- Hronika
- Kolumne
-
Radio
- Izdvajamo
-
Emisije
- Novosti dana
- Dokumentarni program
- Pop top
- Europuls
- Zrno po zrno
- Radio ordinacija
- Kulturna panorama
- Zelena priča
- Epoleta
- +382
- Spona
- Svijet jednakih šansi
- Matica
- Život po mjeri čovjeka
- Link
- Izokrenuti svijet
- Koracima mladih
- Moja profesija je...
- Sportski program
- Kulturno-umjetnički program
- Koracima prošlosti
- Naučno-obrazovni program
- Muzički program
- RCG
- R98
- Programska šema
- Trofej Radija Crne Gore
- Frekvencije
- Radio drama
Ditari
28. 11. 2024.
00:00 >> 17:56
Ditari 28.11.2024
Ditarin e përgatiti, Violeta Gjokaj
SHQIPTARËT FESTOJNË 28 NËNTORIN, DITËN E FLAMURIT KOMBËTAR DHE 112-VJETORIN E SHPALLJES SË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË
Shqiptarët festojnë sot 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit Kombëtar dhe Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë. Më 28 nëntor të vitit 1912, Ismail Qemali shpalli Pavarësinë e Shqipërisë në Vlorë, pas 5 shekujsh robërie nga pushtuesit Osmanë. Mirëpo 28 nëntori nuk u zgjodh rastësisht nga “Plaku i Urtë” i Vlorës për të ngritur flamurin kuq e zi dhe për t’i dhënë fund zgjedhës otomane. Pikërisht më 28 nëntor të vitit 1443, Heroi Ynë Kombëtar, kryetrimi i shqiptarëve siç e quan Ismail Qemali, ngriti flamurin kuq e zi në Krujë, duke çliruar kështu Shqipërinë nga turqit. Skënderbeu luftoi kundër osmanëve deri në vdekjen e tij më 17 janar të vitit 1468. Ndërsa në të njëjtën ditë, 463 vite më vonë, Ismail Qemali shpalli pavarësinë e Shqipërisë në qytetin e Vlorës, duke treguar se shqiptarët nuk do të pranojnë kurrë të rrinë nën zgjedhe turke përgjithmonë.
SOT NË QENDËR TË TUZIT U BË ZBULIMI PËRMENDORES SË HEROIT TONË KOMBËTAR GJERGJ KASTRIOT – SKENDERBEUT
Në ditën e Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, festës më të dashur dhe më të shenjtë të kombit shqiptar, sot në qendër të Tuzit u bë zbulimi përmendores së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot – Skenderbeut. Vendimi i Komunës së Tuzit për të vendosur heroin tonë kombëtar në sheshin e ri është vepër historike, artistike e kulturore. Malësisë i ka hije kjo vepër edhe pse Skënderbeu nga sheshi i ri do të vështrojë Malin e Deçiqit, ku për herë të parë u ngrit flamuri i tij pas pothuajse 500-vjetësh. Ismail Kadare ka thënë se kryengritjet anti-otomane fillojnë me Skenderbeun dhe mbarojnë me Dedë Gjo Lulin. Diaspora shqiptare e Amerikës meriton nderime për kontributin e saj financiar. Meritojnë gjithashtu respekt edhe udhëheqësit politik të Malësisë, të cilët patën fuqi morale dhe politike për ta realizuar këtë qëllim. Urime Tuz, urime Malësi, urime diasporë për këtë vepër madhështore. Në ceremoninë e përurimit të përmendores së Kryeheroit në sheshin që mban këtë emër, në foltore u shndërruan, personalitete të shumta. I pari në emër të kuvendit i cili e miratoi vendimin foli kreu i këtij organi Fadil Kajoshaj. Përmendoren e financuan 4 shoqatat shqiptare nga Amerika. Në emër të Shoqatës Malësia e Madhe Nju