Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

19. 11. 2024. 00:00 >> 17:56

Ditari 19.11.2024

Ditarin e përgatiti Marash Dedvukaj

39-vjeçarja me inicialet G.M. është vrarë mbrëmë pas mesnatës në rrugën Manastirska në lagjen Zelenika të Podgoricës

39-vjeçarja me inicialet G.M. është vrarë mbrëmë pas mesnatës në rrugën Manastirska në lagjen Zelenika të Podgoricës, mësojnë jozyrtarisht nga Drejtoria e Policisë. Vrasja ka ndodhur në oborrin e shtëpisë ku, sipas informacioneve fillestare, ajo është qëlluar me disa të shtëna me armë zjarri. Policia ndodhet në vendngjarje dhe po ndërmerr veprime në kuadër të juridiksionit të saj për zbardhjen e vrasjes.

Kallëzim penal kundër Petar Klajeviqit, i cili e lidhi aktin e vrasjes së dyfishtë nga Alia Baliagiq me atë që ai tha se ishte "fundamentalizëm islamik"

Këshilli komunal i Partisë për Drejtësi dhe Pajtim në Bjello Pole paraqiti kallëzim penal në Prokurorinë e Lartë të Shtetit në këtë komunë, kundër Petar Klajeviqit, i cili e lidhi aktin e vrasjes së dyfishtë nga Alia Baliagiq me atë që ai tha se ishte "fundamentalizëm islamik" dhe bëri thirrje publike për dhunë dhe urrejtje kundër popullit boshnjako-musliman në Bjello Pole dhe Mal të Zi. Klajeviq përmes kësaj thirrjeje ka kryer veprën penale të nxitjes së urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare, theksohet nga kjo parti. Ata kanë rikujtuar se përmes Deklaratës së përbashkët të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Agjencisë së Sigurisë Nacionale, është thënë se nuk ka të dhëna që tregojnë se Alia Baliagiq është i prirë nga ekstremizmi fetar.

M.Muleshkoviq - Projektligji për buxhetin për vitin e ardhshëm nuk ofron përgjigje për shumë pyetje

Projektligji për buxhetin për vitin e ardhshëm nuk ofron përgjigje për shumë pyetje, thotë analisti ekonomik Mirza Muleshkoviq dhe shtoi se nuk është bërë mjaftueshëm as kur bëhet fjalë për pjesën e shpenzimeve të buxhetit. Propozimi i buxhetit planifikon të marrë hua deri në 900 milionë euro, me faktin se, thekson Muleshkoviq, qeveria mund të marrë më shumë hua për projekte të caktuara. Ai beson se borxhi prej 65 për qind të prodhimit të brendshëm bruto është një shifër e mirë. Drejtori i Drejtorisë së Buxhetit të Shtetit në Ministrinë e Financave, Bojan Paunoviq, thekson se buxheti është i qëndrueshëm dhe siguron stabilitet të financave publike. Kryeministri Millojko Spajiq dhe ministri i Financave Novica Vukoviq e kanë prezantuar dje Projektligjin për Buxhetin e vitin 2025, duke theksuar se mesazhet bazë të buxhetit janë tendencat e vazhdueshme pozitive ekonomike me një normë reale të rritjes prej 4.8 për qind dhe kufizim të presionit të inflacionit.

Millatoviq Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të mbajnë fokusin e tyre në Ballkanin Perëndimor

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) duhet të mbajnë fokusin e tyre në Ballkanin Perëndimor dhe të vazhdojnë të mbështesin fuqimisht të ardhmen evropiane të Malit të Zi, u tha në takimin e Presidentit malazez Jakov Millatoviq dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor Aleksandar Kasanof. Millatoviq, siç njoftoi kabineti i tij, tha se Mali i Zi i kushton rëndësi të veçantë forcimit të lidhjeve të përgjithshme me SHBA-në. Ai tha se Mali i Zi dhe SHBA janë aleatë dhe partnerë dhe se është i bindur se dy vendet, në frymën e marrëdhënieve të shkëlqyera që kanë pasur deri më tani, do të vazhdojnë të forcojnë më tej bashkëpunimin politik dhe atë ekonomik. “Është e një rëndësie të veçantë që SHBA-ja të ruajë fokusin e vetë në Ballkanin Perëndimor dhe të vazhdojë të mbështesë fuqishëm të ardhmen evropiane të Malit të Zi. Vendi ynë dëshiron të bëhet partneri më i rëndësishëm i SHBA-së në rajon”, tha Millatoviq.

