- Hronika
- Kolumne
-
Radio
- Izdvajamo
-
Emisije
- Dokumentarni program
- Pop top
- Europuls
- Zrno po zrno
- Radio ordinacija
- Kulturna panorama
- Zelena priča
- Epoleta
- +382
- Spona
- Svijet jednakih šansi
- Matica
- Život po mjeri čovjeka
- Link
- Izokrenuti svijet
- Koracima mladih
- Moja profesija je...
- Sportski program
- Kulturno-umjetnički program
- Muzički program
- Koracima prošlosti
- Naučno-obrazovni program
- RCG
- R98
- Programska šema
- Trofej Radija Crne Gore
- Frekvencije
- Radio drama
Ditari
30. 11. 2023.
00:00 >> 17:47
Ditari 30.11.2023
Ditarin e përgatiti Marash Dedvukaj
Kryeministri Millojko Spajiq ka njoftuar mbrëmë se është sjellë vendimi që regjistrimi i popullsisë të shtyhet për me 3 dhjetor
Vendimi i qeverisë për shtyrjen e fillimit të regjistrimit për më 3 dhjetor është publikuar mbrëmë në Fletën Zyrtare. Në ueb faqe thuhet se regjistrimi i popullsisë, amvisërive dhe banesave do të mbahet nga data 3 deri më 18 dhjetor. Kryeministri Millojko Spajiq ka njoftuar mbrëmë se është sjellë vendimi që regjistrimi i popullsisë të shtyhet për me 3 dhjetor dhe se ky vendim është votuar në seancën elektronike të Qeverisë së Malit të Zi.
Të gjitha partitë politike dhe Organizatat joqeveritare kanë qenë pjesë e këtij procesi dhe kanë kontribuar, tha Spajiq. Përndryshe Qeveria ka miratuar mbrëmë edhe vendimin për themelimin e Komisionit për monitorimin e krijimit të softuerit për kontrollimin e të dhënave të mbledhura gjatë procesit të regjistrimit të popullsisë. Kurse kryesia e Partisë Demokratike të Socialistëve kumtoi se shtyrja e re e regjistrimit është konfirmimi më i mirë se ende nuk janë plotësuar të gjitha kushtet dhe njoftuan se do të kontribuojnë në përmbushjen e tyre në afatin e ri.
Lëvizja Evropa Tani – URA dëshiron që rregjistrimi të dështoj
Zyrtarët e Lëvizjes Qytetare URA, për shkak të humbjes së privilegjeve dhe pamundësisë për të shpenzuar shuma të mëdha të parave të qytetarëve në udhëtime zyrtare, po promovojnë interesimin e kolegëve të tyre nga opozita që regjistrimi të dështojë, thonë nga Lëvizja Evropa Tani. “Në vend që të mbështesin qasjen gjithëpërfshirëse të Qeverisë së re të 44-të, zyrtarët nga URA, për shkak të keqardhjes për humbjen e privilegjeve dhe pamundësisë për të shpenzuar fonde të mëdha të qytetarëve në udhëtime zyrtare, tani po promovojnë interesin e kolegëve të tyre me qëllim të dështimit të regjistrimit”, thanë nga Lëvizja Evropa Tani.
Me shtyrjen e regjistrimit të popullsisë, në mungesë të integritetit politik dhe vullnetit për të qëndruar pas vendimeve të qeverisë dhe ministrave të saj, shteti dhe institucionet e tij u poshtëruan, tha Dritan Abazoviq, ish-kryeministër dhe lider i Lëvizjes Qytetare URA. Deputeti i Lëvizjes Evropa Tani Armen Shehoviq tha se nga fillimi i Qeverisë së 43-të, kur URA dhe Abazoviq promovuan gjithëpërfshirjen dhe relaksimin, ajo parti, për shkak të ekskluzivitetit dhe shkatërrimit populist, kërcënoi suksesin e regjistrimit. Sikur të pyetej URA do të kishim bojkot dhe si rrjedhojë e kësaj edhe regjistrim të pasuksesshëm, gjë që ishte synimi i disave që në fillim”, tha Shehoviq Ndërsa nga Drejtoria e Statistikave- Monstat njoftoi se i dënon të gjitha tentativat për të mashtruar opinionin përmes keqinterpretimit të deklaratave, si dhe krijimin e tensioneve dhe politizimin e Regjistrimit të popullsisë.
