- Hronika
- Kolumne
-
Radio
- Izdvajamo
-
Emisije
- Dokumentarni program
- Pop top
- Europuls
- Zrno po zrno
- Radio ordinacija
- Kulturna panorama
- Zelena priča
- Epoleta
- +382
- Spona
- Svijet jednakih šansi
- Matica
- Život po mjeri čovjeka
- Link
- Izokrenuti svijet
- Koracima mladih
- Moja profesija je...
- Sportski program
- Kulturno-umjetnički program
- Muzički program
- Koracima prošlosti
- Naučno-obrazovni program
- RCG
- R98
- Programska šema
- Trofej Radija Crne Gore
- Frekvencije
- Radio drama
Ditari
06. 12. 2023.
00:00 >> 18:12
Ditari 06.12.2023
Përgatiti, Senad Gilaj
Për marrëdhëniet mes Malit të Zi dhe BE-së nesër në takimin në Bruksel
Nesër në Bruksel mbahet takimi i 17-të i Komitetit të Përbashkët Konsultativ ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Malit të Zi, në fokus të të cilit do të jetë Raporti i Komisionit Evropian për këtë vit, njoftuan nga ministria e Çështjeve Evropiane. Nga kjo ministri kumtuan se takimin do ta hapin kryetari i Komitetit evropian ekonomik e social, Oliver Ropke, zëvendëskryetari i këtij Komiteti Aurel Laurentiu Plosceanu dhe ministrja e Çështjeve Evropiane të Malit të Zi Maida Gorçeviq. Siç thanë ata, në pjesën hyrëse, pjesëmarrësve në takim do t'u drejtohen bashkëkryetarët e Komitetit të Përbashkët Konsultativ ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Malit të Zi, Decebal Stefanita Padure dhe Gordana Gjuroviq. Është bërë e ditur se anëtarët e këtij Komiteti të përbashkët do të shqyrtojnë gjendjen aktuale të marrëdhënieve ndërmjet BE-së dhe Malit të Zi, me fokus në Raportin e Komisionit Evropian për Malin e Zi për këtë vit dhe për zhvillimet në kuadër të procesit të Berlinit. "Në takim do të miratohet deklarata e përbashkët, e cila do t'i dërgohet Këshillit për Stabilizim- Asociimit, Këshillit parlamentar për Stabilizim dhe Asociim, Shërbimit Evropian për Punët e Jashtme, Komisionit Evropian dhe Qeverisë së Malit të Zi", thuhet në kumtesë.
Kryeprokurori shtetërorë, Novoviq në Uashington u takua me ambasadorin Eskobar
I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriell Eskobar, vlerësoi përpjekjet e prokurorit special kryesor, Vlladimir Novoviq dhe premtoi mbështetje për një luftë të vazhdueshme, të pavarur dhe të paanshme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë. Novoviq u takua me Eskobarin në selinë e Departamentit të Shtetit, në kuadër të një vizite pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prokurori special kryesor falënderoi për bashkëpunimin që ka Prokuroria Speciale Shtetërore me institucionet e zbatimit të ligjit, si dhe për donacione të shumta që përmirësojnë kapacitetet njerëzore dhe teknologjike të Prokurorisë Speciale Shtetërore.
Buxheti për vitin që vjen duhet të jetë gati sa më parë; rebalnci për këtë vit deri në 200 milion euro
Buxheti për vitin e ardhshëm duhet të jetë gati gjatë javës së ardhshme, ka paralajmëruar ministri i Financave Novica Vukoviq. “Kanë përfunduar edhe bisedimet me Bankat për borxhin e shtetit deri në fund të vitit, që parashikohet nga rebalanci deri në 200 milionë euro”, tha ministri por nuk deshi të zbulojë detaje. Në muajin e kaluar, ministria e Financave ka punuar në mënyrë intensive për identifikimin e fushave ku duhet të fuqizohen politikat e punës dhe si të tilla janë identifikuar lufta kundër ekonomisë informale, rregullimi i tregut të pasurive të patundshme dhe forcimi i ekonomisë së gjelbër, tha ministri Vukoviq. Përndryshe, kryeministri Milojko Spajiq beson se është shumë e rëndësishme që Mali i Zi të zvogëlojë deficitin fiskal dhe buxhetor në vitin e ardhshëm, sepse, sipas tij, kjo do të përmirësonte vlerësimin e kreditimit të vendit.
