Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема
MNE Play
MNE Play

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

29. 11. 2023. 00:00 >> 19:39

Ditari 29.11.2023

Përgatiti, Senad Gilaj

MONSTAT-i gati, regjistrimi fillon nesër ?

Drejtori i Drejtorisë së Statistikave (MONSTAT), Mirosllav Pejoviq, në konferencën e sotme për media ka njoftuar se Regjistrimi i popullsisë dhe i amvisërive  do të fillojë nesër, siç ishte planifikuar. Ai tha se janë siguruar të gjitha kushtet për mbajtjen e regjistrimit, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që t'u hapin dyert regjistruesve. Sipas fjalëve të tij, regjistruesit dhe instruktorët janë duke vizituar qarqet e regjistrimit. “Gjithçka është gati për regjistrim. Regjistrimi fillon nesër, janë plotësuar të gjitha kushtet. Monstat i ka kryer të gjitha aktivitetet, regjistruesit dhe instruktorët sot po i vizitojnë qarqet e regjistrimit”, tha Pejoviq në konferencën për media. Në pyetjen se në çfarë momenti nuk vlejnë rezultatet e regjistrimit, nëse do të bojkotohet ky proces, Pejoviq tha se i vjen keq nëse do të ketë bojkot sepse janë plotësuar të gjitha parakushtet dhe i fundit është specifikimi për verifikimin e të dhënave në software. Ndihmës drejtoresha e Monstat-it, Snezhana Remikoviq tha se saktësia e të dhënave të cilat do të grumbullohen gjatë regjistrimit, do të ndikohet nga madhësia e bojkotit, nëse do të ketë. Ajo sqaroi gjithashtu se posedojnë me mekanizmin për të përdorur të dhënat nga regjistrat administrativë për të plotësuar informacionin që mund eventualisht të mungojë. Të përkujtojmë se dje presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka shpallur ndryshimet e Ligjit për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, të cilin e ka miratuar Kuvendi i Malit të Zi.

Jemi gati ta shtyjmë regjistrimin; lëshim i fundit për opozitën

Kryeministri Millojko Spajiq tha se nuk ka arsye për shtyrjen e regjistrimit, por shtoi se megjithatë është i gatshëm ta shtyjë fillimin e regjistrimit për katër ditë. Ai tha se sot do të bisedojë me shumicën parlamentare, por do t’i dërgojë ofertë Partisë Demokratike të Socialistëve (PDS) për shtyrjen e regjistrimit për katër ditë deri më 3 dhjetor. “Dhe të shohim nëse qëllimet janë të mira apo të këqija”, tha Spajiq dhe shtoi se ekziston një nivel maksimal i kontrollit. “Çdo pikë e marrëveshjes që kemi nënshkruar është përmbushur plotësisht”, u tha Spajiq gazetarëve. Ai thotë gjithashtu se Monstat ka njoftuar se kanë “një numër të mjaftueshëm regjistruesish”. “Sot, Monstat prezantoi gjithashtu specifikimet për softuerin,” tha Spajiq. Ai tha se ky është lëshimi i fundit për opozitën duke shtuar nuk sheh arsye për shtyrje sepse gjithçka është gati dhe paralajmëroi se me shumicën parlamentare do të takohet sonte në ora 16. Mekanizmat e kontrollit të regjistrimit, siç tha ai, janë shumë më të mira se sa në vitin 2011 dhe shumë më të mira se sa në disa shtete tjera të cilat nuk mund të krahasohen me Malin e Zi.