Shefi i diplomacisë malazeze Ivanoviq ka biseduar mbrëmë në Shkup me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antoni Blinken
Shefi i diplomacisë malazeze ka biseduar mbrëmë në Shkup me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antoni Blinken, para takimit të sotëm të Këshillit të Ministror të OSBE-së, njoftuan nga ministria e jashtme.
"Si aleatë e partnerë të përkushtuar për forcimin e mëtejshëm brenda NATO-s, Shtetet e Bashkuara dhe Mali i Zi do të vazhdojnë të nxisin bashkëpunimin e ngushtë, bazuar në partneritetin strategjik", shkruan në llogarinë X të shefit të diplomacisë malazeze, Filip Ivanoviq.
Prokuroria Themelore shtetërore në Podgoricë këtë vit ka proceduar 27 raste që kanë të bëjnë me diploma të falsifikuara
Prokuroria Themelore shtetërore në Podgoricë këtë vit ka proceduar 27 raste që kanë të bëjnë me diploma të falsifikuara, kumtuan nga Kryeprokuroria Shtetërore për Portalin e Radiotelevizionit të Malit të Zi. Edhe ministrja e arsimit, Angjella Jakshiq- Stojanoviq paraprakisht ka bërë me dije se në Prokurori janë dorëzuar rreth 70 kallëzime penale lidhur me diploma false. Ajo tha se nuk kanë informata se çfarë ka ndodhur me ato raste dhe nëse procedurat janë duke vazhduar. Se ekzistimi i diplomave të falsifikuara është një nga problemet më urgjente me të cilat përballet Mali i Zi dhe se urgjentisht duhet bërë depolitizimin e personelit për t’u përballuar këtë problem, vlerësuan së fundmi edhe bashkëbiseduesit në emisionit “Okvir”. Në këtë emision u tha se vlerësohet se në Mal të Zi ka të paktën 20 mijë diploma të falsifikuara apo të dyshimta, kurse përgjegjësinë, siç thonë ata, e kanë të gjitha institucionet, jo vetëm Ministria e Arsimit.
Krapoviq - Politika e mosmarrëveshjeve përmes dialogut politik, me respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe humanitare, duhet të jetë mënyra e vetme për tejkalimin e krizës
Politika në kohë paqeje, e cila nënkupton zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përmes dialogut politik, me respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe humanitare, duhet të jetë mënyra e vetme për tejkalimin e krizës, tha ministri i Mbrojtjes Dragan Krapoviq. Ministria e Mbrojtjes tha se Krapoviq ka biseduar me konsullin e nderit të Malit të Zi në Izrael, Nimrod Rinot.
Sipas raportimeve, Krapoviq theksoi rëndësinë e takimit, duke marrë parasysh bashkëpunimin e kaluar në mbrojtje midis Malit të Zi dhe Izraelit, si dhe krizën aktuale të sigurisë në Lindjen e Mesme. Ai përkujtoi se Mali i Zi ka bashkëpunim të shkëlqyer me anëtarët e Aleancës, por theksoi edhe gatishmërinë për të forcuar bashkëpunimin me vendet partnere, ndër të cilat Izraeli zë një pozitë të rëndësishme.
