- Hronika
- Montesong
- Kolumne
-
Radio
- Izdvajamo
-
Emisije
- Novosti dana
- Dokumentarni program
- Pop top
- Europuls
- Zrno po zrno
- Radio ordinacija
- Kulturna panorama
- Zelena priča
- Epoleta
- +382
- Spona
- Svijet jednakih šansi
- Matica
- Život po mjeri čovjeka
- Link
- Izokrenuti svijet
- Koracima mladih
- Moja profesija je...
- Sportski program
- Kulturno-umjetnički program
- Koracima prošlosti
- Naučno-obrazovni program
- Muzički program
- RCG
- R98
- Programska šema
- Trofej Radija Crne Gore
- Frekvencije
- Radio drama
Ditari
11. 11. 2024.
00:00 >> 17:31
Ditari 11.11.2024
Përgatiti, Senad Gilaj
Tre persona janë arrestuar për sulmin ndaj gazetares së “Pobjeda”
Policia e Podgoricës arrestoi tre persona për shkak të sulmit ndaj redaktores së kronikës së zezë në të përditshmen “Pobjeda”, Ana Raiçkoviq. Drejtoria e Policisë ka njoftuar se mbrëmë në Podgoricë, Raiçkoviq fillimisht është sulmuar verbalisht e më pas edhe fizikisht. Përndryshe Redaktorja e gazetarja e kronikës së zezë në gazetën "Pobjeda", Ana Raiçkoviq, është sulmuar mbrëmë në Podgoricë nga biznesmeni Zoran Qoqo Beqiroviq dhe sigurimi i tij. Shkak i sulmit sipas informatave të para ka qenë shkrimi i saj në "Pobjeda" dhe paraqitja në ETV, shkruan gazeta e Podgoricës.
Raiçkoviq pas paraqitjes në polici ka dëshmuar për rastin kurse kryeredaktori i Pobjedës, Nenad Zeçeviq, në lidhje me sulmin ka biseduar me drejtorin e Drejtorisë së Policisë, Zoran Bërgjanin. Theksohet se Administrata e Policisë, duke vepruar për këtë ngjarje, konfirmon përkushtimin e saj për përmirësimin e sigurisë së gazetarëve, duke treguar se mbrojtja e tyre është një nga prioritetet e rëndësishme në punën e policisë. “Me një reagim efektiv në këtë rast dërgojmë mesazh se çdo formë e rrezikimit të gazetarëve do të trajtohet me seriozitet për të ruajtur sigurinë dhe lirinë e punës së tyre”, thonë nga Drejtoria e Policisë.
Millatoviq: Shteti duhet të tregojë se sulmet ndaj gazetarëve janë të papranueshme
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq dënoi ashpër sulmin e mbrëmshëm ndaj gazetares Ana Raiçkoviq dhe rekomandoi se shteti duhet të tregojë qartë se veprimet e tilla janë të papranueshme dhe se duhet të krijojmë ambient në të cilin gazetarët do të mund të kryejnë punën e tyre të papenguar dhe pa frikë. Edhe kryetari i Kuvendit Andrija Mandiq dënon ashpër sulmin ndaj gazetares së Pobjedës, Ana Raiçkoviq dhe u bëri thirrje organeve kompetente që të bëjnë hetim të shpejtë dhe efikas dhe të ndëshkojnë autorët. Për sulmin ndaj gazetares Raiçkoviq shënohen edhe reagimet nga shoqëria civile. Drejtori i programit të Aleancës Qytetare, Millan Radoviq, tha se sulmi ndaj gazetares Raiçkoviq është alarm i kuq që paralajmëron se autoritetet duhet të kenë prioritet hetimin dhe zgjidhjen ligjore të rasteve të vjetra kryesore. Dhuna ndaj redaktores së gazetës së përditshme “Pobjeda”, kërkon dënimin më të ashpër për sulmuesit dhe mesazh të qartë nga shteti se nuk do të tolerojë sulmet ndaj gazetarëve dhe mediave, thanë nga Instituti i Mediave.
