- Hronika
- Kolumne
-
Radio
- Izdvajamo
-
Emisije
- Dokumentarni program
- Pop top
- Europuls
- Zrno po zrno
- Radio ordinacija
- Kulturna panorama
- Zelena priča
- Epoleta
- +382
- Spona
- Svijet jednakih šansi
- Matica
- Život po mjeri čovjeka
- Link
- Izokrenuti svijet
- Koracima mladih
- Moja profesija je...
- Sportski program
- Kulturno-umjetnički program
- Muzički program
- Koracima prošlosti
- Naučno-obrazovni program
- RCG
- R98
- Programska šema
- Trofej Radija Crne Gore
- Frekvencije
- Radio drama
Ditari
12. 02. 2024.
00:00 >> 18:24
Ditari 12.02.2024
Ditarin e përgatiti Marash Dedvukaj
Milloviq - Situata në sektorin e sigurisë në Mal të Zi është shqetësuese
Situata në sektorin e sigurisë në Mal të Zi është shqetësuese, tha ministri i Drejtësisë Andrej Miloviq dhe shtoi se të gjitha akuzat ndaj tij janë të bazuara në bisedat politikë. Pas mëngjesit të punës me gazetarët, ai tha se jo vetëm që paraqiten të dhënat nga dhoma e të shurdhërve, por të dhënat dhe përshtypjet janë paraqitur krejtësisht gabim.
Por është fat që tre deputetë tashmë kanë dalë për ta mohuar dhe thonë se është krejtësisht e pavërtetë", tha Milloviq. Ai përkujtoi se kryetari i Komisionit për Mbrojtje dhe siguri, Miodrag Lakoviq, ka paralajmëruar kallëzim penal ndaj një autori të panjohur për zbulim të sekretit zyrtar, pasi në media dolën detaje nga seanca e mbyllur e këtij organi parlamentar. Duke iu përgjigjur pyetjes se cila do të jetë tema e mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ai tha se sot janë duke përgatitur kërkesa për Këshillin dhe sektorin e sigurisë. Tema, siç tha ai, është se pse ANB-ja dhe shërbimet kompetente nuk i ofrojnë mbrojtje kundërzbulimit. “Pse, nëse paraprakisht informoj për ngjarjen ku do të qëndroj dhe shefi i sigurimit i njofton menjëherë të gjithë personat për lëvizjet e mia, pas kësaj nuk kam asnjë raport, shënim zyrtar apo paralajmërim nëse ka pasur ndonjë person nga OKG në mjedisin tim”, ka thënë Milloviq.
B.Pejoviq - Përmes dialogut konstruktiv në Kuvend, Mali i Zi do të vazhdojë të përmbushë obligimet e veta nga agjenda evropiane
Përmes dialogut konstruktiv në Kuvend, Mali i Zi do të vazhdojë të përmbushë obligimet e veta nga agjenda evropiane, tha nënkryetari i Kuvendit Boris Pejoviq në takimin me ambasadorin sllovak në Podgoricë, Boris Gandel. Siç njoftoi Kuvendi, në takim u vlerësua se Mali i Zi dhe Sllovakia kanë marrëdhënie bilaterale cilësore dhe se mbështetja e Bratisllavës zyrtare është e rëndësishme për integrimin evropian të Malit të Zi.Pejoviq e njoftoi Gandelin për situatën aktuale politike në vend dhe vlerësoi se mbledhja aktuale e Kuvendit dha rezultate të respektueshme në kohën rekord. Ai theksoi se emërimet në drejtësi kanë arritur funksionalitetin e institucioneve të drejtësisë, që paraqet sinjal konkret në procesin e integrimeve evropiane. Pejoviq tha se pret që përmes një dialogu konstruktiv në Parlament, Mali i Zi të vazhdojë të përmbushë detyrimet e tij nga agjenda evropiane dhe se si vend aspirant do të bëjë reformat e nevojshme për t'u bërë anëtar i plotë,thuhet në deklaratë.