Fokusi i Qeverisë në zhvillimin e infrastrukturës rrugore dhe valorizimin e potencialit të Portit të Tivarit
“Qeveria do të fokusohet në lehtësimin e kalimeve ndërshtetërore, zhvillimin e infrastrukturës rrugore dhe ndërtimin e autostradave, valorizimin e potencialit të Portit të Tivarit dhe zhvillimin e intermodalitetit”, tha sot ministri i komunikacionit dhe detarisë, Filip Radulloviq. Ai theksoi poashtu se kjo Qeveri do të punojë edhe në vazhdimin e rindërtimit të linjës kryesore hekurudhore, për të cilën së shpejti presin përgjigje pozitive nga Komisioni Evropian për miratimin e shumës më të madhe të grantit që ka marrë Mali i Zi ndonjëherë. Prezantimi përfundimtar u organizua nga ministria e komunikacionit dhe detarisë dhe ekipit të ekspertëve të asistencës teknike nga shtëpia konsultative, “GOPA-PACE”. Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Mal të Zi, Oana Kristina Popa, bëri të ditur se Ministria e komunikacionit dhe detarisë është një nga partnerët kyç të BE-së në kontekstin e zbatimit të Planit ekonomik dhe investues për Ballkanin Perëndimor.
Do të respektohen të gjitha nismat pozitive për ndryshimet në Ligjin e Punës
Me ndryshimet në Ligjin e Punës do të respektohen të gjitha iniciativat pozitive që të miratohen standardet evropiane në pjesën e kushteve për arritjen e përfaqësimit të shoqatave të punëdhënësve dhe kontrollin periodik të tyre, u vlerësua në takimin e ministres për punë dhe kujdesin social, Naida Nishiq dhe përfaqësuesve të Shoqatës së Punëdhënësve të Malit të Zi. “Standardet evropiane dhe afirmimi i pluralizmit në fushën e shoqatave të punëdhënësve, rëndësia e dialogut social si instrument kyç për bashkëpunimin e Qeverisë, sindikatave dhe punëdhënësve si dhe hapat e ardhshëm në ndërtimin e një ambienti më të favorshëm biznesi, do të jenë prioritetet më të rëndësishme për të cilat do të angazhohet Ministria përkatëse dhe Shoqata e punëdhënësve në periudhën e ardhshme”, thuhet në njoftimin e Shoqatës së Punëdhënësve të Malit të Zi.
Rreth 40 për qind të funksionarëve në kompanitë publike i fshehin kontratat e tyre
Tani nevojitet një aksion i qartë dhe vendimtar i Qeverisë së Malit të Zi për të krijuar kornizë të re ligjore dhe mbikëqyrje të fortë mbi ndërmarrjet në pronë shtetërore, në mënyrë që ato të ruhen dhe të jenë funksionale, konsideron Marko Soshiq nga Instituti Alternativa. Ai tha se hulumtimi i kësaj Organizate joqeveritare ka treguar se prej rreth 900 funksionarëve në kompanitë publike, 40 për qind i fshehin kontratat e tyre që i menaxhojnë. “Sipas të dhënave zyrtare, në ndërmarrjet publike në Mal të Zi punojnë mbi 20 mijë njerëz, si në ato shtetërore ashtu edhe ato lokale, që do të thotë se realisht ndoshta janë edhe shumë më tepër, duke përfshirë këtu të punësuarit në baza të ndryshme, të përkohshme, honorar e tjera forma. Këto janë kompani që kanë një përqindje të konsiderueshme të humbjeve dhe në të cilat kemi gati 900 pozita të funksionarëve publikë”, tha Soshiq. Ai theksoi se një numër i konsiderueshëm i këtyre funksionarëve i fshehin kontratat e tyre të menaxhimit, me ç'gjë ne nuk e dimë se sa është profiti i tyre, e fatkeqësisht një përqindje e konsiderueshme e tyre nuk e paraqesin as funksionin e tyre, qoftë edhe në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.