“Beqiroviq ka histori sulmesh dhe intolerancë të dukshme ndaj gazetarëve”
Vetëm me shndritjen e shpejtë dhe efikase të rastit të sulmit ndaj gazetares së “Pobjeda”, Ana Raiçkoviq, mund të dërgohet mesazh i qartë se nuk ka të paprekshëm në këtë shoqëri dhe se çdo konfrontim fizik dhe verbal me përfaqësuesit e mediave është i papranueshëm, thanë nga Sindikata e Mediave të Malit të Zi. Ata paralajmëruan se Beqiroviq ka edhe më parë histori sulmesh e dhune dhe intolerancë të dukshme ndaj gazetarëve. Sindikata e Mediave të Malit të Zi dënon ashpër sulmin e mbrëmshëm të biznesmenit Zoran Beqiroviq ndaj gazetares Ana Raiçkoviq dhe familjes së saj. Ndaj sulmit në gazetaren Raiçkoviq reaguan edhe nga disa parti politike, individë dhe të tjerë që dënuan dhunën ndaj gazetares, duke thënë se duhet dënuar ashpër dhe sanksionuar në mënyrë adekuate për të mbrojtur lirinë e shprehjes dhe për të ruajtur sigurinë e të gjithë punonjësve të medias. Ata i bëjnë thirrje Prokurorisë dhe Gjyqësorit për hetime dhe ndjekje efektive të sulmit ndaj gazetares Ana Raiçkoviq, por edhe të gazetarëve tjerë dhe apelojnë që autorët të mbajnë përgjigjen para ligjit.
Përsëri, për herë të tretë shtyhet seanca për lëndën “Tuneli”
Në Gjykatën Themelore në Podgoricë sot, për herë të tretë, është shtyrë shqyrtimi i aktakuzës për rastin Tuneli, pasi të pandehurit Velko Markoviq nuk i është dorëzuar fletëthirrja. Po ashtu, i akuzuari Marjan Vulaj nuk është shoqëruar nga marrë nga Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, ndërsa i akuzuari Vlladimir Eriq ka njoftuar gjykatën se do të vonohet. Një seancë e re është caktuar për 20 dhjetor. Në këtë bllok edhe një informatë nga vendi. Në një aksident trafiku në rrugën Kuç – Podgoricë, në fshatin Fundna, ka humbur jetën 62-vjeçari Nikollë Dukaj, është raportuar nga Qendra Operative- komunikuese e Drejtorisë së Policisë. Aksidenti ka ndodhur mbrëmë në orën 17 e 38 minuta, kur mjeti, për arsye të paqarta, ka rënë në humnerë. Hetimet janë në zhvillim e sipër.
U nënshkrua Memorandumi i parë për bashkëpunim ndërmjet Malit të Zi dhe Bahreinit
Mali i Zi dhe Bahreini nënshkruan Memorandumin për bashkëpunim në fushën e shkencës, inovacionit dhe teknologjisë, i cili përcakton drejtimet për zhvillimin e bashkëpunimit të ardhshëm mes dy vendeve, njoftoi kabineti i kryeministrit Millojko Spajiq. Memorandumi për bashkëpunim ndërmjet dy vendeve u nënshkrua gjatë vizitës së punës së Spajiq në Bahrein, e para që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike. Nga kryeministria malazeze gjithashtu thanë se Spajiq u takua edhe me Këshillin e zhvillimit ekonomik të Bahreinit me qëllim të promovimit dhe tërheqjes së investimeve të huaja të drejtpërdrejta. Siç është kumtuar, përfaqësuesit e këtij Këshilli e kanë informuar kryeministrin malazez për aktivitetet që kryejnë në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe i kanë prezantuar rezultatet e punës në fushën e diversifikimit të aktiviteteve ekonomike.