Përpjekjet e vazhdueshme të të gjitha institucioneve relevante dhe mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë janë kyçe për arritjen e rezultateve të qëndrueshme

Përpjekjet e vazhdueshme të të gjitha institucioneve relevante dhe mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë janë kyçe për arritjen e rezultateve të qëndrueshme në luftën kundër krimit dhe korrupsionit në vend. Kështu u bë e ditur gjatë takimit të kryeprokurorit shtetëror Millorad Markoviq dhe prokurorit special kryesor Vlladimir Novoviq me zëvendës ndihmës-sekretarin e shtetit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Aleksander Kasanof. Kryeprokuroria  Shtetërore njoftoi se takimi ka ofruar mundësi për të shkëmbyer mendime për gjendjen aktuale në fushën e drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe për të diskutuar mbi prioritetet që duhet të përcaktohen për realizimin e reformave të përhershme dhe të qëndrueshme.

M.Spajiq - nga 1 janari nuk ka rritje të faturave të energjisë elektrike

Faturat e energjisë elektrike për qytetarët nuk do të rriten nga 1 janari, është dakorduar në takimin e sotëm të kryeministrit Millojko Spajiq me ministrin e Energjetikës Sasha Mujoviq, drejtorin e Sistemit të shpërndarjes elektrike Vlladimir Ivanoviq dhe drejtorin e Sistemit të transmisionit elektrik, Ivan Asanoviq. Spajiq tha për Televizionin e Malit të Zi se Qeveria respekton vendimin e rregullatorit të pavarur dhe ruan stabilitetin e sektorit të energjisë, por po kërkon një mënyrë për të mbrojtur qytetarët të cilët, pasi Elektro-ekonomia e Malit të Zi nuk e rriti çmimin e energjisë aktive, nuk do të ndjejnë as rritje të shërbimeve të rrjetit në faturat e tyre. Pra, nuk do të ketë asnjë rritje të faturave të energjisë elektrike në asnjë formë për qytetarët tanë, duke filluar nga janari i vitit ardhshëm, tha kryeministri Millojko Spajiq.

Organizata turistike e Komunës së Ulqinit i ka dhuruar sot një donacion qendrës për pune sociale në shtëpinë e moshuarve dhe kuzhinës qendrore në Prishtinë

Organizata turistike e Komunës së Ulqinit i ka dhuruar sot një donacion të mandarinave, qendrës për pune sociale në shtëpinë e moshuarve dhe kuzhinës qendrore në Prishtinë. Qëllimi i këtij donacioni është promovimi i frutave të këtij sezoni që karakterizojnë Ulqinin. Koordinatori për ngjarje dhe manifestime në organizatën turistike të Ulqinit, Arber Haxhibrahmi është shprehur se ky është një gjest bujar e human nga komuna e Ulqinit.Ky është një gjest bujar dhe human, një fondacion që kemi marrë ne përsipër si organizatë turistike e Ulqinit, të frutës që karakterizon Ulqinin”, është shprehur Haxhibrahimi. Ndërsa, drejtoresha e mirëqenies sociale në Komunën e Prishtinës, Adelina Sahiti ka thënë se ky gjest human, tregon për kujdesin ndaj personave të moshës së tretë, të cilët kanë nevojë për mirëqenie sociale.

Në veri shfaqet një mesazh "Po vijmë për Krishtlindje"

Në katër komunat e veriut të Kosovës sot janë shfaqur postera me ngjyrat e flamurit të Serbisë dhe me mesazhin "Po vijmë për Krishtlindje". Policia e Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë (REL) se, pas konsultimit me prokurorin, është vendosur që rasti të mos hetohet, pasi "nuk ka rast". Krishtlindja ortodokse festohet më 7 janar. Shfaqja në veri e postareve të tillë apo grafiteve me mesazhe që bëjnë thirrje për kthimin e Ushtrisë Serbe në Kosovë ose thirrje për rezistencë ndaj Qeverisë së Kosovës, nuk është gjë e re. Policia deri më tani i ka hetuar këto raste, por publiku nuk është njoftuar nëse dihet kush qëndron pas tyre. Veriu i Kosovës gjatë dy vjetëve të fundit është përfshirë nga tensione të larta për shkak të përpjekjeve të Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti për ta shtrirë autoritetin në atë pjesën e vendit të banuar me shumicë serbe. Disa nga masat e ndërmarra në këtë drejtim janë: mbyllja e institucioneve të Serbisë në Kosovë, heqja e dinarit serb dhe ndalimi i targave serbe për qytetet në Kosovë. Bashkësia ndërkombëtare i ka kritikuar disa nga këto veprime të qeverisë së Kosovës, duke argumentuar se hapat “të pakoordinuar dhe të njëanshëm” mund të rrisin tensionet në terren.

