Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема
MNE Play
MNE Play

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

04. 12. 2023. 00:00 >> 19:16

Ditari 04.12.2023

Ditarin e përgatiti Marash Dedvukaj

Pas  disa shtyrjeje , dje nisi regjistrimi i popullsisë

Dje nisi regjistrimi i popullsisë, pas shtyrjes disa herë të datës së parashikuar, pas kërkesës së partive opozitare dhe Këshillave Nacionale të popujve pakicë. Sipas njoftimeve të mëparshme, regjistrimi i popullsisë në Mal të Zi duhet të kishte filluar më 1 tetor dhe me 30 nëntor, por kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq ofroi shtyrjen e tij për disa kohë, pasi partia opozitare, Partia Demokratike e Socialistëve kërkoi plotësimin e të gjitha kushteve të parashikuara në marrëveshjen e nënshkruar mes opozitës dhe kryeministrit për regjistrimin e popullsisë.  Monstat njoftoi se janë plotësuar të gjitha kushtet për mbajtjen e regjistrimit të popullsisë dhe njëkohësisht u bëri thirrje qytetarëve që tu mundësojnë regjistruesve realizimin e këtij procesi. Regjistrimi i fundit i popullsisë u mbajt në vitin 2011 në përputhje me rekomandimet ndërkombëtare, me qëllim të përcaktimit të të dhënave statistikore për popullsinë, ekonomitë familjare dhe banesat. Regjistrimi i këtij viti do të zhvillohet prej me 3 deri me 15 dhjetor kurse rreth 3 mijë regjistrues në 15 ditët e ardhshme do të jenë në terren nga ora 8 deri ne ora 20.

 

Seancat e Kuvendit dhe të Këshillit nuk duhet të përdoren për të zhvilluar ndonjë fushatë politike

Seancat e Kuvendit dhe të Këshillit për monitorimin e zbatimit të Marrëveshjes për kushtet e mbajtjes së regjistrimit nuk duhet të përdoren për të zhvilluar ndonjë fushatë politike për regjistrim, u bë e ditur në seancën e parë të këtij Këshilli në Kuvendin e Malit të Zi. Në këtë mbledhje u vendos gjithashtu që Këshilli për mbikëqyrje të mbajë seanca të paktën dy herë në javë, ku mund të marrin pjesë, por jo edhe të vendosin për punën e tij, përfaqësues të Këshillave Kombëtar, Komisioneve të regjistrimit, ekspertë dhe përfaqësues të Qeverisë.

Boris Pejoviq - deri në fund të vitit të formohet Këshilli përgjegjës për reformën zgjedhore

Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi e zyrtar i lartë i Lëvizjes Evropa Tani, Boris Pejoviq, tha në një intervistë për Portalin tonë se pret që deri në fund të vitit të formohet Këshilli përgjegjës për reformën zgjedhore, në mënyrë që deputetët të mund t'i përkushtohen përmirësimit të legjislacionit zgjedhor. Ai theksoi se në Raportin e fundit të Komisionit Evropian, çështja e legjislacionit zgjedhor është shënuar si e pazgjidhur. Pejoviq nënvizoi se regjistrimi i popullsisë që filloi dje dhe kompletimi i Gjykatës Kushtetuese të Malit të Zi shënuan fillimin e shumicës së re. Ai përkujtoi se pasi që u votua Qeveria e 44-të e Malit të Zi, në seancën e parë u miratua vendimi urgjent për shtyrjen e regjistrimit dhe në Parlament u inicia Ligji për regjistrimin e popullsisë, duke u bazuar në marrëveshjen me opozitën dhe Këshillat Kombëtare të popujve pakicë.