Seshadri - Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar nuk e ka parë programin "Evropa Tani 2", kështu që nga kjo organizatë nuk mund ta komentojë atë në detaje
Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar nuk e ka parë programin "Evropa Tani 2", kështu që nga kjo organizatë nuk mund ta komentojë atë në detaje, tha shefi i Misionit të FMN-së për Malin e Zi Srikant Seshadri. Në konferencën e përbashkët për media të FMN-së, Bankës Qendrore dhe Qeverisë, Seshardi bëri të ditur se paga minimale dhe mesatare mund të rriten, por rritja duhet të ketë qëndrueshme fiskale. Banka Qendrore e Malit të Zi u përfaqësua nga Guvernatorja Irena Radoviq, ndërsa qeveria nga Kryeministri Millojko Spajiq. Ne kemi besim në Qeveri, tha Seshadri. Ai theksoi se projeksioni i FMN-së është se ekonomia e Malit të Zi do të rritet me 3.7 për qind këtë vit, që është afër parashikimeve të Qeverisë dhe Bankës Qendrore. Për pesë vitet e ardhshme Mali i Zi ka nevojë të madhe për huamarrje të jashtme, e cila do të kërkojë një strategji të mirëfilltë fiskale, kurse FMN-ja është e gatshme të ndihmojë në zhvillimin e saj, tha Seshadri.
Organizata kriminale pesë antarëshe dënohet me gjithsej 20 vjet burg
Një organizatë kriminale prej pesë anëtarësh, që planifikonte vrasjen e Marko Lubisha Kan nga Budva, në janar të vitit 2021, është dënuar me gjithsej 20 vjet burg. Ky është vendimi i parë gjyqësor i shqiptuar në bazë të komunikimit përmes aplikacionit SKAJ, që është dhënë nga nga autoritetet gjyqësore të Francës. Me aktgjykim përfshihen Llazar Iliq, Strahinja Saviq, Gërga Miliqeviq, Millosh Kleçak dhe Nikolla Milenkoviq, të cilët janë shpallur fajtorë për veprën penale të krijimit të organizatës kriminale. Llazar Iliq akuzohet për veprën penale të mbajtje të lëndëve shpërthyese dhe armëve pa leje, ndërsa Milenkoviq për tentativë vrasje të kryer me nxitje. Gjyqtarja Vesna Kovaçeviq në arsyetimin e aktgjykimit deklaroi se komunikimin SKAJ e kanë pranuar si provë, duke pasur parasysh se këto prova janë ndarë organet kompetente gjyqësore franceze, dhe se nuk kanë arsye të dyshojnë në besueshmërinë e tyre.
M.Dukaj- Nëpunësit civilë të besueshëm dhe të motivuar janë themeli i administratës publike
Nëpunësit civilë të besueshëm dhe të motivuar janë themeli i administratës publike efikase dhe transparente,deklaroi ministri i Administratës Publike Marash Dukaj.Siç njoftojnë nga Ministria e Administratës Publike, Dukaj këtë e ka thënë në hapjen e Programit të trajnimit për përvetësimin e njohurive dhe shkathtësive për punë në administratën publike, për zyrtarët dhe të punësuarit e sapo punësuar. Nëpunësit dhe punonjësit shtetërorë të përkushtuar, të besueshëm dhe të motivuar janë themeli i administratës publike efikase dhe transparente”, tha Dukaj. Ai theksoi se kohët moderne tregojnë gjithnjë e më shumë se edukimi formal është i domosdoshëm, por që pa arsimim joformal jetësor nuk do të thotë shumë në nivelin profesional.Siç shtoi ai, duhet të punohet në përmirësimin e vazhdueshëm të kompetencave në përputhje me kërkesat moderne. “Sipas Strategjisë për Reformën e Administratës Publike, një nga prioritetet kyçe është profesionalizimi i sistemit të shërbimit civil”, tha Dukaj.