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta publikoi sot mbrojtjen përpara Gjykatës së Apelit

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta publikoi sot mbrojtjen përpara Gjykatës së Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndërsa kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë. Meta ndodhet në arrest me burg nën hetim nga SPAK për 3 vepra penale. Meta kërkoi që Gjykata të respektojë Kushtetutën, Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, parimin e prezumimit të pafajësisë dhe një proces të rregullt ligjor për të ardhmen. Meta u shpreh se asnjëherë nuk i ka refuzuar ftesat e SPAK-ut dhe nuk ka pasur asnjë pozitë apo mundësi të prishë provat, “sepse prova as nuk ka përveç intervistave dhe hamendësimeve”. Meta sërish ka deklaruar se nuk ka përgjegjësi për shpenzimet e bëra nga ish-bashkëshortja, Monika Kryemadhi dhe nëna e saj. Ish-presidenti shprehet se nuk ka ndërmend që të arratiset dhe ka kërkuar ndryshimin e masës arrest me burg ndaj tij.

Policia arreston një të dyshuar 14-vjeçar për vrasjen e bashkëmoshatarit në Tiranë

Policia shqiptare ka arrestuar sot një 14-vjeçar si të dyshuar për vrasjen e një bashkëmoshatari një ditë më parë në Tiranë. Viktima dhe i dyshuari ishin nxënës të shkollës fillore “Fan Noli” në qendër të Tiranës. "I mituri, 14 vjeçar, u arrestua për veprat penale 'vrasje me dashje e kryer ndaj të miturit' dhe 'mbajtje pa leje të armëve të ftohta’", thuhet në njoftimin e policisë së Tiranës. Policia sqaron se i mituri ditën e hënë, në afërsi të shkollës është përleshur me dy bashkëmoshatarë të tij dhe gjatë konfliktit i ka goditur ata me mjet prerës. Si pasojë e këtij sulmi humbi jetën 14-vjeçari Martin Cani, ndërsa u plagos shoku i tij. Viktima ishte gjithashtu pjesë e një ekipi futbolli për moshat nën 15-vjeçare në kryeqytet. Ai humbi jetën pasi mbërriti në spital. Ngjarja ndodhi rreth orës 13:00 të ditës së hënë, menjëherë pas përfundimit të mësimit. Ministria e Arsimit ngushëlloi familjen e viktimës dhe u kërkoi institucioneve të zbardhin menjëherë rrethanat e ngjarjes.

Maqedonasja Radmilla Shekerinska emërohet zëvendëssekretare e NATO-s

Ish-ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Radmilla Shekerinska, është emëruar  sot zëvendëssekretare e Përgjithshme e NATO-s, njoftoi aleanca ushtarake. NATO-ja tha se shefi i aleancës, Mark Rutte, vendosi ta emërojë Shekerinskan si zëvendëssekretare të ardhshme. “Kam kënaqësinë të njoftoj emërim e Radmila Shekerinska si zëvendëssekretare të Përgjithshme. Ajo beson vërtet në NATO, e di punën që nevojitet për të qenë pjesë e aleancës, dhe çfarë do të thotë të jesh anëtar i plotë”, tha Rutte. Shekerinska do ta marrë zyrtarisht detyrën e re në fund të këtij viti. Ajo ka shërbyer në të kaluarën si zëvendësministre për Integrim Evropian dhe ministre e Mbrojtjes e Maqedonisë, përfshirë gjatë kohës kur vendi i saj iu bashkua aleancës së NATO-s në vitin  2020. Shekerinska do ta zëvendësojë zëvendëssekretarin e Përgjithshëm në detyrë, Boris Ruge, i cili e mori këtë pozitë përkohësisht në fillim të vjeshtës, pasi zëvendëssekretari i atëhershëm, Mircea Geoana njoftoi se do të garonte për president të Rumanisë. Disa zyrtarë të NATO-s, të cilët folën me kusht që të mbeteshin anonimë, thanë për Radion Evropa e Lirë se ekzistonte një dëshirë e fortë që këtë pozitë ta merrte dikush nga Evropa Qendrore dhe Lindore dhe ajo t’i takonte një gruaje. Ndër kandidatët e tjerë ishin ish-ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Maria Gabriel, ish-presidentja e Kroacisë, Kollinda Grabar-Kitaroviq, dhe Olivera Injac, e cila ishte ministre e Mbrojtjes në Malin e Zi nga viti 2020 deri në vitin 2022. Shekerinska do të jetë zyrtarja më e lartë e NATO-s nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, jashtë Bashkimit Evropian.