I rëndësishëm depolitizimi i administratës zgjedhore
Për tridhjetë vite partitë e pakicave e kanë ruajtur e mbajtur pushtetin në Mal të Zi, duke përdorur aksionin afirmativ, vlerësoi avokati dhe funksionari i Demokracisë së Re Serbe, Mitar Shushiq në emisionin "Tryeza e Rrumbullakët (Okrugli sto)" në Televizionin e Malit të Zi. "Partitë e pakicave e kanë shfrytëzuar mirë procesin e aksionit afirmativ, pasi për to është votuar edhe në vende ku nuk jeton asnjë pjesëtar i popullit të tyre. Ato mandate u morën lirë. Kështu që gjithçka mund të përdoret dhe keqpërdoret," tha Shushiq. Sipas tij, shumë zgjidhje ligjore e mohojnë konceptin e shtetit qytetarë, prandaj edhe është shtuar përfaqësimi i popujve pakicë. Duke folur për sfidat gjatë procesit zgjedhor, drejtori i Qendrës për Tranzicion Demokratik Dragan Koprivica, tha se është shumë i rëndësishëm depolitizimi i administratës zgjedhore. “Para së gjithash i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve”, shtoi ai. Ndërsa avokati shumëvjeçar Veselin Radulloviq tha se nuk është optimist për problemin e listave të hapura. “Kjo nuk do të zgjidhet në këtë përbërje të Qeverisë”, tha ai duke shtuar se partitë nuk janë të interesuara për këtë. “Problemi i madh këtu është financimi i partive politike. Me këtë çështje duhet të merret me Prokuroria Speciale e Shtetit si edhe me çështjen e pastrimit të parave," tha ai. Sa i përket çështjes së inxhinierisë zgjedhore, Radulloviq thotë se ky është problem i ndjeshëm dhe duhet të trajtohet në mënyrë serioze.
Nesër mbahet konferenca e CEFTA Week 2023
Konferenca CEFTA Week 2023, me titull, “e-CEFTA: klikoni, lidheni dhe tregtoni”, do të mbahet nesër në Podgoricë. Sipas organizatorëve, kjo konferencë do të tubojë funksionarë të lartë të vendeve të CEFTA-s, përfaqësues nga sfera e ekonomisë dhe të biznesit, të Bashkimit Evropian dhe të organizatave tjera ndërkombëtare. Siç thuhet në njoftim, ata do të flasin për fuqinë kryesore lëvizëse të tregtisë digjitale brenda CEFTA-s dhe do të shqyrtojnë rezultatet e arritura në këtë vit.
Njohja mediatike është kyçe në luftën kundër dezinformimit
Njohuria mediatike është thelbësore në luftën kundër dezinformatave dhe lajmeve të rreme ndërsa për ta luftuar këtë më lehtë dhe më thjeshtë, shteti duhet të mbështesë media të forta dhe të pavarura, tha Serdan Kosoviq, gazetar dhe drejtor i zhvillimit online në gazetën “Vijesti”. Kosoviq pajtohet se në luftën kundër dezinformatave është i domosdoshëm veprimi i përbashkët i shtetit, mediave dhe sektorit civil, ndërsa futja e arsimit mediatik është hapi i parë. “Pa arsim mediatik, gjithçka do të ishte e kotë. Para censurës dhe operacioneve të ndryshme, si demaskimit të dezinformatave, rol kyç në orientimin e qytetarëve kanë mediat e forta dhe të pavarura”, tha Kosoviq. Ai beson se nëse mediave të pavarura u jepen kushtet më të mira të punës, atëherë lufta kundër dezinformatave do të jetë më e thjeshtë dhe më e lehtë.