Nuk janë plotësuar të gjitha kushtet, PDS nuk do të marrë pjesë në regjistrim

Partia Demokratike e Socialistëve (PDS) nuk do të marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë që duhet të fillojë nesër, ka bërë të ditur ushtruesi i detyrës së kryetarit të kësaj partie, Danijell Zhivkoviq. Përfaqësuesit e Qeverisë, opozitës dhe Këshillave të pakicave nënshkruan marrëveshjen për kushtet e mbajtjes së regjistrimit të popullsisë. Zhivkoviq në konferencën e sotme për media tha se më herët kishin paralajmëruar se nuk do të marrin pjesë në regjistrim, nëse nuk plotësohen të gjitha kushtet e marrëveshjes për mbajtjen e tij. Siç u shpreh, ai kërkoi nga kryeministri Millojko Spajiq që të shtyjë për disa ditë regjistrimin e planifikuar për me 30 nëntor. “Sot mund të konstatojmë se nuk janë plotësuar të gjitha kushtet nga marrëveshja dhe se duke pasur parasysh këtë, PDS nuk mund të marrë pjesë në regjistrimin e organizuar në këtë mënyrë”, tha Zhivkoviq.

Marrëveshja më e rëndësishme se sa data e fillimit të regjistrimit

Këshillat e popujve pakicë plotësisht përkrahin qëllimin dhe përpjekjet e kryeministrit Milojko Spajiq dhe të kabinetit të tij që në Mal të Zi të mbahet regjistrimi i cili do të jetë shprehje e unitetit dhe pjekurisë së plotë, e jo të ndonjë polarizimi, thuhet mes tjerash në kumtesën e përbashkët. Sipas tyre, përplotësimin e kushteve nevojiten edhe disa ditë duke apeluar te Qeveria, Monstat-i dhe të gjithë akterët të kontribuojnë në plotësimin e kushteve të parpara me Ligj dhe me Marrëveshje. Kurse kryetari i komunës së Cetinës nga radhët e Partisë Socialdemokratike, Nikolla Gjurashkoviq, ka bërë të ditur se Partia Demokratike e Socialistëve po luan me malazezët për kushedi të satën herë. Ata po negociojnë për regjistrim. “Njëherë kanë, pastaj nuk kanë qëndrim, po bojkotojnë, as ata nuk e dinë se cili është qëllimi, ose ndoshta dikush e din”, tha Gjurashkoviq, duke vlerësuar se në skenë janë 30 vjet lojë me shtetin. Përndryshe dje Spajiq ka zhvilluar takim me përfaqësuesit e opozitës. Pas takimit nuk ka pasur deklarata, ndërkohë që nga kabineti i kryeministrit ishte kumtuar më parë se të gjitha kërkesat e opozitës janë përmbushur dhe se regjistrimi do të fillojë më 30 nëntor. Në kumtesë ceket se siç thuhet në Marrëveshje, Komisionet e regjistrimit janë zgjeruar edhe më shumë se sa është kërkuar dhe është përsëritur Thirrja publike për instruktorë dhe regjistrues të cilët janë përzgjedhur nga Komisionet e zgjeruara në bazë të paritetitit.

Vazhdimi i autostradës në vitin e ardhshëm

“Zhvillimi dinamik i infrastrukturës është një nga qëllimet kryesore të Qeverisë dhe parakusht i rëndësishëm për intensifikimin e aktiviteteve ekonomike”, tha kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq në takim me përfaqësuesit e investitorëve të huaj në Mal të Zi. Siç është bërë e ditur nga kabineti i kryeministrit, ai i ka njoftuar bashkëbiseduesit me planet për zhvillimin e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore dhe në këtë kontekst ka paralajmëruar fillimin e punimeve gjatë vitit që vjen në pjesën e dytë të autostradës gjatë vitit të ardhshëm. “Ne besojmë në ndryshimet ekonomike dhe krijimin e vlerave të reja për qytetarët tanë. Për këtë, duhet punuar pa kompromis në eliminimin e ekonomisë informale dhe barrierave të biznesit”, tha kryeministri. Përfaqësuesit e Këshillit të investitorëve të huaj e njohën kryeministrin me Strategjinë për periudhën 2024-2026 dhe shprehën besimin se Mali i Zi mund të jetë vendi më konkurrues për investime në rajon. Në takim u vlerësua gjithashtu se forcimi i infrastrukturës, digjitalizimi i bazës të të dhënave dhe mbështetja për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, janë të rëndësishme për vazhdimin e zhvillimit ekonomik të Malit të Zi. Me qëllim të realizimit sa më efikas të qëllimeve të përcaktuara, është shprehur gatishmëria për organizimin e takimeve të rregullta të përfaqësuesve të Qeverisë dhe këtij Këshilli.