Tetë të vrarë, përfshirë një fëmijë, nga sulmet e reja ruse në Sumi

Tetë persona, përfshirë një fëmijë, janë vrarë si pasojë e një sulmi me dronë që Rusia e kreu gjatë natës në rajonin verilindor të Ukrainës, Sumi, thanë sot zyrtarët ukrainas. “Çdo sulm i ri rus vetëm e konfirmon qëllimin e vërtetë të presidentit rus Vladimir Putin. Ai do që lufta të vazhdojë, sepse nuk është i interesuar për paqe”, tha Zelensky. Gjithashtu dymbëdhjetë persona, përfshirë dy fëmijë, u plagosën nga sulmi me dronë gjatë natës ndaj një ndërtese banimi në qytezën e vogël Hluhiv, e cila ndodhet në kufi me Rusinë, tha administrata ushtarake e rajonit të Sumit. Një video e shpërndarë nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shfaq ekipet emergjente duke kërkuar për të mbijetuar në gërmadhat e ndërtesës së shkatërruar pjesërisht. Administrata ushtarake tha se forcat ruse i përdorën dy dronë në këtë sulm. Forca Ajrore e Ukrainës theksoi se i rrëzoi 51 dronë dhe se i humbi gjurmët e 30 dronëve, pasi Rusia e sulmoi me 87 dronë gjatë natës. Forcat ruse e kanë sulmuar pareshtur rajonin verilindor të Sumit në muajt e fundit, duke e dëmtuar infrastrukturën e tij të rëndësishme civile. Një sulm raketor në Sumi të dielën i vrau 11 njerëz dhe i plagosi 89 të tjerë, si dhe e la qytetin e Sumit për rrymë.

Putin e paralajmëron SHBA-në me një doktrinë të re bërthamore

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka miratua sot një doktrinë të përditësuar bërthamore, e cila thekson se Rusia mund ta shqyrtojë përdorimin e armëve bërthamore, nëse sulmohet me raketa konvencionale me mbështetjen e një fuqie bërthamore. Vendimi për ta ndryshuar doktrinën zyrtare të Rusisë është përgjigje e Kremlinit ndaj vendimit të raportuar të administratës së presidentit amerikan, Joe Biden, për ta lejuar Ukrainën të hedhë raketa amerikane me rreze të gjata thellë brenda Rusisë. Doktrina e përditësuar, e cila shpalos kërcënimet të cilat mund ta shtyjnë udhëheqësinë e Rusisë ta mendojë sulmin bërthamor, thekon se një sulm me aeroplan luftarakë, dronë apo raketa konvencionale mund të konsiderohet si kërcënim i tillë. Sipas kësaj doktrine, çdo agresion kundër Rusisë nga një shtet i cili është anëtar i një koalicioni do të konsiderohet nga Moska agresion nga i tërë koalicioni. Pak javë para zgjedhjeve të nëntorit në SHBA, Putini urdhëroi ndryshimin e doktrinës bërthamore për të theksuar se çdo sulm konvencional ndaj Rusisë i ndihmuar nga një fuqi bërthamore mund të konsiderohet sulm i përbashkët kundër Rusisë.