Të ardhurat më të larta 8.9 për qind, “Evropa Tani 2” nuk do të rrezikojë buxhetin e vitit 2025
Ministri i Financave Novica Vukoviq deklaroi sot se për nëntë muajt e parë kemi rezultate të mira të të hyrave në shumë prej 2 miliardë e 73.7 milionë euro, ose 8.9 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas fjalëve të tij, financat janë të qëndrueshme duke shtuar se “Evropa Tani 2” nuk do të çojë në rritje të çmimeve dhe inflacionit. Ministri Vukoviq në emisionin “Link” të Radios së Malit të Zi theksoi se nëse përjashtohen të hyrat e njëhershme që kanë qenë dominuese në vitin 2023, këtë vit të hyrat janë dukshëm më të larta, për 295 milionë euro, dhe siç theksoi ministri, kemi rritje prej rreth 16 për qind. Vukoviq tha se nga janari i vitit të ardhshëm, buxheti nuk do të kërcënohet për shkak të programit “Evropa Tani 2” dhe beson se fjalët për rrezikim financiar në opinion janë nga kundërshtarët që mund të kenë nevojë për më shumë kohë për të kuptuar procesin dhe për të parë përfitimet e këtij programi.
U miratua Deklarata për Lidershipin e grave dhe barazinë gjinore
Deklarata kushtuar Lidershipit dhe barazisë së grave është miratuar me rastin e konstituimit të Këshillit drejtues të Asociacionit të grave lidere të Malit të Zi. “Me rastin e konstituimit të Këshillit drejtues të këtij Asociacioni dhe fillimit zyrtar të punës, të shënuar nga paneli, “Lidershipi i grave në rrugën drejt BE-së – sfidat dhe mundësitë”, u miratua Deklarata e parë kushtuar Lidershipit të grave dhe barazisë, thuhet në njoftim. Deklarata do t'i dërgohet Presidentit të shtetit dhe Kryeministrit, Jakov Millatoviq dhe Millojko Spajiq, si dhe ministrave, Parlamentit, Institucioneve shtetërore, pushteteve lokale dhe mediave, thuhet në njoftim.
Millatoviq në samitin e Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike
Me ftesë të presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq do të jetë në Baku më 12 dhe 13 nëntor, ku do të marrë pjesë në samitin e Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike- COP29. Gjatë konferencës, presidenti Millatoviq do t'u drejtohet liderëve global dhe pjesëmarrësve, duke theksuar përkushtimin e Malit të Zi për zhvillimin e qëndrueshëm dhe luftën kundër ndryshimeve klimatike. Në fjalimin e tij, Millatoviq do të prezantojë përpjekjet e Malit të Zi në fushën e reduktimit të emetimeve të gazrave të dëmshme, përmirësimin e burimeve të rinovueshme të energjisë si dhe mbrojtjen e ekosistemeve unike dhe burimeve natyrore që posedon Mali i Zi. Gjithashtu, presidenti malazez do të marrë pjesë edhe në tryezën e nivelit të lartë kushtuar financimit të mekanizmave adaptues në luftën kundër ndryshimeve klimatike.
Mandiq: Akterët politikë në Bosnje dhe Hercegovinë t'i përmbahen Marrëveshjes së Dejtonit
Të gjithë akterët politikë në Bosnjë Hercegovinë (BeH) duhet t'i përmbahen Marrëveshjes së Dejtonit, mbi të cilën bazohet stabiliteti i këtij vendi, tha kryetari i Parlamentit të Malit të Zi Andrija Mandiq. Ai zhvilloi takim me kryetarin e Dhomës së përfaqësuesve të Asamblesë parlamentare të BeH-së, Nebojsha Radmanoviq. Mandiq, siç është njoftuar nga Kuvendi, ka theksuar se Mali i Zi dhe Bosnjë Hercegovina janë historikisht të lidhura, se ishin pjesë e një shteti të përbashkët për gati një shekull dhe se marrëdhëniet mes dy vendeve janë tradicionalisht të mira. Mandiq tha se fitorja e Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në SHBA do të sjellë stabilitet të ri në Ballkanin Perëndimor.
