Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

21. 10. 2024. 00:00 >> 17:59

Ditari 21.10.2024

Ditarin e përgatiti Marash Dedvukaj

Departamenti i Policisë Speciale (SPO) ka arrestuar sot në mëngjes në Nikshiq katër persona, në një aksion të ri kundër krimit të organizuar

Departamenti i Policisë Speciale (SPO) ka arrestuar sot në mëngjes në Nikshiq katër persona, në një aksion të ri kundër krimit të organizuar. Në mesin e të burgosurve është edhe Strahinja Koprivica, djali i ish-policit të lartë Dushko Koprivica, ka konfirmuar Portali RTMZ. Siç mësohet jozyrtarisht, në mesin e të arrestuarve janë Blazho Gjurkoviq, Nikolla Vukotiq, Marinko Koprivica, Strahinja Koprivica dhe Igor Krstoviq. Ndaj tyre SDT ka bërë kallëzim penal për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale të krijimit të organizatës kriminale. Po ashtu, kallëzime janë bërë edhe kundër Koprivicës dhe Krstoviqit, i cili ndodhet në paraburgim në UIKS, dhe Gjurkoviqit për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale të prodhimit, posedimit dhe shpërndarjes së paautorizuar të narkotikëve. Gjithashtu u bë e ditur se Strahinja Koprivica dhe Marinko Koprivica akuzohen për kontrabandë. Policia ka kontrolluar banesat dhe objektet e tjera të përdorura nga të dyshuarit. “Të dyshuarit brenda afatit ligjor do të sillen në Prokurorinë Speciale të Shtetit për marrje në pyetje”, thuhet në njoftimin e prokurorisë specilae të shtetit - PSSH-së.

Nik Gjeloshaj sot do të nënshkruajë Memorandumin e Mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Malit të Zi dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike dhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik Nik Gjeloshaj, i cili kryeson delegacionin malazez në një vizitë zyrtare në Uashington, sot do të nënshkruajë Memorandumin e Mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Malit të Zi dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për çështjet të bashkëpunimit ekonomik në emër të Qeverisë dhe Shtetit të Malit të Zi. Memorandumi do të nënshkruhet në emër të qeverisë amerikane nga Hose Fernandez, nënsekretar për Rritjen Ekonomike, Energjinë dhe Mjedisin. Me rastin e vizitës së tij zyrtare në Uashington, Gjeloshaj tha se nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit do të kontribuojë në krijimin e një baze të fortë për bashkëpunimin e ardhshëm ekonomik dhe zbatimin e projekteve të përbashkëta me interes të dyanshëm.

Rakoçeviq - një grevë e mundshme e prokurorëve do të çonte në paralizim të plotë të sistemit

Kriminologu dhe profesori i Fakultetit Juridik Velimir Rakoçeviq tha në programin e mëngjesit të TVMZ se një grevë e mundshme e prokurorëve do të çonte në paralizim të plotë të sistemit dhe se shteti duhet të merret me problemet e tyre, pasi anëtarësimi në BE varet nga rezultatet e prokurorëve. Duke pasur parasysh integritetin e këtyre njerëzve dhe angazhimin e tyre "unë nuk pres, që të ketë një pezullim sepse kjo do të ishte një paralizim i sistemit. Shteti duhet të merret me problemet e tyre. Vetëm një prokuror apo gjyqtar i kënaqur mund të bëjë këto punë të vështira. Kështu shteti duhet të qëndrojë prapa tyre dhe para së gjithash t'u sigurojë kushte për punë dhe tu ndihmojë edhe në aspektin kadrovik. Shteti duhet ta kuptojë se nga puna e prokurorëve dhe rezultatit të tyre varet edhe antarësimi në BE, tha Rakoçeviq.

Presidenti i Malit të Zi Jakov Millatoviq mori letra kredenciale nga ambasadorët e sapoemëruar të Izraelit, Danimarkës dhe Spanjës

Presidenti i Malit të Zi Jakov Millatoviq mori letra kredenciale nga ambasadorët e sapoemëruar të Izraelit, Danimarkës dhe Spanjës - Avivit Bar-Ilan, Pernila Dahler Kardel dhe Juan José Sans Aparicio. Millatoviq, siç njofton kabineti i tij, në biseda të veçanta në rezidencën në Cetinë, ambasadorëve u ka uruar mirëseardhje në Mal të Zi dhe kryerje të suksesshme të misionit të tyre diplomatik. Në njoftim thuhet se Millatoviq i ka njoftuar ambasadorët për gjendjen aktuale në vend dhe qëllimet themelore strategjike të Malit të Zi. Këto synime, siç tha ai, janë anëtarësimi i vendit në Bashkimin Evropian (BE), forcimi i besueshmërisë së Malit të Zi si anëtar i aleancës së NATO-s dhe forcimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore, thuhet në njoftim.

