- Hronika
- Montesong
- Kolumne
-
Radio
- Izdvajamo
-
Emisije
- Novosti dana
- Dokumentarni program
- Pop top
- Europuls
- Zrno po zrno
- Radio ordinacija
- Kulturna panorama
- Zelena priča
- Epoleta
- +382
- Spona
- Svijet jednakih šansi
- Matica
- Život po mjeri čovjeka
- Link
- Izokrenuti svijet
- Koracima mladih
- Moja profesija je...
- Sportski program
- Kulturno-umjetnički program
- Koracima prošlosti
- Naučno-obrazovni program
- Muzički program
- RCG
- R98
- Programska šema
- Trofej Radija Crne Gore
- Frekvencije
- Radio drama
Ditari
24. 10. 2024.
00:00 >> 16:36
Ditari 24.10.2024
Përgatiti, Senad Gilaj
Shimun: Duhet ndryshuar Kodin Penal për sulme të personelit mjeksorë; arrestohet D. V I cili sulmoi doktorin në Plevle
Zyrtarët e repartit të Sigurimit të Plevles arrestuan D.V. i cili dyshohet se ka goditur me thikë në gjoks një mjek në Spitalin e Përgjithshëm të Plevles. Siç mësojmë, dyshohet se D.V. fillimisht ka sulmuar fizikisht mjekun, e më pas e ka plagosur me thikë në gjoks. Ministri i Shëndetësisë Vojisllav Shimun tha sot se lajmi nga Plevla për tentativën për vrasje të mjekut në vendin e tij të punës paraqet alarm të fundit për shoqërinë në tërësi. Ai i bëri thirrje Ministrisë së drejtësisë që të ndryshojë Kodin Penal në mënyrë që të sigurojë mbrojtje më të madhe për punonjësit mjekësorë ndërsa Ministri për punë të brendshme të shqyrtojë mundësinë e vendosjes së personelit të tyre edhe në institucionet shëndetësore. Është sulmuar neuropsikiatri Illhan Tursumoviq, i cili ndodhet në repartin kirurgjik të spitalit në Plevle. Drejtoresha e Qendrës shëndetësore ka thënë për Servisin publik se Tursumoviq ka pësuar plagë të shumta me thikë në zonën e gjoksit dhe abdomenit. Policia njoftoi se Prokurori e cilësoi veprën si tentative vrasje. Përndryshe edhe dje pasdite në Qendrën klinike të Malit të Zi dy persona kanë sulmuar brutalisht rojën në shërbimin e sigurisë. Ky institucion ka bërë të ditur se sulmi ka ndodhur dje, pasi roja i ka paralajmëruar dy persona se nuk mund të hyjnë me makinë në ambientet e Onkologjisë, të cilët pastaj atë e kanë sulmuar fizikisht. Pas sulmit ata janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa policia është njoftuar për incidenti dhe kanë reaguar menjëherë. Për shkak të plagëve, rojës në Qendrën klinike i është ofruar ndihma mjekësore.
Orban: Marrëveshje që Mali i Zi të mbyllë kapitujt deri në dhjetor, BE ka nevojë për zgjerim
“Mali i Zi është më i gatshmi për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe ka bërë hap të madh në këtë rrugë”, tha kryeministri i Hungarisë Viktor Orban. Ai në takim me kryeministrin e Malit të Zi, Millojko Spajiq në Budapest tha se janë dakorduar që deri në muajin dhjetor të mbyllen disa kapituj të negociatave.
Kryeministri Spajiq tha se Mali i Zi ka arritur progres dhe se do të jetë gati për anëtarësim në vitin 2026, e pastaj anëtar i plotë i BE-së në vitin 2028. Orban theksoi se në situatën aktuale ndërkombëtare konkurrenca e BE-së është në rënie dhe se diçka duhet ndryshuar. “Gjatë presidencës së Hungarisë, ne jemi të vendosur të ndryshojmë situatën dhe të mbështesim Malin e Zi në përparimin e tij drejt BE-së. Ne ramë dakord që çdo gjë të arrihet deri në dhjetor për të mbyllur disa kapituj të negociatave dhe ka ende disa kapituj që mund të hapen, sepse Mali i Zi ka bërë një hap të madh në rrugën drejt BE-së”, tha Orban. Përgjigja ndaj kësaj, sipas Orban, është vazhdimi i procesit të zgjerimit. Spajiq u përgjigj se e vlerëson ndihmën e Hungarisë në rrugën drejt BE-së. “Na vjen mirë që të dëgjojmë se Hungaria do të përpiqet që Mali i Zi të mbajë shpejt konferencë ndërqeveritare, në dhjetor, për të mbyllur kapitujt e mbetur”, theksoi Spajiq.