Borxhi ishte i pritshëm

Vendimi i Qeverisë që të marrë hua nga 150 deri në 200 milionë euro deri në fund të vitit ishte plotësisht i pritshëm, thonë analistët ekonomik, Olleg Fillipoviq dhe Mirza Muleshkoviq, duke shtuar se tani mbetet vetëm pyetja se në çfarë kushtesh do të bëhet huamarrja. “Asgjë e pazakontë. Edhe më parë supozonim se ky do të ishte vendimi i parë i Qeverisë”, tha Fillipoviq. Ai ka shpjeguar se plani i Qeverisë është që këtë vit të shpenzojë një pjesë të këtyre mjeteve, ndërsa 100 milionë ti transferojë në rezervë për vitin e ardhshëm, shkruan portali ynë. “Për rreth dy javë do ta shohim edhe buxhetin për vitin e ardhshëm, kurse sapo të shohim qëndrimet e buxheteve, do të shohim se çfarë na pret vitin e ardhshëm”, tha Fillipoviq. Muleshkoviq tha se ne e dinim që nga muaji qershor se do të duhej të merrnim hua deri në fund të vitit dhe se ishte vetëm çështja se sa para mungonin. “Tani është e rëndësishme të shohim se në çfarë kushtesh do të marrim hua”, tha Muleskoviq dhe shtoi se është i shqetësuar se si do ta kalojmë vitin e ardhshëm. Sipas kompanisë konsulente, “Fidelity consulting”, Mali i Zi deri në fund të vitit do të mund të marrë hua me interes prej 5.5 për qind.

Eksporti rreth gjysmë miliardë, importi afër gjashtë herë më i lartë

Sipas të dhënave paraprake të MONSTAT-it, tregtia e jashtme e Malit të Zi në dhjetë muajt e parë arriti në 3,7 miliardë euro, që është 5,4 për qind më e lartë në krahasim me të njëjtën periudhë në vitin e kaluar. Nga kjo Drejtori thanë se mallrat e eksportuara kapin vlerën prej 538,4 milionë euro, që është 6,6 për qind më pak në krahasim me periudhën krahasuese. Importet ishin 7.8 për qind më të larta dhe arritën në 3.17 miliardë euro. “Mbulimi i importit me eksport arriti në 17 për qind dhe është më i vogël në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë kur ishte 19,6 për qind”, thuhet në njoftim. Sipas MONSTAT, partnerët më të mëdhenj të tregtisë së jashtme në eksporte ishin Serbia me 145 milionë euro, Bosnjë Hercegovina me 65,4 milionë euro dhe Sllovenia me 61,8 milionë euro. Kurse partnerët më të mëdhenj të tregtisë së jashtme në import poashtu në vend të parë ishte Serbia me 553.6 milionë euro, pastaj Kina me 352.8 milionë dhe Gjermania me 297.6 milionë euro. Tregtia e jashtme ishte më e madhe me nënshkruesit e Zonës së tregtisë së lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) dhe me Bashkimin Evropian (BE).