Alarm i kuq për të gjithë vendin; nevojitet reformë urgjente e sistemit shkollor
Presidenti Jakov Millatoviq, thotë se rezultatet e testit PISA të nxënësve nga Mali i Zi, të cilat janë më të këqija se ato të vitit 2018, janë alarm i kuq për mbarë vendin. Ai tha se shkolla është shtylla kurrizore e zhvillimit të vendit dhe se reforma është e nevojshme për hir të rezultateve dhe progresit. “Mendoj se në radhë të parë është rezultat i një pakujdesie që ka ekzistuar në sistemin arsimor të Malit të Zi. Unë kam pritshmëri të mëdha nga Qeveria, nga ministrja Angjella Jakshiq- Stojanoviq që t'i trajtojë të gjitha problemet e akumuluara, sepse Mali i Zi mund të ecë përpara vetëm nëse sistemi ynë arsimor ec përpara”, tha Millatoviq. Kthimi i sistemit tonë shkollor në drejtimin e duhur, thotë Milatoviq, nënkupton kujdes shtesë për kapacitetet hapësinore, stafin mësimdhënës dhe nxënësit tanë. Reforma duhet për hir të rezultateve dhe progresit, theksoi ai dhe shtoi se për këtë është i nevojshëm uniteti. Ai theksoi se diplomat e rreme janë vrima në bazën e njohurive të Malit të Zi. “Duhet të trajtohet. Ministria ka mbështetje të fortë nga presidenti i Malit të Zi”, tha Millatoviq.
Rezultatet e testit PISA, alarm i kuq; do të thirret seancë e posaçme të Këshillit
Kryetari i Këshillit për Arsim, Shkencë, Kulturë dhe Sport të Kuvendit të Malit të Zi, Nikolla Rovçanin, do të caktojë seancë të veçantë të këtij organi për shkak të rezultateve të dobëta të nxënësve malazezë në testin PISA. Ai për Portalin tonë vlerësoi se të dhënat tregojnë alarm të kuq për sistemin arsimor të shtetit dhe bëri thirrje për mobilizim urgjent në zbatimin e reformës serioze. Në Mal të Zi, testimi PISA u krye në muajt prill e maj në vitin e kaluar, në mes të 5 mijë e 793 nxënësve nga 63 shkolla, të cilat përfshijnë 93% të popullsisë së përgjithshme të kësaj moshe. Testimi PISA u zhvillua nga lëndët e matematikës, leximit dhe shkencës. Rovçanin është i bindur se ministrja e re e arsimit, duke parë të gjithë sistemin dhe situatën, tashmë ka ndërmarrë hapa adekuat. PISA është testimi më i madh ndërkombëtar në fushën e arsimit. Këtë vit morën pjesë 690 mijë pesëmbëdhjetë vjeçarë nga e gjithë bota.
Arrestohen të dyshuarit për grabitje në optikën, “Mirkoviq” në Podgoricë
Policia ka arrestuan 52-vjeçarin Z.B. nga Podgorica dhe 47-vjeçarin me inicialet Zh.Q. nga Andrievica, të dyshuar se kanë vjedhur syze me vlerë afro 47 mijë eurosh, nga dyqani i optikës "Mirkoviq", në Sheshin e Romës në kryeqytet. Drejtoria e Policisë ka njoftuar se Z.B. dhe Zh.Q. ngarkohen se kanë konsumuar veprën penale të vjedhjes së rëndë. Siç bëhet e ditur, të dyshuarit më 20 nëntor, pasi kanë hapur një vrimë në murin nga lokali afarist fqinj, kanë hyrë në ambientet e optikës dhe kanë vjedhur 225 syze të markave të ndryshme, me vlerë totale prej 46.9 mijë euro. Policia bëri me dije se prokurori shtetëror ka ngritur kallëzim penal kundër shtetasit me iniciale V.B., për shkak të dyshimit për se ka kryer veprën penale të mbajtjes pa leje të armëve dhe lëndëve plasëse.