Sipas një sondazhi mbi 65 për qind e qytetarëve besojnë se mediat në Mal të Zi duhet të jenë pjesë e një organi të vetëm

Sipas një sondazhi të kryer nga agjencia Damar për nevojat e Misionit të OSBE-së dhe Ministrisë së Kulturës dhe Medias (MKM),mbi 65 për qind e qytetarëve besojnë se mediat në Mal të Zi duhet të jenë pjesë e një organi të vetëm, të përbashkët vetërregullues. Siç u njoftua, në konferencën për shtyp, anketa është realizuar nga data 11 deri më 21 qershor, në mesin e 1002 të anketuarve. Drejtori ekzekutiv i Damari-t, Vuk Çagjenoviq, duke prezantuar rezultatet, tha se katër nga pesë të anketuar nuk ishin të njohur me konceptin e vetërregullimit të mediave, ndërsa vetëm një në katër e dinte këtë koncept. Ai tha se 58.8 për qind e atyre që e njohin konceptin e vetërregullimit të medias janë shumë të kënaqur ose të kënaqur me situatën aktuale. “28,6 për qind e të anketuarve kanë qëndrim neutral, ndërsa 12,6 për qind janë të pakënaqur me gjendjen aktuale të vetërregullimit të mediave”, shtoi Çagjenoviq.

Nga mesnata do të shtrenjtohen të gjitha llojet e karburanteve

Nga mesnata do të shtrenjtohen të gjitha llojet e karburanteve, njoftoi Ministria e Minierave, Naftës dhe Gazit, Eurosuper 95 do të rritet për pesë cent dhe në dy javët e ardhshme do të kushtojë 1,46 euro për litër. Eurosuper 98 do të rritet për katër cent dhe në dy javët e ardhshme do të kushtojë 1.49 euro për litër. Nafta do të rritet për 3 cent dhe do të kushtojë 1. 34 euro për litër, ndërsa nafta për ngrohje do të shtrentohet poashtu për 3 cent dhe do kushtojë 1.31 euro për litër. Llogaritja e radhës do të bëhet më 4 nëntor dhe çdo ndryshim i çmimeve të derivateve të naftës do të jetë i vlefshëm nga data 5 nëntor.

O’Brien: Themelimi i Asociacionit, hap i rëndësishëm

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O'Brien, tha për transmetuesin publik serb se kërkon që të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë të respektohen. O’Brien ka qëndruar një ditë më parë në Serbi, ku është takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Ndërkaq, sot më 21 tetor ai do të qëndrojë në Kosovë dhe do të takohet me kryeministrin kosovar, Albin Kurti. Në intervistën për RTS-në, O’Brien tha se sa i përket themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe është e rëndësishme që të respektohen marrëveshjet. Në këtë drejtim, ai tha se duhet që në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës të kalojë një draft-statut për Asociacionin. Zyrtari i lartë amerikan tha po ashtu se duhet të ketë një diskutim më të gjerë lidhur me integrimin e serbëve që jetojnë në Kosovë. “Asociacioni është një hap i rëndësishëm. Është e rëndësishme të shënohet përparim edhe para formimit të Asociacionit. Është e rëndësishme që njerëzit të jetojnë normalisht, të regjistrohen martesat, fëmijët që lindin dhe në të gjitha këto të punojmë njëkohësisht. Obligimet ekzistojnë që nga viti 2015, kur u nënshkrua marrëveshja për Asociacionin. Nuk mund t’iu ofroj një afat kohor, por më e rëndësishmja është që serbët të jetojnë sikurse qytetarët evropianë”, tha O’Brien.