Qendra për Tranzicion Demokratik i bëri thirrje Qeverisë dhe kryeministrit Milojko Spajiq që të sigurojnë transparencën e shpenzimit të parasë publike
Qendra për Tranzicion Demokratik (CDT) i bëri thirrje Qeverisë dhe kryeministrit Milojko Spajiq që të sigurojnë transparencën e shpenzimit të parasë publike dhe të japin të dhëna për kostot e përfitimeve të marra nga ish-zyrtarët. Organizata joqeveritare dërgoi kërkesa për qasje falas në informacion në Sekretariatin e Përgjithshëm të Qeverisë dhe ministrive, duke kërkuar detaje për kompensimin që ish-zyrtarët kanë marrë pas largimit nga detyra në periudhën nga marsi 2016 deri në shtator 2023. Zëvendësdrejtoresha Ekzekutive e CDT Milena Gvozdenoviq tha se vetëm gjashtë ministri kanë dorëzuar informacione me listën e zyrtarëve publikë dhe kompensimin që kanë marrë pas përfundimit të detyrës. Siç tha ajo, detajet për tarifat janë dhënë nga Ministritë e Zhvillimit Ekonomik, Kulturës dhe Mediave, Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, Planifikimit Hapësinor, Urbanizmit dhe Pronës Shtetërore si dhe Punës dhe Mirëqenies Sociale. Sipas Gvozdenoviqit, Ministria e Administratës Publike ka dhënë vetëm informacione për kompensimin e zyrtarëve që e kanë ushtruar atë të drejtë pas vitit 2022. “Sipas të dhënave të dorëzuara, gjashtë departamentet e lartpërmendura kanë shpenzuar më shumë se 1.1 milionë euro për kompensimin e ish-zyrtarëve, gjatë shtatë viteve e gjysmë të fundit”, tha Gvozdenoviq.
Vaksinimi kundër virusit human papilloma në Mal të Zi është shtrirë edhe tek të rinjtë deri në moshën 26 vjeçare
Vaksinimi kundër virusit human papilloma në Mal të Zi është shtrirë edhe tek të rinjtë deri në moshën 26 vjeçare, kurse me vaksinim përfshihen edhe djemtë. Epidemiologu i Institutit të Shëndetit Publik, Millko Joksimoviq, vë në dukje se Mali i Zi është një nga vendet e pakta që u ka ofruar fëmijëve dhe adoleshentëve mbrojtje falas nga sëmundjet malinje dhe një nga vendet e pakta që ofron këtë lloj mbrojtjeje edhe për djemtë. Joksimoviq vë në dukje se akoma janë primare vajzat dhe djemtë e moshës deri në 14 vjeçare. Kështu, nga mosha 9 deri në 18 vjeç gjatë këtij viti është e mundur të vaksinohen edhe vajzat edhe djemtë, por nuk jemi ndalur me kaq, pasi u vendos që të organizohen fushata vaksinimit edhe për moshën prej 19 deri në 26 vjeçare. Kjo do të bëhet herë pas here dhe para së gjithash me ata që nuk janë seksualisht aktiv, edhe pse mund të vaksinohen edhe të tjerët, por vaksina është më pak efektive, tha Joksimoviq.
Nga mesnata do të shtrenjtohen të gjitha llojet e karburanteve
Nga mesnata do të shtrenjtohen të gjitha llojet e karburanteve, njoftoi Ministria e Energjetikës dhe Minierave.
Eurosuper 95 dhe 98 oktanësh do të rriten nga katër centë për një litër dhe do të kushtojnë 1.53, përkatësisht 1.57 euro. Eurodieseli dy javët e ardhshme do kushtojë 1.51 euro, kurse nafta për ngrohje 1.45 euro.
Serbët në Mitrovicë të Veriut protestojnë kundër ndalimit të dinarit
Në Mitrovicë të Veriut, serbët protestuan sot kundër vendimit të autoriteteve të Kosovës që vetëm euroja të jetë valuta për pagesa, duke përjashtuar dinarin serb. Në fillim të protestës, organizatorët thanë se përmes saj po ngrihet “zëri kundër padrejtësisë dhe përndjekjes së Prishtinës për të hequr dinarin e fituar me mund”. Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për pagesat vetëm me euro, ka hyrë në fuqi më 1 shkurt, përkundër kundërshtive nga serbët lokalë dhe faktori ndërkombëtar. Protesta, që u përkrah nga sindikata e punëtorëve serbë që punojnë në sistemin paralel të Serbisë në Kosovë, u mbajt pranë urës kryesore mbi lumin Ibër. Pjesëmarrësit në protestë ishin nga të gjitha komunat ku jetojnë pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë. Tek ura mbi Ibër ishin të pranishëm pjesëtarë të policisë së Kosovës dhe pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Në protestë morën pjesë edhe përfaqësues të Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar. “Vendimi për të hequr dinarin, për të na pamundësuar tërheqjen e pensioneve të merituara, do të thotë se po merret buka e gojës, po na ndërpritet jeta”, tha në emër të pensionistëve, Dushanka Qoroviq. Qeveria e Kosovës ka thënë se serbët do të mund të hapin llogari, pa pagesë, ku mund të bartin paratë e tyre në dinarë, të cilat më pas do të konvertohen në euro për të kryer pagesa.