Irani i quan të “paarsyeshme” sanksionet e BE-së dhe Britanisë

Irani konsideron se Bashkimi Evropian (BE) dhe Britania e Madhe vendosën sanksione ndaj linjës së tij të transportit bazuar në “pretendimet e rrejshme” për furnizimin e Rusisë me raketa dhe se sanksionet janë të “paarsyeshme”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei. Brukseli i ka shtua dje në listën e sanksioneve Linjën e Transportit të Republikës Islamike të Iranit (IRISL) dhe drejtorin e saj, për shkak të mbështetjes që Teherani po ia ofron Rusisë në luftën e saj kundër Ukrainës. Në ditën e njëjtë, Britania vendosi sanksione kundër linjës ajrore kombëtare të Iranit dhe transportuesit të tij detar, duke thënë se e bëri këtë si përgjigje ndaj furnizimit të Rusisë me raketa nga Irani. “Irani vlerëson sanksionet e reja nga Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar kundër një numri individësh iranianë dhe entiteteve ligjore. Sanksionet u vendosën bazuar në pretendimet e rrejshme për dërgimin e raketave në Rusi dhe i cilëson si veprim të paarsyeshëm që bie ndesh me normat e ligjit ndërkombëtar”, tha Baghaei. Ai shtoi se vendet evropiane po e shkelin ligjin ndërkombëtar, përfshirë lirinë e lëvizjes dhe tregtinë detare, duke vendosur sanksione.

I dërguari i SHBA-së mbërrin në Bejrut, Libani e Hezbollahu pranojnë propozimin për armëpushim

I dërguari i Shteteve të Bashkuara, Amos Hochstein, sot gjendet në Bejrut për bisedime me zyrtarët vendës rreth një armëpushimi mes Hezbollahut dhe Izraelit, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve e Libanit. Ai mbërriti disa orë pasi Hezbollahu, grupi i mbështetur nga Irani, e pranoi propozimin e Uashingtonit për armëpushim. Hezbollahu, i cili e kontrollon Libanin jugor, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike. Vizita e tij është tregues se ka përparim në përpjekjet diplomatike, të udhëhequra nga SHBA-ja, për t’i dhënë fund konfliktit i cili shpërtheu në luftë të përgjithshme në fund të shtatorit, kur Izraeli nisi ofensivë të madhe kundër Hezbollahut në Liban. Si Qeveria e Libanit, ashtu edhe Hezbollahu, janë pajtuar me propozimin e SHBA-së për armëpushim, i cili iu dorëzua atyre me shkrim javën e kaluar dhe ato dhanë mendimet e tyre për përmbajtjen e tij, ka deklarua për Reuters Ali Hassan Khail, këshilltar i kryetarit të Parlamentit të Libanit, Nabih Berri. Izraeli ende nuk ka dhënë ndonjë koment rreth kësaj çështjeje.

SHBA paralajmëron Turqinë kundër mikpritjes së liderëve të Hamasit

Shtetet e Bashkuara e kanë paralajmëruar Turqinë kundër mikpritjes së udhëheqësisë së Hamasit, duke thënë se Uashingtoni nuk beson se liderët e një organizate terroriste duhet të jetojnë në rehati. Hamasi është grup palestinez që udhëheq Gazën dhe SHBA-ja e ka në listë të zezë. I pyetur për raportimet se disa liderë të Hamasit janë zhvendosur nga Katari në Turqi, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, nuk i ka konfirmuar raportimet, por ka thënë se nuk është as në gjendje t’i hedhë poshtë ato. Ai ka thënë se Uashingtoni do t’ia bëjë të qartë Qeverisë turke që nuk mund të ketë marrëdhënie si dikur me Hamasin. Miller ka thënë se disa liderë të Hamasit janë të paditur nga autoritetet amerikane dhe Uashingtoni beson se ata duhet t’iu dorëzohen Shteteve të Bashkuara, ka thënë Miller. Një burim i diplomacisë turke ka hedhur poshtë raportimet se Hamasi e ka zhvendosur zyrën politike në Turqi dhe që anëtarët e grupit e kanë vizituar këtë shtet kohë pas kohe. Katari ka thënë javën e kaluar se e ka lajmëruar Hamasin dhe Izraelin se do t’i pezullojë përpjekjet për të ndërmjetësuar një armëpushim në Gazë, dhe një marrëveshje për lirim pengjesh, derisa të dyja palët të tregojnë seriozitet për rinisje të bisedimeve.

Për nesër pritet mot kryesisht i vranët dhe me reshje të herëpashershme shiu

Për nesër pritet mot kryesisht i vranët dhe me reshje të herëpashershme shiu, rrebeshe e bubullima, më intensive në pjesën e dytë të ditës dhe gjatë natës. Gjatë natës vende-vende në veri priten edhe reshje bore. Do të fryjë erë mesatare deri e fortë nga drejtimi i jugut. Temperatura e mëngjesit nga 4 deri në 15,kurse temperatura më e lartë e ditës prej 9 deri në 19 gradë.

 

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се