Naida Nishiq, tha se ndihet krenare për të gjitha përpjekjet e bëra nga kryeministri Millojko Spajiq

Ministrja për Punë dhe Kujdesin Social, Naida Nishiq, tha se ndihet krenare për të gjitha përpjekjet e bëra nga kryeministri Millojko Spajiq për realizimin e regjistrimit. Në emisionin “Link” në Radio Mali i Zi, ajo theksoi se të dhënat nga regjistrimi janë të rëndësishme për krijimin e politikave sociale për qytetarët e Malit të Zi. Nishiq bëri të ditur se qytetarët janë të lirë të shprehen ashtu siç ndihen dhe të mund ti kontrollojnë të dhënat nëse dëshirojnë dhe shprehu besimin se regjistrimi do të ketë sukses. Nishiq poashtu foli edhe për mbledhjen e fundit të Këshillit Social që u mbajt të shtunën. Nga kjo mbledhje u tha se Këshilli Social do t'i propozojë Qeverisë miratimin e ndryshimeve në Ligjin për sigurimin invalidor e pensionist, që nënkupton që mosha e daljes në pension të jetë 65 vjeç për meshkuj dhe femra me kusht të 15 viteve të punës.

J.Millatoviq Një e ardhme e qëndrueshme mund të arrihet vetëm përmes bashkëpunimit

Një e ardhme e qëndrueshme mund të arrihet vetëm përmes bashkëpunimit të të gjitha vendeve, tha presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, duke shtuar se tranzicion i drejtë dhe korrekt në një ekonomi të gjelbër është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Në intervistën për Agjencinë e lajmeve të Emirateve, me rastin e pjesëmarrjes në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, që po mbahet në Dubai, ai tha se të gjithë duhet të punojnë së bashku të kemi një të ardhme më të qëndrueshme. “Në këtë aspekt, pritjet që kisha nga konferenca për ndryshimet klimatike janë përmbushur”, tha Milatoviq, duke shtuar se gjërat mund të jenë gjithmonë më ambicioze.

M.Gorçeviq - Zhvillimet pozitive në gjyqësor japin shpresë se Mali i Zi së shpejti do të tregojë rezultate konkrete

Zhvillimet pozitive në gjyqësor, Qeveria stabile dhe pro-evropiane dhe Parlamenti funksional japin shpresë se Mali i Zi së shpejti do të tregojë rezultate konkrete në veprim dhe do të përshpejtojë procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, deklaroi sot ministrja për Çështjeve Evropiane, Maida Gorçeviq, e cila pati takim me ambasadoren britanike, Don Meken. Gorçeviq e falënderoi ambasadoren për mbështetjen e jashtëzakonshme në ndërtimin e kapaciteteve dhe zbatimin e reformave komplekse në procesin e negociatave. Gorçeviq vuri në dukje rëndësinë e Instrumentit të planit të rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili do të kontribuojë në zbatimin më të mirë dhe më të shpejtë të reformave dhe përmirësimin e situatës në fusha të ndryshme. Ambasadorja britanike tha se vendi i saj vazhdon të mbështesë Malin e Zi. si në drejtim të arritjes së standardeve më të larta evropiane ashtu edhe në aspektin e bashkëpunimit brenda NATO-s.

Mjetet që Mali i Zi ka marrë nga Komisioni Evropian mund të të përdoren tani

Mjetet që Mali i Zi ka marrë nga Komisioni Evropian si pjesë e pakos mbështetëse për tejkalimin e krizës energjetike, të cilat nuk ishin planifikuar në buxhetin e këtij viti, pra nuk ishte e mundur të shpenzoheshin, tani do të përdoren, ju konfirmua portalit të Radio Televizionit të Malit të Zi, nga Ministria e Energjisë të cilin udhëheq Sasha Mujoviq. Siç thonë ata, kjo ministri është në komunikim me delegacionin e Bashkimit Evropian në Mal të Zi, për të përcaktuar afate të reja për shpenzimin e mjeteve të ndara. Përndryshe, për realizimin e masës në përmirësimin e efikasitetit energjetik janë ndarë 13 milionë euro, në kuadër të së cilës është planifikuar zbatimi i 3 programeve. Përparësi ju dhanë projekteve të efikasitetit energjetik si mënyrë ekonomike për të rritur sigurinë e furnizimit me energji dhe për të reduktuar emetimet e gazrave përgjegjëse për ndryshimet klimatike.

