Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

29. 10. 2024. 00:00 >> 16:44

Ditari 29.10.2024

Përgatiti, Senad Gilaj

Ende në kërkim i dyshuari për vrasjen e dyfishtë në Sokollac

Vazhdon kërkimi i të dyshuarit për vrasjen e dyfishtë në fshatin Sokollac, Alia Baliagiq. Ministria e Mbrojtjes dhe Ushtria e Malit të Zi, siç është njoftuar, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe institucionet tjera kompetente, po bëjnë gjithçka që Baliagiqi të gjendet sa më shpejt dhe të vihet para drejtësisë, dhe që qytetarët të jenë të sigurt. Ministri i Mbrojtjes Dragan Krapoviq, me kërkesë të ministrit të Punëve të Brendshme, më 26 tetor mori vendim për përdorimin e helikopterit të Ushtrisë së Malit të Zi që të ndihmojë pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme në kërkimin e Alia Baliagiqit.

KE propozon hartimin e marrëveshjes për bashkangjitjen e Malit të Zi

Komisioni Evropian do t'i propozojë Këshillit themelimin e grupit teknik punues për hartimin e Marrëveshjes për bashkangjitjen e Malit të Zi, thuhet në Projektraportin për progresin e Malit të Zi, të cilin ky Komision do ta prezantojë nesër. Sipas burimeve diplomatike nga Brukseli, Radio Televizioni i Malit të Zi njofton gjithashtu se vendi mund të llogarisë në propozimin e pakos së re financiare në vjeshtën e vitit të ardhshëm, me kusht që të mbajë përparimin e gjithanshëm në përgatitjet për zgjerim. Projektraporti thekson gjithashtu se është i nevojshëm vazhdimi i konsensusit të gjerë politik për reformat kryesore për përparimin e mëtejshëm të Malit të Zi në rrugën e tij drejt BE-së. Raporti i progresit është dokumenti më i rëndësishëm që vlerëson rezultatet e një vendi kandidat në rrugën e tij drejt BE-së. Paketa e zgjerimit për të gjitha vendet kandidate do të shpallet nesër, pasi të marrë dritën jeshile nga Kolegiumi i komisionerëve.

Spaiq: Ndryshimi i Kushtetutës nuk do të ndodhë pa konsensus të gjerë

Kryeministri Millojko Spaiq sot në Kuvend përgjigjet pyetjeve të përfaqësuesve të klubeve parlamentare, në seancën e posaçme të Kuvendit kushtuar orës së kryeministrit. Mes tjerash Lideri i Partisë Demokratike të Socialistëve Danijell Zhivkoviq pyeti Spaiqin nëse ai dhe Qeveria do t'i pranojnë kërkesat e kryetarit të Kuvendit Andrija Mandiq dhe do të nisë procedurën për marrjen e dyshtetësisë. Kryeministri Spaiq tha se ndryshimi i Kushtetutës nuk do të ndodhë pa konsensus të gjerë. Kryeministri tha se nesër është ditë e madhe për Malin e Zi sepse raporti i Komisionit Evropian është shumë pozitiv, ndërsa Von der Leyen tha se progresi i Malit të Zi është fenomenal. Spajiq tha se programet Evropa Tani 1 dhe 2, si dhe të gjitha programet e tjera që do të realizohen në të ardhmen, janë absolutisht të qëndrueshme ekonomikisht dhe në interes të të gjithë qytetarëve, ekonomisë së Malit të Zi dhe financave publike. Deputetin i Partisë Popullore Socialiste Bogdan Bozhoviq është i interesuar nëse Spaiq beson se gjuha serbe duhet të jetë zyrtare, ndërsa deputeti i klubit special Vlladimir Dobriçanin do ta pyes Spaiqin nëse është i gatshëm të pranojë faktet nga regjistrimi dhe të inicojë iniciativën dhe dialogu për të siguruar barazinë e gjuhës serbe në Kushtetutë dhe ligje. Kryetari i Klubit të deputetëve të Partisë Boshnjake, Amer Smailloviq do të pyesë se çfarë planifikon të bëjë Qeveria për të ngadalësuar trendet negative demografike. Kryetari i Klubit të deputetëve socialdemokrat, Boris Mugosha, do ta pyesë kryeministrin se cilat subjekte në skenën politike iniciojnë tema që thellojnë më tej ndarjet në shoqëri. Deputeti i Aleancës shqiptare, Ilir Çapuni do ta pyes kryeministrin se çfarë parashihet me kriporen e Ulqinit. Seanca u ndërpre për disa momente pas përleshjes verbale mes deputetëve Branisllav Neneziq dhe Boris Pejoviq, mirëpo pas qetësimit të situatës, vazhdoi seanca me rendin e paraparë të ditës.