Jork foli Senad Lulanja, Malësia e Madhe nga Detroiti Nrekë Gjolaj, Jehona e Malësisë po nga Detroiti, Agron Dedivanaj dhe Sherif Krniqi kryetari Shoqatës ,Malësisë nga Kalifornia. Partitë politike përbërës të Forumit Shqiptar e mbështetën në forma të ndryshe Ivan Ivanaj kryetari i Lidhjes Demokratike Shqiptare, kurse në emër të Unionit Nacional Shqiptarë Ferhat Dinosha. I pari i komunës së Tuzit Lindon Gjelaj pasi u uroj mirëseardhje mysafirëve nga diaspora dhe shqiptarët e rajonit foli për ecurinë e punëve në realizimin e kësaj vepre. Nënkryetari i Qeverisë së Malit të Zi dhe ish kryetari i komunës së Tuzit, Nikë Gjeloshaj foli i fundit në këtë manifestim duke falënderuar mërgatën për financimin e përmendores së Skënderbeut. Ai tha se kur shqiptarët janë të bashkuar nuk ka forcë që mund ti ndal në realizimin e qëllimeve, duke aluduar në Forumin Shqiptar. Manifestimin e pasuruan me zërin e tyre të ëmbël ikonat e muzikës shqip, Nikollë Nikprelaj, Kastriot Tusha, Ilir Shaqiri, Selami Kolonja dhe Enkeleida Arifi.
MBAHET CEREMONIA E NGRITJES SË FLAMURIT NË VLORË, PREZENT EDHE KURTI
Në qytetin e Vlorës, pranë monumentit të Pavarësisë, u zhvillua sot ceremonia e ngritjes së flamurit me rastin e 112- vjetorit të Pavarësisë. Në ceremoni ishin të pranishëm Presidenti Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryetarja e Kuvendit,Elisa Spiropali, prefekti i qarkut të Vlorës, Kristaq Kiço, kryetari i bashkisë së Vlorës Ermal Dredha, drejtues të pushtetit vendor, përfaqësues të komuniteteve fetare, qytetarë, etj. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar presidenti Begaj, kryeministri Rama, kryeministri Kurti dhe kryeparlamentarja Spiropali vendosën kurora me lule dhe u përkulën me respekt pranë monumentit simbol të kurorëzimit të përpjekjeve shekullore për liri e pavarësi, si homazh në këtë ditë të rëndësishme kujtese mbarëkombëtare.
MILLATOVIQ: SPAJIQIN DO TA FTOJ NË DIALOG PASI TË KTHEHET NGA BRUKSELI
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka njoftuar se do ta ftojë në dialog kryeministrin Millojko Spajiq pas kthimit nga Brukseli. Mbledhja e forcave të qendrës qytetare dhe evropiane, të cilat do të diktojë ritmin e ndryshimeve shoqërore deri në hyrjen e Malit të Zi në Bashkim Evropian, është një ide më e madhe se çdo individ apo parti, tha Millatoviq. Ai shprehet se në të ardhmen është e nevojshme të tejkalohen mosmarrëveshjet në mes të forcave që i përkasin qendrës qytetare dhe së bashku të ecet drejt arritjes së qëllimit më të rëndësishëm të politikës së jashtme, anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkim Evropian deri në vitin 2028. “Kjo nënkupton një marrëveshje të përbashkët për parimet kyçe të politikës shtetërore, e cila do të bazohet në bashkëpunimin dhe veprimin e sinkronizuar në periudhën e ardhshme – veçanërisht ndërmjet Presidentit të Shtetit dhe Kryeministrit. Me këtë vendosa që pas kthimit nga Brukseli, ku kam takime të rëndësishme për rrugën evropiane të Malit të Zi, ftoj kryeministrin në dialog”, tha ai.