Vazhdimi i bisedimeve për formimin e pushtetit në Podgoricë, pas zgjedhjeve në Budvë dhe Beranë
Ines Mërdoviq nga Aksioni për drejtësi sociale beson se Mali i Zi ka problem me kufijtë, të cilët, edhe sipas saj, janë keq të ruajtur dhe se ky është një problem i kamotshëm. Për emisionin “Mirëmëngjesi Mali i Zi” Mërdoviq thotë se situatën e tillë e shfrytëzojnë shumë kriminelë, siç po e bën aktualisht i arratisuri Alija Balijagiq. Mërdoviq ka komentuar edhe skenën politike aktuale në vend dhe ka thënë tani është heshtje për formimin e pushtetit në Podgoricë ndërsa bisedimet do të vazhdojnë pas zgjedhjeve në Budvë dhe Beranë. Ajo thotë se nuk duhet të përjashtohet asnjë skenar, kështu që nëse koalicioni i tubuar rreth presidentit Jakov Millatoviq nuk arrin marrëveshje me Lëvizjen Evropa Tani dhe Demokratët, ekziston mundësia që të krijohet koalicion edhe me Partinë Demokratike të Socialistëve.
Politikanët të bëjnë ndryshime që sigurojnë meritokraci dhe depolitizim të sektorit publik
Qytetarët meritojnë ndikim më të madh në vendimet që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre kurse politikanët kanë përgjegjësi të bëjnë ndryshime që sigurojnë meritokraci dhe depolitizim të sektorit publik. Kështu është rekomanduar në Kuvendin e qytetarëve me temën, “Si të parandalohet partiokracia dhe punësimi politik”, organizuar nga Qendra për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut-CEDEM. Drejtoresha e CEDEM-it Nevenka Vuksanoviq përkujtoi se kjo organizatë në partneritet me Qendrën për Tranzicionin Demokratik- CDT organizoi për herë të katërt Kuvendin e qytetarëve. Ky aktivitet realizohet në kuadër të projektit, “Dialogu gjithëpërfshirës për progresin e shoqërisë”, të cilin CEDEM e realizon në partneritet me CDT, me mbështetje nga Bashkimi Evropian dhe Ministria e administratës publike.
Dialogu Kosovë- Serbi, Lajçak: fokusi në dakordimet e takimit fundit
Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak, ka theksuar se këtë javë do të diskutojë në Zvicër për takimin e fundit mes palëve, duke thënë se fokusi është në dakordimin e arritur. “Për t'u kthyer në fushën time kryesore të punës, do ta nis javën në Gjenevë të Zvicrës me diskutime të rëndësishme për Ballkanin Perëndimor. Kjo javë gjithashtu do të fokusohet plotësisht në ndjekjen e asaj që u ra dakord gjatë takimit tonë të fundit të kryenegociatorëve”, ka shkruar Lajçak. Lajçak, pas takimit kishte bërë të ditur se në fokus ishte avancimi dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht përmes zbatimit të Marrëveshjes së vitit 2023 për Rrugën e Normalizimit.
Raporti i EULEX-it: ka rënie në produktivitetin e seancave gjyqësore
Shefi i Njësisë së EULEX-it për monitorimin e rasteve në Kosovë, Hubert van Eck Koster, gjatë prezantimit të raportit, tha se trajtimi i rasteve të profilit të lartë nuk kanë shënuar ndonjë përparim të mirëfilltë. Ai bëri thirrje për autoritete gjyqësore të Kosovës që të analizojnë dhe rishikojnë se në rastet e profilit të lartë është bërë rishikimi i duhur, gjykimi i duhur dhe është zbatuar e drejta procedurale dhe materiale. Kurse si zhvillim pozitiv ai tha se ka qenë se disa prej rasteve që kishin mbetur në gjykatën themelore të Mitrovicës janë transferuar në Prishtinë. Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se Policia e Kosovës ka marrë në konsideratë në vazhdimësi raportet e publikuara nga EULEX-i dhe zyrtarët e Policisë kanë qenë në vazhdimësi bashkëpunues duke premtuar se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe më tutje. Para se EULEX të nisë prezantimin e Raportit të katërt publik të monitorimit të drejtësisë, anëtarë të subjektit politik "Demokracia Serbe" kanë mbajtur një protestë. Ata akuzojnë për “sjellje të paligjshme” dhe publikim të përmbajtjeve, sipas tyre “të papërshtatshme” në rrjetet sociale.