Ballkani të mos mbetet larg vëmendjes së SHBA dhe BE
Ish Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan i Mbrojtjes për Evropën dhe Politikën ndaj NATO-s, Jim Townsend vlerëson se një nga zhgënjimet më të mëdha të zhvillimeve të pas Luftës së Ftohtë në Evropë janë dështimi i shteteve të Ballkanit për të arritur paqen me njëra-tjetrën. Zoti Townsend, i cili ka luajtur një rol kritik për zgjerimin e NATO-s dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe me demokracitë e reja që dolën pas shpërbërjes së ish Bashkimit Sovjetik, thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se tridhjetë vjet pas “paralajmërimit të Krishtlindjes” që Presidenti Bush i bëri Serbisë për Kosovën, gjasat për shpërthimin e luftës janë të vogla, por Shtetet e Bashkuara, BE-ja dhe NATO-ja, duhet të vazhdojnë të përqendrohen në problemet në Ballkan dhe të sigurohen që ato nuk do të lihen jashtë vëmendjes.
SHBA-të nuk kanë ndryshuar qëndrim për zgjedhjet e Serbisë në Kosovë
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhefri Hovenier, ka thënë se SHBA-të nuk kanë ndryshuar qëndrim sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës. Megjithatë, siç u shpreh ai për Klan Kosovën, ndonëse kjo çështje është ngritur për herë të parë në vitin 2022, Kosova, si shtet i pavarur, ka të drejtë vet t’i përcaktojë kushtet për zgjedhjet e shteteve të tjera që mbahen në territorin e saj. Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar që kur kjo çështje u ngrit për herë të parë. Ne vazhdojmë të shprehim zhgënjimin tonë që Qeveria e Kosovës zgjodhi të mos vazhdojë praktikën e mëhershme të lejimit të OSBE-së që të mbledhë fletëvotimet e votuesve serbë me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë. SHBA-ja beson fuqishëm se votuesit me të drejtë vote në të gjitha vendet duhet të jenë plotësisht në gjendje të marrin pjesë në proceset demokratike. Por, si shtet i pavarur dhe sovran, Kosova ka të drejtë të përcaktojë kushtet me të cilat mbahen zgjedhjet e shteteve të tjera sovrane në territorin e saj, tha Hovenier.
Takimi i nivelit të lartë Turqi-Greqi synon uljen e tensioneve të vjetra
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, viziton nesër Greqinë për një takim të nivelit të lartë me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës nga Stambolli, Dorian Jones, takimi vjen pas vitesh tensionesh që i sollën dy vendet anëtare të NATO-s në prag të luftës. Pas vitesh tensionesh në rritje mbi mosmarrëveshjet territoriale në detin Egje dhe Mesdhe, ku besohet se ekzistojnë rezerva të mëdha energjetike dhe ndarjes prej dekadash të Qipros midis komuniteteve greke dhe turke, takimi i Presidentit turk Recep Tayyip Erdogan me Kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis në Athinë të enjten, është një mundësi afrimi thonë ekspertët. Ekspertët thonë se kjo është një mundësi e rrallë për të lënë mënjanë ndasitë dhe për t’u angazhuar drejt pajtimit. Por, analistët paralajmërojnë se mosbesimi i ndërsjellë vazhdon. Prandaj, takimi ka të ngjarë të përqendrohet në interesat e përbashkëta.
Rumania shpall epidemi të fruthit
Ministria e Shëndetësisë e Rumanisë ka shpallur epidemi të fruthit në nivel kombëtar pas rritjes alarmante të rasteve në të gjithë vendin. "Ministria shpall një epidemi kombëtare për të lehtësuar vaksinimin e fëmijëve mes 9 dhe 11 muajsh dhe të fëmijëve më të rritur që nuk janë vaksinuar ende", thuhet në një deklaratë të Ministrisë rumune të Shëndetësisë më 5 dhjetor. Ndër tjerash, aty shtohet se ishin afër 2.000 raste të reja në 29 nga 41 qarqet e Rumanisë. Rumania është përballur me rënie të vazhdueshme të numrit të fëmijëve të vaksinuar kundër fruthit, që është nxitur nga fushatat kundër vaksinimit të fëmijëve nëpër mediat sociale.