Kurti priti në takim përfaqësuesit e partive politike shqiptare të Luginës së Preshevës

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti priti në takim përfaqësuesit e partive politike shqiptare të Luginës së Preshevës, të cilët kanë vendosur të dalin me listë të përbashkët në zgjedhjet parlamentare të 17 dhjetorit në Serbi. Kurti u uroi përfaqësuesve të këtyre pesë partive politike për dakordimin e arritur dhe u dëshiroi përgatitje e fushatë të suksesshme për zgjedhjet e 17 dhjetorit, e të cilat sipas tij, kanë rëndësi të veçantë për të siguruar përfaqësimin e shqiptarëve në parlamentin e Serbisë si dhe për synimet e përbashkëta për drejtësi dhe barazi për shqiptarët si pakicë kombëtare.

Haxhiu e Nagavci kërkojnë dënim maksimal për vrasjen e Liridonës

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se vrasësit e Liridona Ademajt duhet të marrin dënimin e merituar nga institucionet e drejtësisë. Rasti që ndodhi para pak ditësh është dëshmi se kemi ende shumë punë për të bërë. Të gjitha institucionet duhet të jenë në krye të detyrës. Askush në Republikën e Kosovës nuk ka të drejtë të cenojë dinjitetin e askujt”, ka deklaruar Haxhiu, në konferencën “Preferencat Gjinore dhe Aborti Selektiv – Diskriminimi gjinor dhe praktika të dëmshme ndaj vajzave”. Për rastin e Liridona Ademajt, foli edhe Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, duke kërkuar dënimin meritorë.

Miratohet kërkesa për zhvarrim dhe rivarrim të Liridonës

Familja e Liridona Murselit ka njoftuar në pasditen e së dielës se i është miratuar kërkesa për zhvarrim të trupit të së ndjerës prej ku është varrosur më 1 dhjetor, dhe të rivarroset në varrezat e fshatit Rracaj në Gjakovë. Procedurat do të nisin sot më 4 dhjetor. Liridona është vrarë më 29 nëntor në fshatin Bërnicë në Prishtinë. Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar tre të dyshuarve masën e paraburgimit prej 1 muaji. Në mesin e të dyshuarve është edhe bashkëshorti i saj, Naim Murseli. Ai është i dyshuar për organizim të vrasjes, G.P është i dyshuar për kryerje të vrasjes dhe K.K, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, është i dyshuar për shkak të veprës penale, marrëveshja për të kryer veprën penale, vrasje e rëndë.

Mes zhurmës,kaosit dhe tensioneve ka përfunduar seanca plenare e Parlamentit të Shqipërisë

Ka përfunduar seanca plenare e Parlamentit të Shqipërisë mes zhurmës, kaosit e tensioneve. Teksa mazhoranca ka vijuar mes zhurmës diskutimet e rendit të ditës, demokratët e grupit të ish-kryeministrit Sali Berisha ashtu sikurse kishin paralajmëruar, nuk lejuan zhvillimin normal të seancës plenare. Demokratët bllokuan foltoren e Kuvendit ndërsa ndezën tymuese e godisnin tavolinat duke mos lejuar punimet normale të seancës. Kryeparlamentarja Lindita Nikolla përjashtoi nga seanca deputetin Flamur Noka, si autorin e ndezjes së tymueseve në Kuvend.