Do të jemi burim i lajmeve të mira nga Ballkani

Mali i Zi është i përkushtuar në obligimet nga procesi i bashkëbisedimeve, u kumtua në takimin e ministres për punët evropiane, Maida Gorçeviq me komisarin evropian për zgjerim dhe fqinjësi, Oliver Varheli. Komisari evropian tha se Mali i Zi, pas një periudhe stagnimi, duhet ta shfrytëzojë kushtet e volitshme të jashtme e të brendshme që ti plotësojë detyrat kryesore dhe të zbatojë reformat e nevojshme. Varheli shprehu pritjet se Mali i Zi në periudhën e ardhshme do të arrijë ti mobilizojë të gjitha kapacitetet e veta që ti plotësojë masat e përkohshme nga Kapitujt 23 dhe 24, të cilat janë kyçe për vazhdimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian (BE). Gorçeviq tha se Qeveria e Malit të Zi është plotësisht e përkushtuar, që në bashkëpunim me dy degët tjera të pushtetit, në afat sa më të shkurtër kohorë ti plotësojë obligimet e mbetura nga sundimi i ligjit. “Jam këtu të përcjelli mesazhin për konsensusin e partive politike, por edhe të paraqes përkushtimin e plotë të të gjithë ministrave të Qeverisë, në obligimet të cilat rrjedhin nga agjenda e BE-së”, tha Gorçeviq. Ajo theksoi se zgjedhja e gjyqtarit të shtatë të Gjyqit Kushtetues, as një muaj pas formimit të Kuvendit dhe Qeverisë, është hap i parë i cili tregon përkushtimin e plotë ndaj obligimeve nga procesi bashkëbisedues.

Nuk ka të ardhme pa institucione të forta dhe qytetarë të fortë ekonomikisht

“Një vend nuk mund të kenë të ardhme pa institucione të forta demokratike dhe qytetarë të fortë ekonomikisht”, deklaroi nënkryetari i Qeverisë së Malit të Zi, Aleksa Beçiq, gjatë takimit me ambasadorin e Zvicrës, Urs Shmid. Siç thuhet në njoftim nga Qeveria, takimi u zhvillua me qëllim të forcimit të lidhjeve mes dy vendeve, në të cilin Beçiq ka theksuar përkushtimin e Malit të Zi në rrugën e integrimit evropian dhe ndërtimin e një shoqërie të fortë dhe të drejtë. Siç njoftoi Qeveria, takimi ishte edhe mundësi për të theksuar marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve, të Malit të Zi dhe Zvicrës, si vend i cili shquhet për vlerat e tij të forta demokratike dhe end të veçantë në zemër të Evropës. “Politikanët në Mal të Zi sot kanë mundësi unike brezash për ta bërë vendin anëtarin e parë të ardhshëm të Bashkimit Evropian (BE)”, tha Beçiq duke shtuar përpjekjet e Malit të Zi si kandidati më i avancuar, si më i drejti në parimin e regatës, dhe theksoi përafrimin e politikës monetare dhe të jashtme të Malit të Zi me BE-në. Beçiq poashtu theksoi mbështetjen e fuqishme të qytetarëve për procesin e integrimit evropian, hapjen e të gjithë kapitujve dhe gatishmërinë për mbylljen e shumtë  negociatave dhe aktiviteteve evidente që synojnë zhbllokimin e gjyqësorit dhe luftën vendimtare kundër krimit dhe korrupsionit. Ndërsa ambasadori Shmid theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Malit të Zi dhe Zvicrës, duke theksuar se Zvicra është investitori i tretë më i rëndësishëm në Mal të Zi.

Të avancohet bashkëpunimi me Gjykatën Revizore Evropiane

“Mal të Zi duhet të përmirësojë bashkëpunimin e institucioneve të veta revizore me Gjykatën  Auditorëve evropian, në mënyrë që vendi të përshtatet me kërkesat që do të dalin nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian”, tha presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq. Ai u takua me Kryetarin e Gjykatës së Revizorëve Evropian, Toni Marfi, ku theksoi rëndësinë e punës së mëtejshme të pavarur të Institucionit Revizor të Shtetit.