KABINETI I SPAJIQIT MIRËPRET FTESËN E MILLATOVIQIT
Nga kabineti i kryeministrit Millojko Spajiq është bërë me dije se mirëpresin njoftimin e Presidentit të Malit të Zi, Jakov Millatoviq, se do të kontribuojë në proceset që do të çojnë në arritjen e qëllimit të vendosur nga Qeveria e 44-të e Malit të Zi, që vendi ynë të bëhet anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian deri në vitin 2028. Pas zyrtarizmit të iniciativës së presidentit Millatoviq, kryeministri do ta trajtojë me vëmendje të veçantë në mënyrë që, si gjithmonë më parë, të kontribuojë në arritjen e konsensusit më të gjerë shoqëror për këtë çështje të rëndësishme, u kumtua nga kabineti i Sapajiqit, duke shtuar se fakti që Njoftimi i Presidentit është veçanërisht inkurajues vjen pasi kryeministri Spajiq prezantoi platformën "Barometri 26" - që i referohet marrjes së një detyrimi të përbashkët për të përfunduar negociatat me BE-në deri në fund të vitit 2026.
MANDATET E VERIFIKUARA TË KËSHILLTARËVE
Ka përfunduar seanca konstituive e Kuvendit të Kryeqytetit, ku u verifikuan mandatet e këshilltarëve. Seanca filloi me intonimin e himnit të Malit të Zi. Në rend dite ishte zgjedhja e kryetarit të parlamentit lokal, por ende nuk është propozuar asnjë kandidat për këtë post. Këshilltarët kanë afat deri më 28 dhjetor për të rënë dakord për kryetarin e ri të Kuvendit të Kryeqytetit. Seancën, në të cilën morën pjesë 47 nga 59 këshilltarë, e drejtoi Mitar Vukoviq nga demokratët si këshilltari më i vjetër.
PROPOZON NDRYSHIME NË KODIN PENAL PËR TË DREJTAT E PRONËSISË INTELEKTUALE
Qeveria miratoi Projektligjin për ndryshimet në Kodin Penal, i cili, siç njoftohet, parashikon se vetëm rastet e rënda të shkeljes së të drejtave të pronësisë intelektuale do të penalizohen si vepra penale.Në njoftimin për shtyp pas seancës, thuhet se Projektligji për Ndryshimet në Kodin Penal u përcaktua në bazë të rekomandimeve në raportin “TAIEX Peer Review” të misionit për vlerësimin e pikës përfundimtare numër katër për Kapitullin 7 – të drejtat e Pronësia Intelektuale.Rekomandimet theksojnë se mbrojtja efektive e të drejtave të pronësisë intelektuale në legjislacion dhe zbatim praktik mund të sigurohet vetëm me parashkrimin dhe përcaktimin e qartë të dallimit ndërmjet kundërvajtjeve dhe veprave penale, për të shmangur dënimin e dyfishtë, që do të ishte në kundërshtim me standardet evropiane.“Rrjedhimisht, u propozua që vetëm rastet e rënda të shkeljes së të drejtave të pronësisë intelektuale të penalizohen si vepra penale, gjegjësisht rastet kur bartësi i së drejtës ka pësuar dëm të konsiderueshëm, pra kur autori ka përfituar një përfitim të konsiderueshëm të kundërligjshëm duke kryer veprën penale. “, thanë nga Qeveria.
DUKAJ: DIXHITALIZIMI ËSHTË NJË MISION DHE NDËRMARRJE E PËRBASHKËT
Transformimi dixhital nuk është vetëm një proces teknik, por një ndryshim kyç që formëson mënyrën se si administrata, institucionet dhe qytetarët tanë komunikojnë dhe bashkëpunojnë, tha ministri i Administratës Publike Marash Dukaj.Siç tha ai, GOVTech, si një ndërthurje e teknologjisë, inovacionit dhe sektorit publik, përfaqëson një mjet që mund të ripërcaktojë administratën publike, duke e bërë atë më efikase, transparente dhe më afër nevojave të qytetarëve”.“Mali i Zi është në rrugën e transformimit dixhital të përshpejtuar. Ne kemi investuar përpjekje të konsiderueshme në zhvillimin e shërbimeve elektronike, përmirësimin e ndërveprimit të regjistrave dhe aplikimin e teknologjive moderne që nxisin inovacionin. Megjithatë, jemi të vetëdijshëm se kemi ende shumë punë për të bërë sepse një nga angazhimet kryesore strategjike të Qeverisë së Malit të Zi është digjitalizimi i shoqërisë në tërësi, në përputhje me teknologjitë më moderne dhe standardet ndërkombëtare”, ka vazhduar Dukaj. Bashkëpunimi i sektorit privat dhe publik, komunitetit akademik dhe partnerëve ndërkombëtarë në këtë biznes nuk ka alternativë”, ka përfunduar Dukaj.