“Synimi është që Mali i Zi të mbyllë më shumë kapituj deri në fund të vitit”
Ministri i Çështjeve Evropiane të Hungarisë, Janosh Boko, deklaroi se sheh një angazhim të qartë politik dhe se Qeveria e Malit të Zi ka përmbushur disa premtime, për të cilat pret mbylljen e kapitujve negociues deri në fund të vitit. Boko tha për RTMZ se procesi i integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor është një nga prioritetet kyçe të Bashkimit Evropian. Ai theksoi se Bashkimi Evropian nuk është i plotë pa Ballkanin Perëndimor. “Premtuam perspektivën evropiane për rajonin më shumë se 20 vjet më parë, prandaj tani është koha e duhur për të përmbushur atë premtim,” tha Boko. Ai beson se kryesimi hungarez do të jetë përsëri i dobishëm për rajonin, ashtu siç ka qenë herën e fundit me Kroacinë, kur negociatat u përfunduan. Ai mendon se kjo është në interes jo vetëm të rajonit, por edhe të BE-së si një e tërë. “Sa i përket datave, mendoj se interesat dhe detyrat tona të përbashkëta janë të punojmë që Mali i Zi të jetë i gatshëm të bashkohet me BE-në sa më shpejt të jetë e mundur, dhe që BE të jetë e gatshme ta pranojë Malin e Zi sa më shpejt të jetë e mundur. Ne jemi në anën tuaj dhe jemi të gatshëm t’ju ndihmojmë në këtë proces,” përfundoi Boko.
Dukaj: Duam të kontribuojmë aktivisht në sigurinë kolektive
Mali i Zi, me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, dëshiron të kontribuojë aktivisht në sigurinë kolektive si anëtar i plotë i NATO-s, dhe për këtë arsye prioriteti ynë është forcimi i përhershëm i kapaciteteve të personelit përmes trajnimit të punonjësve në CIRT-in qeveritar dhe në Agjencinë për sigurinë kiberentike, deklaroi ministri i Administratës publike, Marash Dukaj. Gjatë qëndrimit të tij në Uashington, në temën e dialogut ekonomik SHBA-Mali i Zi, Dukaj dhe Drejtori i Përgjithshëm për Infrastrukturën dhe Sigurinë e Informacionit, digjitalizimin dhe shërbimet elektronike Dushan Polloviq u takuan me përfaqësues të Agjencisë Amerikane të Sigurisë Kibernetike. “Në takim të dyja palët u shprehën të kënaqur me cilësinë e bashkëpunimit të deritanishëm dhe u diskutuan mënyrat e zgjerimit të bashkëpunimit”, u kumtua pas takimit ndërsa, sipas kumtesës nga kjo Ministri thuhet se theksi i veçantë i takimit ishte vendosja e shkëmbimi të ndërsjellë informacioni për kërcënimet kibernetike dhe se në këtë kuptim u ra dakord për hapat e mëtejshëm. Dukaj ka marrë garanci se modalitete të ndryshme trajnimi për përfaqësuesit malazezë do të zbatohen përmes programeve të ndryshme të Departamentit të Shtetit.