Albin Kurti në Kuvend për buxhetin e Kosovës për vitin 2025
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka bërë prezantimin e Projektligjit për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2025. Në fillim ai ka thënë se është kryeministri i parë që prezanton buxhetin e katërt të mandatit për ta shënuar kështu qeverinë e parë që e çon mandatin deri në fund. Duke prezantuar projektbuxhetin, kryeministri kosovar ka kërkuar nga deputetët që ta votojnë atë, sepse do të përfitojnë bizneset dhe ekonomia e Kosovës. Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot diskutojnë për të vetëm pikë të rendit të ditës që është shqyrtimi i parë i Projektligjit për Buxhetin e Kosovës për vitin 2025, të propozuar e miratuar nga Qeveria në vlerë prej 3.6 miliardë eurove. Partitë opozitare kanë paralajmëruar se nuk do ta votojnë projektbuxhetin por pozita është e bindur se i ka votat për ta miratuar atë. Buxheti për vitin 2025 do të jetë për rreth 300 milionë euro më i lartë se buxheti i vitit 2024.
Kremlini: Të pavërteta raportimet për bisedë telefonike mes Trumpit dhe Putinit
Kremlini i ka hedhur poshtë raportimet në media se është zhvilluar bisedë telefonike mes presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, dhe presidentit rus, Vladimir Putin, duke thënë se raportimet janë “krejtësisht të rreme”. E përditshmja amerikane, Washington Post, duke cituar burime të afërta me Trumpin, ka raportuar se Trump ka folur me Putinin në telefon dhe kanë diskutuar për luftën në Ukrainë. Sipas kësaj gazete, Trump e ka zhvilluar bisedën nga Florida, një ditë pas ka folur me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky. Trump i ka thënë Putinit të mos përshkallëzojë luftën në Ukrainë, dhe ka shprehur interesim për bisedime të mëtejme për “të zgjidhur çështjen e luftës në Ukrainë shpejt”. Edhe agjencia e lajmeve Reuters ka raportuar për këtë thirrje telefonike. “Është plotësisht e pavërtetë. Është gjë plotësisht e shpikur, është informacion i rremë”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Biden do t’i kërkojë Trumpit të vazhdojë ndihmat për Ukrainën
Presidenti Joe Biden do të diskutojë mbi përparësitë kryesore të politikës së brendshme dhe të jashtme të Shteteve të Bashkuara me Presidentin e zgjedhur Donald Trump gjatë takimit që do të mbahet në Shtëpinë e Bardhë, tha këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan. Sullivan tha se mesazhi kryesor i Presidentit Biden do të jetë angazhimi për të siguruar një transferim paqësor të pushtetit. Presidenti Biden, sipas Sullivan, gjithashtu do të bisedojë me Presidentin e zgjedhur Trump për zhvillimet e mundshme në Evropë, Azi dhe Lindjen e Mesme. Temë kyçe në këtij takimi ka të ngjarë të jetë lufta e Ukrainës me Rusinë, për të cilën Presidenti i zgjedhur Trump është zotuar se do t’i jap fund shpejtë këtij konflikti.
Erdoğan: Paaftësia e vendeve muslimane për të reaguar e ka sjellë situatën deri në këtë pikë
Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan mbajti fjalim në Samitin e Përbashkët të Jashtëzakonshëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islam dhe Ligës Arabe që po mbahet në Rijad të Arabisë Saudite. "Teksa disa vende perëndimore i ofrojnë të gjitha llojet e mbështetjes Izraelit, paaftësia e vendeve muslimane për të reaguar e ka sjellë situatën deri në këtë pikë", theksoi presidenti Erdoğan. Ai rikujtoi se deri më sot, 50 mijë palestinezë, 70 për qind e të cilëve fëmijë dhe gra, "janë martirizuar në masakrat e kryera nga Izraeli në Gaza dhe territoret e tjera palestineze". "Ne jemi të gatshëm të zbatojmë të gjitha propozimet konkrete dhe realiste që do ta bëjnë qeverinë e Netanyahut të ndiejë se pushtimi i tokave palestineze ka një kosto", u shpreh presidenti turk.