ZBATIMI PRIORITAR I PROGRAMEVE TË MBËSHTETURA NGA IPA DHE AXHENDA E REFORMËS
Zbatimi i programeve të mbështetura përmes Instrumentit të Mbështetjes së Para-anëtarësimit IPA dhe Agjendës së Reformës së miratuar së fundmi, përmes së cilës Mali i Zi do të marrë 383.5 milionë euro shtesë, është prioritet në vitet në vijim, u njoftua në seancën e Këshillit Monitorues të IPA-s.Në seancën ku u analizuan rezultatet dhe sfidat në menaxhimin e fondeve të BE-së, mori pjesë Sekretarja Shtetërore në Ministrinë e Financave dhe Zyrtarja Kombëtare e Çertifikimit, Milica Axhiq. Ai theksoi suksesin e jashtëzakonshëm të strukturës që është arritur në shfrytëzimin e fondeve në vitin paraprak, ndër të tjera, në fushën e programit IPARD II, pra mbështetjen për bujqësinë dhe zhvillimin rural, duke realizuar investime në shumën prej 11.4 milionë euro. “Ka nisur procesi i besimit të detyrave buxhetore në kuadër të zbatimit të dy programeve operacionale IPA për mbështetje në sektorët e punësimit dhe përfshirjes sociale dhe mbrojtjes së mjedisit dhe ndryshimeve klimatike, të cilat do të hapin mundësinë e zbatimit të projekteve me vlerë totale prej 68 milionë euro në këto zona”, shtoi Axhiq.
PROKURORIA SPECIALE E SHTETIT KA NGRITUR AKTAKUZË KUNDËR JELENA PEROVIQIT DHE NINA PAOVIQIT
Prokuroria Speciale Shtetërore ka ngritur aktpadi në Gjykatën e Lartë në Podgoricë kundër ish-drejtoreshës së Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Jelena Peroviq, në Departamentin Special të Gjykatës së Lartë në Podgoricë. Siç bëri me dije Prokuroria Speciale Shtetërore, me aktakuzë propozohet që Peroviqit t'i shqiptohen masa e vëzhgimit, përkatësisht konfiskimi i përkohshëm i dokumentit të udhëtimit dhe detyrim-paraqitje periodike në Departamentin e Policisë. Në njoftimin për medie thuhet se në aktakuzë është përfshirë edhe ndihmës-drejtoresha Nina Paoviq.
MILLATOVIQ: MALI I ZI PO RRËSHQET DREJT MARRËDHËNIEVE KOMPLEKSE ME KROACINË
Për shkak të veprimeve të caktuara të Qeverisë dhe shumicës parlamentare, Mali i Zi po rrëshqet drejt marrëdhënieve komplekse me Kroacinë, tha presidenti i vendit, Jakov Millatoviq. Ai këtë e tha në një konferencë për media pas takimit me presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, e cila ndodhet për vizitë zyrtare në Mal të Zi. Millatoviq tha se që nga viti 2005, kur u bë vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), Maqedonia e Veriut nuk ka hapur asnjë kapitull negociatash, ndër të tjera, për shkak të marrëdhënieve bilaterale me vendet fqinje. “Më duket se Mali i Zi, për shkak të veprimeve të caktuara të Qeverisë aktuale dhe shumicës parlamentare, po rrëshqet drejt marrëdhënieve komplekse me disa shtete anëtare të BE-së. Këtu mbi të gjitha mendoj Kroacinë”, tha Millatoviq. Ai tha se vitin e kaluar u njoftua se Mali i Zi do të mbyllë dhjetë kapituj negociatash deri në fund të këtij viti dhe "tani ka të gjitha mundësitë që ne të mbyllim vetëm katër".