Stojanoviq Mali i Zi dhe Italia po bashkëpunojnë me sukses në fushën e arsimit
Mali i Zi dhe Italia po bashkëpunojnë me sukses në fushën e arsimit, u bë e ditur në takimin e ministres së Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit Angjela Jakshiq Stojanoviq dhe ambasadorit italian në Mal të Zi Andrea Marçela. Siç njoftoi Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, gjatë takimit u fokusua në aktivitetet e ardhshme të përbashkëta të Italisë dhe Malit të Zi në fushën e arsimit. Në takim u njoftua se Italia është tradicionalisht një partner i mirë në projektet që lidhen me përmirësimin e arsimit të lartë dhe projektet e lëvizshmërisë së kredive. “Bashkëbiseduesit rikujtuan suksesin e marrëveshjeve të nënshkruara më parë, ndër të cilat më kryesoret janë marrëveshjet në kuadër të programit Tempus si dhe Erasmus plus”, thuhet në njoftim.
Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj u takua me Kristofer Sheldon
Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, u tha përfaqësuesve të Bankës Botërore lidhur me prioritetet strategjike të punës së këtij resori dhe rëndësinë e bashkëpunimit të Malit të Zi me Bankën Botërore për mbështetjen e procesit të reformës dhe digjitalizimit të administratës publike. Ai u takua me delegacionin e Bankës Botërore të kryesuar nga shefi i Zyrës së Bankës Botërore për Malin e Zi,Kristofer Sheldon.
Serbia paralajmëron hapjen e një shtabi policor në Preshevë
Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Bratisllav Gashiq, njoftoi se në ditët në vijim do të hapet një shtab policor në Preshevë, në jug të Serbisë, dhe se do të intensifikohen veprimet në zonën kufitare me Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë. Presheva është komunë e banuar me shumicë shqiptare dhe së bashku me Bujanocin dhe Medvegjën, ku jetojnë po ashtu shqiptarë, njihen si Lugina e Preshevës. Gashiq deklaroi se policia "po bën gjithçka për të frenuar migrimin e parregullt dhe për të dekurajuar dhe arrestuar të gjithë trafikuesit e njerëzve", njoftoi sot Ministria e Brendshme serbe. "Anëtarët e MPB-së do të marrin të gjitha masat për të parandaluar kalimin e parregullt të emigrantëve në vendin tonë. Ne do të qëndrojmë në këtë zonë, por edhe në veri të vendit, derisa ta zgjidhim plotësisht këtë problem", tha Gashiq në qendrën rajonale të policisë kufitare në drejtim të Bullgarisë. Policia serbe në fund të tetorit të vitit 2023 i intensifikoi veprimet pas të shtënave në qytetin Horgosh në kufi me Hungarinë, ku mbetën të vrarë tre emigrantë dhe u plagos një tjetër.
Në Shkup po mbahet takimi i Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë
Në Shkup po mbahet takimi i Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, më e madhja e këtij formati që është mbajtur ndonjëherë në vendin ballkanik. Situata e sigurisë në rajonin euroatlantik dhe euroaziatik është temë e diskutimit të ministrave të vendeve të OSBE-së, ku takohen 76 delegacione nga 57 vende. Në Shkup sot qëndrojnë zyrtarët amerikan dhe rus. Në takimin ministror merr pjesë edhe ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Filip Ivanoviq. Siç paralajmërohet takimi do të përfundojë nesër me nënshkrimin e një Deklarate të përbashkët.
Cohen në Shkup: Hamasi është si IS-i, do ta eliminojmë këtë grup
Ministri i Jashtëm i Izraelit, Eli Cohen, tha se shteti i tij është i përkushtuar që të vazhdojë luftën kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Këto komente ai i bëri para nisjes së takimit dyditor të Këshillit Ministror të Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë (OSBE) në Shkup të Maqedonisë së Veriut. Lufta mes Izraelit dhe Hamasit nisi pasi grupi radikal palestinez sulmoi jugun e Izraelit më 7 tetor, duke vrarë 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 240 të tjerë. Kryediplomati Cohen tha se “7 tetori ishte një ditë tragjike për Izraelin dhe se për të gjitha vuajtjet e njerëzve në Gazë, murin e krijuar dhe pengjet e marra në Gazë, fajtor është Hamasi”. “Hamasi është si IS-i [grupi militant, Shteti Islamik]”, tha ministri Cohen në Shkup. Krahasime mes Hamasit dhe IS-it – grup që disa vjet më parë është mposhtur në Siri dhe Irak – kishte bërë më herët edhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu. Deklaratat e Cohen vijnë në ditën kur Izraeli dhe Hamasi për herë të dytë u pajtuan të zgjasnin armëpushimin, që parasheh lirimin e pengjeve nga Hamasi në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë nga Izraeli.