Sharec: Mali i Zi është në rrugë të mirë, por shumë të gjatë
Deputeti i Parlamentit Evropian Marjan Sharec nga radhët e liberalëve evropianë është zgjedhur raportues i ri i Parlamentit Evropian (PE) për Malin e Zi, u konfirmua sot në grupin politik Renew Europe. Si raportues i përhershëm, Sharec do të jetë përgjegjës për monitorimin e progresit të Malit të Zi në procesin e anëtarësimit në BE dhe përgatitjen e raportit vjetor për këtë çështje. Sharec ka theksuar se ka vendosur të jetë kandidat për raportuesin për Malin e Zi, sepse beson se “është në rrugë të mirë, por ende shumë të gjatë, e cila mund të kalohet me sukses nëse kanë qëllim të sinqertë dhe qasje serioze”, duke shtuar se do të punojë me të gjithë akterët kryesorë të procesit. Sharec do të jetë qëndroj në Mal të Zi javën e ardhshme, si pjesë e Delegacionit të Parlamentit Evropian për Stabilizim dhe Asociim. Marjan Sharec do ta pasojë Tonino Piculla nga grupi i Socialistëve dhe Demokratëve si raportues i Parlamentit Evropian për Malin e Zi, i cili e mbajti këtë post gjatë mandatit të mëparshëm pesëvjeçar të PE. Piculla ndërkohë në mandatin e ri u zgjidh raportues për Serbinë.
Gjeloshaj të mos kërcënojë se do të përjashtohet nga Qeveria; Gjelaj: “Akuzat e Për Ardhmërinë e Malit të Zi janë të pabaza, dashakeqe dhe të motivuara politikisht”
Koalicioni "Për Ardhmërinë e Malit të Zi" i ka thënë ministrit Nik Gjeloshaj që të mos kërcënojë se do t'i përjashtojë nga Qeveria, sepse mund të ndodhë që ai të jetë i përjashtuar. “Koalicioni "Për Ardhmërinë e Malit të Zi" paralajmëron me dashamirësi Nik Gjeloshajn, njërin nga kryetarët e shumtë të partive shqiptare, që të mos e teprojë me shpërthime kërcënuese dhe shoviniste të theksuara ndaj popullit serb në Mal të Zi”, thuhet në njoftim. Ata kujtojnë se ai nuk i ka futur në qeveri dhe as nuk mund t'i dëbojë nga ajo. Ndërsa anëtari i kryesisë së Forumit Shqiptar, Lindon Gjelaj tha se akuzat e koalicionit "Për Ardhmërinë e Malit të Zi" janë të pabaza, dashakeqe dhe të motivuara politikisht, duke shtuar se i konsideron ato "përpjekje për të larguar vëmendjen nga sfidat reale me të cilat përballemi si shoqëri në Mal të Zi”.
“Ndryshimet kushtetuese dhe dyshtetësia janë vija e kuqe e opozitës”
Kryetari i Partisë Demokratike të Socialistëve, Danijell Zhivkoviq u takua me të dërguarin special të Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor, Anzhej Frangesh i cili i shprehu mirënjohje Sllovenisë për partneritetin dhe marrëdhëniet miqësore me Malin e Zi si dhe mbështetjen e vazhdueshme për integrimin evropian të Malit të Zi dhe Ballkanit Perëndimor. Në takim mori pjesë edhe ambasadorja e Sllovenisë në Mal të Zi, Bernanda Gradishnik. Siç thuhet në njoftim, Frangesh konfirmoi përkushtimin e Sllovenisë që në mënyrë bilaterale dhe brenda Bashkimit Evropian, të vazhdojë të afirmojë politikën e zgjerimit dhe të ofrojë mbështetje e ekspertëve dhe të politikës për integrimin evropian të Malit të Zi dhe Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Vujoviq: Ndryshimi i Kushtetutës dhe shtetësia e dyfishtë janë agjenda e re e LET
Ndryshimi i Kushtetutës dhe dyshtetësia janë agjenda e re e Lëvizjes Evropa Tani (LET/ PES), tha njëri nga liderët e Aleancës Evropiane, Ivan Vujoviq. Ai tha se regjistrimi i popullsisë, siç edhe pritej, u shërbeu nacionalistëve dhe strukturave qytetare të rreme në pushtet si dhe shefave të tyre të Beogradit, që të përpiqen ta copëtojnë Malin e Zi sipas vijave etnike. “Evropa tani 3 – ndryshimi i Kushtetues dhe shtetësia e dyfishtë janë agjenda e re e Lëvizjes Evropa Tani. Siç thanë dikur “çlirimtarët”, tani le të flasim për ekonominë”, ka shkruar Vujoviq në rrjetin X.
