremujorit të dytë kemi gjysmë miliardë, që është borxhi i cili arrinë për vitin 2018, si dhe vendimi për marrjen e huasë në shumën 900 milionë euro për shlyerjen e detyrimeve të mëparëshme, njoftoi sot ministri i financave të Malit të Zi, Novica Vukoviq, duke u përgjigjur në pyetjet e deputetëve, në vazhdim të Orës së Kryeministrit. Tema e kësaj seance ishte - Ndikimi i reformave ekonomike në stabilitetin financiar të Malit të Zi.
Vukoviq tha se situata është më e mirë se vitin e kaluar.
“Fluksi neto i investimeve të huaja direkte nga fillimi i vitit deri në shtator arrin në 372.57 milionë euro, që është 18 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Në strukturën e përgjithshme pjesa më e madhe vazhdon të investohet në pasuri të paluajtshme, tha Vukoviq. Ai tha gjithashtu se “Jam i sigurt se në fillim të vitit të ardhshëm, ndoshta në fund të këtij viti, do të mund të flasim për investitorë konkretë dhe zhvillime konkrete“.
Do të merret hua për financimin e buxhetit kapital dhe shlyerjen e detyrimeve të periudhës së mëparshme, sqaroi ministri Vukoviq.
Zenoviq; Sundimi i ligjit është në themelet e projektit evropian
Sundimi i ligjit është themeli i projektit evropian dhe negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian (BE), tha kryenegociatori i Malit të Zi me BE-në, Predrag Zenoviq. Ai tha këtë në panelin “Sundimi i ligjit–mësimet e nxjerra nga vendet kandidate dhe anëtare të BE-së“ në kuadër të Forumit të Kryenegociatorëve, i cili mbahet në Kishinau, kryeqyteti i Moldavisë. Siç është njoftuar nga Departamenti për Çështje Evropiane, Zenoviq ka ndarë përvojat e Malit të Zi si lider në procesin e anëtarësimit në BE dhe ka folur për sfidat dhe arritjet kryesore në fushën e integrimit në BE.
Ai vuri në dukje rolin qendror të shtetit të së drejtës dhe kapitujt 23 dhe 24, sfidat që nga hapja e atyre kapitujve deri te marrja e Raportit të Përkohshëm të Përmbushjes së Standardeve (IBAR), duke theksuar se sundimi i ligjit është në themelet e projektit Evropian dhe të negociatave të anëtarësimit.
“Për herë të parë që nga fillimi i negociatave, në Raportin e Komisionit Evropian, Mali i Zi ka marrë një vlerësim të progresit të mirë në këta dy kapituj dhe gatishmërisë së mirë të përgjithshme në kapitullin 24, tha Zenoviq. Siç tha ai, me rezultate pozitive në kuadër të IBAR-it dhe pjesëmarrjes në Raportin për sundimin e ligjit që zbatohet për shtetet anëtare, Mali i Zi ka arritur një hap të rëndësishëm përpara në këtë fushë. Ai thekson se janë duke u përgatitur për planet e reja të veprimit për standardet përfundimtare në kapitujt 23 dhe 24.
M.Radonjiq; Vendi ka nevojë për veprime konkrete për t’u anëtarësuar në BE
Mali i Zi ka nevojë për veprime konkrete për t'u bërë anëtar i Bashkimit Evropian (BE) deri në vitin 2028, tha Millosh Radonjiq, këshilltar i presidentit të vendit për çështjet evropiane, duke deklaruar se ai është i inkurajuar nëse Barometri 26 lë të kuptohet për një ndryshim në praktikat e këqija të deritanishme.
Në një intervistë për agjencinë MINA, Radonjiq tha se procesi i negociatave për anëtarësim është i ngarkuar nga disa trende negative dhe, siç tha ai, është e rëndësishme që opinioni në Mal të Zi të dëgjojë detaje rreth dinamikës së mbylljes së këtij kapitullit.