Qëllimi, krijimi i administratës publike sipas standardeve të anëtarëve të BE-së

Prioritet i Ministrisë së Administratës Publike është krijimi i drejtimeve strategjike të zhvillimit për reformën e administratës publike dhe të digjitalizimit, me synim të krijimit të një administrate transparente, sipas standardeve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE), deklaroi sot ministri i këtij resori, Marash Dukaj. Ai në takim me koordinatorin rezident të Kombeve të Bashkuara (OKB) në Mal të Zi, Peter Llundberg tha se prioritetet i ministrisë të cilën e  kryeson është vazhdimi i procesit të transformimit digjital, rritja e sigurisë kibernetike dhe numrit të shërbimeve elektronike të destinuara për qytetarët, bizneset dhe turistët. Dukaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Programit të OKB-së për reformën e Administratës publike dhe forcimin e institucioneve demokratike si dhe përfshirjen më të madhe të qytetarëve në procesin e hartimit të politikave publike. Ambasadori Llundberg theksoi rëndësinë e kësaj ministrie për zhvillimin e mëtejshëm të Malit të Zi dhe tha se janë të hapur për bashkëpunim më intensiv në bazë të reformës së administratës publike.

Mali i Zi partner i besueshëm në zbatimin e politikave evropiane

Mali i Zi është partner i besueshëm në zbatimin e politikave evropiane, deklaroi Komisionerja evropiane për Punët e Brendshme, Ilva Johanson. Siç u kumtua nga Ministria e Punëve të Brendshme të Malit të Zi, Johanson këtë e tha në konferencën për Forcimin e Bashkëpunimit në Luftën kundër kontrabandës me migrantë, ku mori pjesë edhe ministri i Punëve të Brendshme tč Malit të Zi, Danillo Sharanoviq. Ajo theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të policisë kufitare malazeze me FRONTEX, si dhe vlerësoi përpjekjet në drejtim të futjes së sistemit për identifikimin dhe regjistrimin elektronik të migrantëve. Në njoftim nga kjo ministri poashtu thuhet se Sharanoviq dhe Johanson nënshkruan Marrëveshjen e përditësuar dypalëshe ndërmjet Malit të Zi dhe Bashkimit Evropian (BE) për zbatimin e planit të përbashkët të veprimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në luftën kundër terrorizmit.

Milloviq sugjeroi nënshkrimin e marrëveshjes për ekstradim midis Malit të Zi dhe Kosovës

Ministri i Drejtësisë së Malit të Zi, Andrej Milloviq, ka takuar ambasadoren e Republikës së Kosovës në Mal të Zi, Ariana Zherka- Hoxha, dhe me këtë rast ka propozuar nënshkrimin e marrëveshjes dypalëshe për ekstradim ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës, si hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të bashkëpunimi të ndërsjellët juridik dhe gjyqësorë. Ai theksoi se bashkëpunimi i deritanishëm ka qenë i mirë, duke shprehur shpresën se në të ardhmen të bëhet edhe më i mirë dhe të kontribuojë në stabilitetin rajonal, thuhet në njoftim nga Ministria malazeze e drejtësisë. Nga anën tjetër, ambasadorja Hoxha vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm mes Malit të Zi dhe Kosovës, mirëpo shprehu mospajtim me vendimin e ish ministrit të drejtësisë të Mali i Zi, që të mos dorëzojë dy persona në kërkim autoriteteve gjyqësore të Kosovës. Takimi përfundoi në pajtim për hapat e mëtejshëm në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës në fushën e drejtësisë. Milloviq sot u takua edhe me ambasadorin e Gjermanisë në Mal të Zi, Peter Fellten.