Zbardhet vrasja e 14-vjeçares në Shkup, në mesin e të dyshuarve edhe babai i saj

Policia dhe prokuroria maqedonase sot kanë njoftuar për arrestimin e tre personave të dyshuar për vrasjen e 14-vjeçares, Vanja Gjorçevska nga Shkupi, si dhe të një personi tjetër me inicialet P.ZH, 74 vjeç nga qyteti i Velesit. Lidhur me këto raste janë të dyshuar edhe dy persona të tjerë, njëri prej të cilëve, që besohet të jetë edhe autori i krimit, është arratisur nga Maqedonia e Veriut. Trupi i pajetë i 14-vjeçares është gjetur të dielën në Shkup, ndërsa ai i 74-vjeçarit është gjetur në Veleshtë. Vanja Gjorçevska, 14 vjeçe, ishte zhdukur më 27 nëntor, pas daljes nga shtëpia për të shkuar në shkollë. Lidhur me të dyja rastet janë të dyshuar pesë persona dhe për tre prej tyre është caktuar masa e paraburgimit, njëri ndodhet në arrati jashtë shtetit. Ndërsa, personi i pestë, babai i vajzës së mitur, është arrestuar, është marrë në pyetje dhe po ndërmerren masa të tjera nga ana e Prokurorisë Publike. Organizatori kryesor dhe autori i aktit, pasi vrau vajzën me pistoletë, është arratisur”, ka deklaruar ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski. Ai ka thënë se policia do të bëjë gjithçka të mundur për nxjerrjen para drejtësisë të autorit kryesor të krimit. Fjala është për personin me inicialet L.P nga Shkupi, i njohur në opinion si drejtues i lëvizjes “E treta”.

Izraeli zgjeroi ditën e sotme ofensivën kundër Hamasit

Izraeli zgjeroi ditën e sotme ofensivën kundër Hamasit, në Gazën e rrethuar, ndërsa shqetësimi ndërkombëtar u thellua lidhur me numrin në rritje të viktimave civile në luftën që nisi nga sulmet e 7 tetorit, raporton AFP. Që nga përfundimi i armëpushimit, të premten, luftimet në Gazë kanë rifilluar midis grupit radikal Hamas dhe trupave izraelite që avancojnë, ashtu si edhe lëshimet e raketave nga Hamasi drejt Izraelit, dhe sulmet ajrore të Izraelit në territorin palestinez.Qeveria e drejtuar nga Hamasi në Gazë, dhe agjencia zyrtare palestineze e lajmeve Wafa, thanë se një sulm kishte goditur hyrjen e spitalit Kamal Aduan në veri të territorit, të dielën vonë.

Izraeli zgjeron urdhrat për evakuim në Gazë

Ushtria izraelite ka urdhëruar të dielën që më shumë rajone rreth qytetit të dytë më të madh të Gazës, Han Junis, të evakuohen, teksa vazhdon ofensivën tokësore dhe ajrore. Sipas ushtrisë, në gjysmën e dytë të jugut të Gazës fshihen liderë të Hamasit. Hamasi udhëheq Gazën prej vitit 2007. Në zonat rreth Han Junisit dhe Rafahut, është raportuar për bombardime intensive në orët e fundit. Pjesa më e madhe e 2.3 milionë banorëve të Gazës, janë duke u strehuar në jug, pasi Izreeli u ka kërkuar atyre të largohen prej zonës veriore, qysh në ditët e para të nisjes së luftës, tashmë dymujore. Me rikthim të luftimeve, janë shuar shpresat për vazhdim të ndonjë armëpushimi të përkohshëm. Një pauzë njëjavore në luftime, që ka skaduar të premten, ka mundësuar lirimin e shumë pengjeve të marra nga Hamasi në Izreal, si dhe me lirimin e shumë palestinezëve prej burgjeve izraelite.

Sheikh Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al-Thani theksoi nevojën për një armëpushim në Gaza

Kryeministri i Katarit Sheikh Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al-Thani theksoi nevojën për një armëpushim në Gaza. Përmes një telefonate me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, zyrtari ripohoi angazhimin e Katarit për përpjekje të vazhdueshme për rivendosjen e qetësisë në rajon. Muajin e kaluar, Katari ndërmjetësoi një marrëveshje midis Izraelit, Hamasit dhe Egjiptit, në koordinim me Shtetet e Bashkuara, për lirimin e shtetasve të huaj dhe civilëve palestinezë të plagosur rëndë nga Gaza në Egjipt. Të dielën, kryeministri shprehu shqetësimin se vazhdimi i bombardimeve në Rripin e Gazës pas asaj pauze humanitare ndërlikon përpjekjet e ndërmjetësimit dhe përkeqëson krizën humanitare. Sipas deklaratës, kryeministri nënvizoi kërkesën urgjente për hapjen e korridoreve humanitare për të siguruar kalimin e sigurt të ndihmave për palestinezët e prekur nga konflikti i vazhdueshëm.