I pyetur se si e komenton momentin aktual në negociatat e anëtarësimit, pra nëse vendi po përparon me dinamikën e nevojshme për t'u bërë anëtar i BE-së në vitin 2028, Radonjiq u përgjigj se Mali i Zi, pas plot shtatë vitesh, ka një shans të mirë për mbylljen e katër kapitujve të negociatave.
Siç tha ai, Komisioni Evropian është organ i BE-së që përgatit qëndrimet negociuese dhe të gjitha dokumentet tjera relevante nga procesi i anëtarësimit, por fjalën përfundimtare në atë proces e japin shtetet anëtare, përfshirë këtu edhe Kroacinë e që do të thotë se në fund, kur të vendoset nëse Mali i Zi do t'i mbyllë këto katër kapituj, do të na duhet edhe vota Kroacisë“, tha Radonjiq.
A.Mandiq; Koalicionit për të ardhmen e Podgoricës i takon posti i kryetrait të Podgoricës
Kryetari i Kuvendit Andrija Mandiq, i ftuar në emisionin “Argumenti”, tha se logoja e re e Kuvendit përfshin edhe Malin e Zi dhe se kjo është një gjë e mirë që na ka ndodhur. Mandiq thekson se lidershipet e mëparshme të Kuvendit u përpoqën të krijonin logon e tyre, por nuk ia dolën. Ai thotë gjithashtu se nuk ka pasur nevojë për performancën e djeshme të opozitës, pasi siç thotë ai nuk u ka sjellë atyre vota të reja.
Duke komentuar vendimin e Parlamentit të Cetinës se nuk është i mirëpritur në këtë komunë, derisa të kërkojë falje dhe të tërheqë gjithçka që ka thënë për atë qytet, Mandiq thotë se ky është një përfundim i papërgjegjshëm nga Kuvendi i Cetinës.
I pyetur nëse është optimist se është e mundur të formohet pushteti në Podgoricë, Mandiq thotë se ka qenë gjithmonë optimist në jetën e tij.
Ai tha se atë që ndodhi më 30 gusht e percepton si cilësinë më të madhe përtej rritjes së pagave dhe pensioneve dhe ka shtuar se nuk është politikisht e arsyeshme që dikush që ka fituar dy mandate të kërkojë postin e kryetarit. Kjo, shton ai, nuk ekziston askund në botë.
Koalicioni PES – Demokratët, mori numrin më të madh të votave në zgjedhje, kështu që sipas rregullave demokratike, sipas Mandiqit, posti i kryetarit të komunës u takon atyre. Ai thotë se posti i kryetarit të Kuvendit i takon Koalicionit për të ardhmen e Podgoricës, i cili doli i dyti në zgjedhjet e Podgoricës, ka theksuar Mandiq.
Deputetët e Lëvizjes Evropa Tani, iniciojnë ndryshimin e ligjit për pagat në sektorin publik
Deputetët e Lëvizjes Evropa Tani (PES) i kanë dorëzuar Ministrisë së Financave për shqyrtim publik propozimin për ndryshimet e propozuara në Ligjin për pagat e të punësuarve në sektorin publik, i cili synon të ndalojë përfundimisht, siç thonë ata, praktikën e dhënies së privilegjeve të mëdha për zyrtarët dhe të gjitha në kurriz të qytetarëve.
Këto ndryshime, besojnë se dërgojnë një mesazh të fortë - përgjegjësia duhet të bëhet themeli i sektorit publik, ndërsa hendeku mes statusit të zyrtarëve dhe qytetarëve duhet të zvogëlohet.
“Jemi të vetëdijshëm se vite më parë janë keqpërdorur këto përfitime, në atë mënyrë që në muajin e fundit para përfundimit të mandatit, paga do të rritej me variabla dhe shtesa, në mënyrë që zyrtari të merrte kompensim në masën nga pagesa e fundit për vitin e ardhshëm.
Këto ndryshime nuk janë vetëm të karakterit teknik - ato janë një luftë politike kundër individëve të privilegjuar që e përdorin sistemin për përfitime personale prej vitesh.