“Do të hapim dialog për zgjedhjen e Kryeprokurorit shtetërorë dhe anëtarëve të Këshillit Gjyqësor”

Deputetja e Lëvizjes “Evropa Tani”, Jellena Nedoviq, në emisionin “Duel” në kanalin parlamentar tha se është krijuar narrativi se reformat në drejtësi dhe në prokurori po bëhen për shkak të Bashkimit Evropian, i cili siç tha ajo, është i gabueshëm. “Ne do të zhbllokojmë gjyqësorin për hir të qytetarëve tanë”, tha Nedoviq duke paralajmëruar se “Evropa Tani” do të hapë dialog dhe do të bisedojë me të gjitha subjektet politike për zgjedhjen e Kryeprokurorit shtetërorë dhe Këshillin Gjyqësorë. “Nuk mund të krijojmë një narrativë se do të zhbllokojmë gjyqësorin për shkak të BE-së. Jo, ne do ta zhbllokojmë për hir të qytetarëve tanë”, theksoi Nedoviq. Edhe deputeti i Partisë Demokratike të Socialistëve (PDS), Mihaillo Angjushiq është i mendimit se duhet të arrihet një konsensus për çështjet e zhbllokimit të gjyqësorit dhe prokurorisë. “Çdo konsensus për këto çështje duhet të mirëpritet. Ai dialog nisi me zgjedhjen e gjyqtarit të munguar në Gjykatën Kushtetuese. Qëndrimi ynë është që duhet të hapet dialogu dhe të bisedohet për këto zgjidhje. Ne jemi këtu dhe jemi të gatshëm të bisedojmë”, ka theksuar Angjushiq.

Rregullimi në epokën digjitale është i mundur vetëm me bashkëpunimin e të gjithë akterëve

Problemi i rregullimit të mediave dhe komunikimit, si rezultat i digjitalizimit, mund të zgjidhen vetëm me bashkëpunimin e medias, sektorit publik e civil dhe biznesit, u vlerësua në konferencën ndërkombëtare, "Horizontet e medias: Sfidat e të ardhmes", organizuar nga Agjencia për Media Elektronike. Jadranka Vojvodiq nga kjo Agjenci, në panelin "E ardhmja e rregullimit", deklaroi se digjitalizimi i teknologjive informative dhe komunikimit ka çuar në transformim të rëndësishëm të sferës publike. "Sfida më e madhe se boshllëku teknologjik i shkaktuar nga digjitalizimi është dallimi në shkrim dhe në leximin mediatik dhe digjital, respektivisht në kufizimet e aspektin të mbrojtjes së aftësisë për të përdorur një numër në rritje të shërbimeve digjitale”, u shpreh Vojvodiq.

Raoniq: Progres serioz i RTMZ, presim vit financiar të suksesshëm

“Transmetuesi publik po shënon progres serioz në të gjitha nivelet dhe duhet të presim investime dukshëm më të larta dhe një vit financiar të suksesshëm”, deklaroi drejtori i përgjithshëm Boris Raoniq në emisionin “Link” të Radios së Malit të Zi. Ai thotë se Transmetuesi publik ka treguar se nuk është një mjet politik i askujt, por është dhe do të jetë në shërbim të qytetarëve, dhe se përpjekjet e dy qendrave të pushtetit për të krijuar afera që synojnë Radio dhe Televizionin e Malit të Zi si servis publik, janë të dënuara në dështim. “Ka një numër njerëzish që nuk janë të kënaqur me rrugën që kemi marrë. Njëri grup, pas disa dekadave përfitime nga biznesi me shtetin, po përpiqet të krijojë afera kundër Transmetuesit Publik. Këtu përfshihet edhe një pjesë e sektorit civil dhe e medieve që financohen nga paratë e atij grupi të fuqishëm. Nga ana tjetër është një grup që dëshiron të ndikojë në të gjitha proceset politike dhe institucionet e rëndësishme dhe dëshiron të kontrollojë disa rrjedha, duke përfshirë vendosjen e kontrollit mbi servisin publik. Për fat të keq të tyre, të gjitha aferat që drejtuan ndaj Radiotelevizionit të Malit të Zi ranë në ujë, të gjitha ishin të pasuksesshme dhe shpejt do të dalim me një analizë se kush, si dhe pse i krijoi ato afera”, tha Raoniq.