Arrestohet presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta

Sot është arrestuar kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Bëhet me dije se Meta është arrestuar me urdhër të SPAK. Nuk dihet ende arsyeja e arrestimit të tij, ndërsa pritet njoftimi zyrtar. Kujtojmë se Meta po hetohej nga SPAK për dosjen CEZ - DIA. Dosja e CEZ-DIA është rihapur në prill të vitit 2022, pas një kallëzimi në SPAK nga Partia Socialiste, për vjedhje të parave publike. Shitja e 75 % të aksioneve të OSSH tek CEZ-DIA u cilësua abuzive dhe prishja e kësaj kontrate i shkaktoi buxhetit të shtetit një dëm mbi 414 mln euro.Për këtë çështje deri  më tani është dënuar Kastriot Ismailaj me 11 vite burg për “mashtrim me pasoja të rënda” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”.  Ai ishte administrator i kompanisë DIA, e ngarkuar për mbledhjen e borxheve të CEZ, ku u përfshi në një skemë mashtrimi, duke shkatërruar edhe raportet mes shtetit shqiptar dhe CEZ, me kosto të madhe për buxhetin e shtetit.

Izraeli kërkon falje për vrasjen e tre ushtarëve libanezë

Ushtria izraelite ka kërkuar sot falje pasi një sulm vrau tre ushtarë libanez në jug të Libanit një ditë më parë. Izraeli tha se nuk po lufton me ushtrinë e Libanit dhe se ushtarët e tij besonin se po shënjestronin një kamion që i përkiste Hezbollahut, grupit militant dhe partisë politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit. Ushtria tha se ka sulmuar dje një kamion, i cili kishte hyrë në një zonë ku paraprakisht ushtria kishte shënjestruar një kamion të Hezbollahut, që kishte transportuar raketahedhës dhe raketa. Izraeli tha se nuk ishte në dijeni që kamioni i dytë që kaloi në këtë zonë i përkiste ushtrisë libaneze. Izraeli tha se “ne nuk operojmë kundër ushtrisë libaneze dhe kërkojmë falje për këto rrethana të padëshiruara”. Javën e kaluar, Hezbollahu tha se po hyn në një fazë të re të luftimeve kundër forcave izraelite, pas vrasjes së udhëheqësit kryesor të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – Yahya Sinwar, gjatë një beteje me forcat izraelite në Gazë. Sinwar cilësohej si arkitekti kryesor i sulmit të 7 tetorit 2023 në jug të Izraelit, që nxiti luftën në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit.

Rusia i vazhdon sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës

Ushtria e Rusisë e kreu edhe një valë sulmesh raketore dhe me dronë nëpër Ukrainë, kanë njoftua zyrtarët ukrainas. Në shënjestër të sulmeve ishte infrastruktura energjetike e vendit, ndërsa u raportua edhe për të plagosur nga sulme të tjera. Shtatëmbëdhjetë njerëz u plagosën pasi ushtria ruse hodhi raketa balistike në Krivi Rih, në jug të rajonin Dnipropetrovsk. Tetë nga të plagosurit u shtruan në spital, tha Oleksandr Vilkul, kryetar i këshillit të mbrojtjes së Krivi Rih. Pesëmbëdhjetë ndërtesa banimi, disa institucione arsimore dhe ndërtesa administrative, u dëmtuan në qytetin rreth 400 kilometra në juglindje të Kievit. Në qytetin lindor Harkiv, një distrikt u godit nga një raketë Grom-EI, raportoi RBK-Ukraine, duke cituar zyrën e prokurorit rajonal. Rusia gjithashtu sulmoi një objekt energjie në rajonin verilindor të Sumit, tha operatori rajonal i energjisë Sumyoblenerho në Telegram. “Si pasojë, më shumë se 37.000 konsumatorë në rajonin Romni (104 vendbanime) kanë mbetur përkohësisht pa furnizim me energji elektrike”, thuhet në njoftim.

Austin në Kiev për bisedime me udhëheqjen ukrainase

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, sot është duke qëndruar në Kiev. Gjatë kësaj vizite, ai do të zhvilloj bisedime me udhëheqjen ukrainase dhe do të tregojë mbështetje për Ukrainën, që po përballet me pushtimin e nisur nga Rusia. Kjo është vizita e katërt dhe me gjasë e fundit e shefit të Pentagonit në Ukrainë. Vizita po zhvillohet vetëm dy javë para mbajtjes të zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Gjatë kësaj vizite, pritet të zhvillohen diskutime për përpjekjet e SHBA-së për të ndihmuar Kievin që të rrisë mbrojtjen e tij, në kohën kur forcat e Moskës po përparojnë në lindje. Teksa Austin po viziton Ukrainën, Rusia po vazhdon sulmet e saj ndaj infrastrukturës civile dhe energjetike të shtetit fqinj. Katër persona, përfshirë një vajzë 12-vjeçare, u plagosën në sulmet raketore gjatë natës në Krivij Rih, tha kreu i administratës ushtarake në rajonin e Dnipropetrovskit, Serhiy Lysak. Ndërkaq, sipas kreut të administratës ushtarake të kryeqytetit ukrainas, Kiev, një person është plagosur nga copat e një droni të shkatërruar rus mëngjesin e sotëm të 21 tetorit.