“Niveli i ulët i aktiviteteve bilaterale të zyrtarëve malazezë me fqinjët”

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, në një intervistë për “Osllobogjenje” të Sarajevës tha se është i shqetësuar për nivelin e ulët të aktiviteteve dypalëshe të zyrtarëve të tjerë malazezë kur bëhet fjalë për vendet fqinje. Ai theksoi se Mali i Zi, pas tridhjetë viteve të sundimit njëpartiak, ende po e mëson demokracinë e vërtetë, duke shtuar se pas ndryshimeve në gusht të vitit 2020, ka hy në fazën e dinamikës së përshpejtuar politike dhe institucionale, por e cila e çoi edhe në bredhje të caktuar kur bëhet fjalë për politikën e jashtme fqinjësore. Millatoviq nesër dhe pasnesër do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Bosnjë Hercegovinë, me çrast, siç paralajmërohet do të takohet me anëtarët e kryesisë së Bosnjë Hercegovinës, pas së cilës do të zhvilloj edhe një takim dypalësh të delegacioneve të dy vendeve. Tema e diskutimit të takimit dypalësh do të jetë forcimi i bashkëpunimit politik dhe ekonomik mes dy vendeve dhe perspektiva e tyre e përbashkët evropiane, ndërsa fokus i veçantë do të jetë mbajtja e Forumit të biznesmenëve të dy vendeve, të cilin do ta hapin presidenti Millatoviq dhe kryetari i kryesisë së BeH, Denis Beqiroviq.

Camaj në Budapest në takimin e COSAC

Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, si anëtar i Këshillit për Integrime Evropiane, po merr pjesë në mbledhjen e 72-të plenare të Komisionit Parlamentar për Çështje të Unionit të Parlamenteve të Bashkimit Evropian  (COSAC), që po mbahet në Budapest. Siç njoftojnë nga Kuvendi i Malit të Zi, Camaj gjatë seancës së sotme do të ketë një prezantim në panelin me titull, “Trendi demografik evropian dhe përgjigjet në nivel kombëtar dhe evropian”. “Kjo mbledhje paraqet mundësi që deputetët të shkëmbejnë mendime për sfidat aktuale demografike”, thuhet në njoftim nga Kuvendi i Malit të Zi.

Bozhoviq: Do të vazhdojmë me procesin e reformës në drejtësi

Me përmbushjen e standardeve të përkohshme në kapitujt 23 dhe 24, Mali i Zi ka treguar qartë se është lider në rajon për sa i përket procesit të anëtarësimit në BE, tha ministri i drejtësisë Bojan Bozhoviq. Ai në margjinat e "Forumit të Ministrave të BE-së - Ballkani Perëndimor", i cili dje dhe sot u mbajt në Budva u takua me Komisionerin Evropian për Drejtësinë, Didier Rejnders. Në kumtesën për media thuhet se Bozhoviq theksoi se marrja e Raportit për përmbushjen e standardeve të përkohshme - IBAR dhe marrja e standardeve përfundimtare për kapitujt 23 dhe 24 është një nxitje e madhe shtesë për të vazhduar me rezultate pozitive.

Të përmirësohet pozita materiale e punëtorëve në gjykata

Ushtruesja e detyrës së kryetares së Gjykatës Supreme, Vesna Vuçkoviq, u bëri thirrje të gjithë zyrtarëve shtetërorë që të bëjnë maksimumin që pushteti gjyqësor, pas gati katër vitesh, përfundimisht të dalë nga gjendja e ushtruesit të detyrës. Vuçkoviq me rastin e 29 tetorit, Ditës së Gjyqësorit, tha se brenda organeve të drejtësisë “kuptohuni, dëgjojmë njëri- tjetrin” dhe paralajmëroi se “do të kontribuojë në zgjedhjen e liderit të gjyqësorit të Malit të Zi, sepse, siç theksoi ajo, ky për momentin është prioritet. Sigurimi i kushteve cilësore për punën e gjyqësorit dhe përmirësimi i gjendjes materiale të të punësuarve në gjykata është një aktivitet i domosdoshëm që do të forcojë më tej pavarësinë dhe integritetin e funksionit gjyqësor, tha presidenti Jakov Millatoviq. Ai ka uruar të gjithë bartësit e pushtetit gjyqësor dhe punonjësit e gjyqësorit, duke thënë se është i bindur se me angazhimin e tyre do të vazhdojnë të kontribuojnë në prosperitetin e shoqërisë dhe shtetit malazez.