NATO do ta ndihmojë Ballkanin Perëndimor në rrugën euro-atlantike

Ministrat e Jashtëm të NATO-s, diskutuan tensionet në Ballkanin Perëndimor, mes thirrjeve për shtimin e pranisë ushtarake të aleancës për shkak të shqetësimeve se situata e pazgjidhur mes Kosovës dhe Serbisë mund të rrisë paqëndrueshmërinë në rajon. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s, që u mbajt në Bruksel, është diskutuar se si të ndihmohet Ballkani Perëndimor për një të ardhme euro-atlantike. Blinken, në një postim në platformën X, tha se “Aleanca e NATO-s është e bashkuar”, duke shtuar se është diskutuar edhe për thellimin e partneritetin me Ukrainën. “Ne folëm për shumë tema në terren gjatë takimit të ministrave të Jashtëm – nga pritshmëritë tona në Samitin e Uashingtonit vitin e ardhshëm, në mënyrat se si mund të thellojmë partneritetin tonë me Ukrainën, deri tek mënyra se si mund të ndihmojmë në mbështetjen e të ardhmes euroatlantike të Ballkanit Perëndimor”. Situata në Ballkanin Perëndimor ishte pjesë e diskutimeve të shefit të politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell me ministrat e NATO-s. Diplomacia perëndimore është vënë në përpjekje për të përshpejtuar normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke i kërkuar Prishtinës themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe ndërsa Beogradit njohjen de fakto të Kosovës.

Përkujtohet 29 Nëntori, 79-vjetori i çlirimit të Shqipërisë; Udhëhiquni nga kompromisi jo nga konfrontimi

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj ka organizuar mbrëmë pritje në Pallatin e Brigadave në kuadër të 111-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, ku morën pjesë zyrtarët më të lartë të shtetit. Në fjalën e tij, Begaj pati edhe një mesazh për politikën, duke i kërkuar që të gjejnë kompromisin për t’i shërbyer qytetarëve. Presidenti bëri thirrje edhe për bashkëpunim sa më të ngushtë me Kosovën. Përndryshe, shqiptarët anekënd botës dje kremtuan Ditën e Flamurit dhe 111 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, ndërkaq Shqipëria sot shënon 79 vjetorin e çlirimit. Kur sot shënohen 79-vjet nga çlirimi i Shqipërisë, ku presidenti Bajram Begaj dhe kryeministri Edi Rama vendosën kurora me lule pranë Monumentit “Nënë Shqipëri. Sipas kryeministrit Rama, kjo është “ditë kujtese e sakrificës sublime të mijëra të rinjve e të rejave që ranë heroikisht në emër të lirisë. Gjithashtu, në këtë ceremoni merrnin pjesë edhe personalitete të tjera politike të vendit, midis tyre edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. Ndërkaq, më herët, kryeministri Rama shpërndau edhe një video të cilën e shoqëronte me urimin për çlirimin e vendit. “dhe bashkë me urimin për festën e madhe të çlirimit, ju uroj të gjithëve një ditë të paqtë”, shkruan Rama.

Ndërmjetësit synojnë zgjatjen e armëpushimit në Gazë

Në Katar janë duke vazhduar bisedimet për një zgjatje të mundshme të armëpushimit të përkohshëm midis Izraelit dhe Hamasit. Ndërmjetësit ndërkombëtarë po vazhdojnë punën për të zgjatur armëpushimin në Gazë, duke shpresuar se Hamasi dhe Izraeli do të vazhdojë të lirojë pengje në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë nga Izraeli. Armëpushimi aktual do të skadojë brenda ditës. Izraeli ka mirëpritur lirimin e dhjetëra pengjeve gjatë ditëve të fundit dhe ka thënë se do të mbajë armëpushimin nëse Hamasi vazhdon të lirojë pengje. Por, synim tjetër i madh i Izraelit, eliminimi i grupit radikal që ka udhëhequr Gazën për 16 vjet, mund të mos arrihet. Javë të bombardimeve të ashpra dhe sulmit tokësor izraelit kanë shkatërruar pjesë të mëdha në veriun e Gazës dhe kanë vrarë mijëra palestinezë. Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, i ka thënë Izraelit që nëse rinisë ofensivën, duhet të operojë me precizitet të lartë, veçmas në jug. Një qasje e tillë ka pak të ngjarë që të gjunjëzojë Hamasin shpejt, teksa presioni ndërkombëtar për zgjatjen e armëpushimit po rritet. Nga nisja e luftimeve mes dy palëve janë vrarë rreth 15 mijë palestinezë, mes tyre mijëra fëmijë dhe 1200 persona u vranë nga Hamasi në Izrael gjatë sulmit të 7 tetorit.