“Institucionalizimi i punës së specialsitëve gjyqësorë”
Specialistët gjyqësorë ndikojnë dukshëm në funksionimin e gjyqësorit dhe është e nevojshme që organizata e tyre të institucionalizohet, u tha në konferencën me rastin e 24 vjetorit të Shoqatës së Specialistëve Gjyqësor të Malit të Zi. Ministri i Drejtësisë, Bojan Bozhoviq tha se Strategjia për reformën e gjyqësorit, e cila është miratuar në muajin maj, ka përcaktuar planin për zhvillimin dhe përmirësimin e ekspertizës në Mal të Zi, përmes qëllimit operacional për forcimin e pavarësisë së gjyqësorit. “Përmes planit të veprimit kemi paraparë ndryshime në ligjin ekzistues, i cili duhet të miratohet në fund të vitit të ardhshëm”, tha Bozhoviq. Prokurori i Lartë i Shtetit Millorad Markoviq tha se shqyrtimi i çështjes së Specialistëve gjyqësor nuk duhet të jetë jashtë sistemit juridik, ndërsa ushtruesja e detyrës së kryetares së Gjykatës Supreme Vesna Vuçkoviq tha se Specialistët Gjyqësorë janë fondamental për drejtësi dhe gjyqësor, sepse nga ekspertiza dhe mendimet e tyre shpesh varen rezultatet e proceseve gjyqësore.
Avancimi i suazave ligjore është parakusht për prosperitetin ekonomik
Përmirësimi i suazave ligjore për biznes dhe harmonizimi i rregulloreve ligjore me legjislacionin e Bashkimit Evropian është ende parakusht i rëndësishëm për prosperitetin ekonomik të Ballkanit Perëndimor, u konkludua në konferencën ndërkombëtare për ekonominë e organizuar këtë javë nga Oda ekonomike e Malit të Zi. Përfundimet dhe rekomandimet e Konferencës për ekonominë, “Montenegro 2024”, që cila u mbajt në Budva me temën, “Dekada e Procesit të Berlinit”, tradicionalisht i kumtoi profesori Sasha Popoviq nga Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Mali i Zi. Konferenca dyditore, gjatë së cilës u mbajtën gjashtë panele, tuboi përfaqësues të qeverive dhe shoqatave të biznesit nga Ballkani Perëndimor dhe Gjermania.
Modernizimi i sistemit pagesor është parakusht për përshpejtimin e procesit drejt BE-së
Delegacioni i Bankës Qendrore të Malit të Zi (BQMZ), i kryesuar nga guvernatorja Irena Radoviq, gjatë takimit vjetor të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, u takua me guvernatorin e Bankës së Italisë, Fabio Paneta, me të cilin biseduan për modernizimin e sistemi të pagesave të Malit të Zi, si një nga parakushtet për përshpejtimin e proceseve integruese drejt Bashkimit Evropian. Siç thuhet në njoftimin e Bankës Qendrore, Radoviq ka shprehur interesimin Bankës Qendrore të Malit të Zi për t'iu bashkuar projektit- TIPS (Target Instant Payment Settlement), i cili është miratuar nga Banka Qendrore Evropiane dhe që teknikisht do të zbatohet nga Banka e Italisë. Në njoftim, theksohet se Paneta ka shprehur gatishmërinë e Bankës së Italisë për të zbatuar sistemin e përmendur të pagesave të çastit dhe është shprehur se është projekt i rëndësishëm në kuadër të përafrimit me standardet e BE-së.