Vukoviq: Mali i Zi ndërton ura mes sektorit privat dhe atij publik

Mali i Zi po pozicionohet si shembull i shtetit që me guxim po ndërton ura midis sektorit publik dhe privat, duke hedhur themelet për një ekonomi dinamike, të qëndrueshme dhe moderne, të gatshme për të hapur mundësi të reja dhe për t'iu përgjigjur sfidave të së nesërmes. Ky është mesazhi nga hapja e Konferencës rajonale për Partneritet publiko privat, që u organizua nga SIGMA, Ministria e financave dhe Agjencia e investimeve të Malit të Zi. Ministri i financave Novica Vukoviq theksoi se Mali i Zi jo vetëm që po zhvillohet në aspektin e infrastrukturës, por po pozicionohet si shembull i një vendi që ndërton me guxim ura ndërmjet sektorit publik dhe atij privat. Drejtoresha e Agjencisë për investime, Snezhana Gjuroviq, vlerësoi se duke shfrytëzuar fuqitë e sektorëve publik dhe privat, mund të zgjidhen sfidat, të hap mundësi të reja dhe të përmirësojë cilësinë e jetës për të gjithë qytetarët.

Koprivica: IBAR nuk guxon të jetë alibi për lëvizjet joevropiane

Marrja e Raportit për përmbushjen e standardeve të përkohshme- IBAR, nuk guxon të jetë alibi për lëvizjet joevropiane të Qeverisë, deklaroi sot Drejtori ekzekutiv i Qendrës për Tranzicionin Demokratik- CDT, Dragan Koprivica. Me rastin e një viti të punës së Qeverisë, ai tha se qeveria e Malit të Zi ka pas sukses të rëndësishëm me marrjen e IBAR-it dhe se ky është padyshim rezultati më i rëndësishëm i saj. “Mirëpo, në vend që të ishte nxitje për realizimin e reformave thelbësore, pushteti këtë hapësirë ​​të hapur filloi ta shfrytëzoj për praktika të ndryshme jodemokratike dhe joreformuese”, theksoi Koprivica.

Agron Ibrahimi zgjedhet u.d i drejtorit të Fondit për pakica

Ushtrues detyre drejtor i Fondit për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave u zgjodh dr. Agron Ibrahimi. Për të votuan shtatë anëtarë të Këshillit drejtues ndërsa katër abstenuan, njoftoi anëtari i Këshillit drejtues, Gjorgje Brujiq. Zgjedhjen e Ibrahimit e përkrahen ndër të tjerët, përfaqësuesit e Këshillave Nacional serb, mysliman dhe shqiptar. Për të ka votuar edhe përfaqësuesi i Këshillit të romëve, Senad Sejdoviq, ndërkohë që u arsyetua mungesa e përfaqësuesit të këshillit nacional kroat. Para votimit gjashtë punonjës të Fondit, të cilët i plotësonin kushtet ligjore për tu kandiduar, nënshkruan deklaratën me shkrim para anëtarëve të Bordit se nuk e pranojnë kandidaturën. Sipas Brujiq, Ibrahimi është propozuar nga njëri nga përfaqësuesit e Këshillit Nacional Shqiptar. Disa nga anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës kërkuan që kjo çështje të diskutohet më vonë.

Lajçak: Jam optimist për disa përparime, vazhdojmë në javët e ardhshme

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ka dhënë detaje rreth takimeve që pati javën e kaluar me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimin dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviqin. Lajçak, në një postim në Facebook, bënë të ditur se në fokus ishte avancimi dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht përmes zbatimit të Marrëveshjes së vitit 2023 për Rrugën e Normalizimit. “Ndërsa ne nuk kemi bërë hapa përpara për këtë, unë jam optimist për disa përparime të bëra në disa çështje të tjera kryesore, të cilat do t'i vazhdojmë në javët e ardhshme”, ka shkruar Lajçak. Ai gjithashtu njofton se ka takuar Drejtorin e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin energjetik në Ballkanin Perëndimor dhe rëndësinë e integrimit të tregut në BE mes kompleksiteteve në marrëdhëniet Kosovë- Serbi.