VENDET E VOGLA TË PUNOJNË SË BASHKU DHE TË FORCOJNË LIDHJET NË KOHË SFIDUESE
Kohët sfiduese lindin miqësitë më të forta dhe vendet e vogla duhet të punojnë së bashku për të kapërcyer pengesat, është mesazhi i takimit të kryeministrit të Malit të Zi, Millojko Spajiq, dhe kryeministrit të Singaporit, Lawrence Wong. Dy vendet kanë marrëdhënie miqësore, të cilat duhet të përmirësohen, ranë dakord kryeministrat. "Qëllimi i vizitës sime është krijimi i lidhjeve midis Malit të Zi dhe Singaporit, dua të forcoj bashkëpunimin në të gjitha nivelet. Përvojat tuaja janë të vlefshme për ne dhe ne duam të adoptojmë praktikat më të mira nga ato më të suksesshmet, dhe Singapori është padyshim një nga ata”, tha kryeministri Spajiq gjatë takimit. Kjo mund të jetë e rëndësishme për zhvillimin e Malit të Zi, pasi Singapori ka një ekonomi të zhvilluar dhe të orientuar drejt tregut. Karakteristikat kryesore janë hapja, mungesa e korrupsionit, çmimet e qëndrueshme, të ardhurat për frymë në nivelin e vendeve më të zhvilluara. Politika e migracionit është shënuar si një sfidë e madhe për vendet e vogla, dhe për Malin e Zi, ajo mund të bëhet edhe më sfiduese pas anëtarësimit në BE.U fol edhe për potencialin energjetik të Malit të Zi, punën për përmirësimin e infrastrukturës përmes ndërtimit të autostradave, rindërtimin e hekurudhave, përmirësimin e aeroportit dhe portit të Tivarit.Ata diskutuan gjithashtu për situatën gjeopolitike, luftën në Ukrainë, marrëdhëniet në Azinë Juglindore.
ANULOHET SAMITI I LIDERËVE TË RAJONIT DHE BE-SË NË BOSNJE, DËSHTOI TENDERI PËR ORGANIZIM
Këshilli i Ministrave të Bosnjë dhe Hercegovinës ka marrë vendim për të anuluar samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian (BE), i cili ishte planifikuar të mbahej më 4 dhe 5 dhjetor në Neum, në Bosnjë dhe Hercegovinë. Lajmin për Radion Evropa e Lirë e konfirmoi zëvendëskryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, njëherësh ministri i Mbrojtjes, Zukan Helez.“Samiti është anuluar sepse ka dështuar tenderi për organizimin e kësaj ngjarjeje. Ka pasur një ankesë ndaj atyre që u kualifikuan si ofertuesit më të mirë”, tha Helez. Ai shtoi se tenderi i ri për organizimin e samitit do të shpallet “menjëherë” dhe se me shumë gjasë kjo ngjarje mund të mbahet në janar të vitit të ardhshëm. Kjo ngjarje ishte planifikuar të mblidhte udhëheqësit kryesorë nga rajoni dhe BE-ja, me synimin për të forcuar bashkëpunimin dhe për të shqyrtuar çështje të rëndësishme politike, ekonomike dhe shoqërore.
KATËR TË VDEKUR PAS FUNDOSJES SË NJË ANIJEJE NË GREQI
Katër persona, përfshirë dy fëmijë, kanë vdekur pasi një anije që po bartte emigrantë preku disa shkëmbinj nënujor afër ishullit Samos të Greqisë, duke shkaktuar fundosjen e anijes, thanë zyrtarët më 28 nëntor. Gjashtëmbëdhjetë persona u shpëtuan, por është e paqartë sesa njerëz ishin në bordin e anijes. Rojet bregdetare greke kanë nisur operacione të kërkim-shpëtimit, ku janë përfshirë anijet patrulluese, anijet shpëtuese dhe po ashtu ka ekipe në tokë që po kërkojnë të gjejnë ndonjë emigrantë të mundshëm që i ka shpëtuar fundosjes së anijes. Ky është incidenti i dytë vdekjeprurës brenda kësaj jave që përfshin fundosjen e anijeve të emigrantëve në Samos. Të hënën, më 25 nëntor, tetë emigrantë – gjashtë fëmijë dhe dy gra – vdiqën pasi një anije u fundos pranë brigjeve të Samosit. Ishulli Samos dhe ishujt e tjerë grekë në lindje të Detit Egje janë pika të rëndësishme të transitit për emigrantët që kalojnë nga Turqia për në Bashkimin Evropian.