Ukraina: Zbehen luftimet në Avdivka

Qyteza ukrainase Avdivka, e përballur me sulme të vazhdueshme ruse, ka regjistruar zbehje të ofensivës ruse në 24 orët e fundit, për shkak të humbjeve të mëdha të ushtrisë së Rusisë dhe motit të lig, ka thënë kryetari i qytezës, Vitaly Barabash. Për gati dy muaj, Rusia ka tentuar të marrë kontrollin e Avdivkas, qytezë industriale afër Donjeckut, e cila është kthyer në një prej pikave kyçe të luftimit. Ushtarët rusë tani janë në lindje, veri dhe jug të qytezës, e cila është kthyer në gërmadhë. Ukraina ka thënë se ushtria e saj është duke e kontrolluar atë rajon dhe është duke zmbrapsur sulmet. Në 24 orët e fundit, numri i sulmeve tokësore është zvogëluar, ka thënë Barabash, për një transmetues ukrainas. Ai ka thënë se luftimet janë zbehur për shkak të tre faktorëve – motit të vështirë, humbjeve të mëdha ruse dhe mungesës së ushtarëve. Për shkak të luftës për kohë të gjatë, ukrainasit e konsiderojnë qytezën si simbolin e tyre të rezistencës.

SHBA-ja i ka kërkuar Kongresit të miratojë dhjetëra miliarda dollarë fonde shtesë për Ukrainën

SHBA-ja i ka kërkuar Kongresit të miratojë dhjetëra miliarda dollarë fonde shtesë për Ukrainën, duke paralajmëruar se Kievi mund të “mbytej” në fushën e betejës pa të. Drejtoresha e buxhetit të Shtëpisë së Bardhë, Shalanda Young, në një letër drejtuar udhëheqësve të Dhomës dhe Senatit të SHBA, tha se së shpejti do të mbeten pa para për të dërguar armë dhe ndihmë në Ukrainë. SHBA-së tashmë i kanë mbaruar fondet e përdorura për të mbështetur ekonominë e Ukrainës, tha ajo. “Nëse ekonomia e Ukrainës shembet, ata nuk do të jenë në gjendje të vazhdojnë të luftojnë, shkroi zonja Young.“Ne jemi pa para dhe pothuajse pa kohë. ”Presidenti Joe Biden po kërkon një paketë prej afro 106 miliardë dollarësh ndihmë shtesë për Ukrainën, Izraelin dhe çështje të tjera, por është përballur me kundërshtime mbi nivelin e financimit për Kievin.

 

Njëmbëdhjetë alpinistë të vdekur dhe dhjetëra të zhdukur pas shpërthimit të vullkanit në Indonezi

Njëmbëdhjetë alpinistë u gjetën sot të vdekur dhe dymbëdhjetë të tjerë ende janë të zhdukur pas shpërthimit të një vullkani në Indonezi. Ekipet e shpëtimit punuan gjatë natës për të gjetur dhjetëra alpinistë të bllokuar në malin Marapi në ishullin Sumatra. Alpinistët e vdekur u gjetën afër kraterit të Marapit pasi vullkani shpërtheu nga maja e malit prej 2.891 metrash dhe hiri u shpërnda në fshatrat e afërta, sipas një zyrtari lokal të shpëtimit. Për pasojë, dymbëdhjetë persona u zhdukën, tre të tjerë u gjetën të gjallë dhe 49 kishin zbritur në mënyrë të sigurt nga krateri. Disa prej tyre ishin me djegie dhe fraktura, tha zyrtari."Ne nuk mund të bëjmë kërkim ajror me helikopter, sepse shpërthimi vullkanik po vazhdon", tha shefi i agjencisë lokale të shpëtimit, Abdul Malik. Ai tha se rreth 120 persona ishin të përfshirë në kërkim. Tre personat e tjerë që u gjetën të gjallë nuk kishin zbritur nga mali, siç kishin vepruar të 11 personat që u gjetën të vdekur. Të mbijetuarit u gjetën afër kraterit dhe "gjendja e tyre ishte e dobët dhe disa kishin pësuar djegie", tha Malik.