Lavrov në Shkup përmes Turqisë dhe Greqisë
Aeroplani me të cilin po udhëtonte ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, u detyrua të fluturonte mbi Turqi dhe Greqi për të arritur në Maqedoni të Veriut, pasi Bullgaria nuk lejoi që ai të kalonte mbi hapësirën e saj ajrore. Bullgaria tha se leja paraprake e dhënë në mënyrë specifike thoshte se aeroplani i delegacionit rus, në krye me Lavrovin, nuk duhej të kishte persona të sanksionuar nga Bashkimi Evropian për shkak të luftës së paprovokuar ruse ndaj Ukrainës. Në orët e para të 30 nëntorit, Lavrov arriti në Maqedoni të Veriut për të marrë pjesë në një samit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, e akuzoi Bullgarinë për “budallëk” për shkak të vendimit të Sofjes për të mos lejuar aeroplanin e Lavrovit të kalonte mbi hapësirën bullgare. “Leja i është dhënë ministrit të Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Sergei Lavrov, për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit Ministror të OSBE-së në Shkup dhe është përfshirë në përjashtimet nga zbatimi i regjimit të sanksioneve të BE-së ndaj tij. Leja e dhënë nuk vlen për anëtarët e delegacionit të tij, të cilët janë edhe persona të sanksionuar, sipas ligjit në fuqi të BE-së, që shprehimisht thuhet në përgjigjen e palës bullgare”, u tha në reagimin e MPJ-së bullgare.
Zgjatet armëpushimi në Gazë
Izraeli dhe Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – u pajtuan sot që të zgjasin armëpushimin edhe për një ditë. Zgjatja e armëpushimit u arrit në minutat e fundit, para se marrëveshja të skadonte. Armëpushimi në Gazë po mundëson lirimin kryesisht të grave dhe fëmijëve nga Hamasi, në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë nga Hamasi. Zgjatja e armëpushimit ndodhi mëngjesin e otëm, në kohën kur disa sulmues hapën zjarr ndaj disa personave që po prisnin për autobus në autostradën kryesore nga Tel Avivi për në Jerusalem, duke vrarë të paktën dy persona dhe plagosur shtatë të tjerë, thanë autoritetet izraelite. Policia tha se dy sulmues janë vrarë. Ende është e paqartë nëse sulmi u krye nga ndonjë grup militant palestinez dhe nëse kjo ngjarje do të ndikojë në armëpushimin në Gazë. Presioni ndërkombëtar është rritur për vazhdimin e armëpushimit për aq kohë sa të jetë e mundur, pas pothuajse tetë javë të bombardimeve dhe ofensivës tokësore izraelite në Gazë, që ka lënë të vrarë mijëra palestinezë dhe ka detyruar tri të katërtën e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh të territorit të zhvendoset dhe ka shkaktuar një krizë humanitare. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, prej mbrëmë po qëndron në Izrael. Kjo është vizita e tretë në rajon që nga nisja e luftës. Zyrtari amerikan pritet të kërkojë zgjatje të mëtejme të armëpushimit dhe lirim të më shumë pengjeve.