Haradinaj paraqet planin për anëtarësimin e Kosovës në NATO

Ramush Haradinaj ka prezantuar vizionin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, duke e vënë theksin në anëtarësimin e drejtpërdrejtë të Kosovës në NATO. Ish-kryeministri Kosovar thekson se plani dhjetëvjeçar i dakorduar me SHBA-në dhe NATO-n shërben si bazë për këtë iniciativë. "Anëtarësimi në NATO do të jetë kthesa më e madhe e sigurisë për Kosovën", shkroi Haradinaj në Facebook, duke shtuar se kjo do të garantojë zhvillim ekonomik dhe do të inkurajojë investimet. Sipas tij, plani i ri për anëtarësim përfshin tri aspekte kryesore: politik, ushtarak dhe ekonomik. Në aspektin politik, Haradinaj thekson rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve me institucionet euroatlantike dhe konsolidimin e demokracisë.

Kurti: Buxheti për vitin 2025 është 3.6 miliardë euro

Kryeministri I Kosovës Albin Kurti në konferencën e përbashkët me ministrin e Financave ka bërë të ditur se buxheti për vitin 2025 është 3.6 miliardë euro. “Të hyrat buxhetore të projektuara janë 3.3 miliardë euro, kjo është për 90% më e lartë sesa niveli në vitin 2020 para qeverisjes sonë. Nëse e krahasojmë me vitin parapandemik është 74% më e lartë. Për vitin 2025 buxheti i planifikuar për shpenzim është mbi 3.6 miliardë euro, që krahasuar me vitin 2020 është për 60% më i lartë”, ka thënë Kurti. Kurti ka thënë se atij nuk i ka munguar vullneti për të shkruar draftin e Qeverisë për Asociacionin, por është refuzuar. Ai ka thënë se Asociacioni është çështje që duhet të trajtohet përbrenda Kosovës dhe nuk mund të imponohet.

Projektbuxheti 2025 do të jetë 8.2 miliard euro, 600 milion euro më shumë se 2024

Në Shqipëri në vitin 2025 është parashikuar që buxheti të jetë më i madhi deri tani, me një vlerë prej  8.2 miliardë euro afërsisht, 600 milionë euro më shumë se buxheti i vitit 2024. Sipas Ministrisë së Financave, parashikimet janë që të ardhurat për vitin 2025 të shkojnë në 754.6 milionë lekë dhe shpenzimet programohen në masën 822.7 milionë lekë, duke sjellë një deficit buxhetor prej afro 68 milionë leke. Ne projektbuxhetin e vitit 2025 është parashikuar që serish Shqipëria të marrë një borxh në vlerën 650 milionë euro. Sërish janë dy ministri që edhe në buxhetin e vitit të ardhshëm do të kenë portofolin më të madh, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Opozita sot në protestë, akset kryesore që bllokohen

Nën moton “O sot, o kurrë”, opozita në Shqipëri do të zhvillojë një protestë kombëtare në kuadër të asaj që Partia Demokratike e cilëson si mosbindje civile kundër korrupsionit dhe kapjes së institucioneve nga qeveria socialiste. Protesta e cila pritet të nis sot në orën 17.00 do të zhvillohet në disa pika kryesore të vendit, ku janë paralajmëruar se do të bllokohen disa akse dhe pika nevralgjike të qarkullimit të mjeteve. Vetë Policia e Shtetit ka marrë masat për mbarëvajtjen e kësaj proteste, ndërsa ka dhënë leje vetëm për 3 orë tubim.

Armëpushimi në Gazë; Katari: Do punojmë deri në minutën e fundit me SHBA-të

Katari ka bërë të ditur se do të punojë me administratën e presidentit amerikan Joe Biden deri në minutën e fundit për të arritur një marrëveshje armëpushimi në Gazë. Sipas drejtuesve të lartë të Katarit, me administratën e presidentit amerikan Joe Biden do të punohet “deri në minutën e fundit” përpara zgjedhjeve presidenciale për të arritur një marrëveshje armëpushimi në Gazë. Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu ka bërë të ditur se nuk ka marrë asnjë propozim për armëpushim dhe lirimin e pengjeve në Gazë. Të dielën Egjipti propozoi një armëpushim dyditor në Gazë, gjë e cila do të mundësonte shkëmbimin e pengjeve izraelitë me një numër të paspecifikuar të burgosurish palestinezë që mbahen në Izrael. Ndërkohë në Gazë vijon konflikti me Izraelin, ku sipas Ministrisë së Shëndetësisë 77 persona janë vrarë ose janë zhdukur pas një sulmi ajror në veri të Gazës. Ushtria izraelite filloi një fushatë të përtërirë tokësore dhe ajrore në veri të Gazës në fillim të muajit.