Katër të vrarë në Nju Jork në një sulm me thikë

Katër persona, përfshirë dy fëmijë, janë vrarë, dhe tre të tjerë janë plagosur, pas një sulmi me thikë në Kuins të Nju Jorkut.Policia i ka gjetur viktimat në një shtëpi, së cilës i është vënë flaka. Burri i dyshuar i ka therur dy zyrtarë policorë, para se të qëllohej me armë zjarri nga njëri prej zyrtarëve të plagosur. I dyshuari është dërguar në spital, ku është konfirmuar si i vdekur. Në një konferencë për media nga spitali, policia e ka konfirmuar se ka pranuar një thirrje dhe “një grua e re ka thënë se kushëriri i tij është duke i vrarë anëtarët e familjes. Dy zyrtarë të policisë kanë arritur në zonë dhe e kanë parë një burrë duke ecur me valixhe. Kur zyrtarët kanë tentuar të flasin me të, ai e ka nxjerrë një thikë dhe e ka therur një zyrtar në qafë dhe gjoks, dhe të dytin në kokë. Njëri prej policëve, më pas, ka arritur të nxjerrë armën dhe ta qëllojë të dyshuarin. Kur kanë arritur përforcimet në atë zonë, ata e kanë gjetur një 11-vjeçare në prag të shtëpisë. Ajo është dërguar në spital, mirëpo më vonë ka vdekur prej plagëve. Shërbimet e emergjencës, më pas, i kanë gjetur edhe tre trupa të vdekur në shtëpi: një 12-vjeçar, një 44-vjeçare dhe një burrë në të 30-at.

Organizata Komunale e Kryqit të Kuq të Ulqinit, sot me sukses organizoi fushatën e dhurimit vullnetar të gjakut

Me rastin e   ditës dhe javës  së Kryqit të Kuq të Malit të Zi , Organizata Komunale e Kryqit të Kuq të Ulqinit, sot me sukses organizoi fushatën e dhurimit vullnetar të gjakut në ambientet e Institucionit Publik të Shkollës së Mesme "Bratsvo Jedinstvo", Ulqin. Sekretari i Kryqit të Kuq të Ulqinit, Edis Sijariq, tha se është i kënaqur me reagimin e qytetarëve, institucioneve publike dhe ekipeve sportive. “Këtij aksioni  iu  përgjigjën Ministria e Punëve të Brendshme – Njësia Rajonale Ulqin, Komuna e Ulqinit, Shërbimi i Parkingut, Zjarrfikësja, Ndërmarrja Komunale, shkollat e qytetit, si dhe Klubi i Basketbollit “Ulqini” dhe Klubi Rotari”, tha Sijariq. Ai falënderoi bashkëqytetarët e tij, vullnetarët e Kryqit të Kuq të Ulqinit dhe të gjithë njerëzit humanë për dhurimin e gjakut për të mirën e të gjithë atyre që do të kenë nevojë për këtë lëng të çmuar.

Đeka Đonaj

Nesër mot i ngjashëm me të sotmin

Sot në pjesën më të madhe të vendit mban mot me diell përveç në veri ku mban moti vranët. Frynë erë e dobët deri e mesme nga drejtimet e ndryshme. Temperaturat në orën 13: Budvë 17 gradë, Tivar 14, H.Novi 13, Ulqin 12, Podgoricë 11, Nikshiq e Cetinë 8, Plluzhinë e Guci 5, Shavnik e Petnicë 3, Andrievicë 2, Beranë, Plevle e B.Pole 1,dhe Rozhajë -1.

                    Në Mal të Zi për nesër paralajmërohet të mbajë mot i ndryshueshëm dhe intervale me diell, në mbrëmje reshje të mundshme të shiut në pjesët jugore dhe qendrore. Do të fryjë erë e mesme deri e  fortë nga drejtimet e jugut. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej -3 deri në 8 kurse më e larta e ditës prej 2 deri në 14 gradë celsius.

 

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се