G7 kërkon zgjatjen e armëpushimit në Gazë

Ministrat e Jashtëm të Grupit të Shtatë shteteve më të industrializuara (G7) kanë mbështetur zgjatjen e mëtejme të ndalimit aktual të luftimeve në Gazë. Përmes një deklarate për media, G7 tha se pauzat e reja të armëpushimit do të duhej të përfshinin edhe rritjen e ndihmës dhe lehtësimin për lirimin e të gjitha pengjeve të marra nga Hamasi – grupi militant palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Armëpushimi aktual parasheh lirimin e pengjeve nga Hamasi në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë nga Izraeli. Në deklaratën e G7-s po ashtu u mirëprit lirimi i pengjeve nga Hamasi. “Ne si G7 bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjitha pengjeve”, u tha në deklaratën e G7-s. Në deklaratë po ashtu u theksua “e drejta e Izraelit për të mbrojtur veten dhe popullin e tij”, por po ashtu u tha se është e rëndësishme “që të mbrohen civilët dhe të respektohen ligjet ndërkombëtare”. Ministrat e G7-s thanë po ashtu se janë të përkushtuar për krijimin e një shteti palestinez përmes zgjidhjes me dy shtete. Ata po ashtu kërkuan që të mos lejohet që konflikti të përshkallëzohet edhe më tej.

Suedia pret që Turqia të ratifikojë “brenda javësh” pranimin në NATO

Turqia ka njoftuar Suedinë se pret që të ratifikojë brenda javësh pranimin e Stokholmit në aleancën ushtarake perëndimore të NATO-s, tha ministri i Jashtëm suedez. Suedia dhe Finlanda vitin e kaluar kërkuan t’i bashkohen NATO-s pasi Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës. Por, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, shteti i të cilit është anëtar i NATO-s, ngriti shqetësime, duke argumentuar se këto dy shtete mbrojnë grupe që Ankaraja i konsideron terroriste. Në muajin prill Turqia mbështeti anëtarësimin e Finlandës në NATO, por jo edhe të Suedisë. Turqia ka kërkuar nga Suedia që të ndërmarrë më shumë hapa ndaj anëtarëve lokalë të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, që konsiderohet grup terrorist nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara. Përveç Turqisë, edhe Hungaria ende nuk ka ratifikuar pranimin e Suedisë në NATO.

Nesër mot i ndryshueshëm, pas dite me reshje më intensive të shiut në jug

Në Mal të Zi sot mbajti mot me vranësira të ndryshueshme dhe me intervale me diell. Fryn erë e dobët nga drejtimet e ndryshme. Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Tivar 17 gradë, Ulqin 16, Budvë 15, Podgoricë 14, Cetinë 12, Nikshiq 9, në Bijello Pole e Guci 5, Kollashin, Rozhajë e Beranë 4, Plevle 2 dhe në Zhablak -2 gradë.

Për nesër meteorologët paralajmërojnë të mbajë mot i ndryshueshëm dhe me reshje të shiut, më intensive pas dite në jug dhe pjesët qendrore. Do të fryjë erë e mesme deri e fortë, vende vende shumë e fortë nga drejtimet e jugut. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej -4 deri në 9 kurse më e larta e ditës prej 5 deri në 17 gradë celsius.   

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се