Arrestime në Turqi për rastin Gjorçevska nga Maqedonia e Veriut
I dyshuari kryesor për vrasjen e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska si edhe për përfshirje në vrasjen e 74-vjeçarit, Pançe Zhezhovsk, në Veles të Maqedonisë së Veriut është arrestuar në Turqi. I dyshuari është identifikuar si Lupço Palevski, 59 vjeç. Palevski, për të cilin kishte një flet-arrest ndërkombëtar, u kap në qytetin turk Balikesir ndërsa autoritetet maqedonase kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij. Lupço Palevski pas ngjarjes ka udhëtuar në Serbi, më pas përmes Bullgarisë në Turqi. Ministria e Brendshme maqedonase ka ngritur kallëzim penal kundër 5 personave të dyshuar për përfshirje në dy vrasjet. Mes të ndaluarve është edhe babai i Vanjës, Aleksandar Gjorçevski. Atij i është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orësh. Për të thuhet se i ka dhënë hollësi të dyshuarit kryesor lidhur me lëvizjen, përkatësisht për ditën dhe orën kur vajza e tij shkonte në shkollë e pashoqëruar. Vanja Gjorçevska ishte shpallur e zhdukur më 27 nëntor. Sipas hetimeve nga autoritetet vendase e mitura u rrëmbye dhe u vra me qëllim për t’i marrë para nënës së saj, e cila ishte divorcuar nga bashkëshorti.
Rreth 250 objektiva të Hamasit në Gazë janë goditur gjatë 24 orëve
Luftime të ashpra po zhvillohen në të gjithë Gazën, me luftime të raportuara shtëpi më shtëpi ndërsa forcat izraelite kanë intensifikuar operacionin e tyre tokësor. Tanket kanë hyrë në tre zona - Khan Younis në jug dhe Jabalia dhe Shuja'iya në veri. Qindra mijëra civilë janë ende në ato zona. Ministri i Jashtëm izraelit tha se ai e hoqi vizën e koordinatorit humanitar të Kombeve të Bashkuara për shkak të "paragjykimit të OKB-së". Ai vjen pasi shumë zyrtarë të OKB-së paralajmërojnë për një situatë "apokaliptike" në Gaza për civilët e zhvendosur që përballen me mbipopullimin dhe përhapjen e sëmundjeve. Gati 1.9 milionë njerëz, më shumë se 80% e popullsisë së Gazës, janë zhvendosur, tha një agjenci e OKB-së. Sipas disa raporteve të mediave amerikane, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë kanë sugjeruar se Izraeli mund të përfundojë operacionet e tij ushtarake në shkallë të gjerë në Gazën jugore deri në janar dhe më pas të kalojë në sulme më të shënjestruara ndaj Hamasit.
Putin nis udhëtim të rrallë në Lindje të Mesme
Presidenti rus, Vladimir Putin, është duke e realizuar një vizitë të rrallë në Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe pritet të udhëtojë edhe në Arabinë Saudite. Putini pritet të diskutojë me presidentin e Emirateve për luftërat në Gazë dhe Ukrainë, si dhe për prodhim të naftës. Aktualisht, Emiratet janë nikoqire të Samitit të Kombeve të Bashkuara për Klimën, mirëpo Kremlini nuk ka treguar nëse Putin do të marrë pjesë në të. Ai është larguar rrallë prej Rusisë, qysh prej muajit mars, kur Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar fletarrestim për të. Lideri rus i është shmangur së fundi disa samiteve ndërkombëtare, përfshirë BRIKS në Afrikën e Jugut në gusht, dhe samitin e grupit të 20 vendeve më të industrializuara – G20- në Indi, të mbajtur në shtator. Ky udhëtim realizohet teksa Rusia tenton të zgjerojë ndikimin dhe të minojë tentimet e Perëndimit për ta izoluar atë.
Zelenskiy anulon planin për t'iu drejtuar ligjvënësve amerikanë
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, anuloi planet t'u lidhur drejtpërdrejt me video me ligjvënësit amerikanë për t'u bërë thirrje atyre që të miratojnë ndihmat për vendin e tij, ndërsa një betejë partiake lidhur me politikat amerikane të imigracionit kërcënon të minojë kërkesën e Presidentit Joe Biden për miliarda dollarë ndihma për Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë. Republikanët dhe demokratët kanë debatuar për javë të tëra në Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve mbi kërkesën e bërë në tetor nga zoti Biden që Kongresi të miratojë një paketë ndihme prej 106 miliardë dollarësh për Ukrainën, Izraelin, dhe fonde për shtimin e sigurisë në kufirin e Shteteve të Bashkuara me Meksikën dhe interesat amerikane në Indo-Paqësor. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Mike Johnson, tha se fondet për Ukrainën, e cila po lufton agresionin rus që nga shkurti i vitit 2022, duhet të lidhen me një "ndryshim transformues" të politikës amerikane për imigracionin.