Masat e propozuara kanë për qëllim kthimin e besimit të qytetarëve në institucionet publike, sepse ka pas shumë abuzime dhe privilegjet kanë bërë që sistemi të humbiste legjitimitetin”, thuhet në komunikatë.
Këshilli gjyqësor, vendos sot për kryetarin e ri të Gjykatës supreme
Këshilli Gjyqësor sot do të vendosë nëse ish-përfaqësuesja e Malit të Zi para Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në Strasburg, Valentina Pavliçiq, a do të zgjedhet kryetare e re e Gjykatës supreme. Në seancën e cila është dashtë të filloj në ora 14, Këshilli interviston Pavliçiqen, pas së cilës do të vendosë për kandidimin e saj.
Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Radoje Koraq, fillimisht ka shpjeguar propozimin e Gjykatës së Lartë për zgjedhjen e Valentina Pavliçiqit për kryetare të Gjykatës Supreme dhe ka lexuar biografinë e saj.
Ai nënvizoi se Pavliçiq, ka përgatitur një program pune prej 60 faqesh, kurse ajo ka shpjeguar disa nga qëllimet themelore.
Në shpalljen publike për zgjedhjen e kryetarit të Gjykatës Supreme, përveç Pavliçiq, kanë aplikuar kryetari i Gjykatës Administrative Miodrag Peshiq, ushtruesja e detyrës së kryetarit të Gjykatës Supreme, Vesna Vuçkoviq dhe gjyqtarja e asaj gjykate Ana Vukoviq, por ata kanë marrë më pak mbështetje.
A.Kurti; Kemi komunikim të vazhdueshëm me presidenten osmani
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ngulur këmbë të premten se ka komunikim dhe bashkërendim të vazhdueshëm me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, për politikën e jashtme, pas fjalimit të saj kritikues se marrëdhëniet e vendit me aleatët po vihen në rrezik.
Në fjalimin e saj vjetor para deputetëve më 21 nëntor, Osmani bëri thirrje për ruajtjen e marrëdhënieve me vendet aleate, duke thënë se cenimi i raporteve me këto vende e cenon vetë Kosovën.
I pyetur rreth kësaj deklarate gjatë një ngjarjeje në Podujevë të premten, Kurti tha se “unë vazhdimisht kam qenë në komunikim dhe bashkërendim edhe me presidenten Osmani edhe kryeparlamentarin Konjufca edhe ministren e jashtme Gërvalla sa i përket politikës së jashtme”.
Autoritetet dënojnë sulmin ndaj ndërtesës së komunës së Zveçanit
Zyrtarët e Kosovës e kanë dënuar si akt kriminal një sulm ndaj ndërtesës së Komunës së Zveçanit në veri të Kosovës të enjten vonë, i cili ishte i dyti brenda dy ditëve ndaj institucioneve të vendit në këtë komunë të banuar me shumicë serbe, pas sulmit me granata dore në një stacion policor.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun, Veton Elshani, tha për Radion Evropa e Lirë se ndërtesa komunale u sulmua me mjet shpërthyes të enjten para mesnatës, i cili dyshohet se ishte “granatë dore e llojit M-75”.
Elshani theksoi se nuk ka të lënduar nga ky shpërthim dhe se policia nuk ka identifikuar ende ndonjë të dyshuar për kryerjen e sulmit.
Sulmi i shkaktoi dëme ndërtesës së Komunës dhe katër automjeteve të parkuara aty pranë, ndërsa policia ka nisur hetimet tashmë, sipas Elshanit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se këto sulme “janë akte kriminale dhe terroriste që kanë qëllim të ndjellin frikë”, kur u pyet sot për sulmin gjatë një ngjarjeje në Podujevë.
Kreu i MI6, thotë se Rusia po kryen “fushatë të pamatur” në Evropë
Rusia po kryen “fushatë të pamatur” sabotuese në Evropë dhe po ashtu po intensifikon retorikën bërthamore për të frikësuar shtetet e tjera në mënyrë që të mos e mbështesin Ukrainën, tha shefi i spiunazhit i Britanisë.