188 RAKETA DHE DRONË TË LËSHUAR NGA RUSIA, REAGOJNË AUTORITETET UKRAINASE: SHËNJESTRUAN TË GODISNIN…
Ndërsa autoritetet në Kiev thonë se të gjitha raketat që synonin kryeqytetin ukrainas u kapën, dëmet raportohen nga zonat përreth.Një objekt infrastrukture pa emër është goditur në një vend jashtë Kievit, teksa janë goditur dhe një shtëpi private, një ndërtesë jo-rezidenciale dhe një strukturë e tipit hangar në një tjetër, thotë administrata rajonale, duke shtuar se dy persona kërkuan ndihmë mjekësore.
Dhe në një deklaratë, forca ajrore ukrainase thotë se nga 188 mjete sulmi ajrore (raketa dhe dronë) të lëshuara nga Rusia, ajo kapi 76 raketa lundrimi Kalibr, tre raketa Kh-59/Kh-69 dhe 35 dronë.
“Sulmi me raketa dhe dron i armikut shënjestroi objektet energjetike të Ukrainës”, thuhet në deklaratë.
USHTRIA IZRAELITE KONFIRMOI SE KREU NJË SULM NË LIBANIN JUGOR
Ushtria izraelite (IDF) konfirmoi se kreu një sulm në Libanin jugor këtë mëngjes, të cilin e përshkroi si një "sulm paralajmërues". Ky është raporti i parë i një sulmi me dron që nga hyrja në fuqi e armëpushimit midis Izraelit dhe Hezbollahut dje në mëngjes. Ushtria izraelite tha se kishte identifikuar të dyshuarit, të cilët mbërritën në disa zona të Libanit jugor me automjete, duke shkelur armëpushimin. Ushtria hapi zjarr ndaj të dyshuarve në zonën e Markaba, por nuk kishte ndërmend të vriste askënd. Mediat libaneze raportuan se të paktën dy persona u plagosën nga sulmi, ndërsa Izraeli njoftoi se do të merrte masat e duhura kundër çdo shkeljeje të armëpushimit. Një armëpushim midis Izraelit dhe Hezbollahut hyri në fuqi dje në mëngjes, si pjesë e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga SHBA dhe Franca.
NESËR MOT KRYESISHT I VRANËT, ME RESHJE TË SHIUT, SKLLOTË DHE BORË
Në Mal të Zi ka mbajtur mot plotësisht i vranët, në pjesët veriore dhe veri lindore me vranësira të pakta. Fryn ere e dobët deri mesatare nga drejtime të ndryshme.
Temperaturat e shënuara në orën 13: Budvë 18 g, Tivar 17, H. Novi 16, Andrievicë e Rozhajë 15, Podgoricë e Ulqin 14, Petnicë 13, Cetinë 12, Nikshiq e Andrievicë 11, Zhablak 10, Kollashin, Plevle, Plluzhinë e Shavnik 9 dhe në Guci 8 g.
Për nesër pritet mot me vranësira mesatare deri plotësisht i vranët, me reshje të herëpashershme shiu, vende-vende edhe rrebeshe dhe bubullima. Në veri dhe në zonat e larta malore me skllotë dhe borë. Pasdite ose në fund të ditës pritet ndërprerje graduale e reshjeve. Do të fryjë erë kryesisht e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura e mëngjesit nga -3 deri në 13, kurse më e larta ditore nga -1 deri në 15 gradë.
Коментари0
Остави коментар