Kurti: Nuk mund ta zhbëjmë vendimin për dinarin serb
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk do të hiqet dorë nga vendimi që vetëm euroja të jetë valuta për pagesa në Kosovë, por tha se po respekton kërkesat e faktorit ndërkombëtar për këtë çështje. Gjatë një interviste për Bloomberg, Kurti përsëriti se me rregulloren e BQK-së për operacione me para të gatshme nuk ndalohet mbajtja e dinarëve serbë, pasi kjo valutë mund të përdoret për pagesa vetëm pasi të konvertohet në euro në një nga bankat e licencuara në Kosovë. “Nuk mund ta zhbëjmë këtë vendim. Pra, ata kërkuan për më shumë kohë dhe ne po u japim më shumë kohë. Tani, edhe partnerët tanë amerikanë dhe evropianë po thonë se rregullorja është ligjore sepse po lufton financimin e terrorizmit, aktivitetet e paligjshme, por ne nuk duhet të ngutemi shumë në zbatimin e plotë. Dhe kështu do të veprojmë gjatë shkurtit”, tha Kurti. Qeveria e Kosovës ka thënë se përgjatë shkurtit do të ketë fushata për informimin e serbëve për këtë vendim dhe në këtë kuadër, Kurti më 11 shkurt iu adresua qytetarëve serbë, në gjuhën serbe, duke thënë se vendimi nuk e ndalon Serbinë që të vazhdojë të ndihmojë serbët në Kosovë.
Aleksandër Stub nga partia e Qendrës së Djathtë ‘Koalicioni Kombëtar’, është zgjedhur president i Finlandës
Aleksandër Stub nga partia e Qendrës së Djathtë ‘Koalicioni Kombëtar’, është zgjedhur president i Finlandës pas një gare të ngushtë me rivalin e Partisë së Gjelbër,Peka Havisto.Stub u zgjodh dje presidenti i ardhshëm i Finlandës. Në raundin e dytë, ai mori 51.6 për qind të votave dhe kandidati rival,Peka Havisto,48.4 për qind,njoftojnë mediat finlandeze, transmeton RTKlive. Sipas ekspertëve,zgjedhjet presidenciale ishin shumë të rregullta dhe paqësore. Bashkëpartiakja e presidentit të sapozgjedhur,Aleksandës Stub, Elina Valtonen, ministre e Jashtme e Finlandës, vlerëson se me zgjedhjen e Stubit për president të vendit, linja e politikës së jashtme e Finlandës nuk do të ndryshojë shumë. Megjithatë, zgjedhjet presidenciale në Finlandë u përshkua edhe me kërcënime nga ana e Rusisë për luftë bërthamore.
Të paktën 50 palestinezë vriten në Gazë gjatë operacionit izraelit për shpëtimin e dy pengjeve
Ushtria izraelite tha se ka shpëtuar dy pengje gjatë një bastisjeje të zhvilluar në orët e hershme të 12 shkurtit, duke shënuar një sukses të vogël, por me rëndësi simbolike, në përpjekjen e saj për të liruar mbi 100 pengje që besohet se po mbahen nga Hamasi, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Të paktën 50 palestinezë u vranë nga sulmet ajrore që ishin pjesë e kësaj bastisjeje, thanë zyrtarët shëndetësorë palestinezë. Bastisja u krye në Rafah, qytet në cepin jugor të Rripit të Gazës ku 1.4 milion palestinezë janë zhvendosur për t’iu ikur luftimeve mes Izraelit dhe Hamasit në pjesën tjetër të territorit. Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, tha se pengjet po mbaheshin në katin e dytë të një banese në Rafah, dhe po ruheshin nga pjesëtarë të armatosur të Hamasit, që gjendeshin si në banesë, por edhe në ndërtesat përreth. Hagari tha se njësitë speciale hynë në ndërtesë, mes shkëmbimit të zjarrit, rreth orës 01:49 të mëngjesit dhe një minutë më vonë, ushtria izraelite kreu sulme ajrore në zonat përreth. Ai tha se anëtarët e ekipit të shpëtimit mbrojtën pengjet me trupat e tyre përderisa u zhvillua një betejë e ashpër me shumë luftëtarë të Hamasit. Sipas Dr. Marwan al-Hams, drejtorit të spitalit Abu Youssef al-Najjar, në mesin e të vrarëve nga sulmet izraelite në Rafah kishte edhe gra dhe fëmijë.