Qarkullimi i kompanive 11.5 miliardë: Të ardhurat më të larta në tregti dhe ndërtim
Qarkullimi i ndërmarrjeve në vitin e kaluar në Mal të Zi ishte rreth 11.5 miliardë euro, që është rreth 1.5 miliardë euro më shumë se një vit më parë, tregojnë të dhënat e Monstat-it. Nga kjo xhiro totale në vitin e kaluar, gati pesë miliardë i referohen qarkullimit në tregtinë me shumicë dhe pakicë, ndërsa 1.1 miliardë i referohen xhiros në industrinë e ndërtimit dhe përpunimit. Nga sektorët e tjerë, asnjëri prej tyre nuk i kalon një miliard euro. Monstat publikoi “Anketën Strukturore për operacionet e biznesit” në të cilën thuhet se qarkullimi i ndërmarrjeve në Mal të Zi në vitin 2023 ishte 11.6 miliardë euro. “Vlera Bruto Prodhimtarisë së Përgjithshme në vitin 2023 ishte 7,9 miliardë euro, konsumi i ndërmjetëm ishte 4,4 miliardë euro ndërsa Tatimi në Vlerën Shtesë (TVSH) ishte 3,5 miliardë euro”, kumtuan nga Monstat-i.
Dialogu me Serbinë, Kurti sërish i përmend kërkesat karshi Serbisë
Kryeministri i Kosovës Albin Kurit, ka theksuar edhe një herë kërkesat karshi Serbisë për sukses në dialog. Ai ka përmendur nënshkrimin e marrëveshjes bazike, dorëzimin e Millan Rajdojiçiqit dhe të grupit të tij kriminal dhe tërheqjen e letrës të ish-kryeministres së Serbisë Ana Bërnabiq. Sipas tij, është e pa pranueshme që integriteti territorial të mos respektohet. Kurti, ka thënë se po pret që të njoftohet nga kryenegociatori Besnik Bislimi, se çka është diskutuar në Bruksel. “Duhet të presim se çka do të na njoftoj prej atje Besnik Bislimi, zëvendësi im i cili është njëkohësisht edhe kryenegociator”, ka thënë ai.
Nisin takimet dypalëshe në Bruksel
Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, ndodhen sot në Bruksel për rundin e ri të bisedimeve në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve fqinje. Njësoj si më herët, rundi i ri nisi me takime dypalëshe. I dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, së pari është takuar me krye-negociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq. Më pas, ai do të zhvillojë një takim dypalësh edhe me krye-negociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi. Nëse do të ketë vullnet nga palët, më pas mund të zhvillohet edhe takimi i përbashkët trepalësh. Në takimin e fundit në shtator, Lajçak nuk arriti t'i bindë Bislimin dhe Petkoviq të mbajnë takim trepalësh, pasi ata kishin mospajtime për temat që do të donin t'i shtjellonin. Deri më tani, zakonisht janë zhvilluar takime dypalëshe mes të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, dhe kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, por jo edhe takime trepalëshe.
Pas Shqipërisë, Von der Leyen viziton Maqedoninë e Veriut
Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, në kuadër të turneut të saj katër ditor nëpër gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, sot po qëndron në Shkup. Ajo është pritur nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski. “Jam këtu për t’iu thënë: ju jeni me ne në BE. Pra, le të përqendrohemi në qëllimin tonë të afërt. Të hapet sa më shpejt grupi i “themeleve”, ka shkruar Von der Leyen. Përndryshe, Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, priti presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, me të cilën zhvilloi një diskutim të hapur për integrimin e Shqipërisë në BE, si dhe të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor. Von der Leyen vlerësoi angazhimin personal të kreut të shtetit për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si edhe perspektivën unike që ky integrim ofron për pajtimin, integrimin ekonomik dhe prosperitetin e rajonit. Ditën e djeshme, zyrtarja e lartë e BE-së zhvilloi një takim me kryeministrin Edi Rama.
Për të dytën ditë me radhë, Turqia sulmon kurdët në Siri dhe Irak
Turqia ka goditur caqet e dyshuara të militantëve kurdë në Siri dhe Irak për të dytën ditë me radhë, pas sulmit të djeshëm në një kompani turke të mbrojtjes, që la të vrarë të paktën pesë persona, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve. Organizata Kombëtare e Inteligjencës ka shënjestruar disa “vendndodhje strategjike” që përdoren nga Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PPK) apo nga milicitë kurdo- siriane, që janë të lidhur me militantët, raportoi agjencia Anadollu. Caqet përfshijnë bazat ushtarake, të inteligjencës, energjisë, infrastrukturës dhe depo të municioneve. Ndërkaq, një zyrtar i sigurisë tha se gjatë sulmeve të sotme janë përdorur edhe dronë.