M.Regev - Izraeli do të zgjasë armëpushimin për çdo ditë që Hamasi vazhdon të lirojë 10 pengje të gjalla
Izraeli do të zgjasë armëpushimin për çdo ditë që Hamasi vazhdon të lirojë 10 pengje të gjallë, u shpreh sot një zyrtar i lartë izraelit. Mark Regev, një këshilltar i lartë i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, tha për CNN se qëndrimi i Izraelit për çdo zgjatje të pauzës humanitare në luftime është “kristal i qartë. Kur u pyet nëse luftimet do të rifillonin brenda 24 orëve të ardhshme, Regev u shpreh se“nëse Hamasi nuk arrin të përmbushë kushtet e zgjatjes, që është të lirojë 10 izraelitë, atëherë sigurisht që luftimet mund të rifillojnë”.I pyetur ndër të tjerapër negociatat për çdo marrëveshje të mëtejshme, Regev tha: Kjo është një pauzë humanitare në luftën tonë kundër Hamasit, Izraeli është i vendosur të shkatërrojë makinën ushtarake të Hamasit dhe sundimin e tij mbi Gazën.
Bashkimi Evropian ia ka dorëzuar Ukrainës 300.000 predhat e premtuara më parë
Bashkimi Evropian ia ka dorëzuar Ukrainës 300.000 nga një milionë predhat e premtuara deri tani, tha ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ditën e djeshme në Bruksel, ku po merr pjesë në një takim të NATO-s. Duke folur për gazetarë në margjinat e takimit të ministrave të Jashtëm të aleancës ushtarake, Kuleba bëri thirrje për bashkëpunim më të madh mes industrive të mbrojtjes së Ukrainës dhe NATO-s për tu siguruar se Kievi i ka të gjitha furnizimet e nevojshme për ta mposhtur Rusinë, e cila e nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022.“Në fillim të këtij viti, liderët e BE-së u zotuan se do t’ia dërgonin frontit të Ukrainës një milion copë municion deri në pranverë të vitit 2024. Kjo do të nënkuptonte rritje të jashtëzakonshme të prodhimit.Por, në fillim të nëntorit, blloku i përbërë nga 27 vende, tha se tani e ka të vështirë ta bëjë një gjë të tillë.
Vdes ish-sekretari amerikan i Shtetit, Henry Kissinger
Ish-sekretari amerikan i Shtetit, Henry Kissinger, ka vdekur në moshën 100-vjeçare, ka njoftoi kompania konsulente e tij. Ai vdiq në shtëpinë e tij në Konektikat. Kissinger kishte dominuar politikën e jashtme përderisa Shtetet e Bashkuara u larguan nga lufta në Vietnam dhe larguan barrierat me Kinën. Kissinger kishte ndikim të madh në çështjet globale gjatë shërbimit të tij në mandatet presidenciale të Richard Nixonit dhe Gerald Fordit, duke fituar edhe Çmimin Nobel për paqe. Fuqia e Kissingerit u rrit gjatë trazirave të shkaktuara nga afera Watergate, kur ai mori një rol të ngjashëm me të bashkëpresidentit, në kohën kur fuqia e Nixonit ishte dobësuar për shkak të aferës. Një hebre që u largua nga Gjermania Naziste së bashku me familjen e tij, Kissinger në vitet e mëvonshme fitoi reputacionin e një burrështetasi të respektuar, duke ofruar këshilla si për republikanët, ashtu edhe demokratët. Në shumë raste, ai u pa edhe në Shtëpinë e Bardhë në kohën kur Donald Trump ishte president.
Nesčr mot I ngjashčm me tč sotmin
Sot në Mal të Zi mban mot kryesisht i vranët dhe kohë pas kohe me reshje të dobëta të shiut. Frynë erë e mesme deri e forte nga drejtimi i jugut. Temperaturat në orën 13: Tivar e Ulqin 17 gradë, H. Novi 16, Podgoricë e Plevle 12, Beranë e Andrievicë 11, Shavnik 10, Cetinë e Plluzhinë 8, Nikshiq, Kollashin. B. Pole e Petnicë 7 dhe në Zhablak e Rozhajë 4 gradë.
Në Mal të Zi për nesër paralajmërohet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe me reshje të mundshme të shiut. Në jug dhe në pjesët qendrore reshje intensive. Do të fryjë erë e fortë deri shumë e fortë nga drejtimet e jugut. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 6 deri 16 kurse më e larta e ditës prej 10 deri në 21 gradë celsius.
Коментари0
Остави коментар