Ukraina përballet me një valë të re të sulmeve ajrore ruse
Ushtria e Rusisë ka kryer sulme të reja me dronë në Ukrainë gjatë natës, ndërkaq Forcat Ajrore ukrainase raportuan se sistemet e mbrojtjes ajrore kanë shkatërruar 14 nga 17 dronët rusë si dhe një raketë lundruese të llojit Kh-59. Forcat Ajrore po ashtu thanë se ushtria ruse ka lëshuar raketa tokë-ajër të llojit S-300, të cilat kanë rreze të gjata veprimi, por nuk treguan se sa raketa të këtij lloji u lëshuan dhe nëse ndonjëra prej tyre ka goditur ndonjë cak. Guvernatori i rajonin verilindor ukrainas të Harkivit, Oleh Synehubov, në orët e vona të 11 shkurtit deklaroi se Rusia ka sulmuar këtë rajon me raketa që janë lëshuar nga rajoni rus i Belgorodit, që gjendet në kufi me Ukrainën. Sipas raporteve preliminare, Synehubov tha se nuk ka viktima, por disa ndërtesa jorezidenciale kanë pësuar dëme. Ndërkaq, guvernatori i Dnipropetrovskit, Serhiy Lisak, ka deklarua mbrëmë se Rusia ka sulmuar me drone qytetin rajonal, Pavlorad. Nuk raportohet për viktima, por sipas guvernatorit, një pjesë e qytetit të goditur ka mbetur pa energji elektrike. Vala e fundit e sulmeve ruse me dronë po ndodh në kohën kur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, po vazhdon të bëjë ndryshime në kabinetin e tij të luftës përderisa pushtimi rus i Ukrainës po i afrohet përvjetorit të dytë.
Perëndimi kritikon Trumpin për komentet rreth NATO-s
Zyrtarë të lartë të Perëndimit e kanë kritikuar dje ish-presidentin amerikan, Donald Trump, pasi ai ka sugjeruar se Shtetet e Bashkuara mund të mos i mbrojnë aleatët e NATO-s - që nuk janë duke ndarë mjaftueshëm para në mbrojtje – nga një pushtim potencial prej Rusisë. “Çdo sugjerim që aleatët nuk do të mbrojnë njëri-tjetrin, dëmton sigurinë e të gjithëve, përfshirë atë të SHBA-së, dhe i rrezikon ushtarët amerikanë dhe ata evropianë”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, përmes një deklarate me shkrim. “Çdo sulm ndaj NATO-s do të rezultojë me një përgjigje të përbashkët dhe të fuqishme”, tha pos tjerash Stontelberg.
Për nesër në viset jugore dhe qendrore pritet mot me vranësira të ndryshueshme me intervale me diell
Sot në Mal të i ka mbajte mot kryesisht i vranët dhe vende vende me reshje të dobëta të shiut.Frynë erë e dobët deri e mesme nga drejtimi i jugut.
Temperaturat në orën 13: H,Novi 16 gradë,Tivar 15,Budvë 14,B.Pole e Beranë 13,Podgoricë,Plevle e Andrievicë 10, Rozhajë e Petnicë 9, Nikshiq,Plluzhinë e Shavnik 7,Cetinë, Kollashin e Guci 6 dhe në Zhablak 4 gradë.
Për nesër në viset jugore dhe qendrore pritet mot me vranësira të ndryshueshme me intervale me diell. Në veri kryesisht i vranët, vende-vende me reshje të dobëta. Do të fryjë erë e dobët deri e mesme, pasdite deri e fortë nga drejtimet e veriut. Temperatura e mëngjesit prej 0 deri në 8, kurse më e larta e ditës prej 3 deri në 17 gradë.
Коментари0
Остави коментар