Mbi 60 të vrarë nga sulmet izraelite në Luginën Bekaa të Libanit

Sulmet izraelite në Luginën Bekaa të Libanit gjatë natës lanë pas vetes më shumë se 60 të vrarë në disa qytete, tha guvernatori i qarkut, në atë që duket të jetë dita më vdekjeprurëse në zonë në më shumë se një vit armiqësish. Punonjësit e shpëtimit po nxirrnin trupat nga rrënojat. Izraeli ka shtuar sulmet ajrore në gjithë Libanin gjatë muajit të fundit, duke thënë se po vë në shënjestër grupin e armatosur libanez Hezbollah. Zyrtarët libanezë, grupet e të drejtave të njeriut dhe banorët e qyteteve të prekura thonë se sulmet po kryhen pa dallim. Asnjë urdhër evakuimi nuk u dha për asnjë nga qytetet e goditura gjatë natës. Guvernatori i qarkut Bachir Khodor, tha se 67 njerëz u vranë dhe më shumë se 120 u plagosën, ndërsa numri i të vdekurve pritet të rritet.

Katër të vrarë nga sulmet ruse në Ukrainë

Bombardimet ruse të cilat u kryen gjatë mëngjesit të sotëm kanë vrarë katër njerëz në Harkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, njoftoi kryetari i qytetit Ihor Terekhov, në një mesazh në rrjetin social Telegram. Sulmi në qarkun Osnoviansk të qytetit shkaktoi edhe dëme në infrastrukturën civile dhe në shtëpitë e banimit, sipas tij. Ky ishte sulmi i dytë në këtë qytet brenda gjashtë orëve. Nëntë njerëz u plagosën në sulmin e parë, i cili u krye ndaj qendrës së qytetit, ku u dëmtua një ndërtesë historike, tha Terekhov. Në një sulm tjetër, dronët rusë goditën Kievin duke i plagosur së paku gjashtë civilë, përfshirë një rëndë, tha Vitali Klitschko, kryetari i kryeqytetit ukrainas. Përndryshe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, po qëndron sot në Islandë ku merr pjesë në një samit me liderët e vendeve nordike.

Joe Biden votoi për zgjedhjet amerikane në Delaware

Presidenti i SHBA  Joe Biden votoi dje për zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit në New Castle, Delaware, shteti i tij i origjinës. Presidenti amerikan, i cili u tërhoq nga kandidimi i tij për një mandat të dytë në korrik, priti në radhë si të gjithë qytetarët e thjeshtë dhe më pas doli pas ekranit për të ushtruar të drejtën e tij të votës. Duke folur me gazetarët menjëherë pas kësaj, Biden e quajti "absolutisht të papërshtatshme" që Elon Musk, biznesmeni miliarder që mbështet Donald Trump, po u jep para votuesve.. Biden komentoi gjithashtu vendosjen e mijëra trupave të Koresë së Veriut në Rusi, duke e quajtur atë "shumë të rrezikshëm". Më herët, Pentagoni tha se vlerësonte "rreth 10,000" koreano-veriorë në Rusi.

Edhe nesër moti pa ndryshime, deri në 25 gradë

Në Mal të Zi sot mbajti mot me vransira të ndryshueshme, në bregdet deri I kthjellët. Fryn erë e dobët nga drejtimet e ndryshme. Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Podgoricë e Ulqin 24 gradë, Cetinë, Budvë, Herceg Novi e Nikshiq 23, Tivar 22, Rozhajë e Beranë 19, Guci 18, Plevle 17, Kollashin e Bijello Pole 16 dhe në Zhablak 12 gradë. Për nesër në jug parashihet të mbajë mot kryesisht me diell kurse në veri, paradite me vranësira të pakta dhe periudha me diell. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare, kryesisht nga veriu. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 3 deri në 14, kurse më e larta e ditës prej 14 deri në 25 gradë celsius.

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се