Sulmet izraelite vrasin dhjetëra njerëz në Liban dhe Gazë
Bombardimet izraelite i kanë vrarë dhjetëra njerëz në Liban dhe në Rripin e Gazës, thonë zyrtarët. Një sulm ajror izraelit i vrau të paktën 23 njerëz në fshatin Almat, në veri të Bejrutit dhe në pjesë jugore dhe lindore të Libanit. Ministria e Shëndetësisë e Libanit tha se gjashtë njerëz u plagosën. Izraeli nuk e ka komentuar sulmin ende. Në veri të Rripit të Gazës, një sulm izraelit mbi një shtëpi që po strehonte njerëz të zhvendosur në kampin e refugjatëve në Xhabalia, vrau të paktën 17 njerëz, sipas drejtorit të një spitali i cili i pranoi trupat e viktimave. Ushtria izraelite tha se e sulmoi një zonë ku militantët po vepronin në Xhabalia, pa dhënë dëshmi për këtë. Ndërkohë, Misioni paqeruajtës i OKB-së në Liban akuzoi ushtrinë izraelite për shkatërrim të qëllimshëm dhe të drejtpërdrejtë të pronës së tyre.
Nga komuna në komunë, Tuz e Tivar për aktivitete
Nga Komuna e Tuzit na njoftua se sot u përurua ujësjellësi nga vendi Qaf Kishë - Drume deri në Bardhaj të Hotit, një projekt jetik për banorët e kësaj zone, me vlerë mbi 638 mijë euro. Ky investim synon të zgjidhë problematikat afatgjata të furnizimit me ujë të pijshëm, duke përmirësuar kushtet bazë të jetesës për qytetarët dhe garantuar një furnizim të qëndrueshëm me ujë të pijshëm. Ujësjellësin e hapi kryetari i Komunës së Tuzi, Lindon Gjelaj i cili me këtë rast tha se investimet në pjesët rurale të Komunës janë prioritet i kësaj administrate lokale, pa anashkaluar as edhe ato në Qendër por edhe në të gjithë komunë. Përndryshe një aktivitet kulturor u zhvillua gjatë vikendit edhe në komunën e Tivarit, në Krajë. Dy ditët e kaluara, Ostrosi e Kraja është kthyer në vend- stacionin e adhuruesve të prodhimeve vendore dhe muzikës së mirë. Manifestimi “Dita e Gështenjës” edhe këtë vit ka rezultuar i suksesshëm, thane nga bashkësia lokale e Ostrosit.
Edhe nesër mot kryesisht i kthjellët, deri në 19 gradë
Në jug dhe bregdet mbajti mot kryesisht i kthjellët, në veri me vranësira të ndryshueshme deri krejt i vranët. Fryn erë e mesme deri e fortë, vende vende shumë e fortë nga drejtimet e veriut dhe verilindjes. Temperaturat në orën 13 u shënuan: në Budvë 19 gradë, Herceg Novi 17, Tivar 16, Podgoricë e Ulqin 15, Cetinë 11, Nikshiq 10, Beranë, Bijello Pole 7, Rozhajë e Guci 6, Plevle e Kollashin 5 dhe në Zhablak 1 gradë. Për nesër pritet mot kryesisht me diell, me vranësira të pakta deri mesatare, kryesisht pasdite. Në veri, me vranësira të pakta. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare, kryesisht në bregdet herë pas here deri e fortë nga verilindja. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej -4 deri në 10, kurse më e larta ditore nga 5 deri në 19 gradë celsius.
Коментари0
Остави коментар