SHBA, ndihma për Ukrainën në rrezik nga ngërçi mbi çështjen e sigurisë kufitare
Senati pritet të mbajë një votim për të parë nëse ka mbështetje të mjaftueshme për të miratuar kërkesën e Shtëpisë së Bardhë për 60 miliardë dollarë për të ndihmuar Ukrainën në luftën kundër agresionit rus. Por, republikanët në Senat këmbëngulin në miratimin e fondeve për sigurinë kufitare në këmbim të mbështetjes së tyre mbi ndihmën për Ukrainën. Ndihmat e reja për Ukrainën janë në rrezik ndërsa republikanët po akuzojnë demokratët për shpërfillje të propozimeve për sigurinë kufitare në këmbim të votave mbi ndihmat për Kievin. Këshilltari i sigurisë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Jake Sullivan tha më herët këtë javë se ndihma e re për Ukrainën duhet të miratohet sa më shpejt, ndërsa Demokratët janë skeptikë se votimi procedural për të parë nivelin e mbështetjes mbi ndihmën për Ukrainën do të kalojë në Senat.
Në Adë u mbajt ekspozita ndërkombëtare e qenve
Në Ada të Bunës, në komunën e Ulqinit, përfundoi Ekspozita ndërkombëtare dyditore e qenve me dhënien e mirënjohjeve për pronarët e qenve, e organizuar nga Shoqata e lukunive Malit të Zi dhe Ndërmarrja Publike për Mbarështimin dhe Mbrojtjen e Gjahut “Ulqini”. Zyrtarisht, qeni më i bukur i Ada Cup 2023 është një spitz pomeranez, në pronësi të Elena Haxhijevska nga Maqedonia e Veriut. Foshnja më e bukur është Lagoto Romagnolo, në pronësi të Maja Milanoviq nga Mali i Zi. Këlyshi më i bukur është një Corgi Uellsian Pembroke, në pronësi të Bozhena Prazakova nga Zvicra. Qeni i ri më i bukur është një spitz pomeranez në pronësi të Milorad Grujiçiq nga Serbia. Sipas fjalëve të organizatorëve kjo ngjarje, në të cilën u ekspozuan 251 qen të të gjitha racave nga 22 vende, i tejkaloi të gjitha pritjet dhe është vërtet një kënaqësi që pas më shumë se dhjetë vitesh Ulqini është e kemi kthyer në hartën e ngjarjeve të qenve në Mal të Zi.
përgatiti, Gjekë Gjonaj
Nesër mot i ndryshueshëm dhe me reshje të mundshme, pasdite ndërprerje e të reshurave dhe kthjellim gradual në jug
Në Mal të Zi sot po mban mot kryesisht i vranët, vende vende edhe me reshje të shiut. Frynë erë e dobët nga drejtimet e ndryshme. Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Herceg Novi e Budvë 12 gradë, Ulqin 11, Podgoricë 9, Beranë 8, Cetinë, Nikshiq e Bijello Pole 6, Plevle e Kollashin 5 dhe në Zhablak e Rozhajë 4 gradë. Për nesër pritet mot me vranësira mesatare deri kryesisht i vranët dhe me reshje të përkohshme të shiut, kurse në veri të Borës. Pasdite do të ketë ndërprerje graduale të reshjeve në pjesën më të madhe të vendit dhe kthjellime të pjesshme në jug. Do të fryjë erë e mesme deri e fortë nga drejtimi i veriut dhe verilindjes. Temperatura e mëngjesit prej -2 deri në 9, kurse më e larta e ditës prej -1 deri në 13 gradë.
Коментари0
Остави коментар