Izraeli kryen sulme ajrore në Damask
Izraeli ka kryer sulme ajrore në kryeqytetin sirian, Damask, dhe pranë një objekti të ushtrisë në afërsi të Homsit, tha Ministria siriane e Mbrojtjes, teksa sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, vizitoi rajonin e Lindjes së Mesme duke kërkuar që të ndalen luftimet. Sulmet izraelite goditën lagjen Karf Sosa në qendër të Damaskut dhe një objekt të ushtrisë në Homs, duke vrarë një ushtar dhe duke plagosur shtatë të tjerë, tha Ministria e Mbrojtjes përmes një njoftimi. Ministria tha se sulmet kanë shkaktuar “dëme materiale”, por nuk ka dha më shumë detaje. Më herët gjatë 24 tetorit, media shtetërore siriane raportoi se janë dëgjuar shpërthime në Damask, pasi Izraeli goditi një ndërtesë banimi në Karf Sosa. Izraeli zakonisht nuk komenton për raportime specifike të sulmeve në Siri.
Ukraina rrëzon dhjetëra dronë të Rusisë
Mbrojtja ukrainase ka rrëzuar 40 nga 50 dronët që lëshoi Rusia ndaj 11 rajoneve ukrainase mëngjesin e sotëm të 24 tetorit. Forcat ajrore ukrainase thanë se shtatë dronë rusë u rrëzuan për shkak se paktën telashe me sistemin e tyre të navigimit. Drontë u rrëzuan në rajonet e Odesës, Mikolajivit, Dnipropetrovskit, Vinitsjas, Zhitomirit, Kmelnitskit, Çerkasit, Kirovoradit, Kievit, Poltavës dhe Çernihivit, teksa forcat ajrore shtuan se një dron mbeti në hapësirën ajrore ukrainase, ndërkaq dy të tjerë u larguan në drejtim të Rusisë dhe Bjellorusisë. Ushtria ukrainase, ndërkaq, njoftoi se Rusia ka gjuajtur dy raketa precize dhe dy raketa lundruese, duke pretenduar se raketat nuk goditën në caqe.
Putin do të takohet me shefin e OKB-së në samitin e BRICS-it
Presidenti rus, Vladimir Putin, do të takohet me shefin e Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, për herë të parë në më shumë se dy vjet. Takimi do të mbahet sot teksa udhëheqësi rus po përballet me thirrjet nga aleatët e tij nga BRICS-i që t’i japë fund luftës në Ukrainë. Takimi po ashtu zhvillohet në ditën e fundit të samitit të BRICS-it që po mbahet në qytetin rus në Kazan. Moska shpreson se ky forum do t’i ndihmojë që të krijojë një front të bashkuar të ekonomive në zhvillim kundër Perëndimit. BRICS u formua në vitin 2006, si koalicion mes katër vendeve: Brazilit, Rusisë, Indisë dhe Kinës. Afrika e Jugut u bashkua në vitin 2010, e ndjekur nga Egjipti, Irani, Etiopia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe në vitin 2024. Grupi synon bashkimin e vendeve më të mëdha që janë në zhvillim.
Nesër mot i ndryshueshëm, deri në 25 gradë
Në Mal të Zi sot mbajti mot me vranësira të pakta deri të ndryshueshme. Fryn erë e dobët nga drejtimet e ndryshme. Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Ulqin 27 gradë, Budvë 26, Podgoricë, Tivar e Herceg Novi 24, Cetinë e Nikshiq 22, Beranë, Kollashin, Plevle e Rozhajë 19, në Bijello Pole, Petnicë e Guci 18 dhe në Kollashin 17 gradë. Për nesër parashihet të mbaj mot me vranësira mesatare dhe me intervale me diell. Pasdite në veri me vranësira të shtuara. Do të fryjë erë kryesisht e dobët nga drejtimet e ndryshme. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 3 deri në 15, kurse më e lartë ditore prej 16 deri në 25 gradë celsius.
Коментари0
Остави коментар