Richard Moore, që udhëheq shërbimin e inteligjencës sekrete britanike, të njohur si MI6, gjatë një fjalimi në Paris më 29 nëntor tha se nëse presidenti rus, Vladimir Putin, do të ketë sukses që ta shndërrojë Ukrainën në një shtet vasal, ai nuk do të ndalet aty.
“Siguria jonë, britanike, franceze, evropiane dhe transatlantike, do të rrezikohej”, tha ai.
“Së voni, ne kemi zbuluar një fushatë të pamatur të sabotimit rus në Evropë, edhe teksa Putin dhe aleatët e tij përdorin kërcënimet bërthamore për të nxitur frikë lidhur me pasojat e ndihmës së Ukrainës”, shtoi ai.
Ushtria e Ukrainës thotë se ka goditur një depo dhe një stacion radari brenda Rusisë
Ukraina tha të premten se i ka goditur një depo të naftës dhe një stacioni radari të mbrojtjes ajrore brenda Rusisë.
Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Ukrainës tha se sulmi ndaj depos së naftës Atlas në rajonin Rostov të Rusisë, shkaktoi zjarr në objekt. Kjo rafineri ishte goditur nga një sulm i ngjashëm më herët gjatë këtij viti.
“Atlasi është pjesë e kompleksit ushtarako-industrial të Rusisë, i cili e furnizon me produkte të naftës ushtrinë e Federatës Ruse”, tha ky shtab në një komunikatë në rrjetet sociale.
Në njoftim thuhet se një stacion radari, i cili kishte sistem kundërajror rus Buk-M3, u shkatërrua nga një sulm tjetër në zonën e kontrolluar nga Rusia në juglindje të rajonit Zaporizhja të Ukrainës.
Kryengritësit në Siri, në ofensivë kundër forcave të regjimit në vend
Disa grupe kryengritëse në Siri kanë nisur një ofensivë të befasishme kundër forcave të regjimit dhe aleatëve të tyre duke marrë nën kontroll pjesë të madhe të territorit dhe duke arritur në 5 kilometra pranë qendrës së Alepos. Kjo ka bërë që presidenti Assad të udhëtojë për në Moskë për të kërkuar ndihmë.
Grupet kryengritëse siriane kanë nisur një ofensivë të befasishme në pjesën perëndimore të vendit duke marrë nën kontroll së paku 10 rajone, dhjetëra fshatra dhe qytete si dhe disa baza dhe depo të armatimit të ushtrisë sirianë.
Sipas njoftimeve, për këtë ofensivë janë bashkuar grupe të ndryshme kryengritëse - ofensiva udhëhiqet nga Hay’et Tahrir al-Sham , ish degë e Al Kaeda-s në Siri dhe Ushtria e lirë siriane - grup sekular i përbërë së tepërmi prej luftëtarëve kurd i cili në të kaluarën përkrahej nga SHBA-të dhe Turqia por, në të po marrin pjesë edhe shumë grupe më të vogla me ideologji dhe prapavija të ndryshme.
Nesër, mot i ndryshueshëm, në mbrëmje me të reshura
Në Mal të Zi mban mot i vranët dhe kryesisht i thatë. Frynë erë e mesme deri e fortë e drejtimeve veriore dhe verilindore. Temperatura në orën 13;
Herceg Novi e Budvë 13 gradë, Podgoricë e Tivar 11, Ulqin 9, Nikshiq e Cetinë 7, Shavnik 5, Plevlë e Plluzhinë 4, Berane 3, Bjello Pole, Andrijevicë e Rozhajë 2, Kollashin 1, Guci -1 dhe në Zhablak -2 gradë.
Meteorologët parashohin se nesër, në viset jugore, do të mbaj mot kryesisht i vranët, në orët e pasditës dhe të mbrëmjes me të reshura të shiut, kurse në viset veriore me të reshura të borës, më intensive në mbrëmje.
Do të fryjë erë e mesme deri e fortë e drejtimeve veriore dhe verilindore.
Temperatura e mëngjesit prej -5 deri në 10, kurse më e larta e ditës prej -3 deri në 15 gradë celsius.
Коментари0
Остави коментар