Gjysma e moldavianëve votojnë për integrimin në BE

Rezultatet e fundit tregojnë se presidentja proevropiane, Maia Sandu, ka fituar rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Moldavi dhe do të përballet në balotazh, ndërkaq referendumi për integrimin në Bashkimin Evropian u kthye në favor të kampit “po” mëngjesin e sotëm të 21 tetorit. Me më shumë se 99.37 për qind të votave të numëruara, afër 50.38 për qind e moldavianëve kanë votuar me “po” në referendum dhe 49.62 për qind “jo”. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftua sot se referendumi i mbajtur një ditë më parë, së bashku me zgjedhjet presidenciale, është i vlefshëm sepse është arritur pragu i pjesëmarrjes. “Komisioni do të paraqesë raportin e rezultatit të referendumit te Gjykata Kushtetuese, e cila duhet që brenda 10 ditësh t’i konfirmojë apo mohoj rezultatet”, tha komisioni. Rezultati përfundimtar i referendumit, që deri natën vonë ishte në favor të atyre që kundërshtojnë integrimin në bllokun evropian, duket se u ndikua nga votuesit nga diaspora e fuqishme e Moldavisë. Ndërkaq, në orët e para të 21 tetorit, presidentja Sandu tha përmes një deklarate se votimet ishin nën një sulm “të paprecedent” nga “grupet kriminale” që tentuan të blinin qindra mijëra vota, në përpjekje “për të minuar procesin demokratik”. Sandu – që garoi për rizgjedhje – doli e para nga 11 kandidatët që garuan në zgjedhjet presidenciale, duke forcuar epërsinë e lehtë, që kishte në nisje të numërimit të votave ndaj kandidatëve të tjerë, por nuk arriti të merrte 50 për qind të votave të nevojshme për të shmangur rundin e balotazhit.

Fethullah Gulen, rival i Erdoganit, vdes në SHBA

Kleriku turk, Fethullah Gulen, ka vdekur në moshën 83-vjeçare në Shtetet e Bashkuara. Gulen, dikur aleat i presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, ishte akuzuar për orkestrimin e grusht shtetit të dështuar në Turqi në vitin 2016. Disa burime, përfshirë ueb-faqen Herkul, që publikon predikimet e Gulenit, Qeveria turke, CNN Turk dhe Fondacioni për Dialog dhe Arsim - organizatë e lidhur me lëvizjen e Gulenit në Gjermani - konfirmuan më 21 tetor se Guleni kishte vdekur një ditë më parë. “Mësuesi ynë vdiq më 20 tetor 2024 në orën 21:20 në spitalin ku për një kohë po trajtohej”, tha ueb-faqja Herkul në një postim në X sot më 21 tetor, duke shtuar se mjekët e tij do të dalin me një deklaratë lidhur me këtë çështje. Kjo ueb-faqe nuk tregoi se për çfarë po trajtohej Guleni. Ai kishte jetuar në mërgim në SHBA që nga viti 1999 dhe i ishte hequr shtetësia turke në vitin 2017. CNN Turk citoi nipin e Gulenit, që konfirmoi njoftimin e ueb-faqes Herkul, ndërkaq Ercan Karakoyun, kryetari i Fondacionit për Dialog dhe Arsim, po ashtu tha se Guleni vdiq të dielën.

Nesër mot i ngjashëm me të sotmin

Sot në Mal të Zi ka mbajtur mot me diell dhe vende vende me vranësira kalimtare. Frynë erë e dobët deri e mesme nga drejtimet e ndryshme. Temperaturat në orën 14: Ulqin 25 gradë, Tivar e Budvë 24, Podgoricë e Rozhajë 23, H. Novi 22, Nikshiq e Cetinë 20, Plluzhinë e Petnicë 18, Kollashin, Shavnik, Zhablak e Plevle 17, Beranë e Andrievicë 16 dhe në B. Pole 13 gradë. Për nesër metereologët parashohin të mbajë mot kryesisht me diell dhe i ngrohtë për këtë periullë të vitit. Do të fryjë erë e dobët deri e mesme nga drejtimet e ndryshme. Temepratura e mëngjesit prej 0 deri në 15 kurse më e larta e ditës prej 17 deri në 26 g.c.

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се